MARRËDHËNIE TË SHENJTA
VLORA NË OPTIKËN E NJË INTELEKTUALI
Kur miku im, Luan Çipi, më dha për të lëçitur dorëshkrimin e librit
"Marrëdhënie të shenjta" nuk u befasova se një ekonomist ulet dhe derdh
mjeshtërisht mendimet e veta nxjerrë nga fletët e ditarëve të mbajtur nëpër
vite. Për mua nuk ishte gëzim i beftë, sepse me autorin kemi qenë koleg disa
vjet si mësues dhe pedagog. Po, ç'është e vërteta emri i LUAN KAMAN ÇIPIT është
bukur fort i njohur dhe i nderuar në qytetin e Vlorës. I dëgjuar është ky
njeri, që mban dhe një emër simbolik, si duket i parandjerë nga ata që u
mblodhën asaj nate në Vlorë, më 14 Korrik të vitit 1934, kur gruaja fisnike
ZEQIRJEJA, pati sjellë në jetë të birin, që në atë qytet do të bëhej më vonë
Dikushi. Pra, burrat që ishin çakërrqejf asaj nate, thanë: Ky djalë do të jetë
luan, në shërbim të së mirës, së drejtës, e të përparuarës, lidhjes së ngushtë
shoqërore e atdhetare dhe së vërtetës.
Unë them plot gojën: Sa të mençur paskan qenë këta bektashianët
gjirokastritovlonjatë! Zërat e tyre më bëhen se po i dëgjoj duke shfletuar faqet
e dorëshkrimit. Janë zëra, që më vijnë nga vendlindja ime, Vlora, nga shtëpizat,
rrugët dhe lagjet e saj, që dhe mua më janë aq të dashura. Dorëshkrimi më dha
gëzimin që sjell një çelës, i cili të ndihmon të hapësh dyert dhe zemrat e
qytetarëve të mirë të Vlorës që më janë aq të afërt dhe jam aq nostalgjikë ndaj
tyre... Aq më shumë që dhe Luanin e kam njohur gjysmë shekulli më parë e gjer
sot dhe si mik dhe si intelektual. Ruaj vlerësim e besim te ky njeri i mirë, i
fisëm, i ditur dhe i ndershëm. Tiparet e karakterit të tij nuk është vendi këtu
t'i vë në dukje, se, ndoshta, në shënimet e mia do të zënë vendin e duhur,
nëqoftëse një ditë do të tregohem aq i fortë, i duruar dhe i thellë po aq sa
miku im për t'i mbledhur kujtimet, prushin dhe hirin e tyre të shpërndarë nëpër
vitet e mia të trazuara... Po le të kthehemi tek ajo, që dua të vë në dukje në
këto shënime të shpejta, për të cilat më nxiti disa mendime miku im.
Luani ishte, siç thotë Naimi, poeti ynë i madh te Qerbelaja:"I mir' i biri i të
mirit..." djali i vogël i Kaman Çipit, tregtar vlonjat, ish veprimtar i shquar
shumë vjeçar në Shoqërinë Patriotike "Vatra" të Shqiptarëve të Amerikës,
dervish nderi dhe sekretar i Gjyshatës Bektashiane të Kuzbabasë në Vlorë,
zotërues i pesë gjuhëve kryesore.
Luan Çipi është ekonomist që ka drejtuar me sukses sektorë të rëndësishëm pune
e prodhimi në rrethin e Vlorës. Ai është një intelektual i mirëfilltë. Me këtë
rast, dua të them se jo kushdo, që ka kryer një shkollë të lartë do të mund të
thirret "Intelektual", pa le të jetë politikan apo deputet, a kryetar i ndonjë
dege partie. Mund të quhet i tillë ai, që në fushën e vetë ka shtruar dhe
zgjidhur probleme të vështira dhe e ka çuar punën dhe jetën e shoqërisë
përkatëse përpara. Siç pohojnë ata që e kanë njohur në punë, kanë punuar së
bashku, apo i kanë kontrolluar punën dhe veprimtarinë e tij Luanin e kanë
vlerësuar për njeri me kulturë të gjerë dhe të mirinformuar në shumë fusha të
tjera si në muzikë, letërsi e sport. Kudo kanë spikatur vlerat e tij: Mësues në
Shkollën e Mesme Financiare dhe pedagog në Filialin Ekonomik të USHT në Vlorë,
aktor në teatrin dhe estradën e qytetit të Vlorës, trajner i ekipeve
përfaqësuese të qytetit në mundje e ngritjepeshe, arbitër i klasit të parë në
sportet e rënda, gjimnast, mundës dhe ngritës peshe në ekipet përfaqësuese të
Vlorës, kampion kombëtar dhe mjeshtër sporti e deri trajner i ekipit kombëtar
të ngritjes së peshave...I tillë është burri i shkurtër e muskulor, si i dalë
nga deti, që kurdoherë ka parë larg e ka ndjerë fare tutje erërat e kohës.
Njohës i gjuhës ruse e italiane, instrumentist, këngëtar pasionant i këngës
shqiptare, ruse e italiane, me atë zë të ëmbël tenori shumë oktavësh, si shpirti
i tij i qetë dhe i butë, që buron mirësi.
Ç'gjë vërehet në faqet e këtij libri ku autori shfaqet kurdoherë përkrahës i së
mirës në shoqëri e në veprimtarinë e saj dhe bëhet i paharrueshëm nga të gjithë
njerëzit e mirë të këtij qyteti të mirë. Pse ndodh kështu? Sepse Luani sillet si
një intelektual i mirë edhe në jetën e në punën e përditshme. E them këtë edhe
nisur nga fakti që psikologjia e shpirtit të artistit dhe sportistit, me fuqinë
argumentuese dhe arsyen e fortë, e ka bërë autorin t'i përcjellë me vërtetësi
bindëse këto dhunti te personazhet e vetë. Edhe tani që Luani është në pension
është gjithnjë në lëvizje. Nuk i rri as dora as këmba, po kudo në ndihmë të
shokëve dhe miqve. Një person i denjë për një roman realist...Këto informacione
nuk do të kishin vlerë, nëse nuk shërbejnë për të na çuar te kuptimi i çdo
teksti, për të kapur jo vetëm temat, po dhe mënyrën sesi autori i trajton e i
përball ato...
Po ajo që më bëri të shprehem edhe për CV- e Luan Çipit janë faqet e këtij
libri, me shënime, rrëfime, skica, portrete, profile, madje, edhe bërthama
romanesh apo novelash fort të çuditshme për të ardhmen. Këtu m'u dha përsëri
rast që të takohem me njerëz, të cilët për mua nuk janë të huaj, por fort të
pranueshëm, si njerëz me vlerë, ose njerëz që bëjnë pjesë në një kohezion
social, shumë rrallë edhe ideologjik. Shfaqen nëpër ato vite ngjarje që kanë
madhështinë, bukurinë, tragjicitetin, po dhe komicitetin e hidhur të asaj
kohe....Vlora, pra, na shfaqet në optikën e një ekonomisti, po dhe të një
qytetari tepër aktiv si në jetën ekonomike, po dhe në atë social politike.
Megjithatë, nëpër faqet e librit vërejmë që autori i "Marrëdhënie të shenjta"
ndodh që shpesh të veprojë i pavarur, po edhe e pëson, ashtu si dhe plot të
tjerë. Kështu ndodhi me autorin e librit kur ishte Shef Seksioni në Komitetin
Ekzekutiv të Rrethit Vlorë dhe në një seminar për statistikën thërret të
referojë një ekonomist, ish Byroist të dënuar nga Partia, që desh i shkaktoi
shkarkimin nga puna. Autori, në kundërshtim me normat e kohës, shfaq simpati për
Pirro Dodbibën te "Një personazh pranë tavolinës time të punës". Kështu ndodh
dhe te rrëfenjat e bukura "Fjalët e hidhura", ku spikat bukur fort tragjiciteti
i njerëzve të asaj kohe, te "Brenga e madhe e minoritarit grek", ku paraqitet
persekutimi i shtirur, etj.
Në këtë libër me vlera publicistike dhe letrare, madje,dhe gjuhësore vijnë zëra
njerëzore nga Vlora, nga realitetet e saj, ngjarje e fakte dhe njerëz të mirë
me zërat, me mallin dhe brengat, me tezat e veta dhe të kundërshtarëve të tyre.
Po si na i sjellë autori i librit? Jo si të fotografuara, por me një botë të
pasur, ndofta, të panjohur dhe nga ne që kemi qenë në mes të këtyre njerëzve,
apo dëshmitarë anësor ngjarjesh. Aq e pasur shfaqet bota e autorit sa që më
duket sikur çdo fjalë është pakuptuar e papritur si një "Kuti Pandore" nga
brofin gjithë aftësitë diturake të rrëfimtarit dhe të skenave të
fuqishme.
Ky libër nuk është një histori e Vlorës, por është një monument i vogël i
ngritur me shpirt e dashuri nga një bir i saj. Këtë që them ka për ta ndjerë
kushdo, jo vetëm vlonjate, po cilido që di të lexojë brenda rreshtave, për të
gjetur vlerat e karakterit vlonjat. Më ka lënë mbresa ajo, që thotë autori, për
familje të ndryshme, të cilave "Fëmijët iu bënë të hairit", ose uron"u bëfshin
të hairit". Shpreh gëzimin tim që edhe fëmijët e Luanit: Kamani (i dytë) mjek i
laureuar dhe specializuar në Amerikë, Lindita financiere me 4 vjeçar
pasuniversitar në Kanada dhe Arta, master për biznes ekonomi në Holandë, janë
krenari për Luanin dhe gruan e tij të mirë, Hanëme
Banin.
Balzaku, në vijim të një teze të njohur që në Lashtësi, vë në dukje se "Jeta
reale është mjaft dramatike, ose jo aq letrare. E vërteta shpesh nuk do të ishte
e besueshme, ashtu si e vërteta letrare nuk mund të jetë e vërteta e natyrës" Ka
shumë pika vështrimi për ta parë të vërtetën. Përpara autorit mendoj ka një
kuptim të drejtë të vështrimit të të vërtetave jetësore në fushën e krijimtarisë
artistike, të cilat u bashkëngjiten të vërtetave nga fushat e tjera të
veprimtarisë shoqërore. Këtë na e thonë edhe faqet e librit "Marrëdhëniet e
shenjta", ku janë të shenjta jo vetëm personazhet e librit po për autorin janë
të shenjta dhe mendimet dhe ngjarjet që na ka servirur aq qartë dhe pa ekuivokë.
Ai është i vetëdijshëm për ato që shkruan, se, ashtu siç është shprehur
shkrimtari i shquar Italo Kalvino, që "Vetëm duke shkruar, çdo gjë zë vendin që
i takon".
** *
Kushdo që ka shumë vjet i larguar nga qyteti i dhemshuruar VLORA, patjetër
ndjen nevojën se do të gjejë në këtë libër diçka të vetes, që ka dashur ta
thotë, po s'ka mundësi ose s'i ka kapur dot ngjarjet që aq mençurisht dhe bukur
na i dhuroi autori. E vë në dukje këtë edhe për meritën që ka autori i librit,
të jetë jo vetëm dëshmitar i ngjarjeve, po dhe personazh i fortë i tyre. Është
për t'u respektuar dhe ndoshta për t'u pasur zili, autori, i cili që aso kohe ka
qenë koseguent kundër boshllëkut shpirtëror, absurditetit dhe arbitraritetit të
konvencioneve të jetës shoqërore. Ai nuk i shfaq vetëm tani këto mendime. Ai
shpesh ka qenë i shqetësuar për ndërgjegjen e çoroditur të mëdyshje të disa
shtresave të shoqërisë së kohës. Prandaj vlerësonte njerëzit me shpirt të mirë e
me veprime të ndershme në jetë, për të mirën e të gjithëve. Prandaj njeriu ndjen
fortë kënaqësi kur lexon "Shpirtra detarë", si dhe "Fati i njeriut të ndershëm",
"Inxhinieri i Paharrueshëm", "Poeti" dhe "Sedra e bukur..."
Nuk di pse, duke lexuar faqet e këtij libri, shkruar si me gjak të shpirtit, më
erdhën në mendje vargjet e poetit të madh arbëresh Gavril Dara i Riu:
Moj bijë, bijë e Lalës,
Moj e bukur, e trishtuar,
Pse m' kujton motin e shkuar?
Pse? Ç'më kujton? Refit Hoxhën, atë njeri me shpirt të bukur e mendjendritur,
mësuesin artist në fizkulturë Minella Kostandinin,inxhinierin Vaso Suli, që
autori e quan "Të paharrueshëm", poetin popullor Nuri Drasa ,punëtorin e
palodhur Nuro Bodo e dhjetëra të tjerë, të cilët me aq shpirtmirësi e
mendjekthelltësi i sjell në faqet e librit, apo i shfaq me penelata të lehta e
me mall të pashuar, në faqet e këtij libri të shkruar jo rastësisht, po me
respekt për secilin që është bartës i mirësisë. Tek shfletoj faqet e librit, në
mënyrë të natyrshme me plot të drejtë na vete mendja edhe te një vështrim
tjetër në këto vjet që po jetojmë, kur ka që thonë se e shkuara duhet harruar,
se çdo gjë do nisur nga zero. Autori, me të drejtë është kundër amnezisë,
humbjes së kujtesës, sidomos asaj historike.
***
A ka Vlera artistike të dukshme ky libër? Mendoj se po.
Nëpër libër lëviz shpirti i një Poeti me ndjenja të holla. Unë e ndjej këtë
nëpër shumë faqe libri. Që në faqet e para ku Luan Çipi na rrëfen për fëmijërinë
dhe rininë e tij në brigjet e Vlorës, ku takojmë djem e vajza me zemër të gjerë
e të dallgëzuar si deti Adriatik, pasqyrë hijeshie, gjelbërimi paqëndjellës të
ullinjve dhe shtrirjes së butë të kumit të brigjeve. Pa le pastaj kur ndizet
shpirti i të rinjve vlonjatë tek shohin lindjen dhe perëndimin e diellit mbi
Sazan e Karaburun. Siç shkruan një nga të rinjtë e asaj kohe, poeti dhe artisti
i madh, Timo Flloko:
Vura Sazanin në vend të zemrës,
Rrëmbeva blunë e detit dhe të qiellit
Perëndimet okër të Mentor Jonuzit,
Thellësinë plumb të Skënder Kamberit.
Poetët dhe piktorët nuk i kanë munguar Vlorës në asnjë kohë.
Shkrimtari na i ndërton rrëfimet në vetë të parë, duke sjellë grimca nga jeta e
vetë intime, familjare dhe shoqërore në të kaluarën, duke reflektuar të dhëna të
përvojës gjer në atë pikë, sa të ndryshohen në hullitë e trillimit. Në mënyrë të
natyrshme këto rrëfime më çojnë te mendimi se kemi të bëjmë me tregime me natyrë
psikologjike, ku persona të ndryshëm përshkruhen nga brenda dhe me mjeshtëri
autori përqendrohet te mendja e personazhit dhe vështron nga jashtë personazhet
e tjerë. Te "Labirintet e dashurisë" vërejmë prirjen për të copëzuar unin e
personazhit. Novela interesante "Magjia e dashurisë"
thuret nëpërmjet vetvëzhgimit të një të verbëri. Këtu vegat e dashurisë e lidhin
atë me shumë femra, të cilat dashurohen çmendurisht pas këtij mashkulli të
hekurt, po me shpirt të bukur. Ai, me syrin e mendjes dhe të shpirtit e ndjen në
thellësi të botës së vetë magjinë e dashurisë, të bukurën dhe feminilitetin e
bukurosheve të dhëna pas tij. Ndofta nuk është e rastit qe Shekspiri për të
verbërit e fortë ka shkruar: "Duke vështruar errësirën që shohin të verbërit".
***
Autori i "Marrëdhënie të shenjta" ka një freski mendore dhe higjienë shpirtërore
të admirueshme. Ashtu siç është një babaxhan gojëmbël, brenda vetes fsheh dhe
një inat thumbues, i pamëshirshëm: Me inteligjencë dhe satirë therëse sulmon
ashpër dhe zhvesh lakuriq hipokrizinë, gënjeshtrën dhe veset e kohës. Edhe kjo e
bën edhe më të pranueshëm e më tërheqës këtë libër, që na zgjon e ngacmon me një
humor interesant. Ashtu siç është shprehur dikur Emanuel Kanti: "Unë quaj si
letrar çdo tekst, që nxit tek unë kënaqësi estetike". Ç'është e vërteta, fuqia
e shkrimit tek ky autor për mua nuk ka qenë e panjohur, sepse unë e dija herët
që vargjet e thurura nga Luani në Vlorë disa muzikantë të rinj i kthenin në
këngë. Po ato ngeleshin anonime. Tani po dalin nga anonimati dhe bashkëmoshatarë
të tjerë të Luanit, duke botuar kujtime e deri romane e përmbledhje poetike. Po,
ndryshe nga disa syresh intelektualiteti i Luan Çipit ka veçoritë e pavarësisë
në gjykim e vlerësim, njëherazi bën përpjekje për zgjedhjen e fjalëve shqip
dhe pastrimin e gjuhës nga fjalët e huaja .
Brenda rrëfimeve,skicave,apo tregimeve të librit vërejmë tekste të ndryshme dhe
interesante, që na tërheqin vëmendjen në disa anë. Kështu, ç'është e vërteta,
kur flasim për tipologjinë e teksteve në literaturën gjuhësore, siç vë në dukje
studiuesi Nonda Varfi, teksti informues- paraqitës është një nga tekstet më
tipike të kohës sonë në një epokë kur komunikimi dhe informacioni kanë një
rëndësi të pazakontë. Tekstet që formojnë të dhëna dhe informacione mbi ngjarje
ose argumente të caktuara janë mbështetje e domosdoshme për çdo formë komunikimi
dhe edukimi. Të tilla gjen plot pothuajse në të gjitha rrëfimet e librit "
Marrëdhënie të shenjta".Por ndodh dendur, siç ka tekste të natyrës
informuese-paraqitëse, ka dhe argumentues, ku autori, shpesh edhe personazhi,
apo heroi i ngjarjes mbron një tezë, duke përdorur argumente, teza që nxitin të
debatosh, siç ndodh te "Fjalët e hidhura" si dhe "Një drejtues largpamës", apo
"I palodhuri".
Ajo që dua të përcjell në fund është ky mendim: autori i librit "Marrëdhënie të
shenjta" ka bërë një punë të mirë në shërbim të Mëmëdheut, duke na sjellë
artistikisht kohën e vetë dhe njerëzit e saj. Dhe kjo nuk është pak. Sa bukur e
mirë sikur çdo njeri të bëjë diçka për kombin e vetë. Ashtu siç shkruan një
shkrimtar e studiues portugez "Një komb u ngjan gurëve dhe maleve: ai s'është më
shumë se vetvetja. Një pemë është një pemë, një mal është një mal, një gur është
një gur. Ato s'kanë asgjë të veçantë! Duke bërë një krahasim me natyrën
njerëzore do të thosha që një njeri është ai që është, po që dëshiron gjithmonë
të jetë diçka më shumë". Ky është mesazhi i mikut tim të mirë Luan Çipi,
autorit të këtij libri të bukur.
Dr.Irfan Imer Bregu
NJERËZ TË MIRË
Nga deti dallëndyshja fluturoi
Dhe në vende të ngrohta ngre folenë:
Me mallin brodhi atje, po nuk harroi,
Kur sosi çasti, të shkonte n'atdhenë.
Zef Serembe "Migjeni"
SHPIRTRA DETARË
Mino Puri, i thërrisnin, qysh në fëmijëri Minella Llukës, apo Konstandini, siç u
mbiquajt më vonë. I thërrisnin Puri, ndofta, nga që erdhi midis shokësh, ashtu,
krejt i sinqertë dhe i pastër, si ujët e burimit. Minua, pa asnjë dyshim, ishte
ndër shokët e mi më të vjetër dhe më gjurmëlënësi. Me Minon jemi njohur që herët
kur kemi filluar ta ndjejmë jetën dhe i kemi belbëzuar njëri tjetrit. Ato vitet
e para të fëmijërisë më zgjohen në kujtesë fort të mjegulluara, por, portreti i
Minella Kostandinit spikat i fuqishëm dhe gjithnjë qëndron përballë meje:
Çapkën, shumë i lëvizshëm që s'e mbante vendi, gjithnjë topolak e shëndet mirë
dhe që, më shumë se çdo gjë tjetër, prirej pas detit të pa anë e të magjishëm.
Ne, familjarisht, banonim në Skelë të Vlorës, buzë detit, por shtëpia e Minos
ishte edhe më afër detit, sa thua se lagej nga valët e shkumëzuara të tij. Deti
me atë bukurinë dhe pafundësinë e tij përrallore. na bëri ëndërrimtarë dhe na
tërhiqte, çdo ditë e më shumë.
Dashurinë për detin çudibërës e të mistershëm na e nxiste, së tepërmi, në
mënyrë të veçantë xha Vangjeli, babai plak i Minos, një ish emigrant evropian,
që kalonte në ekstreme pasionante për vlerësimin dhe adhurimin e detit.
Një ditë e pyeti xha Vangjelin Zhaku, siç e thërrisnim Llazar Papajorgjin, një
shokun tonë, pak më të madh, por që ishte model në sjellje e në mësime:
-Xha Vangjel! E kam vrarë keq këmbën. Shikoma pak, të lutem. Ç'duhet të bëj?
-Me vrap fute në det dhe fërkoje, lehtas, me ujë deti.
Tol Ballua, që e kish marrë këtë nofkë nga që gjithë ditën vallëzonte e vinte
vërdallë, si fugë, i afrohet xha Vangjelit dhe si me turp, e pyet atë:
-Më kanë dalë ca puçrra në duar dhe më kruhen keqas. Si të shpëtoj?
- Rri në det nga dy orë në ditë, për 10 ditë rresht dhe …je i shëruar.
Kic Mashkulli, që mburrej se ish burrëruar para kohe, ngaqë i kishin dalë ca si
qime mbi buzë, duke bërë mundje në rërë kishte ndrydhur krahun. Duke ulërirë nga
dhembja shkon te xha Vangjeli. Ai ia shpie me lehtësi në vend.
-Po tani, ç'të bëj?, e pyet Kici i lehtësuar.
-Futu, ore, shpejt në det. Ç'më rri si guhak. Apo pret që të të dalë prapë nga
vendi. Deti është melhemi, jo unë. Bëj njëqind metër not pashi!
Lik Lejleku, e kish marrë këtë nofkë nga qafa e tij e gjatë, me atë kokë, që e
ngrinte dhe e ulte shpesh. Ai, duke qenë edhe kushëriri i Minos, e pyeti
mjeshtrin një ditë, me intimitet:
-O dajë! Siç e sheh, më kanë zënë sytë sklepa, mezi po i hap. Si t'i mjekoj?
-Futu me kokë në det dhe rri, sa të mundesh, i zhytur nën ujë, me sy hapur.
Sërbua, siç e quanim Sezai Hoxhën, duket nga që ishte i gjatë dhe i bëshëm, si
të qe "kalë serbi", bashkë me Llazarin, ishin shokët tanë më të rritur. Hoxhatët
kishin në oborrin e tyre mana të kuq dhe të zi dhe hardhi me rrush të shijshëm.
Shumë kohë hipnim e zbritnim mbi këta mana, që ishin shekullor. Sërbua kish një
dhembje të paduruar në grykë dhe temperaturë, ndaj iu qa Xha Vangjelit dhe i
kërkoi shërim:
-Më bëj derman, se vdiqa.
-Korrik është. Mos kij frikë se acarohen më shumë nga deti. Kridhu thellë në
detin e pastër dhe fut e nxirr ujë të kripur nga gryka. Pasnesër je i shëruar.
Mos merr ilaçe. Ne këtu afër kemi farmacinë më të kompletuar dhe më të lirë në
botë, detin. Vlerësojeni atë, siç e meriton
Kuqua, siç i thërrisnim Harillës, nga që vinte pak si i kuq në fytyrë, po që
ishte dhe shpuzë në mësime e në dituri, e pyet, pa teklif mjeshtrin, se gëzonte
dashurinë dhe nderimin e veçantë të tij:
-Më kanë dalë ca si njolla të kuqe, këtu te gjoksi dhe po më marrin trupin. Jo
se kam ndonjë bezdi të madhe, po unë ca i kuq jam, ca këto, më kuqojnë fare. Ç'i
dëgjon shokët, pastaj. Ç'të bëj?
-Det, diell, dush! Mos i harro! Largohu nga kumi i pistë. Shtro ndonjë çarçaf,
që mos të marrësh mikrobe.
Ferik Muhameti, të cilit i kishim vënë nofkën zabiti, për pasionin ushtarak që
shfaqte, në një kohë, kishte filluar të hante pa hesap dhe po shëndoshej, çdo
ditë e më shumë. Vjen një ditë me një copë byrek në dorë, duke u mbllaçitur :
-Xha Vangjel, po më kërcen barku, po shtrembërohem. Kam frikë, se nuk do të më
pranojnë dhe në shkollën "Skënderbeg", si të bëj?
-Çdo ditë bëj një orë not flutur pandërprerje, derisa të lodhesh dhe për një
muaj je qefull, siç ke qenë. Po, mos harro, kufizo ca dhe të ngrënët.
Llambi Kona, më simpatiku dhe më gazmori i grupit, i cili natë e ditë nuk i
ndahej radios dhe dëgjonte e belbëzonte kanconeta italiane, sapo vinte e po
dobësohej, ndaj vendosi të këshillohet me mjeshtrin.
-Xha Vangjel. Po dobësohem dhe më është prerë fare oreksi. Ç'më këshillon ?
-Not, more bir. Të gjitha stilet, sa më gjatë. Lodhu në det, pastaj do të më
kërkosh edhe mua për të më ngrënë.
Vangjel Kuqi kishte një hall dhe ashtu i turpshëm siç qe, guxoi një ditë dhe
mori këshillën e mjeshtrit:
-Xha Vangjel! Më fal që po ta them, po mua më djersijnë shumë këmbët dhe më
mbajnë erë të keqe. Më shpëto nga ky hall.
-Fare kollaj. Rri gjatë në kum dhe futu në det dhe prapë kum-det, gjithë ditën e
perëndisë.
Kështu xha Vangjeli u bë mësuesi ynë i parë i shëndetit fizik e
moral.
Minua ynë i dashur edhe sipas shembullit të babait të tij të adhuruar, ishte
gjithnjë nismëtari për të na tërhequr drejt detit kaltërosh, të bukur e të
mistershëm. Ishte ai, që na mësoi të gjithëve të notonim qysh sa kishim nisur të
barisnim. Na i mësoi, njërin pas tjetrit, të gjitha stilet e notit, duke e nisur
nga noti i qenit, not ije, shpinë me pash, krol, baterflaj. Organizonte gara se
kush të mbërrinte i pari te koka e molit zero, kush të shkonte më larg, kush të
zhytej e të merrte më shpejt kum te bova, kush të mbante frymë nën ujë më
shumë, kush do nxirrte më shumë kalema e krimba si ushqim për peshqit, që kish
teknikën e vetë dhe që ishte çelësi i suksesit në gjuetinë me grepa, kush do të
hante më shumë tul xhixhivalleje të gjallë, kush do të gjente guaska deti të
rralla, kush do ta bënte kalanë e kumit më të madhe e më të bukur dhe më e
rëndësishmja nga të gjitha, kush do të zinte më shumë peshq dhe kush do ta kapte
peshkun më të madh. Për të gjitha garat Minua siguronte vendin e parë. Ai na e
kaloi të gjithëve, sidomos, me talentin për të peshkuar. Nën ujë, me atë gjoksin
e gjerë dhe leshtor, mbante shumë frymë. Zhytej në thellësi, te këmbët e ngelura
të ish molit zero dhe në gurët, aty poshtë, shkulte me forcë oktapod të gjallë.
Shtrinte krahun e tij të fuqishëm leshtor dhe, oktapodi budalla, ia pushtonte me
putrat e tij si ventuza, atëherë Minua e tërhiqte kafshën e gjorë me fuqi dhe e
shkëpuste nga foleja, pa pyetur për "mellanin" që nxirrte, për të maskuar
vendndodhjen.
Minua i përdorte, me sukses, gjithë llojet e peshkimit: Me kamaq, me pushkë, me
pezevoll dhe me trata. Po, specialist i mirëfilltë, mjeshtër i parë në gjithë
bregdetin e Vlorës, ishte për të gjuajtur peshq me grep e me parangall. Sekreti
profesional niste që nga sigurimi i ushqimeve, kareme të diferencuara, sipas
llojit të peshkut, vendit të kapjes dhe motit. Ai i dinte, si asnjë tjetër,
vendet ku grumbullohej më shumë peshk, orët e caktuara të ditës dhe të natës më
të favorshme, muajt dhe stinët më të begatshme për peshkim.
Më e shijshme ishte kocja gushtake, që binte më dendur, te Plazhi Nartjotëve;
murrat e molit zero dhe të vaporit të mbytur; bafat e Valltos së Dukatit, pa le
kocja e dalanit të Dukatit e përmendur në Enciklopedi, siç thoshte vetë Minua;
levreku dhe licat e Karaburunit. Qefullin e ha pezevolli dhe lica bie si
budallaqe në parangall, po ta kosh me cironkë të gjallë. Shpesh e dëgjonim të
thoshte e të jepte komanda për ne:
-Ikim. Ngrihuni shpejt. I mblidhni rraqet!. Këtu s'ka më peshk, se ra lica dhe i
trembi.
-Kjo shirokë, që po fryn do të na afrojë peshk me bollëk. Bëhuni gati !
-Hidhe, hidhe pezevollin para, atje ku do të hedh unë këtë guralecin, se shoh
një tufë me qefuj budallenj.
-Nesër do peshkuar me komerdare, në thellësi, se peshku është larguar, i trëmbur
nga plazhistët.
-Sot kam siguruar një pushkë pneumatike të mirë me shigjetë të gjatë, me tub,
lopata dhe me maskë hermetike. Do gjuajmë matanë vrimës, te shkëmbijtë e Ujit të
Ftohtë.
-Këtë të djelë do të vemi për bafa, në Vallto të Dukatit. Ato, të shkretat, aq
të majme, tani shijohen, shoqëruar me verë brusko Zvërneci.
-Na vajti shumë mirë dita sot. Peshkun do ta ndajmë në katër pjesë. Ktheu me
kurriz ti, Luan, dhe zgjidh:
-Kush do ta marrë këtë tufën e peshqëve këtu?
-Atë ta marrësh për vete.
-Po këtë?
-Llambi Kona!
-Po këtë?
-Harilla Papajorgji!
-Hallall, ta ketë hak, se u lodh shumë sot. Kthehu, tani. Kjo e fundit të
ngeli ty. Dëgjoni: Unë, me pjesën time do bëj një tavë të mirë narqoçe. Për
darkë jeni nga unë. Hajdeni rreth orës tetë. Ti, Luan, na sill ca verë Narte.
Mos harro mandolinën, se do këndojmë. Unë do lajmëroj dhe Vangjel Mërkurin, që
të vijë me gjithë kitarë.
-Po, kemi dhe ca mësime. Kush e duron nesër profesoreshë Marika
Bezhanin.
-Lere, ore. Ç'e kujton, se na është bërë si burri i nënës, na mori shpirtin. E
di ç'e? Më mirë nesër nuk vemi fare në shkollë, po dalim, andej nga Vapori i
mbytur, se kam edhe nja dy shashka.
Me Minellën ne ishim bashkë, në një klasë, qysh në shkollën përgatitore,
foshnjore, si i thoshim, po kështu në shkollën fillore dhe në atë unike. Minella
i zgjuar dhe i shkathët, mjaftohej me shpjegimin e mësuesve dhe kënaqej vetëm sa
të merrte notë kaluese, çka nuk e kishte të vështirë edhe pa mësuar jashtë
shkolle. Ne aktivizoheshim edhe në detyrat jashtë klase si në kor dhe në teatër.
Të pesë klasat e shkollës fillore ne i përfunduam në vitin e parë pas Çlirimit
të vendit nga nazifashistët. Më vonë u aktivizuam dhe në grupet artistike të
Shtëpisë së Pionierit dhe në Pallatin e Kulturës së qytetit të Vlorës.
Bashkë ishim dhe në Tiranë. Ai në Shkollën e Mesme të Fizkulturës dhe unë e
Harilla në atë Financiare. Unë veja shpesh në palestrën e shkollës së Minellës
dhe, bashkë me të, ushtrohesha në veglat gjimnastikore. Ushtrimet e lira dhe
kipet në tokë dhe në vegla, saltot, fikfaken dhe rondatën nga Minua i mësova. Si
ushtrime toke ato u përsosën, më vonë, në cekëtinën e detit dhe në kumin e
buzëdetit të Vlorës.
Në vitin l956 u ribashkuam në Vlorë. Ai mësues fizkulture dhe unë anëtar
i ekipeve përfaqësuese të Flamurtarit të Vlorës në gjimnastikë, mundje e ngritje
peshe e më pas si gjyqtar e trajner i sporteve të rënda. Miqësinë e kishim të
pandarë dhe pjacala prej çimentoje e shtëpisë së Kostandinajve, në lagjen Kume
të Skelës ishte arena e takimeve, darkave, ahengjeve dhe vallëzimeve për një
grup shokësh dhe shoqesh të ngushta. Shpesh vinte aty dhe vëllai më i madh i
Minos, Sotiraqi, ose Ciqia, siç i thërrisnim, që ishte gjithnjë i qeshur dhe në
humor të mirë dhe që, si shumica prej nesh, këndonte bukur kanconeta italiane e
veçanërisht napolitane. Në takimet shpesh konsumonim peshk, verë dhe birrë e
hera herës merrnim ndonjë qengj dhe e piqnim. Në një darkë kishim pjekur një
gic. Po hanim, po pinim, po këndonim dhe recitonim, me radhë. Ja, pikërisht aty,
unë thura ca vargje, që më vonë u shoqëruan me melodi dhe u kënduan për shumë
kohë :
Ciqe, o Ciqe
merr derrin e piqe
dhe ndajua miqve!
S'ke pse na hiqe
si me ofiqe
se, ti, për mish
për desh se s'vdiqe.
Them të vërtetën
troç, lakuriqe.
Ndajua të tjerëve,
mbaj dhe për vete
është gic i shijshëm
për shtatë palë qejfe.
Ne, të rinjtë e Kumes, shumë kohë kaluam së bashku, shoqërisht e
në mënyrë krejt vullnetare, për të ndërtuar dhe zgjeruar shtëpinë e Minos. Bënim
blloqe çimentoje dhe ndihmonim ustallarët për ngritjen e mureve, suvatimet,
hedhjen e soletës dhe për çdo lloj pune ndihmëse. Kjo ndjenjë solidariteti na
jepte kënaqësi dhe duket se ishte si një shpërblim, sado i vogël, për përpjekjet
shumë vjeçare të Minos sonë të dashur, që na ndihmonte e na drejtonte për të
kapërcyer, si djem të virtytshëm, hapat e para dhe, më tej, vështirësitë e
jetës.
Minella Kostandini u shqua edhe si një sportist cilësor, trajner, pedagog dhe
drejtues i pasionuar i sportit vlonjat. Ai përfaqësoi për disa vjet Vlorën, si
krolisti më i shpejtë i kohës. Me shumë dashuri,urtësi e ndershmëri ushtroi dhe
detyrën e mësuesit të fizkulturës në Gjimnazin "Ali Demi" të Vlorës, më vonë
kaloi instruktor dhe kryeinspektor fizkulture në rreth, shef i klubit i
"Flamurtarit" për të gjitha sportet, përsëri mësues dhe organizator i dalluar
manifestimesh sportive. Si meritë më e madhe, historike për jetën sportive të
qytetit të Vlorës, është, padyshim, puna e tij si trajner i ekipit të femrave të
"Flamurtarit" në not, ku si një metodist dhe pedagog i shkëlqyer, nxori një
numër të madh kampionësh dhe rekordmenësh kombëtar.
Nuk është rastësi vlerësimi im për Minon e dashur:
E njihni, apo s'e njihni
Mikun tim me shpirt të Artë?
Është Minella Kostandini,
Po e them me zë të lart!
Ti, o djalë, vajzat e mia,
Kur të lexoni ditarin,
Në personat vip të tija
Minon e keni të parin.
Do qëndrojmë të pavdekur
Përherë miq, pranë e pranë,
Lidhur fort, çelik e hekur,
Nuk ka forcë që na ndanë.
Jemi njohur shumë herët,
Sa dalluam nënë e babë,
Dhe nuk ishim si të tjerët,
Po, si dy kokat në shkabë.
Nuk na lidhi dhënia, marrja;
Nuk u fut parja në mes
Vendimtare ishte ngjarja:
Sporti, kënga, fjala besë;
Lojërat, qysh në fëmijëri,
Kumi, deti kaltërosh,
Vallet, qejfet, në rini
"Gëzo çastin, që të rrosh!"
Dhe më pas, si familjarë
Punë ditën, dëfrim natën.
Kudo ishim të pandarë
Në dysh e ndanim kafshatën.
Minua u dashurua dhe u martua me Niqi Poron, një vajzë e mrekullishme, mësuese
dhe amvise e mirë, që për ne, djemtë e Kumes, u bë shumë e afërt, familjarisht.
Ajo, me kujdesin e saj të pazakontë, ia shtoi dhe ia zbukuroi jetën Minos. Çifti
i lumtur u gëzua me dy trashëgimtare të denja: Klajdën dhe Irenën, simbole të
dashurisë, respektit dhe përkujdesjes së pakursyer për babën e tyre, çuditërisht
shumë të rënduar fizikisht, në vitet e fundit.
