PËR TË QARË DHE PËR TË QESHUR
(Rrëfenja të Vlorës) 2009
PARATHENIE
Kemi përpara një libër që mund ta quajmë edhe:"Ditar i kohës, në udhët
e Vlorës ", së 50 viteve të shkuara... Një libër me rrëfenja interesante,
që trokasin në dyert e zemrës për të bërë që të zgjohet e të
dëgjoi mëndja. Dora e Luan Çipit e ka shkruar atë , me dashurinë e
shpirtit të tij të lirë dhe dhimbjen e njeriut të ndjeshëm, me fuqinë
dhe të vërtetat e fjalës, që hap edhe dyert e hekurta…..
Në një ditë feste, duke biseduar për ato takimet tona të shpeshta me
shokët tanë të vegjëlisë , miku im Luan Çipi,do më thoshte|: "Sa të mirë i kemi
shokët…Duke e njohur prej më se gjashtëdhjetë viteve, atë, njeriun që më
është dukur se jeton për t'u dhënë dashuri të tjerëve, ju përgjigja :"
Shokët janë të mire, se kanë marrë edhe nga mirësia e shpirtit tënd të
bukur dhe dashuria e zëmrës tënde bujare." Kjo bisedë mu kujtua edhe tani
që përfundova së lexuari librin e tij të ri me titull " Për te Qarë dhe për
të Qeshur". Janë këto cilësi të vyera që duken si dritë e rrjedhin me të
papritura të këndshme e befasuese edhe në faqet e këtij libri të bukur...
,që sapo e kanë marrë në dorë lexuesit.
Në fletët e bardha të librit kanë zënë vend njerëz me tipare interesante, që
autori i ka njohur në punë e në jetë dhe të tjerë, për të cilët ka dëgjuar...
Janë karaktere të ndryshme njerëzore, me mirësitë e dobësitë, të fshehura e
të dukshme, që Luan Çipi u jep ngjyrën që kanë, sikur të ishte një piktor
realistë, nga ata që nxjerrin në dritën e diellit edhe detajet më të fshehura
të shpirtit të njeriut. Këto personazhe të bëjnë të ndalesh para tyre, të
meditosh për fate e ndodhi nga më të ndryshmet në jetën e tyre,të befasohesh,
ti dashurosh e ti urresh, të shprehish dhimbje, por edhe të qashë, ose të
qeshësh. Të gjitha këto të shkruara me mjeshtërinë e një shkrimtari , që di
të trokas në dyert e zëmrës për ti folur mendjes..,
Libri është një mozaik portretesh, përshkrimesh, skicash e tregimesh, që,
për nga mesazhet e vlerat edukative dhe historike, të mësojnë se sa e
shtrenjtë është liria në jetën vetjake e shoqërore, se sa kuptim marrin
drejtësia e ndershmëria në rrugën për të qenë njeri i vërtetë... Dy
janë personazhet kryesore të librit, që mbajnë brenda vetes me dhjetëra
personazhe të tjerë: Vlora me rrugët e rrugicat, që gjithnjë kanë kërkuar të
jetojnë nën diellin e lirisë, pranë kodrave të gjelberta , që lajnë
këmbët në det... Dhe, në arteriet e Vlorës, njerëzit e saj, madhështor
edhe me thjeshtësinë e tyre…Të gjitha këto janë objekte e subjekte
vëzhgimi, analize e përshkrimi në fokusin e penës së autorit, i cili kërkon
të bëjë atë qe shpesh duket si "e pamundur": Të futet në labirintet e
shpirtit te njeriut e në thellësi të ngjarjeve e fenomeneve që lidhen me
jetën e tij. Realizimi me sukses i këtij qëllimi na rrëfen se "e pamundura"
është mundur, falë vullnetit, pasionit e talentit gjithnjë e më në dukje
të Luan Cipit. Kjo përbën edhe një vlerë mjeshtërie, që e kemi parë edhe
në librin "Marrëdhënie të shenjta", po të këtij autori, botuar jo shume
kohe më parë…
Kur futesh në botën e librave, me tema jetësore , të shkruara thjeshtë,
me mençuri , por edhe me guxim, si në të vërtetat e këtij libri, na
pëlqen ti themi Luanit tonë, ato fjalët e çmuara të Gëtes:"E dua shumë
njeriun që lakmon të pamundurën"
Është interesante të hysh në botën e brendshme të personazheve, që autori i
përshkruan me hollësi... Ai që stigmatizon gënjeshtrën, madje edhe
trillimet e fantazive të sëmura, di edhe te mos pajtohet me "gjysmë te
mësuarit", që mendojnë se s'kanë ç'të mësojnë, as nga jeta dhe as nga librat.
Një paraqitje e tillë donkishoteske e disa personazheve, natyrisht që na
vë në mendime, duke u larguar të trishtuar, ndonëse me buzën në gaz. Le të
kujtojmë këtu tipa të tillë tragjiko-komik si ajo e Metes, që duke
vuajtur nga deliri i madhështisë, u thotë qytetarëve vlonjatë se :"Unë jam
heroi i vërtetë i Luftës Antifashiste e se të tjerët duhet të më nderojnë
duke u përkulur". Pa çka se "heroizmi i tij " është fati tragjik në një
luftë që e përjetuan edhe shumë të tjerë. Le të kujtojmë figura të tjera si
ajo e "qenit plak që di të kafshoje", e Kiços, Petros, Osman Agait, Provonjësve
të Krisur e të tjerë. Janë figura që ngjallin zemërim e trishtim. Në një kohë
dyfytyrëshe nuk është gjë e rrallë të gjesh njerëz te dyjëzuar, qenie njerëzore
me maska, "kuadro" të paaftë e gjysmë analfabetë, që u mësojnë të urtëve dhe të
mençurve se si duhet punuar e jetuar.
Luan Çipi, një vëzhgues e njohës i hollë i karakterit të këtyre tipave, bëhet
dëshmitar i ndodhive që shkaktojnë të qeshura. Por gjithsesi pena e tij i mëshon
të qeshurës pozitive. Dhe këtu na kujton psikologjinë e labit qe shprehet me
vargjet: "s'ta dal dot me të qarë, po me të kënduar..."
Por ajo që tërheq vëmendjen e lexuesit është ballafaqimi e kundërvënia midis të
mirës dhe të keqes, midis personazheve pozitive dhe atyre negative. Te mbeten të
gjallë në kujtesë figura njerëzish të thjeshtë, ose drejtues të ekonomisë e
administratës të atij qyteti që ka bërë e ka hyrë në historinë e kombit, dhe te
njerëzve të tij trima e të besës, me zgjuarsinë për të komunikuar me çiltërsi
dhe ndershmëri. Janë figura të një mençurie proverbiale, "njerëz-legjendë" që
nuk harrohen, madje përmenden si pike referimi në jetën e përditshme, si Kamber
Alikua me Harvalanë, Qano Kamberi me miqtë e tij, xha Maliqi me nostalgjinë për
Gjirokastrën dhe respektin për Vlorën, Xhon Izraeliti, Sefer Dauti, Haxhi
Xhemali, Siat Tozaj, Kamber Xhelua, Xhebro Gika, Vunotasit, Çamët për të ardhur
tek avokati Italian i tregimit : "Nje krismë në sallën e gjyqit", ndoshta një
nga tregimet më të mira të vëllimit për nga vlerat edukative edhe për ditët
tona, që mëson se si bëhet drejtësia dhe si mbrohen të drejtat e njeriut.
