JETA IME






AUTOBIOGRAFI



 PAK, PËR ORIGJINËN E FISIT "ÇIPI"


Në lagjen Palorto të qytetit të Gjirokastrës janë ende rrënojat e "Portave të Mëdha" me qemer, nga ku hyje në zonën e rrethuar me mure të lart guri, ku e kishte qendrën e hershme të banimit fisi i lashtë gjirokastrit i Çipatëve, banorë të skajës ekstreme (cepit, çipit) veriperëndimor të qytetit të Gjirokastrës. Edhe lëvizjet e mëvonshme drejt kalasë së qytetit, asnjëherë nuk i larguan përfundimisht Çipatët nga lagjja Palorto, ku edhe sot banojnë pasardhësit e tribusë së madhe autoktone. Në arshivat e vjetra turke, po dhe te libri "Bleta Shqiptare" i Thimi Mitko Qafzezit, gjejmë gjurmë të këtij fisi të vjetër shqiptar.
                         
Në brezin e parë të identifikuar kujtojmë Ilmiun me djemtë tij: Hasan, Fejzo, Mehdi dhe Ali. 
 
Fejzoja kujtohet si antiturk, që me koshallen e tij lufton dhe asgjëson një pasha turk. Kënga popullore e përmend atë: "Fejzo Çipi e Bejo Kërma-Ju futën pashait brenda…"Fejzua ka pasur dy djem: Safetin dhe Jonuzin. Mehdiu është pararendes i të famshmit Musa (Qazim) Pashait (1821 – 1889), guvernator dhe historian turk, që nga kultura dhe veprimtaria, në mesjetë, padyshim, formon figurën më të spikatur të fisit tonë.
 
Aliu i parë ka pasur djalë Faslliun, babin e Aliut të dytë, me tre djemtë e tij Faslliun e dytë, Daverin dhe Reizin.
 
Safeti i Fejzos së pare ka pasur dy djem: Lazen, pa fëmijë dhe Fejzon e dytë, babain e Mediut të dytë.
 
Në brezin pasardhës Hasani i parë ka pasur tre djem: Bejtashin e parë, gjyshin tonë, Rustemin dhe Muharemin.
 
Rustemi ka pasur tre djem: Jahon, Ismetin, babain e Petritit dhe Zurdiun, babain e Muharemit të dytë, Rustemit dhe Agimit.

 
                
<-- Rustem Çipi
 
Në brezin tjetër, Bejtashi i parë, ka patur katër djem: Qamilin, Ilmiun, Hasanin dhe Kamanin dhe dy vajza Zejnon dhe Sanon.
 
Bejtashi ka qenë një nëpunës i qeverisë turke, suvari. Me karvanë kuajsh organizonte lëvizjen e postës midis Gjirokastrës, Janinës, Delvinës dhe Sarandës. Ka marë pjesë në luftën e Janinës, me Grekun, ku është plagosur dhe dekoruar me medaljen e trimërisë. Ka lindur në vitin 1840 në Gjirokastër dhe ka vdekur, po aty, në vitin 1901.
 
Qamili, djali i madh i Bejtashit, emigroi i pari për në Turqi, aty rreth vitit 1910, ku i ndihmuar nga kushëriri i tij Qazim Pashaj zuri vend në hekurudhat e para në Izmir. Trashëgimtarët e tij janë: Qemali (Skenderi), Burhani, Firdezi, Muzaferja, Ilhani dhe Ajhani. Qamili vdiq në Karsyaky të Izmirit, në 16 mars të vitit 1947 nga pamjaftuesheria e veshkave.
 
Ilmiu u shpërngul shpejt drejtë Vlorës, pasi tentoi të qëndronte, pa sukses, si emigrant në Amerikë. Çeli në qytetin e Vlorës, fillimisht një kinkaleri dhe, më pas, një hotel restorant me emrin sinjifikativ "Korça", për nder të përpjekjeve bashkëkohore patriotike të korçarëve, për të përballur ndërhyrjen greke. Kjo u bë qendër e patriotëve të shumtë gjirokastritë të Vlorës, dhe bazë për demokratët revolucionar të kohës, që bujtën aty, si Halim Xhelo, Avni Rustemi e
deri te imzot Noli.Ilmiu pati tre djem: Bardhylin ekonomist, Dashamirin mësues dhe Pëllumbin
agronom, si dhe dy vajza: Rahimenë dhe Lulen.
Xha Ilmiu, apo Çeloja, siç i thërrisnim ne me dashuri, rrojti mbi 80 vjeç. Atë, nga që e kishim fare afër dhe e njohëm më mire, e deshnim dhe e respektonim shumë, se ishte i gjendur, i urtë, i sjellshëm dhe dashamirës. Gruaja e tij, Fetie Poshi, që ne e thërrisnim mama, ishte vajzë e një doktori gjirokastrit. Edhe ajo rrojti shumë dhe deri në fund nuk e ndante librin nga dora. Na priste e na përcillte me ngrohtësi dhe na tregonte përralla e vjersha të bukura.
 
Hasani, djali i tretë i gjysh Bejtashit, si dhe Ilmiu, ishte një burrë i gjatë dhe i bukur. Ai u martua me Ruhon nga familja  gjirokastrite Hasho. Hasani ishte politeknik: Furrxhi, kafexhi dhe sidomos, këpucar në zë. Ishte shakaxhi, xhymert, por dhe mjaftë krenar e që s'lejonte kënd t'ia "hidhte". 
 
Tregojnë njëherë për një dhëndër të ri, që për dasmën e tij, porositi këpucët te Baba Canija, te "ustai më i mirë i kohës". Porosia ishte paksa e çuditshme: I dua, tha, "që të këndojnë e t'u dëgjohet kënga 50 metro larg". Kur i provoi ngeli shumë i kënaqur, por, ju lut ustait, me që kish bërë shumë shpenzime për dasmë, ta priste, që t'i paguante pas një muaji. Dakord, pranoi usta Hasani, por "asnjë ditë më shumë, se bëhen haram". Kaluan dy muaj dhe dhëndri i ri ishte i detyruar çdo ditë, me këpucët e bukura veshur, të parakalonte në, të vetmen rrugë, para dyqanit. Këpucët vazhdonin të kërcisnin, duke nxjerrë tinguj zhurmues…Dhëndri, që vazhdonte të tërhiqte vëmendjen e gjindes për rreth, krekosej, fodull, siç
ishte dhe vazhdonte rrugën, pa kthyer as kokën për të përshëndetur e falënderuar mirëbërësit. Del ustai një ditë dhe i pret rrugë:
 
"Hajde, dhëndër, hajde! Sillmi pak ato këpucë, që t'u ngre pak volumin, se, sikur janë vuvosur, e dëgjohen më pak...  Ja ulu dy minuta aty, në karrige dhe zhvishi" 
 
I mori këpucët dhe, me thikën e mprehtë, i ndau më katërsh."Pse, ore, me paratë e mia do kapardisesh ti, gjithë jetën?"
 
Xha Hasani pati një djalë, Dritorin, që vdiq pa i mbushur 20 vjeç dhe katër vajza: Tazon dhe Irfanin të martuara në Amerikë, Hanëmen dhe Muazesin, të martuara në Gjirokastër.

Hallë Zejnua u martua në Vlorë me bankierin gjirokastrit Xhelal Sharra dhe pati dy djem: Syrjain dhe Servetin. Syrjai vdiq i ri dhe la dy djem: Kadriun dhe Aliun dhe dy vajza: Asimen dhe Kanerinën. Serveti pati dy djem: Ismailin dhe Xhelalin dhe një vajzë, Liljanën, që vdiq e re, pas martesës.
 
Hallë Sanua pati fatin më tragjik. U martuar me Bastri
Çiçon, blegtor i pasur, me çiflig në Mashkullorë të Gjirokastrës (vëllai i Dini Çiços së "dervidaimit"
të famshëm). Ajo lindi 12 fëmijë, që i vdiqën njeri pas tjetrit dhe ngeli vetëm me Qemalin, që dhe ai u vra, kur ishte partizan, në vitin 1943. Pleqëroi, së fundmi, më së shumti te ne, në Vlorë. Do na kujtohet si një njeri shumë i dashur dhe shembull optimizmi dhe humori.
 
Gruaja e Bejtash Çipit, gjyshja jonë, quhej Lule. Ajo ishte nga fshati Kardhiq, fshat i madh dhe i dëgjuar, që bënte rregullisht krushqi me qytetin e Gjirokastrës. Ajo ishte bijë e Ahmet Halulit. Vëllai i saj quhej Haxhi dhe kishte dy vajza: Nurien, martuar në Mashkullorë dhe Serijen, martuar në Prongji.
Gjyshi i Lules ka qenë Meleq Daut Adem Haluli. i cili, përveç Ahmetit, ka patur dhe pesë djem të tjerë: Abedinin, Dautin, Hasanin, Zejnelin dhe Myftarin. Një nga nipat e Ahmetit, shquar për trimëri, si të gjithë Halulajt, ka qenë Shemshua. Ai ka patur djem, miqtë dhe të njohurit tanë të dhembshur, Hysejn dhe Daut dhe vajzën e quajtur Bejkë.
 
Familja e Bejtash Çipit ishte, relativisht, mirë nga gjendja ekonomike. Jetonte me të ardhurat nga rroga e kryefamiljarit dhe të çifligut të vogël, prej l7 dynym në fshatin  Derviçan të Dropullit, ku dispononte parcelat e quajtura Belo, Jofiri, Batist, Nero, Çerqella, me vleftë 1240 franga ari si dhe  10 dynym tokë në vendin e quajtur Ryp të lagjes Palorto Gjirokastër. Shtëpia e madhe tre katshe, me shumë ndarje e Bejtash Çipit ishte ndërtuar po në lagjen Palorto, por tani më afër qendrës, për krah Hoxhatëve. 
 
Nëna e Bejtashit, Zejnua, ishte bijë Zekate, motra e Hasije Çuçit (nëna e Gjylos).
 
Duhet theksuar se krushqitë, përgjithësisht, janë lidhur me fise tradicionale gjirokastrite.
Degë të trungut të fisit tonë janë edhe Çipatët e qytetit të Beratit me Aliun, Ganiun, Ismetin, Ilmiun. Kjo duket edhe nga përsëritja e të njëjtave emra, siç ish tradita e hershme. Po kështu të të njëjtit trung janë dhe Çipatë të tjerë në Gjirokastër, Tiranë, Vlorë, Turqi dhe Amerikë. Babai im thoshte, pa e përcaktuar saktë, se origjina jonë, si e gjithë banorëve të trevës, ishte gjirokastrite e krishterë dhe se Çipatët e Korçës janë, gjithashtu, degë e trungut të përbashkët, që kanë ruajtur fenë orthodhokse, me qëndrim të hershme në Voskopojë.  
                
       

BABAI IM, KAMANI
 

 Kaman Çipi, babai ynë, ka lindur në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1895. I  ngelur jetim, pa babë, qysh në moshën 8 vjeçare dhe duke qenë fëmija i fundit, në një familje numerike, ai përballoi halle dhe vështirësi të shumta. Me shumë sakrificë dhe këmbëngulje ndoqi me sukses dhe përfundoi, njërën pas tjetrës, shkollën fillore dhe plotore turke të qytetit të Gjirokastrës, duke u dalluar për mësimin e gjuhëve turke dhe arabe. Me ndihmën e kushëririt të vet, mësuesit avokat Asaf Çipi dhe patriotit Thoma Papapano ndoqi kurset dhe përvetësoi mirë edhe gjuhën shqipe, duke u përfshirë ndër përhapësit e parë të gjuhës së shkruar amtare.

Pa i gjetur mundësitë për mbijetesë në qytetin e vetë të lindjes, duke ndjekur shembullin e vëllait të madh, që kish emigruar në Turqi, po që se kish gjetur mirë veten,  Kamani u vendos të emigronte në Amerike, çka ishte bërë modë aso kohe ndër djemtë gjirokastritë. Ishte viti 1913.Në Shqipëri Kamani u kthye ne vitin 1922.
 
Vrasja e Avniut e dëshpëron dhe e mbush me urrejtje. Fillimi i revolucionit të   qershorit 1924 e përfshin, me gjithë automjetin e tij në ato ngjarje të vrullshme në pjesëmarrje aktive dhe luftarake. Merret me lëvizje trupash, ushqimesh dhe veshmbathje; lufton me armë në dorë në betejën e Ardenicës, në çetën e Rrapo Çelos, ku dhe plagoset në pulpën e këmbës së majtë.
 
Dështimi i Qeverise së Nolit, idhullit të tij të përjetshëm, zhgënjimi për masat gjysmake dhe për paaftësitë dhe pasivitetin e tij, mungesa e organizimit dhe e harmonisë ndërvepruese, ndarja në grupe interesash dhe përfituesish grindavecë, e hedh në dëshpërim dhe e bën që të urrejë politikën dhe politikanët, duke na këshilluar, që dhe ne, bijtë e tij, gjithnjë të qëndrojmë larg saj. Familja dhe prona u bë qëllimi i jetës së tij...Vazhdoi punën si shofer. Krijoi Axhensinë e Autoveturave Vlorë-Gjirokastër, duke i kooperuar ato pak automjete të kohës, që ishin në luftë konkurruese. 
 
Në vitin 1934 mbartet familjarisht në Vlorë dhe në aktivitetin e tij tregtar përfshihet dhe transporti i mallrave. Merr monopolin e shpërndarjes së kripës së detit për zonën e jugut, bën tregti me drithëra dhe lëkurë. Axhensia e Transportit Automobilistik në Vlorë vendoset në Sheshin "Tomson", në qendër të qytetit. Për hapat e shpejta e të suksesshme shërbeu shkalla e lart relativisht e arsimimit si dhe përvoja, gati 10 vjeçare amerikane

Veç kësaj, në Vlorën e pasur nga natyra dhe të bekuar nga Zoti, prej kohësh kishin zbritur qindra gjirokastritë punëtorë e kursimtarë, që ishin pasuruar dhe ishin bërë ndër pronarët më të kamur veprues. Ata e përkrahnin dhe e ndihmonin pa xhelozi njeri tjetrin.

Në Vlorë Kamani, shpejt, nisi të zbatojë përvojën e marrë si emigrant nga Amerika, duke u orientuar në bizneset më të leverdishme. Ai përsëriste sentencën "Sa më shumë të ndërtosh, aq më shumë do të rrosh" Dhe gjithë jetën, sa mundi, u mor edhe me ndërtime. "Ka dy lloj njerëzish, thosh, ndërtues dhe prishës. Ne duhet te jemi nga ata që ndërtojnë, me punë të lodhshme dhe me djersën e ballit"
 
Bleu tokë, në Skelë të Vlorës  nga familja "Vlora" dhe më pas nga  gjirokastriti Veli Harxhi dhe në vitin 1937 ndërtoi një vilë dy katshe, që për shumë vjet ishte e vetmja banesë e rrugës Vlorë-Skelë. Atje, nëkushte shumë të mira banimi, në kopshte të gjelbëruara me shumë pemë, lule, baçe të mbjellamegjithfarë zarzavate gjithëvjetore, me lopë qumështi, pula, kalë shale e automjete të vogla e të mëdha, duke ndjerë nga afër zhurmën dhe erën e detit, banuam disa vjet, deri pak kohë pas okupacionit italo-fashist. Italianët të vendosur ushtarakisht me kazerma karshi shtëpisë tonë, e kërkuan me insistim dhe imponuan marrjen e saj me qira. 
 
Kamani shpërngulet në Vlorë, ku nis ndërtimi i shtëpisë tjetër dy katshe, me gurë, në lagjen Muradie. Guri vinte nga Drashovica dhe shfrytëzohej rruga e kthimit bosh të makinave nga Gjirokastra, sipas përvojës së ndërtimit të shtëpisë së Skelës. Ishte kjo periudha kur Kamani, me gjirokastritët e pasur Musa Gurgaj dhe Syrja Peshkëpia formuan shoqërinë tregtare automobilistike "PEGUÇI", ku përfshinë 4 automjete diesel të reja të kohës me rimorkio, si Fiatse santasej, Fiat ventisej dhe Trentakuatro, që administroheshin nga Axhensia Automobilistike e Kaman Çipit në Vlorë.

Gjatë luftës Italo-Greke, kur Vlora nisi të bombardohej nga aviacioni anglez, familja jonë, si e shumë vlonjatëve të tjerë, u shpërngul nga  Vlora dhe u vendos pranë dajove, në Fier. Edhe atje Kamani bleu tokë dhe ndërtoi një shtëpi tre katshe, në lagjen "Liri", me vend parkimi, hajate dhe baçe, e gjithë e rrethuar me murr blloqesh betoni. Për punimet e rifiniturës dhe zbukurime e deri piktura murale në këtë shtëpi u përdorën edhe tre italianë, të ngelur rrugëve, pas kapitullimit të Italisë dhe që u mbajtën në familjen tonë, si të ishin pjesëtarë aktiv të saj, duke ngrënë e pirë në një sofër.

Në vitin 1944 Kamani kthehet familjarisht në Vlorë dhe vendoset në shtëpinë e Skelës. Rikrijohet Axhensia e Transportit dhe shumë shpejtë të gjitha mjetet e transportit të privatëve punojnë të bashkuara, të inkuadruar nga shteti, sipas nevojave për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rindërtimin e vendit, dhe Kamani caktohet si Kryetar i Këshillit të Transportit Automobilistik të Vlorës.
 
Krijohet Bashkimi i Kooperativave të Transportit Automobilistik dhe Kamani, sërish, zgjidhet delegat permanent i degës së Vlorës pranë Federatës Nacionale të AT me qendër në Tiranë. Pak kohë punoi dhe si përkthyes i anglishtes, pranë Aleatëve në UNRA, shofer në Distilerinë "Skenderbej", magazinier, po aty, kafexhi privat me një ortak në një dyqan të vetin, pranë Merkatos së qytetit dhe së fundi, deri sa vdiq, Sekretar i Gjyshatës Bektashiane në Kuzbaba Vlorë. Në periudhën e fundit u intensifikua veprimtaria e tij si përkthyes nga anglishtja,
turqishtja dhe arabishtja dhe si krijues i mirëfilltë e sidomos poet pasionant. Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, me "Dekretin e Shenjtë" nr. 37, datë 15 maj 1950  e shpall Kaman Çipin DERVISH, duke i dhënë të drejtën " me vesh roben e shenjtë të Haxhi Bektashit në të gjitha Teqetë Bektashiane të Botës".

Duhet thënëse vitet e para pas çlirimit të vendit, disa armiq personal të tij, të pa aftë për punë të ndershme, të liq, ambiciozë e intrigantë, përkohësisht me pushtet, duke u bërë xheloz për sukseset, pasurinë dhe vitalitetin e tij, i sollën shqetësime serioze, që, si të thuash, i shkurtuan jetën. Kamani përjetoi strese dhe poshtërime të pazakonta si presione deri burgosje për dorëzim ari, duke përballuar me trimëri torturat gjurmlënëse të xhelatit të Sigurimit të Shtetit, toger Samiut ( që më vonë, për këto lloj krimesh u ekzekutua); kryejti, përkohësisht, punë angari të pa volitshme për shëndetin dhe moshën e tij si hapje kanalesh dhe punë bujqësore në Llakatund. Po kështu gjurmë të rënda lanë dhe sekuestrimi, pa shpërblim i automjeteve, shtetëzimi i shtëpive dhe dyqaneve e deri shpallja si të pa dëshirueshëm, pa triskë fronti, për disa muaj dhe peripeci të tjera.

Kaman Çipi ishte një burrë i fort fizikisht, i shkurtër rreth 158 cm., gjithnjë i shëndoshë dhe me peshë mbi 75 kg.. Ishte mjaftë dinamik, në lëvizje e kërkim të pasosur njohurish dhe vlerash. Ai ishte shumë i lidhur me punën dhe mjaft i shoqërueshëm; lexonte e shkruante anglisht, turqisht (shkrimin e vjetër dhe të ri) dhe arabisht, fliste greqisht dhe italisht. Kamani shkruante poezi të bukura mistiko fetare dhe për dashurinë familjare. dhe thurte tregime të bukura me humor të zgjedhur. Në Bibliotekën familjare i gjeje të gjitha librat shqip të kohës si dhe koleksionet me revistat përparimtare. Ai këndonte shumë bukur me zë të lart e të pastër tenori, duke e shoqëruar me mandolinën e tij "Gibson", të prurë nga Amerika. E këndonte mirë polifoninë labe, e sidomos atë gjirokastrite, aqsa e kërkonin posaçërisht dhe e vinin në krye te sofrës në davete e ahengje. Ishte një profesionist politeknik dhe mjaftë i thelluar në njohuritë për mirëmbajtjen, meremetimin dhe eliminimin e defekteve në automjetet. Dallohej për dirigjimin e automjeteve, në kushtet e infrastrukturës mizerabile të kohës, kur për të kaluar në disa ngushtica me dredha duhej të ktheheshe disa herë pas lufte.

Kaman Çipi ishte një burrë me karakter të fort shqiptari. Ai, në një autobiografi, që unë e disponoj, pat shkruar: JAM RRITUR ME EDUKIMIN FAMILJAR TE JEM ARMIK I GËNJESHTRËS, I VJEDHJES, I KRIMIT, I KURVËRISË, I SPIUNAZHIT, I MASHTRIMIT DHE I TRADHTISË, PRA TË JEM MODEST, PUNËTOR, PA FRIKË DHE PA LAJKA. 
 
Kaman Çipi vdiq herët në mëngjesin e datës 9 prill 1953 në shtëpinë e Muradies Vlorë dhe u varros në kodrën e Kuzbabasë, në vorezën rezervate të Teqesë Bektashiane. Vari i mermertë, me eshtrat e tij të mbledhura, disa vjet më vonë, u rikonstruktua dhe u transferua, për nevoja publike, në varrezat e përbashkëta të Babicës Vlorë, parcela nr.4 . Ai, po atje është dhe sot, i rikonstruktuar dhe i përbashkët me djalin e tij të madh, Bektashin.      
            
                    


  NENA IME, ZEQIRJEJA

          
                                                                     Zeqirjeja, nëna ime, ka lindur në lagjen Pllakë të qytetit të Gjirokastrës në vitin 1908 dhe po aty ka kryer pesë klasë të shkollës shqip të qytetit. Babai i Zeqirjesë quhej Neim, nga fisi i lashtë gjirokastrit i
Peshkëpinjotëve. Ai mbarshtronte, në meratë dhe stanet e veta, blegtorinë e imtë. Vdiq shumë i ri, në moshë 45 vjeçare, bashkë me një nga djemtë e tij, nga një epidemi e "gripit spanjoll", gjatë kohës kur shtegtonin bagëtitë në kullotat verore, larg shtëpisë. Ai la tre djem: Gani, Qani, Fejzi dhe dy vajza, Zeqirje dhe Çime. Dajot u shpërngulën herët në qytetin e Fierit, ku kishin pasuri dhe veprimtari.

Nëna e Zeqirjesë, që rrojti rreth 100 vjeç, quhej Xhevrije dhe ishte bijë në Dizdarajt (Sollakajt) e Gjirokastrës dhe mbesë në familjen gjirokastrite të Zazanajve. Ishte një grua shumë e respektuar, e urtë dhe nikoqire, e gjatë dhe bardhoshe, ndryshe nga burri i saj, Neimi, i shkurtër dhe zeshkan. Nëna e Xhevrijes  quhej Hazbije, motra e Reuf Zazanit.

Kekea, siç i flisnin shkurtimisht Zeqirjesë, ishte një grua e shkurtër, rreth 150 cm  e shëndoshë, afro 65 kg., shumë energjike, e fort fizikisht, e gëzueshme dhe e çiltër, e dashur, po autoritare. Ajo jepte shembullin personal për edukimin e dashurisë për punën te fëmijët; tregonte ngjarje, vjersha dhe përralla të bukura; qepte, qëndiste dhe thurte triko e dantella me durim të madh, duke e nisur qnga tjerrja e leshit; gatuante lloj, lloj gjellrash të shijshme tradicionale gjirokastrite; gëzohej shumë dhe sikur fluturonte, kur vinin miqtë në shtëpi, që i priste me respekt e dashuri dhe gatim special; e gatshme për t'u shërbyer ustallarëve, që s'ju ndanë gjithë jetës, duke ndërtuar e rikonstruktuar shtëpi e dyqane; shumë e lidhur me fëmijët, pa i dalluar vajza apo djem, duke shkuar te secili, në radhë të parë te ai që ishte më në hall dhe kish më shumë nevojë për të.
 
 Zeqirjeja u martua në moshë 16 vjeçare dhe lindi 6 fëmijë: Bejtashin
ne vitin 1925, Enverin, një vit më vonë, Luanin e parë, nëvitin 1930, që vdiq shpejtë, Pranverën në vitin 1932, Luanin në vitin 1934 dhe Teutën në vitin 1945.
            
E dëshpëruar nga vdekja e parakohshme dhe e mundimshme e të shoqit, Kekea, vitet e fundit u mbyll në vetvete dhe kënaqësinë e gjente vetëm duke punuar. Në moshë të madhe iu çfaq sëmundja e diabetit, që e mundoi dhe e lodhi. 
 
Ajo vdiq, në moshën rreth 79 vjeç, më 19 janar 1987, në shtëpinë tonë në lagjen Muradie,  më pas e prishur nga shteti për nevoja publike. U varros në Babicë të Vlorës, në parcelën nr.4, afër babait tonë.  
           
          






  BEKTASHI - GUXIMTAR
 
Ka Lindur ne Gjirokaster, me 25 dhjetor 1925.
 Bektashi ishte i mbarë, i shëndetshëm dhe i bukur qysh në fillim. Nuk ndenji shume me prindët, se atyre, pas një viti, u lindi djali i dytë, Enveri dhe Bektashin e morën dajot e kamur në Fier. Merjemi, kunata e madhe pa fëmijë, e mbajti dhe e riti për tre katër vjet me përkujdesje e përkëdheli të veçanta. 
 
 Familja e Kamanit u mbart, përfundimisht, në Vlorë në vitin 1934. Bektashi mbaroi shkollën fillore "Ismail Qemali" të lagjes Muradie dhe mori semimaturën në Shkollën Tregtare Vlorë. Dallohej në vizatim, bukurshkrim dhe muzikë. Mësimet e tjera, veçanërisht, matematikën, që sipas babait, ishte baza e kapacitetit intelektual, nuk e kish qejf. Prirej pas hekurave, automjeteve, lodrave dhe fyellit. Jepte e merrte, gjithë ditën me një flaut, të blerë me kursimet e tij dhe nxirrte me të lloj, lloj melodish. Shkurt, nuk ja vlente të vazhdonte më tej mësimet.
 
Në moshën 14 vjeçare Bektashi filloi punën, pas shoferit italian Xhuzepe Tiboni, si ndihmës shofer, në një kamion diesel Fiat 26.Qysh në moshën 15 vjeç, Bektashi nisi të drejtoi, në mënyrë të pavarur, automjete të tonazhit të madh me rimorkio. Me një kamion 10 tonësh, me rimorkio, FIAT 66, lëvizte ditë e natë në rruget e vështira të Shqipërisë së madhe, sa në  Korçë, Gjirokastër, Prizren e Gjakovë, duke shpërndarë kripë deti vlore dhe duke sjellë drithëra buke e patate kosove. Këto rrugë të vështira, të ngushta, rëshqitse, në kushte lufte, rreziku për mitralimin nga aeroplanët anglezë, nga mësymje prej banditë e cuba gjithfarësh, kërkonin zotësi e sidomos guxim të rrallë.

 Siç dihet, ngjarjet historike, në vazhdimësi, krijuan shqetësime në jetën e përditshme të çdo shqiptari. Babai ynë, i kalitur në peripecitë e jetës, qysh kur ishte emigrant në Amerikë, asnjëherë nuk e humbi orientimin në drejtimin e biznesit dhe të familjes dhe, në kushtet e rënda të luftës, gjatë okupacionit italian, në luftën italo-greke dhe më pas. Në Kompaninë e Autotransportit me Kamjona me emrin "PEGUÇI", njërin preje automjeteve e drejtonte, gjithnjë, Bektashi. 
 
Çlirimi i vendit Bektashin e gjeti prapë shofer me mjetin e tij, kamion, FIAT 66. Edhe kur u rekuizuan nga shteti demokratik mjetet e transportit, në vitin 1947, edhe një vit më vonë, kur u thërrit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, deri në vitin 1948, Bektashi punoi shofer, me të njëjtin automjet.Bektashi ishte ndër të parët që krijoi Parkun Automobilistik të Mallrave në qytetin e Vlorës. Ishte, gjithashtu, i pari që mori në dorëzim dhe shfrytëzoi  kamionë Berliet Diezel, që erdhën nga Franca në Shqipi dhe u përdorën me sukses në rindërtimin e rrugëve, urave dhe objekteve të shkatruara nga lufta, në transporte të vështira tubacionesh e makinerish  të veprave të para në Shqipërinë e porsa çliruar.

  Rezultatet e suksesshme në punë shpejtë sollën dhe vlerësime për guximin e rrallë, qëndrimin heroik, të pa lodhur në punë dhe në kujdesin e mirëmbajtjen e automjetit të dhënë nga shteti në përdorim. Bektashi u mbulua me shpërblime dhe lavdërime dhe ju mbush gjoksi me medalje dhe urdhra pune. Atij i dhanë  një autobus të ri tip SKODA, për transport pasagjerësh ne linjat interurbane. Ai ishte, siç quhej atëherë stakanovisti i parë në shkallë vendi, pjesmarës i lëvizjes Levçenko-Muhanov, iniciator i parë i lëvizjes përparimtare për të përshkruar 500 mijë kilometra, pa remont kapital me të njëjtin mjet, U bë, kështu, kandidati i parë dhe ishte gati për t'u shpallur "Hero i Punës Socialiste".

  Bektashi, gjithashtu, ishte fizikisht shumë i përgatitur dhe shumë i fort, i pa lodhur, rezistent ndaj të ftohtit dhe vishej shumë lehtë, me pantallona të shkurtra dimër behar, deri në moshe të rritur. Ishte mundës dhe boksier i mirë i peshës super të rëndë, mbi 115 kilogram dhe zor se i afrohej njeri, për t'u ndeshur me të. Ky trup kaq i madh, bile edhe me njëfarë barku, e bënte dhe më guximtar dhe sy patrembur atë. Ai, pavarësisht nga pesha e madhe, ishte dhe një vrapues i shpejtë, aqsa s'do ta besonte kush. 
 
  Ishte tamam kjo periudhe, viti 1967, kur sukseset e tij të bujshme dhe të merituara në punë dhe qëndrimi i tij i thjeshtë, tolerues e mospërfillës, ngjallën xhelozinë dhe smirën e rivalëve të tij, gjoja komunistë, që nuk mund ta arrinin dot në rezultate konkrete me punë, në garë të ndershme, por i morën krahët me shpifje, intriga dhe prapaskena. Atë e arrestuan në mënyrë të zhurmshme dhe e mbajtën nën presionin e torturave 8 muaj në qeli çimentoje, nën një hetuesi mesjetare, shpesh pa bukë dhe pa gjumë. Akuzat fillestare ishin aq të çuditshme sa dhe qesharake. Aludonin për komplote tororiste ndaj kryeliderit komunist, derisa mësuan se Bektashi ishte, për fat, i një gjaku me të. Rrëzimi i kësaj akuze ka lidhje, kryesisht, me qëndrimin e pathyeshëm trimëror të Bektashit ndaj torturave çnjerëzore, por dhe nga një kontakt i nënës tonë, nëpërmjet kushërirës Sanije, direkt me Enver Hoxhën. Akt akuza ndryshoi dhe thuajse u bë krejt qesharake: "Mit marrje e përsëritur". Për këtë u o organizuan konsulta me ekspert më të mirë të vendit, derisa zuri vend propozimi i penalistit të shquar, për kohën, vlonjatit A.Z. U shfrytëzua neni 204 i Kodit Penal dhe si  mit marrje u "vërtetuan" 5 raste mos kthim resit, për biletat e udhëtimit shitur nga i pandehuri,  me një vlefte 30 lekë të vjetra. Për këtë u dënua 7 vjet burg. Unë i ndoqa të gjitha seancat e komedisë gjyqësore.
  
Burgun Bektashi e vuajti në Bulqizë, duke punuar, fillimisht në galeritë nëntokësore të Zonës B dhe më pas, i ndihmuar nga Komandanti i Kampit, krushku ynë, Kolonel Hazbi Lamçe, doli në sipërfaqe dhe u vu në drejtimin e Sallës së Kompresorëve të Minierës. Edhe në burg, sipas deklamimit të bashkvuajtsve, mbajti qëndrim burrëror prej guximtari krenar e të pa thyeshëm, duke ndihmuar me sa kish mundësi njerëzit në nevojë e të dëshpëruar, për të kapërcyer sidomos fillimin ambjentus e të rrezikshëm deri në depresion e çmenduri.

  Dalja nga burgu nuk i dha fund halleve të Bektashit. Mos harrojmë që të tilla halle transmetoheshin, në ato kohë, edhe te ne, bile merrnin deri ngjyrime politike, dhe kishin pasoja morale dhe materiale. Bektashin as në punë nuk e pranonin. Po pse pikërisht, disa herë ishte në qendër të ngjarjes Bektashi?  Kjo edhe për faktin se ai ishte person mjaftë i njohur, vip dhe ekspozohej e imponohej, me qëndrimin e tij krenar. Ai i sfidonte drejtuesit pushtetarë e partiak me atë guximin, krenarinë dhe deri kapardisjen e tij, me mospërfilljen,
veshjen, hovardallëkun, ecjen prej kapadaiu, motoçikletën ekstravagante e të rrallë për kohën, me ahengjet qe organizonte me shokët çakërrqejf, ku dallohej për zërin e tij të bukur e të ëmbël prej tenori, si në këngët e muzikës së lehtë, po veçanërisht si marrës në këngët labe e gjirokastrite dhe me gjithçka tjetër, sidomos me protestat e çiltëria për padrejtësitë dhe mangësitë.

  Edhe me rastin e prishjes nga shteti të shtëpisë sonë të Muradies për të ngritur një Hotel, Bektashi protestoi  me guxim e kuraja, publikisht dhe përsëri u rrezikua për t'u arrestuar,
 Bektashi doli në pension, si invalid pune, në vitin 1986. Gjatë kësaj kohe kënaqësia e vetme e tij ishte motoçikleta "Guzzi 500", Për çdo pajisje personale kishte merak dhe ishte qejfli. Ishte ndër të parët që porositi dhe solli një radio gramafon të madh me sy magjik, televizor italian tip "Fonola", orë superatllantik, antenë saç, biçikletë "Mifa",  motoçikletë"Jawa" 350 e deri autoveturë. Këto me kalimin e kohës, u bënë të zakonshme për këdo, por, mendoni ato vite fukarallëku masiv.
  