Të duket e pabesueshme sesi ai trup aq i fortë, i kalitur me mijëra ditë në det,
nuk u rezistoi deri në fund viteve. Për disa vjet, Minua ynë i dashur, përballoi
me guxim shqetësime shëndetësore të një paralize parciale. Tri herë pati vdekje
klinike, por tri herë u rikthye në jetë. Edhe në kushtet e disa goditjeve të
parainfraktit ai ngeli një model vitaliteti dhe optimizmi, duke bërë, me
vullnetin e tij të hekurt përmirësime, falë përpjekjeve titanike për mbijetesë.
Shëtitjet mbi rërë, buzë detit, disa orë në ditë, duket se i lehtësonin dhembjet
fizike dhe gjendjen e rënduar shpirtërore.
Ashtu mbeti, i pavdekshëm-shpirti i bukur i detit.
Qofsh në mjerim a lumturi,
Jeta është vetmi në det me stuhi!
Ohej! Ohej!
Çezer Flajshlen "Të bëhet ç'të bëhet"
FATI I NJERIUT TË NDERSHËM
Kaluan shumë vjet nga koha kur zemra e Refit Hoxhës, mikut tim aq të mirë, nuk
rreh më. Trupi i tij, i pajetë, shtrihet nën dhe, në Babicë të Vlorës.
Kur iku Refiti, aq papritur, në prag të pesëdhjetë vjetorit të jetës së tij, unë
punoja në Fermën Bujqësore në Llakatund, ndërsa ai, në Kooperativën e Bashkuar
të Novoselës së Vlorës. Ishim dërguar për të ndihmuar fshatin, që ta bënim dhe
atë, "të përparuar", si qytetin. Sapo ishte kthyer në mbrëmje për të fjetur në
shtëpi, në Vlorë. Një atak në zemrën e tij të plagosur, i ndodhur pa ndihmën e
parë, aq të domosdoshme në këto raste, se ishte i vetëm, me gruan e tij të
paralizuar dhe... kaq ishte jeta e tij.
Kur e mora vesh vdekjen e papritur të Refit Hoxhës, ndjeva aq dhembje të thellë,
sikur të ishte im vëlla. Isha mbi dyzet vjeç, por nuk kisha provuar një humbje
dhe një dhembje të tillë. Qaja me lot, si i marrë. Lotët nuk më reshtnin as të
nesërmen, ditën e varrimit, aq sa, duket, s'iu lashë radhë as vëllezërve të tij
të një nëne, që në të vërtetë, e mbanin veten, duke u treguar burra zakoni. Jo
vetëm ato ditë, po dhe më pas, sa herë më shkonte mendja te Refiti dhe kjo
ndodhte vazhdimisht, kaloja në gjendje të thellë depresioni. Edhe po mos të
desha, Refiti, më shfaqej gjithnjë përpara, se rruga për në Llakatund, kalonte
midis varrezave të Babicës. Udhëtoja për ditë, në atë rrugë dhe shpesh dy herë
në ditë dhe, si në vajtje dhe në kthim, timoni i motoçikletës sime,
instinktivisht, kthehej te varri i Fites, ku ndalesha gjatë e sikur bisedoja me
bustin e tij të gdhendur mbi qivur. Gjendjen e dëshpërimit ma shtonin dhe
kortezhet me të vdekurit e përditshëm, që përcilleshin nga qindra të afërt në
banesën e tyre të fundit. Me sa duket, isha në pragun e ndonjë depresioni
psikik. Vetëm transferimi në qytetin e Vlorës, dy vjet më vonë, duket se më
shpëtoi nga çmendina. Kjo gjendja ime ishte e pavetëdijshme, instiktive dhe që
nuk shpjegohet e përligjet, por e vërteta e pamohueshme ishte se nisi,
pikërisht, me vdekjen e papritur dhe shumë të parakohshme të Refit Hoxhës,
refleks i ndjenjës së dhembjes së madhe dhe i konsideratës së jashtëzakonshme që
kisha për të.
Me Refit Hoxhën u njohëm më nga afër në vitet pesëdhjetë, kur ai dhe vëllai im,
Enver Çipi, që ishin moshatarë dhe miq të hershëm, vinin për të dhënë provime në
Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Unë, në fakt, jam
moshatar me Zaim Hoxhën, vëllain e vogël të Refitit dhe me të kemi qenë
bashkënxënës në shkollën fillore në Vlorë, si dhe bashkëushtar, në Tiranë.
Kështu që ca nga Enveri, ca nga Zaimi lidhjet tona ishin fort miqësore e
familjare. Miqësia dhe marrëdhëniet e mëtejshme me Refitin vazhduan mbi njëzetë
e pesë vjet, duke qenë bashkë si mësues në Shkollën e Mesme Financiare të
Mbrëmjes në qytetin e Vlorës, dhe për gati dhjetë vjet si pedagog në Filialin e
Fakultetit Ekonomik të UShT Vlorë, ku u bëmë miq shumë të ngushtë dhe
konfidencial. Ishte nder i veçantë ta kishe mik Refit Hoxhën. Jo vetëm se për
mua ishte më i madh në moshë dhe shumë me përvojë e më i pjekur në jetë e në
punë, por, njëkohësisht, fort i ditur dhe shumë i mençur, si dhe me një rreth të
gjerë familjar e shoqëror.
Babai i Refitit, Nuro Hoxha, ishte mësues i dëgjuar në të gjithë krahinën. Edhe
vëllezërit e tij Qaniu dhe Zaimi ishin burra me peshë. Një kushëri i tij i parë,
gjeneral Vehbi Hoxha, ishte dy herë Hero i Popullit dhe konsiderohej si strategu
ushtarak më i shquar i kohës.
Refiti ishte shumë i qetë dhe i logjikshëm dhe për çdo gjë jepte këshilla dhe
zgjidhje të thjeshta, të drejta dhe praktike. Ishte i papërtuar për gjykimin dhe
zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve, qoftë dhe kur ato ishin me acarime
të tejskajshme.
Me atë zërin e trashë prej basi, që sikur e ndjej te veshi gjithnjë, të bindte,
me atë logjikën e hekurt, me njohjen dhe njohuritë që kish për çdo gjë, me
drejtësinë e tij absolute e të pakompromentueshme, me shembullin moral maksimal,
ai sikur të hipnotizonte dhe të bënte në çdo rast për të rënë dakord me
zgjidhjen e tij. Të ishte gjyqtar në organet e drejtësisë, pa dyshim, do të qe
një fat për gjithë vendin, se do ishte të më i drejti dhe më i miri.
Edhe në punën e tij si financier, shef finance në disa ekonomi të rrethit, ishte
model, me njohuri të gjera teorike, që i shtonte vazhdueshëm edhe si pedagog në
Filialin e Fakultetit Ekonomik të UShT në Vlorë. Ai kishte arritur përsosmërinë
për zgjidhjen e veprimeve praktike kontabile, për të cilat gjithnjë këshillohej
me mikun e tij të vjetër Enver Çipin, duke formuar një dyshe të vlerësuar në
shkallë vendi.
Po, Refit Hoxha, për fatin e tij të keq, nuk arriti dot të ndërtojë një çerdhe
të ngrohtë familjare. Ai, në moshë të pjekur u njoh dhe u dashurua, si rrallë
kush, me fisniken e bukur nga qyteti i Vlorës Lumturi Hamzaraj, me të cilën
shumë shpejt edhe u martua. Brenda një kohe të shkurtër Lumturisë, shtatzënë, iu
krijuan shqetësime serioze shëndetësore, aq sa të vetmen shpresë shpëtimi i
thanë se e kishte nëpërmjet provokimit të dështimit të fëmijës. Po edhe kjo nuk
e shpëtoi fatkeqen. Dalngadal ajo u paralizua krejt dhe gjymtyrët e poshtme nuk
i ndiente fare. Vitet kalonin, pa asnjë përmirësim e shpresë. Edhe perspektiva
ishte e pa krye. Ajo ngeli uloke dhe për çdo gjë i shërbente në vend, me
devotshmëri, motra e sajë e pandarë e heroike, Silvana, që për të sakrifikojë
deri vitet më bukura të rinisë. Edhe në këto çaste të vështira, për asnjë moment
Lumes nuk iu nda burri i sajë, gjithnjë besnik, Refit Hoxha.
Vëllezërit dhe motrat e Refitit, më shumë se kushdo tjetër, e shikonin me
keqardhje gjendjen e re të krijuar. Ata i qëndruan afër për çdo gjë, por kur i
humbën plotësisht shpresat e rehabilitimit, u dëshpëruan edhe më shumë, jo vetëm
se vëllai i tyre i mirë ngeli pa një bashkëshorte, me të cilën do të zgjidhte
bashkërisht vështirësitë dhe detyrat familjare, por ai ngeli fare pa
trashëgimtar, siç ishte një detyrë në jetë, madje u kthye në një shërbëtor i ish
gruas së tij, me të cilën sipas tyre, tani nuk e lidhte më asnjë detyrim
njerëzor, veç atij human. Këtë detyrë, të përkujdesjes për të sëmurën, mendonin
ata, mund ta bënte edhe çdo grua e moshuar kundrejt një pagese. Ata arsyetonin
se: si nga ana fetare dhe nga ana njerëzore kjo martesë e dështuar duhet të
zgjidhet sa më shpejt, kur vëllain e kishin ende të ri, tridhjetë e pesë vjeçar.
Me që nuk guxonin të ndërhynin direkt vetë, këtë barrë ma ngarkuan mua, duke
pasur parasysh se punonim bashkë në Filial dhe kishim kontakte, ndikim dhe
afinitet të dyanshëm. Me që ngulën aq shumë këmbë, në një mbrëmje takimi të
zakonshme, nga ato që ne i kishim thuajse të përnatshme, pas mësimdhënies, të
ulur me nga një gotë raki para, filluam ta trajtojmë larg e larg këtë temë.
Duhet thënë se ai, kohët e fundit e kishte shtuar shumë të pirët dhe shpesh
kthehej në shtëpi krejt i dehur. Kjo e rëndonte edhe më shumë gjendjen e tij
shëndetësore. Kishte arritur mbipeshë dhe ndiente shqetësime në zemër. Më së
fundi, unë ia thashë me shumë ndrojtje mendimin e vëllazërisë së tij Refitit. Ai
më dëgjoi me vëmendje, më përqafoi me dashuri dhe me lot në sy, më tha:
-I dashur Luan! Të kuptoj plotësisht. E kuptoj dhe tolerancën fetare dhe që kjo
është sipas logjikës njerëzore, mandej dhe sipas porosisë së zotit dhe të
motrave, vëllezërve dhe të shokëve të mi më të dashur. Po, unë do të të
përgjigjem, siç ka thënë Çajupi: Tani që Zoti më mori gruan time, unë as Zotit
nuk i besoj. Kjo punë nuk bëhet. Unë do të rri përgjithmonë me Lumen time të
shtrenjtë, me shoqen time të mirë dhe fatkeqe. Po të isha unë në gjendjen e saj,
ajo nuk do të më ndahej për asnjë çast. Kështu do të bëj dhe unë, deri në
vdekje.
Ja, ky ishte Refit Hoxha.
Gjëja më e madhe për njeriun është vullneti i fortë
Gëte
INXHINJERI I PAHARRUESHËM
Vaso Suli më kujtohet, ashtu siç e pashë të rritet, në çdo centimetër. Ai do të
ngelet për mua, gjithnjë si njeriu im i afërt, i dashur dhe simpatik.
Shtëpitë tona, në lagjen Muradie të qytetit të Vlorës ishin, thuajse ngjitur,
krahë njëra tjetrës. Oborret të mbushur me gjithfarë pemësh ndaheshin po nga i
njëjti mur. Nënat tona të mira: Goni dhe Kekea, mjafton të dilnin në dritaret e
veta dhe me komoditet, pa u shqetësuar nga askush, mund të bashkëbisedonin
gjatë, apo të këmbenin mendime për çdo gjë, qoftë edhe për të ndërruar ndonjë
recetë të re të një gatimi pikant.
Unë, që kisha lindur 7-8 vjet para Vasos, edhe sot e shoh, si në një ekran
filmi, të më shpaloset jeta e Panajotit, siç e kishte emrin e pagëzimit, Vasua.
Ai ishte fëmija i pestë dhe më i vogli i Spiro Sulit dhe i Antigonit, kësaj
gruaje trime dhe krenare, që i rriti jetimët si një burrneshë, duke u kujdesur,
si jo më mirë, për shëndetin, edukimin qytetar dhe arsimimin e tyre...
Babain e Vasos, Spiro Sulin, e hasim qysh herët në analet e Beledies, më pas të
Bashkisë së qytetit të Vlorës, si dhe te klubi patriotik "Labëria". Ai ishte
këshilltar i zgjedhur nga populli si dhe veprimtar aktiv i grupeve artistike e
atdhetare të teatrit dhe folklorit vlonjat. Këto veprimtari i kishin paraprirë
ardhjes së Ismail Qemalit dhe ngritjes së Flamurit, e vazhduan më pas me Luftën
e Vlorës të vitit l920, me ngjarjet e Revolucionit demokratiko borgjez të vitit
l924 e më tej… Një dëshmi e vërtetë është e padiskutueshme: pushtuesit
nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre, tradhtarë të idealeve kombëtare e të
luftërave për liri, e internuan Spiro Sulin dhe u bënë shkak për vrasjen e tij.
Pavarësisht nga shpjegimet kontradiktore dhe, në vazhdim, të thënieve të atyre,
që, ndofta, sollën dhe zhdukjen e tij, dokumentet autentikë do të vërtetojnë
identitetin e kësaj figure aktive, të pushkatuar misteriozisht nga nazistët,
gjatë rrugës së qindra të arrestuarve, që përcilleshin në kampet e përqendrimit.
I ngelur kërthi, pa babën e vetë, madje pa e njohur ndonjëherë atë, Vasua i
vogël ishte, jo vetëm shqetësim e barrë, po njëherazi, ngushëllim, forcë dhe
shpresë për nënë Gonin, këtë beratase të re e të zgjuar që, e ngelur e vetme me
pesë fëmijë, vërtet me ekonomi të siguruar, por që duhet ta administronte atë
dhe, në kushtet e luftës dhe të anarkisë, të mbronte, të ushqente dhe të
edukonte fëmijët e vetë. Të gjitha i kapërceu me guxim e mençuri.
Pas përfundimit të luftës dhe të vendosjes së "Guvernes Demokratike" shumë
probleme të reja dhe të papritura lindën. Shtetëzimi i automjeteve dhe i
pasurive të tjera , që ishin burim të ardhurash edhe për familjen Suli, e vuri
atë para vështirësive ekonomike. Pikërisht këtu u shfaqën edhe njëherë aftësitë
vepruese të nënë Gonit, që njëherazi, u kujdes për arsimimin e plotë të fëmijëve
të saj. Në këtë anë më fort u dalluan djemtë. Patrokliu, djali i madh, u tregua
më praktik dhe shumë shpejt u largua nga Vlora për në Durrës, për mos t'u kthyer
më. Kristaqi, djali i dytë ishte, gjithashtu, serioz, këmbëngulës dhe i etur për
dituri. Ai arriti shkallë të spikatura në mësimdhënie dhe krijimtari letrare.
Vasua, djali më i vogël, që në fillim shfaqi prirje për teknikën. Ato më vonë u
përsosë dhe u ngritën në shkallë shkencore.
Nga dritarja e shtëpisë sonë Vason e shihnim shpesh në oborrin e tij, duke
hapur e mbyllur një arkë të vjetër hekuri, duke nxjerrë e futur prej andej
gjithfarë veglash, pjesë këmbimi automjetesh e biçikletash, të vendosura aty,
prej shumë kohësh, duke u marrë gjithë ditën për t'i pastruar, liruar e
shtrënguar ato, me gjithfarë çelësash e pincash. Shumë herë shkonte te pusi i
madh i oborrit për të riparuar çikrikun apo pompën e vjetër të tij. Ndonjëherë
hipte mbi çati dhe kthente tjegullat Marsejeze, për të zënë ndonjë pikë shiu.
Shpesh varej me duar si pehlivan dhe kalonte nga çatia, midis kangjeleve, te
tarraca e shtëpisë fqinje, apo diku gjetkë. E shihnim kur lidhte e shtrinte
telat e pjergullës së vetë, që mbulonte gjithë ballkonin e madh dhe më vonë
edhe një pjesë të oborrit.
Në bahçen e madhe të Suljotëve çdo gjë ishte në vendin e vetë. Oborri qëndronte
shumëngjyrësh, gjithë vitin, me shumë rrënjë portokalle, limona, qitro, e deri
dardhë, kumbulla e fiq.
Punimi e plehërimi i tokës, krasitja e pemëve dhe hardhive, tëharrja e gjetheve
dhe spërkatjet me gjithfarë kimikatesh, ishin punë e vazhdueshme, kryesisht e
Vasos dhe ndonjëherë e konsulentëve të afirmuar dhe shokëve të përhershëm të
tij... Me kalimin e kohës në këto specialitete Vasua u bë mjeshtër i vërtetë.
Kjo tërhoqi vëmendjen e amatorëve pasionantë vlonjatë, që nisën të bënin vizita
për të marrë përvojë dhe për të këmbyer mendime për eksperimentimet e tyre. Nuk
ishte vetëm bukuria, që krijonte bahçja me pemë dhe hardhitë e ngritura deri te
çatia e shtëpisë, funksioni që i kish dhënë tendës edhe për hije edhe për
freski, po edhe prodhimet e varieteteve të reja të rrushit me edhe pa farë, të
llojit kokërrmadh e shumëngjyrësh, aromatik e rezistent. Kishte atje qitro të
pastra e të forta, kokërrmëdha Korfuzi; limona italiane semprefiore; dardhë të
lëngshme të mëdha stambollite; kumbulla vlonjate dhe fiq çepellë Himare. Merakun
për agrumet Vasos ia kish ushqyer nënë Goni. Ajo e mësonte dhe e ndiqte nga afër
me dashuri e admirim dhe e nxiste vazhdueshëm pasionin e tij, duke i bërë
vërejtje e duke i dhënë porosi të vlefshme. Kështu, edhe e edukonte me dashuri
për punën dhe e mbante afër familjes dhe larg shoqërisë së keqe e boshe, siç i
quante ajo, ata që e "grisnin" kohën kot.
Me kumbullat, fiqtë dhe agrumet, sidomos me qitrot, nënë Goni bënte reçelra,
liko e ëmbëlsira karakteristike, duke përtërirë traditat e lashta beratase. "Te
tavolina me gjellë dhe ëmbëlsira duket shkalla e fisnikërisë qytetare e çdo
familjeje", thoshte me krenari të ligjshme nënë Goni. Nga ana tjetër ajo ishte
shumë dorëdhënëse se, jo vetëm na i ofronte për t'i degustuar ato mrekulli të
kulinarisë, po çdo vit, na hiqte e na jepte porcione qitrosh e limonësh,
shoqëruar me teknologjinë e shkruar për përgatitjen e tyre, duke kontrolluar
vetë me rigorozitet zbatimin e recepturave dhe të sekreteve përkatëse Këto
virtyte përcilleshin edhe te Vasua.
Ndërkohë, vitet kalonin shpejt dhe Vasua, sikur rritej e burrërohej çdo ditë. Ai
tani rrethohej nga shokë të shkollës që i zgjidhte gjithnjë me kujdes dhe të
denjë e në përshtatje me natyrën e vetë. Ata, ç'është e vërteta,, formonin ajkën
e rinisë së kohës. Çdo ditë dukeshin në tarracën apo oborrin e shtëpisë, duke
mësuar së bashku, duke u këshilluar e zgjidhur problemet dhe detyrat e vështira
të shtëpisë. Po aty ushtroheshin dhe përgatiteshin fizikisht, sa me një rrotë
vagoni, apo gire e gantele të improvizuara, e më pas, gjuanin te një kosh
basketbolli me rrjetë, që kishin vendosur te një mur i lirë i oborrit. Nga këto
Vasua, dalëngadalë, u bë dhe një sportist cilësor, duke u shquar, së pari në not
e volejboll, e më pas, në basketboll, ku përfaqësoi jo vetëm shkollën, po bëri
pjesë edhe në ekipin e të rriturve të "Flamurtarit".
Më së shumti te Vasua vinin Petraqët (Karaj dhe Truja), Kristaqet (Loli e
Pavli), Lame Fandi, Agim Shuka, Qerim Vrioni, Bajrami, Nardi, Hitua, etj.
Vasua, pasi mbaroi me përfundime të mira Gjimnazin "Ali Demi" në Vlorë, vazhdoi
Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe u laureua në Fakultetin e Shkencave të
Natyrës, në specialitetin kimi-teknologji
Pas marrjes së diplomës, udha e jetës e solli që të takohemi me Vason në të
njëjtën qendër pune, pikërisht, në NISH Prodhime të Ndryshme në Vlorë. Aso kohe
kjo ndërmarrje ngërthente veprimtari prodhuese të disa degëve të ekonomisë si:
Ushqimore, me prodhimin e bukës, sallamit, biskotave, llokumeve, tahin hallvave,
pijeve freskuese; material ndërtimi ku prodhohej gëlqere, tulla e tjegulla, e
poçeri e trashë; dega e drurit me prodhim dyer dritare, tavane e dysheme, karro
e qere, voza druri e deri mobile e orendi shtëpiake. Këto prodhime ishin unikale
dhe plotësonin nevojat për rrethet e Fierit dhe të Vlorës.
Vasua erdhi në këtë ndërmarrje kur unë punoja atje në një detyrë drejtuese. Ai
u emërua teknolog në Furrat e Bukës. Do të udhëhiqte nga ana teknologjike dhe do
të përgjigjej për organizimin e prodhimit dhe të cilësisë së bukës. Çdo gjë
duhej ta niste, përsëmbari, nga e para. Vështirësitë ishin të shumta. Së pari
kërkohej zgjerimi i shkallës së njohurive. E ku i mjaftonin Vasos ato dy tre
leksione që kishte marrë në Universitet për teknologjinë e bukës? Ai siguroi
literaturë dhe iu fut studimit të kësaj fushe.
Në qytetin e Vlorës prodhimi i bukës ishte i organizuar në dy blloqe të
mëdhenj. Në atë, që quhej Blloku i Vjetër, ku përdorej si lëndë djegëse dru
zjarri, shkarpa dhe bërsi lule dielli dhe ulliri dhe Bllokun e Ri, ku u futën
flakëhedhëset (bruciatirët CIT), me gazoil, të sjella nga Italia. Fermentimi i
brumit ishte tradicional, me brumë të zënë. Laboratori ishte, sa për të qenë, pa
pajisjet dhe reagjentët e nevojshëm. Sitja dhe transportimi i miellit bëhej në
formë të thjeshtë dhe pa krijuar mundësi për përzgjedhje dhe përzierje
miellrash. Gatimi i brumit bëhej me brumëgatuese individuale dhe me magje druri
për çdo grykë furre. Punohej me tri ndërresa dhe pa pushime javore. Përdoreshin
tepsi buke me llamarinë të zezë të prodhuara në mënyrë artizanale.
Më kujtohet Vasua, inxhinier i ri, pasionant, sesi iu përvesh i vetëm punës, në
luftë me të vjetrën tradicionale. Së pari, u përqendrua te masat higjeno
sanitare. E nisi me laboratorin dhe dhomën e fermentimit të parë. Nguli këmbë
për veshjen e mureve me pllaka majolike, për dezinfektim e lyerje, më pas për
sistemin e ngrohjes, për peshoret medicinale, furrën mufël dhe reagjentët
kimikë. Çdo gjë e bëri me këmbënguljen dhe duart e tij. Nuk duhet përjashtuar,
këtu edhe ndonjë përkrahje, sado e vogël, dhënë nga ana ime, kryesisht, duke e
pasur si detyrë funksionale, po edhe për ta ndihmuar këtë njeri kaq të dashur e
të talentuar. Vasua çdo gjë e bënte me dëshirë të madhe dhe me këmbëngulje, qysh
nga sigurimi dhe studimi i literaturës në gjuhën italiane e ruse, sigurimi i
reagjentëve të rrallë, organizimi i kurseve për brumëgatuesit dhe pjekësit,
përgatitja e laboranteve dhe më pas për projektimin dhe zbatimin e teknologjive
të reja, në zëvendësim të atyre tradicionale e primitive. Kohë iu edhe desh për
organizimin dhe ndërtimin e konvejerëve, që nga sitja e mekanizuar e miellit,
transportet e brendshme, stivimi dhe ruajtja e bukëve, etj. Këtu shpërtheu dhe
shpirti praktik i inxhinierit me njohuritë dhe dashurinë për teknikën, të nisura
që nga ajo arka e vjetër prej hekuri.
Ishin skandaloze rastet e ndodhura më parë në cilësinë e bukës. Shpesh kishin
dalë në treg bukë me pa pastërti të dukshme si me spango, qime, gurë, cigare e
deri bishta miu. Mbahej mend dhe përsëritej si çudi një rast kur e kthyen nga
tregu një bukë dhe brenda saj çibuku i xha Pandeliut, një pjekësi të moshuar
duhanpirës. Inxhinieri i ri vendosi rregulla të rrepta, të detyrueshme në
regjimin higjeno sanitar. Duhet të vije i larë çdo ditë, me futë të bardhë të
pastër dhe me skufje në kokë. Gjatë punës nuk lejohej, duke punuar të pije
cigare, veçse në një vend të veçantë. Po kështu dhe ngrënia e bukës. Këto masa
të reja, të domosdoshme për një repart ushqimor, nuk u pritën mirë nga shumica e
punëtorëve. Ata tani iu nënshtruan detyrimeve të reja. Shumë prej tyre u
gjobuan, u zbritën në kategori, ose u larguan fare nga puna. Dikush e pa dhe me
smirë e rivalitet këtë formë të re trysnie e kërkese
llogarie.
Më kujtohet një brigadier i moshuar, mandej komunist dhe veteran i luftës, që
mburrej se në ato vite heroike kish strehuar e mbajtur disa ditë në shtëpinë e
tij, vetë Komandantin. Q. e quanin brigadierin. Ai, në të vërtetë, herë vinte e
herë nuk vinte në punë, po, kur vinte, kërkonte të ishte i plotëfuqishëm. Vetë
zot e vetë shkop, siç thoshte. Atë që ai e simpatizonte, e mbronte, edhe kur nuk
ia bënte punën; kurse kur dikush tjetër punonte mirë dhe mund të ishte
shembull, e diskreditonte keqas, po të merrte vesh se kish ndonjë "kleçkë" në
biografi. Vasua që e kishte direkt në vartësi pune, duke qenë kërkues dhe i
drejtë, i vuri në dukje shpejt një tok me mangësi. Ai vërejti se shoku Q kur
kishte turnin e natës, duke qenë dhe i moshuar, përtonte, flinte në ndonjë qoshe
të ngrohtë dhe shpesh as që vinte fare në punë. Vasua e thërriti menjëherë dhe i
vuri në dukje me takt, por pa ia lejuar asnjë nga mangësitë.
-Kush je ti, qe guxon, të më kërkosh mua llogari ?
-Më fal, po, nuk e mendoja që s'do më kishe njohur ende, i tha Vasua, me
sinqeritet. Unë kam tre muaj në detyrën e inxhinierit teknolog, pra, të eprorit
tënd direkt.
-Jo, more, jo. Nuk të pyeta për detyrën që ke. Këtë unë e di mirë, para teje,
se e studiuam dhe e aprovuam kandidaturën tënde në Organizatën bazë të Partisë.
Unë them, kush je ti, që më kërkon llogari mua.
-Më fal, shoku brigadier, po unë për punën të fola, që ajo të bëhet pa të meta,
se … jemi në sektor delikat, që çdo ditë ballafaqohemi drejtpërdrejt me
popullin.
-Dëgjo, inxhinier! Ti, nuk duhet të marrësh guximin e të më zësh mua në gojë
popullin. Ti, jo popullin që s'e njeh, por nuk njeh mirë as familjen tënde,
kurse babain tënd as që e njeh fare, se po ta njihje, do të mësoje që ai nuk
kish asgjë të përbashkët me popullin tonë...
Vasua i ri, fare pa përvojën e jetës dhe të realitetit shqiptar komunist, i
ndërgjegjshëm e pasionant për detyrën e vetë, nga kjo bisedë dhe ky qëndrim i
padëgjuar, befasohet dhe hutohet.
-Shoku Q., juve, siç kam dëgjuar jeni dhe komunist, veteran lufte. Nuk po e
kuptoj këtë mllef, këtë urrejtje dhe armiqësi personale për familjen dhe babain
tim. Unë, jo vetëm që nuk kam dëgjuar për këto probleme të largësisë dhe
detyrave ndaj popullit, por, përkundrazi, di që babain tim, kur unë isha
foshnje, e vranë nazistët, ata që dogjën dhe masakruan bijtë më të mirë të
popullit tonë.
...Këtë problem biografik brigadieri komunist e trajtoi edhe në organizatën
bazë të partisë, çka u bë shkak për fjalë e thashetheme me të gjithë.
Kundërvëniet ndaj Vasos dhe ballafaqimet e para me realitetin e egër, në hullinë
e asaj që quhej luftë klasash dhe që ish një metodë e përhershme, e qëllimshme
pune, aq sa quhej motor i lëvizjes para, e dëshpëruan dhe e dobësuan atë qëndrim
të sinqertë, entuziast e me dashuri për punën, duke e shqetësuar së tepërmi
këtë intelektual të ri e të devotshëm.
Kur e mora vesh këtë qëndrim të ulët e dashakeq të shokut Q, me që e njihja
herët, e ndala dhe bisedova gjatë e shtruar, duke pirë me të një kafe. Ku ta
dinim ne se këta tipa ishin protagonistët e ashpërsimit të luftës së klasave,
bash promotorët e lokomotivës lëvizëse të shoqërisë socialiste. Baballarët tanë
të dashur kishin ikur nga kjo jetë, por shpirti i tyre i mirë vazhdonte t'i
shqetësonte varfanjakët dembelë, ndaj këta përpiqeshin ta nxirrnin dufin e tyre
te ne. Xhebrailët ishin në veprim kudo.
Bisedova edhe me Vason dhe i thashë se ka shumë të tillë në jetën e përditshme,
prandaj duhej bërë çdo gjë për t'i anashkaluar. Ne duhet të ruanim traditat e
mira familjare për një punë pa rezerva e me pastërti, sipas edukatës së ushqyer
në familje dhe në shkollë e të kultivuara ndër vite nga paraardhësit tanë. Ne iu
takonim brezave që kishin lindur për të punuar, për të ndërtuar, për të
ndryshuar e jo për të prishur e për të shkatërruar.
I miri Vaso e kapërceu shpejt gjendjen e shokut dhe me këmbënguljen që e
karakterizonte për punë e studim, po shpejt, u konsiderua nga specialistët
përkatës të Ministrisë, teknologu novator e reformator më i thelluar në
teknologjinë moderne të prodhimit të bukës. Përvoja e punës së tij u
përgjithësua kudo dhe atë filluan ta thërrisnin e ta dërgonin me shërbim në të
gjitha qytetet dhe qendrat e prodhimit të bukës, deri dhe në Kombinatin e ri të
Bukës, në kryeqytet.
Sukseset e bujshme në punë dhe emri i mirë që krijoi inxhinieri i ri me
studimet teorike dhe me realizimet e tij praktike në Vlorë, nxiti xhelozinë dhe
mllefin e kolegëve të tij të pazot në Tiranë e në mbarë vendin...Ata, kishin
ngelur fort larg pas tij, megjithëse, ndërmjet tyre, kish dhe specialistë të
profilizuar jashtë shtetit.
Arrijmë në periudhën kur po dukej dekadenca ekonomike në vend, kurse "udhëheqja
e lavdishme" që "kurrë nuk gabonte" këtë rënie të përgjithshme nuk e shpjegonte
me prishjet e mëdha ndaj Rusisë dhe Kinës, këto paterica të hequra para kohe dhe
të flakura tej, pa mend, por, te shkaqe të tjera të shpikura, të quajtura
"sabotime në ekonomi". Nisën, kështu, gjyqet e hapura me prapaskena të sajuara
për të gjetur armiq të brendshëm në ekonomi. Shumë të tillë u gjetën në sektorin
e naftës. "Ata të poshtër", kryesisht specialistë të shquar, shumica që kishin
mbaruar shkolla jashtë shtetit, nuk po zbulonin më vend burime të reja nafte e
gazi, megjithëse, sipas përcaktimit të vetë udhëheqësit, shkencëtarit dhe
zbuluesit tonë të madh e të magjishëm, jo vetëm Vlora, por, një pjesë e madhe e
vendit tonë, notonte në naftë.
Për çdo gjë e cila nuk shkonte mirë në ekonominë e asaj kohe, thuhej se po
sabotohej nga armiqtë e Partisë. Ata "armiq të rrezikshëm" nisën të zbulohen e
të dënohen pa mëshirë, deri në pushkatim..
Kjo valë e egër terrori filloi të godiste elitën e burrave të shquar, se, në
këtë mënyrë, bënte më shumë efekt dhe linte gjurmë frike, duke paralizuar
kundërveprimet e mundshme. Kështu, tërhiqej edhe vëmendja nga plagët që po
hapeshin për mungesat e theksuara në treg të mallrave ushqimore të konsumit të
përditshëm, si qumështit, vezëve, mishit, kafesë, të cilat pothuajse u
racionuan, më keq se në kohën e luftës. Në të njëjtën kohë, rruheshin kushte të
përshtatshme për thellimin e aksioneve komuniste, në vazhdim të aksioneve
antife, të shkatërrimit të kishave e të xhamive, si për thellimin e
kolektivizimit të pronës deri në tufëzimin e plotë të bagëtive, heqjen e plotë
të oborreve kooperativiste e të ekonomive ndihmëse, në zëvendësim me arëzat në
fshat dhe prishjen deri të qymezeve të pulave e pjergullave të hardhive në
qytet. Një valë e re e egër arrestimesh shpërtheu kudo, sistematikisht, në
dinamikë, në gjithë vendin. Xhipset e policive të degëve të brendshme lëviznin
ditën e më shumë natën me dritat hapur. Humbi dhe buzëqeshja në sytë e njerëzve.
Kur dikush vrenjtej, i ulte e hapte dhe i puliste sytë, partneri stepej e
thoshte "Ç'ke që mi bën sytë si xhipsi i degës."
Në këto kushte, në disa qytete të vendit, njëkohësisht, u çelën gjyqe për të
dënuar, kinse, shkaktarët e prishjes së cilësisë së bukës. Ishte porosi nga
lart, Kjo dukej edhe nga se akuzat u bënë njëherazi, në disa rrethe të vendit.
Në të vërtetë cilësia e keqe e bukës vihej re kudo. Shkaqet nuk kërkoheshin te
gruri, apo mielli i importuar me çmime shumë të ulëta, i gjetur ku të mundej, i
vjetër, i mykur, stoqe nëpër magazinat e botës, i tillë që as për kafshët nuk
përdorej. Shkaku i prishjes së cilësisë së bukës po kërkohej te specialistët, që
duket se kishin kapur për të sabotuar pikën më nevralgjike të politikës sociale,
bukën e përditshme të popullit. Nën akuzë u vu dhe Vasua, që edhe sipas
asetçijve, kishte marrë shumë perdah.
-Mirë mua nuk doni të më besoni po, besoni popullin, që prej kohësh ka thënë:"Si
të jetë mielli, do të jetë dhe buka", u tha Vasua.
-Lëri demagogjitë, por, përgjigju këtu, përpara përfaqësuesve legjitim të
popullit, këtu në Gjykatë.: Pse bukët vijnë erë?
-Kushdo e kupton, fare lehtë, këtë: Ato vijnë era myk. Të njëjtën erë ka si
gruri edhe mielli. Ky lloj mielli, ju a kam thënë, është i papërshtatshëm për
ushqim, madje shumë i rrezikshëm.
-I rrezikshëm je ti, Panajot Spiro Suli, ti je armik i rrezikshëm. Ti, që para
se ta bësh miell, nuk ia heq erën grurit, duke e larë atë. Me këtë kërkon të
diskreditosh politikën e urtë të Partisë dhe ta armiqësosh atë me popullin.
-Po gruri e ka atë erë, se është i vjetër dhe është ruajtur keq, në lagështi, po
i hodhe tjetër ujë për ta larë, atë e bën edhe më të keq. Pastaj gruri nuk
bluhet e të bëhet miell në këtë ndërmarrje, ku jam unë, por në Fabrikën e
Miellit.
-Pusho e mos u justifiko! Po të qe nevoja, edhe në Fabrikën e Miellit të veje.
Kush të ndalojë, aty afër e kishe. Pastaj ç'është ajo bukë, aq e zezë dhe me
shije aq të hidhur? Ka apo s'ka standard për bukën? Pse s'e respekton standardin
shtetëror, ti?
-Ngjyra dhe hidhërimi janë karakteristike të llojit të grurit dhe vjetërsisë së
tij. Ky grurë ka qenë i skaduar..
-I skaduar je ti, bastard kapitalisti, se Partia jonë nuk sjell për popullin
grurë të skaduar, ajo ka qenë është dhe do të jetë gjithnjë vigjilente, vitale,
e fortë si çeliku dhe kujtdo që luan bishtin i pret kokën.
Pa asnjë fakt e argument, mbështetur te disa dëshmitarë agjentë, të vënë enkas,
për të plotësuar procedurat dhe të një eksperti fals, rival i hershëm i Vasos, u
dha pretenca dhe u muar vendimi qesharak i Gjykatës, sipas së cilit Vasua u
gjend fajtor për cilësinë e keqe të bukës dhe u dënua me punë korrektonjëse në
prodhim, si punëtor i thjeshtë.
Vendin e tij, si teknolog në Furrat e Bukës e zuri, menjëherë, eksperti i
gjyqit, që shpejt u ngjit, ndofta, me të njëjtën mënyrë, në shkallë të larta të
hierarkisë shtetërore, duke zënë pozicione kyçe në të gjithë qeveritë që pasuan
e deri në ditët e sotme.