Libri mbyllet me përshkrimet e jetës së të veçantit Llambi Kona, njeriut të
ditur, të zgjuar e gazmor, që është ndarë nga jeta, por që ka lënë prapa një
emër të paharruar, i cili na bën nder të gjithëve.
Autori, tregon interes të veçantë për të zbuluar "diellin" në shpirtin e
njerëzve të mirë për t'ua shpërndarë të tjerëve. Këta edhe pse janë "profesorë"
të jetës e mësues të njerëzve, kurrë nuk ngopen me dritën e diturisë.
Fëmijëria, rinia dhe pleqëria, tri pjesë të jetës së njeriut, të pashkëputura
nga puna, liria, drejtësia, urtësia, por edhe shpirti rebel i vlonjatit, janë në
fokusin e penës së Luan Çipit. Ai përshkruan me dashuri shokët e miqtë e tij të
mirë, por edhe me përbuzje e neveri ata "miqtë e popullit" qe ngjallin armiqësi
e urrejtje me qëndrimet primitive e fudullëkun e papërmbajtur, imponues ndaj të
tjerëve.
Libri, që mbart e përçon një informacion të pasur idesh e mesazhesh edukative,
ka edhe karakter historik, letrar e gjeografik. Ai do t'u ndihmojë brezave të
ardhshëm të vlonjatëve për të njohur e kuptuar se si ishte qyteti i tyre i
lindjes gjatë shekullit të XX-të, me ç'interesa e kërkesa jetonin atëherë
moshatarët e tyre, në ato vite të vështira, por edhe të bukura.
Edhe pse është një libër kujtimesh, në formë rrëfenjash me ngjarje jetësore, ku
personazhi kryesor dhe në qendër të ngjarjeve është vetë autori, të duket se ai
e përjashton veten, shmang moralizimet që i gjejmë në librat e këtij lloji, të
autorëve të tjerë. Dhe këtë e bën me zgjuarsi duke u lenë vendin të flasin, për
bëmat e jetës, personazhet që lëvizin në faqet e librit. Një trajtim i tille e
bën lexuesin të gjykojë e të zbulojë vetë se ç'përfaqësojnë personazhet me
vlerat që na servirin. Por kjo e bën edhe përmbajtjen e librit objektiv e të
vërtetë dhe autorin e tij të besueshëm e të dashur për lexuesin.
Luan Çipi, ashtu si në "Marrëdhënie të Shenjta", edhe në këtë libër të ri të
tij, ka vënë vulën e stilit të tij narrativ, skalitës të portreteve, e
përshkrues të bukur të natyrës. Në të gjitha këto, me brendinë e tyre, na
përcjellin filozofinë e fjalës së mençur popullore, lirizmin dhe epizmin e
jetës, që e evidentojnë autorin edhe si shkrimtar e poet, edhe filozof. Kjo flet
se ai është "burrë i zotit", siç u drejtohej Dritero Agolli shkrimtarëve dhe
artistëve që i deshte dhe i kishte për zemër, ngaqë dinin të punonin mirë me
fjalën dhe të shkruanin bukur.
Në kohën e vet, shkrimtari i madh grek Kazanzaqis, autori i librave : "Kapedan
Mihali" dhe "Ja vdekje, ja liri" përkthyer edhe në gjuhën shqipe, e kishte bërë
zakon të dilte shpesh në kodrat e vendlindjes së tij, Kretës, e me duart lart
drejt qiellit të lutej me fjalët: "O Zot më bej dhe mua Zot!". Luan Çipi nuk iu
ngjit kodrës se Kuz-Babait për tu lutur. Ai, me punën, vullnetin e pasionin që e
karakterizon, u bë zot i vetvetes dhe hyri me sukses edhe në rrugën e
letërsisë. Dëshmi e kësaj është edhe ky libër i bukur që do mbetet i dashur për
lexuesit.
Duro Mustafaj
~~~~~~~
Nuk mjafton ta bësh të mirën, duhet dhe ta bësh mirë.
Didero
BURRI ME KARAKTER TË FORTË
Maliq Riza Hajron, ta shihje edhe në moshë të madhe, të linte
mbresë: me atë trupin e gjatë e të drejtë si lis; me sytë gri; flokët e bardhë,
që i mbulonte me një borsalinë po gri; me atë hundën karakteristike, të madhe
dhe me hark, si të shqiponjës. Gjithnjë i pastër dhe veshur mirë dhe me një
bastun të gdhendur, që e mbante përherë në dorë, si ta kishte shok. Gjithë
jetën e tij punoi në sektorin komunal të Bashkisë Gjirokastër, qysh me kryetar
Bajo Topullin, ku vendosi, ndoshta, ndonjë rekord gines, se kjo puna e tij atje
zgjati, gati pa ndërprerje, deri në vitin 1970, kur unë e solla familjarisht në
Vlorë, me kërkesën dhe dëshirën e tij. Qëndrimi në Gjirokastrën e dashur, me
atë zanald aq të thepisur, në kushtet kur ai kishte nevojë patjetër të lëvizte,
u bë i vështirë për të. Kërkonte me këmbëngulje: "Hajdeni, më merrni, më hiqni
nga qafa e Pashallarës, se më shkurtoi jetën". Pas kësaj, në Vlorë jetoi edhe
gati 20 vjet të tjera, me atë rregullin e tij të ngurtë, pa u shqetësuar
seriozisht asnjëherë. Në Gjirokastër xha Maliqi, siç i thërrisnin të gjithë, u
mor me ndërtim ujësjellësish dhe kanalizimesh dhe i njihte ato, si asnjë tjetër,
aq sa, nga Vlora, e thërrisnin shpesh, për të zgjidhur probleme të vështira
komunale të Gjirokastrës.
Maliq Hajrua kishte marrë pjesë gjallërisht në tri luftëra: në vitin 1920 në
Luftën e Vlorës, më 1924 në Revolucionin e Qershorit me Fan Nolin dhe më 1943 në
Luftën Nacionalçlirimtare si këshilltar i qarkut.
Xha Maliqi ishte shumë i thjeshtë, i ndershëm dhe i rregullt e i
përpiktë me njerëzit. Nuk mburrej kurrë dhe për çka tregonte, thoshte vetëm të
vërtetën. Fliste vetëm rreth atyre te vërtetave që dinte e që i kishte parë e
dëgjuar vetë. Luftën e Vlorës e kujtonte shpesh, ngaqë e kishte përjetuar në
moshë të re, fare pranë. Për pjesëmarrjen në atë luftë heroike xha Maliqi, i
dekoruar, edhe diç kishte shkruar. Këtë të vërtetë e dinin shumë njerëz. E
dinte, midis të tjerëve, edhe gjirokastriti Veiz Gjebero, luftëtar partizan,
komunist i vjetër, i cili në kohën që merr jetë ky tregim, ishte në një pozicion
shtetëror të rëndësishëm, si zëvendësministër.
Veiz Gjeberua prej shumë kohësh e kërkonte në Vlorë xha Maliqin dhe
m'u desh mua që të organizoja një takim me të në hotel "Adriatik". Veizi kishte
dëgjuar nga babai dhe vjehrri i tij, se edhe ata kishin qenë pjesëmarrës të
Luftës së njëzetësnë Vlorë, po, meqë ata nuk jetonin më, ai as që i dinte bëmat
e tyre.