Erdhën vitet "fatlume" të demokracisë dhe Bektashi i përkrahu pa rezerva ato. Por lodhjet dhe mundimet e kishin mposhtur, ndërsa sëmundja e diabetit ja kishte ulur rezistencën. Filloi të ndjente shqetësime në zëmër. Bëri, në Itali, ndihmuar nga fëmijët e tij të mirë, Fatmira dhe Bashkimi, operacion në zemrën e shkartuar, vendosi paicmeker, për rregullim rritmi  dhe mori kura të herë pas hershme. Një ishemi i mori gojën dhe krahun, që me gjithë vullnetin dhe përpjekjet këmbëngulëse, bëri disapërmirësime, por mangësitë e krijuara nuk i rikuperoi dot më plotësisht. Kishte ardhur koha që edhe pacemakeri të ndrrohej.
  
Vdiq në shtëpinë e tij, në lagjen Çole të Vlorës, në datën 8 mars 2001, ditën e enjte. Ceremonia e varrimit ishte e denjë për të. Trupi u vendos, siç kish lënë amanet, te vari i babait tonë,   në Babicë.
                            
      


   E N V E R I – NJË BUKURI E GJITHANSHME


Enveri, lindi një vit pas Bektashit, më 22 shkurt 1927, po në qytetin e Gjirokastrës. Kekea, siç i thërrisnim nënës sonë, thosh se Enveri erdhi i mbarë qysh i vogël, i shëndetshëm dhe i gëzueshëm. Kur, Bektashin fëmijë, e morën për ta rritur dajeshat, në Fier, nëna jonë gjithë dashurinë, ngrohtësinë dhe kujdesin e kaloi te Enveri, kujdes i veçantë që, pas këtaj, nuk iu nda asnjëherë. Edhe kur Bektashi u kthye në gjirin e familjes së vetë, pas 3-4 vjetësh, "bushaku" siç i thërriste, me xhelozinë fëminore, vëllai më i madh, Enveri ishte më i preferuari i familjes. Këtë, në radhe të parë, e impononte me sjelljen e tij, prej "qengji" të urtë, me fjalën e ëmbël, mirësinë dhe buzëqeshjen e pa ndarë. Ishte e theksuar, më vonë, dhe këmbëngulja e tij, për ta mbrojtur këtë status. Kështu p.sh. bëhej nami, po mos të merrte thelën më të madhe, lodrën me të preferuar, vendin më dominues. 

  Në Vlorë Enveri erdhi 7 vjeç dhe po aty e nisi, së pari vitin e ri shkollor në Shkollën fillore "Ismail Qemali" të lagjes Muradie. Qysh në fillim Enveri i vogël dallohej për një bukuri të gjithanshme, jo vetëm fizike, por dhe në cilësitë etiko-morale, në zgjuarsi, në përparimin në mësime, në sjellje, në punët jashtëshkollore kulturore artistike e sidomos në fizkulturë e sport. Dhe këto cilësi i ruajti dhe i lartoi gjithë jetës. Kudo ishte i pari, ndër të parët.

  Në qershorin e vitit 1938 Enveri përfundoi, me rezultatet maksimale, të pesë klasat e shkollës fillore në Vlorë dhe aplikoi në konkursin për të ndjekur, me bursë shteti, shkollën e mesme.  Kjo e drejtë u jepej nxënësve më të mirë, në shkalle vendi.  E fitoi  konkursin, megjithë intrigat e një nëpunësi të qeverisë, që tentoi t'ia jepte, këtë të drejtë, bashkfashatarve të vetë tragjasjotë. Enveri u vendos në Konviktin e Liceut Shtetëror Shkodër. Por astje filloi rezitenca antifashiste, ku u perfshi dhe Enveri. U mbart në Liceun e Gjirokastrës, në vend lindje dhe u vendos në  Konvikt.Edhe në Gjirokastër, ndër liceistët, Atje Enveri, me shokë të ardhur nga Shkodra gjeti dhe të tjerë konviktorë antifashistë, ku spikatnin disa kosovarë, me të cilët u lidh e ndërmori veprime të guximshme, sipas mësimeve dhe përvojës shkodrane.
 
Kur lufta Nacional-Çlirimtare u zgjerua dhe u bë më aktive dhe Gjimnazi i Gjirokastrës u mbyll, ndërsa ne familjarisht u vendosëm në qytetin e Fierit, Enveri u përfshi, si i ri antifashist, në aksione direkte në teren, për të luftuar me armë në dorë, duke propaganduar për të zgjeruar lëvizjen me të ritë mallakastriotë, i caktuar në rolin e sekretarit organizativ të rinisë antifashiste të rajonit Levan, Mallakastër. 
 
Menjëherë pas çlirimit Enveri, i liruar nga detyrat e rinisë antifashiste, shkoi në Tiranë, ku përfundon mësimet në lice dhe merë maturën me nota maksimale. Është kjo periudha më e spikatur sportive, kur u evidentuan dhe më shumë dhuntitë dhe përgatitja fizike dhe atletike e Enverit. Ai mori pjesë aktive në veprimtaritë fizkulturore e sportive në disa lloj sportesh. U dallua, mbi shumë të tjerë, në ushtrimet e gjimnastikës në vegla, në hedhjet e guximshme nga pedana elastike, në volejboll dhe në vrapimet me pengesa. Ai u përfshi në Ekipin Kombëtar të Gjimnastikës në Vegla, duke qenë në gjashtëshen më të mirë të vendit, si përfaqësues i Shqipërisë në disa Ballkaniada Sportive, të viteve të para pas çlirimit, në Tiranë, Sofje të Bullgarisë dhe Lubjanë të Sllovenisë. 
        
  Aty, me Ujin e Ftohte te Vlorës, në këtë vend përrallor për nga bukuria, Enveri kaloi vite të bukura e të paharruara sadisfaksioni jete, pune dhe mësimi. Ai, pati fatin të bjeri në duart e mjeshtërit kontabilist Jakup Vrioni, laureuar, si pak të tjerë për këtë specialitet në Itali, që mbartte, njëkohësisht, në personin e vetë, cilësi të jashtëzakonshme njerëzore dha bagazh të rrallë intelektual. 

  Edhe në qytetin e Vlorës Enveri u vu në ballë të rinisë vlonjate, i aktivizuar në jetën sportive të qytetit, duke marrë pjesë në volejboll dhe atletikë, si dhe në ekipin përfaqësues të Vlorës në gjimnastikë në vegla, ku u përfshiva edhe unë, për here të parë, si pjesmarës në Kampionatet Kombëtare të Gjimnastikës të vitit 1956.
  Me vullnetin që e karakterizonte edhe pse pak i moshuar Enveri, me shumë sukses vazhdoi studimet me korrespondencë dhe u diplomua, në vitin 1960, si ekonomist i lart në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Ishte një periudhë disa muajshe, kur Enveri, duke iu përgjigjur thirrjes së kohës, kaloi në prodhim, si elektricist në ndërtim montimin e Fabrikës se Çimentos, por shpejtë e emëruan, po aty, si shef finance, qysh në ndërtimin e fabrikës dhe më pas, për disa vjet në shfrytëzimin e saj.

  Më pas, për vite me radhë, Enveri punoi si shef llogarie, kryetar dege e drejtor finance e kontabiliteti në disa ndërmarrje të Fierit, Ballshit, Patosit dhe Vlorës në degë të ndryshme të ekonomisë të industrisë, transportit, tregtisë dhe ndërtimit, duke u bërë kështu specialist i mirëfilltë, i kërkuar kudo, në vendet më delikate e më të nevojshme, kjo edhe fal njohurive dhe shprehive politeknike teorike e praktike në të gjithë degët e ekonomisë  Kudo e konsideronin më të mirin, më të dalluarin, më të vlerësuarin, të shpërblyer e të dekoruar me disa medalje e urdhra pune. 

  Erdhën vitet historike të ripërmbysjes së madhe, të proceseve historike social ekonomike, drejt liberalizimit demokratik kapitalist. Enveri i priti me entuziazëm rinor proceset e reja demokratike. Ai, si 50 vjet më pare, kur ëndërrohej për të mirën e përgjithshme të njerëzimit, u përfshi  edhe tani, ndër të parët, për të plotësuar, me korrektesë e ndershmëri, detyrat e reja të kohës. Ai, në moshë të madhe, dhe pasi kishte dal në pension, i rikthyer në Vlorë, u përfshi në nomenklaturat e reja bashkiake, fillimisht si financier dhe më pas, si drejtues kryesor i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish pronarëve të ligjshëm.

 Këto detyra të rëndësishme u finalizuan me zhgënjim e dëshpërim. Puna e tij me pastërti dhe drejtësi pengohej, shtrembërohej dhe zbatohej ndryshe. Komisioni i ngritur nuk e morri plotësisht rolin e vetë ekzekutiv. Komitete të tjera u krijuan dhe ato interpretuan politikisht ridhënien e pronësisë, duke e cunguar të drejtën e ligjshme të Komisionit që drejtohej nga ai. Në këtë periudhë të vështirë tranzicioni u evidentuan përpjekje dhe hapa konkrete e padrejtësi njerëzore fare të pa pajtueshme me karakterin paqësor dhe fin të Enver Çipit, që e detyruan atë të tërhiqet vullnetarisht, duke dhënë dorheqie nga kjo detyrë.
 
I lodhur dhe me sëmundjen raskapitese te parkisonit vuan per disa vjet, deri sa vdiq  ne Fier me 6 dhjetor 2007. Prehet ne varezat e Fierit.


                                                                                                                                                                                                                                              
   PRANVERA- MOTRA IME E MADHE

  Pranvera lindi në qytetin e Gjirokastrës më 1 Korrik të vitit 1932 dhe erdhi në Vlorë motake.
  Ishte gati 10 vjeç kur, për pak kohë, gjatë luftës Italo-Greke, u mbart më provizorisht në Fier, ku ndenjem 3, 4 vjet. Vera lexonte shumë dhe me mësime vente mirë. Nuk e kam kuptuar asnjë
herë pse nuk e vazhdoi shkollën e mesme.
  Pranvera, e kufizuar rreth shtëpisë, me ato shoqet e pakta të sajë, nën kujdesin dhe mësimet e nënës, shpejt u bë një amvisë dhe administratore e vërtetë. Ajo u bë mjeshtre në qepje, qëndisje me gjergjef, në punët me shtizë dhe në gatimet e shumëllojta, duke konkurruar të ëmën, që dallohej në këto drejtime. Në katër-pesë vjetët e para pas çlirimit ne, familjarisht banonim në lagjen Skelë të Vlorës, në vilën tonë, ndërtuar vite më pare, asokohe e vetmja
banesë definitive e komode e të gjithë zonës. Çdo gjë e bënim vetë, në sipërfaqen e shumtë dhe të begatshme, që dispononim për rreth: Kishim, thuajse gjithë vitin, rrush, fruta e zarzavate të çfarëdoshme, si dhe, nga lopët tona të racës së zgjedhur: qumësht, bulmet e djathë me bollëk
  U martua me Piro Rexhep Sulejmanin, nje burre mjaft i kujdeseshem per te.Shumë të pakta ishin çastet e lumturisë së plotë e të shkujdesur të çiftit të ri, sepse vera u semure qysh e fejuar.Ajo u kurua intensivisht, pa kursyer gjë, me medikamentet më të fundit, porositur te
njerëzit tanë, deri në Amerikë. Këtu, si dhe më pas duhet theksuar qëndrimi tejet dashamirës, guximi, vendosmëria dhe përkujdesi e inkurajimi i jashtëzakonshëm i Piro Rexhepit. Por, kryesore për këtë sëmundje të rëndë, si dhe për të tjerat, që pasuan, pa u kursyer (veshkat, operacionet, diabeti) është guximi dhe optimizmi i Verës, shumë të vuajtur, por të pamposhtur.
                  
Pranvera, kryesisht e mbi çdo gjë, ngelet një bashkëshorte ideale, amvisë e zonjë shtëpie, që e ndihmoi në çastet e vështira dhe e ndoqi nga pas, këmba këmbës bashkëshortin e vetë, duke i shërbyer, reciprokisht, me devocion e besnikëri. Ajo punoi, deri sa doli në pension, në punë shtetërore si llogaritare, shitëse dhe rrobaqepëse, duke u dalluar për mardhënie korrekte me shoqërinë e punës. Ajo diti të krijoi mardhënie të ngrohta miqësore me farefisin, miqtë dhe shokët e shumtë të burrit të sajë, duke i pritur dhe përcjellë, sipas traditës së fisit dhe të fshatit Vajzë. 

 Vera lindi, rriti dhe edukoj dy fëmijë të mirë: Tushkën (llogaritare) dhe Arbenin (jurist), i martoi ata dhe i nxori në jetë dhe, bashkë me Piron gëzuan trashëgimtarët dhe bashkëshortët  e tyre të mirë.       


                   

  TEUTA- MOTRA IME E VOGËL


 Tefta, apo Teuta, siç u quajt më vonë, duke ia marrë të dy
emrat mbretëreshës, Teutës së Ilirisë, është motra jonë më e vogël. Ajo ishte pjellë e vonuar dhe e gëzueshme e prindërve tanë, që përshëndetën, me këtë rast, mbarimin e peripecive emigruese, për shkak të luftës dhe të okupacionit italo-gjerman si dhe të rikthimit në Skelën e Vlorës, Ajo lindi më 19 tetor të vitit 1945,
  
Pas tre–katër vjetësh, pushtetarët, neve na detyruan të
mbartemi familjarisht te shtëpia tjetër, në lagjen Muradie të Vlorës. Vilën e Skelës e sekuestroi Ushtria Kombëtare, me që ishte afër kazermave, për ta përdorur si Ambulancë Ushtarake. Në Shtëpinë e Muradies kishte shumë banues. Atje, në shtëpinë tonë private, jashtë vullnetit tone, Shteti Socialist strehoi dhe qiraxhinj të tjerë  Ne na vendosën herë në dy e herë në tre dhoma, të katit të dytë plus kuzhinën, në vend të 8 dhomave, që kishim në Skelë. Vëllezërit, që ishin krahë pune dhe mbështetja kryesore e familjes, shkuan ushtarë. Babai, që punonte në UNRA e më pas, në Transportin   e Kooperuar dhe në Shtet, u shkurtua nga puna. Filluan reformat dhe shtetëzimet dhe e ashtuquajtura thellim i luftës së klasave. Pra shumë halle dhe probleme të reja lindën. Teuta doli nga qendra e vëmendjes.
             
  Në vitin 1953 na vdiq babai, ne moshë të re, 58 vjeç. Teuta nuk ishte veçse 8 vjeçare. E veshur me çorape e fustan të zi dhe me një fjongo të madhe të zezë në flokë, ajo dukej si e madhe dhe e pjekur para kohe.

  Tefta kreu Shkollën 7 vjeçare Modelore "4 Heronjtë Topanasë" dhe Shkollën e Mesme "Halim Xhelo", në qytetin e Vlorës.  Ajo, kudo, ishte modeli i përpjekjeve për kryerjen sa më mirë të detyrave të veta, si dhe e aktivizuar në jetën jashtëshkollore, në aktivitetet sportive, kulturore e artistike.Studimet e larta i kreu në Tiranë, në Institutin e Lart Pedagogjik, duke u diplomuar si mësuese matematike. Ndërkohë jeta në familjen tonë patriarkale vazhdonte sipas normave tradicionale. Edhe martesat bëheshin si qëmoti, ndofta me njohje e pëlqim të të interesuarve, por gjithnjë me mblesëri dhe pasi i nënshtroheshin logjikës krahasuese dhe paranjohjes fisnore të së ashtuquajturës fisnikëri e pastërti racore në disa breza. Por Tefta, sidomos aty në Kryeqytet, ecte e zhvillohej bashkë me kohën, duke u ndryshuar dhe u emancipuar çdo ditë.

  E bukur dhe e shkathët, ashtu siç ishte motra jonë, balli i  shoqeve atje, në Kryeqytet u njoh dhe u miqësua me një djalosh vendës, Edmond Reçin, që në fakt u bë bashkëshorti i sajë i gjithë jetës. Ai, asokohe, ishte i pa punë dhe që, për arsye familjare i kishte ndërprerë studimet e larta. Për më tepër Edmondi takoi të ishte verior, katolik dhe në origjinë fare të pa njohur për ne. Po në të njëjtën kohë për motrën tonë pati propozime fejese nga kandidatë shumë të preferuar, të shkolluar e të punësuar, bijë të familjeve të njohura, të konsoliduara e fisnike, që kërkonin seriozisht dhe me insistim lidhje martesore.

  Kjo krijoi një kontradiktë serioze familjare. Në ballë të kundërshtimit të lidhjes me kandidatin e panjohur, u vu vëllai i madh. Ai, si burri në moshën më të madhe, mbante dhe përgjegjësinë e kryefamiljarit. Unë, pa u thelluar shumë, në shenjë solidariteti dhe besnikërie, mbështeta fuqimisht vëllain e madh. Duket se këtë e bëra duke e peshuar materialisht, me logjikë të thjeshtë matematike, se si mund të ishte më e mira dhe më e sigurta, për Teutën, pra, jashtë ndikimit determinues shpirtëror. Duhet thënë se, fillimisht, kur ky problem u shtrua në "Këshillin Familjar" të gjithë për këtë zgjidhje ishin  Më tej, pas këmbënguljes insistuese të Teutes, u gjet, fillimisht, mbështetja e nënës tonë të mirë dhe, më pas, e  vëllait të mesëm, Enverit, që dhe si për shumë probleme të tjera familjare, ka qenë më i matur, më i logjikshëm dhe më liberal.

Futja e vëllait te madh, Bektashit, në burg e vonoi mirëkuptimin tonë dhe mua, tashmë me një shkak solidariteti më shumë, më la në një barrikadë me të. S'ka dyshim që ky ngelet një gabim i pa falshëm për mua, që më ka rënduar shpirtërisht, në vazhdimësi. Ky faj bëhet më evident, i matur dhe i gjykuar nga koha. Duke analizuar rrjedhën e ngjarjeve mund them se, megjithë vlerat e shumta e të pa kontestuara të Teutës, motrës sime të vogël, për të nuk mund të gjendej burrë më fisnik e ideal se Edmond Reçi. Pa dyshim merita e madhe për këtë i ngelet vetë Teutës, që e zgjodhi dhe e ruajti fort këtë fat, të bekuar nga Zoti. Ky nuk është vetëm mendimi im, por dhe i Hanëmes, Anit, gjithë familjes sime.

  Teuta punoi, si mësuese matematike dhe nëndrejtore në një shkollë 8 vjeçare në Kryeqytetit dhe kurdoherë u dallua si metodiste dhe administratore e talentuar.
       
  Mrekullia për Teutën nuk mbaron me Mondin por dhe me vajzat e tyre, po kaq të mira, të ditura e të mençura, Rakelën dhe Sonilën, si dhe me burrat e rrallë, që ato patën fatin të zgjedhin për bashkëjetesë.         


 
   FËMIJËRIA IME
 
 
  Sipas shënimit të nënës sime, me dorën e sajë, në kapakun e sepetit të nusërisë, unë kam lindur në datën 14 Korrik të vitit 1934, në orët e para të mëngjesit të një dite të mërkurë. Lindja u bë në shtëpi lehtazi dhe pa komplikacione, me asistencën e një mamie me përvojë.
Atëhere ne, familjarisht, banonim në një shtëpi me qira, në lagjen Muradie të qytetit të Vlorës, në dy dhoma e një kuzhinë të katit të dytë të një ndërtese të madhe katër katshe, në rrugën "Tomson".

Në katin e parë të po kësaj ndërtese ishte "Axhensia e Autoveturave të linjës Vlorë-Gjirokastër" dhe një magazi mallrash. Axhensia si dhe një shesh i madh para shtëpisë, që përdoresh si parking automjetesh, administrohej nga babai ynë. Aty afër, në krah të Parkingut ishte "Grand Hotel Korça", që administrohej nga xhaxhai ynë, Ilmi Çipi, më tej ishte një distributor benzine, që administrohej nga Servet Sharra, djali i hallës së madhe,  për karshi magazinat edhe shtëpia e gjirokastritit
Resul Reso (Hoxha) e pak më tej farmacia e Fadil Kotonit. 
 
Dukej që ajo zonë ishte si e pushtuar nga gjirokastritët dhe në gjuhë, zakone e rregull, të ishte si një Gjirokastër e vogël. Komshinj të tjerë, për rreth, kishim Vangjel e Kiço Dhimitrin, Viron, Pavllo e Aliqi Azdurjanin, Sulejman  e  Makbule Çukun ( fëmijët e Sali Dibrës ), Safet Demirin dhe vajzat e Koço Takos. Aty ndenjëm katër vjet. Për këtë periudhë kam vizion të turbullt, por komshinjtë e atyshëm, të rinjohur në vitet e mëvonshme, veçanërisht Sulua, Kiçua, Pavllua, Aliqi dhe Bulja më duket se, për këtë shkak, mu bënë më të dashur dhe të paharruar, për gjithë jetën. 


  Në vitin 1937 shpërngulemi, familjarisht dhe banojmë në shtëpinë tonë të re, të sapo ndërtuar, në rrugën Vlorë Skelë, afër detit. Ajo ishte një vilë e vërtetë komode. E ndërtuar me gurrë të gdhendur nga usta Nuredini, ndërtues dibran në zë për kohën. Kishte 2 kate dhe tetë ndarje të brendshme. Ne banonim në katin e dytë, me dhoma të bollshme, me dysheme drase të zgjedhur dhe me korridore e banja të shtruara me pllaka dhe të kompletuara me pajisje hidrosanitare, të ardhura nga Italia. Në katin eparë kishte depozita uji ("stera" tip Gjirokastre), kuzhina dhe depo të mëdha mallrash dhe bereqeti. Çatia ishte gjysmë soletë dhe pjesa tjetër me tjegulla Marsejeze dhe sisteme bacionesh, për grumbullimin e ujit të shiut. Për rreth shtëpisë kishim stallë për lopë e kuaj, garazh automjetesh, depo dhe pus uji me e instalim pompash. Uji gjendej afër sipërfaqes dhe ishte i ftohtë dhe i pijshëm. Më tej shtrihej një sipërfaqe e gjerë toke, që mbillej me zarzavate, drithëra e haslla. Ne shtriheshim deri ne "Kume" e "Çole". Kufi me pronën tonë, përfund Çairit të madh, kalonte një rrugë e ngushtë hekurudhore, ku, një dekovil  transportonte për në Port, kripë, të sjellë nga Kriporja e Nartës
              
Aty ndenjëm, pak më shumë se dy vjet. Prej asaj kohe e kam njohjen dhe shoqërinë e pa ndërprerë, për gjithë jetën, me tre nga shokët e mi më të mirë: Harilla Papajorgjin, Minella Kostandinin dhe Llambi Konën.
  
Në prillin e vitit 1939 Shqipërinë e pushtoi Italia fashiste. Ata shumë shpejt, për karshi shtëpisë sonë, matanë rrugës Vlorë-Skelë, ndërtuan
kazerma dhe vendosën forca të shumta ushtarake. Pas një viti, duke e përfshirë në zonë ushtarake, na detyruan t'ua lëshonim shtëpinë me qira dhe ata e bënë atë Ambulancë Ushtarake.

  Deri ne vitin 1941, në kohën kur babai ynë po ndërtonte një shtëpi të re në lagjen Muradie Vlorë, ne banuam në lagjen Karabash, në shtëpinë e vjetër të inxhinierit gjirokastrit të punëve botore të Bashkisë së Vlorës, Daut Koqemeli. Më kujtohen nga kjo kohë të dy djemtë shumë studios e të zgjuar të tij, sidomos, Skënderi, që gjithë ditën e kalonin duke lexuar libra, si dhe hmotra e tyre e vogël, Fatmira. Inxhinieri plak, që bariste me një bastun të bukur në dorë, ishte njeri shumë i dashur dhe gazmor dhe mua, për shaka me thërriste Lejmon, më përkëdhelte me dashuri dhe më sillte "zariko", siç thoshte ai për ca lloj karamelesh të vogla që bënin "gegët" me sheqer dhe i shisnin duke shëtitur rrugëve, me tabakatë e tyre të rrumbullakëta ndër duar. Veç sheqerkave ata tregtonin dhe mollë, të lyera me sheqer të djegur, dhe forma të tjera gjithfarëshe me sheqer të karamelizuar si zogj, kaposhë e shkopinj. Ne kënaqeshim, se ëmbëlsoheshim me to, duke i lëpirë gjithë ditën. Kish edhe shitës
ambulantë të tjerë që tregtonin ujë, bozë, salep, qiqra, kikirikë, gështenja, mana, manaferra, xinxife, cigare duke i ardhur rrotull rrugëve të kalldrëmta të qytetit me tabakatë, apo duke qëndruar, paksa më gjatë, me tezga e karro të posaçme, në qoshkat  dhe udhëkryqet dhe duke i ndjellur myshterinjtë me britmat e tyre: "Erdhi gega me amëlsina", "Salep i ngroftë, salep i ftoftë, urdhnoni myshterinj" Tregtarë ambulantë kishte dhe me karro me kuaj dhe direkt me kuaj e gomarë, si ata që shisnin dru zjarri e kucka, kryesisht kaninjotë, apo çertexhinj me gjithfarë vogëlimash e basmash. 
 
Por tregtia më madhe bëhej në rrugën kryesore të qytetit në tregtoret grosiste, cikrimtarët, matrapazët dhe kafenetë e pijetoret,  që ishin vendosur në të dy krahët e rrugës nga Xhamia e Madhe, afër Bashkisë e deri te Prefektura. Prapa kësaj Xhamie e deri në Llonxhë, përfund mureve të "Kalasë" bëhej tregtimi i gjësë së gjallë, ardhur nga fshatrat për rreth. Frutat dhe zarzavatet shiteshin te Merkatua e Sahatit, në qendër të qytetit. Në qytet kishte dhe disa furra buke, punishte dhe fabrika vaji, hotele dhe restorante, bulmetore si dhe dhjetëra dyqane artizanësh si rrobaqepës, marangozë, teneqepunues e kallajxhi, farmaci e librari, këpucarë, opingarë e ballomatarë, dy shtypshkronja, dy shkolla fillore dhe  Shkolla e Mesme Tregtare.
               
Qyteti Vlorës, i vendosur si në një gropë, në pllajën përfund kodrave të "Koçiut", "Mesovunit", "Budakut" dhe "Kuzbabasë" nga njëra anë dhe detit, nga ana tjetër, duke qenë pa sisteme kanalizimesh dhe derdhje shtytëse ujërash, që me rënien e shirave të parë, inondohej dhe gjithë pjesa jugore e perëndimore e qytetit kthehej ne një liqen të madh e të pafund të lidhur me kënetën e Nartës dhe me detin. Këto pellgje ujërash, jo vetëm kufizonin shtrirjen dhe zgjerimin e qytetit ne zonën më të përshtatshme fushore bregdetare, por ishin burim mushkonjash malarike. Ishte kjo zonë vend gjuetie për rosat dhe patat e egra, që atëherë ishin me shumicë, në disa muaj të vitit. Disa lejlekë, këmbëgjatë, na tërhiqnin vëmendjen dhe fantazinë tonë fëmijnore, kur vinin, çdo vit, në të njëjtat fole, majë pemëve më të larta, ushqenin të vegjlit e tyre dhe kërcisnin, hera herës, me zhurmë, sqepin tyre të verdhë e
tejet të gjatë.

  "Sheshi Flamurit", "Lulebahçeja" me "Monumentin e Ushtarit të panjohur", si dhe Shtëpia e Beut dhe Pallati i gurtë i Sharrajve, Merkatua me Sahatin, Godina e Prefekturës, e Bashkisë, e Bankës, katër Xhami dhe dy Kisha Ortodokse e një Katolike si dhe një duzinë godinash komode, të ngritura vitet e fundit, janë mbresat e mija për këtë periudhë kohe.
   Edhe në ato pak muaj që ne banonim në lagjen Karabash babai ynë vazhdonte të administronte Axhensinë e Automjeteve, me qendër ne lagjen Muradie Vlorë dhe degët e saj ne Gjirokastër dhe Fier. Ishte kjo periudha kur aktiviteti tregtar u zgjerua, u shtuan automjete të tonazhit të madh, për transport mallrash dhe një autobus, për transport pasagjerësh, duke krijuar shoqërinë tregtare PEGUÇI.

 Ndërkohë qyteti i Vlorës, i militarizuar, qendër e flotës dhe e aviacionit ushtarak italian, u bë i pa sigurt. Me fillimin e luftës italo-greke edhe brenda në qytet filluan mitralimet e aviacionit anglez. Siç thuhej, brenda ushtrisë italiane vepronin informatorë anglez, të cilët, duket se njoftonin sa herë bëheshin gati dhe nisnin për fluturim, drejt frontit, avionët italian. Një vapor i madh italian me shenja të Kryqit të Kuq, "Spitaljera", siç u tha, u qëllua, u godit dhe u fundos, po aty, në bregdetin e Vlorës. Thanë se me të udhëtonte dhe Eda, vajza e Duçes. Në qytet filloi shpejt dhe lëvizja antifashiste dhe njësitet guerilje ndërmorën atentatet e para. Kjo situate krijoi frikë, thashetheme dhe pasiguri. Qyteti nisi të boshatiset nga popullata. 

Shumë prej tyre u larguar në fshatrat për rreth, apo në qytetet e afërta, ndër miq e kushërinj.  Ishte fillimi i vitit 1942 kur ne u shpërngulëm, familjarisht, nga Vlora dhe u vendosëm, pranë dajave, në qytetin e Fierit. Fillimisht banuam në lagjen Bishanak, Liri, siç u quajt më vonë, afër Shkollës së Mesme "Babë Dudë Karbunara", në një shtëpi tip Elbasani, siç kishte shumë në Fier, qytet, pothuajse i ri. Kjo ishte pronë e kosovarit Nebi Gjata dhe për rreth kishte shumë familje të tjera kosovare, siç ishte Jonuz Kosova me Fetiun dhe djemtë, të gjithë këta të larguar me  dhunë nga reprezaljet serbe dhe të ndihmuar e përkrahur deri materialisht nga mbreti Zog. Aty pranë ne kishim tre dajat e kamur: Ganiun, Qaniun dhe Fejziun me fëmijët e tyre dhe pak me tej familjen e tragjasiotit Hodo Muço. Të gjithë na pritën të gëzuar, duke treguar mirëkuptim e dashuri. 
 
Klasën e parë të shkollës fillore e nisa me dy muaj vonesë. Me ndihmën e nënës sime, mjaftë të interesuar e të kujdesshme, i arrita shpejt shokët, duke u vënë në ballë të tyre. Ndër shokët e klasës më kujtohen Behar Kasimati, Indrik Ikonomi, Nazire Dizdari, dhe kushërinjtë e mi Astrit dhe Hazbije Peshkëpia. Astriti, djali i dajko Fejziut ishte, njëkohësisht, shoku im më i afërt dhe më i dashur. Me të nuk ndaheshim, jo vetëm në të njëjtën bankë brenda klasës, por dhe jashtë shkolle duke mësuar apo duke luajtur, në shëtitje në fushat e pafundme, për rreth, apo maj pemëve të shumta të bahçes së madhe, duke shkundur kumbulla, arra, ftonj e dardha, apo duke vjelë lajthi e zarzavate gjithfarëshe. Një kënaqësi të veçantë na jepte loja "kukufshehtazi", kur futeshim në bimsat e pafundme të shtëpisë së dajallarëve. Preokupime të tjera ishin loja me dragaçe apo me cingla e deri kaladibrançja. Në shkollë më kujtohet mësuesi mjaftë rigoroz, por i moshuar, Izet Vasjari, me rigën prej druri, që i skuqte duart
nxënësve mëkatarë, si dhe mësuese Emireja, edhe kjo mjafte kërkuese dhe që si "qeshte buza" kurrë. Ishin shumë ekzigjent dhe të rreptë mësuesit e Fierit dhe siç ishte në modë dhe kriter i përgjithshëm, të dhunshëm: godisnin me rigë e deri me pëllëmbë, të shkulnin veshët dhe të linin pranë drasës së zezë të rrije gjatë me një këmbë mbledhur, ose të mbyllnin në klasë disa orë, pas shkolle.
Është e kuptueshme këto ishin masa disiplinore "edukative" dhe merreshin ndaj fajtorëve, apo nxënësve të prapambetur, ndërsa mua nuk më kishte ndodhur ti provoja.                                  
 
Afër shkollës sonë ishte dislokuar një repart ushtarak italian me topa fushor dhe me kuaj… Ne na grishnin shpesh ata dhe na afronin, na përkëdhelnin e na jepnin makarona e ushqime gjithfarësh si dhe verë me gavetat dhe gotat prej alumini, që pas kësaj i lanin te lekanet prej betoni, të ndërtuara pranë kazermave dhe pastaj i mbanin ato, të varura në brez. Më vonë italianët u zëvendësuan nga gjermanë, po ata as që na afronin dhe tepricat e bukës dhe ushqimeve i hidhnin, të shpërndara në ujin e pistë të hendeqeve të rrugës.
Gjermanët, thuajse gjithë natën e ndriçonin territorin për rreth me prozhektorë drite të fuqishme. Isha prezent në një mbas dite kur, nga pjesa perëndimore e qiellit, erdhën dy avionë anglezë dhe mitraluan kazermat ushtarake. Më bëri përshtypje se, ndërsa ne dhe gjithë kalimtarët u shtrim barkas dhe zumë hendeqet ata, "gjermanët e liq", nxorën automatikët dhe ashtu, si ishin, më këmbë i qëllonin, deri sa avionët u larguan, për mos    t' u kthyer më
 
 Sa kishim mëritur në qytetin e Fierit babai im nisi rikonstruksionin dhe ndërtimin e një shtëpie të vetën, në lagjen Liri, afër lumit Gjanica. Shtëpia e re me tulla dhe blloqe çimentoje dhe e mbuluar me tjegulla Marsejeze, u ndërtua shpejt dhe ne u strehuam në fillimin e vitit 1944, pa e përfunduar plotësisht atë. Në punimet e rifiniturës, pas kapitullimit të Ushtrisë Italiane, morën pjesë dhe katër ish ushtarë italianë, të cilët u strehuan, u ruajtën dhe punuan bashkë me ne. Ata ishin mjeshtra politeknikë e deri piktorë që sajuan detaje dhe fragmente mozaike interesante. Po te ne banonte, i ardhur nga Gjirokastra dhe Dritori, djali i xha Hasanit, që vuante dhe rënkonte i sëmurë nga një gangrenë në gjurin e këmbës, e cila, pas disa operimeve dhe heqjen e gjithë këmbës, më vonë, i shkaktoj vdekjen. Periudha që ndenjëm në këtë shtëpi ishte mjaft e trazuar, kohë lufte. Vendin e pushtuesve italianë e zunë gjermanët dhe rezistenca e goditjet ndaj pushtuesve të rinj ishte më e organizuar dhe intensive. Filloi vëllavrasja dhe krismat e armëve, shpesh, gjëmonin deri brenda qytetit, ku vepronte banda e krimineli Isa Toska, i lidhur me komandën gjermane. Vëllai im Enveri, që vepronte si klandestin, doli në ilegalitet. 