I miri Vaso, viktimë e kohës, e nisi veprimtarinë nga e para dhe, në punën e re,
dora-dorës u shpalos sërish aftësia e tij e pazakontë mendore, tashmë e plagosur
rëndë, e tollovitur, por e pamposhtur…Tani filloi të studiojë dhe të thellohet,
si asnjë tjetër, në teknologjinë e lashtë të prodhimit të tullave prej argjile..
Shpejt nisi të jepte mendime, siç dinte ai, pa u kursyer, duke dhënë propozime
racionalizuese për lehtësimin e proceseve të rënda të punës, për rritjen e
shkallës së mekanizimit, për uljen e skarcitetit të shumtë, për kursimin e
lëndëve djegëse, për shkurtimin e ciklit prodhues dhe rritjen e rendimentit të
punës dhe uljen e kostos së prodhimit të tullave e tjegullave prej argjile.
Me propozimin e dashamirësve dhe simpatizantëve të rinj, që nuk mungojnë dhe
janë rezultante e mirësisë njerëzore, zotëruese në këtë jetë, Vasua përkrahet
dhe zë vend si teknolog e më pas kryeteknolog i Fabrikës së Tullave. Brenda një
kohe të shkurtër, falë talentit dhe dhuntive që ai kish për teknikën, si dhe të
studimeve këmbëngulëse, që ishin në natyrën e tij, ai realizoi ndryshime të
thella teknologjike... E nisi nga parapërgatitja dhe kompostimi i argjilës, për
të siguruar përbërjen mineralogjike optimale, vazhdoi me prerjen dhe stampimin,
për të siguruar një gamë të gjerë asortimentesh, si të tullave dhe të
tjegullave, u përqendrua në procesin e tharjes së parafabrikateve, për të ulur
skarcitetet e shumta. Po të njëjtin qëllim synoi dhe në procesin e pjekjes,
duke mos përjashtuar ekonomizimin e harxhimit të lëndëve djegëse nëpërmjet
kombinimit të përzierjeve të llojeve të ndryshme të qymyreve dhe të zhavorrit
bituminoz, për të siguruar deri me metoda të matematikës së aplikuar, në
funksion të minimizimit te shpenzimeve
Më pas Vasua u vu në krye të një grupi specialistësh, grumbulloi materiale dhe
bëri një studim të plotë për ndërtimin e një fabrike të re për prodhim tulla
tjegulla me teknologji të përparuar dhe kapacitet prodhues të shumëfishuar, në
zëvendësim të fabrikës primitive ekzistuese.
Dalëngadalë vitet kalonin dhe Vasua, duke plotësuar dhe një dëshirë të kahershme
dhe këmbëngulëse të nënë Gonit, u bind se duhej martuar. Zgjodhi bashkëshorte
një vajzë të bukur e të zgjuar, sipas shijeve të veta, që shumë shpejt, i dhuroi
dhe dy djem të denjë për ta, monumente të kënaqësisë së pafundme..
Vasua, vitet e fundit të punës në shtet, u kthye te pasioni i tij i madh i
fëmijërisë, te produktet e hardhisë e të rrushit, të kënaqësitë khajamiane të
verës, si Drejtor në një Kantinë për prodhim Vere e Rakie, ku për disa vjet u
muar me eksperimente pasteriane.
Nuk duhet lënë mënjanë dhe përfshirja e viteve të fundit në politikë, ku më
shumë e angazhuan të tjerët për t'i dhënë atë vend që meritonte dhe ku dështoi,
nën diktatin e dhunës, si shumë të tjerë, por edhe falë tipareve të tij shumë
liberale e demokratike. Më shumë kohë dhe telashe i hapën problemet pa krye e
fund, të rimarrjes së pronave të babait, rrugë qorre e historisë moderne,
postkomuniste.
Fundi i Vasos ishte sa i parakohshëm aq edhe tragjik: Duke ruajtur, deri në
çastet e fundit të jetës së tij shpirtin e pamposhtur të ndërtuesit, ishte e
thënë të mbetej monument i karakterit të vet. Ai, aksidentalisht, rrëzohet nga
tarraca e një godine turistike në ndërtim dhe dha shpirt rrugës tek po e
mbartnin për në Spitalin Ushtarak Tiranë...
Ceremonia mortore dhe varrimi u bë në Vlorë, në qytetin e tij të lindjes, me
madhështinë që meritonte ai bir i paharrueshëm i Vlorës.
Për kujtimet s'paska shembje,
Paska lot e paska dhembje.
Ali Asllani
SEDRA E BUKUR QË VRET
(Rekuiem për Nuro Boden)
(Rekuiem për Nuro Boden)
Në jetë kam njohur dhe jam përplasur me gjithfarë tipash e karakteresh. Ndërmjet
tyre ka pasur shumë njerëz të liq, dashakeq, të poshtër në gjenezë. Po, këta,
veç sa më dalin para syve, si në ekran e nuk qëndrojnë. Ekrani bëhet si me
"miza", sikur nuk ka antenë. Fytyra që dyzohen e lëkunden. Po, jo. Larg nga
kujtimet për këto shëmtira. Ikni, largohuni, satanenjë, pjellë e keqe
kafshërore. Shkoni te shokët tuaj të shumtë...Unë pëlqej të tjerë...Vlerësoj
lart, me shumë kënaqësi veprat, qëndrimet dhe vetitë e mira të njerëzve me të
cilët kam punuar, kam njohur në udhët e jetës, sidomos ata të brigjeve të dy
deteve: Adriatikut dhe Jonit. Për ata ëndërroj.
Oh, Nuro Bodua!? Ku je, o meteor? O yll i këputur, që shkëlqeve vetëm një çast,
sa vezullove atë natë aq të errët?
Unë isha njohur që në fëmijëri me vëllezërit e Nuros: Ganiun dhe Skënderin. Më
pas dhe me vëllain e vogël, Isufin dhe me motrat e tyre të mira. Qysh nga babë
Diku, babai i tyre me origjinë nga Dukati i Vlorës, prindërit tanë dhe familjet
tona kishin miqësi të kahershme.
Në vitin l965 Nuro Sadik Bodon e gjeta brigadier në grupin e remontit mekanik të
Fabrikës së Çimentos në Vlorë. Kishte mbaruar shkollën e mesme teknike në
Tiranë. I ri, i shëndetshëm, i bukur, i mençur, i shkathët si ai; optimist e me
prirje politeknike. Shumë shpejt, Nurua, e njohu mirë çdo bulon të fabrikës
plakë dhe skish problem, sado të vështirë, që mos të zgjidhte, brenda një kohe
rekord dhe me minimumin e shpenzimeve.
Duke qenë se edhe unë isha kureshtar për problemet teknike, punën prodhuese si
nëpunës, që ishte një detyrë njëmujore e përvitshme, gjithnjë e bëja në brigadën
e tij. U miqësuam fort, në thellim të miqësisë familjare tradicionale dhe nuk
ndaheshim as mbas ditëve, duke u aktivizuar në veprimtaritë sportive. Ai ishte
një qendërmbrojtës pakalueshëm i ekipit të futbollit të Fabrikës së Çimentos, që
disa herë ishte shpallur kampion lokal; notonte shumë shpejt dhe bukur dhe ishte
drejtues kryesor në garat e kanotazhit, që organizonim me lança druri në
bregdetin e Vlorës. Shkonim edhe në plazh si dhe në birraritë, barlulishtet e
pistat e vallëzimit të lokaleve të shumtë të qytetit.
Ai, u bë në familjen time, aso kohe, pjesëtar aktiv dhe, më kujtohet si tani
kur, në një rast, në oborrin e shtëpisë time në lagjen Muradie në Vlorë, bëmë ca
përshtatje. Na u desh të lëviznim me leva hekuri të gjata një masë guri disa
tonelatash, një pilë të madhe të gurtë vere, që, ndofta prej shekujsh, ishte në
atë vend. Nurua mendoi se ajo, pa u dëmtuar, si antikitet, mund të përdorej edhe
si një bazament i paluajtshëm për këmbët e një shkalle betoni, në ndërtim.
Nurua, gjithashtu, propozoi që, në një copë letër me bojë kine të shkruanim
identitetin tonë dhe pastaj atë e futëm në një shishe qelqi të taposur mirë, me
qëllim që, siç tha Nurua, arkeologët e ardhshëm pas qindra vjetësh, ta zbulojnë
nën gurë dorëshkrimin dhe ne të ngelemi të pavdekshëm e të dëgjuar për brezat e
ardhshëm. Ashtu u bë.
Nuro Bodo ishte në lule të rinisë. Ai ishte i mbushur me ëndrra dhe dëshira
jetësore, me vullnet e dashuri për të renë e të bukurën. Ishte koha kur
adhuronte Bulen, një gjimnaziste të re dhe të bukur nga lagja Muradie, me të
cilën dhe kishte bërë pikëpjekje disa herë fshehurazi. Me të adhuruarën kishte
qenë, ndonjëherë, në mbrëmjet e vallëzimit në shkollë dhe në kodrat për rreth.
Mua më hapej dhe më thoshte, plot besim e shpresë, se me punën dhe përpjekjet e
tij, do të ndërtonin një të ardhme të shkëlqyer, që ajo të jetonte si princeshë.
Nga babë Diku kish dëgjuar për pronat që dispononin, si pasuri të tyre, në të
shkuarën, në Karaburun të Vlorës dhe ëndërronte, që në të ardhmen, atje, do
Zoti, të ngrinte një vilë madhështore. Krahasuar me klimën dhe bukurinë e rrallë
të kësaj zone, ç'kishin më shumë princat anglezë?
Nuro Bodua, i lindur dhe i rritur në një familje të kamur, që veç të tjerash
kishin pasuri të tyre dhe përdornin automjete, favorizuar dhe nga ushtrimi i
këtij profesioni nga vëllai më i madh, Skënderi, që ishte një profesionist me
emër, si dhe nga fakti që vetë Nurua kishte mbaruar shkollën teknike dhe punonte
si brigadier mekanik, e kish hobi automobilizmin dhe automjetet. Nuk kish tip
automjeti, që hynte në hapësirën e Fabrikës së Çimentos dhe të Eternitit pa u
gujduar nga Nurua. E hapte automjetin me çelës dhe e ndizte vetë, qoftë dhe pa
lejen e drejtuesit të tij. Dhe askujt nuk i ngelej hatëri, jo vetëm se nuk
shfaqte asnjë rrezik dëmtimi, por nga që Nurua zbulonte mangësitë e mundshme të
mjetit, përcaktonte dhe ndërhynte për eliminimin e defekteve, si një mjeshtër i
vërtetë.
Mbi të gjitha, Nuro Bodua, dallohej për një karakter të fortë dhe edukatë moralo
qytetare të shëndoshë. Kjo cilësi e tij, mund të thuash se, kalonte në ekstreme
të pa krahasuar me njeri tjetër. Ishte kjo dhe arsyeja kryesore e fundit të tij
tragjik e të mundimshëm. Aksidentalisht, kur ishte në një terren tepër malor, në
Llogora, i mori flakë motoçikleta, që drejtonte dhe pas kësaj edhe teshat që
kish veshur. Aty, buzë rrugës takoi të ishte një grup vajzash e grash
kooperativiste duke punuar, që vrapuan për ta shpëtuar. Ai, sedërli, tej mase,
nuk i dëgjoi britmat dhe porositë e tyre për t'i zhveshur pantallonat e marra
flakë, por largohet, ndofta, ta bënte këtë veprim sa më larg tyre. Kjo i krijoi
djegie e plagë vdekjeprurëse. Kështu qe shkruar, siç thonë pleqtë, fundi i jetës
së këtij njeriu të mrekullishëm. Po ja që dhe sedra e bukur vret e djeg.
Ishte aq i mirë sa që duket se Perëndia e desh ta kish pranë vetes sa më shpejt
dhe t'i linte familjes, shoqërisë dhe mua, personalisht, një zbrazëti, që nuk po
mbushet kurrë.
Suksesi sjell miq, dështimi i vë ata në provë
Latine
VJERSHËTORI OPTIMIST
Nuri Drassa formon një karakter fort të veçantë, që të bën për vete dhe, po e ke
njohur nga afër, nuk mund ta harrosh kurrë. Gjithnjë i gëzuar dhe optimist; i
shëndetshëm, energjik dhe në lëvizje të përhershme; i veshur pastër dhe me
shije; i bukur dhe simpatik deri në moshë të madhe; i shoqërueshëm me të
gjithë; gojëmbël, syqeshur dhe në humor krijues shumëformësh; me prirje
artistike në këngë dhe dramaturgji; poet i pasionuar me ndjenja atdhetare e
mistiko fetare.
Nuri Drassa lindi në qytetin e Gjirokastrës, në vitin fatlumë 1908, duke qenë
kështu, bashkëmoshatar dhe shokë fëmijërie me… nënën time. Po aty u arsimua dhe
mbaroi shkollën e mesme.
Ne, me familjen Drassa, që rridhte nga një fis me tradita të hershme qytetarie,
nga Gjirokastra, ishim shumë të lidhur në miqësi e krushqi. Xhaxhesha ime,
Ruhua, ishte motër me teto Nefisenë, nënën e mençur të Nuriut. Vetë Nuriu, që
ishte si vëlla i madh në shtëpinë tonë në Gjirokastër e aq me shumë në Vlorë,
pas viteve 1920, e nderonte shumë Kamanin, babain tim, me të cilin lidheshin, në
vazhdimësi edhe për punë tregtie. Shpesh hanin, pinin dhe këndonin bashkërisht.
Nuriu të tërhiqte, si me magnet, me ato tregimet e bukura, që i përshtaste për
çdo lloj moshe dhe që i paraqiste me aftësi të rrallë artistike, duke përdorur
disa lloji zërash, në imitim të burrave, grave dhe deri kafshëve. Tregimet i
vinte në mjedisin e duhur dhe i dilnin të natyrshme, por gjithnjë me qëllim
edukativ, atdhetar dhe që të zgjonin gëzim dhe besim.
Më kujtohet, njëherë, kur qortonte djemtë, që në të shkuarën emigronin së koti
jashtë shtetit dhe as që rrinin, për të plotësuar objektivin e tyre ekonomik,
kulturor, apo për arsimim, po ktheheshin më budallenj nga ç'iknin. Për këta ai
thoshte:
Vajti djali në Martalloz,
Doli shul e erdhi lloz...
Ç'pruri, ç'mësoi dhe ç'thotë
Gadra-budra nëpër botë.
Nuriu bënte shaka të bukura dhe linte gjurmë të thella kritike, sidomos për ata
që hiqeshin me të madh dhe për ata që lakmonin e kërkonin të merrnin e të bënin
të tyre edhe atë që nuk u takonte.
Një të tille ai trajtonte dhe gjirokastritin Mitat , në të vërtetë një burrë i
urtë, që për ne kishte emër të mirë, po që Nuros i kishin folur keq, se gjoja
kishte shpifur për të, gjoja për një marrëdhënie dashurore të Nuros dhe nuk
duronte, derisa t'ia lante borxhin. Mitati, në kohën e këtij tregimi, ishte
shitës në një dyqan shtetëror, që regëtonte pjesë këmbimi automjetesh. Dyqani
ishte te blloku tregtar afër Merkatos së Sahatit, në qendër të Vlorës së vjetër.
Ai ishte një burrë i moshuar, i gjatë, po çalonte në një këmbë, prandaj mbante
gjithnjë pranë bastunin, për t'u mbështetur, që do të thotë se pengohej edhe ne
ecjen e zakonshme, pa le, po të ish nevoja, për të ndjekur njeri me vrap.
Një ditë, që në mëngjes herët, sapo Mitati hapi qepenin e dyqanit, kur pas tij
sheh Nuriun. Ku ta dinte ai se kishte radhën për t'u ballafaquar me një ngjarje
të çuditshme , me një rëngë të përgatitur nga Nuriu me kujdes, që do të bënte
bujë dhe do të mbahej mend për shumë kohë , duke u quajtur si ngjarja e vitit.
-Mirëmëngjesi, Tate! Si m'u gdhive sot? Përshëndeti me afinitet,
duke shpënë buzën në gaz, Nuriu.
-Mirë, faleminderit! Po, ti? Përse e ke prishur gjumin?
-Ç'gjumë ziu, mo? Unë, s'kam fjetur fare, gjithë natën. Sa rashë, më zgjoi një
ëndërr e llahtarshme: M,u shfaq, si lugat, qoftë larg, babai im, ndjesë pastë
dhe i shpërfytyruar, me zë të lart, gjithë inat, më tha:
-Nuro, more bir! Nuk po më tret dheu. Si, more djalë, ende nuk ja ke kthyer
borxhin zotit Mitat ?
-Cilin borxh, more baba, e pyes unë i çuditur.
-Pse bën të pa diturin, ma ktheu me më shumë inat. Nuk e ke hapur fare
sundukopollon time të seneteve? Dhe, pasi unë heshtja i habitur, ai vazhdon me
një ton urdhërues: Hape që tani dhe nesër, që në mëngjes, të më lashë borxhin,
ndryshe të bëra lanet. Çelësin e ke te kamarja në avlli. Paratë jepja një për
një Mitat Agait. Dëgjove- M I T A T I T…
U zgjova i lebetitur, po jehona e zërit vazhdonte … M I T A T I T. Hapa shpejt
e shpejt sundukopollon dhe e gjeta senetin, të mbështjellë me një letër të
vjetër pergamenë. Ja ku e kam.
Mitati e kishte humbur fare dhe dëgjonte, i habitur, duke u futur në temë me
vështirësi. Kur Nurua nxori nga xhepi "senetin" Mitati, megjithëse i zgurdulloi
sytë, nden syzat me xhamat optik plus pesë, ca nga që nuk shihte mirë, ca se
ende nuk i kish dalë mamullëku i gjumit, ca se u befasua nga ky lajm i pa
besuar, që po i pëlqente gjithnjë e më shumë, i hoqi, instinktivisht syzet, i
fshiu disa herë, i emocionuar e i gëzuar, se parashikoi një si dhuratë nga Zoti.
Meazallah, nuk e dallonte dot se ç'shkruhej në atë letër të zhubrosur, që Nuriu,
me qëllim, po ia tundte nën hundë, duke qeshur.
-Po, ç'thotë, mo gaz, ç'thotë ajo kartë e bekuar, ai senet perëndie?
-Seneti, me firmë dhe me dëshmi e vulë noteri, thotë që babai yt, ndjesë pastë,
i ka dhënë babait tim të ndjerë, plotë 100 lira flori.
Mitatit, që kuptoi se këtu ishte një punë borxhi, në fillim i shkoi mendja për
një shumë të vogël, por kur mori vesh për këtë vleftë marramendëse, si thesari i
Ali Babait dhe që po ta kishte atë, familjarisht, automatikisht e shpëtonte nga
fukarallëku, nisi të thurte me mend plane të mëdha se si do t'i harxhonte dhe…
thuajse po çmendej fare. Aty për aty mendoi dhe vendosi, që mos t'i pranonte të
gjitha, kinse për zemërgjerësi. Ky veprim, në të njëjtën kohë, bëhej për të
hequr, në sytë e botës, namin. që i kishin nxjerr të tjerët, si kurnac
Gjirokastre. Tha: Do t'i lë ndonjë pjesë Nuriut. Kështu që, pasi u plas e zuri
vend në nje karrige, gjithnjë me bastunin pranë, i djersitur, mendoi t'i bjeri
anës e anës, si dinak që qe dhe i thotë, kinse indiferent, Nuriut:
-Po, pastaj …, ç'ke ti me këtë borxh të baballarëve tanë? Ku ka borxhe të
vjetra tani. Qeveria komuniste nuk i njeh më këto farë borxhesh.
-More, tuhaf! Ç'punë ka Qeveria me borxhet tona. E merr vesh ti që për këtë
punë babait tim nuk po i treten kockat në varr, po ka dalë e bredh nëpër botë,
si lugat dhe që, pikërisht, për këto teneqera mua do të më bëjë lanet?
Ndërkohë, për t'u bërë më i besueshëm, sipas planit të parapërgatitur, Nuriu fut
dorën në xhep dhe trazon e nxjerr tingëllima monedhash metalike.
-Po, ti, o Nuro vëllai, si e mendon këtë punë? Unë them se 100 napolona flori,
janë ca si shumë. Të merremi vesh. Unë them t'i ndajmë në mes, gjysmat unë dhe
gjysmat ti. Unë edhe kaq i kam shumë, qelepir i kam, se sikur po m'i dërgon
Zoti, nga qielli. As kam ditur dhe as që kam dëgjuar për këtë borxh. Pastaj,
ato, të shkretat flori janë me rrezik, se i kërkon dhe i mbledh shteti. Edhe për
t'i thyer, me ato të miat, ti do merresh.
-Jo, jo ! Të gjitha ! Të njëqinda !
Pas kësaj ujdie i madhi Nuro, aktori, humoristi i përjetshëm, e fut prapë
dorën ne xhepin e pantallonave, kthehet nëntëdhjetë gradë, e ngre pak lart, të
thyer në gju, këmbën e majtë dhe thotë, duke u shtrënguar pak : Merri…bër,
…bër…,bër. ..,bër…bërr. Nuroja kish marifet që i nxirrte gazrat me lehtësi,
sa herë të donte dhe si të donte tek e tek dhe me breshëri, me timbër tenori,
apo me timbër basi. Si e dha breshërinë e parë pesçe bas, ia dha vrapit. Mitati
i shokuar, në fillim u step, se goditja qe e papritur dhe e rëndë, pastaj u
ngrit me bastunin, çalë, çalë, po hajt ta zije Nuron e shpejt. Ai vazhdonte
programin duke i numëruar goditjet zë holla. Te cepi i Merkatos, ndenë Sahatin e
Madh, pasi kishte shmangur, me një kërcim akrobatik, bastunin e Mitatit, që ia
kishte hedhur së largu, cingëlthi, i thotë atij :
-Tani, merre, prite të njëqindtën. Dhe i këput një bas, si top… që sa s'theu
xhamat e shumta të Merkatos Publike dhe duket sikur këputi zemberekun e Sahatit,
që prej atij çasti ngeli dhe nuk punon edhe sot e kësaj dite.
- Borxhin unë e lava. Kjo ka lidhje me ato llafet e pavërteta që, më kanë thënë
se ti ke shpifur për mua. Mirë mbetsh e mos u ngopsh! Ta kesh porcion dhe mësim
për gjithë jetën!
***
Në kohën e okupacionit italian Nuriu kreu gjithfarë punësh të suksesshme
tregtare. Një tregti me leverdi doli për të shitblerja e medikamenteve
farmaceutike. Së bashku me disa mjekë dhe specialistë të mesëm çeli farmaci me
medikamente të sjella nga Italia në Vlorë dhe në Gjirokastër. Me që në këtë kohë
u përhapën shumë disa sëmundje masive e infektive si dizenteria, gripi dhe
malaria, ilaçet kundër tyre kërkoheshin shumë. Edhe vetë ushtarët e shumtë
italianë, që erdhën për të përballuar luftën në frontin italo-grek, kishin
kërkesa për gjithfarë ilaçesh, bandash, dizinfektantësh, pomadash e kremrash.
Italianët, të pamësuar me ushqimet e këtushme, me mishrat e pakontrolluar e të
pa ruajtur nga një mori mizash e insektesh, i zuri në masë dizenteria. Atëherë,
u porosit në sasi të mëdha një ilaç efektiv kundër cermës masive. Nurua
përgatiti parulla të shkruara në dy gjuhë :"Blini sa më shumë ilaçin çudibërës
KASKARASAGRADA"
Porositë e tij për ushtarët që vinin e blinin ishte : E pini, pa merak. Vërtet
me të të heq më shumë barku, po ama jashtëqitja është e plotë dhe përfundimtare.
Pas kësaj, nuk të ngelet tjetër gjë në bark dhe s'ke se ç'nxjerr- veç ujë, të
padëmshëm. Qëllimi i tij ishte të merrnin sa më shumë kaskarasagrada, që bënte
veprim të kundërt, po të parrezikshëm, se kështu edhe fronti i kësaj lufte të
mallkuar do të boshatisej më shpejt edhe toka shterpë e kësaj zone do bëhej më
pjellore dhe e pasur në azot e fosfor. Ekspertët e mirëfilltë ushtarakë, që kanë
shqyrtuar shkaqet e dështimit të frontit të madh të luftës ndërmjet Italisë dhe
Greqisë, duan të thonë, se, veç dezertimit masiv të rekrutëve shqiptarë, të
mobilizuar në dy batalionet nga italianët dhe faktit që kjo ishte një luftë e pa
drejtë, një nga shkaqet vendimtare të dështimit të ushtrisë italiane ishte,
padyshim, përdorimi i kaskarasagradave të furnizuara, enkas, nga Nuri Drassa..
Edhe unë jam i bindur për këtë, ndryshe do kish fituar Italia e Madhe, se
raporti i forcave të hedhura në front dhe armatimi, që janë vendimtare për
fitoren, ishte një me dhjetë, në favor të italianëve.
Veç kësaj, ekspertët politikë kanë nxjerrë në pah rëndësinë atdhetare,
nacionaliste, hakmarrëse të këtij veprimi të guximshëm të një të riu shqiptar.
Kjo edhe për hakmarrje: Vite më parë, pikërisht në pranverën e vitit 1920,
italianët, të dëshpëruar nga qëndresa popullore shqiptare në Vlorë, përdorën në
masë me detyrim në burrat vlonjatë, vajin e ricinit. Ndihej një turp masiv, kur
këta burra trima, në vend që të përdornin dyfekun kundër italianëve, i kishin
bllokuar duart te ushkuri i brekëve. Këtë poshtërsi një shqiptar patriot nuk
mund ta harronte! Dhe e pruri rasti, që në emër të tyre, të hakmerrej Nurua,
duke e larë borxhin me të njëjtën monedhë.
***
Nuri Drassa ishte myhib i besimit bektashi. Për disa vite ishte Sekretar i
Kryegjyshatës Botërore të Bekatshinjëve, në Tiranë. Ai nderonte në mënyrë të
veçantë dhe ishte besnik deri në vdekje i kryegjyshit, hirësisë së tij Dede
Ahmetit, miqësinë me të cilin e kishte që kur dervish Metja shërbente, në një
pozicion modest, në Teqenë e Kuzbabait, në qytetin e Vlorës. Pas vdekjes së
babës tim, Kamanit, që ishte Sekretar dhe Dervish nderi në teqenë e bektashinjve
të Kuzbabasë, në Vlorë, vendin e tij e zuri Nuriu.
Ishte, pikërisht kjo periudhë, disa muaj pas vdekjes së Kamanit, kur, në
shtëpinë tonë, në lagjen Muradie të Vlorës, erdhi Nuriu civil, i shoqëruar me dy
prelatë bektashinj, të diferencuar në grada, siç merrej vesh nga shenjat
përkatëse në uniformat e tyre. Nëna ime, Kekea, bashkënxënëse e hershme dhe
shoqe fëmijërie me Nuriun, i priti me respekt të veçantë dhe i drejtoi për në
dhomën e miqve, ku ata u rehatuan, sipas pozitave jerarqike. Në krye qëndroi, më
i riu, që ishte një person i njohur nga ne të gjithë. Ai ishte gjysh Abedini,
një mesoburrë me pamje të hijshme, pushtuar nga misticizmi, dhe me ato sy aq
të bukur, që gjithnjë qeshnin me dashamirësi. Prelati tjetër, më i moshuar, i
plakur, i vuajtur dhe i dëshpëruar me një mjekër krejt të bardhë e të gjatë, po,
më i ulët në gradë, nuk njihej nga ne, ndaj Kekea, nëna ime, pyeti, me kureshtje
dhe kërkoi, mundësisht, t'u prezantohej.
-Është dervish Qebiri, një mik i vjetër dhe koleg i denjë i të ndjerit, burrit
tuaj, shpjegon, me respekt dhe përulje, siç e kërkonte etika fetare, Nuroja. Ka
ardhur për të ngushëlluar, pak me vonesë, por tani iu bë mbarë nga Zoti, se
banon larg, në teqenë e Turanit. Ka qenë dhe vazhdon të jetë ca si i sëmurë.
-Ç'e mundon? Nga se është i sëmurë, hirësia, pyeti me keqardhje të dukshme, nëna
ime.
-Si të ta shpjegoj. Nuriu nuk mund t'ia jepte haptazi diagnozën, duket, për mos
ta shqetësuar pacientin, ndaj, në një gjuhë që mund ta merrte vesh mirë Kekea,
si bashkënjohëse e vjetër e gjendjes në Gjirokastër, Nurua vazhdon shpjegimin:
Në gjuhë shkencore, me që ti e merr vesh, moj zonja Keke, kjo lloj sëmundje
quhet metobilica… Do ta shpiem në spitalin "special" të Vlorës për ta
diagnostikuar dhe kuruar.
Nuk kish nevojë për shpjegime të tjera. Nëna ime nga sa dëgjoi dhe nga
buzëqeshja e Nuros e mori vesh. Në moshën e tyre të fëmijërisë në Gjirokastër
ishte i njohur nga të gjithë maroku Meto Bilica, një i sëmurë psikik, që bridhte
ditë e natë sokakëve të qytetit, pa shpresë shpëtimi. Edhe nëna ime, duke uruar
dervishin për shërim të shpejt, padashur, duke menduar për zgjuarsinë dhe
shkathtësinë e Nuriut, vuri buzën në gaz, duke harruar për një çast se miqtë e
nderuar kishin ardhur për kortezi, me rastin e një ngjarjeje mortore.
***
Me kalimin e viteve Nuriun, gjithnjë gazmor, të çiltër e të pafajshëm e
përndoqën dhe e përfolën në lagje disa ekstremistë bashkëvuajtës. Kur u
shkatërruan kishat, xhamitë dhe teqetë, në letrat e shkruara të gjetura në
teqenë e Vlorës, gjoja, u zbuluan dhe disa poezi të Nuri Drassës me metafora
sfiduese për gjemba e ferra rreth flamurit shqiptar, që, kinse, simbolizonin
komunizmin dhe komunistët, paçka se Nuroja, ishte krejt indiferent për politikën
e aq me shumë për komunistët Kjo dukej nga që në reliktet e tij të ruajtura me
kujdes kishte dhe një dokument kur kish qenë bashkënxënës e bashkëmoshatar me
udhëheqësin kryesor të tyre dhe kur kishin dalë në fotografi, pasi shfaqën me
sukses një pjesë teatrale, që e loznin së bashku. Ata kishin pozuar në pozicione
kur atë, pa e ditur se do të bëhej, në të ardhmen gjysmë perëndi, e kishin
vendosur bash te këmbët e Nuros, madje, sipas rolit që luante, të veshur si
grua.
Ishin të vështira dhe të pamerituara ditët e fundit të jetës se tij aktive, kur
Nuri Drassa i sëmurë, në skamje dhe në izolim të plotë, përjashtuar disa miq të
pandarë, ndërroi jetë, pa e humbur asnjëherë besimin se fëmijët e tij do të
bëheshin të mirë, do ruanin traditat e tij të shoqërisë, miqësisë së vërtetë
dhe të mirëkuptimit, do të gëzonin një jetë më të lumtur, siç e ëndërronte Ai,
në liri e demokraci.
TRE
PERSONALITETE
NË
UDHËN TIME
PERSONALITETE
NË
UDHËN TIME
Për njeriun nuk ka thesar më të madh enjë mendje që di.
Sofokliu
NJË DREJTUES LARGËPAMËS
E njoha nga afër Ejup Mitën kur shkova me punë në Llakatund. Atë e gjeta atje
Drejtor të Ndërmarrjes Bujqësore Shtetërore "Lufta e Vlorës". Kjo zonë, me
tradita shumë të hershme në agro- kulturë, me mundësi të mëdha ndryshimesh,
kishte ngelur shumë pas nga si shoqet e saj.
Ejup Mita lindi në fshatin Fterrë të krahinës së Kurveleshit, fshat me tradita
për shqiptari dhe arsimdashje. Djalë i një hoxhe fshati u edukua qysh në
fëmijëri me korrektesë dhe edukatë e dashuri për njeriun, punën, Shqipërinë
dhe për librat. Ardhur në Myzeqe të Vlorës, pasi përfundoi me sukses Institutin
e Lart Bujqësor në Tiranë, degën e agronomisë dhe ngjeu këmbët e njoma në baltën
e kooperativave dhe ndërmarrjeve bujqësore të rrethit të Vlorës, duke përfituar
një përvojë të madhe, dhe pasi kreu dhe një kurs pas universitar për
agrikulturë në Itali, agronomi i talentuar u caktua për të drejtuar bujqësinë
intensive në Fermën e Llakatundit.
Ferma e Llakatundit, në bërthamën e vetë është, ndofta, një nga qendrat e
organizuara të prodhimit bujqësor e blegtoral ndër më të vjetrat në Shqipëri.
Sipas dokumentit nr. 1741 të AQV, në vitin 1934 konsulli italian në Vlorë
raporton: "Çifligu më i frytshëm dhe më me rëndësi i krahinës së Vlorës është ai
i Llakatundit, pronë e familjes Vlora…" Atë e merrte me qira gjirokastriti Rasim
Babameto. Më vonë , para okupacionit italian atë e bleu një kont italian dhe
akoma më vonë, rreth vitit 1938, Kavalier Orlando, po italian, duke u përpjekur
për ta kompletuar me blegtori të racës, teknologji dhe mekanizma të kohës.
Sidoqoftë, kjo bërthamë, megjithëse e përparuar për kohën, ishte shumë e vogël,
rreth 250 hektarë tokë bujqësore dhe 100 njësi gjedhi.
Dalëngadalë gjithë fusha e Llakatundit dhe më pas ajo e Lubonjës, Selenicës,
buzë lumit Vjosë e fundit të lumit Shushicë, deri në kufi me Beshishtin dhe
fushën e Myzeqesë, në tokat e shtatë fshatrave të Topalltisë, u përfshinë në një
ndërmarrje bujqësore të madhe, me gati 3000 hektarë tokë, nga më pjelloret, me
2000 njësi gjedhi të të gjitha kategorive e racave të zgjedhura të blegtorisë,
si lopë, dele, pula dhe derra. Nuk ishte e lehtë të drejtoje dhe të organizoje
punën e tremijë punonjësve të kësaj ndërmarrje intensive, që vepronte me cikël
të mbyllur dhe me një bazë prodhuese e teknikë, thuajse primitive. Kur shkuam ne
në fermë, rezultatet ekonomiko financiare, në kushtet e çmimeve fikse të
shitjes, ishin në pragun e katastrofës. Ndërmarrja punonte me humbje dhe merrte
donacion shtetëror.
Ç'ndodhi më vonë? Brenda një kohe të shkurtër u bë një përmbysje e madhe drejt
përmirësimit tekniko ekonomik e financiar të kësaj ndërmarrje. Dhe pa dyshim
merita për shndërrimet e menjëhershme i takojnë Ejup Mitës, këtij drejtuesi e
organizatori të talentuar, idealist e guximtar, që për mua është një nga burrat
më të mençur, më të aftë dhe më të ndershëm që kam njohur, një strateg i
vërtetë largpamës.
Së pari ai drejtoi vetë studimin shkencor për përqendrimin, specializimin dhe
kooperimin e zhvillimit prodhues perspektiv të ndërmarrjes, mbi bazën e një
përvoje dhe shfrytëzimit të literaturës për qarkullimin optimal bujqësor dhe
koordinimit të bujqësisë intensive me racat e zgjedhura të blegtorisë. Këtu u
përfshinë strukturat e kulturave që do të mbilleshin, në përshtatje me
mikroklimat dhe qarkullimin bujqësor, puna me tokën për plotësimin e
bonifikimit, sistemimit dhe deri në mobilimin e saj, kullimi dhe drenazhimet në
gjithë sipërfaqen, shtimi i tokës nën ujë dhe përmirësimi i ujitjes, ngritja e
serave diellore me xham e plasmas, shtimi i vreshtave dhe i pemëtarisë, ngritja
e vreshtave në tel, shtimi dhe përmirësimi racor blegtorisë, në kombinim me
nevojat për pleh organik, ngritja e pularive moderne dhe e qendrës racore për
mbarështimin e paradosave e deri te rritja e shkallës së mekanizimit, ndërtimi
plehrishteve, padoqeve, stallave, hangarëve, etj.
Ejup Mita punoi shtatë vjet për plotësimin e kësaj ëndrre të guximshme, që u bë
qëllim i jetës së tij prej heroi të vërtetë, që nisi nga zgjedhja e kuadrit të
përshtatshëm e deri te përputhja e interesave dhe e sedrës së secilit, në një
gërshetim harmonik, me të gjithë levat dhe institucionet e kohës, gjithnjë duke
i edukuar, në radhë të parë me shembullin e tij vetjak. Në dispozicion të tij pa
rezerva u përfshinë: Nëndrejtori i pa lodhur Vasillaq Ndini, që mbuloi me sukses
kryesisht, sektorin e ndërtimeve, inxhinieri i talentuar politeknik Feri
Dishnica, inxhinieri mekanik këmbëngulës Fatmir Shkupi e Andrea Qirjo, agronomët
e aftë Llambro Billa, Reuf Muhameti, Llano Lanaj, Zigur Sulo, Selam Malaj,
Xhevdet Suli, Sazan Kaleshi, Pajtim Xhelo, zooteknikë e veterinerë, njohës të
mirë të fushave të veta si Petref Lameborshi. Llambro Berberi, Shpëtim Sulçe,
Niazi Tahiri, Dhimitraq Loli, ekonomistët dhe financieret pasionantë Bastri
Sofia, Agaçe Bregu, Vladimir Petani, Pirro Dodbiba, Osman Rexho, Zylfie Sulçe,
Sulo Sulejmani, Enver Zeneli, Qemal Haxhiraj dhe dhjetra specialistë e
mekanizatorë të shquar.
Po, shpirti dhe epiqendra e këtij stafi të mrekullueshëm idealistësh, ishte ai
që qe, njëkohësisht, kreu i tij, agronomi shkencëtar, Ejup Mita.