Veizi pati besim se xha Maliqi, aq i freskët nëkujtesë, siç kishte lexuar dhe i
kishin thënë, do t'ia plotësonte zbrazëtitë e Njëzetës. Pas kësaj njerëzit e tij
të dashur patjetër që do të futeshin si pjesëtarë aktivë të historisë së
lavdishme të Kombit tonë. Oh, sa do t'i bëhej qejfi gjithë farefisit dhe sidomos
gruas së tij të dashur!
Meqë isha i pranishëm dhe e freskova nga ditari im, mbajtur në ato
çaste, e mbaj nëpërmend si sot zhvillimin e bisedës:
Nisi të flasë Veiz Gjebero:
- Xha Maliq! Jam shumë i gëzuar që të takoj dhe më bëhet qejfi se të
shoh shumë mirë me shëndet. Më kishte marrë malli shumë. Të fala të posaçme ke
dhe nga ime shoqe.
- Edhe unë gëzohem shumë, aq më tepër se ti je djali i mikut tim dhe
vërtet i ngjan e ndaj më nxjerr mallin e babait tënd. Kujtoj, me këtë rast, me
nderim edhe vjehrrin tënd, një nga miqtë e mi më të hershëm. Qoftë i paharruar
kujtimi i tyre!
Pasi u kapërcye kjo hyrje mirësjelljeje, Veiz Gjeberua, me padurim,
i ra shkurt:
- Xha Maliq! Nuk dua të të ha kohë, ndaj po futem drejt e në temë. Pres të mësoj
nga goja jote për veprimtarinë, luftërat dhe trimëritë e treguara nga
gjirokastritët, e veçanërisht të njerëzve të mi të dashur, në luftën legjendare
të Vlorës më 1920. Na takon neve, të rinjve, bijve të Gjirokastrës heroike, që
kemi dalë nga zjarri i luftës partizane dhe kemi pozita të rëndësishme dhe
mundësi më të mëdha propagandimi, të shkruajmë e të pasqyrojmë përpjekjet e tyre
të shquara dhe t'u japim vendin, që u takon në historinë e Shqipërisë.
-Lëre më mirë atë kohë të shkuar, gjysmëshekullore. Lëre atë në humbëtirën e vet
dhe hajde ta tokim njëherë…!
- Jo, jo! E di që je fjalëpakë dhe modest, por unë e dua sot të vërtetën
historike. Kërkoj të më thuash për rolin tonë, mo, të gjirokastritëve, se nuk
durohen dot të tjerët, këta vlonjatët sidomos, që i bien gjoksit me grusht dhe
duan t'i marrin të gjitha vlerat historike për vete.
Xha Maliqi u zu ngushtë. Nuk e ndryshonte dot, me një thirrje të djalit të mikut
të vjetër natyrën e vet. Ç'është e vërteta, s'e kishte fare të lehtë edhe t'ia
prishte gjithë këtë entuziazëm që kishte shoku Veiz, i cili për një përgjigje të
dobishme edhe mund ta ndihmonte më pas xha Maliqin hallexhi, që banonte në Vlorë
në një shtëpi të vjetër, gjysmë të shkatërruar, me qira private. Veizi, me një
fjalë goje, mund ta strehonte xha Maliqin në një shtëpi shtetërore, fundja kaq
ai e meritonte si veteran lufte.
- E do të vërtetën?
- E dua, me domosdo!
- E po, nxirre penën dhe kartën e
shkruaj.
Xha Maliqi, pasi gjerbi një gllënjkë nga gota me arançatë, i munduar, duke u
futur në thellësinë e shekullit, nisi të tregojë ndodhitë e përjetuara gati
gjashtëdhjetë vjet më parë:
- Më kujtohet si tani. Isha 20 vjeç. Në pranverën e vitit 1920 u veshëm si
ushtarët e parë vullnetarë të ushtrisë shqiptare, me uniforma tëprera apostafat.
Bënim talim në kalanë e Gjirokastrës, ku kishte qëndrimin batalioni ynë. Pas ca
kohe, morëm urdhër: kush kishte vullnet mund të nisej në luftë kundër zaptuesve
italianë, që kishin zënë Vlorën deri në Tepelenë. Dolëm vullnetarë njëzet djem
gjirokastritë.
Në Tepelenë ishte një garnizon ushtarak italian i dislokuar brenda në kala.
Bashkëpunuam me çetën e trimit dhe luftëtarit të shquar, plakut Selam Musai, e
rrethuam paq garnizonin dhe i dhamë ultimatum. Pritëm, derisa pamë flamurin e
bardhë të dorëzimit pa kushte. Ata na u dorëzuan neve, që ishim me uniformë
ushtarake dhe po ne u caktuam për t'i shoqëruar deri në Vajzë të Vlorës, ku
kishin grumbulluar dhe robër të tjerë italianë. Ata i ruante dhe i administronte
komanda e zonës, me trimin vlonjat Rexhep Sulejmani në krye.
Ne, ushtarët vullnetarë nga Gjirokastra, ashtu siç ishim të veshur me
uniformë e armatime, u caktuam për të ruajtur depot e municionit të Kotës, që
Komiteti i Shpëtimit Kombëtar, i kishte marrë në dorëzim nga një nënoficer
italian kalabrez, marshall Xhovani, me origjinë arbëreshe. Ky arbëresh bëri një
punë të madhe për Luftën e Vlorës, aq sa, siç mendoj unë, ky duhet të futet në
histori, se na siguroi shumë xhephane. Prandaj dhe italianët atë e dënuan me
vdekje. E kërkuan dhe e gjetën, këtu në Shqipëri dhe e ekzekutuan, në një kurth
që i ngritën, 15 vjet mëvonë.
Unë, vazhdon xha Maliqi, i humbur në kujtimet e vjetra, duke qenë se
u vendosa në udhëkryq, ku ishte depoja, isha i mirinformuar për gjendjen e
frontit në vazhdimësi, si për zhvillimin e luftimeve dhe për forcat lëvizëse, se
jo vetëm e shihja dhe e ndiqja vetë, po edhe dëgjoja hollësira nga ata që vinin
nga balli i luftimeve e merrnin municione. Kuptohej se me ecurinë dhe sukseset
në luftë varej dhe jeta jonë.
Atje, posa nisën operacionet luftarake, mësova me krenari se dhe nga
Gjirokastra jonë e dashur, si dhe nga disa qytete të tjera të vendit tonë,
erdhën ndihma, banda muzikore, përforcime, armatime, ushqime, ilaçe e ç'i duhej
një lufte të vërtetë. Atje u takova, me respekt e me mall, edhe me babain dhe
vjehrrin tënd Bamen, që e kisha shok, si dhe me Hasan Xhikun dhe me trimat e
tjerë gjirokastritë, të gjithë burra dyfeku, siç ishin luftëtarët e çetës së
Gjirokastrës. Komiteti i Luftës së Vlorës, me të marrë vesh ardhjen e
vullnetarëve civilë nga Gjirokastra, të organizuar në çetë, trima të sprovuar e
zotër të dyfekut, ashtu siç kishin qenë në luftë me grekun, për Pavarësinë e
Shqipërisë, i nderoi ata si asnjë tjetër, duke i vënë në vendin më kyç e më të
rëndësishëm për fatin e krejt betejës, në transhenë e parë të Frontit të
Kaninës. Kanina ishte një pikë strategjike, që nga ana e Komandës Shqiptare qe
paracaktuar si etapa e parë e sulmit vendimtar për çlirimin e Vlorës. Po të
merrej Kalaja e Kaninës, ku italianët kishin përqendruar forca dhe artileri të
fuqishme dhe që komandohej nga gjeneralë të përgatitur, çështja e fatit të
luftës ishte zgjidhur njëherë e mirë.