 Unë, mbasditeve, ditëve të diela dhe në pushimet shkollore dilja në tregun fshatar të qytetit dhe shisja baketa cigaresh, zaharina dhe kikirikë. Babai im, emigrant Amerike, na kish mësuar mos ta harxhonim kohën kot, por ta ndienim nga afër tërheqjen dhe magjinë e parasë. Në një nga këto ditë, në pranverën e vitit 1944, më kujtohet një ngjarje, që, çuditërisht, më la gjurmë dhe e ruaj të freskët: Ishte një ditë pazari, kur tregu fshatar ishte mbushur plotë me njerëz. Isha mbështetur, i ulur në një stol druri, me tezgën e mallrave para syve, kur dëgjoj tellallin të thosh "Ej, milet dëgjoni me kujdes!  Te ballkoni i katit të dytë do dali të flasë një ish partizan i Brigadës së parë. E quajnë Vllas Arapi, nga Vlora. E pash Vllas Arapin, të mbështetur te parmakët e ballkonit, në atë prag maji dhe e dëgjova të flas. Ishte një djalë i ri, me flokë gështenje të shtrira, shtat mesatar, veshur me rroba angleze: xhakavento e
qillota. Ai me një zë të lart e tingëllues dha shpjegime për situatën politike të vendit tonë, duke qortuar komunizmin shqiptar, ndërhyrjen dhe nënshtrimin te komunistet jugosllavë, tradhtinë dhe shitjen e shqiptareve te Rusia. Ai dënoj vëllavrasjen, amoralitetin, si dhe ngjarjet e shkurtit në Tiranë. Të nesërmen u dëgjuan krisma armësh dhe bombash në rrugët e qytetit të Fierit. Thanë se Pehlivani, siç i thërrisnin Vllas Arapit, ishte ndeshur me trimëri dhe u kishte bërë ballë kriminelëve të bandës famëkeqe të Isa Toskës, në përgjigje të tentativës së tyre për ta ofenduar dhe poshtëruar dhe pas kësaj, ishte larguar i futur në një autoblindë gjermane.

   Për t'u larguar përfundimisht nga Vllas Arapi, kujtimi i te cilit me ka interesuar, më së shumti, nga qe ai ishte djali tezes i shokut tim më të afërt të fëmijërisë, Harilla Papajorgjit, do të përshkruaj këtu, duke kapërcyer rrjedhshmërinë e ngjarjeve, ashtu siç ma ka paraqitur, 5 vjet pas vdekjes enigmatike të tij, një shoku im, bashkë ushtar, Fadil Toci. "Unë, më ka shpjeguar kapter Fadili, e di shumë mirë se si është vrarë vlonjaku Vllas Arapi. Jam nga nja fshat i Kavajës, afër Habilajve dhe e kam dëgjuar ngjarjen prej tyre. Rreth nesh, në krahinë, deri katër- pesë vjet përpara, ka vepruar ajo që u quajt "Banda e Ram Habilit", me aktivitet antikomunist në gjithë Shqipërinë e  Mesme nga rrethet e Tiranës e deri në Kavajë, Peqin dhe Elbasan, duke u lidhur dhe me grupe të tjera antikomuniste si atë të Alush Leshanjakut, në Elbasan.
Pikërisht në këtë grup atentator e luftarak të armatosur, deri në dhëmbë dhe te vendosur, deri në vdekje, ishte inkluduar tosku trim Vllas Arapi. Rama me djemtë e shumtë të tij dhe, sidomos, kur u bashkua me "Pehlivanin", trim dhe gueriles me përvojë disa vjeçare, bënte gjëmën në gjithë atë zonë, ku kishte shumë simpatizantë, përkrahës, miq dhe të afërt, me veprimtari aktive antikomuniste, në pritje të shpejtë të aleateve anglo-amerikane Ata strehoheshin dhe lëviznin në një shtrirje të gjerë dhe ishin të pa kapshëm nga forcat e sigurimit të Komandës së Mbrojtjes së vendit. Në këto kushte u përdor dinakëria: Një agjent i forcave të mbrojtjes u fsheh në Çetën e Ram Habilit dhe fshehtazi, i vrau një nga djemtë e Ramës, duke hapur fjalë se atë e vrau "kauri" Kështu u mboll përçarja." Ndofta ky është versioni më i pranueshëm, për vrasjen e Vllas Arapit.     
 
Për të ardhur normalisht te kronologjia e jetës sime duhet të them se në pushimet verore mua më ka pëlqyer të largohem prej familjes dhe të shkoj te të afërmit e mi. Më së shumti kam shkuar e kam pushuar në Gjirokastër, te tezja, xhaxhallarët dhe halla e vogël. Shumë mbresëlënëse kanë qenë pushimet verore qershor-shtator 1944. Tezja ime e vetme quhej, në të vërtetë, Myslyme, po, të gjithë, gjithë jetën i folën Çime. Edhe në Gjendjen Civile kështu ishte riregjistruar.  Ajo ishte e datëlindjes 1910. Tezja ishte e shkurtër dhe e shëndetshme, shumë e pastër dhe punëtore, aqsa asnjë herë nuk e gjeje të rinte pa bërë një punë të dobishme dhe fitim prurse, duke përfshirë qëndisjet me grep dhe gjilpërë, trikot dhe qepjet mmakinë. Ajo ishte e dashur dhe mikpritëse.
                  
Burri i tezes ishte Maliq Hajroja, nga lagia Pllakë e Gjirokastrës. Ai gjithë jetën punoi pranë Bashkisë së qytetit në punët  Botore Komunale, qysh nga koha kur Kryetar Bashkie ishte Bajo Topulli. Xha Maliqi, që ishte i datëlindjes 1900, mori pjesë në ndërtimin e ujësjellsave të Gjirokastrës dhe të shumë fshatrave dhe njihte, si asnjë tjetër gjithë rrjetin e ujsjellsave dhe kanalizimeve. Ai ishte një burrë i paraqitshëm, i gjatë dhe i drejtë, si lis dhe mbahej me sqimë. Ai kish marë pjesë aktive në tre luftëra: në atë të vitit 1920, për çlirimin e Vlorës dhe hedhjen në det të okupatorëve italianë, në revolucionindemokratiko borgjez të vitit 1924 dhe në luftën Nacional Çlirimtare, si anëtar i Këshillit Nac.Çl. për qytetin. Sidomos kishte shumë për zëmër Luftën e Vlorës, për të cilën kishte shkruar dhe kujtime të posaçme.   
  
Tezja banonte në një shtëpi të madhe trekatëshe tipike gjirokastrite me sterë dhe muslluk, si dhe me musandara dhe mindere tradicionale dhe, natyrisht, me çati të mbuluar me pllaka gurri...Një dhomë e madhe, pati, kishte tavan shumë të bukur me kombinime  figurash interesante të gdhendura në dru. Shtëpia mbi 200 vjeçare ishte e ndarë midis trashëgimtarëve të shumtë dhe xha Maliqit i kishte rënë në pjesë një dhomë në katin e dytë. Dhoma e lart dhe e madhe në pjesën fundore ishte e ndarë dy pesëshe në lartësi, duke përfituar kështu një sipërfaqe, ku ishin vendosur dyshekë për fjetjen e miqve, që nuk mungonin të vinin shpesh, në këtë shtëpi bujare e mikpritëse, nga Vlora, Fieri e Tirana. Te kjo qoshk e ngrohtë kisha kënaqësinë të rija, gjatë dhe unë.

  Po aty, në lagjen Pllakë ishte rezidenca e hershme e dajove të mi. Pasi zbritje  e largoheshe nga Sheshi Çerçizit dhe bëje 500 metro rrugë kryesore automobilistike, ngjiteshe në Pashallarë, një rrugicë e  pjerrët me kalldrëm e çakëll dhe pikërisht, në krye të sajë, sa merrje kthesën, më të majtë ishte pirgu i shtëpive të Peshkëpinjotëve, dajove të mi, shumica të shpërngulur prej dhjetëra vjetësh për në Fier. Tani aty, në njërën prej shtëpive banonte kushëriri ynë, Vesim Peshkepia, 3-4 vjeç më i madh se unë. Nga dritaret e shtëpisë së tij poshtë shikoje rrugën kryesore, me tej një prua dhe pas tij
lagjen Hazmurat, ku ishte dhe Spitali i qytetit. Në thellësi të horizontit, në të djathtë dalloje lumin Drinos dhe urën e madhe dhe para, Gërhotin. Mua më takoj të isha aty, kur, pikërisht nga Kazermat e Ushtrisë Italiane në Gërhot u godit me bateri artilerie dhe u mitralua Gjirokastra, e ndriçuar nga prozhektorë të fuqishëm. Unë dhe Vesimi, kushëriri im, shihnim njerëz të plagosur e të vrarë dhe në rrezik e sipër jemi larguar dhe strehuar në trinçenë e Shtëpisë së Madhe te dajove, Pas kësaj filloi evakuimi i popullatës dhe ne, për disa ditë kaluam në thellësi, në lagjen Dunavat. Ishte periudha e gramëve të fundit të Ushtrisë Italiane, kur ajo kapitulloj dhe Gërhoti, pas një lufte dhe masakre të vërtetë, iu dorëzua forcave partizane. Ishte pikërisht koha kur, siç u tha, ndodhi pabesia e madhe dhe në lufte me italianët u vranë 23 antifashistë nacionalistë me në krye komandantin e tyre trim, Hysni Lepenica.
                
Mua më tërhoqi halla në Çifligun e vetë në fshatin Mashkullorë. Halla ime, Sanua, ishte martuar me Bastri Çiçon, vëllain e shpikësit Dino Çiços, të famshëm për dervidaimin, që krijoi me aq mundim, por që nuk e bëri dot të vetlëvizte, as me ndihmën e Bismarkut të Gjermanisë. Unë ndodha në Mashkullorë, kur forcat e armatosura gjermane pushtuan Shqipërinë. Partizanët i pritën me luftë, pikërisht në afërsi të Mashkullorës, në vendin e quajtur Manastiri Cepos. Djali i hallës, Qemali, që ish partizan i brigadës së gjashtë, na porositi që ta braktisnim vendbanimin nga rreziku i reprezaljeve të nazistëve, sipas përvojës së ndodhur në fshatin Borovë. Ne shkuam, fillimisht, në Prongji dhe pastaj mepak plaçka, kryesisht ushqime, të ngarkuar mbi kuaj, iu ngjitëm malit përpjetë, në Kardhiq, në Ujë të Dhive e në Skotini. Nga lart dukej lufta dhe rezistenca e shkurtër e partizanëve, kryesisht, për ti dhënë kohë evakuimit të popullatës. Ne shihnim nga lart kur gjermanët, me forca krejtësisht të motorizuara, ishte e pa mundur të ndaleshin, dhe digjnin me flakëhedhëse shtëpitë e fshatit Plesat dhe Manastirin e Cepos, ndërsa blegtorët, të zënë në befasi, largonin të shqetësuar, bagëtitë e çoroditura.
             
Vite më vonë këtë ngjarje e kam përjetuar kështu: 
  
                                 Dhëntë e dhitë blegërima                                    
tutje, tëhu: be,be,be.
Më pas dëgjohen ca krisma:
Pamë e pume tëhe, t'he.
Pushkë, mitrolozë e murtaja:
Tiu, tiu, tëër e bumb.
Ne ngjiteshim lart, në maja.
Mos na zinte ndonjë plumb.
Manastiri i Cepos digjej.
Në Mashkullor e Prongji
Gjermani!. Ai s'tërhiqej:
Zjarr e flakë në çdo shtëpi.
Po, pse vriten kafshë e njerëz,
kisha, fshatra, bëhen hi?
Ç'gjynahe ka bërë ky brez
Ç'kërkon Nemcja në Shqipëri?
            
  Kur u ktheva pranë familjes, në Fier nuk gjeta njeri. Lufta ishte ndjerë dhe këtu. Njerëzit e mi ishin paqësor dhe kishin ikur më tej, ishin futur më thellë, larg krismave të pushkëve, në Çifligun e Alibejasit, në thellësi të fushës së madhe të Myzeqesë, pronë e Hoxhatve, kushërinjve të babait tim. Ezonja e shtëpisë, kushërira ime Ablla Shefkua, burri i saj Sherifi dhe djemtë e çupat e tyre, bashkëmoshatarë me mua, si dhe njerëzit e familjes sime, më pritën me mall e dashuri, duke më uruar që kisha shpëtuar paq nga peripecitë e luftës. Jeta në fshat, midis bagëtive të shumta e të shumëllojta, qenve e maceve, pulave, rosave, patave e gjelave të detit, të bimësisë së kultivuar dhe pyllit të dendur e të pa fund, si dhe buzë lumit Seman, të gjerë e ujë shumë, më krijonin një gëzim e kënaqësi të pa ndjerë ndonjëherë. Tataj, siç i thërrisnim ne Sherif Hoxhës, pronarit të çifligut, rendte gjithë ditës maj kalit dori, lara, lara, që deri ngrihej e ulej në gjunjë, sipas urdhrit të të zot. Sherifi, kryeagaj i fshatit, mbante me vete një automatik në krah dhe një revolver ne brez dhe shëtiste ndër bujqit, që ishin duke punuar, sipas vendeve  dhe detyrave të caktuara, i kontrollonte dhe u jepte udhëzime e detyra të reja.
Në dispozicion, kryesisht, të punëve të mekanikës bujqësore dhe të ndërtimit në
Fermë punonin dhe 5-6 italianë, ish pjesëtarë të ushtrisë italiane të kapitulluar.   Ndërkohë lufta ishte drejt fundit dhe ne, familjarisht, u kthyem, fillimisht në Fier dhe më pas, në Vlorë.
      
  Rikthimi në shtëpinë tonë të Skelës, në Vlorë, në fundin e vitit 1944, u bë, duke kaluar me trap lumin Vjosë në afërsi të ish Urës së Mifolit. Disa këmbë të urës ishin minuar dhe hedhur në erë nga ushtria gjermane në ikje. Edhe shtëpia jonë ishte mjaft e dëmtuar, por u restaurua më së miri edhe me
ndihmën e ish ushtarëve italianë, që i morëm me vete, si të ishin pjesëtarë të familjes sonë. Pas kësaj ata nisën të ndihmonin në punët bujqësore, në sipërfaqen e madhe që dispononim për rreth shtëpisë. Midis italianëve nuk do më harrohet, më i riu prej tyre, që quhej Gorri Otelo. Ai ishte, njëkohësisht, më i dashuri dhe që tregonte interes e ishte ngarkuar të merrej më shumë me mua. Kur pas gati dy vjetësh e përcolla për në atdhe u përlotëm të dy dhe unë ndjeva dhembjen e ndarjes si të një vëllai të madh. Ne me shokët e vjetër, të rigjetur në Skelë, me Harilla Papajorgjin, LLambi Konën, Minella Kostandinin, Guri Sejdinin, Sezai Hoxhën, Ferik Muhametin, etj. luanim çdo ditë me topa lecke, të mbushur me qime kali. Gorri çuditej dhe i vinte keq për varfërinë tonë, ndaj, kur të kthehej në Firence, nga thoshte se ishte, premtoi se do më dërgonte topa të vërtetë futbolli, volejbolli dhe tenisi. Unë për këtë besoja, si një fëmijë dhe prita me muaj e vite, duke i mbajtur me shpresë dhe të gjithë shokët e mi.
  
Në vitin 1945 erdhën për të banuar te ne, në pjesën e mbrapme të shtëpisë dhe në hauret tona, dy familje çame. Me këto familje, thuhej se, kishim miqësi të vjetër. Ishin ish banorë të rajonit të Gumenicës. Familja me më shumë pjesëtarë ishte ajo e Bido Hamitit, nga fshati i Arvenicës. Xha Bidua, një burrë plak e trup madh, me qylaf të gjatë labi në kokë, kish dy gra, singra, katër djem: Mustafain, Abdulin, Hamitin dhe Nustretin dhe dy vajza, të gjithë të rritur. Familja tjetërdrejtohej nga Mamo Habibi dhe ishte nga Skopjona. Kishte dy djem: Shefqetin dhe Gazaliun. Ata, që të gjithë ishin njerëz shumë të mirë, punëtorë dhe të ndershëm. Të dy familjet kishin lënë pasuri të shumta në Greqi, që i kujtonin me mall e nostalgji. Ata e flisnin në mënyrë të theksuar dialektin çam, aq sa unë, i shkrirë me ta, shumë shpejt as që dallohesha në të folmen çamçe. Ishte kjo e vërtetë që më vendosi edhe në një pozicion aktoresk, kur në Orën Gazmore të Radios se Qytetit bashkë me Qirjako Savën, qe me vonë u be aktor profesionist, interpretonim role unë si çam dhe ai si gegë.

 Klasën a katërt e kryejta në Shkollën Fillore të lagjes Skelë me drejtor Ymer Luçin, nga Kuçi i Vlorës dhe mësuese kujdestare Marika Bezhanin. Shkolla ishte improvizuar në katin e dytë të një godinë, afër Portit Detar. Atje, pasi rreshtoheshim me klasa në një shesh të gjerë para shkolle, ngjiteshim me shkallë jashtë godine, nga të dy krahët. Këto shkallë formonin, në katin e parë, porta të mëdha me qemer. Në klasën tonë u rimblodhën shokët e vjetër dhe takimi me ta ishte një gëzim i madh, thuajse, rinjohje. Secili tregonte mbresa dhe ndodhi të vendeve ku ishin strehuar, për të evituar pasojat e luftës.
  
Klasën e pestë të fillores e nisëm në shkollën e re, të sapo inauguruar. Ishte një godinë e bollshme, me klasa dhe orendi të përshtatshme dhe me një kënd sportive, para saj. Mësues kujdestar kishim Zenel Dervishin, nga Tragjazi i Vlorës, të cilin e kujtoj me respekt dhe dashuri, për bagazhin
metodik dhe kulturor që dispononte, elokuencën dhe gjerësinë e paraqitjes dhe kontrollit të dijenive si dhe për aktivizimin e diferencuar të   nxënësve, brenda dhe jashtë klase. Nga ai kam dëgjuar së pari për Bet'hovenin dhe Xhuzepe Verdin. Ai këndonte bukur, i binte mandolinës dhe tregonte aftësi regjisoriale.
Mua më aktivizoi dhe më vendosi në ballë të të gjitha aktiviteteve të shumta artistike, kulturore e sportive. Atje luajta, se pari, rolin kryesor në një dramë patriotike që titullohej "Karemani dhe Lulja", ku unë kisha rolin e Karemanit dhe Bubulina Tol Arapi rolin e Lules, dy veprimtarë dhe heronjë tëluftës për lirimin e Shqipërisë nga zgjedha turke. Në bankë rrija, sërish me Harillën dhe qëndronim, të pandarë me Minon dhe Llambin. Shokë të tjerë te afërt ishin Irfan Habilaj, që e kisha dhe afër shtëpisë, Xhemal Sinanin, nga Brataj, ( babai i piktorit te shquar Agim Sulaj), që strehohej në Teqen e Kuzbabasë, Bubulina Arapin, Antigoni Rexhepin, Areti Taton dhe Kanerina Sharrën, kushërirën
time, Guri Sejdinin, Mete Sinanin, Neim Numanin, Vllasi Baben, Sherif Thanasin, nga Tragjazi, Ferik Muhametin, etj.
                Në vitin 1945, në bahçen e Shtëpisë në Skelë, duke bërë pastrimin e stallës së lopëve, duke qenë zbathur dhe me pantallona të shkurtra, në momentin që do godisja me shat për të ndarë plehrishtet e përziera me bar, mendova se tehu i shatës do binte mbi llumin e ujshëm të plehut që do me ndotët
dhe spërkaste të tërin. Për të evituar pisllëkun e lash bishtin e shatit dhe vrullshëm, ashtu i lehtë dhe i shpejtë, siç isha, pa menduar më tej, u hodha mbi një tufë bari të njomë, aty pranë. Por, fshehur në barin e njomë të harlisur, ishte, për dreq, maja e mprehte e një shisheje të thyer, që, sikur ishte hedhur,pa kujdes, për të më prerë thellë, deri ne kockë, pulpën e këmbës së djathtë, duke më hapur një plagë aq të thellë, sa u desh disa muaj të mbyllej dhe që me ka lënë një shenjë të dukshme, për gjithë jetën.
             Shkollën Fillore, që asokohe ishte me pesë klasë, e përfundova në lagjen Skelë të Vlorës në muajin korrik 1945, me mesataren maksimale dhe i mbushur me fletë lavdërimi e fletë nderi për përparimin në mësime dhe pjesëmarrjen e dalluar në veprimtaritë artistike, kulturore e sportive
jashtëshkollore.
              Pushimet verore ne i kalonim këndshëm, në bregdet dhe në lagjen Kume, ku banonte Sezai Hoxha, që kishte një baçe të madhe me pemë dhe mana të mëdhenj e të shijshëm, si dhe Minella Kostandini, Harilla Papajorgji, Llambi Kona dhe shumë shokë të tjerë me të cilët notonim ose loznim me top lecke. Rrugës, për ti rënë shkurt, duhet të kalonim kanalin e gjerë të ujërave të zeza, gjë që, rregullisht e bënim nëpërmjet "Urës së Taq Kuqit", por shpesh, tentonim ta hidhnim me vrull dhendonjëherë nuk arrinim ta kapërcenim po, pasi latërzhyheshim keqas, shkonim e shpëlaheshim në detin e kaltër, mikun tonë më të dashur.

 Aty, në detin e magjishëm dhe në rërën, buzë tij, në komandë vihej Minella Kostandini. Minoja ishte djali i xha Vangjelit, emigrantit plak të
riatdhesuar, që nuk kish lënë minierë franceze pa punuar, por që e kish pasion dhe shenjtor detin çudibërës, ndaj i kish lënë mademet me metalet e rrallë atje, ku ishin, në thellësitë e tokës së frankve, duke mos u tërhequr as prej tyre, as
prej amazonave parisianë, për të cilat tregonte ngjarje interesante dhe, kish ardhur këtu, buzë detit Adriatik, te gjiri i Vlorës," më i bukuri në botë", siç thosh ai, dhe nuk i ndahej ditë e natë detit të tij jetëdhënës. Minella, djali me i vogël i tij kishte trashëguar pasionin e babait të vetë dhe e tërhiqte mrekullia e detit. Këtë ndikim e transmetonte edhe te ne, shokët dhe shoqet e
tij, duke na mësuar me entuziazëm, çdo të mirë të trashëguar. Mua më kanë frymëzuar vazhdimisht këto kujtime të bukura fëmijërore, kur, të shkujdesur dhe pa asnjë preokupim loznim, këndonim e kërcenim, notonim, apo peshkonim. Me ato ndjesi pranë kam lëvizur kudo dhe kurdoherë, duke qenë të pa ndara, nga qenia, veprimtaria, jeta dhe ndërgjegjja ime.
                  
I pari hidhej Minella,
Që dallohej nga kapela.
Ja kish qepur Vitoria
Me dok, ardhur nga Rusia.
Orientimi: Drejtë te moli
Sot, perfeksionohet kroli.
Kokën mbani pak të zhytur
Plasi krahët, këmbët ngjitur!
Merr frymë thellë, ujin e nxirrni,
Trupin lëre lirë, të shkasë
Mendo: Si rrëshqet delfini.
Mos të ngelet asnjë pas!
Edhe peshk, sot, do të zihet
Me pezevoll dhe me grep.
Shiko qefullin, si hidhet?
Lum si ne, që kemi det!
                                                              
            Në shtatorin e vitit 1945 nisa klasën e parë të "Unikes" në Shkollën e Mesme Tregtare të Vlorës. Kjo shkollë me tradita të lashta e të lavdishme, sidomos si qendër  e të rinjve revolucionarë, shumë prej të cilëve u bënë protagonistët dhe drejtuesit kryesorë të luftës antifashiste dhe dëshmorë e
heronj legjendar, tani ish shpërngulur nga qendra e hershme, Uji Ftohtë dhe ishte vendosur, më së miri, në disa godina dy katëshe, që kishin qenë në dispozicion të ushtrisë dhe të hipodromit të qytetit  Ajo pozicionohej në krahun e majtë të rrugës Vlorë- Skelë, pasi kaloje varrezat ortodokse të qytetit, në
një sipërfaqe të konsiderueshme toke, me mjedise sportive, klasa dhe salla të bollshme. Shkolla Tregtare e Vlorës ishte me tetë vjet. Tre vitet e para ishin ato që quheshin unike dhe pas përfundimit të tyre merrje semimaturën. Drejtor shkolle u caktua Harilla Kuçuli, një bregas simpatik e patriot, me aftësi të shquara pedagogjike dhe administrative. Gjuhën shqipe dhe letërsinë e jepte nartjoti pasionant, studjusi i thelluar i gramatikës shqipe, Jorgo Ceko; mësues matematike kishim fterjotin Xhevdet Kofina, metodist i mirë dhe filozof popullor; në frëngjisht ishin Jorgo Pilika dhe Jani Ziguri; në gjeografi
shkodrani Kel Gashi dhe korçari Kostaq Balldadori; në biologji Marika Bezhani. Ishin tre paralele të klasave të para. Veç shokëve të vjetër na u shtuan dhe shumë shokë të rijnë dhe midis tyre Qirjako Sava, Minushe Lamaj, Apostol Dede, Faruk Mezini, Astrit Isaraj, Tajar Bonjaku, Engjëll Isaraj,Yzeir Nona, Aristidh Sopiqoti, Kudret Arapi, Luan Gorishti,Vasfi Duka, Fatos Cekodhima, Parashqevi
Bitri, Leonora Gjika, Ana Papakosta, Petraq Doko, Nimet Muço, Zaim Hoxha, Ibrahim Zejno, Bukuroshe Shtino,Vojsava Minxalli, Namik Shakaj, Neim Numani, Feride Shakaj, Fejzie Haxhiu, Ferzilet Veizaj, Mirka Bezhani, Minella Konomi, Liri Mita, Afroviti Babe, Pëllumb Beleri, Xhevdet Xhuveli, Hysnie Hoxha, Milto Shuka, Miltjadh Shkurti, Enver Zeneli, Xhelo Ormëni, Xhemal Sulaj, Shaze Xhindi, Zije Xhindi, Hito Xhyheri, Skënder Dano, Mjaftina Mustafaj, Serie Tushi, etj.
               Në vitin l946 u hap Shtëpia e Pionierit dhe unë u përfshiva aktivisht në veprimtaritë e shumta të sajë.
               Klasën e dytë dhe të tretë të Shkollës Unike, që tani u riformua dhe u shkëput nga Shkolla Tregtare, në kuadër të Shkollës Shtatëvjeçare, e kreva në Shkollën "Naim Frashri" Nr.2, në një godinë dy katëshe, me dysheme druri, afër Xhamisë se Pashait të lagjes Muradie. Drejtor kishim Kiço Ruçin. Përveç mësuesve të mëparshëm na u shtuan dhe shkodrani simpatik shumëprofilësh Tish
Daija, shoqja e tij, bukuroshja Karmelina Gurakuqi, Gani Shehi dhe Shykri Zylja, po shkodranë, Remzi Shtylla,  nga Korça dhe Reiz Poshi, nga Gjirokastra.
Semimaturën e mbarova në qershor të vitit 1949 dhe në dëftesë kisha vetëm notat maksimale.( të gjitha pesa).
               
                Ndërkohë ne, në fillimin e vitit 1947, familjarisht, u mbartmë në shtëpinë e Muradies. Shtëpinë e Skelës e mori në dorëzim Ushtria. Fillimisht e ribëri Ambulancë Ushtarake e më pas, u strehuan në të familje ushtarakësh, të ardhur nga fshatrat e Vlorës, Mallakastrës dhe Skraparit. Ajo, çuditërisht, strehoj 6 familje. Ne, në shtëpinë e Muradies. zumë plotësisht katin e dytë, duke banuar, të vetëm në 5 ndarjet e saj, por shpejt aty na detyruan të strehonim dhe familje të tjera nevojtare, duke na marë dy dhoma. Në ketë lagje të vjetër, fare afër shtëpisë ku kisha lindur, unë rigjeta shokët dhe shoqet e fëmijërisë së hershme, u integrova shpejtë midis tyre dhe, bashkë me ta, duke qenë në qendër të Vlorës, u aktivizova më intensivisht në jetën kulturore dhe sportive të qytetit…Në teatër  luajta në rolin kryesor në pjesën teatrale ruse "Biri i Regjimentit" si dhe në "Timuri dhe Skuadra e tij" të Arkadi Gaidarit, si dhe spiker, në dialektin çam te "Ora Gazmore", që jepej me megafon, mbi Bankë, te Sheshi Flamurit.
               Kështu, duke qenë pjesmarës aktiv i Teatrit dhe Korit të Shtëpisë së Pionierit, organizuam disa shfaqie si në qytetin e Vlorës dhe në shumë fshatra të Himarës, Topalltisë, Myzeqesë, Selenicës e deri jashtë rrethit. Më kujtohen dy evenimente të spikatura:
       -Fshatarët, gëzonin, se thyenin monotoninë e punës së rëndë të përditshme, por rëndoheshin, sado pak me përballimin e ushqimit dhe të fjetjes sonë, sidomos, fshatrat e largët, kur detyroheshim të flinim atje dhe kur ne na shpërndanin në familjet e tyre, ku dy e ku tre pionierë. Diku na pritnin mirë.
Kështu, në Palasë mua dhe Qirjako Savën, me të cilin nuk ndaheshim asnjëherë, na trajtuan shumëmirë, me ushqim, duke therur dhe një pulë dhe me fjetje të pastër e të ngrohtë.  Në Dhërmi me zi na nxorën një kafshitë bukë, shoqëruar me një lugë sheqer, të hedhur në një gotë ujë. Plaku i shtëpisë kur na pyeti dhe mësoi se nga dhe të kujt ishim u ngrit i befasuar dhe i shqetësuar dhe porositi trajtim princëror. Kish takuar të qe mik i baballarëve tanë dhe kish dhënë e marrë në punë transporti e tregtie me ta. Ky duket se qe fati ynë, por gjithë të tjerët, siç na thanë, bukë dhe ujë me sheqer kishin ngrënë. Duket se këtij trajtimi në Dhërmi e Himarë i jepnin dhe ngjyrim politik. Kjo ishte manifestuar edhe në votimet e dhjetorit te vitit 1945 dhe ne ishim atje vetëm pak muaj më
pas.               
             -Në një kthim me autobus të mbushur me pionierë, pjesëtarë të grupeve artistike të shkollave të qytetit, fëmijët, të entuziazmuar, këndonin, gëzonin  dhe brohorisnin, duke parë mrijtjen, më së fundi, në Vlorën e tyre të bukur, disa duke nxjerrë dhe kokat jashtë dritareve të autobuzve, fare të shkujdesur. Kjo shkaktoi një tragjedi të rëndë, me vrasje e plagosje, gjë që na shqetësoi e na dëshpëroi pa masë, duke lënë gjurmë për gjithë jetën.
              Kjo veprimtari  artistike e kulturore për mua kish vlera të jashtëzakonshme, se veç zgjerimit të njohurive për muzikën, artin dramatik dhe sportin, me të cilin u morra kudo më pas,  na mësoi dhe edukoi me një jetë kolektive, duke na hequr nga veset e këqija dhe duke njohur shokë dhe miq të
shumtë dhe cilësor. Aty në grupet e Shtëpisë së Pionierit unë u njoha më nga afër dhe u miqësova shumë me Niko Vangjelin (Gjyzari), një nga miqtë e mi më të mire, për gjithë jetën si dhe me Qirjako Savën dhe Agron Çuçin, shokë që ngelën, deri në fund ashtu siç ishim fëmijë, shumë të dashur, të talentuar, të virtytshëm dhe të pa vdekshëm. Atje u njoha dhe me mësuesin tim të muzikës, të
pa harruarin Tish Daija, shkodranin- vlonjatin e madh, që më pas shkëlqeu me gjenialitein e tij si muzikant, dirigjent dhe kompozitor, anëtar i dy akademive: shqiptare dhe kosovare.
             Ndërkohë, vitet kalonin dhe ne po e kapërcenim fëmijërinë dhe po hynim në vështirësitë, bukuritë  dhe peripecitë e adoleshencës.
                                                                                  
 



KOHA  E  RINISË


  NXËNËS NË TEKNIKUMIN FINANCIAR TIRANË


  Më 16 tetor 1949 nisem për Tiranë. Më kishte dalë e drejta e vazhdimit të shkollës së mesme, në atë që quhej "Teknikumi Financiar" Tiranë.  Viti i ri mësimor kish nisur më 1 shtator dhe unë vazhdoja, normalisht, Gjimnazin "Ali Demi" në Vlorë, kurrë më njoftuan se, nga kontingjenti rezervë, kisha përfituar dhe unë bursë shteti dhe do shkoja, pas kësaj, të banoja në një konvikt, në kryeqytet. Babai im, me më shumë njohuri për shkollat dhe me përvojë, u entusiasmua më shumë nga të gjithë. Kjo ishte e vetmja shkollë e mesme me profil ekonomik dhe me mësuesit e sprovuar të ish Tregtares së Vlorës, me emër për kohën. Politeknikumit "7 nëntor", Teknikumit Bujqësor (ish Shkolla e
Dakes), Teknikumi Financiar dhe Teknikumit Mjekësor ishin shkolla të rëndësishme, të profilizuara, për të nxjerrë kuadrot e para, të domosdoshme për drejtimin e ekonomisë së shtetit të ri në zhvillim.
              Teknikumi Financiar "11 janar", e mori këtë emër për nder të ditës së shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë. Ai u vendos në rrugën e Durrësit, për karshi centralit të vjetër elektrik, në ambientet ku sot është Gjimnazi "Qemal Stafa"

             Tirana e atyre viteve ende nuk e kishte marrë veten dhe kudo
gjendeshin gjurmë lufte. Ndihej pak gjallëri dhe rrallë shihje të lëvizte ndonjë makinë apo të jepej ndonjë aktivitet artistik, përjashtuar spektaklet e një kinemaje dhe të një teatri. Në kinemanë "17 nëntori" shfaqeshin filma italianë, trofe lufte, pa përkthim dhe në teatër rrallë jepeshin premiera. I vetmi  vend që gjallëronte, ditë e natë ishte  Pazari i Madh, i "Vjetër", siç quhej.  Atje
shiteshin e bliheshin lloj, lloj mallrash e rraqesh dhe kishte dyqane artizanësh dhe restorante me gjellë të shijshme, të gatuara me mish të sapo therur, në një degë peme, po aty, shoqëruar me bukë gruri.
               Kur shkuam ne, shkolla, kishte disa vjet që funksiononte, duke vazhduar me kontingjentet e ish Shkollës Tregtare të Vlorës, të mbyllur, gjatë kohës së luftës. Gjetëm atje disa vlonjatë të njohur si Mynyr Maskën, Thoma Çomorën, Mellani Qirkon, Zare Demirin, Pano Varfin, Shyqri Rokon. Ata na pritën me ngrohtësi. Ne ishim shtatë vlonjatë, që i nisëm, bashkërisht mësimet si konviktorë: unë, Parashqevi Bitri, Harilla Papajorgji, Laver Muçohasani, Xhevdet Xhuveli, Skënder Dano e Serie Tushi.
         