I urtë dhe i ashpër, i matur dhe i rrufeshëm, gjithnjë me libër, penë, gërshërë,
drapër, lopatë në dorë do të më kujtohet, drejtori im i dashur, Ejup Mita.
Asnjë shenjë lavdie, pa bujë, pa as më të voglin pretendim për komoditet e
rehati, mjeshtër i aksioneve masive, karakteristike për bujqësinë në kohë
fushatash, shembull personal në punë. E gdhinte me traktoristët në kohën e
mbjelljeve pranverore, aq sa shpesh gruaja e tij , kur më takonte në Vlorë, më
pyeste e shqetësuar :
-A ma ke parë burrin? Gjallë është? Bëj të fala dhe thuaj se dhe ne, me gjithë
fëmijët, mirë jemi.
Ejup Mitën zor se e arrije dot as kur punonte në aksionet, bashkë me ne, as kur
ikte nëpër ugare, rrugë e ngastra. Sa shumë punë konkretisht dhe direkt drejtoi
ai : Shpyllëzimin me mina të rrapishtës në fushën e Selenicës, që zinte ballin
e tokës, buzë lumit Vjosë, aq të domosdoshme, qoftë dhe për t'i hapur front pune
mijëra grave të pa puna të minatorëve të Minierës së Selenicës; sistemime e
modelime fushore e kodrinore në të pesë fshatrat e Topalltisë, duke shfrytëzuar
talentet e rralla rilevuese të burrave të talentuar dibranë të fisit të të
internuarve të Ndreasve, pinjollë të Elez Isuf Ndreut; sisteme ujitëse me puse
artizane, duke shfrytëzuar shpim kërkimet e ndërmarrjes së posaçme
hidroenergjetike; shpyllëzim kodrash dhe mbjellje vreshti në zonat e preferuara
kodrinore të Selenicës, Lubonjës dhe Llakatundit; ndërtime të serave diellore
me xham, për kultivim perimesh, kryesisht për eksport; ndërtim e pajisje
ofiçine, hangarësh në të tre sektorët, ndërtim pularie moderne për vezë dhe mish
në Lubonjë, që e përmirësoi shumë nevojën për treg; stalla moderne për gjedhin
në të tre sektorët, koçekë e tharëse misri në sektorin e qëndresë; kanalizime e
drenazhime, në të gjithë sipërfaqen nën ujë; ujitje në formë shiu me impiante
për jonxhishtet dhe kulturat kryesore; plehërishte e padoqe në të tre sektorët ;
qendra të mekanizuara të përpunimit të ushqimeve të blegtorisë në të tre
sektorët; depo silazhimi, ngritje vreshti në tel në Lubonjë e Selenicë etj
Kaluan tre vjet dhe të gjithë treguesit tekniko-ekonomikë e financiarë, prodhimi
dhe rendimentet u dyfishuan. Ferma e Llakatundit u bë model dhe vend
pelegrinazhi për gjithë vendin.
Ç'ka ndodhur në ditët e sotme. Shkon tani në Llakatund, te ata njerëz të
mrekullueshëm e mikpritës dhe sheh se çdo gjë është rrafshuar. Të vjen për të
qarë. Jo për nostalgjinë e krijuar dhe për jetën "përrallore" që humbëm, por
për atë mund e djersë të derdhur, që shkoi dëm, teksa mund të ishte bazë për
ecuri të mëtejshme, drejt mundësive, gjithnjë më të mëdha.
Ishte po kaq interesante ta njihje Ejup Mitën në jetën vetjake. Mua m'u dha
rasti sidomos, kur pas tre vjet pune pandërprerje, pa asnjë pushim, përfshirë të
dielat dhe festat, dhe pa pushimet e ligjshme vjetore, të domosdoshme për
rehabilitimin e punonjësve, ta bindja dhe ta merrja me vete Ejupin pesëmbëdhjetë
ditë në Kampin e pushimit të punëtorëve në Dhërmi të Vlorës. Atje, buzë detit
Jon, e pash të zhveshur, me kostum banje, Ejupin muskuloz e të shëndetshëm, me
ato këmbë pak të shtrembra, si të një futbollisti. Ai edhe këtu na çuditi të
gjithëve, se kudo u klasifikua i pari: në shah dhe në pingpong, në karambol dhe
në bilardo. Ishte përdorues mjeshtëror i topit me këmbë veçanërisht, po dhe si
volejbollist. Aty morra vesh se në shkollë kish qenë aktiv dhe ndër më të mirët
dhe më shumë qe dalluar si sulmues e golashënues ne ekipin përfaqësues të
Institutit të Lart Bujqësor.
Një ditë, kur deti ishte i qetë dhe na tërhiqte si me magji, duke
dëgjuar, të informuar nga vendësit dhe nga që na kishte bërë përshtypje novela e
shkrimtarit Petro Marko "Shpella e Pirateve", se ajo shpellë e famshme ishte
fare afër, rreth dy kilometra, larg bregut, vendosëm të nisemi me not. Ishim
unë, një miku ynë, Besim Resuli, me i ri dhe Ejupi, moshatar me mua, madje pak
me i ri. Ik e s'ka të sosur. Rrugës, më afër mbërritjes, na zuri një shirokë.
Dallgët e vogla ishin shqetësuese dhe na bënim që hera herës të gëlltisnim
shtëllunga uji. Ejupi, që me sa duket, qysh atëherë kish ndonjë cen në zemër,
nisi të verdhet dhe të lodhet. Ishte më mirë të venim te shpella sesa të
ktheheshim, mbasi kthimi binte shumë më gjatë. Shkuam. Nuk kishte asgjë
interesante. Petrua, si shkrimtar kishte shfaqur fantazinë e vet. Atje, ishte,
në të vërtetë, një e çarë e zakonshme deti, nën shkëmbinj dhe midis "shpellës"
një pllakë e madhe shkëmbore. Shyqyr që ishte kështu, se hipëm mbi të dhe u
shlodhëm.
Kthimi ishte më i vështirë, se Ejupi u lëshua fare dhe na duhej ta ndihmonim,
duke e tërhequr deri në breg të detit, gati dy ore notim rraskapitës… E, si
vajti kjo punë : edhe një herë që unë desha të vihesha në komandë, se unë ngula
më shumë këmbë për ekskursionin, për desh e mbyta Ejupin. Duket ai kish lindur
për të qenë komandant.
Kur Ejup Mita iku nga Llakatundi, për të drejtuar bujqësinë në shkallë
rrethi, si Shef i Seksionit të bujqësisë në Komitetin Ekzekutiv të K.P. të
Rrethit Vlorë, ne u takuam, sërish. Unë drejtoja, po aty, Seksionin e Planit.
Bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ynë ishte i frytshëm dhe i plotë.
Njëherë ishim bashkërisht në një ekip për kontroll e ndihmë në kooperativat
bujqësore të Bregut të Detit, e kryesonte vetë kryetari i komitetit. Duke dhënë
konkluzionet, në K.B.Himarë, në një mbledhje me popullin Kryetari u tërhoqi
vëmendjen për pjesëmarrje me të madhe në punë dhe për ruajtjen dhe forcimin e
pronës kooperativiste, si rruga dhe burimi i vetëm për rritjen e mirëqenies së
popullit. Një kooperativist i moshuar, nga ata kapedanët e bregut të detit, që
s'pyesin se kë kanë përpara, po shfaqin mendime haptazi, mendoi se i erdhi radha
ta tregoj se kush është:
-More, shoku kryetar! Ç'thua, more? Po, si ta ruajmë? Ne u mësuam me kusari e
nuk kthejmë dot pas. Ti e di , më së shumti, ne jemi origjinë labi dhe djemtë po
nuk dhanë prova trimërie për të vjedhur, të paktën, një berr, ne nuk u japim
nuse. Po tani ka dalë një ligj tjetër kanunor: Po nuk erdhi nusja e re, apo
gruaja plakë në shtëpi, ç'do ditë, me pëqinj plot me portokall apo ullinj
kooperative, neve e ndajmë, se oborr tonin nuk kemi më, ndërsa ne,
tradicionalisht, jemi mësuar me lëng portokallieje dhe vaj ulliri.
Këtë, kusarinë e grave, që më parë ishte turp, ne e kemi bërë zanat, se na keni
mësuar e detyruar ju, në këto kohë. Prandaj fol sakllam e mos gënje veten,
zotrote.
Kryetari u rrek, disa herë t'i priste fjalën guximtarit dhe arriti deri në
kërcënim, po u desh ndërhyrja e matur e Ejupit, që nisi të qetësonte gjendjen, e
cila ishte gati të shpërthente në zënkë.
Më kujtohet, po për këtë rast, kur u dhanë konkluzionet e kontrollit në Byronë
e Komitetit të Partisë së Rrethit, ku Ejupi, që morri shkas edhe nga polemika e
mësipërme, ngriti problemin e domosdoshmërisë së një minimumi oborri
kooperativist. Po aty ai me indinjatë, ngriti dhe problemin e ndalimit të
përdorimit të gjuhës greke në zyrat e shtetit dhe në shkollat e bregdetit, që
sipas tij i bënin një dëm të madh unitetit dhe qetësisë në këtë trevë me
origjinë të sigurt shqiptare, pa ndaluar përdorimin e gjuhëve të huaja jashtë
institucioneve shtetërore. Këto probleme mund t'i trajtonin haptazi dhe me guxim
vetëm burra si Ejupi, që kishin një vizion largpamës dhe të kthjellët për të
ardhmen e vendit.
Ejup Mita ishte kompetent dhe nuk lejonte tjetër kënd të futej në punën e vetë.
Vendimet i merrte pasi e studionte mirë çështjen dhe pasi kish tërhequr mendimet
e kualifikuara të specialistëve që e rrethonin, që i zgjidhte dhe i mbante me
kujdes, por kur vendoste, për mënyrën më të mirë të zgjidhjes së ndonjë
problemi, nuk lejonte njeri të ndërhynte . Zëvendëskryetari që e mbulonte
direkt, madje dhe kryetari, megjithëse ishin edhe ata agronomë me përvojë,
asnjëherë nuk i diskutonin detyrat që Ejupi u linte punonjësve të sektorit të
vetë, se jo vetëm ia dinin këtë "huq", por e gjykonin se pikërisht ajo
rrugëzgjidhje ishte më optimale. Vështirësi Ejupi haste ndër drejtuesit
partiakë, sidomos me Sekretarin e parë të Komitetit të Partisë, të cilit i duhej
të ndërhynte, qoftë dhe për të treguar se do bëhej siç thoshte Partia,
"drejtuesja e vetme unike dhe e pagabueshme e të gjitha punëve". Disa ndërhyrje
të dhëna në sens të kundërte me porositë e Ejupit nga sekretari i parë, e bënë
atë të dorëzojë çelësat. Të gjitha përpjekjet për ta rikthyer në punë, dështuan.
Vitet e fundit Ejupin, me interesimin e vetë Ministres së Bujqësisë, që ia
njihte mirë vlerat dhe prirjet e tij shkencore e caktuan Drejtor në Institutin e
Kërkimeve dhe Studimeve të Ullinj-Agrumeve të Shqipërisë, me qendër në qytetin e
Vlorës, institucion shkencor ky që u dallua dhe bëri emër në shkallë Evropiane.
Erdhën vitet e tranzicionit dhe, bashkë me to, shkatërrimet e ç'do gjëje që
kish bërë Ejup Mita dhe ajka e inteligjencies shqiptare. Çdo dëmtim, çdo prishje
dhe këto ishin radikale, sikur godisnin, pamëshirë dhe mbi trupat tanë, mbi
punën tonë, mbi ndërgjegjen tonë të pastër. "Ç'i duam këto të mira që na
kujtojnë të kaluarën komuniste, t'i shkatërrojmë, ta nisim nga kuota zero." Si
shekuj më parë kur Xhinxhis Khani nga Mongolia e largët, nëpërmjet stepave të
Rusisë dhe shkretëtirave të Anadollit, pushtoi dhe shkatërroi Evropën, na dolën
ca pinjollë komunistësh fanatik, që ideuan shkatërrimin e gjithçkaje të mirë të
ndërtuar me djersën e popullit, me vjegën se ishte ndërtuar në kohën e
baballarëve të tyre, po komunistë. Krim dhe pabesi!
Ejup Mitën, shkencëtarin e afirmuar, në kulmin e krijimtarisë së tij, e ndaluan
të punonte, e nxorën me dhunë nga procesi krijues, në rrugën e madhe.
Një luftë e re klase, "anti komuniste" zëvendësoi "diktaturën e proletariatit"
dhe kjo u sanksionua me ligj.
U bashkuam edhe njëherë me Ejup Mitën në të njëjtën qendër pune, në një kompani
private. Së pari u kërkova dhe u punësova unë atje, në detyrën e Drejtorit
Ekonomik të Filialit të Vlorës, që përfaqësonte një të tretën e veprimtarisë
ekonomike të kësaj Kompanie, të përhapur në të gjithë vendin. Në kompani u
grumbulluan, për drejtimin teknik dhe ekonomik, specialistë nga më të mirët e
rrethit, ajka e drejtuesve dhe specialistëve të afirmuar e të sprovuar. Midis
tyre Ejup Mita u vendos në pozicionin e drejtuesit të sektorit të bujqësisë, që
sipas strategjisë dhe plan biznesit të firmës, parashikohej të ishte drejtimi
kryesor i zhvillimit .
Gjithçka filloi të ndryshonte dhe aktivitetet nisën të jepnin fitimet modeste,
që duhet të ishte e ardhmja e Kompanisë dhe burimi i financimit të zhvillimit të
saj. Po, në vend që shteti të ndërhynte për sigurimin e burimeve të kreditimit
dhe përmirësimit të rolit të bankave kapitaliste, të uljes së përqindjes së
interesave të depozitimit, drejt unifikimit perspektiv me atë të bankave të
tjera, ose të shpalljes si aksionarë të kreditorëve, qoftë dhe të nxjerrjes në
faliment të aktivitetit të kësaj Kompanie, ndoqi rrugën tjetër, atë të bllokimit
dhe likuidimit të tyre të menjëhershëm. Ata që ideuan këtë rrugë zgjidhje nuk
humbën gjë se, më së shumti, i tërhoqën depozitimet e tyre, por humbën mijëra
depozitues të tjerë, që nuk morën, pothuajse asnjë lekë nga depozitimet e
kursimeve të tyre, ndërsa shumë nga asetet e kompanive u shkatërruan, ose u
shitën xhaba.
Viktimë e këtyre veprimeve ishim dhe unë me Ejupin, që sërish, ngelem edhe të
papunë.
Në këtë botë duhet të jesh ja çekan, ja kudhër
Gëte
NJË PERSONALITET PRANË TAVOLINËS SIME TË PUNËS
(MBRESA PËR PIRRO DODBIBËN)
Ishte fat dhe një privilegj i veçantë njohja me personalitetin e shquar, me një
nga drejtuesit shumëvjeçar të jetës ekonomike dhe politike në Shqipëri, njeriun
me kurajë, burrin trim e të vendosur, Pirro Dodbiba. Unë nuk kam ndër mend të
bëj biografinë e tij, se as që e kam mundësinë, por rrekem të rrëfej ngjarje,
krejt të vërteta, ashtu siç i kam përjetuar dhe mbajtur në ditarin tim, në një
periudhë kohe kur punuam bashkë, në Fermën Bujqësore të Llakatundit të Vlorës.
Pirro Dodbiba erdhi në Llakatund, në Ndërmarrjen Bujqësore Shtetërore "Lufta e
Vlorës" në vitet shtatëdhjetë. Së fundi kishte qenë, për dhjetë vjet rresht,
Ministër i Bujqësisë dhe në të njëjtën kohë, kandidat i Byrosë Politike të
Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë. E hoqën nga pozicionet e
emëruara dhe të zgjedhura, duke e quajtur revizionist. Kështu e sollën aty si të
dënuar, për ta riedukuar. Para se të vinte në Llakatund, kishte qenë, edhe më
keq në sektorin e izoluar të Shtyllasit, në Fermën Bujqësore të Levanit rrethi i
Fierit. I mbarti plaçkat e ngelura me një makinë të madhe me rimorkio dhe u
vendos në një apartament dy dhoma e një kuzhinë në katin e parë të një ndërtese
katërkatëshe, s'do shumë mend, me komshinj të besuar e të kontrolluar. U vendos
në zyrën tonë, dhe ne u bëmë vet' i katërt, ku militonin dhe dy anëtarë
partie. Edhe Pirron, në fillim e mbajtën, qoftë dhe formalisht, në parti. Në
zyrën tonë, që quhej Dega e Planit, Paga Normave dhe Furnizim Shpërndarjes, ku
isha unë si drejtues, Pirron e caktuan me detyrën e ekonomistit të statistikës.
Ai u vendos në një tavolinë ngjitur me mua. Duhet thënë se nga të gjithë
nëpunësit e ndërmarrjes Pirrua u prit me ngrohtësi dhe keqardhje. Në këtë
drejtim ndikoi shumë edhe qëndrimi dashamirës i drejtorit tonë të mençur,
agronomit mendjendritur Ejup Mita. Ai, njeri me karakter të palëkundshëm,
kishte pasur njohje të mëparshme me ish Ministrin dhe e gjykonte me mendimin dhe
mbresat e veta, pa u ndikuar nga të tjerët.
Pirro Dodbiba shumë shpejt na hyri të gjithëve në zemër për sjelljen tepër të
kulturuar dhe fort të afruar, të sinqertë e njerëzore, për kujdesin dhe
vlerësimin e tij të thellë e të matur, për kujtesën e tij, mund të themi pa
hezitim, fenomenale e të paparë te tjetër kush, për njohuritë e gjithanshme e të
thelluara, deri në nivele shkencore; për dashurinë dhe përkushtimin për
bujqësinë, si bazë dhe burim i mirëqenies njerëzore; në veçanti për teknikën
bujqësore, si e vetmja shpresë për ndryshimin e gjendjes së prapambetur dhe
rritjen e rendimenteve të prodhimit. Me kohë vumë re se ai dispononte dhe
shfrytëzonte një literaturë të gjerë tekniko shkencore, sidomos në gjuhën ruse,
duke dhënë mendime që zinin vend edhe te grupi i specialistëve tanë të
kualifikuar, që padyshim ishin ndër më të mirët e vendit. Dolën shumë efikase
masat dhe preparatet që ai rekomandoi, në disa raste, të sëmundjeve dhe
parazitëve në kulturat intensive të perimeve në sera, madje dhe shprehitë
vetjake në shumë drejtime, deri në përpunimin dhe konservimin e perimeve dhe të
frutave
Pirro Dodbiba ishte shumë i kujdesshëm, sidomos kur bëheshin biseda politike
ndërmjet shokësh. Ai gjithnjë angazhohej me fjalë të ngrohta dhe konsiderata të
veçanta për "udhëheqjen e ndritur" aktuale të Partisë dhe të Shtetit, duke
hedhur pas krahëve faktin që atë e kishin flakur poshtë, si një limon të
shtrydhur dhe e kishin syrgjynosur, familjarisht në një skaje vendi, pa kontakte
aktive me njerëzit e politikës së madhe. Nga ana tjetër, përpiqej, me të gjitha
mënyrat e mundshme për të ndihmuar këdo. Ishte ai që i hartonte, pothuajse të
gjitha shkrimet politike të rajonit. Dhe, mos harrojmë që atëherë ishin në modë
mbledhje, konferenca, aktive e deri të ashtuquajturat sesione shkencore të
gjata, të mundimshme, ku veç thureshin fjalë, mendime dhe komplimente për
"rezultatet e shkëlqyera në formimin e njeriut të ri me veti të rralla njerëzore
komuniste". Venin e vinin në zyrë e në shtëpi te Pirrua gjithfarë veprimtarësh
të organizatës së Partisë, po e po, por edhe të rinisë, gruas e deri të
bashkimeve profesionale, të cilët kishin marrë detyra për të përgatitur
diskutime, kumtesa e referate, që kishin të njëjtin autor, por që referoheshin
nga njerëz të ndryshëm, aty, në Llakatund, po ndonjëherë edhe në Vlorë e në
Tiranë.
Pirrua ishte aq i thjeshtë dhe i zakonshëm në pamjen e jashtme dhe në sjelljen e
tij të përditshme, saqë njerëzit që e kishin njohur më parë, sidomos kur ishte
Ministër dhe që e dinin sa e vështirë dhe protokollare ishte të merrje një takim
të zakonshëm me të, se, siç dihej, "udhëheqja" ishte gjithnjë e zënë, tani ishte
tjetërsuar. Dikush vinte nga jashtë në zyrën tonë dhe nuk gjente karrige të
lira, e skish ku të ulej. I pari ngrihej Pirrua t'i gjente e t'i sillte karrige
nga zyrat e tjera, aty afër.
-Po, rri, o shoku Pirro, pse ngrihe ti. Ne jemi më të rinjë dhe na takon neve
kjo detyrë.
-Jo, shoku shef. Vazhdo punën ti, unë jam më i lirë.
Kur unë vija, ndonjëherë, më vonë se ai në punë, Pirrua, në shenjë respekti,
ngrihej më këmbë dhe më zgjaste dorën, për t'ia takuar. Unë skuqesha nga turpi,
kur mendoja se ai kolos diturie e kulture vihej në këtë pozicion të papëlqyer
barazie, apo inferioriteti.
Pirro Dodbiba, në detyrën e tij funksionale, të ekonomistit për evidencën dhe
statistikën, duhej, çdo ditë, të lidhej në telefon me sektorët e shumtë dhe disa
të largët, që formonin strukturën e administratës sonë. Ai, me treguesit e
përditshëm statistikor informohej, midis të tjerash, për praninë e punëtorëve në
punë, për mungesat e mundshme dhe shkaqet kryesore të mungesave, në përgjigje të
një pyetësori të parapërgatitur,tip.
Në fillim thuajse skandalizohej kur dikush, një plakë, siç merrej vesh më vonë,
kishte vdekur. Ai nuk çuditej nga vdekja, kjo mund të ishte normale, por nga
mungesat e shumta në punë. Për këtë shkak, sipas traditës, pothuajse, të gjithë
e linin punën e asaj dite dhe shoqëronin kortezhin e i bënin nderet e fundit
plakut të radhës.
-Ç'është kështu, shoku Luan. Po e teprojnë, po fetishizohet ngjarja! Si mund të
lihet puna nga të gjithë, nga banorët e të pesë fshatrave? Ku po vemi ?
Kështu ndodhte në fillim, sa kishte ardhur dhe qe përplasur me mendësinë dhe
solidaritetin e punonjësve të fermës… Pas një viti atë do ta shihje në ballë të
kortezhit e në krye të dhomës mortore, të dëshpëruar, kokë ulur e me llullën në
buzë.
Pirro Dodbiba e pinte shumë duhanin. Në fillim e pamë të pinte një duhan
cilësor: Cigare "Partizani" me filtër, nga ata që përdornin vipat, me sa duket
kishte ndonjë kontingjent të rezervuar, më pas nisi te pinte "DS" me filtër,
pastaj duhan "Taraboshi", me të dredhur. Pastaj duhan Armeni me të dredhur dhe
kur nuk gjente dot më letër cigare, filloi ta pijë me llullë. Unë e kisha
tavolinën e punës në krye, afër dritares dhe Pirrua para meje, afër derës. Tymi
i duhanit gjente ndonjë të çarë në dritare dhe kalonte përmes meje, duke u
filtruar nëpërmjet bluzës së leshtë e deri te kanotjerja ime. Kundërmoja nga
larg erë tym duhani, aq sa filloi të më tërheqë vërejtjen gruaja në shtëpi me
këshilla e porosi, për ta lënë duhanin. Ai, më thoshte gruaja, të sëmurë më
shumë dhe nuk t'i heq shqetësimet dhe mërzinë.
Në Zyrën tonë të Planit kishte pandërprerë lëvizje njerëzish. Aty koordinoheshin
marrëdhëniet e paga normave për gjithë punëtorët e ndërmarrjes, mblidheshin dhe
plotësoheshin kërkesat për furnizimet materialo teknike të të gjithë sektorëve,
lidheshin kontratat e shpërndarjes së prodhimeve dhe ndiqej evadimi i
produkteve, drejtohej sektori i transportit dhe ai i ndërtimeve në ekonomi, që
ishin ndër më të rëndësishëm në gjithë veprimtarinë e ndërmarrjes, plotësoheshin
evidencat operative dhe statistikore, etj. Aty, çdo ditë hynin e dilnin me
qindra njerëz. Shpesh vinin edhe nga Vlora apo nga Tirana, si nga udhëheqja e
rrethit, nëpunës të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Komisionit te Planit për
kontroll e ndihmë. Duhet përmendur se kjo kategori miqsh, nga ne, administratorë
të të gjitha profileve, pritej me ngrohtësi dhe për nder të tyre, shpesh herë,
organizoheshin takime kortezie, me program argëtimi dhe ushqime të bollshme. Në
këtë drejtim ne përfitonim dhe nderoheshim sepse kishim një kuzhinier mense
shumë të kualifikuar, që kish punuar në lokalet më të mira turistike të vendit.
Shpenzimet i përballonim bashkërisht, në mirëkuptim të plotë. Këto takime Pirrua
i priste me kënaqësi. Priste radhën dhe ndërhynte me takt për të biseduar e
ndërruar mendime, duke u shquar gjithnjë, si bashkëbisedues i mençur, që kurrë
nuk e thotë një fjalë boshe e të pa nevojshme, por në vendin e në kohën e duhur
dhe me një qëllim, kuptim e mësim të vlefshëm.
Na kish ndodhur që zyrën tonë ta vizitonin edhe njerëz të padëshiruar. Disa
frikacakë e karrieristë, madje ndonjëherë, edhe ndonjë ish shok apo mik i
hershëm i Pirros, kur hynte te ne dhe përball, papritur, shihte Pirron, ikte
sikur e kish kafshuar gjarpri, ndërsa ndonjë tjetër përpiqej ta mënjanonte, duke
e nënvleftësuar apo anash kaluar. Mbaj mend një vizitë të bërë për kontroll e
ndihmë të Shefit të Planit te Komitetit Ekzekutiv, shokut P. V., që më parë kish
punuar në Komisionin e Planit në Tiranë dhe atje ishte njohur me shokun Pirro,
kur ai ishte Ministër. I befasuar nga prania e Pirros së porsaardhur në
Llakatund, për të cilin kish dëgjuar ta cilësonin revizionist të vijës së
partisë, sa e dallon, as që e përshëndet dhe nuk e takon, por i kthen krahët me
mospërfillje atij dhe më drejtohet mua:
-Shoku Luan! Kam dëgjuar se të ka rënë prodhimi i qumështit. Ju e dini se ne
nga ju i kemi sytë, se jeni baza kryesore e furnizimit për gjithë qytetin e
Vlorës. Pse ndodh kështu?
-Jo, i thashë unë. Ç'ne? Çdo ditë e më mirë jemi.
-Po, sa prodhoni, sa dorëzoni, konkretisht, çdo ditë?.
-Shifrat i ka të sakta e të azhurnuara për çdo ditë shoku Pirro, i them unë edhe
qëllimisht, për t'i krijuar mundësi atij të komunikojë direkt me Pirron, për të
ndrequr edhe gabimin që bëri, e që u duk qartë, si një frikë e kotë apo si një
mungesë etike qytetare.
Pirrua, që edhe ai hiqej si i zhytur në shifrat e tij dhe krejt indiferent ndaj
këtij frikacaku të zakonshëm, hazër xhevap, i sjellshëm dhe gjithnjë në humor,
ngriti shkopin, një vrasëse mizash, që vetë e kishte sajuar nga një copë
komardare makinash , gozhduar në një okllai. Pirrua këtë mjet vrastar e mbante
vazhdimisht aty pranë mbi tavolinën e punës, duke mos lejuar asnjë mizë rreth
tij. Në këtë rast e drejton atë mizavrasëse te një grafik i varur në mur dhe
lexon e komenton grafikun përkatës të prodhimit dhe të dorëzimit ditor të
qumështit për të gjithë fermën dhe veç e veç për çdo sektor. Përfundimin e
nxjerr vetë Pirrua, duke e ngritur zërin më lart:
-Ja, shikojeni grafikun linear. Ai flet qartë. Siç tha shef Luani, jemi në
ngritje të vazhdueshme dhe jo në rënie, shoku P. Këto të dhëna i kemi dërguar
rregullisht edhe te ju, në Komitet.
-Po, korrja dhe shirja e grurit si ka shkuar këto ditë?, pyet sërish shoku P.
-Për këtë, Pirrua nuk më la radhë mua, po vetë vazhdoi të japë shpjegime: Shiko
këtë grafikun radial në faqen tjetër të murit... dhe përsëri ngre atë shkopin me
gomën mizavrasëse, si flamur të zi. Pastaj, ndalon, mendohet dhe si i zhytur në
kujtime të largëta, thotë: Të më falni, o shokë! Se, e bëra edhe unë si xha
Brahoja, në kohën e Luftës partizane.
-Pse, nisa ta pyes unë, megjithëse e kisha dëgjuar dhe tjetër herë, ç'ka bërë
ky, xha Brahoja, në kohë të Luftës?
-Xha Brahua, në kohë të Luftës me gjermano ballistët, banonte në një fshat të
Tiranës. Ai ishte një plak i moshuar dhe i pafuqishëm, që të dy djemtë i kishte
partizanë dhe rrinte me nuset dhe me nipat e mbesat e veta. Fshati herë zaptohej
nga armiku dhe herë çlirohej nga partizanët. Xha Brahua duhet t'ua bënte qejfin
partizanëve, se i desh, po edhe ballistëve, që mos të rrezikohej, si ai dhe
gjindja. Duhet t'i nderonte të gjithë, siç qe zakoni për mikun, duke u ngritur
për secilin në këmbë dhe për t'i përshëndetur. Fuqi për këtë nuk kish. Atëherë,
mendoi një zgjidhje origjinale: Porositi të nipin që t'i bënte dy tabela të
shkruara, të cilat i mbante pranë, nën postiqen e vetë. Ai rrinte gjithnjë te
pragu i shtëpisë. Vinin partizanët, në njësh kolonë dhe ai për secilin ngrinte
tabelën përkatëse. Ata: Vdekje fashizmit dhe ky hop tabelën: Liri e popullit.
Kur kalonin njëri pas tjetrit ballistët dhe përshëndesnin: Vdekje tradhtarëve,
siç qe parulla, ai fët ngrinte lart tabelën e tyre me kundërparullën: Shqipëri e
Shqiptarëve...
P. V., pasi dëgjoi përgjigjet e pyetjeve dhe këtë tregim për luftën, sipas
variantit të improvizuar aq bukur nga shoku Pirro, u largua i dëshpëruar dhe i
penduar për qëndrimin e tij, pa e ndarë mendimin se në cilin grup vizitorësh e
kish futur veten .
Ne u kënaqëm të gjithë nga ky tregim i thënë në çastin e duhur. Dhe nuk e kishim
për herë të parë që dëgjonim tregime të bukura e të qëllimshme, të rrëfyera
mjeshtërisht.
Më kujtohet një tjetër tregim i Pirros, ashtu si e kishte përjetuar, në një
mbasdite që kishim dalë bashkërisht me të gjithë shokët e zyrës për të punuar,
siç bënim zakonisht mbas diteve, jashtë orarit të punës. Në një pushim aktiv po
trajtonim një temë të ditës, që lidhej me domosdoshmërinë e pastrimit të gjuhës
shqipe nga fjalët e huaja, veçanërisht të turqizmave, që i ka me tepri. Po
diskutonim të gjithë me pasion: më së shumti Bastri Sofia një ekonomist me
përvojë, nga Kuçi, që ishte i prirur për përplasje inatçore dhe që sillte plot
argumente bindëse; Agaçe Bregu, një i ri, vendas, me shumë energji, që arriti të
bëhej deri deputet i Kuvendit Popullor në periudhën e tranzicionit dhe Vladimir
Petani, edhe ai vendas, me dëshira për dituri, i sjellshëm, i urtë dhe që
dëgjonte me kureshtje.
- Mos u zini, ndërhyri burri i mençur Pirro Dodbiba. Ky është një proces i
vazhdueshëm dhe i gjatë pastrimi kudo dhe kurdoherë. Në këtë gjendje janë gjuhët
e të gjitha kombeve, sidomos të atyre që kanë qenë nën pushtimin otoman. Që të
bindeni, po jua ilustroj me një ngjarje të përjetuar:
Vite më parë, kur unë isha Ministër i Bujqësisë më takoi që në krye të një ekipi
qeveritar të udhëtoja në Republikën Socialiste të Uzbekistanit, një vend tepër
malor, si puna e Shqipërisë. Në një veturë të fuqishme tip "Vollga", në sediljen
e pasme ishim unë dhe sekretari i parë i KQ të Partisë Komuniste për Republikën.
Makinën e drejtonte, në një teren tepër malor dhe me shumë kthesa një shofer me
trup gjiganti, ish kampion kombëtar në mundje. Ai, sikur drejtonte një lodër,
ecte me shpejtësi marramendëse, ndofta, siç bënte ngaherë. Mua kjo nuk më bënte
përshtypje, se isha mësuar me shoferët tanë sy patrembur. Unë vura re që
sekretari po shqetësohej. Ne bisedonim, gjoja, të shpenguar rusisht, por ai
matej diç ti thoshte shoferit. T'i fliste rusisht mendoi se mund të më
transmetonte mua shqetësimin dhe merakun e vetë. Si tija thoshte. Më së fundi
vendosi t'i flasë në gjuhën e vetë uzbeke. Ky, shqiptari, nuk besoj ta dijë
gjuhën tonë të rrallë, mendoi. Pas një hezitimi e mori guximin dhe ashtu, si
egërsisht, me zë të lart i tha:"Avash, avash, gjidi hajvan !" Ku e dinte, i ziu
sekretar, se duke i folur në zhargonin e vendit të vetë po i fliste,
njëkohësisht, si të ish në mes të Shqipërisë?
Për ne Pirro Dodbiba u bë shpejt njeri i dashur dhe mësues i çmuar dhe na u duk
se kishim detyrë t'i rrinim afër, ta ruanim dhe të kujdeseshim, sa të mundnim,
për të. Ne mësuam se Pirron e përgjonin dhe e ndiqnin pas kudo. Filluan të duken
fytyra te reja kurioze, që i vunë përgjues edhe në shtëpi. Ishte, në radhë të
parë kujdesi i tij i veçantë, që dhe për biseda të thjeshta intime ai, me gruan
e tij të mirë dhe besnike, gjirokastriten Melo Çoçoli, dilnin fushave, të
vetmuar. Po kaq dinjitoze ishte dhe Mira, vajza e tyre, shumë e bukur. Ajo nuk i
ndërpreu studimet për kimi industriale në Tirane dhe kur dikush e pyeste rrugës
në tren: ku vete, nga je, ajo përgjigjej se jam nga Llakatundi. Genci, djali i
tyre aq simpatik dhe shumë i shoqërueshëm, ngelej në ofiçinën mekanike, pas
automjeteve, shoferëve dhe traktoristëve. Ishin një familje unike e
mrekullueshme. Ata e kuptonin se një fjalë e tepërt, e shkarë kot, pa kontroll,
i asgjësonte familjarisht, për t'i çuar në fatin e shumë ish kolegëve të tyre të
pafajshëm.
Ishte dhe ngrohtësia dhe dashamirësia jonë, që jetonim shumë orë, çdo ditë, me
ta, apo e llakatundësve të tjerë, për rreth, që i mbronin, se një pasaktësi,
interpretim, apo shtrembërim i qëllimshëm, i merrte më qafë.
Pirrua, aq aktiv dhe gjithnjë në lëvizje e në shoqëri, siç ishte mësuar tërë
jetën e tij, e ndjente më shumë izolimin dhe monotoninë e përditshme. Ai, vërtet
lidhej çdo ditë dhe informohej e regjistronte dinamikën e zhvillimit të punëve
në sektorët e shumtë dhe të shpërndarë të ndërmarrjes, por nuk i shihte dhe nuk
i prekte, siç i kish merak, ato. Unë lëvizja çdo ditë, me një motoçikletë të
vjetër tip JAWA brenda ndërmarrjes dhe jashtë saj , në qytetin e Vlorës. Atë
jashtë e kishin porositur mos të lëvizte, pa leje. Një ditë më thotë:
-Luan, i dashur. Plasa, kështu i izoluar kaq gjatë në zyrë. Rregjistroj plot
fakte, siç m'i thonë në telefon, po a nuk duhet kontrolluar, sipas rregullit,
herë pas here, saktësia e tyre?
Unë bëra, sikur nuk dëgjova dhe nuk iu përgjigja. Ishim të gjithë të kujdesëshëm
dhe ruanim kokën. Pyeta drejtorin dhe ai më tha se, brënda ndërmarrjes, mund të
lëvizni.
Të nesërmen i them: Hajde, se do shkojmë bashkë në sektorin e Lubonjës. I
thashë: hip pas meje, në motoçikletë! Ai, sa hipi më shtrëngoi fort me duar dhe
me këmbë.
-Ç'ke që më shtrëngon, i them unë. Duket se e ke për herë të parë.-Po, është
hera e parë që hipi në motoçikletë.
-S'ke faj ti, i them unë si me shaka, se ti e ke dëmtuar prapanicën nëpër
sedilet e buta të makinave luksoze, te ZIM -at e zinj, siç thotë Kadarea.
. Dukeqënëse Pirrua, padyshim, ishte punonjësi i statistikës më i mirë për
gjithë sistemin e bujqësisë, jo vetëm për Vlorën, po në shkallë vendi. Dhe,
ngaqë unë këtë e dija si askush tjetër, e ftova atë, për t'i bërë nder takimit,
në një seminar, organizuar me të gjithë ekonomistët e rrethit. Ishin përgatitur
disa tema nga ana teorike e praktike dhe Pirrua do jepte përvojën e tijë. Pas dy
ditësh më thërret në zyrën e tij personalisht kryetari, që ish, njëkohësisht dhe
kandidat i K.Q. te PPSh, në prani të shefes së arsimit dhe sekretare e
organizatës bazë të Partisë në Komitet.