Po, ç'ndodhi? Italianët, që kishin oficerë të aftë, nuk pritën sulmin e
shqiptarëve, por e panë të udhës që, në befasi, me shumë forca dhe me ndihmën e
projektorëve të fuqishëm, ata të parët sulmuan natën.
Dhe gjirokastritët e transhesë së parë, që i njihnin mirë luftërat
dhe pasojat vdekjeprurëse të tyre, e vlerësuan se ishin të pabarabartë dhe se do
të asgjësoheshin të tërë, ndaj u tërhoqën nga transheja e parë dhe u thanë dhe
të tjerëve të bënin të njëjtën gjë: të tërhiqeshin duke luftuar. Ndofta, menduan
në fillim se do të vendoseshin te transheja e dytë apo tek e treta, se fronti
nga ushtarakët tanë ishte i organizuar me tri radhë, në tri transhe. Por ata, që
e ndien fare mirë rrezikun e madh, si më me përvojë që ishin, nuk e panë të
udhës rezistencën e pabarabartë dhe çanë e ikën e pas dy ditësh u gjendën në
Gjirokastër, atje ku s'i kapte dot as plumbi dhe as gjylja e topit. Vlonjatët e
transhesë së parë nuk pranuan të tërhiqeshin pa urdhrin e komandës së tyre dhe
atje u ndeshën deri me bajoneta e me thika, derisa u vranë të gjithë, si
heronjtë e Thermopilit...
Këtu xha Maliqi, pasi fshiu lotët me shami, vazhdoi:
O biri im! Në Luftën heroike të Njëzetës në Vlorë, që është faktori kryesor që
ne patëm Shqipëri, në këtë epope të lavdishme ndihmoi e gjithë Shqipëria, por
keqas u therorizuan lebërit e Vlorës. Këtë unë e pashë me sytë e mi. Këta lebër
kaq të mirë, kaq trima e kaq të zgjuar thanëmë vonë se nuk ndodhi ndonjë hata,
ngaqë shokët e tyre gjirokastritë u befasuan nga sulmi i papritur, i
paparashikuar dhe i pabarabartë i italianëve. Kjo mund t'i ndodhte kujtdo.
Tmerri i luftës, përkohësisht, edhe ndodh që të merrë mendjen e të zhburrëron.
Pas fitores dhe hedhjes së italianëve në det, kur erdhi çasti i
lumtur që fitimtarët do të parakalonin në rrugët e Vlorës së çliruar, vlonjatët
e mirë, nëpërmjet Komitetit të Shpëtimit Kombëtar, në shenjë nderimi e
solidariteti mbarëkombëtar, i ftuan për të parakaluar edhe këta gjirokastritë.
Unë prapë i pashë edhe vjehrrin, edhe babain tënd, o Veiz i dashur. Ata
parakalonin së bashku dhe njësoj me fitimtarët vlonjatë me qylafë në kokë.
Këtu e mbaroi tregimin, duhet thënë, shumë i pikëlluar dhe i
shqetësuar, deri në përlotje, veterani gjirokastrit Maliq Riza Hajro.
- Shoku Veiz e mblodhi grusht të zhubrosur letrën me ato pak shënimet e
para dhe u largua, i dëshpëruar, shumë i zhgënjyer, pa na përshëndetur.
Kështu, xha Maliqi e humbi edhe një shans, që iu krijua për të
marrë një shtëpi shtetërore me qira…duke mbetur deri ne fund të jetës së tij të
gjatë, gati njëqind vjeçare, një burrë me karakter të fortë dhe një atdhetar i
shquar dhe mbrojtës i së vërtetës.
Maliq Hajrua, jo vetëm në këtë rast, kur tregonte
historinë e Luftës së Vlorës, por gjer në fund të jetës së tij të gjatë, e
tregoi veten të denjë edhe si nip i atdhetarit të shquar të Rilindjes
Kombëtare,
gjirokastrit Shemsho Hajro. Ai lindi në Gjirokastër ne vitin 1900 dhe njeriu i
shquar i historisë sonë, e mbylli jetën në Vlorë, në vitin 1987.
"Vlorën edhe Vlorën thelo e kam në zemër
Ditën e kam dritë, natën e kam ëndërr"
Ali Asllani
PËRRETH VLORËS
Miku im, Axhem Gjoni, më tha se sot u takua, rastësisht, me vlonjatin Ali Ymeri,
ish-kryekonsullin shqiptar të Stambollit.
- Po nxitohem, - i tha Aliut, Axhem Gjoni, - se kam takimin e përjavshëm me një
grup vlonjatësh.
- O, o, vlonjatët! Mirë ka thënë Pirro Rexhepi:
- Në atë grup vetëm ti je vlonjat. Të tjerët janë beratas dhe gjirokastritë.
Aliu e kishte fjalën për origjinën e pjesëtarëve të grupit tonë.
- Pse, ore, - i them unë, - nga Berati dhe Gjirokastra jemi ne?
Prejardhjen, thonë, të gjithë nga majmuni e kemi. Çështja është: ku kemi lindur,
ku na ka bërë koka dëng, ku kemi kaluar fëmijërinë, ku kemi mësuar, ku kemi
shokët dhe të afërmit, për kë kemi punuar dhe ku kemi vënë ndonjë gur a tullë,
për kë mund të flasim apo të shkruajmë. Ç`kujtime kam unë nga Gjirokastra? Unë
të kaluarën, madje, dhe të sotmen, e kam të lidhur me vendlindjen, Vlorën… Dhe
për këtë jam krenar, pa nënvleftësuar apo përbuzur zanafillën time, fort të
pëlqyer… Mua më kujtohet, me nostalgji, çdo gur i Vlorës, çdo fshat, çdo fis,
çdo njeri. Jeta jonë atje ishte një fat dhe një privilegj. Ndaj unë, me sytë e
mendjes, shoh e flas ditë e natë me këto mbresa e kujtime vlonjate.
Kujtime nga Korfuzi, ku ka lindur dhe ka kaluar ca vite të
fëmijërisë Pirrua apo nga Stambolli, ku ka punuar për shumë vjet me devotshmëri
Aliu, unë nuk kam. Teza e tyre nuk më bind. Ne jemi të gjithë vlonjatë me shpirt
e zemër. Ja dhe një sprovë tjetër:
Kush hapi sytë në Vlorë.
Ku nënokja na dha jetë,
Sheh qëndisur, si me dorë
Male, kodra, fusha, det.
Qysh në djep dëgjohen këngë
"Për ata trimat e mirë",
Dhe zemra bulon rrënjë,
Të lindsh e të vdesësh i lirë.
Atje sheh veç bukuri,
Në katër anë horizonti,
Tejpërtej një mrekulli,
Stolisur nga vetë Zoti!?
*
O i bukuri Tragjas,
së largu me ty po flas,
se dhe "buza kur të plas",
ti mërzinë ta kthen në gaz .
Nostalgji të ngjall Dukati,
për luftëra dhe trimëri.