      Konvikti me shkollën ishin në të njëjtin kompleks ndërtesash dhe në sistem të përbashkët organizimi. Drejtor i shkollës ishte Shukri Bulica, një ish partizan nga Kuksi, njeri me autoritet dhe aftësi organizimi, që më vonë u bë Zëvendës Ministër i Financave. Ai kish mbledhur rreth vetes mësues të aftë dhe me përvoje pedagogjike, profesionale e shkencore. Unë, si i zgjedhur nga shokët e mi bashkënxënës, merrja pjesë në Këshillin Pedagogjik dhe drejtori ynë më dukej një burrë shumë i zoti, që drejtonte me kompetencë, diktonte urdhra, merrte vendime të drejta dhe jepte zgjidhje të mençura, pasi dëgjonte me kujdes e vëmendje kolegët dhe mendimin tonë. Ai u jepte kompetenca dhe bashkëpunonte më së miri me nëndrejtorët e moshuar dhe shumë të aftë Malo Frashëri dhe Laze Ajazi, ekonomistë me përvojë dhe aftësi, me mësuesit e kontabilitetit Xhemil  Çela dhe Lefter Kriqi, kontabilistë shkencëtarë dhe më të shquarit në mbarë vendin, me mësuesit e financës, kreditit, statistikës Niazi Boçari, Kadri Zoga, Petraq Nase, Galip Juka, Iljaz Fishta, kuadro me kulturë dhe aftësi profesionale të spikatur, me mësuesit e gjuhës dhe të letërsisë, poetë dhe shkrimtarë të shquar Nonda Bulka e Gjergj Zhej, me mësuesin e pasionuar të gjeografisë, Vexhi Demiraj, me mësuesit e matematikës Gaqo Theoari dhe Ilia Guma, me kimistin Rrok Zojsi e deri mësuesit e gjuhës së huaj Rahime Dervishi e Nikitinin rus, që pretendonte se do ankohej deri  te lideri numër një, të cilit i jepte,
personalisht, mësimin e gjuhës ruse.
 Konvikti, nën vartësi të drejtorit të shkollës, kishte administratën e vet që drejtohej direkt nga drejtori i posaçëm, nga mësuesi rigoroz, i kudondodhur dhe i pa lodhur Foto Gjika nga fshati Qeparoi i Vlorës. Ai ishte, njëkohësisht anëtar i Këshillit Pedagogjik të Shkollës. Si personel  i konviktit ishin  kujdestarët  Selaudin Peçi, i moshuar, mjaftë skrupuloz e serioz dhe  Drita Çela, një vajzë e re, gjithnjë e dashur dhe e qeshur, të kundërt në karakter, por që plotësonin njeri tjetrin. Personeli më id ashur për ne ishte ai i kuzhinës. Kryeguzhinjeri, Ganiu, ishte i moshuar, po i kish lezet dora, aqsa kur ne e përgëzonim për shijen e veçantë që i jepte gatimit, që nga supat e deri te imam bajallditë, tava e kosit, tava tiranase e deri te gjellët me zarzavate, orizi, fasulet, brumërat e ëmbëlsirat, ai thosh se mirë më vjen, por nuk më bëjnë shumë përshtypje urimet tuaja, se unë i kam pritur ato shpesh nga mbreti Zog, ku kam shërbyer, disa vjet. Kuzhina dhe buka e grurit ishte vërtet e rëndësishme për ne që shihnim në shtëpitë tona dhe gjetiu mungesa e racionim ushqimesh dhe ku hanim me kufizim dhe vetëm bukë misri. Edhe fjetja ishte e rahatëshme, në krevat tip marinar me çarçafë gjithnjë të pastër.
Megjithë këtë, ne që mësonim, merreshim me veprimtari jashtëshkollore, kërcenim,
këndonim e loznim, gjithë ditën në atë moshë të re vitale, ishim të pa ngopur. Hera, herës,"stefanrit" siç na e vunë nofkën "qotinjtë", unë, Dhimua, Fotua, Ramiu, Kuqua "sulmonim" tinës kuzhinën dhe hanim ç'të gjenim deri, duke fshirë  për fundi kazanët, ku gjithnjë diçka ngelej.
               Gjatë jetës në Konvikt, por dhe në Shkollë unë isha, më së shumti, me Harilla Papajorgjin dhe një vit me vonë, kur erdhi edhe Niko Gjyzari, të tre formonim një shoqëri të pa ndarë. Shokë të tjerë të të njëjtit vit ishin Parashqevi Bitri, Laver Muçohasani, Stavri Qirjako, Muzafer Ahmati, Agim Leksi,
Emin Idrizi, Irfan Hado, Shkelqim Ceka, Jolanda Moisiu, Semiha Qylafku,  Petrit Karapici, Eduard Babani, Bardhyl Pelinku, Suzana Sulkuqi, Albert Pasho, Esat Bashari, Hatixhe Xhaja, Foto Zhupa, Dhimo Beleri, Rahmi Shehu, Jeta Gjogu, Muhamet Quku, Sotiraq Shuka, Andon Çomo, Anton Shoshi, Emin Sejko, Kristo Ciroka, Efigjeni Liço, Kleopatra Polloshi, Valentina Tole, Kristofor Dilo, NikoSimaku, Idriz Mitaj, Suzana Zelka, Meliha Sheme, Hiqmete Tafani, Naime Shahu, Grigor Mima, Esat Cakrani, Serie Tushe, Skënder Dano, Zare Demiraj, etj.

              Mësimet në Shkollë jepeshin me seriozitetin maksimal. Ne, ende nuk kishim tekste të plota dhe të mirëfillta mësimore, por mësuesit tanë, të kujdesshëm, i paraqisnin njohuritë në lëndët profesionale pa u nxituar dhe na krijonin mundësi të mbanim shënime. Ata përgatiteshin me durim, më së miri, mbi bazën e literaturës së shumtë që dispononin si dhe duke shfrytëzuar esencën e leksioneve te mara në Universitetet nga sapo ishin kthyer, kryesisht nga ato të Moskës, apo Leningradit. Aq të plota ishin njohuritë profesionale që morëm në këtë Shkollë të Mesme, sa, në Shkollën e Lart, të ndjekur më pas, këto lëndë, na u dukën fare të njohura, një përsëritje, në një formë të re.
                Shumë e gjerë dhe e shumëllojtë ishte dhe veprimtaria jashtëshkollore, ku merrnin pjesë veç konviktorëve dhe të jashtmit, shumica Tiranas safi. Ne formuam ekip përfaqësues në futboll, volejboll e basketboll, në atletikë dhe në shah, ku mateshim me shkollat e tjera të Kryeqytetit. Në kor, teatër dhe balet grupet artistike të shkollës, gjithashtu, ishin të dalluara, merrnin pjesë me sukses ne olimpiadat e organizuara, çdo vit, duke dhënë shfaqje si brenda dhe jashtë Tirane, disa herë dhe në sallën e Teatrit Popullor. Drejtues artistik dhe regjisor vinin herë pas here artistë të shquar të Ansamblit të Ushtrisë dhe Teatrit Popullor si koristi Tare Devolliti, regjisori Andon Pano dhe artistja e popullit Melpomeni Çobani. Unë isha solist dhe pak kohë drejtues i korit dhe luaja në teatër, bashkë me Jovan Gulinën, Hyrie Korbin dhe Kristo Shkurtin.
            Përvoja e Shtëpisë së Pionierit në Vlorë më shërbeu dhe këtu. Një rol të rëndësishëm  për grumbullimin e të rinjve, në orët e pushimit jashtë orarit të detyruar të studimit në Konvikt, luante "Ora Gazmore", që organizohej çdo javë e drejtuar nga unë dhe shoku im i dashur dhe i pa ndarë Niko Gjyzari, që na shoqëronte me fizarmonikën e tij kromatike me pulla, ndërsa unë  me mandolinën klasike "Gibson" Ky emision, që jepej me mikrofon dhe altoparlant, në "Qendrën e Zërit", çelej me okelion: "Ora gazmore, sahati gazit, Arqile Pantazi, ja filloi avazit." Arqilea ishte një nxënës i klasës poshtë meje, konviktor nga Korça, i papërmbajtur  e rëmujxhi, që s'linte dy gurrë bashkë, i prirur për
prapësi, por dhe i shoqërueshëm, shakaxhi e në humor të përhershëm. Në këtë emision, (shumë dorëshkrime i ruaj ende) ne fshikullonim të meta e dobësi dhe evidentonim gafat e qyfyret e ndodhura gjatë jetës së përditshme në shkollë e në konvikt.

             Gjatë pushimeve verore ne vazhdonim të kontribuonim për detyrat e shkollës dhe të organizatës së rinisë. Një vit shkuam me brigadë kulturore, nën drejtimin e vlonjatit Shyqri Roko, që ish një vit para nesh, në fshatrat e rrethit të Tiranës në Petrelë e Kllojkë. Të binte në sy prapambetja e madhe dhe padituria, thuajse masive. Ishte muaji i Ramazanit dhe katundarët tiranas, duke
qenë shumë besimtarë, gjithë kohës e kalonin me rritet fetare dhe faleshin në xhami. Ata vazhdonin të hanin të ulur, këmbëkryq, rreth sofrës së ulët, në poçe qeramike të përbashkëta dhe me dorë, edhe pse, në raftet dhe sergjenet e tyre mund të shihje, aty këtu edhe pjata e servise ngrënie.

Në vitet e tjera shkuam vullnetarë të rinisë për ndërtimin e Kombinatit të Tekstilit në Yzberish, si dhe në Sektorin e Fraveshit, në ndërtimin e"Rrugës se Dritës" Milot-Burrel. Ne, gëzonim,  nxiteshim dhe punonim, akoma më shumë, se na stimulonin me akordim shenjash, me lecka të qëndisura me fije ari, "S", sulmues. Në ndërtimin e Kombinatit na dhanë dhe "Medalje Pune", me certifikatë të firmosur prej Dr.Omer Nishanit, Presidendit të Kuvendit Popullor. Ishin këto forma stimuluese, të zgjuara, të cilat nga ana tjetër, merrnin dhe karakter politik, pse shtonim afrimin dhe përkushtimin për punë, devotshmëri dhe besnikëri ndaj organizatorëve dhe ideatorëve partiak.

Edhe Shkollën e Mesme e përfundova, siç e nisa dhe e vazhdova, gjatë gjithë viteve, vetëm me notat pesa, që ishin maksimale. Ky ishte një kriter i shpallur, që duhet të stimulohej, duke na akorduar "Medalje Ari". Këtë kusht e plotësuam vetëm unë dhe sarandjoti Esat Bashari, por jo, kjo nuk u realizua faktikisht, me pretekstin se ende nuk ishin derdhur objektet e nderimit. Morëm vetëm dëshmi të shkruar në letër, firmosur nga Ministri i Arsimit. Sidoqoftë, për ndarjen e diplomave u bë një ceremoni solemne, ku erdhi vetë Ministri i Arsimit, Bedri Spahiu, i cili, duket i interesuar nga mbiemri, pasi më pyeti për emrin e babait, dhe tha se ishte një mik, i njohur i tij nga Gjirokastra, më përqafoj 
përzemërsisht dhe më uroi suksese e lumturi. Ata, siç më tha më vonë babai im, ishin te dy myhibë bektashinj.
 Ishte fundi i viti 1952. Pikërisht, në këtë kohë u çel Instituti i Lartë Ekonomik. Unë, megjithëse bëra kërkesë, dhe rregullisht duhet të pranohesha ndër të parët, u refuzova.
                  Duket se më i nevojshëm ishte emërimi si asistent profesor i financës, po aty, në shkollën time.




  Mësues në Teknikumin Financiar



Emërimi im u bë në korrik 1952 nga Ministri i Financave, Abdyl Këllezi dhe vendi i punë ishte "asistent profesor" Ishte një detyrë me mjaftë përgjegjësi dhe jashtë normalitetit. Unë e prita i gëzuar, se sigurohej një vend pune me perspektivë dhe në kryeqytet, por ndjeja mos besim e pasiguri. Një punë e madhe përgatitore më priste. Fillova të studioja në kurset ku na përfshinë, pranë Shkollës Pedagogjike Tiranë, pedagogji dhe psikologji dhe dhashë provimet përkatëse, gjatë sezonit veror. Mu desh të përsërisja gjithë lëndën, sipas programit mësimor, për Financat dhe Kreditin në B.S., si dhe fillova të shfletojë  e të studiojë, me vështirësi, literaturë në gjuhën ruse për këtë lëndë, që e sigurova me dashamirësi nga vlonjatët e mirë, që kishin mbaruar studimet në Rusi, Kadri Zoga dhe Dervish Gjiriti, duke u konsultuar për çdo gjë me ta.
                 Në gjirin e Këshillit Pedagogjik, ku më parë debutoja, si përfaqësues i zgjedhur i nxënësve, në pozicionin e ri të mësuesit, u prita me mjaftë ngrohtësi. Kolegët e rinj më deshën shumë, duket se shihnin te unë një të ri të pa djallëzuar, të çiltër, gazmor dhe entuziast; të gatshëm në çdo lloj
pune, pa qibër, punëtor e këmbëngulës, drejtime këto që mi kish kultivuar, kryesisht babai im, si me edukatën dhe shembullin e tij e deri me përvojën shumë vjeçare të një emigranti praktik amerikan. Më së shumti më afronin zëvendës drejtorët Malo Frashëri, nga frashërllijtë e Përmetit, kontabilist e patriot
militant, ish anëtar i Komitetit Ekzekutiv të dal nga Kongresi i Përmetit, si dhe vlonjati Laze Ajazi ish bankier i vjetër  dhe studiues i thelluar i financimit të ekonomisë popullore, "babai i financimit të ekonomisë", siç e quanin. Me propozimin dhe garancinë e tyre u zgjodha dhe u caktova në këtë
detyrë të pazakontë për mua.
                Gjatë pushimeve verore të shkollës, pasi mbaruam parapërgatitjen e nevojshme, unë dhe Tasho Joanidhi, një burrë i mirë dhe miku im, u caktuam nga ana e Ministrisë së Financave që në "Rrugën e  Dritës", midis qindra të rinjve vullnetarë, aksionistë të ndërtimit të kësaj rruge, pikërisht në Sektorët e Shkopetit, Fershkopetit, Ulzës dhe Vablinit, të zgjidhnim kandidatët e mundshëm për të plotësuar kontingjentin e nevojshëm për ndjekjen e kurseve  kontabile të Tiranës dhe Shkodrës, të cilët nxirrnin kuadro të ultë llogaritarësh, të domosdoshëm për stabilizimin e dokumentacionit dhe veprimet kontabile në të gjithë sektorët e ekonomisë, që ishte në zhvillim të shpejt.
                Gjatë vitit mësimor 1952-1953 nisa të jap mësim në klasën e dytë të Degës  Financë, lëndën "Financat dhe Krediti" dhe në klasën e tretë të Degës  Financë lëndën "Kontabiliteti për Tatimet dhe Taksat" Shokët e mi të vjetër dhe shumë të dashur Niko Gjyzari dhe Sezai Bazaj, që  u takoj të bëhen, gjoja, nxënësit e mi, më përkrahnin dhe më inkurajonin që unë të bëhesha më i bindur
dhe i sigurt në vetvete; shokë të tjerë si Namik Shameti, Neptun Bega, Stavri Orgocka, Trifon Kote, Andrea Nako, Kostaq Postoli, Mariora Filipi, Violeta Gjerazi, Fotaq Polo më rrinin afër dhe më lehtësonin punën, duke i treguar vëmendje dhe përparësi studimit të lëndës sime;  koleget e rinj Foto Sava, Tasho Joanidhi më qëndronin pranë dhe më ndihmonin pa rezerva, ndërsa profesorët e mi të dashur Maloja dhe xha Lazja, më afronin me dashamirësi, si prindër të mirë.
                 Ishte koha kur Teknikumi Financiar u mbart nga rruga e Durrësit në rrugën e Kavajës si shkollë dhe konvikt, duke u vendosur në një territor tjetër të gjerë dhe të përshtatshëm. Po aty, në një dhomë të posaçme të katit të dytë, në kushte të mira, banoja dhe unë, së bashku me Foto Savën, Tasho
Joanidhin dhe vlonjatin e mirë, mikun e shtrenjtë Ilia Panozaqi, qe atëherë ishte nëpunës në Ministrinë e Financave.
                   Me kolektivin e mësuesve ne bënim dhe jetë të gjallë jashtë shkollore, me ato mundësi që jepte koha. Këtu përfshiheshin organizimi periodik i pushimeve aktive në ditët e diela dhe të festive te Ura e Brarit, apo buzëdetit në Durrës, mbrëmje vallëzimi, me nxënësit e dalluar dhe shikim kolektiv shfaqjesh teatrale, koncertesh dhe filmash...
         Ishte kjo periudhe, pikërisht data 9 prill 1953, kur unë morra lajmin e kobshëm të vdekjes së babait. Xha Lazja, si krahinar dhe burrë zakoni, më thërriti mënjanë dhe me tha :" Duhet ta lësh mësimin për sot dhe të nisesh për Vlorë. Babain e ke shumë të sëmurë. Si do që të ndodhi, mbahu i fort, si lab, që je." Unë u nisa, pa humbur kohë, por i besoja përkeqësimit të sëmundjes dhe jo fundit. Te shtëpia pash grumbull njerëzish që më pritën dhe më ngushëlluan. Mua, thuajse më rra të fikët dhe ngritur krah e kofshë, më çuan në dhomë ku unë u plandosa mbi trupin pa jete të njeriut më të dashur, të atij, që i munduar gjithë jetën, nuk pa një ditë gëzimi, duke iu dashur të përballonte, padrejtësisht, deri dhunën e egër politike të luftës së ashpër të klasave.
              I kthyer, pas dy ditësh në shkollë, kolegët e mi ditën të më rrinin pranë dhe të më ngushëllonin, duke e kapërcyer dhembjen e duke më futur në rrjedhën e jetës e të rutinës së përditshme.





  STUDENT NE SHKOLLËN E LARTË


                   Në janar të vitit 1953 u çel Dega e Mbrëmjes e Institutit të Lartë Ekonomik. Unë u pranova dhe u regjistrova ndër të parët. Mësimet zhvilloheshin 3 herë në javë, mbasditeve në ditët e marta, të ënjte e të shtuna.
Ne përfitonim leje të zgjatur me pagesë, në sezonin e provimeve dhe privilegje të tjera. Bashkënxënës, përveç disa shokëve të vjetër të shkollës sime si Hatixhe Xhaja, Laver Muçohasani, Foto Sava ishin nëpunës e kuadro deri të niveleve zëvendës ministra, ministra e kuadro të lart partiak.
                   Pedagogët tanë ishin ndër specialistët më të mirë të vendit, por baza e tyre ishin ata të ardhurit nga Rusia, personalitete, të provuar në disa universitete të botës dhe autore tekstesh, librash dhe studimesh shkencore. I tillë ishte dekani i Institutit, Rudenko, bashkautor i tekstit të Ekonomisë
Politike. Ai i mbante leksionet rusisht dhe përkthente Deko Rusi. Seminaret, duket se ishin me shumë lirshmëri dhe na bënte përshtypje hapësira e krijuar dhe mënyra demokratike e diskutimeve dhe polemikave që lindnin, me pyetje të lira e të guximshme, pa frikë se mos mernin karakter të thelluar politik, siç ishte në modë. Ndër më të guximshmit ishte dropulliti Spiro Pano, zëvendës Kryeministër,
që kishte njohuri më të plota, nga që e lexonte Kapitalin e Marksit, atëherë të pa përkthyer shqip, në gjuhen greke. Për pyetjen e guximshme, që tjetër kush mund ta merrte angllëç, profesor Rudenko thosh:"Pyetje shumë interesante dhe plotësisht e logjikshme" dhe me durim jepte përgjigje argumentuese. Një tjetër profesor i nderuar ishte Sumcov, financist dhe kontabilist i shquar me libra të
vetat, çmime dhe vlerësime. Ai edhe gjatë leksioneve nuk e hiqte një tip qelesheje shumë ngjyrëshe, të puthitur pas koke dhe kokën, duket se, e ruante me
brisk, sa herë hiqte mjekrën.
               Unë, i pa shkëputur nga mësimet dhe midis të moshuarish e deri pleq, me të cilët rivalizoja, e kisha fare të lehtë dhe i dhashë me sukses zaçiotet dhe provimet e vitit të parë, ndërkohë që kisha ndruar dhe vend pune.   
                                                                                                                                                                    
      
                                                  
                                                    
                     

  SHEF SEKSIONI NË MINISTRINË E FINANCAVE

                                                                                                         

 Në muajin korrik 1953 transferohem me punë në Ministrinë e Financave, me detyrë Shef i Seksionit të Buxhetit Lokal. Kjo ishte një befasi e pa pranueshme dhe e pa pëlqyer për mua. Po, kush më pyeste mua. Ishte urdhër i Abdyl Këllezit, anëtar i Byrosë Politike dhe Ministër Finance. Shkak për këtë u bë reforma arsimore, që i hoqi shkollat profesionale nga vartësia dikasteriale përkatëse dhe i kaloi nën vartësinë dhe administrimin e plotë të Ministrisë së Arsimit. Me këtë rast drejtuesit e Ministrisë së Financave, duke parë ngushtësisht interesat dikasteriale, disa kuadro që ata i konsideronin me perspektivë dhe të vlefshëm për punën e tyre direkte, i transferuan pranë aparatit të vetë. Kështu nga Teknikumi Financiar u tërhoqën Malo Frashëri, Lefter Kriqi, që natyrisht ishin vërtetë të nevojshëm dhe me emër, por për fat të keq, në këtë listë, u përfshiva dhe unë. Kundërshtimi im, me argumentin që si mësues përjashtohesha nga shërbimi ushtarak, ndryshe do mobilizohesha ne ushtri,
nuk u pranua.  Unë parashikoja që po qe se do shkoja ushtar do lija në mes studimet, të cilat ishin objektivi im kryesor. Është e vërtetë që problemi im u bisedua deri te Ministri, por ai tha: Le të vijë këtu, te ne, dhe poqese thërritet nën armë, do ndërhyjmë për ta përjashtuar, nga kontingjenti i
kompetencës sonë.

                Kryetar Dege në Ministri kisha Dervish Gjiritin, një ekonomist i aftë, që kishte kryer studimet e larta për financë në Universitetin e Moskës dhe që ishte një miku im, që me deshte e me përkrahte pa rezerva. Ai, njëkohësisht, ishte personi që këmbënguli më shumë për të më tërhequr në Ministrinë e
Financave. Me të shkuam te Ministri dhe morëm premtimin për përjashtim nga shërbimi ushtarak.
                  Puna në Ministrinë e Financave më pëlqente. Atje ishin zgjedhur burra të aftë dhe të përkushtuar. Midis tyre dallohej Mateo Gjoni, Teodor Heba, Iljaz Fishta, Koço Skënderi, Saba Hilmia, Llazar Gjika, Petraq Nase, Dervish Gjiriti, Filip Isaija, Aristotel Pano, Jani Ziguri. Gjithashtu
debutonin: Hajdar Verdeniku, Bardhyl Bino, Foto Sava, Laver Muçohasani, Ilia Panozaqi, Ksanthipi Lito, Tahire Reka etj. Në momentet e analizës së bilanceve dhe të hartimit e miratimit të buxhetit puna vlonte e zgjaste pafundësisht, nëpërmjet përllogaritjeve, argumentimeve dhe analizave e diskutimeve të
logjikshme e dobiprurëse.
                
               Në muajin dhjetor 1953 më vjen lajm thirrja për të shkuar ushtar. Bashkë me Dervish Gjiritin morëm takim me Abdyl Këllezin, që tashmë kish ndruar pozicion, duke ia lënë vendin e Ministrit Tuk Jakovës.  Abdyli, që ishte dhe bashkëstudent me mua, pra edhe dashamirësi im, nuk morri gjë përsipër, duke e konsideruar veprim të pamundur dhe jashtë kompetencës së tij. Edhe takimi me Ministrin dështoi. Tuk Jakova na priti mirë dhe, pasi na dëgjoi, tha:" Bukur fort, Luani të shkojë ushtar e ta kryej detyrën patriotike. Kur të kthehet vendin e ka të hapun, se do ta kemi edhe ma të kalitun e ma të fort"
                 Dervish Gjiriti, i zhgënjyer dhe i mërzitur nga kjo pabesi, siç e quajti ai, më tha të mos shqetësohesha, se do ta bisedonte çështjen me një shokun e vetë me përgjegjësi, në Ministrinë e Mbrojtjes, për ta kryer shërbimin ushtarak në Tiranë, duke mu krijuar kështu mundësia për vazhdimin e shkollës së lartë...




  SHËRBIMI USHTARAK I DETYRUAR
                                                                                                                                         
  Me fletë thirrjen për ushtar ne xhep më 10 nëntor 1953, nisem për Vlorë. Takohem me njerëzit e familjes, me nënën e dashur dhe motrën  8 vjeçare, aq të dhembshur, por tejet të dëshpëruar dhe pas dy ditësh kthehem në Tiranë dhe, bashkë me rekrutë të tjerë kokëqethur, nisemi me një kamion të hapur drejtë e në Ersekë të Kolonjës, afër kufirit grek, në një regjiment autonom pushkatar.
Në datën 14 vishem ushtar dhe rrobat e mija civile ia dozoj një "besniku", që më grishi tej gardhit dhe më dha besën të mi ruaj, për të mi  kthyer, kur të çmobilizohem.
             
Ku jeni o ëndrra rinore? Ku je o kapso shef Ministrie dhe student i Shkollës së Lartë?
              Tani, një far kapter Lazimi, që është nga thellësitë e fshatrave të Kuksit, me tradita luftarake të lashta antishqae,  paçka se me fillore të pa përfundime, të jep komandën "barkas" për t'u shtrirë në dëborë dhe më pas "zvarritu, drejt kaçubës"  për t'u zvarritur, jo pak, por 200 metro, në  lartësitë e malit Gramoz. Mos harro se me vete ke pushkën e gjatë, me bajonetën shtrirë, vezmet dhe lopatën xheniere në brez, çantën me tesha, batanijen, kondragazin dhe pelerinën, të vendosura në shpinë dhe krah qafë  Dy muaj u rropatëm në një kompani pushkatare, si rekrut  Më pas bëmë betimin të rreshtuar, dy orë në këmbë, në një ditë me borë dhe thellim e erë të pa pushuar erseke. Disa ushtarë nuk e përballuan dot të ftohtit dhe të alivanosur, u shtruan urgjent në infermieri
               Më 14 shkurt 1954 u futa në Shkollën e Instruksionit për nënoficer, që ishte e atashuar pranë regjimentit autonom. Dimri i vitit 1954 ishte shumë i egër dhe një përjashtim ndër shumë vite. Për ne, bregdetarët edhe një dimër i zakonshëm i këtyre anëve ishte i padurueshëm. Dilnim në stërvitje
dhe nata na zinte larg repartit. Ndiznim zjarre në natyrë, të ngroheshim, zgjatnim këmbët, afër zjarrit dhe as që e kuptonim kur digjeshin e deformoheshin këpucët me qafa. Një shok nga Tirana, Nexhmi Llagami, i ngrirë, ra nga kali mbi akullin e një proi në kalim dhe me zi e shpëtoj nga vdekja ndihma mjekësore.
Unë, djalë 20 vjeçar isha rezistent dhe e kaloja më lehtë nga disa të tjerë. Shumë vështirë e kishte shkrimtari Petro Zhej, bashkushtar me ne, më i moshuar dhe trupmadh. Atij i binte hunda dhe veshët nga era dhe temperaturat e ulëta.
Ushqimi, norma një, më e ulëta në ushtri, ishte llogaritur për të përballuar minimalisht kaloritë e harxhuara, por ne, aq të rinj, e ndjenim veten më të uritur, pas ushqimit dhe na dukej se sikur s'kishim ngrënë fare.
              Më  17 nëntor të vitit 1954 përfundova kursin vjetor dhe dola me gradë rreshter dhe më 1 maj  1955 gradohem kapter dhe caktohem zëvendës komandant i një toge pushkatare. Ne jetën ushtarake ajo që paraqitet si më tërheqëse dhe interesante është shoqëria ushtarake. Ne, atje u bëmë një grup shokësh të afërt dhe të vlefshëm për njeri tjetrin. Midis tyre do përmendja djaloshin e ditur dhe të kulturuar Petro Zhej, që sa kish mbaruar Institutin e Lart Pedagogjik për Gjuhën Ruse, po nuk e di pse e kishin marë ushtar. Ai më së shumti merrej me oficerët dhe i ndihmonte ata, për të dhënë provimet në shkollat që ndiqnin dhe për mësimin e gjuhës ruse, por rrinte gjatë dhe me ne, në sallën e leximit, apo në skuadrën e futbollit. Ishte aty dhe Zahar Tasellari e Hazbi Gjikondi, me të cilët ishim njohur në Konviktin e Shkollës Financiare, Sotir Totoni ish tornitor, me origjinë nga Përmeti, Gëzim Sado, Perikli Papa, Fadil Toci, Nexhmi Llagami dhe shumë tiranas të tjerë. Veç stërvitjes ushtarake dhe shërbimit periodik të rojës, qe ishte i vështirë dhe i mërzitshëm, ne bënim një jete aktive kulturore, artistike e sportive. Unë merrja pjesë kudo. Shumë pasion kisha për veglat gjimnastikore, duke përvetësuar kipe dhe ushtrime të vështira.
Kohën e lirë e kalonim në bibliotekën e pasur të repartit, duke lexuar, pa përjashtim të gjitha librat, kryesisht romane, si dhe të gjitha numrat e revistave letrare e shkencore. Duke qënë ushtar ndieja mungesën e familjes, shokëve dhe miqve, me të cilët lidhesha shpesh me letra. Ata nuk më harruan, duke ma plotësuar boshllëkun dhe prapambetjen me fjalë inkurajuese. I ruaj letrat  dhe këshillat e tyre të vlefshme, që më kthyen ekuilibrin mendor dhe me nxorën nga dëshpërimi i thellë që më kishte pushtuar, sidomos në muajt e parë, befasues. Ndër këta dallohet vëllai im, Enveri, si dhe shokët Harilla Papajorgji nga Tirana, Minua nga Vlora, Niko Gjyzari ushtar në Pogradec, Irfan Habilaj nga Bullgaria, Xhemal Sulaj nga Hungaria, dhe veçanrisht Thoma Dervishi, që ish ushtar në Burrel, por që ishte i rrahur më shpejt me halle e vështirësi të jetës. Një gëzim të veçantë më dha dhurata dhe vizita që më bëri, djali im i xhaxhait Pëllumb Çipi në Repart, çka s'kishte ndodhur me ndonjë tjetër.
               Lejen e parë e morra ne muajin qershor të vitit 1954. E fitova lejen si shpërblim për rezultatet e shkëlqyera në qitje me pistoletë, automatik dhe pushkë, ku u klasifikova i pari. Shkova në Vlorë dhe pushova, pranë familjes për 12 ditë. Pas kësaj unë u afirmova si "ushtarak i lindur" dhe
shpërblimet me leje pasuan: 10 ditë në mars 1955, shtatë ditë në maj 1955, dhe 5 ditë në korrik 1955. Ndërkohë kisha filluar të merresha me sport, si përfaqësues i Repartit 4585 Ersekë dhe të reparteve të tjera eprore. Kështu, në kuadrin e Spartakiadës Dimërore të Ushtrisë unë u përfshiva në konkurrime, gara e stërvitje nga data 11 janar 1955 deri më 3 mars 1955. U grumbulluam në qytetin e Korçës, në kushte trajtimi të privilegjuar dhe të drejtuar nga trajnerë profesionistë. Në finalet e spartakiadës kombëtare të ushtrisë, në Tirane, unë zura vendin e dytë, në peshën e parë në mundjen klasike. Në këto aktivitete u bashkova me shokë dhe të njohur, sportistë profesionistë si Vllas Opingari, Pandi Balla dhe shokun tim të vjetër Qirjako Sava, që merrte pjesë në boks.
                             