-Të kemi thërritur, thanë, se ke bërë një gabim fatal, ke zbutur luftën e
klasave, ndaj po të tërheqim vërejtje dhe të paralajmërojmë. Me ç'të drejtë
thërret ti, në një seminar shkallë rrethi dhe cakton për të referuar një
revizionist të shpallur? Komiteti i Partisë është fort i shqetësuar për këtë.
-Për Pirron e keni fjalën, u them unë. Po ai është punonjësi i statistikës më i
miri që kam dhe ka mbajtur një temë të shkëlqyer, me referenca për udhëheqjen
dhe me frymë të theksuar partiniste. Pastaj ai është komunist, ish partizan,
veteran, anëtar i vjetër i Partisë, pararojës së klasës punëtore. Ç'luftë klase?
Kundër cilës klasë do të luftojë ai? Mbase kundër meje, pinjollë kapitalisti dhe
që s'jam fare në Parti, u thashë, si me shaka, duke shpënë buzën në gaz, por
fort i dëshpëruar dhe i shqetësuar.
-Leri demagogjitë, por vur mend dhe mos e përsërit më këtë faj, se kemi porosi
që të marrim masa të rrepta dhe s'është çudi t'i zësh vendin e të shkosh po aty,
ku ke qenë, në fshat, në Llakatund, po këtë radhë, familjarisht.
Hodha në letër këto pak kujtime për Pirro Dodbibën, për një nga njerëzit më të
mirë që kam njohur. Për fat të keq, të tillë ndeshen pak në
jetë.
Puna largon tre të këqij: Mërzinë, vesin dhe nevojën
Volter
NJË KARAKTER I VEÇANT
(Ndodhi me Nedin Hoxhën)
(Ndodhi me Nedin Hoxhën)
Nedin Hoxhën e njoha në Vlorë, kur erdhi në detyrën e Kryetarit të Komitetit
Ekzekutiv të KP Rrethit, ku unë punoja prej disa vitesh. Para tij në këtë detyrë
ishte Luan Muhameti, një agronom nga fshati Mazhar Lapardha i rrethit të Vlorës,
një specialist me përvojë drejtuese në bujqësi, me nisiativë e prirje për të
renë, deri në fantazist, një tip i pastër në karakter, i gëzueshëm, optimist dhe
dashamirës.
Nedini ishte tjetër gjë, mund të them një përjashtim, një karakter i veçantë. Ai
erdhi në atë detyrë, pasi u shqua, si drejtues i dalë nga klasa punëtore dhe
pati arritje të dukshme në qytetin e tij të lindjes në Gjirokastër, në rrethin
e Burrelit, si dhe si Ministër në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme. Këto detyra
të vështira e formuan atë si drejtues të guximshëm e novator dhe e njohën me
shumë kuadro, që kishin zënë vende kyçe në udhëheqjen e Partisë dhe të Shtetit,
me të cilët bashkëpunoi dhe u njoh nga afër.
Nedini, si njeri i jugut, e njihte mirë karakterin e vlonjatëve. Ai, që në
fillim, diti t'i mbajë afër bashkëpunëtorët dhe t'i vejë në lëvizje, duke i
rreshtuar me hapin e vetë të guximshëm dhe të shpejt. Nedin Hoxha, megjithëse
kishte, formalisht, prapambetje në nivelin arsimor, në të vërtetë, ishte njeri
me vizion të gjerë, që kishte shëtitur mjaft kohët e fundit në botë dhe kish
përvetësuar ndjesi bashkëkohore. Karakteristikë kryesore e tij ishte se me
qytetari kërkonte, këmbëngulte e të detyronte dinamikë për ecjen përpara, drejt
ndryshimeve të përhershme e të shpejta pozitive.
Nedini prirej nga motoja "Sa më shumë të ndërtosh, aq më shumë do të rrosh".
Dhe, sa qëndroi, në krye të Komitetit Ekzekutiv të KP Rrethit, e ktheu qytetin e
Vlorës në një kantier të vërtetë ndërtimesh. Në këtë anë i shfrytëzoi më së miri
të gjitha njohjet dhe miqësitë e veta në qendër, si dhe i vuri në lëvizje e para
përgjegjësisë të gjithë vlonjatët e mirë, që kishin mundësi të ndihmonin për
këtë qëllim.
kompletoi, duke e kthyer në një institut studimor projektues urbanistik,
bërthamën e vogël të inxhinierëve të ndërtimit pranë pushtetit lokal. U dha
atyre krahë, hapësira dhe të drejta të reja, duke i nisur, me guxim të pa parë,
jo vetëm të gjenin modelet më të mira nëpër Shqipëri, po i dërgoi, për çudinë e
të gjithëve, deri në Italinë fqinjë. Me detyra të posaçme caktoi secilin nga
specialistët e rrethit, duke zgjedhur më të dalluarit dhe duke i bërë thirrje
ndërgjegjes dhe sedrës profesionale, në kërkim të më të mirës së mundshme. Kudo
jepte mendime e këshilla, pa këmbëngulur në vogëlima teknike, por duke iu
kujtuar mostra, sipas mbresave të veta të marra nëpër botë, thjeshtë për të
hapur horizonte, duke i lënë zgjedhjet dhe zgjidhjet në dorën e specialistëve të
aftë vlonjate.
Gjatë angazhimit në punët urbanistike e ndërtimore të qytetit, Nedini, natyrisht
la mangët ndonjë punë fshati. Kjo veprimtari e gjerë gjurmëlënëse në qytet,
njëherazi, ngjalli xhelozi e tërhoqi vëmendjen e drejtuesve të Komitetit të
Partisë në Rreth, që si traditë, mbaheshin si qendra unike e bashkëveprimeve
social ekonomike. Kjo krijonte gjendje të vështira e xhelozi, por Nedini i
kalonte me shaka, mirëkuptim dhe entuziazëm.
Në kohë fushatash të rëndësishme bujqësore, si korrjeshirja e të lashtave,
ose mbjelljet e pranverës, prashitja e misrit etj, i gjithë qyteti, sipas
"porosisë së Partisë", duhet t'i shkonte në ndihmë fshatit dhe aq më tepër
aparatet e Komitetit të Partisë dhe të Komitetit Ekzekutiv duhet të shkonin e të
gdhiheshin me javë nëpër kooperativat dhe ndërmarrjet bujqësore. Isha i
pranishëm kur njëherë Sekretari i Parë i K.P. e mori në telefon Nedinin dhe po i
tërhiqte vërejtjen për mos zbatimin e kësaj direktive, atëherë Nedin Hoxha i
përgjigjej, si me shaka:
-Shoku Sekretar i Parë! Ju keni të drejtë, ne kemi mangësi në këtë drejtim, se
kemi dërguar vetëm punonjësit e Seksionit të Bujqësisë në fshat. Kemi menduar se
ata janë specialistë dhe diç mund të ndihmojnë e të bashkërendojnë atje, por që
të dërgonim dhe të tjerët, psh. ata të seksionit të ndërtimit, komunales,
industrisë etj., këtë nuk e kemi bërë, se do ngeleshin punët e qytetit dhe ata
veç do të hanin mish e do të ngatërronin punët e fushatës. Më duket se ne edhe
këtu kemi vepruar sipas porosisë së Partisë, për t'iu shmangur dyzimit në
drejtim. Unë them se na bën mirë kjo ndarje: Ju fshatin, ne qytetin.
Nedin Hoxha ishte shumë punëtor, shumë operativ, dinamik dhe i palodhur. Gjithë
ditën, pa orar, sa në një kantier në tjetrin, sa në një takim e mbledhje në
tjetrën. I dashur, gazmor dhe i respektuar për të gjithë, gati t'i ndihmonte
deri në zgjidhjen e problemeve vetjake me një liberalizëm korrekt politik e
mirëkuptim me të gjithë njerëzit e ndershëm e punëtorë, pa pyetur shumë për
"kleçkat", që ishin mani e disa të moshuarve vendës.
Ishin nisma dhe këmbëngulja e tij punët e mëdha ndërtimore: për zgjerimin,
sistemimin dhe asfaltimin e "Bulevardit të Portokalleve", që e filloi i
paharruari Kristo Papajani (rruga Vlore-Skelë), por që mori përmasat e sotme
bashkëkohore, si "Bulevardi i Palmave" vetëm me këmbënguljen e Nedinit;
sistemimi dhe zgjerimi i rrugës në bregdetin e Ujit të Ftohtë; bërja e plazhit
në Ujin e Ftohtë, që populli e pagëzoi me emrin e tij; bërja e lokalit turistik
tunel, po në Ujin e Ftohtë, ndenë Kampin e Punëtorëve; ndërtimin e parkut model
të lojërave me të gjitha pajisjet e kohës, më i miri në shkallë vendi; bërja e
sallës së madhe të mbledhjeve të Këshillit Popullor të Rrethit dhe përmirësimin
e godinës së Komitetit Ekzekutiv etj. Të gjitha këto punë u bënë në një kohë
rekord dhe me aksione që i organizonte dhe i drejtonte personalisht Nedin Hoxha,
i pa lodhur, duke punuar mbi dymbëdhjetë orë.
Në këtë anë një ndihmë të madh kanë dhënë të gjitha ndërmarrjet dhe repartet
ushtarake të rrethit të Vlorës, drejtuesit e të cilëve i ftoi, i bindi dhe i
bëri të ndërgjegjshëm, aftësia dhe këmbëngulja e Nedin Hoxhës, i cili, pa asnjë
dyshim dhe pa ia ulur vlerat paraardhësve, se ishte i fundit drejtues i
pushtetit të para tranzicionit kapitalist, ishte më i suksesshmi dhe më
gjurmëlënësi.
Me Nedin Hoxhen, gjatë periudhës që punuam bashkë, për gjithë kohën kur ai ishte
në detyrën e Kryetarit, se mua më gjeti dhe më la atje, pata disa ngjarje, që ia
vlen të kujtohen, sepse reflektojnë karakterin dhe natyrën e tij qytetare,
dashamirëse e fine.
*
Së pari, dua të them, se ai ishte i informuar paraprakisht dhe i kishte
studiuar, siç qe rregulli, të gjitha dosjet e bashkëpunëtorëve të tij të afërtë,
por aq më tepër mua, si me origjinë nga Gjirokastra. Për këto arsye më afroi
shumë shpejt, pa rezerva, afër vetes së tij, duke pasur besim se do ta ndihmoja
me përparësi. Gjatë punës më njohu më nga afër dhe formoi besim të plotë, duke
vlerësuar faktin që unë isha i çiltër dhe nuk ndruhesha për të dhënë mendime
alternative, jo thjesht sipas oreksit të partnerit dhe, me kompetencë e
argumente të plota ekonomike, siç i dukej atij. Midis të tjerave, ai kishte vënë
re se, në njoftimet statistikore të përditshme, relacionet periodike për ecurinë
e ekonomisë së rrethit, këshillat, mendimet, idetë për problemet që shtroheshin
në aparatin e Komitetit Ekzekutiv dhe në forumet ekzekutive dhe këshilluese, si
dhe në materialet e shkruara të nisura nga Seksini i Planit, nuk kishte asnjë
vërejtje, përkundrazi, gjithnjë, miratim dhe fjalë të mira, vlerësime dhe
konsiderata. Ai më kishte përgëzuar, disa herë për punën dhe përsëriste faktin
që ne ishim quajtur Seksioni i Planit më i mirë në shkallë vendi. I thashë të
gjitha këto, për treguar shkaqet që e shtynë atë, njëherë, të bëjë një veprim
fort të nxituar e të çuditshëm që, gjithashtu, nënvizon karakterin e tij të
veçantë:
Një ditë më thërret me ngut në zyrën e tij, në prani të nënkryetarit të sapo
emëruar, shokut tim të vjetër Mezan Malaj, financier në profesion, njeri i
zgjuar dhe energjik. Unë e pashë, kryetarin si rrallë herë të nervozuar dhe që
se mbante vendi. Mbi tavolinë kishte një material disa faqesh me vulën dhe
firmën e tij, kthyer nga aparati i Këshillit të Ministrave, me një shënim dore
përbri, firmosur nga zëvendëskryeministri.
-Shikojeni, more vëllezër ! A ka ofendim më të madh, për të gjithë ne? Po, me
këto fjalë, kaq ofenduese, më mori erzin edhe mua dhe s'i dalë dot më përpara
syve shokut Manush. Dhe, pavarësisht nga mënyra si e ka shkruar, ai ka të
drejtë. Si mund të lejohet një "studim" i tillë shumë i cekët, pa argumente me
gabime të shumta logjike, ligjore, drejtshkrimore e deri gramatike. Ky është një
skandal që na e ul dinjitetin si administratë… U zbraz mirë, duke m'u drejtuar,
kryesisht, mua dhe pastaj vazhdoi…Prandaj, shoku Luan, të urdhëroj që: Nga sot e
tutje asnjë material i seksioneve nuk do të niset direkt, në Qeveri, pa
redaktimin dhe pa korrigjimin tënd. Për këtë të kam thirrur. Ikni tani!
Unë e dëgjova urdhrin, kuptova drejt shqetësimin e kryetarit, po rrugëzgjidhja
m'u duk absurde, e çuditshme, e gabuar dhe e pamundur të realizohej e të
zbatohej ai urdhër, megjithëse ishte i eprorit më të lart dhe njeriut më të
respektuar. Ç'të bëja ?
-Dale, ju lutem, më dëgjoni. Janë shtatëmbëdhjetë seksione këto. Komiteti ka dhe
një Jurist të vetin, ka dhe Seksionin e Arsimit, ku punojnë gjuhëtarë të
afirmuar. Si mund ta kryej unë, dhe pse duhet ta kryej unë gjithë këtë volum
pune? Unë dhe kështu jam shumë i ngarkuar në punët e mia. Kur do të ha, kur do
të fle? Nga ana tjetër çdo seksion ka specialistët e tij të profilit dhe po qe
se ndonjë nuk është i aftë, ka të tjerë, gjetiu, shumë të mirë, i ndërroni. Jo,
jo, kjo punë nuk bëhet!
-Do bëhet nga ti, personalisht, që ç'ke me të! Dhe mos na shit shumë mendje, për
të na treguar detyrat tona e aq më pak ato të kuadrit. Nuk vë unë më firmë në
shkresa paçavure e të turpërohem te shokët lart. Apo jo, more Mezan?
-Po, po, ke të drejtë. Ajo shkresë ishte një njollë turpi për të gjithë ne, u
prononcua, pa dhënë mendim të prerë Mezani, që natyrisht kërkoi kohë për të
thënë mendimin e drejtë, teksa priste t'i zbriste zemërimi Nedinit.
-E keni gabim, more shokë, protestoj unë. Po qe se dikush ka faj, e ndëshkoni;
po qe se dikush nuk është i aftë, e zëvendësoni, madje dhe mua, qysh sot. Këtë
punë unë nuk e bëj dot dhe jam gati të largohem nga puna menjëherë.
-Do ta bësh, si Çeçoja ! Mjaft na rokanise!…
O ho, u fut në botën e tij të vjetër gjirokastrite kryetari dhe po bisedon me
Çeçon e Topullitëve.
Dola i mërzitur dhe fort i shqetësuar për fatin e kalamajve të mi. Hajde e
filloje nga e para jetën…Se mos ka alternativë jashtë sferës së pushtetit
socialist…
Në ora pesëmbëdhjetë pa pesë dëgjoj të bjeri zilja e telefonit të posaçëm të
kryetarit.
-Luan ! A mund të zbresësh pak poshtë dhe të vish tek unë?
-Si mund të diskutohet urdhri. Kjo është detyrë. Shkova me një frymë dhe me një
shpresë…
-Eja. mo gaz! Afromu të të puth! E teprova, e katranosa fare. Të më falësh!
Ja ky ishte Nedin Hoxha. I dashur dhe i thjeshtë. Cili kryetar do ta bënte këtë?
Ai, megjithëse në pozitë zyrtare të rëndësishme, kishte mbetur njeri perëndie,
çka ishte shumë e rrallë aso kohe.
*
Në një rast tjetër unë hyra i shqetësuar në zyrën e kryetarit, pa trokitur, kur
atje po bëhej një takim pune me punonjësit e urbanistikës. Kisha përgatitur dhe
i dhashë një pusullë, ku i kërkoja takim urgjent për të biseduar për një punë
vetjake.
-Ikni, tani! Takimi përfundoi, tha Nedini. Pjesëmarrësit u larguan.
I shpjegoj shkurtazi, një rast skandaloz: Lamja, një punonjës me shumë
përgjegjësi në aparatin e Komitetit Ekzekutiv aktualisht gjendet i izoluar, i
mbyllur me dhunë dhe i zhveshur në shtëpinë e një qytetari nga Vlora, në
tentativë për të bërë dashuri me gruan e tij të bukur. Qytetari, një i afërt i
gruas sime, gjeti mbështetje tek unë dhe po kërkon ndihmën tuaj, duke pasur
besim të plotë dhe nga që jarani është punonjësi ynë.
-Jo, more, thotë Nedini. E nxori kokën, më së fundi, pushti, se i kam disa letra
që më kanë ardhur dhe më thonë për maskarallëqet dhe kodoshllëqet e tij. Nedini
mori menjëherë në telefon sekretarin e parë të KP Rrethit, të cilit i tha se
"dhelpra ra në çark" e më pas i shpjegoi gjendjen, duke kërkuar mendim se si të
vepronte më tej.
-Mblidh Organizatën e Partisë dhe bëj si të vendosin ata, ishte porosia e
sekretarit.
Nedin Hoxha thërriti urgjentisht në zyrë sekretarin e Organizatës Bazë të
Partisë, shokun Nelson Shehu, një inxhinier nafte i talentuar dhe njeri i
mrekullueshëm. U mblodh shpejt Organizata dhe veprimet ishin të menjëhershme dhe
të pakthyeshme: përjashtim nga Partia dhe pushim nga puna për jaranin
aventurier.
Qytetari nga ana e vetë nuk e honepsi tradhtinë e pa besë, megjithëse kish një
dashuri e mirëkuptim të hershëm me partneren që kish zgjatur gjatë gjithë viteve
të shkollës së mesme dhe të universitetit. Të tilla ishin normat e traditës dhe
të moralit tonë socialist.
*
Në kohën e ngjarjeve të rëndësishme të rënies së murit të Berlinit dhe të erës
së re te zhvillimeve demokratike, si një shpresë për ndryshime dhe përmirësime
rrënjësore, në kërkim të rrugëve të reja për kalime të buta e paqësore, nga ana
e shtetit shqiptar u bënë përpjekje për një sëre lëshimesh liberalizuese e
zbutëse. U tentua për zhvillime pluraliste politike dhe reforma demokratike në
ekonomi. Promotor i lëvizjeve për ndryshim u bë vetë Byroja Politike e KQ te
PPSh dhe personalisht kryetari i saj, Ramiz Alia. Midis të tjerash doli, atëherë
me firmën e tij një qarkore, ku lihej fakultative mbajtja apo jo, në zyrat
shtetërore, e fotografive të Enver Hoxhës, çka, deri atëherë ishte nje normë e
detyruar. Pikërisht, në një nga këto ditë shkova në zyrën e Nedin Hoxhës dhe i
thashë: Të lutem mbylle derën, se dua të bisedoj për një problem shumë të
rëndësishëm, pa na shqetësuar njeri. Dëgjo, Nedin, vazhdova, ti ke dijeni për
atë qarkoren e fotografisë, po nuk e di se në të gjitha zyrat e Komitetit, që ti
drejton tani që po bisedojmë, nuk ka asnjë fotografi të varur në mur të Enver
Hoxhës. Ti po ngelesh i veçantë. Unë e kuptoj që nga zemra nuk hiqet kollaj, po,
formalisht, nga muri duhet ta heqësh, që të jesh më i pranueshëm dhe në drejtim,
si më parë. Ti po dëgjon se ç'bëhet nëpër botë?
Jo, more? Nedini me sheh mua si në mëdyshje me dëshpërim dhe pastaj hedh sytë te
ajo fotografi, aq e bukur, ku Enver Hoxha, buzëqesh me madhështi, ulur në
poltron, vendosur në një kornizë të madhe, punuar, po aq bukur në rimeso arre…
-Ta heqim, thua?
-Po, po. Duhet hequr. Bën shumë dëm, po të lihet.
Të ulur në karrige, nën kornizën me fotografinë e "mitit dhe të legjendës
kombëtare", rrinim dhe vështronim njeri tjetrin në sy. Nedinit filluan t'i duken
bulëza djerse mbi ballë, pa i ndarë sytë nga fotografia e kushëririt, që duket
se na shikonte, për herë të fundit, i qetë, indiferent dhe buzagaz.
-Mirë, mo! Ja e hoqëm, po, si ta heqim se? Ai Sefer Dauti, marangozi, që bëri
atë kornizë aq të bukur, kur e vendosi në mur, vuajti shumë, nga që e lidhi te
një gozhdë me një tel të trashë.
Nedini nuk i ndante sytë nga fotografia, tanimë i djersitur i tëri.
Shkonte nëpër mend kalvarin e gjithë jetës së vetë prej punëtori e deri
funksionari, për mësimet e marra, besimin e madh të ngulitur nëpërmjet edukatës
shumë vjeçare, ku ai kish krijuar një kult të perëndishëm, besnikërinë e
imponuar te të gjithë me betimin e heshtur për ta mbrojtur, për ta adhuruar e
për ta dashur për jetë të jetëve. Si po rrjedhin ngjarjet…
-Atë e zgjidh unë. Pa humbur kohë, me frikën se mund të ndërronte mendim, morra
një stol të lart, bazamenti ku vihej nje ventilator freskues, hipa mbi të dhe,
me vështirësi e zgjidha atë telin e trashë… Mbaje, se mos na thyhet, se është
goxha e rëndë dhe… kaq e bukur. E mbajti Nedini me të dy duart, që i dridheshin
nga emocioni.
-Po, tani…ku ta lëmë? Fotografia i kish ngelur në duar.
-Provizorisht, ja, aty, pas raftit. Dhe u ulëm prapë në karrige, karshi njeri
tjetrit.
-E, E, bëmë një punë të mirë… dhe prapë sytë u drejtuan te vendi, ku ishte varur
fotografia. More, po sikur ngeli bosh ai vendi. Bie në sy për keq.
-S'ka gjë, se e plotësojmë me këto mostrat e prodhimeve të konservuara të
ekspozitës…
-Nuk mbulohet dielli me shoshë, belbëzoi Nedini...
*
Sa shpejt kaluan vitet. Pas gati njëzetë vjetësh, tani edhe unë edhe Nedin Hoxha
banojmë në Tiranë. Secili bën përpjekje për mbijetesë, duke jetuar, më së shumti
të humbur me kujtimet ndër vite. Tani, që dëgjoj dhe shoh me sytë e mi punët
shumë rezultative dhe transformuese të kryebashkiakut të Tiranës, më shkon
mendja te Nedin Hoxha, bëj një analogji të plotë dhe them se ka burra të
guximshëm Shqipëria, që do kujtohen ndër vite, me respekt, nga të gjithë. Për
ata njerëz të mirë unë kam nostalgji e mall.
TË PALODHUR
E TË
SHPLODHUR
E TË
SHPLODHUR
Gjëja më e madhe për njeriun është vullneti i fortë
Gëte
I PALODHURI
Vasillaq Ndinin e njoha qysh të ri, kur ai na falte edhe neve, fëmijëve,
kënaqësi të veçantë, tek e shihnim në fushën e futbollit, në pozicionin e
sulmuesit, kur lëvizte aq bukur me topin, triplonte dhe kalonte lirshëm, bënte
sikur gjuante me të djathtën, duke mashtruar edhe portierin dhe pastaj me një
shut bombë, e çonte me këmbën e majtë topin fuqishëm në trekëndësh, pikërisht
aty ku lidhen traversat e kuadratit të portës. Dhe kjo nuk ishte rastësi, që
ndodhte rrallë, po një përsosmëri e përsëritur me dhjetëra herë.
Vasillaq Ndini, ose Vaçi, siç i thërrisnin të gjithë, pasi mbaroi me rezultate
të mira shkollën e mesme financiare në Tiranë, që ishte vazhdimi i shkollës së
dëgjuar "Tregtare" të Vlorës, dhe luajti futboll me "Partizanin", u kthye në
Vlorë. Këtu, krahas punës si financier, në futboll përfaqësonte ekipin e
"Flamurtarit" e më pas u bë trajner i ekipit të të rinjve të "Flamurtarit", nga
ku doli ai brez i talentuar futbollistësh, të kurorëzuar kampion kombëtar dhe që
mundën disa ekipe me famë botërore si "Partizani" i Beogradit dhe "Barcelona" e
Spanjës. Vasillaqi, më vonë, gjatë punës, vazhdoi dhe përfundoi me
korrespondencë edhe studimet e larta në Fakultetin Ekonomik të U.Sh. Tiranë.
Vasillaq Ndini ishte i biri i Stavro Ndinit, një pasanikut vlonjat, me origjinë
nga Poliçani i Gjirokastrës dhe nip në fisin e Papallarëve, ndër me të pasurit e
Vlorës. Vëllai i madh i Vasillaqit ishte administrator i një ferme të fuqishme
në Mifol e më pas në Llakatund të Vlorës, ndërsa vëllai tjetër ishte Teli Ndini,
dëshmori i parë i Vlorës, një nga antifashistët dhe atentatorët e parë në vend.
Vaçi ishte i suksesshëm dhe në punën e tij shtetërore, si financier, më pas shef
llogarie në një ndërmarrje nafte dhe më në fund emërohet shef i financës në
Komitetit Ekzekutiv të K.P. Rrethit Vlorë. Në këtë pozicion të ri, që përplasej
me interesa gjithfarësh, Vaçi, duke qenë rigoroz në kryerjen e detyrës,
natyrisht, u ballafaqua dhe me njerëz të pa aftë, apo kondravajtës, që nga ana e
tyre, krijuan pakënaqësi e rezerva, duke pritur rastin e volitshëm për ta
penguar apo ndëshkuar.
Ishte viti l975, kur gjëmonin thirrjet ultra revolucionare në rrugët e Vlorës,
deri në formë demonstratash, të turmave entuziaste:"Lini zyrat, burokratë,
hajdeni me ne në fshat."
Unë dhe Vaçi, shoqëruar nga Bardhi Bega, një instruktor simpatik i
Komitetit të Partisë së Vlorës, nisemi për në Fermën e Llakatundit, për të
filluar punë, ai, si shef finance dhe unë si shef plani. Në një mbledhje me
kuadrot e fermës u lexuan nga instruktori në fjalë, për secilin, karakteristikat
e punës, ku jepeshin konsiderata për veprimtarinë politiko profesionale.
Karakteristikat, më së shumti, i bënin, në fshehtësi, persona të zyrave të
kuadrit, caktuar për këtë qëllim, sipas porosive të udhëheqjes. Vaçi po dëgjonte
me vëmendje, fërkonte duart dhe buzëqeshte i kënaqur. M'u drejtua mua, me zë të
ulët:
More, Luan ! Po, unë kisha frikë se do na e nxinin punën tonë. Këta e paskan
bërë vlerësimin, sikur ne të kemi shkëlqyer. Po, atëherë, pse s'na ngritën në
përgjegjësi, po na prunë këtu, sikur të na kenë internuar? Me atë që dëgjova unë
për veten, këta më kanë bërë një karakteristikë të denjë për Ministër Finance.
Po, Vasillaqi ishte njeri që i punonte mendja..
Vasillaqi me t'u kthyer atë mbas ditë në Vlorë shkoi fill e në Komitetit e
Partisë dhe kërkoj takim me shokun Mihallaq Gjinikasi, sekretarin e parë te
K.P.Rrethit, me të cilin kishte marrëdhënie miqësore. Ai i shpjegoi sekretarit
se në Fermën e Llakatundit ishte një vend vakant, i sapokrijuar, posti i
nëndrejtorit. Me që karakteristikën, si e dëgjova, e kishit bërë të shkëlqyer,
të denjë për Ministër Finance, pse mos të caktohem unë në atë detyrë, që është
pak më e lart dhe ka nën vartësi edhe shefin e financës? Sekretari e miratoi
menjëherë propozimin dhe Vasillaqi e nisi punën në Llakatund, jo si
kryefinancier, por si drejtues. Në këtë pozicion edhe rrogën e kish më të lart
dhe nuk do të rinte gjithë ditën në zyrë me llogaritje e shkresa, por do të
lëvizte, siç ishte në natyrën e tij, duke kryer, njëkohësisht, më shumë punë
operative dhe gjurmëlënëse.
Vasillaqi, si nëndrejtor i ndërmarrjes bujqësore shtetërore Llakatund, mori mbi
vete të gjitha kompetencat e drejtimit të punëve administrative ekonomike e
financiare, me "karta bjankë"të dhënë nga drejtori, mjaft kompetent Ejup Mita,
i cili, në këto anë, u lehtësua shumë. Ai e nisi punën me forcimin e sektorit të
ndërtimit, ku edhe u përqendrua. Me përpjekjet e tij direkt dhe me mbështetjen
tonë, u rikujtuan dhe u takuan të gjithë shokët në rreth e në qendër, që kishin
pozicione të favorshme, për të siguruar burime financiare për një sërë
investimesh të programuara, si dhe për të gjetur materialet dhe bazën teknike të
nevojshme. Vasillaqi shfrytëzoi mirë aftësitë e inxhinierit politeknik të
ndërtim montimit, Feri Dishnica. Ferin, familjarisht, e kishin syrgjynosur si
gjysmë të internuar, duke e hequr nga kryeqyteti, kinse për dyshimet politike e
sociale. Ai ishte një talent i vërtetë. Të internuar ishin dhe burrat shumë të
zotë të fisit të Ndreajve, specialistë ndërtimi me shumë përvojë e dhunti. Këta
u përdorën, me sukses, për realizimin e shumë objekteve ndërtimore.
Objekti i parë ishte "Ura e varur mbi Shushicë"që u projektua me guxim nga
inxhinier Dishnica. Ura ishte me gjatësi njëqind metër, ku do kalonin edhe
makina të tonazhit të madh. Kjo urë ishte me mjaftë dobi ekonomike se bashkonte
në një të vetme tokat e ndërmarrjes, midis sektorit të Qendrës dhe sektorëve
Lubonjë e Selenicë. Shkurtoheshin rreth dhjetë kilometra rrugë. Për urën e
varur, me vështirësi u siguruan kavot prej çeliku, që u gjetën në Fabrikën e
Çimentos, ku punoja unë më parë, si dhe materiale të tjera, që më së shumti u
prodhuan apo u përshtaten nga fantazisti Feri Dishnica dhe Ndreajt e mençur.
Ta shihje Vaçin ato ditë në kantierin që gumëzhinte, nuk e njihje. Me një
kashtore të madhe meksikane në kokë, me kanotiere e pantallona të shkurtra, ish
futbollisti energjik, ishte i gatshëm për çdo punë dhe mbante lart entusjazmin e
të gjithë pjesëmarrësve, që nuk pyesnin për orar pune, aq me tepër se çuditeshin
me stilin e ri të punës të drejtuesit të tyre, që dallonte dukshëm nga nëpunësit
e mëparshëm memurë, që kishin pasur në krye. Po aty u ngritën dhe mensa dhe
fjetoret provizore. Kishte aty deri furnizimi me pije freskuese nga njësitë
ambulante të tregtisë. Nuk mungonin këngët e vallet, sipas nje programi të vogël
artistik. Vaçi, ish sportist i njohur dhe pjesëmarrës në shumë aksione
vullnetare të rinisë, dallohej për një shpirt kolektivi dhe solidariteti të
veçantë dhe atje bëri shkollën e një drejtuesi e organizatori të shkëlqyer. Kjo
përvojë i vleu shumë për punët e tjera aty, në Llakatund dhe për gjithë jetën,
në detyrat e tjera drejtuese, që iu ngarkuan.
Një tjetër vepër, që i mori shumë kohë, ishte zgjerimi dhe asfaltimi i rrugës
Vlorë- Llakatund. Më parë Ferma lidhej me qytetin e Vlorës nëpërmjet rrugës
automobilistike Sherisht-Bisht Lumi- Risili-Fund Bunavi-Llakatund. Rruga e re e
eliminoi Sherishtën dhe Bishtin e Lumit dhe kaloi direkt, nëpërmjet varrezave,
te Qafa e Kociut, përmes fshatit Risili, duke shkurtuar rreth dhjetë kilometra,
pra sa gjysma e gjatësisë së mëparshme. Rruga, nën drejtimin teknik të inxhinier
Ferit, u bë me cilësi të mirë dhe i rezistoi gjatë viteve. Në këtë drejtim
ndikoi dhe vënia e një dyshe punëtorësh me të gjitha pajisjet, deri në
riasfaltim, që e mirëmbanin rrugën dhe riparonin menjëherë çdo gropëzim, sado të
vogël. Për këtë punëtorët mirëmbajtës kishin dhe stimuj të përvitshëm. Jo vetëm
ndërtimi i rrugës, por sidomos, mirëmbajtja e saj ishte një përvojë e madhe
përgjithësuese, me efekt të dukshëm ekonomik. Edhe kur kjo rrugë nacionale iu
dorëzua organeve përkatëse të Ministrisë së Transporteve, Vasillaqi mirëmbajtjen
e saj e mbajti për llogari të fermës, duke faturuar çdo vit shpenzimet sipas një
kuote të vendosur bashkërisht.
Shumë vepra ndërtuese u bënë dhe për ujësjellsat për ujë të pijshëm të disa
fshatrave, vepra të tjera ujitëse, nëpërmjet disa puseve arteziane të shpuar nga
ndërmarrja gjeologjike, me insistimin e Vaçit, në fushën ujëmbajtëse të
Llakatundit, si dhe një kanal i madh ujitës në Bishan, që mori ujë nga lumi
Vjosës dhe shtoj e përmirësoj sipërfaqen nën ujë të asaj zone.
Vasillaq Ndini me këto punë të suksesshme të kryera dhe me stilin e veçantë të
drejtimit, brenda një kohe të shkurtër u bë i njohur nga çdo punëtor, madje çdo
familjar i fermës në të shtatë fshatrat, që e formonin atë. Veç këtyre ai u
ndodhej atyre pranë për ti ndihmuar në çdo nevojë e hall që kishin, si për
vizitë e shtrim në spital, për bursat e fëmijëve, për t'u siguruar pajisje
shtëpiake, që merreshin me autorizim, e deri në fejesa e martesa, ndarje dhe
evitim sheresh e mosmarrëveshjesh. Atë e dëgjonin dhe i kërkonin këshilla e
mendime për ç'do gjë. Kudo ishte si pjesëtar familjeje.
Një ditë sekretari i partisë i organizatës së administratës, që quhej Malko
Qamili, me origjinë nga Gjirokastra, i thotë Vaçit:
-More, Vasillaq ! Me gjithë këto që bëre ti për këtë popull ne duhet të të
ngremë monument! Po, besoj se ty nuk do të të lënë këtu, se je shumë i zoti. Do
ikësh në Vlorë apo në Tiranë, po mua më vjen keq se për Partinë nuk mendove e
nuk bëre, sa duhet.
-Po, deri sa kam bërë për popullin, kam bërë dhe për Partinë, se ata janë të
pandarë, i përgjigjet Vaçi, se e kuptoi ku i "rrihte" sekretarit.
-E kam llafin që nuk bëre një zyrë për mua, për sekretarin, se s'ka kuptim që
drejtori të jetë me zyrë komode dhe unë, që jam mbi të nga ana politike, të jem
në kolibe.
-Po, mirë, o sekretar. Ti the se duhet të të ngrinim monument, po ti mua nuk më
propozove të më jepnin asnjë dekoratë për të qenë. E lëmë kështu : Ti bëj
propozimin për një urdhër pune të klasit të parë dhe unë të ndërtoj një zyrë
komode po të klasit të parë. Si u la u bë, po Vaçi e bëri shpejt zyrën, siç
dinte t'i bënte punët ai, ndërsa dekorata atij i erdhi pak vonë, kur ishte
transferuar në një punë me përgjegjësi në qytetin e Vlorës.
Aty, në Llakatund, Vasillaqi, paksa i madh në moshë, mësoi dhe motoçikletën dhe
pas kësaj nuk e mbante më vendi, por lëvizte e lëvizte, thuajse i erdhi, në pak
vjet, disa herë rreth ekuatorit. Ç'është e vërteta, nuk qe e lehtë ta mësonte
dhe shumë herë u rrëzua e disa herë u vra, po prapë ngrihej, derisa u bë një
mjeshtër. Ai ishte me vullnet të çeliktë dhe skish gjë që mos ta mësonte.
Vasillaqin e transferuan në qytetin e Vlorës dhe
e emëruan drejtor të ndërmarrjes komunale "Banesa". Ishte Llakatundi që
evidentoi vlerat e tij të jashtëzakonshme drejtuese të një stili krejt të
veçantë, që besoj se vinin nga tradita e tij familjare e stërlashtë, si njerëz
të punës, të sakrificës dhe të heroizmit. Ndërmarrja e tij e re, skish dyshim,
brenda një kohe të shkurtër u bë më e mira në shkallë Republike, duke u
zgjeruar, forcuar e modernizuar. Ai përsëri shfrytëzoi gjithë njerëzit e njohur,
sidomos shpirtin dashamirës e qytetdashës të vlonjatëve, që ishin me pozicione
të dobishme në qendër, siguroi fonde investimesh dhe e transformoi qytetin e
Vlorës, duke e nxjerrë në krye të sistemit komunal dhe ndërtimor. Rreth tij ai
grumbulloi njerëz të punës, duke mos pyetur shumë për origjinën sociale dhe
politike, të cilët i përkrahte dhe i mbështeste, për çdo gjë. Ishte i vetmi
drejtor, që nominalisht, për të gjithë nëpunësit e deri punëtorët e vetë, kishte
listën e tyre me datëlindje e gjeneralitetet e nevojshme dhe i suprizonte ata me
shpërblime apo ceremoni festive, në raste datëlindjesh jubilare, apo për ngjarje
të tjera të rëndësishme.