Burra, gra të këtij fshati,
zunë vend në histori.
Sa krenar qëndron Tërbaçi,
gjithësi në unitet.
Rriten bashkë lisi e gjembaçi,
një harmoni e vërtetë.
Në Gjormë, Velçë dhe Lepenicë,
Kuç, Kallarat, Mesaplik,
në Vajzë dhe në Drashovicë,
behe mbret, kush vete mik.
Ndër shekuj dallon Bolena,
me konakët porsi kulla,
ku dhe fëmijët në pelena,
këngë trimash kanë ninulla.
Kalon nëpër Topallti,
Myzeqeja, Kudhsi, Himara,
kodrat mbushur me ulli,
ushton cylja dhe xumara.
Kur ngjite në Llogora,
shikon larg në horizont,
thua: mos nga qielli ra
mrekullia e pazakontë,
që formon këtë kontrast
të paparë në asnjë rast:
Mali, lart, gjithë gjelbërim,
deti, poshtë, në pambarim?
Rri, shikon: det edhe gurë,
zogjtë mbulojnë pishën flamur,
derra, drerë, dhelpra, kunadhe,
qengja, keca hedhin valle!
Në Palermo, poshtë, kur zbret,
te "Kish' e Vasiliqisë",
valanidh, shqopë dhe det,
vendqëndrim i Perëndisë.
%
Hyni, djem, rrini, mendoni!
Sa shumë gjak, sa shumë lot!
Historinë e lashtë kujtoni!
Si Atdheu s'ka në botë!
Fryn një fllad e një duhi,
plakun e bëjnë më të ri,
tëriut i japin mend.
Si mund të lihet ky vend?!
~~~~~~~~~~~
Ajo çka e bën origjinal një njeri është se ai sheh diçka që gjithë të
tjerët se shohin
Nitçe
PËR TË QARË DHE PËR TË QESHUR
Shtatori i vitit 1968. E dielë, mbasdite. Në shëtitoren e qendrës së
vjetër tëVlorës, nga xhamia e Tabakëve, pranë ish-Prefekturës, e deri te xhamia
e Plumbit, çdo mbasdite, bëhej "xhirua kolektive", ku të rinj e të reja
shëtisnin në grup, pas njëri-tjetrit. Duket, kështu i vinin më mirënë dukje
bukuritë vetjake dhe veshjet e reja. Shpesh këtu shiheshin, njiheshin e
miqësoheshin çiftet e të dashuruarve të ardhshëm.
Atë ditë unë dhe Skënder Bani, vëllai i madh i Hanëmes, gruas sime, pasi bëmë
një rrotullim të plotë në bulevard, thamë të blinim një gazetë, të uleshim në
lulishten aty pranë dhe të mësonim të rejat e ditës. Kështu bënim thuajse çdo
ditë, për të kaluar kohën bosh dhe për të thyer monotoninë. Skënderi ishte
moshatar me mua, një burrë i urtë, baballëk, këpucar në një repart ushtarak
kundërajrori në Vlorë. Unë rrija shpesh me të. Ai këndonte bukur dhe dëgjonte me
durim e vëmendje.
-Gazetën do ta blejmë këtu afër, - i thashë unë, - te xha Meti.
Libraria e xha Metit ishte më e rëndësishmja e qytetit. Ishte vendosur në një
barakë të stërmadhe, karshi hyrjes së lulebahçesë, në drejtim të "Ushtarit të
Panjohur", përbri ish-hotel pastiçeri "Vjosës", që kish qenë pronë e tregtarit
Syrja Sorra, pikërisht atje ku sot është ndërtuar hoteli i madh turistik.
Në librari po futeshin, njëkohësisht, shumë njerëz, që kishin zënë radhë, për të
blerë gazetat e sapoardhura, si dhe revista, libra, kartolina.
Xha Meti më dalloi nga larg, më përshëndeti përzemërsisht si gjiton
dhe të njohur të vjetër dhe më tha:
- Po, ku ke humbur, more Luan, se më ka marrë malli. Veç kësaj, nuk e di, po
më ka mbetur mendja tek ajo ngjarja e vjetër, që më përmende kur ishe herën e
fundit, para një muaji. Pa më shpjego tani, si është ajo punë?
Unë ndruhesha ta mbaja gjatë me muhabet, se mos pengoja të tjerët, që prisnin në
radhë, ndaj ngurroja të flisja.
- Fol ti, fol, pa, këta "të gazetave", shumica të papunë janë,
s`kanë se ç`humbin!
- Po, ja, shoku Meti. Unë, me sa më kujtohet, këtu e 25 vjet më
parë, pikërisht në vitin l946, kisha lexuar në Librin e Këndimit të klasës të
pestë fillore një tregim që titullohej "Një grusht dhe nga kampi Mathauzen".
Mbaj mend se aty bëhej fjalë për një hero të vërtetë që quhej Meti. Gjithnjë kam
dashur t`ju pyes: mos jeni ju?
Xha Meti, i shkathët nga natyra, sikur u gjallërua edhe më shumë dhe
u duk se u bë nja 30 vjet më i ri.
- Po ku e ke atë libër, se kam 25 vjet që e kërkoj?! Dhe duke zënë një
pozicion më të volitshëm, që ta shihnin të gjithë tha: Ta mësoni të gjithë, ju,
o djemtë e mi, në atë libër jam pikërisht unë. Atje është historia ime, po,
natyrisht, aty flitet shumë shkurt, aq sa mund të shkruhet në një informacion
simbolik.
Dhe xha Meti, si në ekstazë, humbi në kujtimet e vjetra, në mendimet dhe
në dhimbjet e mëdha. Ai filloi të flasë si një somnambul, duke harruar se detyra
e tij, aktualisht, nuk ishte oratoria dhe poezia, po thjesht shitja e gazetave
të ditës, që sapo kishin ardhur me shumicë.
Ai e nisi ligjëratën, plot pasion, me heroikën e veprimtarinë të tij
si antifashist dhe si të na ish atentator trim e ilegal i hershëm.
Një heshtje varri pllakosi, sa turma harroi pse kishte ardhur dhe
gjeti gallatë e po dëgjonte, me vëmendje e kureshtje, bëmat e protagonistit, që
duket se ca i kishte përjetuar me të vërtetë, ca i kishte dëgjuar si ngjarje për
të tjerët dhe i paraqiste si të vetat dhe ca i kishte lexuar te shumë libra
tëkohës, që i dispononte në librari dhe i lexonte, pa paguar gjë, kur nuk kishte
shitje... Shoku Meti rezultonte, pas "Hysni Kapos legjendar", që edhe nga ana e
Metit, qëllimisht, diferencohej e lihej gjithnjë në krye, të ishte figurë
qendrore në gjithë demonstratat, atentatet dhe aksionet heroike të kohës. Meti,
siç tregonte vetë, i zhduku, pa përjashtim, italianë dhe mercenarë. Ai, me duart
e tij, në qindra mënyra të rafinuara, vrau një më shumë nga gjithë ç`kishin
zbarkuar në Shqipëri.