                   Nga 7 korriku 1955 unë, thuajse u shkëputa, përfundimisht nga Erseka. Deri më 27 korrik morra pjesë në garat e Korpusit të Ushtrisë që e kishte qendrën në Elbasan, duke u grumbulluar në Pogradec, pranë liqenit. Garova në not, stilin ijë dhe zura vendin e parë në kampionatin ushtarak të notit, që u bë në plazhin e Durrësit.
                 Pas kësaj, pikërisht më datën 28.07.1955 transferohem pranë Ministrisë së Mbrojtjes në Tirane në sektorin e "Hozrashoti" të Drejtorisë së Financës. Isha bujtës në Kompaninë e Gardës Kombëtare, ku haja dhe flija, në kushte shumë të mira. Kisha autorizim për të dalë lirshëm në Tiranë dhe kudo, pa u kufizuar nga komandat e garnizonit. Puna ime ishte në zyrë, në sektorin e implantimit të kontabilitetit të ndërmarrjeve dhe njësive e punishteve ushtarake, që merreshin me mbrapavijën e ushtrisë, për furnizimin me veshmbathje e ushqime, për investime e ndërtime ushtarake. Shef sektori kisha kapitenin Niko Nikollau dhe bashkëpunoja me togerin himarjot Fotaq Varfi. Drejtor të Financës kishim kolonelin Faik Take, që kishte mbaruar studimet e larta për financë në
Moskë, bashkë me Dervish Gjiritin. Më së fundi, miku im mundi të më tërheq në Tiranë. Unë, menjëherë u riregjistrova në Fakultetin Ekonomik të U.Sh.T. dhe dhashë disa provime të vitit të dytë.
               Data e zeze e 7 prillit në vitin 1956, përkohësisht ndroi ngjyrë. Kjo datë më solli lirimin nga ushtria, pas 28 muaj shërbimi të detyrueshëm.
Duhet të bëja 36 muaj, por reforma e parë në ushtri e shkurtoi kohën e shërbimit
            U ktheva në Vlorë . 
                                                                                   
            

          
  NË NIL PRODHIME TE NDRYSHME
       

Pasi u lirova nga shërbimi usharak i detyruar, bëra dy muaj pushim dhe u çmalla me familjen, miqtë e shokët e deri me "gurët e sokakut". Isha për ditë me shokët e mi të dashur, Niko Gjyzari e Filip Minga, gjithashtu të liruar, para kohe, nga shërbimi ushtarak.
              Shpejt fillova nga puna. U vendosa në Ndërmarrjen Lokale të Prodhimeve të Ndryshme Vlorë, në detyrën e kryenormistit. Kjo ishte ndërmarrja lokale më e madhja e rrethit të Vlorës, me shtrirje në qytetin e Vlorë dhe në atë të Fierit. Në repartet e shumta, krejt të ndryshme nëteknologji, prodhoheshin disa lloj mallrash të nevojshme për ushqimin e popullatës, por dhe materiale ndërtimi, shtypshkrime e deri qeramikë. Ndër produktet kryesore të ndërmarrjes ishte buka, kryesisht misër dhe grurë, me disa asortimente, por më së shumti, buka masive dy kilogramshe. Produkte të tjera ushqimore ishin biskota masive cilësi e tretë, llokume, tahin hallva, marmelatë dhe sallam. Po këtu, prodhoheshin të gjitha llojet e mobilie orendive të nevojshme për popullatën dhe entet, arkat e ambalazhit dhe vozat e drurit, kadet, zgjojet e bletëve dhe dybekët. Reparte të veçanta prodhimi ishin për tullat dhe tjegullat me kumi
primitive, për gëlqeren me fura primitive dhe për poçerinë e trashë si shtamba, katruve e vazo qeramike. Po në këtë ndërmarre ishin përfshirë dhe shtypshkronjat, për nevoja publike dhe të enteve shtetërore deri në shtypjen e gazetës lokale, të buletineve, broshurave dhe të ndonjë libri të vogël. Ne,
formalisht, ishim ndërmarrje lokale, por vartësia dhe drejtimi tekniko-operativ ishte nga Ministria e Industrisë në Tiranë. Edhe baza e furnizimit materialo teknik planifikohej dhe realizohej nga Drejtoria e Industrisë Lokale në Tiranë, sipas kritereve unike, në mbarë vendin.
           Mu desh të përgatitesha dhe të nisesha shpejt në Tiranë dhe të merrja takim me drejtuesit tanë kryesor me Shkëlqim Zaloshnjen, Ernest Bushatin dhe Tef Gjonajn, specialistë të aftë dhe dashamirës, të cilët më provuan për aftësitë e mia, më instruktuan, më udhëzuan, duke më kualifikuan si  teknik të mesëm e duke më dhënë titullin "normist teknik", me ndikim në rritjen  e menjëhershme të pagës.
                Puna që bëja, duke pasur disa normistë nën vartësi, për llogaritjen e pagave dhe të normave të punës, për të nxjerrë treguesit statistikor të punës, për të planifikuar në kosto e në planin financiar të ndërmarrjes  kohën e punës dhe pagat , si dhe për të ndjekur "emulacionin socialist", më jepnin kënaqësi të veçantë. Unë bëja një pune konkrete e të dobishme dhe pasqyroja në praktikë, çka, paralelisht mësoja teorikisht, sepse, në të njëjtën kohë përgatitesha dhe jepja provimet në  Universitet. Nga ana tjetër, duke qenë në mes të njerëzve që me donin dhe më çmonin, e gjeja mirë veten time dhe angazhohesha më tej, gjerësisht në shumë drejtime e veprimtari rinore.
              Ishte kjo periudha më  e ngarkuar e më intensive  njohëse dheproduktive e gjithë jetës sime, duke marrë pjesë në veprimtaritë sportive, artistike, kulturore e shoqërore:
Përfaqësoja Rrethin e Vlorës, në ekipet sportive të gjimnastikës në vegla, të mundjes dhe të ngritjes së peshave.
Në Shtëpinë e Kulturës së qytetit, me regjisor Nazmi Bunjakun, në rolin e Markut, morra pjesë dhe dhamë me sukses shfaqjen e komedisë së Minush Jeros "Fejesë me Ngatërresë".
Në Estradën Profesioniste të Qytetit, së bashku me Eqerem Kushtën dhe Ramadan Batallin morra pjesë në Grupin e Akrobatëve. Në SHNUM marr pjesë në qitje dhe në kanotazh; ndjek kursin për drejtim motoçiklete dhe zgjidhem në Kryesinë e ShNUM.-it për Rrethin.
Tani duken si çudi gjithë këto veprimtari në të njëjtën kohë, por janë tamam kështu. Këto shpjegohen me energjinë rinore dhe atmosferën entuziaste dhe dashamirëse, nxitëse, për realizimin e deri të pamundurës. Kjo ishte dhe një metodë pune intensive e organizuar, qëllimisht, për ta larguar rininë nga rrugë 'qore' dhe nga organizimet spontane kundërvënse, për ta pasur nën kontroll energjinë e pashtershme e shpërthyese të saj.

               Drejtor Ndërmarrje kishim Ramadan Hoxhën, një veteran, i dalë me sukses nga lufta dhe pas pak kohe pune si oficer ne ushtri, me entsiazmin dhe vendosmërinë e tij, drejtonte dhe ekonominë shtetërore të porsa krijuar. Më pas, për të drejtuar ndërmarrjen erdhën Hamdi Kapo, Skënder Neimi, Haxhi Xhemali dhe Nesti Qafzezi. Shokë të tjerë në administrate dhe në prodhim ishin: Pandeli Mërkuri, shef plani, qe pas tre vjetësh, ndruam vendet me të, njeri i mrekullueshëm, i matur dhe i kulturuar; Aristidh Kaçi, shefi i financë kontabilitetit, një ish nxënës i Shkollës Tregtare të Vlorës, minoritar, për të cilin kam shkruar, veças gjerësisht; Mellani Qirko, Suta Muço dhe Kaliopi
Papalilo, llogaritare; Valentina Rista, Katina Osmani, punonjse kuadrit; Et'hem Suljoti, Dalip Hyseni, Tozo Shakaj, Besho Rezo, Niqi Koka, Andon Panozaqi, Miti
Rrumbullaku, Koço Masho përgjegjsa repartesh; Zydi Kapo, Liljana Belshi, Muço Boci dhe Sulo Gjylbegu, normistë repartesh; Manol Bono, Neptun Bega, Fabit Beqiri, Mario Dhimitri e Millka Gjidede, ekonomistë, etj., si dhe qindra punëtorë, shokë të mi, të dashur, të aftë dhe të mençur, me të cilët konsultoheshim dhe bashkëpunonim çdo ditë, në punë dhe jashtë pune, si: marangozët Xhelal Metushi, Llambi Koçi, Kamber Xhelo, Sokrat Billa, Sokrat Kuci, Vasil Moçka, Sefer Dauti, Rasim Bejkosala, Vangjel Duni, Andon Shtrepi, Nonda Dede, Rezhep Rapushi, Selim Shabani, Faik Barjami,  Kujtim Ziaj, Arif Lushaj, Halil Xhindi, Hysen e Enver Bani, Erkyl Bejkosala, Sazan Çaçi, Fiqiri Azisi,
Fatosh Çobo, Novruz Kaçi, Nuri Maze, Thoma Çaçi, Kristaq Dine, Ramadan Batalli, Spiro Petricopuli, Sotiraq Çome, Fatmir Gjebrea, Rasim Gjoka, Thoma Dumani, Piro Gushali, Zoi Lame, Meleq Liçaj , Zybi Nekiu, Arqile Karbunara, Lavdosh Belshi, Thoma Kapo, Lame Zoga, Hajdar Xhyheri, Nuri Fetahu dhe dhjetra të tjerë; tipografët Marko Mina, Stefan Bocova, Toli Stefani, Aqif Sadiku e Vangjel Lame; mekanikët Xhelal Veizi, Toto Barjami; furxhijtë Burhan Bute, Cac Mita, Pandeli Arapashi, Farudin Myslymi, Rapi e Meleq Arapi, Kristaq Gore, etj.; sipërmarsit e prodhimit të gëlqeres Jasim Balo dhe Lulo Bodo;  poçaret Bejo Malaj dhe Kola Qari; shoferët Nasi Çobani, Nako Truja, Vangjel Ceko, Kozma Pjero; inxhinjerët Panajot Suli, Syrja Zoga, Mitat Abeni, Fadil Muço, Nikolla Bej. 
                 Në këtë ndërmarrje unë kam punuar më gjatë, ndarë në dy periudha kohe:  Qershor 1956, deri korrik 1961, pak më shumë se 5 vjet dhe nga maji i vitit 1965 deri në shkurt të vitit 1970, gati 5 vjet, pra gjithsej 10 vjet pune.
              Me këto periudha kohe lidhen ngjarje nga më të rëndësishmet e jetës sime sportive, ashtu sic i kam paraqitur posacerisht.


SPORTIN NDËR VITE

Përgatitja intensive sportive, "kalitja  fizike", ishte një porosi dhe këmbëngulje e kahershme e babit tonë, Kaman  Çipi, duke qenë një nga mësimet e tij, si emigrant amerikan gati 10 vjeçar. Qysh në fëmijëri kalitja fizike niste me ngarkesë, deri në stërmundim, në punët e rënda të shtëpisë si çarje drush, punim në baç me bel e shatë, nxjerrje ujë nga pusi me kova dhe vaditje  e deri në vrapime e krose në kodrat e qytetit të Vlorës. Vëllai im i madh Bektash Çipi, duke përfituar dhe nga pesha e madhe trupore, mbi 120 kg. ishte jo vetëm mundës i pa mposhtur dhe që si afrohej kush për duel, por dhe vrapues i shpejtë, ndërsa , vëllai i dytë, Enver Çipi u bë një sportist cilësor: volibollist, vrapues dhe
gjimnast, që , në vitet e para pas çlirimit te vendit përfaqësoi me sukses Shqipërinë, në disa ballkaniada.
Ishte ky modeli që unë u përpoqa të ndiqja. I lindur në qytetin e Vlorës në vitin 1934, mu desh , shumë i vogël, të kacavaresha në  hekurin gjimnastikor dhe në  drushtat e paraleles së improvizuara dhe të vendosura nga babai im në bahçen e shtëpisë në lagjen Skelë të Vlorës, ose të vrapoja pafundësisht në rërën e shkriftë të bregdetit, aty pranë.
Megjithëse përfundova shkollën e mesme me rezultate maksimale dhe "Medalje arri", ndofta ai "kusuri amerikan" i babait më penguan të vazhdoja shkollën e lart ditën, ose jashtë shtetit, si shumica e shokëve të mi. Shkova ushtar në Ersekë. E them këtë se tamam atje spikati prirja ime sportive: Qitje,
gjimnastikë në vegla, mundje, ngritje peshe, not. Në garat e  herë pas hershme e të pafundme në ushtri, në kuadër reparti, brigade, korpusi e  për gjithë ushtrinë, nisa të zë vende të para. Ishte viti 1954. Me trajnerët e mijë të parë Vasil Naqi, Pandi Balla dhe Vllas Opingari, që i kujtoj me respekt e dashuri,
nisën mësimet e para për rritjen e cilësisë sportive në not, mundje e ngritje peshe.
Me kujtohet rezultati i parë, kur në qitje me pistoletë zura vendin e parë, si dhe shpërblimi i parë: 12 ditë leje për të shkuar pranë familjes në Vlorën e bukur. Ishte muaji qershor i vitit 1954. Në muajin mars të vitit 1955 mora pjesë në lojërat dimërore të ushtrisë dhe në finale, pas Shefqet Casllit, kampion i pa diskutuar, në ato vite, zura vendin e dytë në mundjen klasike.
Ishte 7 prilli i vitit 1956 kur unë e përfundova shërbimin e detyruar ushtarak, ndërkohe vazhdoja me korrespondencë vitin e dytë te Institutit  të Lart Ekonomik të Tiranës.
Në qytetin e Vlorës, aso kohe, gjallëronin aktivitet sportive.
                        Në shtator të vitit 1956, me gjashtëshen e ekipit përfaqësues të qytet, së
bashku me gjimnastin cilësor, vëllain tim, Enver Çipi dhe gjimnastët e tjerë të dalluar Eqerem Kushta, Frauk Mezini, Fejzie Fisheku, marr pjesë në Kampionatin Kombëtar të Gjimnastikës në Vegla.
Me 6-11 gusht të vitit 1957 në Kampionatin Kombëtar te mundjes klasike, në
qytetin e Peshkopisë, ne peshën shume te lehte (deri 57 kg), zura vendin e dyte,
pas kampionit shume vjeçar, te mirënjohurit Ramadan Martini.Edhe një vit me vonë, zë vend te dyte.
              -Më 13.ll.1959, në Shkodër, në Finalet e Spartakiadës Kombëtare të Ngritjes Peshave me 240,5 kg. zë vendin e parë dhe arrij normën e Mjeshtrit të Sportit. Edhe ekipi i Ngritjes së Peshave dhe ai i Mundjes, ku unë isha trajner, zunë vendet e para.
              - Më 22 Maj 1960, në garat Kombëtare të Ngritjes së Peshave, në qytetin e Elbasanit, në peshën gjysmë të lehtë, klasifikohem i pari.
                              
                - Në nëntor të vitit 1960, në qytetin e Beratit në Kampionatin Kombëtar të Ngritjes së Peshave, zë vendin e dytë, pas Fehmi Telegrafës, me 240 kg. Ekipi i Flamurtarit, ku unë, njëkohësisht, isha trajner zë vendin e tretë.
                  -Në Dhjetor të vitit 1961, në Tirane, në K.K. Ngritjes Peshave, klasifikohem i dyti.
                 -Më 16 Dhjetor 1962 në Kampionatin Kombëtar të Ngritjes së Peshave, në  qytetin e Gjirokastrës, zë vendin e dytë Ekipi zë vendin e tretë.
                 -Po të njëjtat renditje mbahen edhe për vitet 1963 dhe 1964.(Shkodër)            
                 - Në 3 Qershor të vitin 1964,  Konferenca e Parë Kombëtare e  Mundjes, Ngritjes Peshave dhe Mundjes, në Tiranë, më zgjedh Anëtar të Këshillit Drejtues të Federatës.
                  Më 19 Dhjetor të vitit 1965, marr pjesë në kampionatin Kombëtar të Ngritjes Peshave në qytetin e Lushnjës, ku unë zë vendin e dytë dhe ekipi, po të tretin.
                   Më 27 Qershor të vitit 1966 në qytetin e Elbasanit, zhvillohet takimi Kombëtar i ngritjes se peshave, ku unë zë vendin e parë.  
                    Në vitin 1967, i caktuar nga Federata si trajner i Ekipit Kombëtar të Ngritjes së Peshave, grumbullohem në Tiranë dhe nis të stërvit ekipin e seleksionuar, për të shkuar në lojnat aziatike të GANEFOs në Indonezi.
Dy ditë para nisjes më zëvendësojnë me specialistin e sportit Mihal Qipo, që kishte kryer studimet në Hungari. Ky veprim i pa pritur dhe i pa shpjeguar, më dëshpëroi e më plogështoi dhe më bëri që, gradualisht, të largohem nga aktiviteti sportiv, nga sektori ku sakrifikova për mbi 15  vjet, pjesën më të bukur e më të frutëshme të jetës sime. Po pse u be kjo? Sërish hija e emigrantit amerikan, tashme vdekur pra 15 vitesh?
      Shokë të mi të sportit kanë qenë Eqerem Kushta, Faruk Mezini, Ramadan Batalli, Spiro Seva, Ydai Rama, Lavdosh Pulaj, Bastri Cenaj, Burhan Butja, Jani Mëhilli, Kastriot Cenaj, Myfit Spahiu, Thodhori Iljadhi, Hiqmet Kasëmi, Begë Gjonaj, Kristaq Konomi, Shemsi Meçe, Musa Bello, Ismail Sala, Yzedin Arapi, Skëndo Skëndaj, Kadri Lame, Mina Janku, etj.  Me këta shokë të thjeshtë, të dashur, të fort e të guximshëm, duke qenë bashkë, gjatë gjithë kohës, si sportistë, por dhe trajner i tyre, ndofta pa ndonjë diferencë të madhe njohurish, po i vetmësuar nga përvoja e përfituar dhe literatura e studiuar, kam
ndarë vështirësi, emocione e gëzime të shumta. Me ta kemi shëtitur dhe njohur, pothuajse gjithë vendin tonë, në të gjitha qytetet, kemi fjetur hoteleve pa ngrohje, në  disa dimra të acarë, kemi sakrifikuar dhe rregulluar peshën trupore në përshtatje me kufijtë e garës, duke ngelur, shpesh, për disa ditë, me racion
të reduktuar, ose duke bërë stërvitje të sforcuar. Ata do të ngelen të pandarë nga jeta ime dhe do t'i kem përherë   pranë vetes kudo.    
                                 

          Kujtoj me respekt dhe kolegët e mi, drejtues të pasionuar të sportit në qytetin e Vlorës, shokët Koço Dhrami, Leandro Kruta, Vllas Opingari e Minella Kostandini, si dhe, në krye të "Sporteve te Renda" në Tiranë, pasionantin Rexhep Rama, që vazhdimisht na kanë drejtuar me pjekuri, na kanë përkrahur pa u kursyer, duke na inkurajuar në vazhdimësi.
               Veprimtaria e mëtejshme lidhet me pjesmarjen si gjyqtar.
              -  Në 1- 16.03.70 marr pjesë si gjyqtar në Kampionatin Kombëtar të
Ngritjes së Peshave.
              - Më 7 dhe 8 Tetor 1974 marr pjesë si gjyqtar i kategorisë së parë në "Ngritje Peshe", në Tiranë, në finalet e Spartakiadës së tretë Kombëtare.
Është një jetë e tërë, gati 20 vjet, plot aktivitete sportive, që evidentojnë, veçanërisht rolin dhe vitalitetin sportiv të  qytet të Vlorës, që në këto vite është renditur, pas ekipeve të Tiranës, për çdo vit në vendet e dyta, pa asnjë përjashtim, sidomos në ngritje peshe, ku unë kam qene, pandërprerje, trajner dhe pjesmarës aktiv, pra jam dëshmitar, duke disponuar diplomat, çka vërtetohet dhe nga artikujt e shtypit të kohës.
Bilanci im 10 vjeçar i pjesëmarrjes në aktivitetet kombëtare të mundjes dhe ngritjes se peshave është 3 vende të para dhe 8 vende të dyta.
Mendoj se, megjithëse modeste, kjo veprimtari nuk duhet mënjanuar, nuk duhet harruar, përkundrazi duhet të zërë një pjesë, sado të vogël,  në historinë e sportit tonë, për qytetin e  Vlorës.                               
         
Për evenimentet e tjera jetësore, ne vazhdim, mund  të shkruaj:                                                                                                                                                                                                                                              

              -Në datën 15.09.1959 emërohem Shef Plani në NIL Prodhime të Ndryshme Vlorë me Vendimin e Kom.Ekz. Nr.5/435. Drejtor Ndërmarrje, në këtë kohë, kisha Skënder Neimin, ish partizan, njeri që mbi çdo gjë preferonte gjuetinë, rakinë dhe femrat. Disa aspekte nga jeta e tij i kam përshkruar
veçanrisht.
             - Në Janar të vitit 1960 jap provimet e formimit, me rezultatet maksimale dhe diplomohem nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe me nr. Rregjistri 307, seria A-803 marr titullin "Ekonomist", në specialitetin "Planifikimi i Ekonomisë Popullore."
              - Në 18 Shkurt të vitit 1960 fejohem me Hanëme Banin.
                
               - Në shtator të vitit 1960 nisa të jap mësimin e Statistikës së
Përgjithshme në Teknikumin Financiar të Mbrëmjes, në godinën e Gjimnazit "Halim Xhelo"me drejtor Ilia Guma dhe pas tij Viktor Rrapi. Më pas, vazhdova të jepja, po këtu,  për gati 15 vjet rresht, edhe lëndën "Statistika  Ekonomike"  në klasat e dyta dhe të treta. Kolegë të mi, bashkmësues të atyre viteve ishin dhe Lili Dodi, Agathokli Adhami, si dhe Refit Hoxha e Sezai Bazaj (për këta të fundit kam shkruar veçanërisht), Bajram Abdullau, Teuta Mati, Irfan Bregu, Petrit Alushi, Vasil Zani.
  -Më 4 Qershor 1961, martohem me Hanëme Banin
.                                       
             


                  










                  NË UZINËN MEKANIKE "Kastriot Muço"

                  Periudha që kam punuar në Uzinën Mekanike Rajonale Vlorë, nga korriku 1961 deri në maj 1965, ndërpret për afro 4 vjet etapën e dytë të punës në NIL Prodhime, periudhë të cilën  unë e bashkova, si më sipër dhe nuk do ta përsëris më poshtë.
                  Unë e dhe sot nuk e kam kuptuar pse u bënë këto lëvizje dhe kjo ndërprerje.  U tha se Uzina e sapo krijuar, do zgjerohej shpejt, për të mbështetur zhvillimin e hovshëm industrial të Vlorës. Makinat metal prerëse të tërhequra nga ndërmarrje të tjera dhe nga uzinat si motra, kryesisht të Tiranës, të vendosura në këtë "Uzinë", nuk arritën asnjëherë ta kalojnë numrin 10 për tornot, që dhe ato ishin të tipave të ndryshme e të përdorura, "Krasni Proletar", "Toz" dhe "Kirov"; të një freze vertikale cilindrash, 2 freza të vogla universale, 2 limatriçe dhe 2 ratifika manjetike të vogla. Uzina nuk mund
të punonte për të gjitha llojet e proceseve të punës qe kishte nevojë rrethi i Vlorës. Disa ndërmarrje të qytetit si Fabrika e Çimentos, Ndërmarrja Ushqimore dhe me vonë Uzina e Sodë PVC. kishin ofiçina ndihmëse edhe më të kompletuara. U tha se së shpejti do importohen makineri të reja, por jo. Ajo që hapi, njëfarë perspektive ishte ndërtimi i fonderisë së shkrirjes se gizës dhe metaleve me ngjyrë.
                  Drejtor i parë i Uzinës u caktua Nesti Qafzezi, një teknik i mesëm, që u soll nga sistemi i naftës. Ai dallohej, midis drejtuesve, vetëm se ish prej Korçe, ndofta nga i njëjti qytet me sekretarin e parë, shokun Mihallaq Gjinikasi. Kryeinxhinier u caktua një inxhinier i ri mekanik, vlonjati Timo Duka, që nuk dinte nga dhe si t'ia niste punës dhe më pas erdhi Pandeli Mone, inxhinier me sedër dhe ambicie, që kish supermacinë e përvojës si ish tornitor i talentuar. Shef Finance ishte Jani Papa, një njeri i mrekullueshëm, një nga njerëzit më të ndershëm, më të sinqertë që kam njohur dhe për mua, shok e mik  me virtyte e cilësi të rralla. Ai kish qënë qendër mbrojtësi i skuadrës së futbollit të Vlorës. Shefe kuadrit u caktua një grua shumë e mirë, vunotsja Roza Ciruna; normist ishte tragjasjoti Gjomistër Troqe dhe magazinier gumenicioti Myfit Xhaferi. Në Uzinë u grumbulluan specialistë të aftë dhe me përvojë ku, midis tyre dallohej: Nako Karafili, nartjoti i talentuar politeknik; Pilo Papa, teknik i mesëm me përvojë të gjatë nga Ofiçina me tradite e Minierës së Selenicës; tornitorët Jani Mëhilli, Aristidh Goro, Koli e Koço Pyze, Vlash Çuri; frezatoret  Masar Bejkosala, Sokrat Sejdiaj dhe Novruz Çipi; saldatorët Vllas Qari  e Vangjel Diamanti; montatori Kiço Pavangjeli e Josif Furxhiu; mirmbajtsi
i talentuar i makinerive Babi  Çakalli; modelistët e fonderisë Toli Gjata e Nini Gjyzari; fondatorët  Niko Mërtiri, Cace Tralo, Zybi Zyberi; elektricisti Toli Truja e Niazi Teme, etj.
              Dega jonë e Planit, përveç problemeve të planifikimit të kostos dhe nxjerrjes e formimit të çmimeve të artikujve të rinj si dhe planifikimit të prodhimit dhe lidhjes së kontratave, merrej dhe me problemet e normave dhe pagave si dhe të furnizim- shpërndarjes. Për ta njohur dhe organizuar sa më mirë punën unë u bëra një vizitë përvoje të gjitha Uzinave Mekanike të vendit.
         Krahasuar me punën e mëparshme, në NIL Prodhime, këtu unë isha shumë më pak i ngarkuar. Vazhdoja të angazhohesha si mësues në shkollën ekonomike të mbrëmjes, si dhe në aktivitetet sportive, kulturore dhe artistike.






                                  VITET  E  BURRËRIMIT

                                         NE FABRIKEN E ÇIMENTOS


              Nga 1 shkurt 1970 deri 5 korrik 1975 për gati 5 vjet e gjysmë punova ne  Fabrikën e Çimentos. Atje u emërova me detyrën e Kryetarit të Degës së Plan- Paga Norma. Ishte periudhë e vështirë për familjen tonë. Vëllai im i madh, Bektashi, shofer autobusi ne Parkun  Automobilistik Vlorë ishte arrestuar dhe për tetë muaj e mbanin në qeli, pa e nxjerrë në gjyq, me akt akuza nga më të ndryshmet që nga komplot, spiunazh, agjitacion-propagandë e deri vjedhje e organizuar e në proporcione të mëdha. Përfundimisht i ngeli akuza e sajuar me mjeshtri "mitmarrje e përsëritur" (30 lekë të vjetra) dhe përvetim vegla e pjesë këmbimi rezervë të autobusit të vet, po në vleftë qesharake. U dënua 7 vjet dhe
vuajti gjysmën e dënimit në Bulqizë. Mu desh të ndihmoja vëllain dhe familjen e shtuar në numër.
    Për mua puna në Fabrikën e Çimentos ishte më e paktë dhe sektori i punës më i kufizuar, duke qenë i shtrirë brenda territorit të Fabrikës së
Çimentos dhe Fabrikës së Eternitit. Për ta kryer sa më mirë detyrën, së pari, mu desh të thellohesha në njohuritë tekniko-teknologjike. Në këtë drejtim unë shpejtë e arrita nivelin e dëshiruar, aqsa, brenda një kohe të shkurtër them se dija po aq sa kishin mësuar, në ato pak leksione të marra në Universitet edhe teknologët e fabrikave. Kishte boll literaturë si në shqip dhe në rusisht, aq më tepër që fabrika ishte e abonuar, kishte bibliotekën e vetë dhe vazhdonte të vinte atje revista ruse "Cement", që unë e shfletoja me dëshirë.
              Për fatin tim të mirë Drejtor në këtë ndërmarrje erdhi vunjotasi Nonda Baka, një luftëtar i vjetër dhe që kish pasur pozicione të rëndësishme partiake dhe shtetërore. Ai, ndërsa për të gjithë dukej i ashpër, i pa afruar dhe shumë kërkues, mua me dukej interesant, krenar dhe burrnor dhe një drejtues
me cilësi të rralla: Kërkonte, vinte detyra dhe e kontrollonte personalisht gjendjen, çdo ditë. Unë bashkëpunoja mirë dhe krejt normalisht me të. Po kështu më ndodhi dhe me atë që e zëvendëso si drejtor, me ish elektricistin Bajram Arapi. Marrëdhënie të mira vendosa dhe me K/Inxhinierin, specialistin e pasionuar Nikolla Qirko, me K/Mekanikun Bexhet Ganaj me personelin tjetër inxhinjero teknik si Anastas Bojaxhiun, Kristaq Lolin, Vasil Papën, Ilia Ilian, Mehmet Bushin, Fotaq Gjipalin, Muhamet Bajraktari, etj. Edhe kolegët e mi, punonjës të administratës ishin mjaft aktiv si Ilirjan Tushe, që drejtonte Degën e Furnizim Shpërndarjes; Elam Hoxha, Shefi i Financës, Salihe Gjata, në kuadër; ekonomistët dhe financierët Petraq Bano, Besnik Nelaj, Mellania Qirko, Elektra Ndreçka, Pranvera Sherifi, Foni Haxhimihali. Edhe midis punëtorëve të thjeshtë dhe personelit të mesëm teknik unë kisha mjaft miq dhe dashamirës. I tillë ishte Nuro Bodo, për të cilin kam shkruar posaçërisht, Servet Dani, ish mësues dhe brigadier i remontit mekanik, Qerim Vrioni, Rait Racaku, Luftëtar Xhelo, Myslym
Mustafaj, Hanëme Papa, Latif Xhyheri, Nimet Shabani, Guri Puçi, etj.
                                                                               
                   Gjatë kësaj kohe Drejtori i Filialit Ekonomik të Mbrëmjes i Fakultetit Ekonomik të USh Tiranë, Paskal Dhimitri, më tërhoqi të jap  mësim, si pedagog i jashtëm, fillimisht për lëndën "Statistika e Industrisë" dhe më pas "Organizimin dhe Planifikimin e Ndërmarrjeve Industriale" dhe më së fundi
"Organizimin e Punës dhe të Drejtimit" Kjo zgjati, pa ndërprerje deri gati 12 vjet, kur ky filial u mbyll. Ne merrnim pjesë aktive në jetën e shkollës, jo vetëm duke dhënë mësim, por edhe në rrethet e posaçme metodike dhe në Këshillin Pedagogjik. Në shumë raste shkuam dhe asistuam në diskutimet e organizuara në Tiranë, nga Katedra në Universitet si dhe në mësime shembullore atje, për të marrë përvojë. Duhet thënë se mësimi në Filialin e Vlorës organizohej me nivel të pëlqyer dhe studentët tanë  ishin cilësor. Kjo dukej edhe nga sezoni i  provimeve, ku asistonin të deleguar nga qendra, të cilët shpesh dhanë konfirmimin e superioritetit të studentëve tanë, të cilët punonin në praktikën
konkrete ekonomike dhe i përvetësonin më bindshëm njohuritë e mara, të cilat, në fund të fundit, kishin të njëjtin program, të njëjtat tekste dhe të njëjtën literaturë të detyruar. Një pjesë e kolegëve këtu ishin me përvojën e mësimdhënies së Shkollës së Mesme Ekonomike. Midis pedagogëve përmend: Sezai Bazaj, që më pas u bë Rektor i Universitetit "Ismail Qemali", Refit Hoxha, Agathokli Adhami, Lili Dodi, Tasim Lika, Mihal Laluci, Abedin Elmazi, Petro Koçi, Spiro Caushi, Gaqo Sheshi, Irfan Bregu, Bajram Abdullau.
                 Gjatë vitit 1975, pranë këtij Filiali, ndoqa kursin për "Metodat matematikore të aplikuara në ekonomi" zhvilluar nga matematikani Abedin Elmazi dhe u vlerësova me notën shumë mirë.
                 Një komedi e vërtetë ishin mbledhjet e Këshillit Pedagogjik në këtë Filial. Drejtori Paskal Dhimitri ishte pa takt, me shfaqje mëndje madhësie, që krenohej me të kaluarën e tij "revolucionare e patriotike", duke u përpjekur të evidentohej orë e pa kohë dhe të diktonte vullnetin e tij për gjithçka. Kjo i ndrydhte ata dhe cenonte sedrën e pedagogëve të tjerë, të cilët përpiqeshin të mbronin pikëpamjet e tyre të drejta. Më shumë kundërshtonte dhe këmbëngulte Tasim Lika, që shpërthente, me temperamentin e tij lab, në mbrojtjen e argumentuar të tezës së vet. Drejtori, me autoritetin e tij, mund t'i imponohej Tasimit të vetëm, por ai mbrohej në bllok nga të tjerët e veçanërisht nga Lili
dhe Sezaiu dhe kjo shkaktonte britma histerike, me fjalë dhe fyerje të pa kontrolluara. Këto skena, të përsëritura, na e zvenitnin kënaqësinë e madhe të punës në Filial, gjatë këtyre viteve.
                Gjatë kësaj periudhe janë kryer edhe një sërë aktivitetesh shoqërore dhe shkencore:
              - Në muajin Shkurt të vitit 1974, në Sesionin Shkencor të Rrethit, organizuar për problemet  e politikës ekonomike, për nder të 30 vjetorit të Çlirimit të  Atdheut, mbaj kumtesën "Mbi domosdoshmërinë e Planifikimit të Ekonomisë"
              - Në Nëntor të vitit 1974 Instituti i Studimeve Ekonomike, pranë Akademisë së Shkencave Tiranë, me shkresën e saj nr. 157 dt, 19.9.74, mbështetur në punën time studimore dhe pasi ka mare pëlqimin e udhëheqjes së Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor te Rrethit Vlorë, miratoi caktimin tim si "bashkëpunëtor i jashtëm shkencor" dhe si pjesëtar i Aktivit të Institutit të Studimeve Ekonomike.

              - Në Janar të vitit 1975 caktohem nga Këshilli Popullor i Rrethit Vlorë ndihmës arbitër dhe më vonë "arbitër" i Arbritazhit Shtetëror për Rrethin e Vlorës.
              - Në Shkurt të vitit 1975 në Fakultetin Ekonomik të U.Sh. Tiranë, sipas porosisë paraprake, paraqes vërejtjet për tekstin mësimor "Organizimi dhe Planifikimi i Ndërmarrjeve Industriale"
              - Gjatë kësaj periudhe unë dhe Sezai Bazaj, në janar – shkurt të vitit 1978, u angazhuam nga Katedra jonë pranë Fakultetit Ekonomik për të formuluar përfundimisht disa nga kapitujt e teksteve bazë mësimore, për lëndën  "Statistika e Punës dhe e Pagave", të cilat u përfshinë  në materialin
përfundimtar, pa ndryshime.
    Kur  punoja në Fabrikën e Çimentos, si Shef Plani, në muajin Maj të vitit 1975, erdhi aty një grup "Kontrolli Punëtor", i ngarkuar nga Komiteti i Partisë së Rrethit Vlorë, që kryesohej nga Sanije çalamania, punëtore e Kombinatit të Konservave, njëkohësisht anëtare e plenumit të K.P. Ishte koha kur tentohej të popullonin dhe ndihmonin fshatin, për ta bërë atë, siç thuhej, njësoj me qytetin. Ky grup i kaloi të gjithë nëpunësit, midis tyre dhe mua, në intervistë, me thirrjen për të shfaqur mendimin për të shkuar, vullnetarisht, në fshat. Kur  erdhi radha ime unë thash se jam gati të shkojë e të punojë direkt në prodhim, duke e lënë vullnetarisht zyrën, po me kusht që të qëndroja në qytet, se fshatin, u thashë, as që e njoh fare dhe, pa e njohur, s'kam si e ndihmoj. Kryetarja çalamane, mbante shënimet në bllok…dhe pasi u mendua tha: "Tamam kjo është një arsye më shume, s'ke qenë- të shkosh, se ke njohur- ta
njohësh."
Këtë ngjarje e kam paraqitur veças në tregimet e mia.