Një gjë synoi gjithë jetën, por nuk e realizoi dot Vasillaqi. Shumë vlonjatë, po
ai mbi të gjithë, kishin një kujtim dhe nje respekt të jashtëzakonshëm për Teli
Ndinin, antifashistin, atentatorin e guximshëm dhe dëshmorin e parë të Vlorës.
Pse ai, gjigant në veprimtarinë sportive të qytetit dhe trimi, që ishte në
ballë të trimave, deri sa e dha jetën aq heroikisht, në luftë të pabarabartë me
dhjetëra milicë e xhandarë, mos të shpallej hero i popullit?
Edhe ndaj luftëtarëve të këtyre përmasave, që historia i nxori mbi klasat, disa
hasetçi, bastardë, zhvillonin "luftën e klasave"? Po hero i vërtetë do të ishte
Teli Ndini nga vlerësim i popullit që e pa, e dëgjoi dhe e ndjeu dhe jo nga
këndvështrimi i zbatharakëve pa vlerë, shtrembërues të fakteve historike.
Sidoqoftë kjo është një çështje tjetër, që unë sa e ceka, për të "nxjerr një
dert". Koha do ta vendos historinë në vendin e vet.
Për mua, që e kam njohur nga afër, si për shumë vlonjatë, që kanë bashkëjetuar
me të, pa mëdyshje, Vasillaq Stavro Ndini, ngelet një figurë shumë e pastër, që
i ka dhënë shumë qytetit të vetë, si me aktivitetin e shquar sportiv, me
pjesëmarrjen e tij si futbollist i talentuar dhe trajner i aftë dhe i pasionuar,
por sidomos me punën e madhe, të një risie e stili të veçantë, për të drejtuar
punët masive dhe për të dhënë ndihmesë në ndërtimin dhe zbukurimin e qytetit të
Vlorës. Ai, si rrallë të tjerë, janë dhe duhet të jenë nderi i tij.
Muzika më e bukur për njeriun është mirësia
Romen Rolan
MALLI PËR MIKUN
Sa herë që më kujtohet miku im i dashur, Sezai Ibrahimi (Bazaj), një ndjenjë e
thellë malli e dashurie më pushton të tërin. Pyes veten: Ku e kam shokun tim të
shtrenjtë? Sa afër njëri tjetrit ishim dhe sa larg na shtynë dallgët e jetës!
Po, ç'bën, ti, atje, në Njujorkun e madh e të zhurmshëm? A i kujton shokët e
vegjëlisë? Se, ne të kujtojmë shpesh. Madje dhe sot, në Tiranë, duke pirë kafe
me Niko Gjyzarin, Harilla Papajorgjin, Namik Shametin dhe Lili Dodin, të
përmendëm me mall.
A të kujtohen ata krevatet tip marinari, njëri mbi tjetrin, në konviktin e
Shkollës se Mesme Financiare në Tiranë; mensën nën kat, kur rendnim, kush të
ulej i pari; sallën e vallëzimit, ku rrotulloheshim pafundësisht pa ndjerë
lodhje; klasat në Rrugën e Durrësit, gjithë dritë e diell, ku rrinim të
përqendruar e të etur për dituri, duke i parë në bebe të syrit mësuesit? Po
fusha e futbollit dhe ti në mbrojtje, futbollist i pa kalueshëm; ora gazmore,
ne që shpotisnim pa të keq dhe fizarmonika e Nikos me pulla; aksionet e rinisë
në Kombinatin e Tekstileve Tiranë dhe në Rrugën e Dritës, në Ulzë, kur mbushnim
gjoksin me shenjat e sulmuesit dhe morëm dekoratën e parë; veprimtaritë
kulturore në kor e në teatër, ku e ndjenim veten si artistë të famshëm ? Po…,
Po…?
Pastaj janë pak vjet në mes, kur ne u larguam fizikisht, se unë shkova ushtar në
Ersekë dhe ti nise studimet e larta. Kështu ishte porosia e Partisë. Duhej
zbatuar lufta e klasave. Megjithëse mbaruam shkollën e mesme me përfundime të
shkëlqyera, unë, si djalë ish "kapitalisti" dhe ti si djalë ish punëtori duhet
të diferencoheshim ca. Por ne asnjëherë nuk u ndjemë të ndarë. Edhe së largu
bashkë këmbenim letra të përmallshme. Përsëri u gjendëm në Tiranë, ulur pranë
njëri tjetrit, në kinematë me filmat italianë pa përkthim, ku unë, me aftësi të
sajuar, të shpjegoja ngjarjet dhe bisedat e protagonistëve dhe ti më huazoje
leksionet e pedagogëve të universitetit.
Të kujtohet, vite më vonë, në Tiranë, në Universitet, ku ishim kolegë: Ti, me
atë këmbënguljen dhe vullnetin e pathyeshëm, pas një përgatitjeje serioze,
mbrojte disertacionin për Kandidat Shkencash dhe unë të shoqëroja e të bëja
oponencën e vlerësimit për zbatimin në praktik, i ngazëllyer, pa e kuptuar as
vetë seç thosha, ndërsa të gjithë anëtarët e komisionit, për të mbaruar sa më
shpejt, që të iknin në punët e tyre, tundnin kokën, në shenjë miratimi?
Po, më pas, në Vlorë, në qytetin tonë të lindjes, kur zgjeroje e përshtatje
shtëpinë tënde në lagjen Tophana dhe unë bëja punë ustai? Apo kur ti, si një
mjeshtër i vërtetë më ndihmoje mua në shtëpinë e lagjes Muradie, duke suvatuar
murin e banjës së vogël? Sa kënaqësi ndjenim kur, nënat tona të mira, na prisnin
e na përcillnin, si të ishim vëllezër të pandarë me njëri tjetrin!
Erdhën ato vite të lumtura kur ne u njohëm dhe u lidhëm me bashkëshortet tona të
mrekullueshme edhe ato shoqe të së njëjtës rrugë, që na afruan edhe më ngushtë
familjarisht. Lindën fëmijët tanë dhe ata u rritën me dashuri, si të ishin të
një vëllazërie…
A të kujtohen ato valët e kaltra dhe të shkumëzuara të detit tonë Adriatik dhe
në mes të tyre, ne, me ato breçkat e banjës të sajuara me dok kombinati e me
ushkur? Po kur loznim, me top lecke me qime kali, në rërën përvëluese të plazhit
të vjetër, duke bërë, siç thoshim ne, cfita, me orë të tëra, pa ndjerë lodhje?
Po vitet bashkë si mësues në Shkollën e Mesme Financiare të Mbrëmjes në Vlorë
dhe si pedagog në Filialin e Fakultetit Ekonomik të Universitetit Shtetëror të
Tiranës, a i sjell ndër mend? Po leksionet, seminaret dhe mësimet e hapura për
përvojë ndihmë dhe kontroll; ekskursionet në vendet turistike dhe darkat e
përbashkëta; polemikat e shpeshta me dekanin, Paskon, zevzek e shpirt vogël dhe
bisedat e zjarrta me Lilin, Tasimin, Agathakliun, Abedinin, Irfanin, Refitin?
Kjo periudhë na bëri shumë më të afërt dhe zgjati, jo pak, po pesëmbëdhjetë
vjet, ndërsa njohja dhe bashkëpunimi ynë është mbi pesëdhjetë vjeçar. Rrallë
gjen Të tillë rekorde gjen rrallë.
Se sa shok i mirë dhe i kujdesshëm ke qenë për mua,
duket dhe nga ky rast:
Në një mbrëmje unë dhe miku ynë i mirë Refit Hoxha, pasi dhamë leksionet në
Filialin e Fakultetit Ekonomik të UShT Vlorë, ku ishim të tre pedagogë të
jashtëm, shkuam, siç bënim zakonisht, të pinim ndonjë gotë raki në Shtëpinë e
Oficerëve, pranë hotel Adriatikut. Atë natë na shoqëroi dhe një student, me të
cilin kishim njohje të hershme, qysh bashkënxënës në Teknikumin Financiar
Tiranë. Ai, më pas, kish studiuar për pilot reaktivi në Bashkimin Sovjetik dhe
kish marrë grua ruse. Bash për këtë arsye, në periudhën e "demaskimit të
Traktatit të Varshavës" e kishin hequr nga detyra dhe ai i ishte kthyer
profesionit të vjetër të tij dhe punonte llogaritar. Gjatë kësaj kohe, për ta
siguruar më mirë këtë vend pune, po plotësonte studimet ekonomike në
Universitet. Ne përpiqeshim ta nxitnim dhe ta ndihmonim.
Ndërkaq, ti, o Sezua im i kujdesshëm, u hyre në lokal, për të blerë një paketë
cigare. Unë të pashë dhe të ftova, kurse ti, jo vetëm që s'pranove, po, me dorë,
më grishe mua nga larg. Dolëm jashtë lokalit dhe ti më qortove gjithë inat:
Ç'punë ke ti me një ish pilot, që e ka gruan ruse? A nuk të shkon ndër mend ty
që ai ndiqet nga Sigurimi i Shtetit, që është i dyshimtë, si të gjithë shokët e
tij të mjerë, në kushte të njëjta? Pse e fut veten në listën e të dyshuarve? Nuk
të mjafton që vëllain e ke në burg? Hajde shpejt tani, të ikim bashkë. Gjej
ndonjë pretekst, biçim lajmi që ta solla unë, përshëndeti dhe ndahu. Po të pres!
Dhe ajo që pritej ndodhi vërtetë. Shumë shpejt ish pilotin e arrestuan. Më vonë
gruan e tij të bukur ruse, me të dy djemtë, i internuan në fshat dhe në të
njëjtën kohë, u a morën shtëpinë në qytetin e Vlorës Më pas edhe të shoqen e
burgosën dhe të dy i dënuan, duke i akuzuar si pjesëmarrës në agjenturat e huaja
antishqiptare.
O shoku im, ndër më të mirë! Sa të papritura ka jeta. Kaluan vitet dhe nisi
përmbysja e madhe: nga afrimet hrushovjane me perëndimin, përpjekjet për
ndryshime paqësore të Gorbaçovit, rrëzimi simbolik i murit te Berlinit, ngjarjet
e përgjakshme të Timishoarës në Rumani, përpjekjet për pluralizëm partiak dhe
reforma ekonomike në vendin tonë, e më pas greva, demonstrata, rrëzime
monumentesh e formime partish. Gurët, në duart e popullit të revoltuar, dolën më
të rrezikshëm se armët e sofistikuara dhe se bunkerët e pashpueshëm. Tollombacia
u shpua dhe u ça. Ishte një përmbysje e madhe politike e menjëhershme dhe e
përbashkët për shumë vende ish socialiste, por që te ne, për fat, erdhi e fundit
dhe, po për fatin tonë të keq, u shoqërua dhe me përmbysje të gjithçkaje të
ngritur me aq mund e djersë, me shkatërrimin e çdo gjëje të ndërtuar deri
atëherë kolektivisht, "për të zhdukur nga rrënjët komunizmin" dhe për ta rinisur
ndërtimin kapitalist nga "kuota zero".
Ti, i dashur Sezo, djali i një kovaçi të varfër, me ndjesitë dhe formimin e një
intelektuali dhe i nxitur nga rrethanat dhe lidhjet e reja të krijuara, u
përfshive në valën e madhe të ndryshimeve demokratike. Po ti ishe idealist dhe
asnjëherë nuk u prononcove me egërsinë, teorinë e gurëve të hedhur kuturu dhe të
asgjësimit të gjithçkaje, me ashpërsimin e zbrazët të luftës së re të klasave
dhe mohimin e gjithçkaje ish komuniste. As me përfitimet e padrejta në prona e
pasuri të të tjerëve.
***
Punove, si dije ti, pa u kursyer, për krijimin e Universitetit "Ismail Qemali"
të Vlorës, që ish ëndrra jonë e kahershme, duke u bërë Rektor i parë i tij. Dhe
arritjet ishin të shpejta dhe gjurmë lënëse.
Por, siç u muarr me dhunë, premtime të kota e masa gjysmake, nuk u ruajt dot
pushteteti pseudodemokratik. Përsëri armë e shumë gjak i derdhur, intriga,
spontanitet dhe ndërhyrje e fqinjëve me kontingjente të degjeneruarish, përsëri
luftë klase e klanesh.
Ti, ngele i fundit i rektorëve universitar të vendosur prej demokratëve. Ndaj
shkarkimi yt ishte dhe më spektakolari. U shkarkove në ajër, si marshall Zhukovi
në Rusi, jo duke ikur nga vendi yt, por kur po vije nga Amerika në Shqipëri.
Ti, tani, je larg, ca i dëshpëruar dhe i zhgënjyer.
Sa do të desha të ishim serish bashkë dhe të ta thosha fjalën time,
të rrezatoja dashuri dhe mirënjohje për jetën tonë, që u përpoqëm, sa mundëm mos
ta çonim dëm; për veprën dhe punën tënde prej idealisti të vërtetë, që nuk do
ketë humbje nga vitet; për miqësinë tonë të përjetshme e të pandarë, që do t'u
përçohet e pastër fëmijëve tanë.
Jo, mundi ynë nuk ka shkuar fare dëm: Shqipëria jonë e dashur, me hapa të
ngadalta, po të sigurta, po bëhet dhe do të bëhet gjithnjë e më e mirë, do t'i
shmangë e do t'i harrojë, duke i shkruar në rërë të liqtë dhe do t'i lartësojë e
përjetësojë ata që sakrifikuan për të.
Babai im i ndjerë, Kaman Çipi, tetëdhjetë e kusur vjet më parë, kur ish aty, në
Amerikë, pikërisht në East Pithsburg Pa. pat thirrur:"Mbahu nëno, mos ki frikë,
se ke djemtë në Amerikë" Të takon ty, tani, atje, në mes të Njujorkut të
thërrasësh :" Hajdeni, shokë, mos kini frikë, po ju ftoj në Amerikë" Ne presim
me durim të futemi në Evropë, po jemi të bindur që dhe në Amerikë do vijmë. Me
këtë rast do takohemi dhe me fëmijët tanë, që i kemi nisur më parë për aty.
"MIRË U PAFSHIM NË AMERIKË !"
Në qoftë se këmbëngul dhe reziston, arrin dhe fiton
Xhek London
FJALËT E HIDHURA
Andon Panozaqin e njoha nga afër vonë, rreth vitit l965, kur erdhi te ne, në
Ndërmarrjen e Prodhimeve të Ndryshme Vlorë, si Përgjegjës i Repartit të
Ëmbëlsirave. Për familjen Panozaqi, me origjinë të hershme nga Përmeti, kisha
dëgjuar shumë, qysh në fëmijërinë time, kur ishim gjitonë, në lagjen Muradie të
Vlorës. Vëllain e vogël të tyre, Ilian, ose Lilon, siç i thërrisnin të gjithë, e
kisha shumë mik, se punuam bashkë, në Ministrinë e Financave, madje në Tiranë
banuam, disa muaj, në të njëjtën dhomë, me qira të përbashkët. Panozaqët, si
fis, në Vlorë, bënë emër të mirë dhe mbaheshin për profesionistë të aftë. Të
gjithë ishin familjarë në zë, pa vese, të urtë, të ndershëm e dashamirës, si
shumica e familjeve përmetare në Vlorë.
Kur e njoha më nga afër, usta Andoni, siç i thërrisnim ne, me
nderim për autoritetin tekniko-profesional që përcillte, ishte një mesoburrë, i
paraqitshëm, i kulturuar, i mençur dhe veç mjeshtër në zanatin e tij edhe një
drejtues e organizator i shkëlqyer. Duke u miqësuar më tej me të, se ai kish
një tërheqje të çuditshme, veçanërisht kur takonte me bijë të miqve dhe të
dashamirësve të tij, do kuptoje, çdo ditë e më shumë se kishe të bëje me një
mësues e prind të kujdesshëm, me bindje të rrënjosura patriotike e nacionaliste,
përkrahës të së resë dhe të ideve perëndimore... Në zyrën e tij gjeje
gjithnjë revista shqiptare dhe italiane. Ai fliste me ngazëllim për
domosdoshmërinë e zhvillimit të teknikës dhe të teknologjisë dhe shprehte
keqardhje për shkallën tonë të ulët. Dëshpërohej për atë që nuk i gjente dot
mundësitë financiare për të bërë ndryshimet, që projektonte si një ëndërrimtar i
përhershëm.
Andon Panozaqi nuk i pranonte teprimet sllavo komuniste dhe ishte për të ruajtur
normat e moralit të hershëm shqiptar e atdhetar. Më kujtohet kur u takuam në një
mëngjes. Unë, vetvetiu, sipas një tradite të krijuar, edhe si me shaka, e
nderova, duke ngritur grushtin te koka. O, ç'më ka punuar: "Ngriji, ngriji e
bjeri kokës fortë, me të dy duart, siç na kanë rënë këta, në çaçkë të kokës"
(Fliste me aluzione për pronat dhe pasuritë e shtetëzuara pa shpërblim, me
dhunë e deri me burgosje)
Reparti i Ëmbëlsirave, që drejtonte usta Andoni ishte i vogël. Atje,
prodhoheshin, në mënyrë artizanale llokume, biskota dhe tahin hallvasi, duke
plotësuar të gjitha kërkesat e rretheve të Vlorës dhe të Fierit. Prodhimet ishin
cilësisht të mira, të pëlqyera nga konsumatorët, aq më tepër se ishin me çmime
të ulëta, pothuajse në kosto, me një fitim të ulët.
Ndërmarrja jonë ishte lokale, nën vartësinë e Seksionit të Industrisë të
Komitetit Ekzekutiv të rrethit. Aso kohe erdhi në detyrën e Shefit të Seksionit
të Industrisë inxhinieri teknolog Zeman Mali, me origjinë nga Gjirokastra. Ai më
parë kish punuar kryeinxhinier e më pas drejtor i Kombinatit të Konservave në
Vlorë. Ne, u gëzuam për ardhjen e tij në këtë detyrë, aq më tepër se inxhinier
Zemani njihej si specialist i mirë dhe i suksesshëm i sektorit ushqimor, ish
familje lufte, komunist i vjetër me influencë, që sipas nesh, do gjente mundësi
të siguronte fonde investimesh për përparim teknik dhe modernizim të
teknologjisë ekzistuese primitive.
Inxhinier Zemanin, e kishim kërkuar në ndërmarrje dhe ai erdhi , se kjo puqej
edhe me dëshirën e tij për ta njohur nga afër gjendjen. Kur vizitoi Repartin e
Ëmbëlsirave e shoqërova unë. Duke u futur në sallën e prodhimit të biskotave,
Shefi, që kishte parë disa linja jashtë shtetit, kur ishte me studime, u
skandalizua. Ai po e shikonte për herë të parë se si prodhoheshin biskotat te
ne: Ishte një linjë teknologjike e sajuar me"forcat e veta". Procesi fillonte me
një brumëgatuese buke e më pas kalonte në një konvejer, rrip gome. Midis disa
ruleve petëzohej brumi, që pritej dhe stampohej dhe më pas, me dorë, biskotat
brumë rreshtoheshin në tava dhe kalonin për pjekje në furrë. Pas kësaj
paketoheshin në kuti kartoçine dhe futeshin në arka kompesatoje. Të gjitha
operacionet e punës kryheshin me dorë, pa mekanizma. Vendet e punës ishin
rreshtuar në një kapanon, ish kazermë ushtrie, me mure të gëlqerosura, pa pllaka
majolike dhe me një tavan të ulët kompesatoje.
Shefit iu ndërrua ngjyra e fytyrës. E dinte që ishim të prapambetur, po, kaq
primitiv, si në fillim të shekullit tetëmbëdhjetë, nuk e mendonte. Ai i vuri të
dy duart mbi kokë dhe filloi të bërtiste, si i dalë mendsh, njësoj sikur zbuloi
një krim, për të cilin ishim ne fajtorë.
-Po, ku jemi këtu? Në stallën e derrave? Ku është Përgjegjësia e Repartit?
Thërriti, me zë basi. Andoni, që deri atëherë s'dinte gjë për vizitën e Shefit,
kur dëgjoi britmat dhe këtë kërkesë zëlart, doli nga zyra e tij e vogël dhe u
prezantua:
-Urdhëroni! Unë jam.
-Si, more, ti drejton këtu? Një mashkull, plak, në mes të pesëdhjetë femrave të
reja. Po, nuk të vjen turp ty për këtë gjendje mizerabile?
Shefi i nxehur doli fare jashtë kontrollit dhe s'dinte ç'bënte e s'dinte
ç'thoshte. Për rastësi sheh aty, mbi një tavolinë, para tij, një rul druri me
gjemba hekuri. E merr, si padashur në dorë dhe e ngre si çadër, sipër kokës së
vetë.
-Po, ky? Ç'është ky, topuz mesjete? Përse e mbani, për t'u mbrojtur nga turqit
?
-"Ky quhet ruli gjembaç. Me të kryejmë operacionin e fundit në procesin e
prodhimit të biskotave brumë. Petët e brumit çpohen, duke e mbajtur nga anët dhe
rrotulluar këtë rul me gjemba dhe ato, që duken si maja gozhde, hapin birat në
brumë. Birat shërbejnë për shkrifërimin dhe pamjen e biskotave të pjekura. Dalin
të mira, si cilësi. Urdhëro provoji, shoku Shef". Andoni u përpoq kështu që t'i
ndalte vrullin dhe ta zbuste sadopak Shefin, gati të çmendur. Po, pa dobi. Ai u
egërsua më shumë dhe iu hakërrua Andonit:
-Ore, gjembaç! Ore, rul! Ulëriu si i çmendur Zemani Kë do gënjesh ti, me ato
biskota skandaloze. E di ti ç'të bëj unë? Ta shpoj atë kokën tullace, bash me
këtë topuz mesjete!
I mençuri Andon e ruajti bukur fort qetësinë dhe, aty për aty iu përgjigj, me
zë të ulët, por që u dëgjua qartë:
-E di që e bën, prandaj po zbythem. (Dhe pasi u tërhoq disa hapa pas)
Më fal të të pyes: Mos je gjë komunist, zotrote?
-Po, madje nga më të vjetrit, u përgjigj Zemani, me krenari të ligjshme. Kjo
dukej dhe nga emblema, që mbante te jaka e xhaketës, si dekoratë besnikërie dhe
krenarie.
-Duhet ta dish, o shoku komunist veteran dhe shefi im i tanishëm, se unë, Andon
Panozaqi, nuk kam emblema në gjoks dhe nuk jam gjë tjetër, veçse një qytetar i
thjeshtë nga Vlora, me origjinë përmetare. Unë, brez pas brezi, këtë zanat kam
ushtruar me ndershmëri dhe krenari: kam bërë prodhime të ëmbla sheqeri. Unë jam
i moshuar, plak, siç më quajte zotrote, por, me kujtesë të freskët. Në
ëmbëltoren tonë ndër vite, kanë ardhur shumë për të blerë, madje dhe për të
kontrolluar e ndonjë, edhe për të vjedhur. Unë mbaj mend shumë fytyra: turq,
bjellorusë, italianë, gjermanë, armenë; më kujtohen dhe mercenarët e bandave
veriore të Halil Halisë dhe Selim Kaloshit. Por, asnjë, deri tani, s'ka qenë kaq
i dhunshëm e primitiv. Asnjë nuk më ka kërcënuar për vrasje, aq më tepër me
topuzin mesjetar. (Gjatë kësaj kohe i ktheu kurrizin dhe po largohej) Mirëmbeç,
o shoku shef, o komunist. Nuk do ndahemi paq, do pendohesh, në jetë të jetëve!
Andon Panozaqi, që nuk mbante asnjë fill peri në rrobat e veta, ngjarjen e
denoncoi menjëherë te Sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit.
Sekretari, nga ana e tij, kishte dhe mëri personale me Zemanin dhe e dëgjoi me
vëmendje ankesën e usta Andonit.
Zeman Mali, i detyruar nga Sekretari i Parë, erdhi disa herë në kolektivin e
Repartit të Ëmbëlsirave, në Organizatën e Partisë të Ndërmarrjes dhe te Andon
Panozaqi, duke kërkuar falje.
Unë që isha në këtë ngjarje, duke vlerësuar qëndrimin krenar dhe trimëror të
Andon Panozaqit, nuk arrita ta shpjegoj atë sjellje aq arrogante të Zeman Malit,
të kulturuar dhe me origjinë të mirëfilltë qytetare. Duket ndikimet
autoritariste mund të të çonin edhe deri në prishjen e ndjenjave qytetare të
mirësjelljes.
Puna ushqen dhe fisnikëron shpirtin
Sofokliu
BRENGA E MADHE E MINORITARIT GREK
Aristidh Kaçi dhe gruaja e tij Llambrinia, së bashku me fëmijët e tyre, banuan
disa vjet në shtëpinë tonë, në lagjen Muradie Vlorë, si qiraxhi të imponuar nga
Shteti, qysh në ato vitet e para, pas Çlirimit. Ata ishin minoritarë grekë, nga
Dropulli i Gjirokastrës. Ishin njerëz të mirë, të urtë dhe të sjellshëm. Thuhej
se kishin qenë në gjendje të mirë ekonomike. Prindërit e tyre, ishin marrë me
tregti të suksesshme në Durrës dhe në Gjirokastër.
Aristidhi i lindur në vitet njëzetë, kishte kryer me përfundime të mira,
Shkollën e Mesme Tregtare në Ujin e Ftohtë të Vlorës dhe punoi llogaritar,
kryesisht ne ndërmarrjet tregtare të qytetit të Vlorës.
Në vitin l965, kur u riktheva në punë në Ndërmarrjen Industriale të Prodhimeve
të Ndryshme të Vlorës, Aristidhin e gjeta, po aty, në detyrën e shefit të
financës. Aristidhi, rreth 15 vjeç më i madh se unë, me përvojë të gjatë pune, i
zgjuar dhe i vëmendshëm, kishte arritur të praktikohej e të kualifikohej mirë,
gjatë atyre dhjetëra vitesh pune, në sistemin kontabël të ndërmarrjeve
socialiste Ai ishte njeri i vullnetshëm, punëtor i pa përtuar… Gjatë
periudhave tremujore e vjetore, kur duhet të nxirreshin bilancet kontabile të
ekonomive, në zyrën e tij punohej pa orar, ditë dhe natë. Ai ishte organizator
model dhe bënte ndarje të mirë e racionale të punës punonjësve të vetë, si aty,
në qendër dhe midis punonjësve të financës në repartet e shumtë të ndërmarrjes.
I mësonte me durim vartësit dhe ish rigoroz në plotësimin e detyrave dhe në
kërkesën e llogarisë, duke i kontrolluar në vazhdimësi ata. Gjithnjë shquhej për
sjellje të kulturuar dhe takt. Ai përdorte sistemin e stimujve dhe kryesisht
shembullin vetjak, duke marrë për vete ngarkesë maksimale.
Aristidhi vuante, qysh i ri, nga reumatizma kronike. Kishte dhembje të
padurueshme, sidomos në gjymtyrët. Sipas një rekomandimi të dhënë, para lufte,
nga një mjek italian ai përdorte në dozë të madhe, për çdo ditë dhe kjo për
dhjetëra vjet, nga tri kokrra aspirina. Ishin aspirina BAYER, që i porosiste te
prodhuesi dhe ia dërgonin rregullisht, në adresën e vetë në Vlorë. Aq i
kujdesshëm ishte në pirjen e tyre, saqë kish tërhequr vëmendjen e firmës
prodhuese. Ata këtë fakt e reklamonin në gjithë botën, ndërsa furnizimet
Aristidhit ia përcillnin gratis. Në të vërtetë, siç thoshte dhe vetë, asnjë
veprim anësor nuk kishte ndjerë nga përdorimi i aspirinave, duke ndikuar dhe në
parametrat normale të gjakut..
Aristidhi ishte një burrë i sjellshëm dhe tip i qetë e paqësor. Ne, shokët,
miqtë dhe kolegët asnjëherë nuk kishim dëgjuar të fliste për halle apo
shqetësime të vetat. Nuk e kishim dëgjuar kurrë të shprehte ndonjë pakënaqësi
për vështirësitë ekonomike familjare, apo për gjendjen e përgjithshme politike.
Ai e kishte qejf jetën kolektive dhe asnjëherë nuk ndahej nga shokët, në gëzime
e hidhërime, në ceremoni e festa, në punët vullnetare të shpeshta, në punën
prodhuese të detyrueshme të përmuajshme dhe as në gjimnastikën kineze të
përditshme të mëngjesit
Por, një aureolë, thuajse, mistike atë e mbështillte përherë. Ç'është e vërteta
edhe ne e kishim vënë re se pushtetarë e partiakë, sikur, nuk e kishin qejf.
Kjo dukej, jo vetëm se i bënin bisht shoqërimit me të, por edhe nga që ai nuk
ishte vlerësuar pozitivisht asnjëherë nga zyrtarët: asnjë fletë lavdërimi, asnjë
shpërblim stimulues, asnjë dekoratë, ndërkaq kur vartës të tij çmoheshin e
dalloheshin, megjithëse ishte rezultante e punës kolektive, nën drejtimin e tij.
Bilancet kontabile, që ishin fryt i kësaj pune, dilnin para afatit dhe me
tregues cilësorë evidentë. Kjo na çudiste të gjithëve.
Jo vetëm kjo, po me Aristidh Kaçin ndodhte çudia e çudive. Atij, herë pas here.
i komunikonin, pa asnjë akuzë të shprehur, masën ekstreme të dënimit: E pushonin
nga puna si shef finance dhe jo ta zbrisnin në detyrë e ta linin të punonte në
atë zyrë, si llogaritar të thjeshtë, siç bënin me ndonjë tjetër që kish gabuar,
por… e kalonin punëtor të thjeshtë në prodhim, madje e vinin të ngarkonte e
shkarkonte me krahë automjetet. Ai, vishte kominoshet, që i mbante të paketuara
në shtëpi, merrte lopatën dhe shkonte në punën e re, pa bërë asnjë kundërshtim
dhe pa lënë asnjë ditë pune mangët. Në mbasditët e të hënave dhe të martave më
të afërta, atëherë kur dy ditë në javë punohej dhe mbas dite, pikërisht në
mbasditet ai diku shkonte e ankohej. Pas dy tri ditësh e rikthenin në detyrën e
shefit.
Qysh në rastin e parë, unë e pyeta, pak si mënjanë, si mik të vjetër. Ai më dha
shpjegime, pa shprehur asnjë keqardhje për ata që kishin urdhëruar pushimin e
tij nga detyra:
-Ngatërresë, tha. Dikush ka folur keq për mua. Problem dyshimi për qëndrimin
politik familjar. Po, u sqarua shpejt.
Më vonë e mora vesh shkakun e pushimit. Na i tha një dropullit, bashkëfshatar
dhe që e Aristidhin e njihte familjarisht:
-"Aristidhi është deli burrë, tha dropulliti. Ai, kështu ka qenë gjithnjë. Edhe
farë e fisin e ka të mirë. Po, të keqen e ka Vasili, i vëllai. Ai doli palo
burrë, megjithëse ka qenë më i zgjuari, më patrioti dhe më i shkolluari i
vëllezërve, partizan i orëve të para në ato anë. Vasili e tradhtoi atdheun tonë.
U arratis në Greqi dhe më pas shkoi në Amerikë. Me sa duket, atje kryen
veprimtari armiqësore edhe nuk pushon së lehuri kundër nesh".
Sa herë që në Komitetin e Partisë së Rrethit ndërrohej udhëheqja dhe kjo bëhej
shpesh, Aristidhi sërish do pushohej nga puna, se ata i kontrollonin dosjen
vetjake secilit dhe si mund ta mbanin atë shef finance në ndërmarrje shtetërore,
duke qenë me vëlla të arratisur, aq me tepër në aktivitet subversiv? Kështu
Aristidhit i erdhi radha dhe u pushua për herë të tretë. Me këtë rast unë, në
intimitet, e pyeta përsëri.
- A është e vërtetë që ti po e pëson, për hesap të vëllait tënd?
-Po, or byrazer, po. Ai bën qejf në Amerikë dhe unë, megjithëse asnjë letër nuk
kam këmbyer me të, po torturohem e stresohem duke u pushuar disa herë nga puna,
ndërsa fëmijët e mi, po për shkak të tij, privohen nga e drejta e studimeve të
larta. Unë një gjë nuk po marr vesh, mor vëlla (po e bisedoj me ty, në
koenfidence dhe jam i sigurt se nuk do ta bësh fjalë me njeri) Unë pushohem çdo
gjashtë muaj nga puna dhe, në të njëjtën kohë gruas dhe fëmijëve të tim vëllai
as një gjemb nuk u hynë në këmbë. Ata as që ngacmohen fare, madje vazhdojnë të
qetë studimet në degët më të zgjedhura. A thua ka ndërhyrë dajua i tyre, që ka
qenë në luftë dhe tani është me punë shumë të rëndësishme në qendër? Se të mos
ta dinë që ata janë fëmijët e Vasilit, nuk ma ha mendja. Këta janë ustallarë në
informacion dhe dinë çdo gjë…Dajua, dajua…Shyqyr që kanë dajën, thuaj.
Aristidhin e thërritën për të katërtën herë. Këtë radhë me ftesë të posaçme
dhe…ku pa? Në Degën e Punëve të Brendshme, me një ftesë të firmosur nga vetë
kryetari. Ne menduam se kjo do të ishte ftesa e fundit, se pikërisht në Degë
ishte dhe paraburgimi. Kanë për ta mbajtur në qeli, thamë.
Po, këtë radhë, kishte qenë fare ndryshe puna. Kryetari i Degës, që njihej nga
afër me Aristidhin, se pikërisht, kur e pushonin, atje shkonte të ankohej, e
priti me ngrohtësi, duke i rënë shpatullave, me buzëqeshje. Pasi ndërruan
përshëndetjet e rastit ai i tha:
-Më së fundi, morën fund edhe peripecitë për ty dhe për familjet tuaja. Vasili
po na vjen. Po kthehet në Atdhe. Përgatitu që, javën e ardhshme, ditën e hënë,
ora tetë, në mëngjes, ta presësh familjarisht, në Portin e Durrësit. Ai vjen nga
Amerika për riatdhesim me kokën lart. Atje ka qenë, për shumë vite, i dërguar me
detyra nga shteti ynë dhe i ka bërë shërbime të mëdha Atdheut. Ne, të gjithë
dhe më shumë ju, vëllezërit e tij, duhet të krenohemi me Vasilin. Kuvendi
Popullor, me këtë rast, ia ktheu të gjitha dekoratat dhe meritat e luftës
Vasilit, si dhe i ka akorduar tri dekorata të tjera të larta. Bisedova dhe me
drejtorin e ndërmarrjes tënde dhe e porosita që të të japë një kamion, për të
ngarkuar në Durrës pajisjet e tij shtëpiake si dhe shumë dhurata, që ju ka
sjellë.
Aristidhi rrinte dhe dëgjonte i hutuar, i befasuar krejt si në ëndërr. Aty për
aty, shkoi shpejt nëpër mënd gjithë kalvarin e vuajtjeve të tij e të fisit të
tij, streset e shumta dhe netët pa gjumë. Pa u menduar shumë, u përgjigj:
-As që vete fare ta pres! Ky shejtan gëzimi nuk m'i heq dot pasojat e tmerrit
dhe të vuajtjeve të pa treguara që kam kaluar unë dhe i gjithë fisi ynë. Ai të
bëj ç'të dojë dhe të çmallet e të gëzojë fëmijët e tij. Ne, mjaft që shpëtuam
nga kjo përbuzje, kjo trysni dhe kjo luftë e mallkuar klasash.
Vasili, erdhi vërtetë në Shqipëri, por nuk u vendos në Vlorë, por në Shkodër.
Atje duhej. Ai vazhdoi të punonte me besnikëri dhe sukses në organet e shërbimit
të inteligjencës shqiptare, deri sa vdiq.
Kur. më së fundi, pas ca kohe i akorduan edhe Aristidhit, për kontributin e tij
shumë vjeçar në financën e ndërmarrjeve shtetërore, një medalje pune, ai tha:
-Edhe këtë ia dërgoni vëllait tim, Vasilit. Atij i takon, ngaqë u kthye. Po të
qe ende në Amerikë dhe ta quanin si të arratisur, unë do vazhdoja të isha i
përbuzur, jashtë respektit të shoqërisë..
Edhe më vonë Aristidhin e vlerësuan dhe e nderuan. Ndërkohë vitet rrodhën dhe
ai ishte sa i moshuar, po dhe i lodhur nga hallet e jetës. Për ta lehtësuar nga
puna dhe për t'i bërë qejfin e transferuan në një ndërmarrje më të vogël të
sistemit të tregtisë, me të njëjtën pagë, po si shef llogarie. Këtë ndërmarrje,
NTUSin, ai e njihte mirë dhe ndjente më shumë kënaqësi pune. Atje punoi, derisa
doli në pension.
Llambrua, gruaja e tij e urtë dhe gojëmbël, si shumica e dropulliteve, kujdesej
për rritjen dhe arsimimin e katër fëmijëve të vetë, dy djem dhe dy vajza, që u
bënë të hairit. Ajo interesohej dhe preokupohej, më së shumti, për Aristidhin,
që e mbante si në pëllëmbë të dorës, ndaj xhaxhi Aristidhin pensionist, e shihje
gjithnjë të pastër, të larë e të rruar, të veshur mirë, me kostume të thjeshta e
këmishë të bardhë, me kravatë dhe kur doli në pension, edhe me një kapele
republike në kokë.