Sidomos, kur erdhi koha të shpjegonte periudhën e dënim-internimit, kur bëhej
fjalë, padyshim, për jetën e tij më të vështirë, po dhe më heroike, ai, duke
ndier ende më shumë dhembje dhe krenari të ligjshme, njëherazi, u bë më elokuent
dhe më pasionant. Na hipnotizoi të gjithëve dhe më së shumti Skënderin, që
kishte fatin ta dëgjonte për herë të parë. Turma po dyndej. Ata, të rinjtë, që
sapo hynin, vinin thjesht për të blerë gazeta dhe ishin ende jashtë hipnozës.
Gazeta mbi banak kishte stivë. Ato sa kishin ardhur. Dhe blerësit e rinj gazetat
i kërkonin me zë, sipas titujve. Xha Meti po bezdisej, se po i ndërprisnin
ligjëratën, ndaj nisi të çirrej:
- Ç'gazeta kërkoni ju?! S'ka gazeta! Janë shitur, mbaruan. Shitja
mbyllet!... Dëgjoni tani ngjarjet në Kampin e Përqendrimit Nazist.
Një zë nga turma tha:
- Lëre për më vonë Kampin. Kthehu te ngjarjet e Luftës!
Një zë tjetër:
- Gjatë kohës së luftës në qytetin e Vlorës a e ke njohur babain tim,
dëshmorin Sali Dibra?
- Si, ore, nuk e kam njohur! Kemi bërë 22 aksione së bashku, pesë ja,
aty teFabrika e Akullit. Meti vazhdonte me ngjarjet për demaskimin e ballistëve
dhe kolaboracionistëve, siç thoshte ai, për atentatet personale dhe deri në
ndeshjet trup me trup. Ç'ishin bërë në Vlorë dhe më tej, sipas tij, nga Meti
ishin drejtuar.
- Jo, shoku Meti. Demonstratën e parë, atë të bukës, e ka drejtuar
xhaxhai im, Fejzo Gjomemoja, nga Tragjasi.
- Jo, more picirruk, jo! Demonstratën e bukës, jo. Po ngatërrohesh. Le që, ku
di gjë ti. Atëherë ti as dhëmbë në gojë nuk kishe. Dhe kjo duket me atë që ti
ngatërron demonstratën e parë, atë të 28 nëntorit l939, me demonstratën e bukës,
që u bë ku e ku më pas… Rri, pusho, se do të ngatërrohesh më keq. Më mirë, më
dëgjo mua. S'e ha dot me mua, se unë i kam përjetuar vetë të gjitha ngjarjet e
rëndësishme të Luftës, që nga Gjormi, Selenica, Drashovica. Kam luftuar me
italianë dhe mercenarë unë, dhëmb për dhëmb, deri me bandat famëkeqe të Halil
Alisë dhe Selim Kaloshit.
- Shoku Meti, po luftën ti e drejtove? - pyeti një djalë i ri.
- Unë në komandë isha. Në krye fare kishim shokun Hysni Kapo
Tërbaçin... Me të isha unë, Fejzo Gjomemoja, Sinan Gjoni, Liri Gega, Mehmet
Shehu, Mynyr Xhindi, Perlat Rexhepi, Sali Ormëni, Manushi, Rrapua, Ibrahimi,
Vehbiu, Vllasi, Teli, Aliu, Namiku, Kristua, Arianiti, Ymeri, Vehbiu, Kadriu,
Liria dhe dhjetëra heronj të tjerë. Po, mbi të gjithë, Hysni Kapua, Besniku i
Partisë, si e thërrisnim ne… dhe pas tij… kuptohet, unë.
- Po andej, nga veriu, nuk u bë luftë?
- U bë dhe andej, po jo dhe aq. Nuk mund të harrohet Myslim Peza, Bazi Canes,
Qemal Stafa, Kajo Karafili, Haxhi Lleshi, Vojo Kushi, epopeja e tre heronjve të
Shkodrës me Perlat Rexhepin në krye etj. Këto di unë, se pastaj më kapën,
hatajen, dhe më internuan.
- Po si mundën të të kapnin, duke qenë kaq trim e në mes trimash?
- Tradhti, vëllezër, tradhti. Tradhtia është gjëja më e poshtër te
njeriu shpirtlig e ambicioz. Nuk dua t'i futem kësaj teze filozofike, se s'është
koha dhe Luani po mëpret t'i tregoj ngjarjen në kampin e shfarosjes masive, në
Mathauzen. Dhe Meti vazhdon të tregojë me hollësi për torturat çnjerëzore, për
të ftohtit, urinë, punën e rendë, krematoriumin, ku digjeshin njerëz të gjallë e
të vdekur. Vazhdoi më pas me trimëritë e tij të pazakonta, mbinjerëzore në ato
mjedise ferri, për rezistencën aktive dhe kundërveprimet e
organizuara.
- Një gazetë "Zëri i Popullit", të lutem! Përsëri një i sapoardhur.
- Dale ti, ore, zevzek! Dashka gazetë qy!
- Rri, ore, në radhë, ti, se s'je më i mirë nga këta dhjetëra burra të
ndershëm, patriotë e të duruar, që kanë më se një orë që po dëgjojnë me gojën
hapur, - ndërhyn përsëri me vendosmëri Skënderi…
Meti vazhdon të paraqesë pjesën kulmore dhe fort solemne, kur kampi u sulmua
frontalisht dhe u çlirua trimërisht nga një njësi kavalerie e Ushtrisë së
Kuqe.
- Po unë kam dëgjuar që u çlirua nga amerikanët, - ndërhyri dikush.
- Jo, more, kjo s'është aspak e vërtetë! Ku di gjë ti, apo e pe me
dylbi nga Memuçi?
- Unë, këtë e di mirë, se ma ka thënë babai, që e kam
historian.
Kur u pa se biseda mori për keq, aty, afër meje, u dëgjua edhe një herë po ai
zë autoritar dhe imponues:
- Rri, ore djalosh, pusho ti! Mos e ndërpre oratorin. Ai ka qenë vetë aty në atë
kamp të tmerrshëm. Ke dëgjuar ti për Mathauzenin dhe Dakaon? Kush ka dalë i
gjallë andej? Ato ishin kampe të shfarosjes masive. Për këtë na ka folur dhe
komisari në organizatë. Ndaj dëgjo, të lutem!
- Aty ta kam! S'ka dalë njeri i gjallë, - foli një i moshuar. Po ja që Meti
doli... Si doli?
- More, po ky qenka hero i pazakontë, - vazhdoi të ngulë këmbë Skënderi. Edhe
vetë akti i kthimit është një heroizëm më vete. Arriti të shpëtojë, i biri i
botës, pas gjithë atyre torturave të tmerrshme çnjerëzore. Kot mburret e
kapardiset ai, komisari im, e vete më var gjithë ato dekorata në gjoks. Ky duhet
të ishte hero. Hero i Popullit. Dy herë hero.
- Bravo, djalë! Ka dhe njerëz të drejtë e objektivë. Është pikërisht
siç thua ti. Dëgjoni tani, - rinisi ligjëratën, me zë edhe më të lartë, shoku
Meti:
- Me rastin e çlirimit të Kampit nga ana jonë, që drejtonim
rezistencën, si internacionalistë që ishim, u organizua një ceremoni solemne me
fjalime, flamurë dhe një program të shkurtër artistik… Unë, që përfaqësoja i
vetëm dhjetëra shqiptarë të zhdukur në këtë kamp, në emër të vuajtjes dhe të
kujtimit të tyre, ngrita lart Flamurin Kombëtar, një beze të kuqe me zhgabonjën
dykrenore të sajuar dhe bëra një përshëndetje të zjarrtë, që të nesërmen u botua
me shkronja kapitale në dhjetë gazetat më të mëdha të kohës në të gjithë botën.