                  
           NË NDERMARRJEN BUJQESORE  "Lufta e Vlorës" LLAKATUND

                   Në fundin e muajit Korrik te vitit  1975, sapo kisha festuar 41 vjetorin e lindjes, më thërresin në Komitetin e Partisë së rrethit Vlorë, ku më pret sekretari për ekonominë, agronomi nga Tragjasi i Vlorës, Veli Kaleshi.
Ai më uli me dorë në karrige, para tavolinës së vetë dhe pasi u përshëndetëm, më
tha:
                  - Ti, shoku Luan, ke dalë vullnetar, për të shkuar në ndihmë të fshatit!
                  - Jo, çne në fshat. Unë kam thënë nuk e njoh fare fshatin dhe, po qe se është nevoja, mund të shkoj për të punuar direkt në prodhim, në qytet.
                   -Duhet të shkosh në fshat, se është vendimi i Sekretariatit. Kemi nevoje për të forcuar drejtimin ekonomik të Ndërmarrjes Bujqësore Llakatund. Do të të shpiem atje ty dhe shokun Vasillaq Ndini. Ti, në Plan dhe atë në Financë.
                   - Po qe se ju e kini vendosur, mos thoni që unë kam dalë vullnetar. Për të shkuar e të zbatoj urdhrin jam i detyruar ekonomikisht, se kam tre fëmijë në ngarkim. Pastaj Llakatundi, ja ku është, brenda kufirit. Babai im, për të ushqyer fëmijët, 60 vjet më parë, është detyruar të shkoj në Amerikë. Po, meqë më thërritët do t'u them edhe për një problem. Ndofta e dini, unë jam pedagog i jashtëm në Filialin e Fakultetit Ekonomik.

                   - Këtë e dimë, prandaj nuk të detyrojmë të shpërngulesh familjarisht. Ti do kthehesh çdo mbrëmje në qytet dhe, kur të kesh mësim, do vish edhe më shpejt.
                   Edhe ky shteg u mbyll. Kostumin e kishin qepur ustallarë
                   Më 1 Gusht 1975, bashkë me shokun tim të vjetër, Vasillaq Ndinin, shoqëruar nga kryeinstruktori i K.P. Rrethit, shoku Bardhi Bega, nisemi për Llakatund. Unë në Llakatund, kisha qenë vetëm 30 vjet më parë, kur, babai im bënte atje punë argati angari, siç ish porosia e Partisë Komuniste, për ish kapitalistet e shpronësuar.  Atëherë ndenja atje vetëm disa orë deri sa, mbaroi dita e punës, ndërsa këtë radhë do të rija, gati 6 vjet, deri në fund të pranverës së vitit 1981. Në Llakatund shkuam, me autobusin e linjës, nga rruga e Çezmës së Thatë- Drashovicë -Risili dhe hymë drejt e në Zyrën e Partisë, ku na priste e mbledhur administrata e Fermës. Në krye qëndronte sekretari i Komitetit të Partisë i Ndërmarrjes, Mersin Tozaj, një burrë energjik e dashamirës dhe krah tij Ejup Mita, drejtori, një specialist me shumë përvojë agroteknike e shkencore. Bardhi Bega na lexoi motivacionin e përgatitur, ku na çmonin si kapacitete që do shpëtonim ekonominë dhe financën e shkatërruar të kësaj
ndërmarrje shtetërore të rëndësishme. Vasillaqi dhe unë, që kishim bërë "çudira" në detyrat e mëparshme, vinim: ai në detyrën e Kryetarit të Degës së Financës dhe unë në atë të Planit dhe Furnizim Shpërndarjes.
            Vasillaqi, duke përdorur si argument karakteristikën shumë pozitive që dëgjoi, shkoj u ankua. Duke përfituar nga një vend vakant, kërkoj dhe u emërua nën drejtor. 
                  U vendosa në Zyrën e Planit, në një godinë njëkatëshe me 6 zyra, ku punonte administrata e Drejtorisë së Fermës. Zyra jonë ishte e madhe.
Atje gjeta Bastri Sofin nga Kuçi i Vlorës, ish shefin e planit të shkarkuar, nuk e mora vesh pse. Në të vërtetë ai ishte një ekonomist i aftë dhe me përvojë. Ndofta kishte krijuar mosmarveshje, sepse ishte një natyrë krenare, që kish mendimin e vet dhe zor të nënshtrohej, duke e përfaqësuar denjësisht fshatin e tij, me burra trima, krenar e "gjoks gropë". Po aty punonte dhe Agaçe Bregu e Vladimir Petani, dy djem të shkëlqyer vendas, që unë i njihja, se i kisha studentë në Filialin e Vlorës. Më vonë erdhi dhe Piro Dodbiba, ish Ministër i Bujqësisë dhe ish Kandidat i Byrosë Politike, tashmë i shkarkuar dhe i akuzuar, për idetë ekstremiste dhe veprimtari revizioniste.
                Ndërmarrja kishte, në strukturën e vet organizativo-administrativo-territoriale 3 sektorë prodhues me kombinim agraro blegtoral: Sektori i Qendrës, që shtrihej në fushën e Llakatundit dhe kodrat e Mekatit, deri në Beshisht, Sektori i Lubonjës me fushën  në derdhjen fundore të
lumit Shashicë dhe kodrat e Lubonjës, Picarit deri ne Armen dhe Sektori i Selenicës me buzë lumin Vjosë, në veri të Armenit dhe fushën e  kodrat e Selenicës. Blegtoria ishte e vendosur në të tre sektorët me lopë, dera, pula dhe të imta. Kishte rreth 3 mijë ha. toke buke nën ujë dhe 1 mijë njësi gjedhi dhe 3
mijë punëtorë. Një sektor i veçantë ndihmës formonte Mekanika Bujqësore dhe një tjetër Sektori i Ndërtimit. Në të pesë Sektorët kishte administratë të posaçme tekniko- prodhuese. Ekonomistët dhe normistët e sektorëve vareshin prej nesh.
Ne  merrnim njoftime operative dhe statistikore të përditshme dhe periodike, organizonim seminar të përmuajshëm kualifikues dhe e kishim nën kontroll të përhershëm gjithë veprimtarinë ekonomike, duke përfshirë  planifikimin, normat dhe pagat, evidencën dhe statistikën, organizimin e punës dhe emulacionin, investimet dhe ndërtimet, transportin dhe deri furnizim shpërndarjen. Drejtori ynë i talentuar Ejup Mita na kishte lënë kompetenca dhe ne kryenim veprimtari e kishim iniciativë të plot. Vetëm pas një vrojtimi të vëmendshëm 2 mujor, kur erdhi të punonte te ne, ish Ministri Piro Dodbiba, e morri vesh se ku ishte dhe e çmoi rolin e madh të Degës  së Planit.
Gjatë qëndrimit në këtë detyrë një vend të posaçëm zunë studimet tekniko-ekonomike, me të cilat u ngarkua secili nga ne. Kështu:
      -     Së bashku me Piro Dodbibën u krye studimi për ecurinë disa vjeçare dhe perspektivën e zhvillimit të ekonomisë.
               -Së bashku me agronomin Reuf Muhameti përfundoi studimi disa vjeçar: "Dobia e ngritjes së vreshtave në tel ".
                -Studimi vetjak për perfeksionimin e normimit të punës
                -Studimi për perfeksionimin e punës, drejtimit dhe organizimit.
                - Studimi për përsosjen e sistemit të pagave dhe shpërblimeve.
 Edhe gjatë kësaj periudhe vazhdova të jepja mësim në Filialin Ekonomik në Vlorë, të gjykoja  si Arbitër në Arbitrazhin Ekonomik të Rrethit, të marr pjesë në mbledhjet  dhe studimet e Institutit Ekonomik, pranë Akademisë së Shkencave, si bashkëpunëtor shkencor i jashtëm.
                    - Me shkresën nr 26 date 21.9.76 të Komisionit te Planit te Shtetit caktohem ne Grupin e hartimit të Metodologjisë së Planifikimit dhe për 15 ditë, së bashku me Niko Gjyzarin, Harilla Papajorgjin, Aristotel Panon, Koço Skënderin, Genc Shkodranin, Sabah Hilmin, etj, grumbullohemi, në kushte komode dhe punojmë, pa ndërprerje në Kampin e Punëtorëve Durrës, deri sa e përfundojmë
komplet materialin.
                       - Në Janar të vitit 1978 caktohem dhe marr pjesë në Këshillin Shkencor të Komisionit të Planit të Shtetit, duke diskutuar, në disa takime dhe jap mendime të pranueshme e bëj vërejtje e sugjerime të karakterit praktik e aplikativ të pëlqyera.
                     - Nga data 12- 27 Shkurt 1987 aktivizohem në studimin "Mbi përmirësimin e punës me norma" të ndërmarrjeve bujqësore. Studimi u organizua nga Ministra e Bujqësisë, sipas modelit te "N.B."29 Nendori" Lushnje. Konkluzionet, propozimet dhe raporti u formuluan nga 3 veta, ku unë pata barë kryesore.
                       -Në muajin Mars 1978, me një grup pune, caktuar nga Drejtoria e Ndërmarrjeve Bujqësore të Ministrisë së Bujqësisë Tiranë, shkuam për kontroll e ndihmë në N.B."Gjergj Dimitrovi" Tiranë dhe më pas në Ndërmarrjen Bujqësore Lezhë. Në këto qendra të rëndësishme të bujqësisë shqiptare ne këmbenim përvojën pozitive dhe, me dashamirësi konstatonim dhe diktonim korrigjimet për mangësitë dhe shkeljet në organizim, drejtim e legjislacion, duke rekomanduar forma më të mira dhe më të përparuara pune.
                    -Në muajin Shtator 1978 të thërritur personalisht nga Ministrja e Bujqësisë Themie Thomaj dhe, pas kësaj, me një grup pune specialistësh të sistemit të bujqësisë, punuam 10 ditë rresht në Ndërmarrjen Bujqësore "29 Nendori" Lushnje, më e madhja në vend, për zbulimin e shkaqeve, relativisht të ulëta, në treguesit e saj ekonomiko- financiare, krahasuar me N.B. Maliq, që ishte shumë rezultateve. Raporti me konkluzionet dhe mendime tona iu paraqit Byrosë Politike të KQ.PPSh, ku u morr vendimi për ndarjen e kësaj ndërmarrje të stërmadhe në dy pjesë, më organike, që formuan secila nga një ndërmarrje  bujqësore të madhe.
                    - Po në Shtator të vitit 1978, për 6 ditë, aktivizohem nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit, në një ekip kontrolli e ndihme në Kooperativën Bujqësore Bolenë- Kallarat, nën  drejtimin e veteranit Metlli Jaupi. Këtu hasa kudo njerëz të mirë e mikpritës, luftëtarë të përjetshëm e trima të prapë, të coptuar egërsisht nga jatagani e plumbat. Një lapidar, që çante qiellin, në nderim të qindra të rënëve për liri, lartësohej në qendër të fshatit  Bolenë, rrëze malit Çipin, Ata mbarështonin me mjaft kënaqësi e profesionalizëm blegtori të imtë, duke përballuar një jetë tejet të vështirë dhe megjithëse në varfëri e
skamje të plotë, ishin me zemër të madhe bujarie. Jam befasuar!
                    -Në muajin Nëntor 1979, në seminarin 7 ditor, me specialistë të bujqësisë në rrethin e Vlorës, referoj temën:" Disa probleme të përqendrimit, specializimit dhe kooperimit në ekonomitë bujqësore të rrethit të Vlorës.
                   -Në të njëjtën kohë, së bashku me agronomin Reuf Muhameti, tani K\Agronom i Ndërmarrjes Bujqësore Llakatund, bëjmë konkluzionet e një studimi 4 vjeçar "Mbi kultivimin e domateve të varura në tel", me efekt ekonomik vjetor 700 mijë lekë. Studimi u botua ne Revistën Kombëtare "Perime Patate" Shkurt 1980.
                   - Në muajin Prill 1980, i caktuar nga Instituti i Studimeve Ekonomike, diskutoj në Sesionin Shkencor për Problemet e Përsosjes se Organizimit dhe Drejtimit të Ekonomisë, qe u bë në Tiranë, me pjesmarrjen e drejtuesve kryesor të Partisë dhe të Shtetit me 16 dhe 17 Maj. Diskutimi, që
përfshinte, sipas tematikes së rekomanduar, tri probleme të përsosjes së organizimit të punës në ndërmarrjet bujqësore, u prit mirë dhe u botua në revistën "Ekonomia Popullore", Maj 1980.
                   - Në muajin Maj-Qershor 1980, për rreth 50 ditë, punoj në Ministrinë e Bujqësisë me një grup të posaçëm pune, drejtuar nga Andon Thimio, për përsosjen e treguesve të punës. Materialin, që e përgatitëm u miratua pa asnjë vërejtje dhe u kthye në program të detyruar normativ, për të gjitha
ndërmarrjet bujqësore.
                    -Në muajin qershor 1980 thërritem në Komitetin Ekzekutiv te K.P,Rrethit Vlorë, në mbledhjen e Kryesisë, ku na njoftuan, se bashkë me 17 specialistë e shkencëtar të rrethit, formonim Këshillin Shkencor të rrethit të Vlorës. Nga ky Këshill Shkencor u botuan disa broshura me studime dhe u organizuan disa sesione, me botime të posaçme, ku morra pjesë me punimet, që u botuan në Buletinet përkatëse dhe me bashkëpunime me specialistë dhe ekonomistë të rrethit, për kumtesa e referate të karakterit ekonomik.
                    Ndërkohë, angazhuar nga gazeta lokale "Zëri i Vlorës" vazhdojë të shkruajë rregullisht lajme dhe botoj studime, që kanë lidhje me problemet e mprehta të ekonomisë së rrethit. Aq të shpeshta ishin këto shkrime, sa, baxhanaku im, Qani Kamberi, edhe për ta nxitur, i tha një ditë djalit të tij, jo aktiv, që kish mbaruar për gazetari: "More, po, se marr vesh: Luani është gazetar, apo ti".
                   Pavarësisht angazhimeve të tjera, puna kryesore kryhej në vendin tim bazë të punës dhe të jetës së përditshme, në Llakatund.
                   Është për t'u kujtuar jeta e mirë e përbashkët dhe solidariteti i plot me kolegët e mi. Kjo, për fat, më ka shoqëruar, thuajse kudo, por në Fermën e Llakatundit  ishte për t'u theksuar. Ndofta kjo ndodhte sepse këtu vështirësitë e jetës dhe të punës ishin më të mëdha, apo, ndofta nga që ishin bashkuar rastësisht njerëz të mirë, apo, ndofta nga që drejtori i talentuar, Ejup Mita, ndillte më shumë unitet e urtësi, ose, ndofta nga të gjitha këto bashkë. Sidoqoftë, ne ishim kudo të bashkuar, e mbështetnim dhe e ndihmonim njeri tjetrin, pa shenja sedre të sëmurë e pa shfaqje xhelozie. Kjo ndihej midis nesh, por evidentohej edhe ndër kolegët, jashtë kolektivit tonë.  
              Ishte shumë e ngrohtë dhe miqësore pritja që u bënim kolegëve, eprorëve, kontrollorëve, gazetarëve apo vizitorëve të çdo lloj, që vinin për unë, apo për çfarëdo arsyeje te ne. Ata, së fundi, priteshin me dashamirësi në Mensën tonë, ku gostiteshin më së miri, të shërbyer nga gastrologu Sejdi Bubeqi, i denjë për lokalet më të mira turistike. Pagesa e shpenzimeve kryhej bashkërisht prej nesh, me korrektesë, duke i refuzuar me insistim, përpjekjet për pagesë nga miqtë.
                Ishin të shumtë shokët dhe miqtë që gjeta e sidomos ata që bëra në Llakatund. Drejtori Ejup Mita, ishte për mua një zbulim i rrallë, për aftësitë tekniko- administrative, që dispononte, të pa para deri atëherë te asnjë tjetër. Për të unë kam folur dhe kam shkruar, disa herë; po kështu për
nëndrejtorin e pa lodhur Vasillaq Ndini, si dhe për burrin e zgjuar, ekonomistin dhe luftëtarin veteran, Piro Dodbiba. Nuk mund të harrohen dhe shumë të tjerë, si inxhinieri i talentuar politeknik  Feri Dishnica, që me  projektimet dhe ndërtimet e tij të guximshme si: ura e varur mbi Shashicë, stallat e gjedhit dhe të pulave, hangarët, serat, ujësjellësit dhe  ndërtimet  e tjera, na ngriti kokën  lart të gjithëve; agronomët Llambro Billa,  Reuf Muhameti, Llano Llanaj, Zigur Sulo, Xhevdet Suli, Selam Malaj, Sazan Kaleshi, Pajtim Xhelo, Petrit Bimo,  Agim Gaçe, Kujtim Gaçe; zooveterinerët Petref Lameborshi, Niazi Tahiri, Llambro Berberi, Shpëtim Sulçe, Dhimitraq Loli, ekonomistët dhe financierët Bastri Sofia, Agaçe Bregu, Vladimir Petani, Kiço Lera (Çoban), Zylfie Sulçe, Enver Zeneli, Limoz Rexhiti, Qemal Haxhiraj, inxhinierët  Fatmir Shkupi e Andria Qirjo; shoferët e pa lodhur  Ali Suli, Osman Rapushi, Servet Beqiri, Selam Tepelena, Kujtim Grabjani, Nuri Beqo dhe dhjetëra specialistë  e mekanizatorë të aftë.

            Për mua Llakatundi ishte një shkollë e madhe e një lloji të veçantë. Unë as që e njihja bujqësinë, veçse fare pak teorikisht, nga librat dhe njohuritë e marra në Universitet në lëndët "Ekonomia e Bujqësisë", "Organizimi dhe planifikimi i Fitoteknisë dhe Zooteknisë" dhe nga njohuritë për "Statistikën Bujqësore", të cilat, duhet thënë, i kisha studiuar me kujdes, por, bujqësinë  e
vërtetë dhe jetën në një ndërmarrje të madhe bujqësore, unë e mësova në ugaret e Llakatundit, të 5fshatrave që e formonin ndërmarrjen, me njerëzit e mrekullueshëm e të paharruar, që gjeta atje dhe që nuk do ti harrojë kurrë.
              Dhe, kur shihja ndryshimet rrënjësore dhe përmirësimet e shpejta në rezultatet ekonomiko financiare të ndërmarrjes në ato gati 6 vjet që unë punova atje, e ndjenja sinqerisht, se largimi, edhe pse vija më afër familjes, ishte  pa ndonjë entuziazëm, bile i dhimbshëm.
                                                

    










                             NE KOMBINATIN E KONSERVAVE

               Në datën 18 Shkurt 1981 transferohem në Vlorë. Emërimin ma komunikoi Kryetari i ri i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, tragjasjoti Axhem Gjonaj. Ishte në Zyrën e vet, së bashku me Shefen e Seksionit të Kuadrit, Besije Salati. Ai tha:
               "Është menduar të emërohesh, përkohësisht, si nëndrejtor i Kombinatit të Konservave "Ernest Telman", këtu në Vlorë. Për ca kohë do punosh atje pa drejtor, duke kryer dhe punën e tij. Siç të njoh unë dhe nga sa kanë thënë të gjithë, ti, je një njeri shumë i aftë, që do të dish ta drejtosh më së miri anën ekonomike dhe, duke bashkëpunuar me k/inxhinierin, që dhe ai është shkencëtar, do ta shtysh përpara punën, jo vetëm duke e nxjerrë nga gjendja e prapambetur aktuale, por duke e çuar në pararojë, këtë ekonomi të madhe dhe shumë të rëndësishme për ne. Ti ke përvojë dhe e njeh mirëindustrinë, por, duke punuar gjatë në Llakatund, njohe, po kaq mirë dhe bujqësinë. Kjo ka rëndësi të posaçme për punën e re.  Veç kësaj bëhet mirë dhe për ty, se shkëpute nga sistemi i bujqësisë, nga fshati dhe vjen më afër shtëpisë. Tërheqjen nga sistemi bujqësisë ne e bëmë me vështirësi, pas shumë përpjekjesh, ndërsa më vonë, do ishte e pamundur të bëhej. Duke të pasur në këtë detyrë, jam i bindur që për të ardhmen, do na paraqitet dhe ndonjë variant akoma më i mirë…"
            Kryetari foli gjatë, pa ndërprerje. Ai, duket ndruante, se mos e refuzoja vendin e nëndrejtorit, mbasi unë e kisha marrë vesh që ishte diskutuar gjatë për t'u caktuar në vendin vakant të Drejtorit, Mili Kristo, shkarkuar për rezultate të dobëta. Në të njëjtën kohë, nga ana e Komisionit te Planit te Shtetit dhe personalisht të Kryetarit Petro Dode, po bëheshin përpjekje për të më tërhequr me punë në Tiranë. Unë, megjithëse kisha dëgjuar për këto ngjarje, i thashë Kryetar Axhemit se këto janë punët tuaja, të nomenklaturave. Profesioni im është ekonomist dhe, për mua, do ishte e pranueshme çdo detyrë, brenda këtij profili. Nga ana tjetër unë nuk kam bërë ndonjë kërkesë për t'u larguar nga fshati.
             Kombinati i Konservave, pa dyshim, ishte ndërmarrja më e madhe në Vlorë dhe midis ndërmarrjeve ushqimore në shkallë kombëtare, kishte peshë të konsiderueshme, sidomos, në eksportet. Ajo ishte unikale, për të gjithë vendin në disa produkte, të cilat, njëkohësisht, ishin mjaftë cilësore dhe lehtësisht të shitëshme. Kjo ndërmarrje kishte mbi një mijë punëtorë, të vendosur, shumica, në Skelë të Vlorës,  si dhe, një pjesë, në Filialin e vet të Himarës dhe  në qendrën e përpunimit të domateve në Bishan të  Novoselës së Myzeqesë së Vlorës, si dhe për përpunimin e qumështit për djathë e nënprodukte kishte një qendër të madhe në lagjen Karabash dhe në pika të tjera, në fshatrat blegtorale, në krejt rrethin, ndërsa afër fshatit Panaja ishte një qendër e prodhimit te stafidheve prej rrushi.
         Në Kombinat prodhoheshin konserva peshku: Konservat e sardeleve të shijshme të detit Adriatik, të zhytura në vaj ulliri të rafinuar vlore dhe konservat e ngjalës së Nartës, të tymosura e të zhytur në vaj ulliri, kishin shije të veçantë. Ato ishin "delikatesa" të preferuara të konsumatorëve perëndimor, kryesisht gjermanë, austriakë dhe francezë. Prodhim tjetër  cilësor i  Kombinatit ishte: salca e domates, e ambalazhuar në fuçi druri 50 kilëshe dhe
një e dy kujntalshe, që destinoheshin për eksport, kryesisht në Gjermani; salca  në kuti teneqeje dhe në kavanoza qelqi, dimesjonesh  të ndryshme dhe salca në tubete alumini. Salca prodhohej në impiante italiane bashkëkohore me domate nga fushat e Myzeqesë, të pjekura në diell. Ato, të vendosura në arka, vinin me kamionë, që nga Lushnja, Fieri dhe Vlora dhe shpesh radha e automjeteve, në kohë
piku, zgjatej deri te Pusi i Mezinit, në hyrje të Qytetit të Vlorës, disa kilometra larg Kombinatit. Produkte të tjera të Kombinatit ishin konservat e mishit të lopës dhe të viçit, që destinohej, kryesisht, për Ushtrinë; sallami, në disa lloje e cilësi; konservat e perimeve gjthëfarllojshe, të vendosura në kavanoza qelqi; qepë e speca të thata, dhe qepujka në teneqe e kavanoza, që destinoheshin, kryesisht për eksport; marmelatë fiku himare; komposto dhe reçel, kryesisht me fiq himare dhe mollë korçe e kolonje.  Po këtu grumbullohej dhe përpunohej ulliri i Vlorës dhe Himarës për prodhim ullinj të kripur e të konservuar, si dhe turshi perimesh dhe stafidhe rrushi.  Në Kombinat, në sektorët e veçantë në Vlorë dhe Himarë ishin kantinat e grumbullim përpunimit të rrushit për prodhim vere, rakie dhe uthulle. Po në Kombinat, në një sektor të veçantë, në baxhot e shpërndarë në fshatrat dhe në një qendër të madhe përpunimi në qytetin e Vlorës, grumbullohej dhe përpunohej gjithë sasia e qumështit dhe prodhohej djathë, gjalpë dhe gjizë, e ambalazhuar në fuçi dhe në kuti llamarine të posaçme. Kombinati kishte repartet e veta ndihmëse, anekse dhe sekondare për prodhim ambalazhesh si kuti peshku, kuti konservash, fuçi druri, kapak kavanozash, tubete salce, arka ambalazhi. Cilësore ishin dhe ofiçina mekanike e kompletuar, kaldajat e fuqishme për prodhim avulli, zdruktaria, si dhe laboratorët, të pajisur më së miri.

              Këtu më ra fati të punoja për 24 muaj, prej të cilëve 10 muajt e parë, pa drejtor. Administrata e Kombinatit, nëpunësit dhe personeli inxhinjero teknik, mu dukën mjaftë të çuditshëm dhe krahasuar me kuadrot e bujqësisë, të plogët, indiferentë dhe, shpërdorues. Shumë prej tyre kishin bërë shkolla të
posaçme jashtë shtetit. Ata nuk ishin të pa aftë, por të pa impenjuar, pa entusiazmën e domosdoshme, që i zgjidhte problemet dhe i kapërcente vështirësitë e shumta, të përditshme e të pa evitueshme tekniko prodhuese. Ata, përpiqeshin jo ti zgjidhnin direkt problemet, mungesat dhe avaritë tekniko-prodhuese, po t'ua linin stafetën të tjerëve. Menjëherë konstatova dy mangësi të mëdha, të pa
pranueshme:
           1) Kuadrot nuk rinin të lidhur me punën, por në rastin më të parë largoheshin, për nevojat e tyre, apo për të pirë kafe, jashtë Kombinatit dhe ata
           2) Shpërdoronin gjithçka nëpërmjet "degustimit" vetjak dhe dhuratave për të tjerët, si "të ishte mall belik", duke dhënë kështu, një shkas dhe duke u bërë shembull te punëtorët për dëmtime e shpërdorime masive, totale. Katandisej,  kështu, "kokoshi- një thelë".
            Mu desh të paraqitesha, duke rrezikuar shumë, për t'u dukur, jashtë natyrës sime, i pa afruar, kërkues pedant dhe i prerë. Vendosa me dhunë dhe këmbëngulje një disipline formale, nëpërmjet kontrollit të paraqitjes dhe largimit nga puna me anën e tabelave dhe kutive me pulla e çelës; ndalova hyrjen e të huajve, duke shpërndarë karta identiteti për punonjësit dhe morra masa disiplinore paralajmëruese për kundërvajtësit. Nuk mungoi dhe ndonjë procedim penal e deri një arrestim për vjedhje. Sigurova ndihmën e kryeinxhinierit poliglot e me shumë kulturë, që ish mbajtës i dy gradave shkencore, si asnjë tjetër në Vlorë. Ai u bë dhe një bashkëpunëtor dhe shok besnik, duke siguruar edhe ndihmën e personelit tjetër optimist dhe mbështetës, që u gjet brenda kolektivit. Brenda dy muajve gjendja u stabilizua dhe dukej sikur personeli u tjetërsua. Diferencimi dhe stimujt për specialistët e dalluar krijoi emulacion dhe entuziazëm. U rrit kujdesi për grumbullimin e lëndëve të para dhe u synua në cilësi e çmime të favorshme, duke shëtitur në të gjitha zonat prodhuese e bujqësore të vendit, nëpërmjet agjenteve dhe grumbulluesve të aftë. U vendos një regjim i rreptë rruajtje dhe kursimi.  U arrit, kështu që gjatë dy vjetëve të punës në Kombinat, çka shpjegohet dhe me vitet e mbara bujqësore, për çdo muaj të plotësonim dhe të tejkalonim planet e prodhimit dhe të eksportit, të rendimentit, të uljes së kostos dhe fitimit. Kjo nuk kishte ndodhur prej shumë vitesh. Ndërmarrja, që rezultonte ndër vitet me humbje dhe në vështirësi financiare, u kthye me tejkalim fitimi dhe morri disa flamurë në garat e emulacionit, shkallë vendi. Prodhimi, qysh ne viti 1981 arriti 106 milion lekë, 16% më shumë se një vit më parë dhe në vitin 1982 arriti në 112 milion lekë, duke zënë, si vleftë prodhimi, vendin e parë në shkallë rrethi, dhe duke lenë pas ekonomi të tjera të mëdha, të evidentuara në shkallë vendi si: Ndërmarrjen Ushqimore të Vaj-Sapun-Makaronave, Uzinën e Sodë-PVC dhe Ndërmarrjen e Nxjerrjes
së Naftës Gorisht. Kjo krijoi dhe mundësi e burime financiare për investime, mirëmbajtje dhe shpërblime.
               Pas kësaj dhe mbi këtë bazë financiare, kujdes i veçantë u tregua  për përmirësimin e kushteve të punës dhe të prodhimit, për uljen e sezonalitetit dhe zgjerimin e prodhimit, për shtimin e  magazinave dhe përmirësimin e territorit, të gjelbërimit dhe kushteve hidrosanitare, për ndërtimin e  murit rrethues, etj.  Me vëmendje u ndoqën dhe problemet sociale, për gjallërimin e aktiviteteve sportive e kulturore e artistike; u krijua sektori i posaçëm i ndërtimit të banesave me kontribut vullnetar për punëtorët; u bë studimi i rritjes së shkallës se mekanizimit të transportit të brendshëm
dhe i zhvillimit në perspektivë të Kombinatit.
                Në gjithë këtë punë, më vonë, ne gjetëm mirëkuptim dhe mbështetje me Drejtorin e ri të ndërmarrjes Bashkim Curraj (me thjeshtësinë dhe mirëkuptimin e skajshëm, ai , për tu adaptuar e kualifikuar shpejt kërkoi që të merrte çdo dite njohuri të posaçme ekonomiko prodhuese nga unë dhe kryeinxhinieri), si dhe me  personelin tekniko-administrativ. Nuk mund të barrohen shokët dhe bashkëpunëtorët e ngushtë Klearko Gjidede, si shef plani, Nuri Hoxha, shefi furnizim shpërndarjes, Jani Papavangjeli, shefi i financës, Pranvera Beqiri e Arjana Meksi shefe e organizimit dhe paga normave, inxhinjerët  Bashkim Bregu, shefi cilësisë, Petraq Karaj, përgjegjësi fabrikës së qumështit, Andrea Dhimolea, përgjegjësi fabrikës së konservimit të peshkut, Rahime Nebiu dhe Viron Mitro, përgjegjësi konservimit të fruta perimeve, Liri Gjata, përgjegjëse kantinës së verës, Pano Andoni, përgjegjës i sektorit Himarë, inxhinierët e aftë Aristidh Frashri, Perlat Rama, Roland Tafili, Shkëlqim Alimerko, Spiro Koka, grumbulluesit  e pa lodhur Musa Daja e Lutfi Sadiraj dhe
dhjetëra specialistë e punëtorë.




                         NË KOMITETIN EKZEKUTIV TË RRETHIT

               Në datën 23 Shkurt 1983 më fton ne zyrën e tij, në Komitetin e Partisë së Rrethit Vlorë, Sekretari i Parë, Petro Dode. Ai më thotë se, sipas propozimit të Byrosë së KP. Rrethit, Këshilli Popullor i Rrethit, si organi më i lart legjislativ, të ka emëruar Përgjegjës të Seksionit të Planit, pranë
Komitetit Ekzekutiv te KP. Rrethit. Siç e kupton është një detyrë mjaftë e rëndësishme dhe, gjithashtu, një vlerësim dhe një nder, për çdo ekonomist të Vlorës, se tani e tutje, do jesh kreu i tyre. Ne, nuk të pyetëm, siç është rregulli, për të marrë, paraprakisht mendimin, me bindje se do pranoje. Të gjithë, vazhdoi Sekretari, kanë shumë besim te ty, se, në përshtatje me kërkesat e kohës, do t'i japësh një shtytje të mëtejshme punës, për të nxjerrë ekonominë e rrethit tonë, bashkë me shokët, nga kjo gjendje, aktualisht, shumë e prapambetur.
               Pasi biseduam dhe ndërruam mendime për disa probleme ekonomike të rrethit, ai vazhdoi: Ti, Luan, tha, nuk je anëtar Partie. Nga kjo zyrë ku jemi, unë, siç e di, drejtoj Partinë, pra logjikisht kjo është selia kryesore e Partisë në rrethin tonë, por, pavarësisht nga kjo, unë po të them, që ti, në këtë zyrë, të hysh pa droje, sa herë që do kesh ndonjë problem të rëndësishëm ekonomik dhe që nuk ta kanë zgjidhur të tjerët, po mendon se duhet ta zgjidhim bashkë. Ti, mund t'i kesh duart e zëna me materialet shpjeguese e shoqëruese, atëherë këtë derë, shtyje me këmbë dhe hape. Unë do të të pres!Ja, ky ishte Petro Dode, figura numër një në gjithë rrethin, me të cilin do kisha të beja, në ndonjë rast. Kështu të afronte e të bënte për vete ky babaxhan. E si mund të kurseheshe për punë të dobishme, duke punuar ditë e natë?
               Në mbas ditën e 23 shkurtit takohem edhe me Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të KP. Rrethit, Luan Muhametin, me origjinë nga fshati Lapardha i Vlorës, një burë i shkathet, optimist dhe dashamirës me profesion agronom, me njohuri e përvojë profesionale e organizative në tërësi, po veçanërisht në bujqësi. Menjëherë, marrë pjesë në mbledhjen e Seksionit të Bujqësisë, që drejtohej nga miku i adhuruar, ish drejtori im në Fermën e Llakatundit, shkencëtari, siç e quaja unë, Ejup Mita.