Me Aristidhin edhe vitet e fundit kemi pasur fatin të banojmë në të njëjtën
godinë, në pallatet e reja të ndërtuara në lagjen Çole të Vlorës. Derisa vdiq,
në moshë rreth 70 vjeç, Aristidhi, do të kujtohet si një nga njerëzit më të
respektuar. Ai vazhdimisht përshëndeste këdo që shikonte, ndalej për të biseduar
dhe për të dhënë këshilla me urtësi e vlerë, gjithnjë me plotë besim e optimizëm
për një të ardhme më të mirë.
Dëgjojmë sot dhe na tingëllojnë për keq e fare të pavërteta, mendime e dasi për
minoritetin grek, etj. Ne nuk e kemi shkuar kurrë ndër mend këtë dallim, po jemi
dashur e duhemi me njëri tjetrin njësoj, si me vëllezërit e një gjaku, pa
përmendur cinizmin, lakminë dhe prapaskenat e personave të veçantë apo të
qarqeve ekstremiste. Askush nuk do të na përçajë, si dy popuj fqinjë ndër
shekuj. Shembull për këtë le të qëndrojnë dhe këto mbresa e kujtime për fort të
mirin e të paharruarin, minoritarin e mençur e fisnik Aristidh Kaçi.
LABIRINTET
E
DASHURISË
Zbukurimi më i madh është ndërgjegjja e pastër
Ciceroni
MJESHTRI QË RADHITI FJALËN SHQIPE
Dhimitër Rrumbullakun e njoha kur ai ishte në moshë të thyer. Usta Miti, siç i
thërrisnin të gjithë, aso kohe ishte përgjegjësi teknik e administrativ i
Repartit të Shtypshkronjës, i përfshirë në veprimtarinë e Ndërmarrjes Lokale të
Prodhimeve të Ndryshme të Vlorës, ku edhe unë punova për gati 10 vjet. Në
stabilimentin, ku drejtonte Miti, ishin vendosur makineri e pajisje të
grumbulluara nga katër shtypshkronja, pra aq sa ishin në rrethin e Vlorës para
lufte. Atje, shtypej gazeta "Zëri i Vlorës", libra dhe broshura lokale, si dhe
të gjitha shtypshkrimet dhe formularët për nevojat e ndërmarrjeve,
institucioneve dhe kërkesave publike të Qarkut të Vlorës , ku përfshihej rrethi
i Vlorës dhe i Fierit
Korpusin e makinerive të kësaj shtypshkronje, me emrin e madh "Atdheu" e
përbënin: Një thikë prerëse, që punonte me elektromotor, me volant e gjerësi një
metër; fondi i shkronjave, rrigetave dhe bocetave, me shumëllojshmëri të të
gjitha tipave dhe madhësive, kompletuar me stampa e lule-lajle gjithfarëshe; një
linotip që formonte shkronja të reja të derdhura plumbi; dy makina tipografike,
pedalin po me elektromotor; një makinë tipografike e madhe; makina rrotative
tipografike e gazetës, etj
Usta Miti kishte qenë një nga punonjësit kryesor të kësaj shtypshkronje, qysh
nga koha e Zogut e deri në vitin l947, kur u shtetëzua. Ishte i pranishëm
gjithnjë, në qendër të veprimtarisë së shtypshkronjës, duke qenë njëherazi
pronar i saj, përjashtuar një periudhë dy vjeçare, gjatë luftës, kur e
internuan në kampet e përqendrimit, së bashku me pesëqindtë burra të tjerë nga
Vlora. Mit Rrumbullaku i ri, pat qenë krenaria e djalërisë vlonjate, pjesëmarrës
aktiv në veprimtaritë sportive dhe kulturore të qytetit.
Në shtypshkronjën"Atdheu" punonin 12 punëtorë, me stazh të gjatë pune. Disa prej
tyre ishin të moshuar dhe kishin qenë veprimtarë të vjetër të Usta Mitit, qëkur
ky kishte qenë pronar i shtypshkronjës. Marko Mina, Stefan Boçova, Tol Stefani,
Aqif Sadiku dhe Andrea Lame flisnin me nderim të thellë dhe kishin dashuri të
pamasë për ustain dhe padronin e tyre të hershëm. Ata kishin qenë nxënësit,
shokët dhe miqtë e tij më të mirë. Ai edhe kur ishte pronar, punonte në prodhim
krahas tyre. Miti i zotëronte të gjitha specialitetet, duke qenë njëherazi
radhitës i shpejtë dhe i pagabueshëm, faqosës, linotipist, makinist i çdo lloj
makine e deri një libralidhës i talentuar. Të gjitha këto zeje i kryente në
përsosmërinë e tyre. Usta Miti dhe kështu ishte përpjekur, pa rezerva, t'i
përcillte sekretet profesionale te bashkëpunëtorët e tij besnikë. Ai,
personalisht dallohej mbi ta edhe për punime artistike si për bërjen e kornizave
të kartonit me oriz, tutkall e varak; dosje e kuti kartoni e kartoçine të
shumëllojta, zarfe, kartëvizita të bukura, lidhje speciale librash, etj. Kur
gjente kohë, këto punë vazhdonte t'i bënte me dashuri e pasion, pa i pasur
detyra funksionale. Edhe më pas, kur doli në pension, punonte për të bërë
ndere, pa asnjëfarë interesi material.
Usta Miti ishte një organizator dhe administrator i talentuar. I ngarkonte të
gjithë me punë si të barabartë, pa u ndikuar nga asnjë simpati vetjake, apo
pikëpamje politike. Ai ishte i saktë në anën dokumentare, si për hartimin e
preventivave, të urdhërporosive dhe për formimin e çmimeve, në evidentimin e
shpenzimeve dhe në nxjerrjen e kostos së prodhimit e deri në llogaritjen e të
ardhurave dhe të fitimit.
Falë punës së tij këmbëngulëse shumë vjeçare një kujdes i veçantë tregohej për
mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e makinerive. Çdo ditë të shtunë puna kudo ndalej
krejt, dy orë para mbarimit të turnit dhe të gjithë punëtorët merreshin me
pastrimin dhe lubrifikimin e agregateve. Kjo ishte bërë, jo vetëm traditë, por
ishte normë e detyruar, qysh kur këto asete ishin pronë private. Ky ishte
sekreti i gatishmërisë teknike për këto makineri që, pothuajse ishin të vjetra,
të blera nga Gjermania dhe Austria qysh para lufte, pasi ishin përdorur dhe atje
për dhjetëra vjet. Gjeje stampa, në këto makina, që kishin si vit prodhimi
l88O.- tën.
-Lubrifikimi e mban të ri mjetin, thoshte Usta Miti. Vaji për makinat është i
domosdoshëm, si uji për kafshët dhe njerëzit.
Edhe mjetet e lubrifikimit si vajosëset dhe grasatorët në këtë shtypshkronjë
ishin, qysh nga koha e para luftës.
Usta Miti ishte dhe një njeri shumë human, i dashur dhe i pakursyer për t'u vënë
në dispozicion me gjithçka. Mua më deshte fort nga që kishte pasur miqësi,
njohje dhe nderim të ndërsjellët me babain tim. Edhe unë, gjithashtu, e
adhuroja, e vlerësoja si asnjë e ndihmoja dhe i dilja krahë për çdo gjë. E si
mos ta ndihmoje atë babëlok aq të ndershëm, punëtor dhe dashamirës?
-Mos u rrëmbe, më thoshte. Mendoje mirë fjalën, para se ta nxjerrësh, duke
kafshuar gjuhën. Shiko edhe kë ke për rreth. Ruhu nga të liqtë dhe karrieristët.
Ja, p.sh., më tha një ditë: nga ai "turku", që kam unë, ruhu, se, ai diku vete e
raporton, për çdo gjë që sheh dhe që nuk i pëlqen. Ka plotë si ai.
Kur im vëlla, Bektashi, ra në burg, për një çështje ordinere të sajuar e të
fryrë, Miti Rrumbullaku ishte i vetmi që më qëndroi më afër nga kushdo me porosi
e këshilla. Veç të tjerash ai më tha me sinqeritet dhe intimitet:
-Luan i dashur! Të kam si djalin tim. E kuptoj që je në hall të madh dhe ke
nevojë për çdo lloj ndihme... Ta dish që mua më ke gati për çdo nevojë. Më
thuaj, si të kesh gjallë babën tënd, mikun tim të vjetër. Ti e di që unë i kam
hequr ca para mënjanë për një ditë të zezë, për një të keqe të mundshme. Kjo e
keqe të ra ty, por sikur më ka rënë mua...Ja ku i ke, merri. Mos mendo kur do
m'i kthesh. Unë nuk t'i kërkoj më. Po i pate me thasë, si i thonë, m'i kthe me
torbë. Ato janë si të ishin të Kamanit, babait tënd të ndjerë. Unë e falënderova
dhe u kënaqa sa s'thuhet, por, natyrisht, nuk ia mora, se aso kohe nuk kisha
nevojë për to. Miti u zemërua shumë.
Xha Miti kishte katër vajza: Lizën, Elvirën, Çivin dhe Linën.
Vajza e vogël, në moshën e adoleshencës, kaloi çaste tëpafundme dëshpërimi, të
nxitura nga një intrigë dhe thashethemnajë. Çasti fatal kish lidhje me një
premtim dashurie. Njomcakja e mjerë, e befasuar dhe shqetësuar nga një tradhti e
pabesi e stisur, si dhe e ndodhur në një mjedis pa ngrohtësi dhe papërkrahjen e
duhur, e ndofta, përkundrazi, në rrethana të një mjedisi fetar, përbuzjeje e
dhune, nuk duroi dhe nuk gjeti zgjidhje tjetër, veçse vetëvrasjen me helmim.
E kisha njohur nga afër Linën l6 vjeçare, kur vinte te shtëpia jonë në Muradie
me të motrën, Elvirën, që ishte në një klasë dhe shoqe e ngushtë e motrës sime,
Teutës… Lina ishte shumë e bukur, e zgjuar dhe ëndërrimtare. Mësova dhe për
prapaskenën, intrigën dhe dizinformomin për dashurinë "e humbur", që e çoi atë
drejt çastit makabër.
Sa të papritura sjell jeta. Sa të kujdesshëm duhet të jemi me fëmijët tanë në
këtë moshë kaq delikate. Për Dhimitër Rrumbullakun kjo ishte një goditje
vdekjeprurëse që e plaku dhe e kërrusi para kohe atë, aq sa s'e ngriti më kokën,
derisa dha shpirt. Atij i ngeli peng ngurrimi dhe paaftësia për të vepruar në
kohë, për të depërtuar në psikologjinë e adoleshentes së brishtë, që nuk i
kishte qëndruar afër aq sa duhej, për ta kuptuar dhe parandaluar gjëmën.
Iku me një plagë të madhe xha Miti, mjeshtëri i rrallë, njeriu që radhiti në
mijëra fletë fjalën e bukur shqipe.
NJERIU I GËZUESHËM
Tol Stefani, tipografi i shtypshkronjës "Atdheu", të Ndërmarrjes Lokale të
Prodhimeve të Ndryshme në Vlorë ishte një njeri i veçantë. Ai kishte disa
dhunti: dallohej, ndërmjet moshatarëve ( ishte rreth dhjetë vjeç më i madh se
unë ) për profilin e tij dhe trupin e lart; për dinamizëm të pazakontë; për
zërin e bukur prej tenori; për atë prezantim të përhershëm gazmor e dashamirës.
Ishte kurdoherë në humor dhe fort i shkathët. Për këto dhunti ai ishte në qendër
të vëmendjes së shoqërisë. Siç jepte dashuri, ashtu dhe merrte. Të gjithë e
donin, e vlerësonin, e vendosnin kurdoherë në krye.
Tolin, për dhjetëra vjet rresht punonjësit e ndërmarrjes e zgjidhnin,
unanimisht, Kryetar Organizate të Bashkimeve Profesionale. Detyra më e
rëndësishme e Kryetarit, për çdo vit, ishte hartimi i një raporti llogaridhënës
për punën e bërë nga Komiteti Profesional që ai drejtonte. Me këtë rast
ndaheshin edhe stimuj moral e material. Një raport të tillë po lexonte Toli, kur
i erdhi radha të shpallte të dalluar. Në një çast ai tha:
-Për punë të palodhur, vetëmohuese në realizimin dhe tejkalimin e normave dhe
të detyrave të planit të shtetit i jepet (midis të tjerëve) furrxhiut
stakanovist Pandeli Arapashi një fletë nderi me këtë motivacion…
Fjalën ia preu në mes Burhan Butja, një tjetër furrtar pararojë, ish boksier,
që punonte njëherazi, si asnjë tjetër, në të njëjtën kohë, me dy gryka furre:
-Ore, shoku Toli, shoku Kryetar! Prapë edhe këtë vit me të ziun Pandi, ti? Po,
ai, ndjesë pastë, ka gjashtë muaj që ka vdekur. Ti, për rahmetllëkun në Babicë e
nderon, apo për punën në kolektivin tonë?
Toli i shkathët u kujtua që po lexonte raportin e vitit të kaluar, se përtonte
të bënte të ri dhe vetëm ca korrigjime të vogla i kishte bërë, duke menduar se
kush e kishte mendjen te raporti i tij. Aty për aty, hazërxhevap, siç qe, iu
përgjigj:
-Dale, ore, hasetçi! Mos u nxito, se të tjerët do mendojnë se e ke fjalën për
vete. Ta dish mirë se emrin tënd e kam këtu më poshtë… Po pse, nuk e di unë që i
ndjeri Pandeli Arapashi ka vdekur. Harrove ti që unë i mbajta edhe fjalim në
varr? Po, si thua ti, more smirëzi, që për ato gjashtë muaj pune heroike të
Pandeliut, deri në çastet e fundit të jetës, Komiteti Profesional mos ta
dallonte, mos ta vlerësonte, të rrinte në heshtje? Jo. Ore, jo! Ne prandaj na
keni zgjedhur t'ju kujtojmë, të gjallë apo të vdekur. Hajde këtu, Burhan, si
koleg që e ke pasur. Merre këtë copë letër me vlerë dhe çojua fëmijëve të tij.
Të gëzojnë, me rastin e Vitit të Ri, dhe ta marrin vesh edhe ata që ne nuk i
harrojmë shokët e mirë, qoftë dhe të vdekur, po i kemi gjithnjë në gjirin tonë
të ngrohtë.
Ja i tillë ishte Tol Stefani: Në çdo çast të ngjallte e të sillte gëzim. Dhe
hajde e mos e zgjidhje atë kryetar të përjetshëm.
Plagë e keqe është lakmia, nuk e tret as toka
Populli
DASHURI E NDËRPRERË
Një nga repartet më të vegjël të punës në Ndërmarrjen e Prodhimeve të Ndryshme
në Vlorën e viteve pesëdhjetë ishte ai i Poçerisë së Trashë: një sallë pune me
katër "tezgjahë ", Mbi bango hidhej argjila e përpunuar, rrihej dhe përzihej
fort, si të ishte brumë buke. Volanti i drurit rrotullohej me këmbën e zbathur,
teksa me anën e duarve të lira, mollëzave të gishtrinjëve, balta ngrihej, me
delikatesë, midis të dy duarve për t'i dhënë formën e dëshiruar.
Në një dhomë depozitohej, paraprakisht, argjila, gatuhej dhe përpunohej,
spërkatur dhe regjur me ujë. Në dhomën për karshi, të ajrosur mirë, në rafte,
vendoseshin dhe liheshin, disa ditë për t'u tharë, gjysmëprodhimet e përgatitura
në dhomën e tezgjahëve. Një pjesë e tyre, para se të futeshin në furin e
pjekjes, lyheshin me zmalt poçerie, ose me bojëra me ngjyra të ndryshme. Pjekja
bëhej në një furrë të posaçme, me qemer, dhe si lëndë djegëse përdorej dru
zjarri dhe shkarpa të çfarëdoshme.
Në rrethin e Vlorës prodhimi i poçerisë së trashë prej balte është shumë i
hershëm. Kjo duket jo vetëm nga shumë zbulimet arkeologjike të bëra në Ploçë,
Velçë, Aulonë, Orik e gjetkë, por edhe nga enë e poçeri gjithfarësh që gjenden
në bahçet dhe në shtëpitë e vjetra të qytetit ku kishte vazo e saksi lulesh,
qypa, shtamba e katruve, bragaçe e poçe të formave e madhësive e ngjyrave nga
më të ndryshmet. Në oborrin e shtëpisë sonë në lagjen Muradie, në qendër të
Vlorës, atje ku tani është vendosur një hotel turistik, ruheshin deri vonë dy
qypa të stërmëdhenj dy dhe tre kuintalësh, të smaltuar nga brenda dhe nga
jashtë, tregues këta të gjallërimit të hershëm të artizanatit dhe të një tregtie
të mirëfilltë të kësaj treve.
Në Repartin e Poçerisë së Trashë të qytetit të Vlorës punohej qysh prej shumë
vitesh dhe aty nxirreshin prodhime cilësore, duke rivalizuar prodhimet analoge
të trevës së Kavajës, që ishin më në zë në gjithë vendin.
Një nga poçarët e rinj të talentuar ishte dhe Kolë Qari. Unë, që punoja në të
njëjtën ndërmarrje, veja dendur ta vëzhgoja duke punuar atë, apo mjeshtrin
tjetër të talentuar, mikun tim të vjetër, Bejon.
Kola nuk më tërhiqte thjesht për virtuozitetin në punë, për ato lëvizje
instiktive të sakta e delikate, por, ngaqë kisha dëshirë të bisedoja me të se,
në të vërtetë, dukej një tip i veçantë, fort interesant, që ishte gati të
shfrente një brengë të madhe që përjetonte, duke e ndjerë veten të braktisur dhe
fatkeq. Mua, një të riu të ndjeshëm dhe romantik, që s'kisha lënë libër të ish
Bibliotekës së Madhe të Eqrem Bej Vlorës pa e lexuar, më vinte shumë keq kur e
shihja në këtë gjendje dhe ndjeja shumë kënaqësi, e kisha një tërheqje të
pashpjeguar ta dëgjoja dhe, ndofta, po të kisha mundësi, ta ndihmoja.
E soditja nga larg me minuta të tëra, pa ia ndarë sytë, tek punonte kokulur në
tezgjahun e tij primitiv. I përkulur mbi një copë balte të paformë, në fillim, e
përkëdhelte atë me duart e ç'veshura, teksa me këmbën e zbathur lëvizte me
shpejtësi volantin me bangon rrotulluese, i ulur mbi një postiqe të bardhë
leshi, vendosur mbi një stol të ulët druri. Gishtërinjtë dhe patoma e këmbës me
lëkurë të trashur, kallo të argasur nga goditjet sistematike mbi dërrasën e
volantit e të lëmuar prej viteve, lëviznin me shkathtësi dhe me shpejtësinë e
nevojshme bangon e tezgjahut dhe mbi të, atë copë brumi balte. Gishtërinjtë e
ndjeshëm i jepnin baltës forma artistike. Brumi, si i komanduar në mënyrë
automatike, ngrihet e ngrihet, si me magji, shkon te forma e kërkuar standarde
në trashësi e lartësi, identik me produktin e me peshën e radhës. Ca prekje
delikate me mollëzat e gishtave dhe balta merr forma precize të valëzuara.. Dy
copa si litarë balte, të parapërgatitur shtypen në dy anët lehtazi. Kështu
dorezat e enës rrinë si të ngjitura vetvetiu.
-Gati katruvja! Flet Kola, drejtuar ndihmësit dhe pas pesë minutash:
-Gati vazua! Dëgjohej urdhërues, si i mekur, sërish, zëri i Kolës.
Bajrami një punëtor jevg i ardhur nga Mirdita, më i madh se Kola në moshë, e
merr prodhimin nga duart e Kolës dhe e çon në raftet e dhomës së tharjes.
Në këto raste Kola hidhte mbi ballin e gjerë flokët e tij të zinj e të dendur
dhe ngrinte sytë për të shoqëruar objektin dhe për të marrë kënaqësinë,
përfundimet e punës së vetë cilësore.
Dhe ti, atëherë ndesheshe me vështrimin, fytyrën e vërejtur dhe sytë e tij të
pikëlluar. Kundron pamjen delikate të një të riu me tipare të theksuara
myzeqari, me ato pikëza si të kuqe nden mollëzat e faqeve. Pak ezmer, me gojë të
vogël, hundë të drejtë, vetull të zezë gjysmëharku dhe sy gështenjë. Veç balli i
lartë, i spërkatur me cikla balte, ngjyra e verdhë e fytyrës dhe rrethi i zi te
sytë, tregojnë se një kapitje e një brengë e madhe fshihej pas këtyre lëvizjeve
të përsosura dhe energjike.
Unë i flas. Sytë kryqëzohen. Vihet re gëzimi, por pa e larguar brengën.
-O, erdhe, i dashur Luan? Më rrofsh. Ja, rehatohu aty, tek ai stoli për karshi.
Unë po vazhdoj punën se më duhet të plotësoj normën ditore. Edhe muhabet do të
bëjmë, aq sa të mundemi.
E kuptova që nuk ishte çasti i përshtatshëm, ndaj u përshëndetëm dhe u ndamë
shpejt.
Kur bisedonte, Kola e kish zakon dhe desh të të shikonte drejt e në sy. Po të
ish duke punuar, sa herë që hiqte sytë nga balta, objekti cenohej në cilësi e në
formë. Në këto raste, ai e prishte fare atë në proces, e kthente në fazën
fillestare, e ringjishte baltën dhe puna niste nga e para. Ishte e kotë të
rrekeshe për bashkëbisedim,kur Kola punonte.
-Po iki, i thashë.
-Ke të drejtë, bën mirë. Po, prit një minutë, se të kam përgatitur një vazo të
bukur për lule. të lutem mos ma refuzo. Merre atë, i dashur Luan. Aty të
mbjellësh një lule të bukur. Të zgjedhësh më të bukurën e luleve. Po do kesh
kujdes që ta ujitësh shpesh, sipas nevojës që ka bima, për ta mbajtur gjithnjë
të freskët, që mos të thahet dhe tëharre e pastroje me kujdes nga barërat e
këqija dhe nga parazitët vdekjeprurës.
S'kishe pse të thelloheshe në mendime. Një kuptim të dyzuar, alegorik kishin
këto porosi të thëna kaq seriozisht… Duke pasur kujdes që mos ta fyeja, pasi e
falënderova për dhuratën dhe këshillat, i thashë Kolës :
-Mendoj të takohemi pas dite, si të lësh punën dhe të pimë bashkë një gotë birrë
buzë detit te "Don Marku". Aty dhe do të kemi kohë të bisedojmë të qetë.
-Jo, kundërshtoi Kola. Mbas dite më duhet të shplodhem e të fle, se nesër do
punoj në turnin e tretë, me orë të zgjatura. Do ndez furrën e poçerisë, se
pjekësit janë me leje të zakonshme dhe do pjek gjysmëprodhimet e shumtë që na
janë grumbulluar. E di çfarë më shkoi ndër mëndje. Ti nuk ke qenë ndonjëherë në
këtë proçes pune për pjekjen e poçerisë së trashë. E di që je kureshtar, si për
çdo gjë interesante. Hajde, madje, po deshe, në vend të ndihmësit. Kështu edhe
mua më ndihmon edhe ti mëson sekretet e procesit të pjekjes. Do kemi kohë edhe
të hamë bukë misri të thekur në prush pa edhe të bisedojmë lirshëm e të qetë. Do
vish patjetër, se kam nevojë të bisedoj me ty, të shprehem gjatë, të lirohem e
të shfrehem.
Të nesërmen, në mbasdite rreth orës 18.00, siç e kishim lënë me Kolën, u takuam
te Furra e Pjekjes së Poçeve. Ndërkohë furin e gjetëm gati, të mbushur brenda me
gjithfarë poçesh të thara mirë dhe pjesërisht të smaltuara. I hodha një sy
shpejt e shpejt : Furra e Poçeve nga brenda ishte si një sferë e madhe me
diametër rreth tre metër, me një ndarje në planin horizontal me tulla me bira,
pikërisht si dy gjysmasfere të barabarta me bazë të përbashkët. Në të dy pjesët,
lart e poshtë, kishte nga një derë të hapur. Në gjysmë sferën e sipërme nga baza
deri te qemeri ishin radhitur poçet e papjekura. Dera e sipërme, që ishte rreth
një metër e lartë dhe po kaq e gjerë, u bllokua krejt me tulla e baltë, duke
lënë vetëm një oxhak të ngushtë, sa për kalimin e tymit,si dhe për të
kontrolluar temperaturën.
Zjarrin e ndezëm me shkarpa dhe mbeturina dërrasash. Herë pas here, sipas
nevojës, shtonim dru zjarri. Pasi kryem këto punë na ngelej vetëm kontrolli dhe
sigurimi i temperaturës së përshtatshme, çka arrihej nëpërmjet shtimit apo
pakësimit të intensitetit të zjarrit
-Tani, punën e vumë në terezi, tha Kola. Është koha të pushojmë pak, të lajmë
duart, të hamë darkë dhe të bisedojmë. Pamë orën dhe u çuditem kur kishte
shkuar mesnatë. Ishte një errësirë e plotë. Natë dimri e ftohtë. Qielli pa hënë
ishte mbushur me yje që rrezatonin shkëlqim. Ne u ulëm afër grykës së furrës dhe
në të ftohtin që na pllakosi, po ndjenim lezetin e ngrohtësisë së zjarrit
bubulak. Afruam dy stola druri dhe një si tavolinë të vogël, te sajuar me ca
arka.
Kola nga trasta e vetë nxori një bukë misri, e çau në mes me thikë, e ndau në
katër pjesë dhe e vendosi në këmbë, afër prushit që të thekej. Nxorëm djathë,
vezë të ziera, një rrotë sallami, prodhuar me cilësi të lartë nga i famshmi Koço
Lloci, ca ullinj Narte, që sa i kish zënë kripa, një shishe raki rrushi ballë
kazani dhe dy gota të vogla, që i kishim marrë me vete.
Duke ngrënë e nisëm bisedën për problemet e punës e më pas u futëm në hallet
shoqërore e familjare.
Ashtu, krejt natyrshëm, Kola nisi të tregojë për jetën e tij: Poçar, brez pas
brezi... Origjinën e hershme e kishin nga Myzeqeja e Vlorës. Ajo zonë, tregonte
Kola, sidomos fshati Poro ka argjilë fort të përshtatshme për qeramikë. Kola
mburrej për gjyshin e vetë që, siç thoshte ai, ishte poçari më i dëgjuar në
krahinë. Plaku arriti, në moshën e tij, të bënte qypa balte të stërmëdha për
agallarët dhe bejlerët e Vlorës dhe të Beratit. Ato ishin hambarë të vërtetë
për nga madhësia, të fortë si guri dhe të sigurt për të kripur ullinj dhe për të
depozituar mushtin dhe verën "Vlosh", që parapëlqehej në të gjithë Ballkanet e
deri në Raguzë e Veneti.
-Ne, tha Kola, tradicionalisht kemi qenë profesionistë të mirë, por ishim dhe
ortodoksë tepër fanatikë në rregullat dhe dogmat fetare. E them këtë, se këtu
gjendet edhe zanafilla e fatkeqësisë dhe brengës sime.
Kështu, ca e nga ca, duke ngrënë e duke pirë, Kola, si pa dashur, doli shpejt te
tema e tij e parapëlqyer, te shqetësimi i vetëm dhe i vazhdueshëm, që i ziente
orë e çast përbrenda dhe që po gjente rastin e volitshëm ta nxirrte, sadopak,
jashtë vetes e ta ndante me një shok qe e vlerësonte, e ndihmonte në punë e në
jetë dhe, me këtë rast e nderonte me praninë e tij, në atë natë dimri të
mërzitshme e të pafund.
-Më duket se pikërisht ky fanatizëm dhe paragjykim i vjetër fetar, përsëriti
Kola, ishte shkaku fillestar që unë e humba të dashurën time të zemrës… Ajo
ishte myslimane dhe nëna ime, bijë prifti ortodoks, nuk e honepste fare atë dhe
asnjëherë nuk ngeli dakord me zgjedhjen e zemrës sime… Ajo kundërshtoi ta fuste
në shtëpinë e prindërve tanë dhe unë, siç do të ta shpjegoj, u detyrova të
strehohem gjetiu, larg familjes, të afërmve të mi, që i kisha rreth e rrotull,
njerëzve dashamirës,miq të vjetër të lagjes dhe të njohurve. Si të thuash, e
lashë atë të vetme, në gojën e ujkut… Ajo, ç'është e vërteta, meqë kish mbaruar
me nota të mira shkollën e mesme teknike, u punësua menjëherë në Ofiçinën
Mekanike të Fabrikës së Çimentos.
Unë e dëgjoja me vëmendje Kolën, teksa hanim dhe pinim të qetë, ndaj e pyeta
Kolën:
-Po, kush ishte kjo vajzë. E kujt është, si e quajnë? A e njoh unë?
-Nuk e besoj, se janë beratas. Unë u njoha me të në " Rrugën e Dritës". Edhe ajo
sapo kishte marrë maturën dhe në pushimet e verës, si ne të tjerët, maturantë
nga shumë shkolla të mesme të vendit, kishte dalë vullnetare në aksionet e
rinisë. Fati na bashkoi në të njëjtin sektor pune dhe në të njëjtën brigadë.
Atje u njohëm. Më nga afër u miqësuam në mbrëmjet e vallëzimit, që bënim çdo
darkë dhe në grupin artistik të sektorit. Edhe ajo këndonte bukur, me një zë
melodioz e të ngrohtë altoje. Na caktuan të këndonim bashkë një duet. Më
kujtohet si tani. Ishte një këngë e bukur ruse: "Akacia e dashurisë". Një nga
ato këngë që duket se dalin nga shpirti, nga vorbullat e valëve të lumit Vollga
e Dniepër, nga tajgat, nga thellësia e zemrës së popullit të madh rus. Ne na
puqeshin aq ëmbël zërat!? Pikërisht ajo këngë e lindur aq larg nesh, në brigjet
e Dnieprit qe fati ynë, që na bashkoi buzë lumit Fan, aty, në atë breg lumi, ku
po ndërtonim rrugën e Dritës, në atë sektor pune gjithë gjallëri me emrin
Shkopet. Ishte koha kur ky emër, deri atëherë i padëgjuar u lidh me heroizmin e
"Luanit të Tuneleve", Sali Vatës...Është e çuditshme po, vetë Saliu i famshëm
për kohën, sikur të qe vëllai ynë i madh, e bekoi dhe e nxiti dashurinë tonë të
sinqertë e të pafajshme… Nuk kaluan veçse pak ditë kur s'ngeli vullnetar pa e
marrë vesh lidhjen tonë. Të gjithë na përkrahën dhe na përgëzuan. Na uronin se
ishim të dy të rinj, të bukur dhe gazmorë. Fakti që e dashura ime, me atë emër
të lasht turk Resmije, ishte myslimane dhe unë me një emër të njohur mirë edhe
në atë zonë, Kolë, apo Nikoll, në të vërtet ortodoks, po që mund të ish dhe
katolik. Edhe këta emra, kaq të ndryshëm, nxitnin për një solidaritet
njeridashës. Pastaj mos harrojmë: Ne ishim të pëlqyer edhe në skenë. Të gjithë
aksionistët ndihmuan për organizimin dhe zyrtarizmin e një ceremonie kolektive
në ditën që ne kishim vendosur ta shpallnim fejesën.
Në një kapanon të madh të Sektorit të Shkopetit, që përdorej si mensë për
aksionistët, u mblodhën të gjithë vullnetarët. U ftuan dhe grupet artistike të
sektorëve të afërt që nga Ulza, Skuraj dhe Fershkopeti. Ceremonia ishte
madhështore, e denjë për një martesë mbretërore.
-Hajde, gëzuar, Kolë! E ndërpres unë, duke rimbushur, gotën e zbrazur e duke e
bërë toka. Gëzuar, vazhdova. Zëre se më ke dhe mua atje në Shkopet, si në
oborrin mbretëror.
-Gëzuar, Vëlla, gëzuar! Një gëzim i madh ishte, që më lumturoi për pesë vjet
rresht, se Resmija ishte e denjë për të qenë e gëzuar dhe e lumtur .
Ne u kthyem në Vlorë, vazhdoi rrëfimin Kola, që të dy me gjokset të mbushur me
shkronjat :"S", sulmues, të dalluar për tejkalimin e normave e për sjellje
shembullore dhe plot dëshirë dhe shpresë për një jetë familjare të qetë e të
lumtur. Ndërkohë kishim njoftuar edhe familjet tona. Ata, të Resmijes, në të
vërtetë, deshën që këto punë të kryheshin me lezet dhe hap pas hapi, por, në
parim ishin dakord me vullnetin tonë. Një vëlla i Resmijes erdhi nga Berati dhe
ne me të u takuam në Rrëshen, ku bëmë dhe celebrimin dhe lidhjen zyrtare të
martesës. Prindërit e mi, veçanërisht nëna, jo vetëm kundërshtoi, por dërgoi
mallkimin "mos iu shkeltë më këmba në shtëpinë time"
Në ato kushte ne, me ndihmën e Komitetit të Rinisë së Vlorës, që drejtohej nga
njeriu i mirë Duro Mustafaj, që ishte, njëherazi miku im dhe me përkrahjen e
Këshillit të Lagjes, u strehuam në një garsonierë, që u gjet në atë kohë e lirë,
larg familjes sime, në një lagje fare të panjohur. Punën e filluam menjëherë.
Unë në poçeri, ku më prisnin me padurim, nga që ma dinin vlerën profesionale, ku
dhe unë kisha interes. se paguhesha mirë, ndërsa Resmija, mekanike, në Ofiçinën
e Fabrikës së Çimentos. Pavarësisht nga largësia dhe ndihma e papërfillshme e
njerëzve të fisit tim, ne ndjenim mjaft kënaqësi dhe gëzonim, në harmoni të
plotë, jetën e re bashkëshortore, duke e ndihmuar njëri tjetrin, deri në punët e
rëndomta shtëpiake. Këtu, në Vlorë, u aktivizuam menjëherë edhe në grupet
artistike të rinisë. Resmija me sjelljen, bukurinë dhe ëmbëlsinë e sajë, shpejt,
bëri shoqe dhe shokë e miq të shumtë.. .Ne nuk linim raste gëzimi pa i
shfrytëzuar. Shikonim çdo premierë të teatrit, estradës dhe kinemasë;
frekuentonim lokalet me pistë vallëzimi në barlulishten e qytetit, bar Sazani,
lokalet e tjerë si Don Marku e më vonë Adriatikun dhe Hotelin Ushtarak. Shumë
kohë na merrnin banjat në det. Jeta kalonte normalisht, si e shumë çifteve të
tjerë të rinj pa shqetësime, aq më tepër se punët na ecnin mbarë dhe paguheshim
deri diku mirë.
Kaloi viti i dytë dhe u bëmë me një vajzë të bukur që, duket se, na lidhi edhe
më shumë.
-Hajde, gëzuar, për vajzën tënde të bukur!
Pasi rrëkëllyem edhe nga një gotë, biseda vazhdoi edhe më me ndjenjë:
Lindja e vajzës, vazhdoi tregimin Kola, sikur e zbukuroi edhe më shumë Resmijen.
Më kujtohet, në ato ditë, si tani: Ajo ishte me flokë të verdha, një bionde
natyrale. Ato flokë të arta i lëshonte të gjata mbi supe, pasi i bënte me onde.
Sytë i kishte të kaltër, si deti dhe të shndritshëm, sikur shkreptinin tek
përpëliteshin. Fytyrën e kishte borë të bardhë, pak të hequr e të zgjatur me
tipare të rregullta. Dallohej për trupin e gjatë dhe të hollë. Me që ia dinte
vlerën vetes, bënte një tualet të lehtë dhe vishej thjesht, po me shije... Me
kalimin e kohës filloi t'i pëlqente më shumë vetja, të ndiqte modën dhe të
përpiqej për t'u dukur sa më shumë ndërmjet shoqërisë. Kishte qejf ta vlerësonin
dhe t'i bënin lajka. Ato i priste me dashamirësi, pa reaguar te asnjë, në mënyrë
të diferencuar. Unë nuk bëhesha xheloz dhe e desha verbërisht, gjithnjë e më
shumë.
-Hajde, gëzuar, Kola, bram! Për kujtimin e atyre viteve të bukur.
-Vërtet të bukur, po ç'e do që ishin të paktë. Tani që i kujtoj, jo vetëm që nuk
gëzohem, po sepse hidhërohem dhe më shumë, aq sa ndonjëherë, po mos të kisha
vajzën e vogël, me siguri do ta kisha vrarë veten.
-Po, pse,o vëlla, në të mirë e sipër, si erdhi prishja:.
-Më duket se e keqja nisi nga Furra e Allçisë që po ndërtohej pranë Fabrikës së
Çimentos.
Mua, si specialist për ndërtimin e qemerëve të furrave, më kishin thërritur për
të konstruktuar dhe ndërtuar një furrë pjekjeje për gips, për prodhim allçie,
sipas këtij modeli furi të poçerisë, që ne kemi këtu, para nesh.
Aty, te Furra e Allçisë në ndërtim, vinin dendur për konsultë inxhinierë e
specialistë të Fabrikës së Çimentos. Me këtë grup erdhi dhe një bregas, një i
quajtur Thoma Gjorgji. Si për çudi, ai tregoi interes të veçantë për mua, sa
mësoi që isha burri i Resmijes. Duket se kishte paramenduar një kurth të
rrezikshëm dhe rasti për ta realizuar atë i kishte mbirë në derë. Resmija, siç
të thashë, kish nisur punë në Ofiçinën e Fabrikës së Çimentos, ku drejtues
teknik ishte Gjorgji. Atij i kishte rënë në sy si bukuria dhe naiviteti i
Resmijes dhe lakmonte ta bënte për vete. Thomai, siç mora vesh më vonë dhe e
vërtetova në kurrizin tim, ishte me shumë përvojë dhe i rrahur mirë nga jeta si
aventurier. Me sa u kuptua, ishte dhe një dhelpër dhe një feminist i pa
skrupull. M'u afrua mua dhe kërkoi miqësi, sepse lakmonte hiret e Resmijes, për
të plotësuar zbrazëtitë dhe largësinë që i krijonte gruaja e tij, tani me shenja
vjetrimi në rënie fizike. Pulë bote, ma.