Kështu, emri im, Semeno Demetre, siç më flisnin ndërkombëtarët, u bë i njohur në
të gjithë rruzullin tokësor.
-Të nesërmen - vazhdon Meti - në një vazo të vogël, gërmova e mora
një grusht dhe nga Kampi i Mathauzenit dhe bashkë me një kosovar, dy metër të
gjatë dhe me një dyfek, nisëm aventurën e kthimit për në Atdhe, nëpërmjet
Austrisë, Zvicrës, Francës dhe Italisë. Një rrugë kjo e vështirë, në kushtet kur
mjetet e transportit mungonin, të djegura e të shkatërruara nga Lufta e Dytë
Botërore. Sa në këmbë e sa në kalë, ngrënë e pa ngrënë, me gjumë e pa gjumë dhe
aq të dobësuar e skeletikë, siç ishim katandisur, pas 35 ditëve mbërritëm në
Bari të Italisë.
- Kur mbërrita në Bari Vekio, - tregonte Meti, - u takova me
përfaqësuesit shqiptarë të atashuar në Komandën Aleate të Mesdheut. Ata, të
parët, më shpjeguan se Shqipëria jonë e dashur ishte çliruar, ishte bërë
"Guvernë Demokratike", me Gjeneral Kolonel Enver Hoxhën në krye.
- Kush është ky? - pyeti i çuditur Meti.
- Ai që drejtoi Luftën Nacionalçlirimtare dhe Partinë Komuniste
Shqiptare, - i thanë.
- Po, dale, more shokë. Luftën dhe Partinëi drejtoi Hysni Kapua, - protestoi
Meti. Aq dinte ai. Kishte ngelur për disa vjet pa asnjë farë informacioni.
Xha Meti e mbylli tregimin me mbërritjen në Durrës dhe me dorëzimin
e vazos me dheun simbolik në Muzeun Historik Kombëtar.
Unë dhe kunati im, Skënder Bani, kthehemi në shtëpinë e Hanëmes, në
lagjen Muradie, ku më pret me dashuri vjehrra ime Fenua, e urtë dhe buzagaze dhe
vjehrri im i mençur e patriot, Haxhi Bani, gati 75-vjeçar. Ai gjithë jetën ishte
rritur dhe edukuar në familje dhe në shoqëri me dashuri për Atdheun dhe me
respekt për luftëtarët e Lirisë. Si idhull për të ngelej Ismail Qemali dhe
heronjtë e 1920-ës, ku kishte marrë pjesë dhe vetë, aq sa ish ekspozuar dhe e
kishin arrestuar dhe internuar në ishullin e Sazanit… Si vlonjat respektonte
Hysni Kapon, që e quante udhëheqës trim e të zgjuar dhe vlerësonte shumë Luftën
dhe gjakun e derdhur për çlirimin e Shqipërisë. Të gjitha shtëpitë vlonjate
rrëzë Budakut kishin qenë strehë e luftëtarëve të Lirisë.
Skënderi, sa erdhi, nuk pati më durim, por e shpalli hapur gëzimin, habinë dhe
entuziazmin e tij.
- Çeço! Sot jam befasuar, si asnjëherë.
- Nga se, mor djalë?
- Sot takova një figurë të madhe, të lavdishme, legjendare. Nga sa
dëgjova unë, them i bindur se kam takuar një hero të vërtetë, aq sa Vlora jonë e
dashur, që ka nxjerrë shumë trima dhe heronj, pas Ismail Qemalit dhe Hysni
Kapos, nuk ka pasur burrë më të madh.
- Po, kush është ky, more bir?
- Ai na tha se e thërrisnin Semeno Demetre.
Met Semoni, - shpjegova unë.
Çeçoja, që e njihte mirë Metin personalisht, por, nga aq sa kishte
dëgjuar dhe nga të tjerë, pa pasur të drejtë, nuk e quante fare të pastër
shpëtimin vetmitar të tij nga ai kamp i tmerrshëm. Kjo ishte një hamendje, pa
shumë rëndësi, po ç'është e vërtetë, ai u mërzit më fort për "përdhosjen e
idhujve", ngaqë i biri, aq i entuziazmuar, e paraqiti me mbivlerësim Metin. Ku e
gjeti të drejtën Skënderi ta bëjë, këtë Met, të barabartë me Ismail Qemal Beun
dhe me Besnikun?
-More, bir! Si guxon e bën nga këto farë krahasimesh? Unë i çmoj ata
pesëqind burra të Vlorës, që lanë kockat në internim, por Metin mund ta nderosh,
ashtu siç është, po t'i flasësh me ato tri germa që e kanë pagëzuar MET… Këtu
Çeçoja duket nuk e mbajti dot më veten, u bë harbi dhe, si kurrë ndonjëherë
tjetër, jashtë natyrës së tij, e prishi gojën:
- Madje, edhe po t'ia ndërroje atë shkronjën e mesit, nuk do të bëje aq
gjynah, sa bëre me ato palo krahasime e ndërrime vendesh e lavdish. Po, me sa
duket, Meti, siç e ka zakon edhe këtë radhë, do të jetë mburrur shumë dhe ta ka
prishur keq mendjen. Ai kërkon të marrë lavdinë dhe meritat e të tjerëve... Mos
harro porosinë e popullit tonë: "Merr nga kjo botë atë që të takon. E tepërta
është haram."
Vesi dhe virtyti janë të afërm si qymyri me diamantin
Kamfort
E PËSOI I NDERSHMI, DONZHUANIN SE GJETI GJË
Duke rilexuar poemën "Ciganët" të A.P., ku të tërheqë vëmendjen personazhi
Zamfira, që kënaqësinë e gjente kur tradhtonte burrin e vet, kur e tallte atë,
duke shkuar me të dashurin e saj, edhe pse kjo mund të rrezikonte jetën e të
dyve, më shkoi ndër mend një ngjarje e viteve gjashtëdhjetë në qytetin e Vlorës.
Ishte koha kur një shoku im, le t'i themi Sula, merrej me sport dhe
falë cilësive të tij vetjake, vullnetit të fortë dhe përgatitjes intensive,
arriti të bëhej një futbollist i shquar. Ai, pjesëtar i ekipit të të rinjve të
rrethit, shumë shpejt u aktivizua si titullar me ekipin përfaqësues.
Sula shquhej, qysh në fëmijëri, për fizikun e mirë, për dhunti akrobatike,
veprime të shpejta dhe reflekse të befasishme, që kur u përsosën e u plotësuan
me teknikën përkatëse, e bënë atë një magjistar të vërtetë të lojës me topin e
futbollit. Ai tërhoqi shpejt vëmendjen e specialistëve e më pas të tifozëve e të
fansave të shumtë tij. "Flamurtari" i Vlorës , aso kohe, në futboll u bë ekipi
më i mirë i vendit dhe fitues i disa ndeshjeve ndërkombëtare. Stadiumi mbushej
çdo ditë, si në takimet e të dielave, ashtu edhe në çdo stërvitje përgatitore.