               Me shokët e Seksionit të Planit njihesha, se kishim lidhje të hershme pune, i aktivizuar si anëtar i aktivit të këtij seksioni, si Arbitër për
mosmarrëveshjet kontraktore midis ekonomive dhe në takime, aktive e konferenca të rrethit. Atje gjeta një nga shokët e mi më të vjetër e më të mirë, me të cilin kishim bashkëpunuar edhe si mësues në Teknikumin Ekonomik të Mbrëmjes dhe si pedagog në Filialin e Fakultetit Ekonomik të USh. Tiranë, Lili Dodi, që drejtonte Zyrën Statistikës, pjesë e Seksionit të Planit dhe që do të ishte direkt, ndihmësi dhe zëvendësi im i parë. Një tjetër figurë e pastër, aktive dhe me mjaft kulturë, ishte inxhinieri mekanik Shkëlqim Alimerko, që drejtonte Sektorin e Punëve Shkencore të Rrethit, sektor që ishte bujtës në Seksionin e Planit. Me Shkëlqimin ne njiheshim qysh në Kombinatin e Konservave dhe unë ndjenja një ngrohtësi dhe kurajë, kur e kisha pranë, ashtu të pa përtuar e të aftë në punë, të sinqertë, të dashur dhe optimist, siç ngeli ai, deri në fund.
Një tjetër punonjëse ishte Elca Haxhiu, beratasja e zgjuar, që në Seksionin tonë mbulonte planifikimin e përgjithshëm dhe tregtinë. Llca e urtë erdhi aty nga Seksioni i Bujqësisë dhe ishte kompetente për detyrën e saj. Ajo kishte qenë në Komitetin Ekzekutiv të Beratit shefe e seksionit të planit. Po aty gjeta dhe Granit Tafilin, ekonomist me përvoje nga kooperativat e rrethit të Përmetit, NB "Vlora" dhe Seksioni i Bujqësisë.  Ai rridhte nga një familje malësore labe, me tradita, por asnjë herë nuk u lidh, siç desha unë me punën, çka ishte  pakënaqësia më e madhe për bashkëpunëtorin në fjalë. Ishte ky person që shpesh ma bëri të mërzitshme punën dhe deri jetën, aqsa ndjeva kënaqshin kur u shpreha dakord dhe e ndihmova, jashtë natyrës sime parimore, që ai të rritej në përgjegjësi, duke u larguar nga Seksioni, për t'u bërë Drejtor i Ndërmarrjes Tregtare Turistike. Ishin dhe dy  vajza të reja, që punonin, bashkë me Lili Dodin, në Statistikë, Liljana Sholla dhe Evgjeni Thomaj, ish nxënëse dhe studente të miat, njerëz shumë punëtorë, të dashur e të sjellshëm. Më vonë në seksion erdhën: Virona Laska,  i transferuar nga rrethet e veriut dhe që zëvendësoi Lili Dodin si Përgjegjës i Zyrës se Statistikës; Bastri Sofija, ish shoku im i Llakatundit, për të cilin ndërhyra vet të vinte, por pas 2 vjetësh e hoqën, për ta transferuar nëndrejtor në NB"Vlora", dhe Kristaq Mina një ekonomist i ri, djalë i mikut tim tipograf Marko Mina, një ekonomist i vëmendshëm, shumë punëtor dhe me mjaft perspektivë. Vitet e fundit, Shkëlqimin, e zëvendësoi Flutra Hasko, kimiste në profesion, ish zëvendës ministre, por që rezultoi e pa lidhur me punën, me preokupime familjare. Me atë nuk u harmonizuam edhe pse erdhi aty pa pëlqimin tim, në  zëvendësim të punonjësit shembullor Shkëlqim Alimerko, duke qenë kjo gruaja e sekretarit të parë të KP. Rrethit, dukaqotit Halill Hasko.
               Në Seksionin e Planit kishte punë voluminoze të vazhdueshme. Një punë permanente e përditshme, por dhe me intensitet periodik bëhej në Zyrën e Statistikës të këtij Seksioni, ku mblidheshin dhe përpunoheshin të dhënat statistikore për demografinë si dhe mbaheshin e përpunoheshin një serë evidencash operative dhe statistikore për tregues ekonomiko financiar të ndërmarrjeve dhe kooperativave bujqësore. Evidencat pasi përpunoheshin, sipas një programi të posaçëm, dërgoheshin periodikisht në qendër. Ne e bëmë si rregull që evidencat të  shumëfishoheshin, si për të pajisur drejtuesit kryesor në rreth, por dhe për të qenë mbështetëse për një planifikim sa më të saktë.
Vitet e fundit arritëm të nxjerrim vjetarë statistikor me tregues kryesorë për shumë vite. Me buletinet statistikore mujore, shoqëruar me një koment të shkurtër bënim përmbledhje të treguesve kryesor, me anën e të cilave ndiqnim ecurinë e realizimit të detyrave të planit të shtetit. Në dikasteret dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Statistikave në Tiranë dërgoheshin, çdo muaj, tremujor dhe si vjetor një sërë evidencash dhe një raport statistikor me të dhënat sipas programit. Disa herë në vit me të gjithë punonjësit e statistikës në ndërmarrjet ekonomike, kooperativat bujqësore dhe institucionet shtetërore, organizoheshin seminare teorikë e praktikë, ku përgjithësonim përvojën e përparuar, analizonim gjendjen dhe vinim në dukje mangësitë.
            Sektori i Punës Shkencore drejtonte dhe nxiste punën shkencore dhe përhapjen e përvojës së përparuar. Ishin të shumta konferencat dhe sesionet shkencore që u mbajtën në shkallë rrethi, ku u referuan arritjet më të rëndësishme të shkencës, teknikës dhe organizimit, u ndanë shpërblime dhe stimuj moral e material dhe u botuan buletine shkencore. Në rreth vepronte një Këshill Shkencor me kuadro e specialistë, që drejtohej organizativisht nga ky sektor. 
             Një punonjës i Seksionit te Planit mbulonte treguesit e punës dhe interesohej për përsosjen e punës me norma dhe përmirësimin e drejtimit dhe organizimit të punës. Po ky mbulonte dhe punët e planifikimit në sektorin e Bujqësisë. Këto detyra i kryente, së pari Granit Tafili, më pas Bastri Sofija
dhe së fundi Kristaq Mina
              Unë mbaja lidhje me seksionet operative, seksionin e financës dhe drejtuesit e Komitetit Ekzekutiv e të Komitetit të Partisë me Këshillin Popullor të Rrethit, me Dikasteret Qendrore dhe me Komisionin e Planit te Shtetit.
                         
               Detyra kryesore e Seksionit të Planit ishte hartimi i planit për çdo vit dhe si pesë vjeçar. Kjo paraprihej nga studime të veçanta dhe nga hartimi i projektplaneve përkatëse vjetore dhe pese vjeçare.
               Detyra për hartimin e projektplaneve na hante shume kohë. Kështu p.sh. Për hartimin e projektplanit ekonomiko financiar të rrethit të Vlorës për vitin 1984 puna filloi në muajin maj dhe përfundoi në 15 gusht të vitit 1983.
Projekt plani si rreth u hartua me ndihmën e seksioneve operative, si sintezë e punëve të bëra nga ekonomitë e rrethit, ku merrnin pjesë specialistët, ekonomistët dhe financierët më të mirë të rrethit. Në këtë datë projekt plani voluminoz, me të gjithë treguesit, pasqyrat dhe raportet e shkruara, u mbrojt në Komitetin Ekzekutiv, anëtarët e të cilit e kishin marrë 5 ditë para, me relacionin shpjegues. Në datën 16, 17 dhe 18 gusht, ky projektplan, i miratuar nga Komiteti, u pa nga sekretarët e Komitetit të Partisë dhe përfundimisht u shtrua për diskutim dhe u miratua nga Byroja e KP. Rrethit Vlorë. Kalimi në këto etapa bëhej me vështirësi dhe me "gjak të ngrirë" dhe duhet të kishe kujdes nga pyetjet tendencioze e provokuese. Shumëkush diskutonte pa e njohur fare përmbajtjen e treguesve të planit, sa për t'u dukur. Në shumicën e rasteve puna kalonte mirë dhe pjesëmarrësit përpiqeshin ta kalonin sa më shpejt këtë proces rutinë e të detyruar. Kështu  p.sh. projektplani i vitit 1984 i kaloi preokupimet dhe emocionet tona me sukses në të gjitha etapat,  kjo edhe për përgatitjen e kujdesshme  e të argumentuar. Në konkluzionet përfundimtare, Enver Halili, sekretari i parë i KP. Rrethit, jurist në profesion, por mjaft liberal, për kohën, si dhe me dashamirësi e me kulturë, pasi i bindi dhe i kapërceu disa kritizerë të përhershëm, të tipit G B, edhe për t'i mbyllur shpejt përfundimisht diskutimet e mëtejshme të kota, që merrnin kohë, tha: "Kjo, që pamë këto dy ditë dhe dëgjuam sot, ishte rezultantja e një pune shumë të madhe, të thelluar e voluminoze, por njëkohësisht me nivel shumë të lart tekniko-shkencor. Ajo u paraqit me dinjitet e njohje të thellë dhe të gjithanshme, nga Shefi i Planit, që, gjithashtu, e mbrojti me argumente bindëse dhe  me përllogaritje të sakta".
                  Pranë Seksionit të Planit vepronte i emëruar, me kandidatë të jashtëm dhe një Këshill Oponence, ku bënin pjesë ekonomistët më të mire të rrethit, të cilët paraprakisht bënin vërejtje dhe sugjerime për punët e kryera nga Seksioni dhe vlerësonin punën e tij.
                 Gjatë kohës gati 10 vjeçare në drejtim te Seksionit të Planit në Komitetin Ekzekutiv të KP. Rrethit Vlorë, punën tonë e kontrolloi dhe vlerësoi disa herë Komisioni i Planit të Shtetit, Kryeministria dhe Komiteti i Partisë Vlorë, pa përjashtuar "grupet e kontrollit punëtor", që thuajse, u bënë
qesharake. Konkluzionet e kontrolleve, pa përjashtim, gjithnjë jepnin vlerësime të një pune të mirë e tëlavdërueshme. Për vite me radhë punën e Seksionit të Planit në Vlorë e çmonte Komisioni i Planit, që në konkluzionet e analizave vjetore, e konsideroi si më të mirin në shkallë vendi, ndërsa Kontrolli i Komitetit të Partisë i vitit 1989, në konkluzionet e veta shkroi pozitivisht për punën e seksionit tonë, gjë që dukej e çuditshme, sepse të tilla kontrolle, si rregull, evidentonin vetëm mangësitë dhe të metat në punë.
                  Gjatë kësaj kohe u angazhova edhe në drejtime të veçanta pune, si: vazhdova të jap mësim në Filiale e Fakultetit Ekonomik; morra pjesë në shumë gjykime si Arbitër, në Arbitrazhin e Rrethit; morra pjesë në Konferenca, Seminare, në Këshillin Shkencor të Komisionit të Planit dhe si Bashkëpunëtor Shkencor i Institutit të Studimeve Ekonomike pranë Akademisë së Shkencave; u përfshiva ne grupe pune e në Kontrolle të shumta në ndërmarrje ekonomike e në kooperativa bujqësore, brenda dhe jashtë rrethit. Kështu p.sh.
                 - Në fillim të muajit prill 1983 marrë pjesë në një grup pune për rishikimin e Metodologjisë së Planifikimit të Ekonomisë Popullore. Grupi drejtohej nga shoku im i fëmijërisë Harilla Papajorgji, tani me detyrë Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit. Në Tiranë dhe në Durrës punuam 10 ditë, pa ndërprerje, së bashku me ekonomistët e financieret më të mirë të vendit si Niko Gjyzari, Aristotel Pano, Besim Bardhoshi, Genc Shkodrani, Koço Skënderi, Selman Bllaca, Teodor Kareco. Rezultati i punës sonë ishte  teksti i ri i Metodologjisë. Paska qenë e thënë që në të tre rastet e ndryshimeve të kësaj metodologjie të përfshihesha edhe unë.
     .      – Në datën 11 të muajit prill 1983, në Tiranë ftohem dhe marrë pjesë në Konferencën Kombëtare për problemet e zhvillimit të ekonomisë në pesëvjeçarin e 7.-të
                 - Në datën 12.12.1985 marrë pjesë në Këshillin Shkencor të Fakultetit Ekonomik të USh. Tiranë dhe diskutoj në mbrojtje të Disertacionit të shokut tim Sezai Bazaj, si i pari disertacion i paraqitur nga rrethi i Vlorë, ku kandidati u miratua me votim të fshehtë unanimisht (24 pjesëmarrës) si Kandidat i Shkencave Ekonomike.
                 - Në datën 19.02.1987 ftohem dhe marr pjesë në mbledhjen e Kuvendit Popullor të RPSSH.-ës
                  Në Seksionin e Planit të  Komitetit Ekzekutiv të KP. të Rrethit të Vlorës, pikërisht ne Zyrën e katit të tretë, me dritare nga jugu, në atë godinë me  tre kate, të madhe për kohën, të ndërtuar nga italianë qysh në vitin 1914, unë jetova e punova 9 vjet e  3 muaj,  pa ndërprerje, më gjatë se në çdo vend tjetër pune. Në atë dhomë,  u grisën shumë fletë kalendari, rrodhën shumë ditë me ngarkesë të madhe shkresore, shpesh ditë të fluturuar në kotësi , shumë herë me ngarkesë boshe ose me "byk", me teprime e fantazi jashtëtokësore burokratike. Atje u hartuan plane për zhvillimin e rrethit të Vlorës; përharmonizimin e kërkesave të popullit me mallra, shërbime e ndërtime; për ndërtime fabrikash, institucionesh, rrugësh; për argumentimin e prodhimit me aftësitë prodhuese, bazën materialo-teknike dhe fuqinë punëtore të nevojshme; për zhvillimin e arsimit, kulturës, shkencës dhe shëndetësisë, për sportin, artin dhe kulturën, gjithnjë me mundësitë, kufizimet dhe me mentalitetin e kohës. Aty bënim raporte, relacione, studime, analiza, plane kontrolli e mbledhje pa fund, ditën dhe natën, pa pyetur për orar pune. Aty merrnin udhë aksionet, aty përgatiteshin konferencat, diskutimet e gjata, duhet thënë, me frymë partiake  e dogmatike të theksuar. Ato i shkruanim ne dhe, më së shumti lexoheshin nga të tjerë, nga udhëheqësit tanë shtetëror e partiak jo vetëm aty, brenda qytetin tonë, në komitete, plenume, këshilla e byro, po shpesh edhe ne Tirane, në Ministritë, Këshillin e Ministrave, në Kuvendin Popullor e deri ne Komitetin Qendror të Partisë. Ndërsa ne, plotësisht të indoktrinuar, kënaqeshim, se bënim detyrën, paçka se edhe në rolin e "Demkës", boll të mendonim se punonim dhe të merrnim një llaf inkurajues. Të njëjtën punë bënin dhe kolegët tanë në Tiranë, ndonjëherë shumë më pak, por ata dolën të zgjuar, të shkathet  e të fituar, se i përdorën punët e tyre edhe për të marrë tituj e grada shkencore,
shpesh burim të ardhurash e mirëqeniesh relative.
              Në Komitetin Ekzekutiv të KP. të rrethit të Vlorës, gjatë gati 10 vjetëve, u njoha dhe bashkëpunova me kuadro e specialistë të aftë. Më kujtohet një mendim i vlonjatit Gëzim Tushe, djalit te mikut tim Ilirjan Tushe. Gëzimi, si student i shkëlqyer mbaroi Universitetin e Tiranës në shkencat politike, për filozofi dhe u njoh si një djalë i guximshëm, që përqafoi, ndër të parët, ide përparimtare e liberale socialiste, në kërkim të rrugëve të reja për ndryshim e përmirësim. Ai ishte instruktor në Komitetin e Partisë në Vlorë, por vinte shpesh te ne për kontroll e ndihmë, ose për përgatitjen e materialeve të përbashkëta. Ulej me mua dhe bisedonim me intimitet. "Vij dhe rij këtu, te ju, me punonjësit e aparatit të Komitetit Ekzekutiv, jo thjeshtë për detyrat e përbashkëta, por se këturelaksohem, marrë frymë lirisht e ndërroj mendime të vlefshme. Këtu tani janë mbledhur njerëz të mrekullueshëm, me ndjenja qytetarie, të kulturuar dhe me vizion të gjerë. Atje, në aparatin ku unë punoj, nuk rri dot gjatë, se më zihet fryma nga fanatizmi dhe injoranca që më rrethon, nga era e
këmishëve me zgjyrë." Dhe ky ishte një vlerësim realist. Ne e shikonim njeri tjetrin në sy, pa xhelozi dhe ndihmonim pa rezerva, duke korrigjuar të metat e mangësitë reciproke dhe duke mësuar nga më të mirët. Kishe ç'të mësoje nga përvoja dhe njohuritë enciklopedike të shefit të seksionit të Bujqësisë, shkencëtarit Ejup Mita; apo nga urtësia dhe qetësia e shefit te Seksionit Energjetik, inxhinierit Nelson Shehu; nga dinamizmi i shefit të industrisë, inxhinierit mekanik Spiro Gjidede; nga objektiviteti i shefit të financës  Myet Kapaj; nga zotësia e shefit të ndërtimit, inxhinierit arkitekt Vangjel Loli ; nga çiltërsia e shefit të punësimit Dashamir Selfo; nga thjeshtësia e shefit të kuadrit, inxhinierit elektrik Shpëtim Meli, apo shkalla operative njohëse e shefit të tregtisë, merceologut Adhurim Musaraj; nga mençuria e shefit të Arsimit, studiuesit Zeman Shehu, apo nga krijimtaria e shefit te kulturës, shkrimtarit Bardhosh Gaçe. Edhe punonjësit e thjeshtë ishin nga më të zgjedhurit dhe të pa kursyer, të sjellshëm e të aftë. Veç bashkëpunëtorëve të zyrës sime, për të cilët kam folur dhe që ishin njeri më i mirë se tjetri, dalloheshin Minella Mosko, Zigur Sulo, Llambro Berberi, Shpëtim Sulçe, Valentina Rama në Seksionin e Bujqësisë, Jetnor Sejdiraj në atë të Organizimit, Marko Daflla në Tregti, Ivona Mone në Financë, Petro Ndriko në Industri, Bujar Osmani në Arsim, Thanas Petro në Kuadër etj.
              Nga 1 gushti 1991 unë shkarkohem nga detyra e shefit të Seksionit të Planit. Me caktimin e Komitetit Ekzekutiv të ri pluralist postet drejtuese u ndanë midis palëve partiake. Seksioni i Planit i ra në pjesë Partisë Socialiste, pasardhëse e Partisë së Punës. Çudia ndodhi se pikërisht ata përfaqësues të Partisë Socialiste, që pak muaj më parë, pasi kontrolluan Komitetin, Seksionin e Planit dhe mua më konsideruan më të mirin, tani nuk më gjeten më të përshtatshëm, ndaj sollën në vendin tim Eduard Alushin, një ish anëtar aktiv i Partë së Punës, një nga liderit e ri socialist. Mua më lanë, po në atë zyrë, në një vend të ri të krijuar rishtas, si "ekonomist ne procesin e privatizimit të ekonomisë shtetërore". Edhe për ta drejtuar realisht këtë proces dhe që të më ruanin të mos bëja gabime, më pas, mbi mua de fakto, u vetëshfaq një përfaqësues i Partisë Demokratike, madje, për të qenë më i drejtë dhe më i vendosur, në kthimin e pronës së shqiptarëve, atë e   kërkuan dhe e gjetën midis çamëve më aktiv.
                Çështë e vërteta për çamin H  edhe më parë kisha alergji, se ishte i njohur si servil dhe për këtë "dhunti" arriti deri sa të bëhet Kryetar i Kooperativës Bujqësore, po që edhe atë, në fakt e bëri "çamur". Ky H, i pa aftë e fodull, u vendos në vendin tim, në Seksionin e Planit, ndërsa unë, për mungesë zyre, vërtetë rrija në atë tavolinë ku isha më parë, por nuk varesha  organizativisht më nga Plani. Kjo nuk i shkoi për shtat H, ndaj ai tentoi të hiqej si eprori im, por unë, megjithëse i shqetësuar nga këto veprime, i vura, që në fillim "kufijtë te thana" Asokohe mua mu kujtua shpesh G , një tjetër fodull, por me karakter labi. Kur punonim bashkë ai me përgojonte se isha bir kapitalisti, ndërsa vet ai ishte djalë i një komunisti e patrioti të vjetër, pavarësisht që më tej bashkë me kushëririn e tij të parë u bë demokrat ekstremist. G, që, atëherë, e zhvillonte si dhe sa duhet "luftën e klasave" thoshte: "More po, nuk i shoh dot me sy këta çamët, se, janë të poshtër e të pabesë. Këta kudo mund të punojnë, se vetë i qasëm në Shqipëri, por në Komitetin Ekzekutiv dhe në Komitetin e Partisë, nuk duhet të lejohen".  Ke par ti që, këta, pluralistët, jo vetëm nuk e morën parasysh porosinë e G, po për dreq, vanë
dhe e ulën Çamin, tamam, te tavolina dhe karrigia ku më pare bënte sikur punonte
G. Dhe, jo se qe çam, po nga që ishte H, mua mu vështiros zyra, puna dhe i gjithë ambienti, për rreth. Në këtë drejtim ndikoi dhe gjindja e vështirë statike, me plotë kundërshtime dhe zvarritje e mos veprim në punët e zyrës, ku,njeri i "binte gozhdës e tjetri patkoit" dhe të gjithë nisën të merren me politikë e formim partish.
               Unë e vendosa të largohem dhe parapërgatita kërkesën me shkrim. Paraprakisht, mora takim me Agim Kadiun, që si përfaqësues i Partisë Demokratike ishte bëre Kryetar i Komitetit Ekzekutiv, duke zëvendësuar socialistin Mezan Malaj, që tani ishte vendosur në detyrën e nënkryetarit, ndërsa sekretar ishte vënë një mësues, vlonjati demokrat Shpëtim Xhyheri. Pasi Agimit i deklarova dorëheqjen e parevokueshme, midis nesh u zhvillua kjo bisedë:
            - Nuk jam hiç dakord të largohesh. Ti je specialist i afirmuar, me shumë përvojë dhe për ty ka nevojë rrethi ynë. Nga ana tjetër ti na duhesh, se, duke pasur përbërjen klasore të përshtatshme, do të jesh mbështetje për të gjithë demokratët. Unë edhe si kushëri i fëmijëve të tu, të dua të më qëndrosh
akoma më pranë…
             -Të lutem, zoti Agim, më dëgjo. Ndofta, do zgjatem pak, por dëgjomë me durim, deri në fund: Kam 9 vjet e 3 muaj, pa ndërprerje, që punoj në të njëjtin vend pune. Unë jam mësuar të bëj punë efektive, ndërsa kemi, gati një vit, që i marrim lekët kot. Procesi i privatizimit është bllokuar me urdhër nga lart dhe "hallexhinjtë", që nuk e dinë ku është faji, kur nuk u zgjidhet problemi sipas "oreksit" të tyre, mund të thonë: "akoma këtu ky, burokrati i komunizmit?"
             - Unë jam i afërti yt. Ç'do të thotë populli kur këtu po vijnë vetëm të afërt siç është rasti Elam-Shpëtim, apo Manol-Adhurim? Do thonë që demokratët janë nepotistë të thekur, ndaj mos prit që të kryejnë punë drejtësisht dhe pa anësi.
             Këtu nuk duroj z. Agim, por tha:."Këtë s'ka pse ta vuash ti, se unë erdha këtu, shumë më pas teje".
             -Tani, në administratë, s'ka dyshim, do bëhet ristrukturim, reformë e thellë, se u përmbys një epokë, reformë që do jetë me kritere logjike. Duke ikur unë tani, që, siç thua, jam specialist i mirë, juve ju lë më shumë dorë të lirë, për të hequr më me lehtësi të tjerët, që mund të jenë më pak specialistë dhe më të rinj.
               - Së fundi, nga radha: Unë rri këtu vetëm për 400 lekë të reja në muaj, se jam 58 vjeç dhe i plotësojë kushtet për të dalë në pension të parakohshëm me 60% të pagës që marr. Duke qenë në pension mund të punojë edhe privatisht dhe këto 400 lekë të humbura në muaj, ti nxjerr, ndofta çdo ditë.
               Duke biseduar Kryetari ndërhyri dhe herë të tjera duke thënë edhe se ty të kemi përgjegjës të sektorit të veçantë të privatizimit dhe ne as që e marrim parasysh H. ndaj, pasi e morëm vesh i kemi ndaluar ndërhyrjet e tij, që ndofta të kanë mërzitur, etj.  Por kur unë i parashtrova argumentin e fundit, që fliste për të ardhurat suplementare që mund të siguroja ai u nxitua dhe, ndofta, pa u menduar shumë, tha: "Lum si ti, që e ke këtë mundësi të maresh më shumë para. Ç'të bëjmë ne, qe na ka zënë rrota bishtin"
             Unë, fitova nga rasti që mu dha, e morra këtë si aprovim, falënderova nga thellësia e zemrës dhe u ngrita e dola, si me vrap.
           - Dale, prit, ku vete..., më keqkuptove!
            -Ika, ika! Të faleminderit. Nuk do të të harroj. Shpjegojua dhe shokëve.
           Ishte data 1 qershor 1992. Kishin kaluar plotë 40 vjet në marrëdhënie pune me shtetin…







                                         TREGTAR PRIVAT

           Pasi e dorëzova kërkesën për largim nga puna, në Seksionin e Kuadrit dhe dosjet e punës sime ia dhashë shokut të zyrës, Kristaq Minës, i shqetësuar dhe i mërzitur, po i zbrisja shkallët një e nga një, duke menduar e kaluar, si në një ekran filmi, ato 40 vite të gjata pune sa një jetë njeriu, si nëpunës
shteti. Më kujtoheshin përpjekjet dhe të papriturat e pasosura, puna me pasion dhe naivitet, pa u kursyer, mëngjes e pasdite, ditën dhe natën, ndoshta, shpesh, punë boshe dhe pa frytet e duhura, por me ndërgjegje te lart dhe pastërti kristali. Më kujtoheshin takimet, njohjet, ndarjet me shokë aq të shumtë, të mirë e të dashur, gëzimet, hidhërimet, vlerësimet, qortimet! Po tani? Sidoqoftë, më mirë që u shkëputa, se në këtë kohë trazirash dhe pa sigurie, po qe se do gaboja, nuk kisha kohë të korrigjohesha dhe do të më shkonin, gjithë këto vite pune, dëm.
              Sa zbrita shkallët, dola nga porta e madhe dhe mërita te Sheshi para Komitetit, takohem ballë për ballë me ish kolegun tim M Kapaj. Mendova, sipas shembullit të tij, do nisja një biznes privat, por për këtë, së pari, duhej njëfarë kapitali. I shpjegohem, shokut të vjetër dhe i kërkoj ndihmë të
përkohshme financiare, se e dija që ai, si ish socialist, ishte ndihmuar nga të  tijtë me fonde grant dhe kredi.
              -Nuk kam asnjë lekë. Të më besosh, i dashur Luan, të gjitha paratë që disponoja i "futa në lojë", në tregtinë me plehrat kimike. Po, dale, dale!
Mund të zgjidhesh kollaj, se unë njoh një shok që mund të të kreditojë shuma të mëdha parash dhe me leverdi, se ai i jep paratë me interes mujor të ulët, vetëm 10%.
                Unë u çudita shumë, se kurrë nuk më shkonte mendja se mund të kishte fajdexhinj kaq të egër.
                Jo, faleminderit! Unë nuk mendoj t'i fitoj, këto nivele mujore interesi, as për një vit.  Kështu do të më duhej të bëhesha borxhli i përjetshëm.
                Sapo u ndava nga M, po në atë shesh, çfarë rastësie, shoh Ladi Muhon, një ish mundës kampion vite më parë, kur unë isha trajner i tij, që tani, në këtë kohë të çuditshme, merrej me llotosport dhe i nxirrte lekët  me lehtësi, si simite furi. I përsëris kërkesën dhe ai, skish kohë për të humbur, po më
thotë, i shpejtuar:
               -Sa para do?
               -40-50 mije lekë të reja.
               - Hajde sot, pasdite në shtëpi, në ora 4, fiks, ti marrësh.
               - Dale, dale, mos ik, të merremi vesh më parë: Me sa përlind mi jep dhe për sa muaj?
              - Profesor, i dashur! Mos më humb kohë dhe, më falë që po ta them, mos fol broçkulla.  Pa përqindje interesi dhe," kur të kesh me thasë të mi kthesh me qeska"
               Kështu, e sigurova kapitalin minimal që nevojitej për startin.
              
               Me Rakip Bektash Hoxhën, nga Panajaja e Vlorës, që kish profesion
inxhinier pyjesh, punësuar aktualisht, në Ndërmarrjen Komunale të Gjelbërimit
Vlorë dhe  që ishte burri i Ritës, vajzës së Rahimesë (çupa e madhe e xhaxhait
tim, Hilmi Çipi), afër shtëpisë, ku ata banonin, pranë rrugës Transballkanike, aty ku ndahet kufiri me Çolen, ne ngritëm një barakë me llamarina dhe nxorëm licencë për "tregtim fruta perime e artikuj të ndryshëm". Qysh në muajin e parë
të punës, në muajin gusht 1992, ne, arritëm në përfundim se, me të ardhurat që do siguronim, mund të rronim normalisht dhe, kryesorja, të kishim burimet e nevojshme dhe kështu, djali im, Kamani, student për mjekësi në Universitetin e Tiranës, do të vazhdonte pa kokëçarje studimet. Këtë aktivitet ne e vazhduam edhe në vitin 1993, 1994, deri më 20 qershor 1995, plotë katër vjet. Ishte barakë e pa dukshme, anës me llamarina dhe lart me pllaka eterniti, por e mbushur plotë me artikuj kinkalerie, cigare, biskota e çokollata, sallam, sheqer, oriz e makarona deri vaj ulliri e qumësht të freskët, si dhe fruta e zarzavate. Fitime siguronim dhe nga grumbullimi, transporti dhe shitja e shisheve bosh.
     
                Me ndërmjetësinë e  Dhimokrat Makrisë, zooteknik nga Dropulli, që ishte burri i Dianës, kushërirës së Hanëmes, unë vazhdova bisedimet me tregtarët grekë Kostas Dhimos, financier tatimesh nga Trikalla dhe Dhimitri Dinapojas, ekonomist tregtie, menaxher i një firme tregtare athinase. Ne, së bashku, krijuam një ndërmarrje të përbashkët greko shqiptare, ku unë u punësova si administrator i përgjithshëm, partaim, me pagë minimale. SHPK.-ja, e krijuar në Tetor të vitit 1992, morri emrin "Aulona Impeks". Fillimisht u importuan dhe u tregtuan fill leshi për qylymat dhe më pas sallam, miell, bojëra, makina qepëse, prodhime plastike etj. Rezultatet ishin minimale dhe kishin lëkundje, në vartësi të politikes shtetërore me Greqinë.  Në dispozicion të firmës, nga pala greke, u vunë një autokamjon Benz 10 T. me rimorkio si dhe një furgon frigorifer Benc 3 T. i specializuar, për transport sallami. Në fund të vitit 1994 këto mjete, që edhe ashtu, ishin të përdorura, pa shërbime e remonte, u amortizuan
plotësisht dhe ngelën në Greqi.
            Paralelisht me Aulonën, në tetor të vitit 1993, me po këta pronarë enigmatikë, por me përvojë dhe energjikë, u krijua një tjetër firmë greko-shqiptare, me administrator inxhinierin e pa lodhur të ndërtimit, njeriun e mirë e të aftë, vlonjatin Mihallaq Hanxhari, ku unë u përfshiva, si ndihmës dhe financier i tij. Me të, pasi u pajisëm nga grekët me disa makineri e agregate të thjeshta ndërtimi, dhe duke pasur në dispozicion, si mjet transporti, furgonin tim tip Fiat 242 me kapacitet 1,5 ton, që e drejtoja po unë, ne ndërtuam "Kishën e Skrofotinës", duke restauruar nga e para atë, mbi rrënojat e Kishës së Vjetër  të "Parashqevisë së Skrofotinës", të frekuentuar, kryesisht, nga besimtarë vlleh. Aktiviteti i grekëve guximtarë dhe me përvoje biznesi, u shtri dhe në turizëm, duke marrë me qira dhe gjallëruar "Kampin e Ri" të punëtorëve në Ujin e Ftohtë të Vlorës, të cilën e administroi direkt po pa
sukses, në kushtet e  konkurrencës dhe të pretendimeve te ish pronarëve, Dhimokrat Makri me të shoqen e tij Diana.
            Gjatë kësaj kohe unë bashkëpunoja, njëkohësisht, në tre aktivitetet:
Në kioskën e tregtisë me shumë artikuj, së bashku me Rakip Hoxhën dhe me gratë tona; në ShPk.-ën e Tregtisë "Aulona Impeks", me Dhimokrat Makrin dhe në ShPK-ën e Ndërtimit "Balltek" me inxhinier Mihallaq Hanxharin.
    Në të njëjtën kohë, nga dhjetori 1992, deri më janar të vitit 1994,
me 10 shokë nga qyteti i Vlorës krijuam Shoqërinë Autonome "Vlora". Qëllimi i krijimit të ShA "Vlora" ishte që, me një kapitalmodest të investuar nga secili,
të zhvillonim aktivitet tregtar lokal. Në këtë shoqëri u futën Shefqet Levendi, i përndjekur politik, që u vu në krye dhe biznesmenë të tjerë të vegjël, po që
ishin pinjollë të ish familjeve të pasura të qytetit të Vlorës, si Selaudin Xhyheri, Kudret Sharra, Feta Mustafaraj, Luftar Sulaj, si dhe Vilson Sina dhe Agim Traga. Si e tillë u mendua se Shoqëria do kish përkrahjen dhe ndihmën e shtetit të ri demokratik me kredi dhe përparmi në privatizim, gjë që nuk u vërtetua. Pjesëtarët e shoqatës i ruajtën më vete dhe aktivitetet e tyre personale dhe nuk ju përkushtuan mbarëvajtjes së firmës së përbashkët. Ajo
tregtoi sapun të prodhuar nga ndërmarrja e Vlorës, disa produkte të mbetura të Kombinatit të Konservave, disa mallra nga Rezervat e Shtetit, importoi një sasi mollenga Maqedonia dhe pula të gjalla nga Italia, si dhe tërhoqi e shpërndau
pije alkoolike nga Vriseraja. Shoqata vepronte me 2 automjete të blera me kredi nga SME ja. Fitimi i realizuar rezultoi që me zor mbulonte vetëm shlyerjen e kredisë. Për pak më shumë se një vit kjo ndërmarrje u mbyll dhe kapitalet u rishpërndanë. Mua me ngeli në pjesë automjeti Furgon 1,5 ton.
               Nuk mund të ri pa përmendur se periudha nga tetori 1993 deri në fund të vitit 1995, kur unë punova me Mihallaq Hanxharin, në ndërtimin e Kishës së Parashqevisë në Skrofotinë ishte ajo që më dha më shumë kënaqsi dhe rezultat.
Në këtë firmë ishte si financues Komuniteti Ortodoks i Tiranës, por kontributin kryesor e jepnin grekët dhe inxhinieri greko-amerikan Panajotis Metaksatos. Unë atje isha në pozicionin e nëndrejtrit administrativ, por bëja çdo lloj pune deri financier dhe shofer kamioni, për transport materialesh. Të ardhurat mujore personale neto shkonin rreth 30 mijë lekë. Në këtë veprimtari. veç inxhinierit
Mihallaq Hanxhari, me të cilin kishim shkuarje dhe mirëkuptim të shkëlqyer, duhen kujtuar dhe specialistët e ndërtimit çobani vendas duarartë Leonidha Kaçani dhe tre vëllezërit çam Xhemali, Halili dhe Myslymi, si dhe epitropasi vendës i kishës së Shënepremtes, Llambro Llambraj (Xha Lamja).
                   Paralelisht me këto, nga 1 mars 1995 fillova punë te Firma "Europlast" ShPK. Fier, fabrikë bashkëkohore për prodhim sfungjeri me aftësi prodhuese 400 dyshekë sfungjeri në ditë. Ishte propozimi i djalit të dajë Fejziut, inxhinierit mekanik, Petrit Peshkëpia, i cili do bashkëpunonte me kolegun e tij, minoritarin gjirokastrit  Jorgo Mano. Ata më thërritën disa herë në Patos, ku banonte aso kohe, familjarisht, Petriti dhe unë, së fundi, rashë dakord që të punësohesha si financier i firmës, me pagë 35 mijë lekë në muaj. Sipas plan biznesit të hartuar dhe përllogaritjeve përkatëse, investimi do të
ishte rreth 80 milion dhrahmi dhe do të shlyhej Brenda 8 deri 10 muaj. Petriti, që luajti rolin kryesor për të siguruar, nëpërmjet miqve të vetë të "ALBPETROLIT", mjedisin përkatës, ku do montoheshin makineritë, që po i sillte Jorgua nga Greqia, do të ishte bashkëpronar. Për të rritur masën e kapitalit, i
cili do maste raportin e shpërndarjes së fitimit për secilin, unë i sugjerova Petritit ta rriste kapitalin e vetë. I dhashë, për këtë  kursimet e mia dhe te fëmijëve te mi emigrant një vleftë ne para, që formonte gati 10% të gjithë kapitalit të investuar, duke e këshilluar të gjente me kredi dhe lekë të tjera
dhe kështu të rriste përqindjen e bashkëpronësisë, mundësisht 50 me 50, me që fitimi parashikohej shumë i lart. Kjo kishte logjikë ekonomike dhe ishte detyra ime t'ia sugjeroja, si ekonomist dhe kushëriri i Petritit.
           Dorëzimi i pareve nga ana ime u bë në prezencë të djalit dhe nipit të tij dhe u nënshkrua dokumenti përkatës i huamarrjes investuese.
                   Nisi montimi i makinerive, me ndihmën e specialistëve grekë dhe përshtatja e godinës, sipas projektit teknologjik, që përfundoi, brenda dy muajve. Ndërkohë unë aktivizohesha çdo ditë në punë të çfarëdoshme, deri dhe montator, krahas punës të hartimit të dokumenteve dhe  të hapjes se librave
kontabile.. Vija çdo dite, që në mëngjes nga Vlora, në Fier dhe rija deri në mbrëmje. Shpejt filloi me sukses prodhimi dhe shitja e sfungjerit, që rezultoi me cilësi të lart. Lëndët e para, disa kimikate, i sillte Jorgo Mano, nga Greqia. Pa filluar prodhimi dhe shitja Jorgua ma kish reduktuar pagën në 15 mijë
lekë në muaj. Kjo ishte ndryshe nga marrëveshja jonë, por unë arsyetoja se paga do rritej me fillimin e prodhimit dhe sigurimin e të ardhurave. Edhe më vonë, kur nisi të shitet prodhimi, nuk u respektua marrëveshja dhe paga nuk u rrit.
Pasi protestova për këtë, vura re që edhe Petriti, nuk më përkrahu, prandaj unë, duke u ndodhur para një pabesie, an bllok, kërkova largimin dhe marrjen e menjëhershme të  kredisë së investuar, sipas marrëveshjes. Arsyetova se vetëm atë shumë po të vendosja në Bankë, do merrja më shumë interes nga paga që më jepej. Sipas marrëveshjes me shkrim kërkova menjëherë kthimin e shumës, po edhe kjo nuk u bë plotësisht.
              Me 20 qershor, pas gati 4 muaj pune, largohem përfundimisht, nga këta persona qe shkelën kushtet e kontratës. Edhe 2-3 muaj të tjerë punoj me sukses  e normalisht linja e sfungjerit. Një ditë morra vesh se ajo u dogj dhe u bë shkrumb, si rezultat i një pakujdesie të saldatorit, që po vinte hekura në dritaret e saj. Kështu u mbyll kjo aventurë. U mboll pabesi dhe u korr fatkeqësi.