Me kohë Thomai te ne u bë si i shtëpisë. Filloi të më tregonte, në konfidencë,
për veprimtarinë e tij të shquar si pushtetar me përvojë në bregdet dhe për
bëmat e tij, si komunist i vjetër, pa lënë mënjanë dështimet dhe pakënaqësitë e
veta. Me sa duket ishte një taktikë e studiuar me kujdes për të fituar besimin
tim te ai, çka duket se, për natyrën time, gjithashtu, naive, e arriti shpejt...
Duhet të kalonin gati dy vjet që unë, larg familjes prindërore dhe njerëzve të
afërt, të merrja sinjalet e para për tradhtinë e madhe. Po prapë dashuria ime e
parë, e thellë dhe shumë e sinqertë e mposhti reagimin e menjëhershëm. U bëra si
shurdh dhe i verbër dhe asnjë nuk besoja, duket as veten time, veç fjalëve të
bukura të sajë. Vazhdoja ta justifikoja dhe ta quaja si engjëllin tim të
pafajshëm... Nga Resmija për Thomain vazhdoja të dëgjoja të kundërtën. Ajo e
quante atë një njeri të mirë, familjar, që kujdesej si asnjë tjetër për gruan
dhe fëmijët e tij dhe që e ndihmonte dhe e lehtësonte për çdo gjë. Madje ajo
filloi ta lavdërojë gjithnjë e më shumë për zgjuarsinë, aftësitë tekniko
organizative dhe militantizmin e patriotizmin e tij.
Probleme të tjera nxori jeta. Vajza po rritej dhe duket se kishte një sëmundje
në sytë, që më mori shumë kohë dhe shumë para. Edhe Thomaj dukej i preokupuar
dhe më rekomandonte me insistim ta çoja për vizitë te specialistët "e shquar" të
Tiranës.
Ashtu bëra. Shkova në Tiranë dhe me ditë të tëra u sorollata pafundësisht, sa në
një mjek te tjetri… Kur u ktheva, pas një jave, Resmijen nuk e gjeta në shtëpi.
Ajo, pasi kish bashkëjetuar gjithë atë javë me Thomain, kishte shkuar, siç më
thanë, po me ndihmën e Thomait, në Berat te vëllezërit e saj, për të ndenjur
deri sa të krijoheshin kushtet për të bashkëjetuar për gjithnjë me Thomain.
Kështu ishin bërë planet. Kaq ishte. Ajo nuk u kthye më tek unë. Siç mora vesh,
Thomai kish tentuar ta merrte dhe ta izolonte në bregdet, por vëllezërit e
Resmijes e kishin pikasur, ndërsa gruaja dhe fëmijët e tij kishin ndërhyrë
energjikisht dhe, që të gjithë, kishin marrë masa për ta ndaluar këtë aventurë.
Ja, kjo është brenga dhe fatkeqësia ime. Kështu u tha Lulja ime. Me sa duket
edhe nga që unë nuk i shërbeva aq mirë sa duhej dhe e lashë, pa kujdes, ta
mbysnin barërat e këqij dhe rrënjët e fletët t'ia thanin insektet dhe parazitët.
Dhe lulja që thahet në rrënjë nuk çel më, ndërpret jetën ,siç ndodhi me
dashurinë time.
Lëviz më shumë, që të jetosh më gjatë
Xhek London
MAGJIA E DASHURISË
Arjanit Vlora ishte djali i vetëm i Sami beut, i një pasaniku vlonjat me
kulturë evropiane, që, siç thonë, e vriste kohën, më së shumti, në tavolinat e
mëdha të pokerit, sa në Shqipëri, Itali, Austri e deri në Monte Karlo.
Po, brezi ynë, i periudhës së ndërtimit të "socializmit të ndritur" njohu
Titin, siç i flisnim shkurt, Arjanit Vlorës. Patëm fatin ta njohim qysh fëmijë,
ta shihnim çdo ditë, ja aty, karshi shtëpisë sonë, pesë metër më larg, në
rrugicën tonë me kalldrëm, që mbante emrin e dëshmorit për liri e pavarësi,
trimit vlonjat Ceno Sharra. Kjo rrugicë formonte një transversale, e cila
bashkonte dy anë të Sheshit të Flamurit te qendra e vjetër e Vlorës, në një
bllok shtëpish që tani janë zëvendësuar me Hotelin e madh Turistik.
Edhe Titi, duke i ngjarë gjithnjë e më shumë babait të vetë, ishte djalë
hirmadh. Fëmijë, më i shkathët se ç'duhej. Nga kureshtja dhe pakujdesia e tij,
duke zbërthyer një bombë të ngelur nga lufta, për t'i marrë barutin, ai ngeli
fare pa sy, humbi krejt shikimin dhe i ngeli dora me dy gishta të prerë e të
copëtuar.
Qysh në adoleshencë Titin e sakatuar, po ta shikoje nga afër, duke i mënjanuar
sytë, do t'i dalloje një fytyrë të spikatur burrërore, me një profil të përsosur
e si të ishte skalitur në mermer, që padashur të shkonte mendja te punët më të
mira artistike të Leonardo Da Vinçit apo të lashtësisë greke. Me kalimin e
viteve ai formoi një trup atleti, të gjatë e të hedhur, me gjoksin të kërcyer,
gjithë muskuj e fare pa bark. Kështu ngeli deri në moshë të thyer.
Teoria e kompensimit të shqisave, vërtetohej kryekëput te personi i tij. Ai,
vërtet nuk vështronte fare, por drejtohej lehtë dhe lëvizte me shkathtësi,
madje, çuditërisht lëvizte edhe me biçikletë, më vonë, në rrugë të drejtë dhe të
shkurtër edhe me motoçikletë,vetëm sa të mbante një dorë të takuar me ndokënd,
apo të një ndihme, sado të vogël, qoftë dhe verbale.
Shumë herët Aranit Vlora nisi të studionte e të merrej me muzikë. Në fillim me
kitarë, më pas me fizarmonikë, trombë dhe saksofon. Ne, nga shtëpia jonë,
përkarshi, e dëgjonim për dhjetëra orë në ditë, kur me vullnet të pazakontë, me
këmbënguljen e tij dhe me kujdesin dhe vendosmërinë e zonjës Dezi, nënës së tij
të kulturuar, të mençur e poliglote, Titi, zhurmonte e zhurmonte, pa pushim,
deri sa kapte dhe formonte, në fillim, ndonjë biçim melodie e më pas e
saktësonte dhe e përsoste atë. Ai shumë shpejt u bë mjeshtër në fizarmonikë e më
pas në trombë e në saksofon. Nisi të marrë pjesë në formacionet orkestrale të
dasmave e në lokalet e baret me pista vallëzimi të qytetit të Vlorës, ku
këndohej e vallëzohej deri në orët e vona të natës. Hera herës, në shtëpinë e
Titit vinin dhe orkestrantë fillestarë, për të mësuar e për t'u aftësuar.
Kujtojmë, në këto takime pune komshiun tonë Arif Gërbi, ardhur nga Tepelena, që
më vonë u bë primoorkestrant e saksofonist i estradës së qytetit, apo Çakon,
Bubushin, Koraqin, etj
Një tjetër dhunti e Titit ishte prirja për teknikën. Sa me mollëzat e gishtave
cung të dorës, sa me buzë e me mjekër, po ta shihje nga afër do të çuditeshe. Ai
i zbulonte me lehtësi mangësitë mekanike dhe elektrike të pajisjeve
elektroshtëpiake dhe gjente rrugë të pabesueshme për ndreqjen e tyre. Si të ish
një magjistar, përcaktonte me saktësi llojin dhe tipin e një kushinete deri
përmasat milimetrike dhe numrin e sajë, të këshillonte se ku mund ta gjeje atë
tip kushinete, në ç'magazinë, te cili magazinier me emër, se ç'shok e mik mund
t'i gjeje atij, për ta siguruar me hesap, sa më lirë, atë. Çuditeshe tek e
shikoje kur punonte, por edhe kur fliste e të sqaronte për çdo gjë, duke
përdoruar atë bagazh të pasur informacioni dhe kujtese. Me prirje dhe aftësi të
pazakontë. Përpiqeshe ta krahasoje me bashkëmoshatarët e tjerë, apo me veten
tënde të shkolluar dhe vije re ndryshime të pa arritshme, në favor të njohurive
dhe aftësive te tij, aq sa thoshe me vete, pa mëdyshje: në një farë mënyre i
verbër jam unë, jo Titi..
Titi flinte pak, por rrinte gjatë shtrirë. Qetësohej,duke dëgjuar radion, që e
mbante ditë e natë hapur në stacione italiane. Dëgjonte muzikë dhe lajme të
çfarëdoshme. Muzikën, sidomos kanconetat i përvetësonte saktë dhe i këndonte
bukur, shoqëruar me kitarë apo fizarmonikë. Shpjegonte, vlerësonte dhe përhapte
lajme interesante të kohës dhe entuziazmohej për të rejat e kohës, sidomos në
mjekësi, shkencë dhe teknikë, të cilat shokëve ua bënte të njohura menjëherë.
-More, Titi, po kujdes, o vëlla. Mos fol kaq pa doganë për të rejat e
perëndimit, se do ta pësosh. Ti flet për çdo gjë, po nuk vështron se cilin ke
pranë.
-Rri, o Luan! Kujdesu për veten ti, se mua s'ka ç'më bëjnë, jo vetëm se jam
djalë dëshmori e s'ma marrin për keq, po, fundja, s'kanë ku të më çojnë mua. Në
burg u kushtoj shumë, se duhet të më japin njeri të më tërheqë nga dora, apo që
të më bjerë oturakun. Pastaj unë nuk propagandoj lajme politike dhe, në fund të
fundit, me shokët e mi bisedoj....
Është vërtetuar, pa asnjë dyshim, se Titi ishte i verbër krejt. Ose, për të qenë
më të pranueshëm, ai dallonte vetëm dritëhije, pa figurë. Kishte vetëm një nerv
orientimi, siç thoshte ai. Dhe, kur kishte lotim, apo ndonjë acarim te sytë, ai
edhe këtë nerv e humbiste fare. Por, në të njëjtën kohë, e kishte të fortë e të
largët dëgjimin. E dallonte dhe e ndante çdo njeri, sa e dëgjonte. Kujtdo veç
njëherë t'i dëgjonte zërin dhe t'i mësonte emrin, ai nuk e harronte më dhe, sa e
ridëgjonte, i përgjigjej në emër.
Ne, djem të rinj, bisedonim shpesh dhe për shoqet tona të mira. Ndonjëri edhe
fliste me pasion dhe dallonte e veçonte cilësitë dhe kënaqësitë e lidhjeve
dashurore. Titi, në kësi rastesh, dëgjonte si i tjetërsuar dhe psherëtinte e
entuziazmohej nga këto rrëfime dhe veç thoshte: Lum si ju! Ndërkohë, me sytë e
mendjes përpiqej t'i gjente e t'i përcaktonte ato ndjesi hyjnore, që nisin me
një të parë, por që ai, deri aso kohe, nuk kish mundur t'i përjetonte...
Por, ndërsa Titi nuk e kish fatin ta shikonte me sytë e ballit bukurinë
femërore, vajzat e shtuara, hajdhjare e të bukura të lagjes sonë, rriteshin e
silleshin rreth tij, e shikonin në heshtje këtë bukuri mashkullore, që bëhej çdo
ditë e më i hijshëm, e vështronin me vëmendje të madhe dhe e lakmonin nga larg.
Shpejt dolën, ndërmjet tyre, trimëresha që guxuan t'i afrohen, t'i flasin dhe
ndonjëra, t'i hidhte ndonjë romuz.
-Po, sa i mirë je bërë, Titi, i tha një ditë gjitonia.
-Rri, Behije, mos u tall me fatkeqin.
-Jo, jo, nuk tallem. Je absolutisht, pa diskutim, më i miri ndërmjet shokëve.
Mos u mërzit për ndonjë mangësi kote. Ti je më i zoti nga të gjithë!
Behija, një vajzë me familje origjinë shkodrane, ishte komshie e afërt me Titin.
Ajo, më e pjekur, por edhe e dëshpëruar nga që ishte pak e sëmurë nga
mushkëritë, rrinte gjithë ditën, pa dalë jashtë, në shtëpinë e saj, ngjitur me
atë të Titit dhe e dëgjonte atë duke punuar e kënduar. Nga një dritare e katit
të dytë të shtëpisë së Titit mund të shihje oborrin e shtëpisë së Behijes. Ajo,
vajzë e pjekur, veç bukurisë mashkullore të trupit atletik të Titit, që e
dëshironte çdo ditë e më shumë, duke e parë atë po pushtohej dhe nga ndjenja e
mëshirës dhe e keqardhjes, për këtë të ri kaq të talentuar, po fatkeq…
Në një ditë jave, kur vëllezërit e saj kishin shkuar në punë dhe skish tjetër
njeri në shtëpi, Behija, duke u mbajtur te një shkallë druri, nëpërmjet
dritares, mori guximin dhe… u ngjit në dhomën e Titit.
Nuk kish nevojë për shumë mësime profesionale. Titi, i talentuar në shumë anë,
tashmë të njohura, doli se edhe në lëmin, deri atëherë, të pa eksploruar e të
panjohur të dashurisë, ishte një mjeshtër i lindur…Duket se e "çmendi" Behijen e
dëshiruar, që nuk e mbante dot veten, në këtë harmoni njerëzore të paparë… Pas
kësaj shkallët e drunjta në dritare si nuk u thyen, sepse shkeleshin disa herë
në ditë.
Kjo s'kishte si mos të binte në sy të vëllezërve të Behijes, që ndërhynë
energjikisht, sipas normave të moralit të tyre tradicional , këmbëngulën e
realizuan një martesë të shpejtë e me sa më pak ceremoni.
Behija u bë gruaja e parë e Titit dhe nga kjo martesë, brenda vitit lindi një
vajzë shumë e bukur, e përsosur, në të gjitha drejtimet, që më pas u bë yll i
basketbollit vlonjat, të ekipit tonë kombëtar dhe të ekipeve greke.
Behija pas pak vitesh u sëmur më keq. Atëherë s'kishe ç't'i bëje tuberkulozit në
mushkëri. Ai, në vitet e para të Çlirimit bënte kërdinë në Shqipëri. Titi kishte
mësuar, nëpërmjet lajmeve të radiove italiane, për medikamentet e reja efikase,
por përpjekjet e tij dhe të vëllezërve të Behijes dështuan. Ajo vdiq papritur
dhe vajza e vogël u rrit nën kujdesin dhe edukimin e zonjës Mukadez, gjyshes së
vetë të mirë, të papërtuar dhe fort të dashur.
Titi e humbi kështu gëzimin e parë dhe iu shtuan, sadopak, detyrimet familjare
për të mbajtur dhe edukuar vajzën e vogël, i duhej të punonte më shumë. Tanimë
ai ishte specializuar për riparim radiosh dhe motoçikletash.
Jeta kalonte, pothuajse si me parë, si para martese, por me një përvojë dhe një
dëshirë më shumë. Klientel për riparim radiosh Titi kishte krijuar kryesisht te
fshatarët, që zbritnin, zakonisht në qytet në ditë pazari. Shumë frekuentim
kishin kaninjotët, që vinin në qytet çdo ditë, për të sjellë kucka e dru me
gomarë. Pikërisht në Kaninë Titit i doli nami si një usta i çuditshëm, që edhe
pse pa sy, bënte mrekullira.
Një ditë maji, një hallexhi nga Kanina, solli te Titi një radio të vogël tip
Strella, për riparim... Kaninjotin e shoqëronte e bija, një vajzë tetëmbëdhjetë
vjeçare. Ajo, sapo kish blerë një fustan të ri në qytet me rastin e ditëlindjes,
që e kishte asaj dite..
-Ja, ti rri këtu, në dhomën e punës të usta Titit. Shiko, hapi sytë mirë, që të
mësosh edhe zanat dhe që, herën tjetër, po u prish, mos ta sjellim më këtu
radion, i tha babai së bijës, me shaka. Unë, do blej një thes çimento e do ta
ngarkoj në gomar. Për dy orë më ke këtu. Dakord, Donikë?
-Mirë, o babi, i tha Donika. Mos ki hiç merak. Unë nuk kam për të humbur,
pikërisht sot, që kam datëlindjen. Ndërkohë do ta kaloj kohën mirë, duke lexuar
këto revistat italiane këtu... Ku ta dinte fatkeqi se pikërisht këtu do niste
kobi i saj…
Muzikantit Titi, vejushit mjeran, po i kumbonin veshët nga ai zëri melodioz dhe
i ëmbël i vajzës së re. Ai filloi të konceptojë fizionominë e saj, ç'ka thjesht,
nëpërmjet dëgjimit, mund ta bënte vetëm ai. Një afsh i nxehtë e pushtoi të
tërin. Pasi iku kaninjoti, ai e diktoi shpejt dhe e zhduku menjëherë defektin
teknik. E stacionoi radion te një program me muzikë të lehtë italiane, pastaj,
me shpejtësi, vuri syzet e errëta, për të mbuluar zgavrat e zbrazëta të syve dhe
u kthye rrëmbyeshëm nga Donika.
-Sipas zërit, që dëgjova, me ëndje dhe me vëmendje, duhet të jesh edhe e bukur,
edhe e re edhe me shëndet të mirë, guxoi të fliste me zë të ulët, intim, Titi.
-Kështu thonë… Donika i ngriti sytë nga revista. Për herë të parë e pa me
vëmendje, kaq afër djaloshin, duke u befasuar me këtë bukuri mashkullore të
rrallë. Ajo, vërtetë ishte shumë e re por, qoftë dhe si fshatare e thjeshtë, nuk
ishte fare pa përvojë. Iu kujtua, në atë çast, nuk e di sepse, marrëdhënia e
fundit me brigadierin e vetë në kooperativë, që, megjithëse ishte i martuar,
aty, te koçeku i misrit, thuajse e kish detyruar të realizonte një marrëdhënie
intime me të.
-Po, dhe ti, s'je i pakët!, guxoi t'i përgjigjet vajza. Dhe, me sa di unë, je
dhe beqar, vazhdoi t'i thotë, pa u menduar shumë, siç ia diktonte zemra.
-Dale, dale, si the? Pa afrohu! Dhe Titi, pa e zgjatur, me mollëzat e
gishtërinjve cung, i bëri një revistë të plotë nga flokët, balli, sytë, goja,
mjekra, gjoksi, e deri te barku dhe kofshët. Nuk zgjati shumë. Me të shpejtë e
mbylli derën me çelës dhe… u bë njësh me të. Më pas, të kënaqur së tepërmi të dy
filluan të njihen, të shpjegohen dhe të mirëkuptohen me njëri tjetrin, sikur të
ishin dashnorë të hershëm.
-Po, ku më erdhe, moj Donikë e bukur. Sikur më zbrite nga qielli, se Zoti i
dëgjoi lutjet e mia. Do rrish qysh sonde këtu. Të bëhesh gruaja ime legjitime.
Kur u kthye babai, me gomarin të ngarkuar me thesin e çimentos, menjëherë, vuri
mbi të radion e vogël të riparuar dhe i gëzuar urdhëroi:
- Gati, vajzë, nisemi për Kaninë!
-Ik, o babi! Unë u martova me Titin dhe qysh sot do rri këtu… Së bashku do ta
festojmë dhe ditëlindjen time. Kaninjoti u befasua dhe sa s'u çmend.
-Ç'thua, moj! Hajde nisu shpejt, se të vrava në vend. Ç'do të thotë fshati,
moj? Ç'do të thonë vëllezërit dhe nëna jote. Ku je ti, në Evropë, që u martuake
tak-fak. Dhe me kë pa. Pse, moj, të kanë plasur sytë e ballit ty, gjidi
edepsëze. Hajde, nisu para!
-Babi, bëj ç'të duash, unë e kam vendosur. E dhashë fjalën dhe veç e vdekur dalë
prej këtej.
Ndërkohë, ndërhyn Titi me vendosmëri dhe i thotë kaninjotit se ky është një
vendim i përbashkët dhe se të dy palëve u bëhet mirë. Mos harro që edhe vajza
jote e ka një histori...
Kaninjoti dha e mori dhe kur e pa se s'bënte dot gjë u nis i shqetësuar për në
fshat, që të këshillohej me djemtë.
Në mbrëmjen e asaj nate, gjer shumë vonë, u dëgjua një zhurmë e madhe, një kujë
e vërtetë te shtëpia e Titit, për karshi. Siç mësuam, të nesërmen, babai me të
tre djemtë e kishin rrëmbyer me forcë Donikën, gjysmë lakuriq dhe pasi e kishin
rrahur paq, ashtu, pa ndjenja, gati të vdekur, e çuan në shtëpinë e vetë në
Kaninë. Më pas për të nuk dëgjuam më...Titi shumë i dëshpëruar dhe sikur të qe
ai fajtor, tha, me lot në sy, se, ndofta, atë e kishin mbytur në pus të
vëllezërit, se s'ishte e mundur të qe hedhur ajo vetë.
Po, ku dreqin më zbardhi mua kjo ditë dimri me diell dhe vetëm sa ma kujtoi të
kaluarën, përsëriste i dëshpëruar, si në kllapi, Titi. M'u duk sikur Zoti mendoi
për mua dhe më ktheu sytë e ballit. Po, pse, o Zot, më le përsëri në errësirë?
Ç'të kam bërë?
Titit nga të qarët dhe dëshpërimi iu acaruan keqas kokërdhokët e syve, e humbi
fare nervin e orientimit. U bë keq. E shtruan menjëherë në spital, gjysmë të
vdekur.
Në Repartin Okulistikë të Spitalit të Qytetit të Vlorës punonte doktor Kallfa,
një specialist shumë i aftë dhe vërtetë njeridashës. Ai e kishte për zemër
Titin, këtë pacient të pazakontë dhe menjëherë u tregua i gatshëm për t'i
shërbyer me të gjithë personelin. Si asistente e tij në këtë repart sapo kish
ardhur një ndihmës mjeke e re nga fshati Nartë i Vlorës, Kristina, një bionde e
shkathët dhe e shëndetshme...
Kristina, si me magji, jo vetëm se ia hoqi dhëmbjen dhe lotët Titit, por e
nxori dhe nga gjendja e rëndë dhe e shëroi në mënyrë të plotë atë, duke i
sjellë, njëherazi, kënaqësi e gëzime të reja. Në këtë anë, duket se ndikoi,
veç dhuntive mashkullore, tashmë edhe përvoja e Titit, deri tani dy herë i
kryqëzuar. Ai, brenda javës, doli nga spitali për në shtëpi, krejt i
përmirësuar. Në shtëpinë e vetë, skish si bëhej ndryshe, e përcolli dhe e
shoqëroi Tina, siç e thërrisnin shkurtazi, ndihmësmjeken e re. Duke u marrë vesh
mirë me Titin, në ato ditë kur ai ishte i shtruar në spital, ajo vendosi që,
qysh atë natë mos të shkonte më te prindërit e saj në fshatin Nartë, po të
rrinte në shtëpinë e Titit në qytetin e Vlorës. Ishte një zgjidhje ideale
shumëplanësh: Titi gjente shokun e vetë të jetës, si grua dhe si udhërrëfyese…Në
këtë rast ajo ishte dhe profesioniste e specialitetit okulistikë, e gatshme për
t'i shërbyer në ndonjë rast tjetër të mundshëm për acarimin e syve, por që,
kushedi, siç i kishte thënë, mund të gjendej edhe ndonjë shpresë drite...Po,
Tina, kishte edhe prirje për teknikën dhe, siç vërtetoi koha, u bë motoçiklistia
e parë femër në Vlorë që, në sediljen e pasme, mbajti burrin me vete.
Kristina beqare gjeti princin e saj të bukur në dukje dhe në shpirt që, veç së
tjerash, do t'i shërbente deri në vdekje dhe që do t'i vlente për të thelluar
njohuritë e veta profesionale. Ajo do të largohej e do të shpëtonte nga jeta e
saj monotone dhe patriarkale në fshat. Do të kishte shtëpinë e saj dhe një
vjehrrë të urtë e të ditur që do ta ndihmonte pa u kursyer në punët e shtëpisë,
po sidomos në përkujdesjet, për edukimin dhe deri në mësimin e gjuhëve të huaja
për fëmijët e vetë të shumtë, që ëndërronte të kishte me burrin e sajë. Tina do
të kishte së shpejti edhe një motoçikletë, duke e bërë atë femrën e parë në
Vlorë, që do niste hapur goditjen e mendësive të vjetruara, drejt emancipimit të
plotë.
Ja të tilla projekte kishte thurur çifti i ri, duke këmbyer mendime, pikërisht
në ato pak ditë fatlume, që Zoti i bëri bashkë, në spitalin e Vlorës.
Po, si reagoi familja dhe babai i Kristinës?
Dita e nesërme nisi sërish me zhurmë e zallamahi në rrugën tonë. Britma zëlarta
dëgjoheshin sa në kalldrëmin, para shtëpisë së Titit, sa brenda shtëpisë së tij.
Në dritaren e dhomës së katit të dytë, që shihte nga rruga, kishte dalë
Kristina, veshur me këmishën e natës së zonjës Dezi, gjithë dantella. Ajo, me zë
të ulët, që mos ta dëgjonin komshinjtë, përpiqej të qetësonte e sqaronte të
atin. Ai, aty në mes të rrugës, jepte e merrte, me zë të lart, në gjuhën greke,
përplaste patericën e vetë në kalldrëm dhe më së fundi, nisi të bërtiste në
shqip:
-Hajde, bijë, zbrit, të kthehemi tani në fshat, se po na presin.
-Nuk vij, babi. Ti e sheh unë jam gjysmë e ç'veshur. Jam martuar me Titin. Unë
për këtë të kam folur, ka disa ditë.
-Hajde, shpejt. Zbrit poshtë, mos më detyro të ngjitem aty e të ta marr shpirtin
me dorën time. Dhe pastaj, fol e sha greqisht, për mos ta marrë vesh gjitonët.
Titi i egërsuar tej mase, kujton në atë çast edhe ndodhinë analoge me Donikën
fatkeqe, zbret vrullshëm te porta, del, ashtu siç ishte, me ato brekët e
shkurtra, buzë rruge dhe ndërhyn me vendosmëri:
-Ik, babai i Tinës! Nuk bën dot gjë me forcë, se je edhe invalid e i moshuar,
kurse ne jemi të dy të rinj e të fuqishëm. Siç e sheh, tani jot bijë është në
dhomën matrimoniale. Mjaft u bëre gazi i botës dhe po na diskrediton të
gjithëve. Ne u martuam. Po qe se ti do që të bëjmë edhe ceremoni fetare dhe
veprimet zyrtare, ato do t'i bëjmë qysh nesër. Ik, se ne e kemi vendosur dhe nuk
tërhiqemi: o bashkë këtu, o bashkë në varr.
Ja kështu. Kristina qëndroi te shtëpia e Titit për shumë vjet. Dhe duket se ata
u harmonizuan bukur e mirë. Siç qe dëshira e sajë, lindën tri fëmijë të
shëndetshëm, që u bënë të mbarë e të shkathët, njëri më i mirë se tjetri. Për
shumë vite banorët e qytetit të Vlorës shihnin, pothuajse çdo ditë në një
motorelerë tip Vespa çiftin aq interesant, të kudondodhur e të pandarë nga njëri
tjetri.
Titi, për shumë kohë vazhdoi të punonte me suksese në shtëpinë e vet. Kur
fëmijët iu shtuan dhe u rritën dhe nuk i përballonte dot shpenzimet për
ushqimin dhe arsimimin e tyre, me këshillën dhe ndihmën e shokëve ai u punësua
në punë shtetërore, në Parkun Automobilistik të Tregtisë. Në fillim merrej me
mirëmbajtjen dhe riparimin e motoçikletave dhe të motokarrove dhe më pas si
elektroaut e baterist i vetëm për të gjitha automjetet e parkut. Punën e kryente
me dëshirë dhe cilësi. Qendra e punës ishte në Skelë, afër Portit Detar. E
shpinte dhe e merrte nga puna Tina, me motoçikletë dhe hera herës me dy
biçikleta, secili në të vetën, paralel. Kur u rritën vajzat e më pas djali, këtë
detyrë e kryenin ata, të alternuar.
Vitet rridhnin dhe Titi, gjithnjë vital në punë dhe në shoqëri, ponë drejtim të
marrëdhënieve bashkëshortore nisi të krijojë zbrazëti. Vihej re një zbehje e
entuziazmit dhe e dashurisë për Tinës. Nga ana tjetër Tina, duhet thënë saktë,
me lindjet e shumta, stërmundimet dhe kalimin e kohës me superngarkesë, ishte
gjithnjë në rënie të kondicionit të vetë. Ajo po e humbiste freskinë, optimizmin
dhe vitalitetin rinor… Nga ana tjetër, ne, atje ku ishim, përkarshi shtëpisë
sonë, po dëgjonim, gjithnjë e më dendur grindje, pakënaqësi, mosmarrëveshje
ndërmjet tyre deri rrahje, britma dhe ulërima. Edhe jashtë në punë, në rrugë e
shoqëri dukej hapur "çarja", në qëndrimet e tyre e veçanërisht në dëshpërimin e
shfaqur të Kristinës, gjithnjë të sjellshme, të urtë e të mirë.
Kuptohej qartë, Tina e rënë fizikisht më shpejt, si shumica e femrave të
munduara nartjote, nuk i përshtatej më dhe se frenonte e se ngopte vrullin ende
të pashuar e të pashtershëm të Titit. A thua se shqisat të kishin burime të
pafundme kompensimi?…
-Ku ishe, o Titi? Pse hyn e del, pa teklif, te kjo porta e komshies vejane. Mos,
ngaqë nuk sheh mirë, ngatërron portat dhe të duket si të jetë porta jote?
-Jo, more Luan. Sa e ndihmova pak, lumëmadhen. Ç't'i bësh, or vëlla, ajo është
vejushe, pa burrë. Ka shtëpia dhe halle dhe punë burri, që s'i bën dot një grua
e vetmuar. Ka vazhdueshëm nga këto farë punësh... Ja, p.sh, këtë radhë pati të
prishur bravën e derës së brendshme. Më foli mua, si usta. Ç'të bëja, mos t'ia
ndreqja, thua ti...Ia ndreqa, fare pa para. Edhe ajo u kënaq e varfra. Sa të
mundesh, bëj të mira në këtë dynja!
Vazhdonin çuditë në rrugicën tonë. Përsëri Titi në qendër të vëmendjes. Përsëri
shumë zhurmë dhe këtë radhë trokitje takash në kalldrëmin qindravjeçar. Tani
edhe trokitje të çizmeve të policëve. Problemi ishte ky: Plaka dhe pleq të
lagjes ishin shumë të shqetësuara, për një çështje, që ata e quanin rrezik të
madh imoraliteti. Prandaj dhe e kishin denoncuar ngjarjen me urgjencë në Polici.
Ata kishin dëgjuar se në Evropë, diku ishin ende të hapura bordellot e grave,
po, çuditeshin sesi Qeveria këtu, në një vend socialist, e lejonte Titin, që të
largonte nga shtëpia gruan me kurorë dhe të strehonte në shtëpinë e tij, sipas
tyre, një putanë të afirmuar.
Policia, pasi ndërhyri gojarisht dhe nuk arriti ta bindë Titin, mori autorizim,
kontrolloi shtëpinë dhe e nxori me forcë prej andej atë grua guximtare, që, për
një javë të tërë, argalisej me Titin, pa dalë fare nga shtëpia.
Dhjetëra banorë, nga e gjithë rrugica dhe më tej, dolën nga shtëpitë në çastin e
duhur, kur atë, "imoralen", "laviren", e nxorën me forcë në rrugë, duke e
qëlluar me domate dhe me vezë të prishura. Ajo, "e përdala", kishte qenë,
s'kishe ç't'i thoshe, një bionde e bukur dhe e re, megjithëse e martuar dhe me
fëmijë, grua e një ndihmësmuratori gungaç e hallexhi nga lagjia Varosh. Dizi, se
kështu e quanin atë, as që bëhej merak për turmën e egërsuar, e të papunë,
shumica gra kurioze.
-Rrini, moj gra! Ç'keni me mua, që më qëlloni me domate. Më lini, moj injorante
të poshtra, në punën, në vullnetin dhe në lirinë time. Po ju, o policë pleq,
antipatikë, ku më çoni? Në ferr? Më lini, ore, të kthehem, atje ku isha, se unë
shyqyr Zotit, mezi sa e gjeta parajsën. E dini, ju, o gra të mjera, ç'është
parajsa? Një javë me Titin, si në parajsë kam qenë. Titi është parajsa. Po tani,
ku do vete?…
Titi, pas kësaj ngjarjeje e kaloi shpejt gjendjen e shokut dhe duke qenë nën
trysninë e opinionit të lagjes dhe të ndërhyrjes së vendosur të organeve të
diktaturës, iu nënshtrua, rishtazi, jetës së rregullt familjare.
Kalonin vitet dhe aty, në qendrën e punës të Titit, në Parkun Automobilistik të
Tregtisë, si në të gjithë vendin, filluan të duken edhe shofere, femra. Njëra
prej tyre, një grua e martuar dhe me një fëmijë të vogël, që edhe vetë ishte në
moshë të re, u nda nga burri dhe u lidh shpejt me Titin. Në fillim ai e
ndihmonte për mirëmbajtjen dhe riparimin e makinës që ajo drejtonte dhe më pas,
me sa duket, edhe për shërbime personale e intime, se, për të kolauduar cilësinë
e riparimit të makinës ata dilnin bashkë për ta provuar në rrethinat jashtë
qytetit.
Sërish po frynte era e "vidhithjes" së familjes së Titit. Tina, që i kish pas
vetes fëmijët dhe i mbante si një klloçkë e mirë, bashkë me ta i bëri të gjitha
përpjekjet për ta afruar edhe këtë radhë Titin, po pa dobi..
Më e fortë doli shoferja e re, Dashuria, që e kishte edhe anën financiare më të
pranueshme. Ajo e tërhoqi Titin në shtëpinë e saj dhe me të lindi dhe një vajzë
të bukur, Vjollcën, një fëmijë i mbarë, tëpkë si Titi. Atë e strehuan në
Shtëpinë e Fëmijëve, për të qenë më të lirë në jetën e tyre nomade.
Pas viteve të demokracisë Titi vazhdon të bashkëjetojë me Dashurinë. Po
ndërkohë, ai, si të ishte në mes të Amerikës, mban marrëdhënie të mira me të
gjithë fëmijët e vetë. Në këtë drejtim ndihmon edhe fakti që Titit i është
kthyer nga shteti një pjesë nga pasuritë e trashëguara dhe në këto kushte,
askush s'ka interes ta prishë me të. Ai ka dalë në pension dhe me shtëpi të re e
autoveturë komode të vetën, bën një jetë luksoze, duke u përpjekur t'i ngjajë,
sadopak, babës së vetë të shquar…
Ngjarjet që kam përshkruar, shkurtazi, për shokun tim të fëmijërisë, pa asnjë
shtesë e zbukurim, pasqyrojnë fakte dhe ndjesi të përjetuara direkt, duke qenë
se gjithë kohën banuam, jo vetëm në një rrugicë, po fare afër, për karshi, pesë
metro larg. Një shkrimtar i mirëfilltë, një dramaturg, apo një skenarist, po ta
njoh nga afër Titin dhe të jetojë ca kohë me të, (jam i bindur që ai do rroj,
ashtu vital, siç e kam njohur dhe për shumë vite), pra pas një pune njohëse dhe
intervistuese, mund të bëj romane bestseller, apo skenarë për filma
hollivudjanë. Në këtë rast do jem i kënaqur edhe unë, që mora guximin të shkruaj
këto rreshta, duke pretenduar për një kontribut modest.
Nga ana tjetër, jeta e Titit, këtij "njeriu të vërtetë", që u godit nga një
fatkeqësi e madhe qysh fëmijë, tregon se kushdo, në çfarëdo lloj kushtesh,
mundet dhe duhet të gjejë forca për të mbijetuar me sukses. Ato, secili, duhet
t'i kërkojë brenda vetes së tij.
Veç sa sipër ky shembull të grishë për t'i dhënë, vazhdimisht, ndihmë njeriut në
nevojë, për t'i zbuluar forca jetese, të cilat, në rastin e Titit, dolën se
ishin të pashtershme dhe e tejkaluan dukshëm ndjenjën humane të vetë nisiatores,
gruas dhe nënës së mirë Kristina.
Po morali? Normat që e rregullojnë shoqërinë nuk duhet respektuar nga secili?
Si, jo? Po, Titi, nuk vrau e nuk vodhi njeri. Faji më i madh i tij, i vetëm,
ishte se u largua nga Tina, duke i krijuar një boshllëk asaj. Po mos harrojmë se
një boshllëk, i tillë, ishte krijuar dhe te Dashuria. Dhe qe pikërisht ai që e
plotësoi atë. Edhe detyrimet ndaj Tinës dhe sidomos për fëmijët ai i kreu
mësëmiri…
Jo, nuk mund të hidhet poshtë "evropiani i hershëm", Titi, që ka ditur të
jetojë çudirat e dashurisë, e cila e përcjell në shpirtin e të dashuruari një
fuqi që shfaq thellësi ndjenjash, me një bukuri gati hyjnore. Ishte fuqia e
dashurisë që e bëri Arjanit Vlorën të jetë një sfidë ndaj jetës, shoqërisë dhe
kohës së vetë....
Komentet
Posto një koment