                            TE ''VEFA HOLLDING''


                      Në datën 4 korrik të vitit 1996, në selinë e "VEFA Hollding", në një zyrë komode, të denjë për një mbret, takohem personalisht me Bosin e shumëpërfolur të Kompanisë, Vehbi Alimuçin. Kjo u arrit sipas propozimit, ndërhyrjes dhe në prezencë të Gjergj Habilaj, këshilltar i tij, agronom, nga Vajza e Vlorës, me të cilin ishim njohur, deri familjarisht, kur ai ishte Kryetar Kooperative, në fshatin e tij.
                     E pash Vehbiun, të rehatuar në poltronin e tij, me një shishe Uiski mbi tavolinën luksoze, që duket sa e kish zgjedhur dhe e kish nxjerrë nga bufeja e posaçme, tejet e mbushur me pijet nga më të shtrenjtat e botës. Me pamjen e një sheiku aziatik, apo pashai turk, me peshë, po energjik, kokëmadh e fytyrë kuq, hundështypur, me një kaçurrel floku mbi ballin e gjerë, me rrudha. Na takoi, duke u ngritur e na dha dorën si me përtim e lodhje dhe pasi u ul, rrahu shuplakat. Shpejtë erdhi një bukuroshe e shëndoshë me dekolte irituese, mbuluar gjoksin lakuriq me gjerdan ari. Pashai porositi shërbimin dhe pasi na u mbushën gotat me uiski, nisi bisedën, duke gjerbur me kënaqësi nga gota e vetë e praruar.
                  - Fol, o Gjergj! Ç' na ke qullosur, sot?
                  -Ky është Luani, që kemi biseduar. E kemi nga anët tona.. Ekonomisti më i mirë i Vlorës. Për shumë vjet, kreu i ekonomistëve atje, pedagog universiteti dhe shkencëtar i mirëfilltë. Gjergji fliste me zë të ulët, si nëpër dhëmbë.
                - E ç'më duhen mua komunistët e mirë, apo, qoftë dhe krerët e tyre. Tani ne jemi mbi partitë, foli me humor vërmiku, Bosi.
     - E thashë me "e", përpara. ekonomist, përsëriti Gjergji, këtë radhë, duke ia mëshuar germës 'e'. Se, tamam "komunist" nuk mund ta quash Luanin. Madje, vazhdoi , duke ja futur kot, vajzjoti, ky, ka tendencë të anoi nga e djathta, si i klasës ish të përmbysur, që është. Nuk është kot mik i Adhurim Musarajt. ky.
                   -Si, ore, vazhdon lojën Vehbiu, qenka miku i Agron Musarait, Ministrit të Rendit, kundërshtarit tim personal? Po qe kështu, ç'e dua unë këtë, të më vejë prangat?  Dhe qesh e qesh…
                   Pas këtij lloj humori lab, futemi drejtë e në temë.
                 -  Gjergji! Flet Vehbiu: Lëri shpjegimet dhe biografitë, se këto i dimë hollësisht, i kemi hetuar e gjykuar qysh më parë, bashkërisht, apo jo?
                    Tani dëgjomë, ti, o Luan Çipi, vlonjat, me origjinë nga Gjirokastra:
                   -Kemi menduar të punosh me ne, si zëvendës drejtor në Filialin e VEFA.-s, .dhe do bisedojmë konkretisht... Edhe diçka tjetër: E kemi si rregull që depozitat vetjake, punonjësit tanë, i kalojnë te ne. Ti, je pronar edhe në Hotelin Turistik. Atë mendoj ta blejë Kompania jonë. Pra do bëhemi bashkëpronarë, se unë mendoj, në të ardhmen, ta ndaj në aksione kapitalin e shumtë të Kompanisë dhe kreditoret e sotëm, ti kem bashkëpronar..
            Pasi pimë pijet dhe kafetë ekspresë, shumë të shijshme, që u porositën nga Bosi me të rëna shuplakash, që u bënë aty pranë dhe u shërbyen nga ..bukuroshja përkatëse, u puthëm e u përqafuam, me urimet për punë të suksesshme.
                 Bosi mu duk i zgjuar, energjik dhe i prerë, bile, kishte edhe një qëllim dhe një vizion të drejtë, për të ardhmen e Kompanisë së vetë. Nga ana tjetër ai kishte grumbullua , si ndihmesa, këshilltarë dhe nëpunës të Kompanisë edhe punonjës të aftë si  Z. Koço Skënderi, Velezi Avari, Esat Bashari, Vasfi Duka, Emin Mysliu, Gjergj Titani dhe dhjetëra financierë e inxhinierë,  me emër për kohën.
                 Në Selinë e Vefa.-s në Vlorë, ngritur apostafat te një pallat tre katesh, në zyra komode të rikonstruktuara e të pajisura më së miri, deri të kompjuterizuara, me shumë policë e batigardë, unë shkova, po atë ditë, por nuk u vendosa në zyrën e drejtorit, ku më porositi  Vehbiu, por në atë të nëndrejtorit. Prezantimin e bëri Mustafa Koçeri, çuni i hallës i Vehbiut, që mbahej nga Bosi afër në Tiranë, si besniku numër një i tij, në pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kompanisë. K, piloti vërmiqot, ish drejtori, bashkëfshatar i Vehbiut, pasi më dorëzoi çelësat, po ikte, i pakënaqur, se kishte fare pak kohë në atë pozicion dhe as që ishin provuar aftësitë e tij menazhuese. Kur ma shprehu pakënaqësinë, e ndala dhe i thash:."Unë do kisha qejf të punoja e të kisha në krye  një drejtor, kushdo që të ish, për t'u marr më mirë me punët e mia të drejtimit ekonomiko-financiar. Ai mund të ishe edhe ti.
Nuk të njoh, po, s'të kam faj. Largimi yt nuk ka lidhje me mua". Duket se u mirëkuptuam.
                 Pas largimit të K, mu prezantuan: Shefi i Kuadrit i Filialit, që ishte nipi i Vehbiut, një ish oficer ushtrie; djemtë e Vebiut me gruan e parë, njeri Drejtor i Fabrikës së Birrës, që pinte shumë alkol,tjetri, Nëndrejtor, sa për emër, i Fabrikës së Tullave, që gjithë ditën lëvizte me makina komode, luante me letra, dhe, më e keqja, shpenzonte kohë e para për të përfunduar punimet te vila e tijluksoze; Neqezi, vëlla i Vehbiut, i pashkolluar, por, që në fakt ishte syri dhe veshi i Presidentit dhe merrej
kryesisht me arkat e depozitimit të kreditorëve; dhjetëra kushërinj e bashkëfshatarë të tij, që rinin nëpër këmbë kot së koti, por merrnin rroga të majme. Këta lloj vampirësh që të pa ngopur, çdo ditë thithnin pafundësisht gjakun e "Kompanisë Gjigande", secili më vete, më takonte, diç tregohej, krekosej, urdhëronte, porosiste, këshillonte, bënte vërejtje. Vetë Shefi i Kuadrit, me atë ndjenjën e krenarisë analoge të kësaj lloj zyre në të shkuarën, më dërgoi me sekretaren e vet, (një tjetër mbesë e Presidentit, po kjo shumë njeri i mirë dhe ekzigjente në detyrë) një listë për pushime nga puna, me porosi që unë ta miratoja dhe ta firmosja. Unë, natyrisht, pa argumentimin përkatës, nuk e firmosa dhe ai nuk duroi, po erdhi i acaruar në derën e zyrës sime për të më kërkuar llogari:
          -Po, ç'janë këta dhe pse duhet të largohen, e pyes unë.
          -Janë lakenjtë e ish drejtorit, që i ka marrë në punë, personalisht, pa më pyetur mua. Kjo, këtu, e para në listë, është dashnorja e tij,  ky është kushëriri i tij i parë, shofer, ky…
         - Pse duhet t'i largojmë? Në ç'vende pune janë? Si kanë punuar? Ç'masa paraprake disiplinore janë marrë për ata? Ku është praktika dokumentare? Më sill dosjet e tyre! Dhe unë nuk e pashë të arsyeshme të firmosja largimin e tyre. Po, dhe nga ana ligjore ishte shkelje. Kisha të bëja me njerëz dhe po të shkelja të drejtat e tyre, do kisha përgjegjësinë përkatëse, deri te përballja me organet gjyqësore.. Ndryshe po të urdhëronte me shkrim vetë pronari.
                    Puna e parë që bëra ishte njohja direkt e punëve në fabrikat dhe repartet e ndërmarrjes, që siç e pashë në praktikë, ishte bajagi e madhe. Vizitova Fabrikën e Tullave, Fabrikën e Birrës, Baxhon e madhe të qumështit buzë lumit Shashicë, afër Urës së Peshkëpisë, Supermarketin e madh, në qendër të qytetit, Kompleksin Turistik Modern në  Plazhin e Ri të Ujit të Ftohtë, Lokalin Turistik të Llogorasë, Qendrën e Avolxhimit të Elektromotorëve te Centrali i Vjetër i Qytetit, Parkun e madh automobilistik në Zonën Industriale të Qytetit (Ish Parkun e Industrisë), Poligonin e përpunimit të Inerteve të Ndërtimit në Mifol, Magazinat e Shitjeve me Shumicë në Fabrikën e Orizit dhe te Punishtja e Pastave, Hangarët dhe Depot te SMTeja e Pusit të Mezinit, Ngrehinat e Fabrikës së Vajit Dhërmi, etj.
              Në shumë vende pune gjeta në drejtim shokë dhe miq të njohur. Me ta u morëm vesh, për përmirësimin e shpejtë të gjendjes, duke përcaktuar detyra konkrete. I porosita që të studionin dhe të përcaktonin plan masash me detyra konkrete përmirësuese, që secili të rezultonte me fitim dhe vetëfinancim, të bënin rregulloren e brendshme, me detyra për çdo vend pune, si dhe studimin për
zhvillimin perspektiv të çdo veprimtarie.
               Të nesërmen kisha organizuar një mbledhje me drejtorët e Fabrikave dhe të Njësive Autonome, për të analizuar punën e deri atëhershme dhe për të përcaktuar masat përmirësuese. Para mbledhjes, sapo hyja në sallë, K, ish Drejtori i pushuar para një jave, më thotë: Zoti Luan, a mund të vijë dhe unë në mbledhje? Unë u çudita. Si, ky, i pushuar me ceremoni nga puna ka paturpësinë të
kërkojë të marrë pjesë në mbledhje, por mendova se s'ka ç'më prish, bile, ndofta mund të japi dhe ndonjë mendim, apo të zbulojë ndonjë mangësi. Ai u ul në një qoshe dhe veç sa dëgjonte, me buzën në gaz. Mbledhja shkoi shumë mirë dhe ia arriti qëllimit, për të programuar masa efektive përmirësuese. Pasi dola nga mbledhja dhe u futa ne zyrën time të nëndrejtorit, ish Drejtor K , që më shoqëroi, nxjerr nga xhepi dhe me jep një cope letër, të firmosur nga Presidenti. Ai shkruante:
                 "Luan! K të fillojë prapë punën si Drejtor. I ndani detyrat me njeri tjetrin."
                Privati bën ç'ti dojë qejfi, thashë me vete. I dhashë çelësin e zyrës K dhe ai nisi sërish punën e drejtorit  fuqiplotë. Mendova se sa mire bëra që nuk u vendosa te Zyra e Drejtorit dhe sa mirë që nuk i pushova nga puna beniaminët e tij. Më tej mendova se kjo do vlerësohej, sado pak nga K, por ai
rezultoi pa më të voglën vlerë, as si njeri në shoqëri dhe pa asnjë aftësi drejtuese, organizative, ekonomike e administrative. Brenda 3-4 muajve që ndenji me mua u evidentuan disa tipare të karakterit të tij, shoqëruar me veprime, mosveprime e intriga dëmprurëse:
                  -Ishte inkopetenca e tij që shkaktoi vonimin dhe dështimin e marrjes së leverdishme të "Hotelit Turistik" 10 katesh, në ndërtim, te qendra e Vlorës. Vonesa në blerje, mos dhënia e kaparit, tentativa për të ulur vleftën e premtuar nga vetë Vehbiu, me shprehjen "pse atë gërmadhë do blejmë kaq shtrenjtë", shkaktoi mosbesimin e bashkëpronarëve dhe ndërhyrjen komprometuese
të blerësve të tjerë .
                  -Ju kundërvu, pa takt dhe pa argumente bindëse, vëllait dhe djemve të Vehbiut, i akuzoi ata për vjedhje e shpërdorime, pa vërtetuar me fakte e dokumente, deri sa u grind dhe u rrah keqas me grushte, duke shkaktuar një anomali e përçarje të plotë për mbarëvajtjen e punëve. Siç dihet ata merreshin, de fakto, me paret edhe kreditorët dhe zinin pozicione kyçe në drejtim e në lidhjet direkt me Bosin.
                  -Tentoi të më mënjanojë nga të drejtat dhe kompetencat e mia te drejtimit ekonomik, u përpoq të më ndërpriste në burim, marrjen e njoftimeve ekonomiko-financiare dhe pengoi daljen në vetëfinancim të çdo njësie prodhuese, çka ishte motoja dhe leva ime për stimulim dhe ndryshim.
             - Frenoi depozitimin e thesarit tonë në Bankën e Shtetit me interes depozitimi, për monedhat në lekë dhe dhrahmi, për të paktën, një periudhë tremujore, kur ato rrinin aty të vdekura ndër vite. Për këtë u desh ndërhyrja ime në Qendër.
.              Prapësitë e tij ishin të pafundme. Këto i kryente me një delir madhështie të pa imagjinuar, duke deklaruar se jam jo vetëm pilot klase dhe instruktor pilotësh i shquar, por dhe "ekonomist i lindur", "teknolog druri e balte", "piktor", "skulptor" dhe s'ka gjë që mos ta bëj vetë, më së miri, me mendjen time gjeniale dhe duart e mia prej artisti.
                 Në të vërtetë, gjatë 4 muajve, K, nuk kreu asnjë punë ulur në Zyrë, nuk formuloi e nuk nënshkroi asnjë dokument, nuk bëri asnjë program pune, nuk hartoi asnjë plan, nuk bëri asnjë analizë ekonomiko-financiare, nuk  studio e nuk denjoi të shihte  e nuk firmoi asnjë bilanc kontabël. Në katër mbledhje, që organizova për të analizuar punët e muajit dhe për të shtruar detyra, me drejtuesit e njësive ekonomike, mori pjesë, vetëm, në dy prej tyre, ku, në  njërën erdhi me vonesë dhe në tjetrën iku para kohe. Jo vetëm kjo, po ai vepron pabesisht dhe në fshehtësi. Kështu dha urdhër për pushimin e Ejup Mitës, që e nderonte Kompaninë. Ejupi, me propozimin tim, u vendosu nga Presidenti për drejtimin e Bujqësisë dhe të Blegtorisë, që ishte epiqendra e zhvillimit në perspektivë të Kompanisë. K i komunikon pushimin, e riemëron dhe e ripushon. Po kështu vepron me kuadrot e shquar inxhinierin Petraq Karaj, e Llazar Nasto, me ekonomistin Viktor Jovani dhe veterinerin Sinan Sinani. Nga ana tjetër ai bëhet një model i keq disipline për administratorët e tjerë të ekonomisë, duke qëndruar vetëm pak orë në punën e Kompanisë, duke u marrë me punët e tij personale e private.
                   Pavarësisht këtij faktori pengues regresiv, shpejtë, në Filialin e Kompanisë VEFA Hollding, në Vlorë filluan të ndryshojnë e të përmirësohen rrënjësisht disa  drejtime pune e veprimtarie:
                   -U përmirësua dukshëm puna për mbajtjen e evidencës ekonomike për të ardhurat dhe shpenzimet me objektivin e vetëfinancimit dhe të shtimit të fitimit në çdo njësi ekonomike.
                   -U bënë programe pune mujore dhe u organizua ndjekja, kontrolli dhe analiza mujore e punës.
                   -U përsos struktura organizative drejtuese dhe u morën e u vendosën në drejtim specialistë nga më të mirët në rreth. Të tillë ishin Ejup Mita dhe Sinan Sinani për sektorin e bujqësisë, Arjana Tushe, Viktor Jovani dhe  Jani Sotirovski, për ekonominë dhe tregtinë, Llazar Nasto, Florian Kapaj,
Bashkim Habili, Bardhyl Boro, Mitat Balili, Halim Dervishi, Bexhet Ganaj, Ylli Gaba, etj., të gjithë inxhinierë në zë.
                    - Nën drejtimin e këtyre specialistëve me përvojë e aftësi filluan kudo zgjerimet e aftësive prodhuese e tregtare, u kryen përmirësime e modernizime të teknikës e të teknologjisë, mbi bazën e kritereve të studiuara mirë e të vendosura kolegjialisht, të cilat i ndiqnin çdo dite me kujdes. Kështu u bënë punime përmirësuese e ndërtuese në Kompleksin turistik në Ujin e Ftohtë e në Llogora;  u vendosen furrat e tharjes dhe mekanizimi i transportimeve në Sektorin e Bobinazhit; u ndërtua Fabrika e re e Sallamit, me specialistë dhe teknologji e makineri të ardhura nga Gjermania; u përmirësua e u kompletua me sistemin ftohës Baxhua në Peshkëpi; filloi rikonstruksioni e modernizimi i Fabrikës së Tullave, sipas projektit Rumun dhe me makineri, teknologji e specialistë rumunë; u krijua Qendra administrative për Ndërmarrjen e Re të Ndërtimit; u përfunduan magazinat e mëdha te Furatë e Bukës; u bënë përmirësime në rrjetin  e ujësjellësit dhe në teknologjinë e fraksionizmit të inerteve në Mifol dhe u studiua Qendra e Re e Inerteve në Shashicë, etj.
                  Pavarësisht nga këto arritje edhe në Filialin e Vlorës vazhdonin të bashkëjetonin, si parazitë:  kushrinjë qylaxhi, roje koti, batigardë të armatosur deri në dhëmbë, "propagandistë", "historianë", "biografë", këngëtarë", "sportistë profesionist", shushunja të vërteta, që thithnin çdo ditë gjakun dhe djersën e mijëra nevojtarëve kreditues.
                     Në muajin Dhjetor të vitit 1966, Drejtor i përkohshëm kishte ardhur aty vërmiqoti Memush Habili. Ai, kryesisht, por bashkë me të dhe kushëriri i Vehbiut, Mustafa Koçeri, erdhën të qetësonin gjendjen dhe të shuanin sheret midis farefisnisë dhe bashkëfshatarëve të vetë, si dhe të parandalonin katastrofën që parashikohej, në drejtim të fajdeve, në parandalim të karakterizimit të Kompanisë, si rentiere dhe të papastërtive të vërejtura në këtë veprimtari, që bëheshin larg syrit tonë dhe kryesisht në pjesën që kish lidhje me arkat e kreditit, ku ne e kishim të ndaluar pjesëmarrjen. Midis masave të marra prej tyre ishte dhe largimi i pajustifikuar nga puna i bashkëpunëtorëve të mi më të mirë dhe më të aftë Ejup Mita, Petraq Karaj, Viktor Jovani e Llazar Nasto. Unë protestova dhe dorëzova çelësat e zyrës, në mënyrë demonstrative.
                     Në 15 ditshin e dytë të dhjetorit të vitit 1996, më propozohet detyra e nëndrejtorit të Minierës së Selenicës, që sa ishte blerë në masën 70% nga Kompania VEFA. I detyruar nga lidhjet e imponuara  për aksionet prej  5.1%, si pjesëtar në Hotelin Turistik në ndërtim, që fillimisht e bleu Vehbiu dhe për mos sakrifikimin e depozitave, për këtë dhe të tjerat, që kisha si kreditor i Kompanisë VEFA, u detyrova ta pranoja këtë vend pune.
                      Në Minierën e Bitumit në Selenicë më pritën mirë. E nisa punën me hartimin e Rregullores se Brendshme dhe caktimin e detyrave të hollësishme për çdo vend pune të personelit administrative dhe inxhinjero-teknik, Planbiznesit, Preventivit të punimeve intisifikuese e prodhuese dhe Kostos se prodhimit, deri në kufijtë e caktimit të çmimeve për bitumin e pastruar dhe zhavorrin bituminoz.  
                     Nga llogaritjet, në bashkëpunim me specialistët, rezultoi se në Minierë punohet me humbje të konsiderueshme, jo vetëm se nuk ka treg shitje për bitumin natyror, por edhe shpenzimet janë aktualisht dhe do të jenë të mëdha edhe për të ardhmen. Kostua për prodhimin dhe shitjen e një toni bitum natyror rezulton 170 $, ndërsa e qymyrit bituminoz (zhavorrit) 37 $, ndërsa aktualisht çmimet e shitjes ishin 120 $ për bitumin dhe 20 $ për qymyrin. Miniera ha dhe do te hajë çdo muaj 100.000 $ shpenzime, dhe gjysma e tyre do të jenë humbje, edhe po të supozojmë se i gjithë prodhimi do shitej. Kjo, gjithashtu është e pamundur se, për këtë lloj bitumi, nuk ka treg shitje as për
vendin dhe aq me pak për eksport dhe qindra ton mbushnin sheshet në Minierë dhe
në piacalat e hekurudhave.
                   Lind pyetja: Pse u morr dhe pse vazhdon puna në këtë Minierë, që nuk i duhet dhe nuk do t'i duhet kujt?
                 Personeli drejtues e inxhiniero teknik i Minierës së Bitumit Selenicë formohej nga punonjës me përvojë e të përkushtuar, por pa ngarkesën e duhur. Më shumë janë të ngarkuar me punë Nazmi Osmani, kryeinxhinier i Minierës, Maliqi, Kryetari i Degës Teknike dhe Vangjel Bombaj, që merret mefurnizim-shpërndarjen dhe kontrollin e cilësisë. Të tjerët janë të pa ngarkuar me punë dhe, disa prej tyre, të tepërt.
                L K, Drejtori i Minierës, fillimisht, më priti duke shfaqur gëzim, deri entuziazëm, duke më vlerësuar me superlativa, po shpejtë, morri qëndrim të kundërt. As sot nuk e shpjegoj dot këtë ndryshim mendimi e qëndrimi.
Mos ai u bë xheloz dhe pati frikë, mos e s'postoja? Mos u tremb se do vërtetoja ato që thoshin për të se ish pasuruar nga që shpërdoronte që prej disa muajsh?
Apo mos mendoi se do ndikoja në mbylljen e aktivitetit të Minierës, që u zbulua se shkaktonte shumë humbje dhe ishte pa perspektivë? Pavarësisht nga këto, unë,  me pastërti e pa tendencë keqdashëse, isha mësuar të ndeshesha edhe me njerëz të kësaj kategorie. Të tillë po bëheshin shumë në këto vite të trazuar ndryshimesh.
Këtë qëndrim indiferent e përbuzës nuk e vija re edhe sepse të gjithë punonjësit atë e gjykonin për njeri me rezerva, ndërsa te unë shprehnin çiltërsi, respekt dhe dashuri. Të tillë ishin jo vetëm drejtuesit kryesor teknik, por edhe gjithë të tjerët, pa përjashtim, kolegët e mi të dashur e të pa harruar Miti, Osmani, Izeti, Gezimi, Josifi, Kapua e deri te minatorët, kur me shihnin të ulesha në Pusin Qëndror e të hyja në galeritë, apo punëtorët e ndërtimit e të mirëmbajtjes dhe ata të Furrave të Shkrirjes së Bitumit, kur punoja bashkë me ta dhe si ata.
           Në ditët e fundit, me shumë interes, thuajse gjithë ditën, merresha me rindërtimin e mjediseve të shkatërruara barbarisht, si pasojë e reprezaljeve të tranzicionit, pas thirrjeve për ta nisur nga kuota zero. Kështu rindërtuam godinën e bërë rrafsh me tokën të Pusit Qëndror, si dhe atë të Sektorit "SeitAbedini", si të  vetmet pika që u rihapën për punë normale, si dhe të Sektorit të Kazanëve të shkrirjes së bitumit natyror..
           Në ditët e para të vitit të ri 1997, për familjet e punëtorëve të Minierës, u organizuan furnizime të bollshme, nga Depot e Filialit të Vlorës, të ushqimeve dhe pulave, me çmime të ulura, sipas porosisë dhe miratimit të Bosit.
          Në ditët e para të muajit mars 1997, në kulmin e ngatërresave dhe terrorit spontan të rrugës, duke kapërcyer vështirësitë dhe rreziqet e shumta të lëvizjes me plotë të papritura, unë shkova nga Selenica në Tiranë dhe morra takim me Vehbiun. I sugjerova atij të vendoste përparësi në likuidimin e
kreditorëve seleniciotë dhe të dërgonte me helikopter pagat e prapambetura të minatorëve.  Për këtë ai ra dakord, bile u prononcua dhe në televizor. U ktheva në Minierë dhe vendosëm sistemin mbrojtës të armatosur të saj. Më tej puna u vështirësua, ndërsa familja ime ishte shpërngulur në Tirane, te shtëpia e
djalit, që me 7 mars 1997 emigroi për Amerikë.
            U largova nga Miniera dhe Kompania më 16 prill të vitit 1997 dhe me 1 maj vendosem, pranë familjes, në Tiranë.

           Ngelem gjithnjë i mendimit se rruga e zgjedhur nga pushtetarët e çdo lloji ngjyre, për likuidimin e kësaj Kompanie Gjigande ishte e gabuar. Ajo duhet të ndihmohej, për t'u kthyer në një Bankë, me interesa optimale depozitimi dhe në një shoqëri aksionare vullnetare, ndërsa kreditorët që do të kundërshtonin, të shlyheshin, për kapitalin fillestar, gradualisht. Të gjitha aktivitetet prodhuese të Vlorës, siç thamë më lart, përjashtuar Minierën e Bitumit Selenicë, qysh në kohën tonë arritën të sigurojnë fitime minimale, burim për shlyerjen graduale të kreditoreve, ndërsa gjendja financiare e Kompanisë ishte realisht e shëndoshë. Në fund të fundit mund te shpallej falimentimi dhe likuidimi gradual, sipas ligjeve ne fuqi dhe përvojës botërore. Me sa duket për shkatërrimin e saj, në format e vërtetuara, u pleksen interesat e personave të veçantë, të cilët edhe përfituan  ekonomikisht, e më shumë politikisht.
               Në Tiranë vendosem fillimisht në shtëpinë e blerë nga Ani, në rrugën " Myslym Shyri" dhe pas dy vjetesh e shes atë dhe blej në një godinë, në ndërtim e sipër, një apartament dy dhoma e një guzhinë kati gjashtë, me sipërfaqe 110 metrokatrore, ne rrugën Mine Peza".
                Në Tiranë takohem me shokët e mi të vegjëlisë Harilla Papajorgji, Llambi Kona, Niko Gjyzari, Llazar Papajorgji, Sezai Hoxha, Minella Konomi, Tajar Bonjaku, Kudret Arapi, Bardhyl Golemi, Namik Shameti, Edmond Luci, Rami Shehu, Vasil Deçka, Lili Dodi, Namik Shameti, Dhimo Beleri, Edmond Luçi  dhe me vonë Irfan Bregu, Duro Mustafaj, Axhem Gjoni, Sadedin Gjoka, Milto Shuka, Ymer e Piro Veshi, Luan Gorishti, Nedxhat Mersini, Perlat Rama, Laver Muçohasani, Qerim Vrioni, Petraq Karaj, Nestor Jonuzi, Minella Mosko, Reshat Kripa, Taulla Bimo, Fatos Voshtina, Pandeli Mërkuri, Vasillaq Ndini, Vangjel Loli, etj. Me ta takohemi shpesh, bisedojmë, pimë kafe dhe hera herës, shtrojmë dreka e darka.
                Në Tiranë nisa të përpunoj shënimet e ditarëve të mi, të shkruaj e të përpunoj e botoj kujtime, vjersha  e tregime dhe reportazhe nga udhëtimet jashtë shtetit. Shumë kohë e kaloj në  kompiuter dhe  në internet. Po duket se, jeta e vërtetë aktive, ka marrë fund me periudhën kur ndihesha i dobishëm  për shoqërinë, fëmijët dhe të afërmit e mi dhe kur punoja, aktivizohesha në art e në sport dhe ndihesha i fuqishem fizikisht e mendërisht.
                 Do ti "lutesha Zotit", mos të jetoj shumë dhe të bëhem barrë e rëndë.
                 Me dy librat e botuara me rrëfenja dhe të tjerat të përgatitura
: Mos me harroni, Vlore, diell ne syte ne mi(këto në vargje), si dhe Jeta Ime, Njerëzit më
të dashur,  Nga Llogorai në Niagarë (reportazhe),  Portrete Miqësh  dhe Unë për të tjerët dhe të tjerët për mua, pra me këto 9  libra modeste, besojse e mbyll edhe krijimtarinë time letrare.



JETOVA AQ SA PUNOVA

Ditë e netë ikin rradhë, s'merret vesh kur vjen e diela
Ikin  muaj, dhjetëvjeçarë, si shalqi të ndarë në thela.
Familja ndihet  e ndarë në gjenerata të tjera.
Unë e ti, jo si  më parë, tani rrallë dalim nga dera.

Ngritur herët në mëngjes, në pritje për drekë e darkë
Gëzojmë kush t'na përshëndes, djalë e vajza i kemi larg.
Kujtojmë 50 vjetë të shkuar, kur u shtuan tre fëmijë,
Vitet ikën pa u kuptuar, ishim dy dhe ngelem dy.

Po një jetë të tërë sa shumë që gëzonim,
Kur  te ju fëmijë, përcillnim përvojën,
Se kur  ne punonim vërtetë që jetonim,
Largonim mërzinë, vesin dhe nevojën.

Ndaj në këtë moshë nuk ri dot pa folur:
Për ju,  bijtë  e mi, po shpreh një dëshirë:
Ndershmërisht punoni, ditë e natë pa u lodhur
T'u lini pasardhësve një emër të mirë
 Tiranë, më 08.01.2010

Komentet

Postimet më të komentuara nga ky blog

PËRSHKRIME UDHËTIMESH

TË TJERËT PËR MUA