Qindra vlonjatë, burra dhe gra, adhuronin dhe përkrahnin virtuozët e talentuar
të futbollit. Për ta Sula ishte ndër më simpatikët. Ai tërhoqi edhe admirimin e
vajzave të reja të qytetit, qoftë me lojën e bukur, me trupin e derdhur prej
atleti dhe me atë pamjen e tij buzagaze. Më e shkathët u tregua Lola, një e
ardhur pak kohë më parë nga Tirana, maturante e një shkolle të mesme të qytetit
të Vlorës.
Lola, edhe ajo, dallohej ndërmjet shoqeve për bukurinë, po sidomos për veshjet
e saj ekstravagante për kohën: të lehta, dekolte e fundshkurtër, të qepura me
shije, sipas modës së kryeqytetit. Fustanet me ngjyra të ndezura, që i ndërronte
disa herë në ditë, i rinin bukur trupit të saj. Këpucë apo sandale takëlarta
ishin të kombinuara, gjithnjë, sipas ngjyrave të fustaneve. Byzylykë, rruaza,
unaza, vëthë formash dhe ngjyrash të ndryshme, në harmoni me veshjet, shoqëronin
këndshëm këtë bukuri të veçantë, teksa flokët kaçurrel e të zinj, si pendë
korbi, mbulonin shpatullat e gjera, duke zbritur, të lidhura me fjongo, deri
afër mesit. Beli i dukej aq i hollë, sikur do t'i këputej. Sytë gështenjë,
qerpikët e gjatë, balli i sheshtë, vetullat e zeza dhe të hequra hollë, buzët
dhe hunda e vogël, plotësonin këtë kompleks bukurie, të denjë për një mis
Mesdheu.
Lola ishte në qendër të vëmendjes për të gjithë të rinjtë e qytetit
dhe mbretëresha e bulevardit. Në shëtitjet e mbasditeve, që bëheshin me turma,
në "Bulevardin e Portokalleve", kur bllokohej kalimi, kuptohej, se do të kishte
nisur shëtitjen Lola me shoqet e saj gjimnaziste dhe njerëzit kishin ndaluar ta
admironin nga afër, sikur të ishin komisioni i klasifikimit të bukurisë dhe
ekstravagancës së saj.
Shoku im, Sula, ishte një nga viktimat admirues të Lolës. Atëherë
"Flamurtarin"e bujshëm e ndiqnin dhe shumë të rinj të shkollave, që shkonin
bashkërisht në Stadium. Pikërisht këtu Lola e bukur u njoh dhe u dashurua me
Sulën elegant, ndërsa ky, që në pamjen e parë shigjetuese, ishte bërë rob i saj.
Lola, dalloi te Sula jo vetëm trupin e bukur atletik, të gjatë e të
shkathët, përgatitjen akrobatike e teknike, që demonstronte në lojë, lëvizjet e
shpejta, sa në mbrojtje dhe në sulm, pamjen gazmore e të çiltër, si dhe sjelljen
korrekte, prej xhentëlmeni, si me shokët edhe me kundërshtarët e tij... Ajo
shpejt u interesua dhe pyeti për të. Nga të gjithë dëgjoi fjalë të mira dhe
vlerësime pozitive. U gëzua shumë kur mësoi që Sula ishte një i ri me interesa
për arsimin dhe kulturën dhe që prej tre vjetësh ndiqte me korrespondencë në
Tiranë dhe arsimin e lartë. Duket se ishin bërë për njëri-tjetrin. U gjendën
shpejt edhe rrugët e takimit. Ndërmjet tyre nisi njohja e afërt dhe takimet
dashurore. Fejesa dhe shpejt martesa e tyre u pritën me dashamirësi dhe kënaqësi
nga i gjithë qyteti. Pas martesës çiftit i lindi edhe një vajzë, që u duk se do
të ishte një përsosmëri, fryt i atij çifti të zgjedhur. Kaluan, kështu, disa
vite të qeta plot lumturi e harmoni.
Po, bukuroshja Lolë, duket se u ftoh shpejt nga afshi i asaj
dashurie të zjarrtë dhe të realizuar me aq lehtësi. Me sa duket, e pati të
vështirë dhe të papranueshme gjendjen e re, ku ajo nuk ndodhej më në qendër të
vëmendjes e të kërshërisë rinore. Nisi të mendonte e të kërkonte një aventurë të
re. Dhe kjo nuk ishte aq e vështirë, se ajo vazhdonte ta ruante bukurinë e parë
dhe të ishte edhe më interesante, ngaqë dhe veshjet e modës tani nuk i mungonin,
të ardhura enkas edhe nga jashtë shtetit, falë zemërgjerësisë dhe kujdesit të
burrit të saj, që vazhdonte ende ta dashuronte, ngaqë ajo i dhuroi edhe atë
vajzë aq të bukur.
*
Aso kohe kishte ardhur në Vlorë, nga jashtë shtetit, një burrë
simpatik e modern, i mbajtur, i pispillosur dhe i parfumuar. Ai krenohej me të
kaluarën patriotike e revolucionare të familjes së tij korçare, si dhe me
aftësitë vetjake për teknikën, artin dhe kulturën. Ai paraqiti shumë shpejt
përvojën e tij evropiane, pangopësinë dhe prirjet për aventura dashurore. Këto i
kishte përcjellë dhe herë të tjera, mandej edhe aty në Vlorë, sidomos kur u
pleks me një artiste në zë. Me të bëri edhe një fëmijë. Më vonë, pasi mohoi dhe
atësinë, u martua me një vajzë tjetër. Kjo u realizua, sipas rekomandimit të
nënës së tij veterane. Ky aventurier bëri shumë përshtypje të keqe në opinion,
kur edhe në gjyq i mohoi marrëdhëniet me artisten e pafajshme, madje, e akuzoi
partneren për lidhje të fshehta me disa shokë të tij.
Kosta, siç quhej ky donzhuan i ri, me kaq përvojë, e kishte të lehtë
t'i tërhiqte vëmendjen dhe ta bënte për vete Lolën njomcake, aq të bukur,
momentalisht të pakënaqur, në kërkim të një aventure të re, më interesante. Ai e
kishte kohën e nevojshme dhe mjetet financiare, dy kushte këto për të plotësuar
çdo dëshirë. Në këtë anë ndihmonte edhe pozicioni i tij i eprorit për Lolën, që
ishte me punë në të njëjtën ndërmarrje. Brenda një kohe të shkurtër nisi një
aventurë e re dashurie, në fillim e qetë dhe më pas e shfrenuar, aq sa, thuajse,
ata harruan familjet e tyre dhe duket se jetonin vetëm për njëri-tjetrin.
Shtëpia e Sulës, shokut tim të mirë e fatkeq, u bë si të ishte shtëpia e Kostës.
Ai i shfrytëzonte mirë, sidomos, largimet e shpeshta të Sulës, kur ai, çdo dy
javë shkonte jashtë rrethit me ekipin e futbollit për ndeshjet e radhës, ku
ndonjëherë rrinte dhe dy-tre ditë. Sula, në sezone provimesh, gjithashtu, ikte
për pesë deri dhjetë ditë në Tiranë.
Vlora, një qytet i vogël dhe i zhurmshëm, ziente nga fjalët, duke i
komentuar këto lidhje të paligjshme e të vazhdueshme, por askush nuk guxonte të
informonte bririn fatkeq. Ai vazhdonte të ishte i dëshpëruar kur largohej nga
Vlora dhe nuk duronte që të kthehej sa më shpejt e gjithë gëzim për të takuar
idhullin e tij engjëllor dhe bijën e tij të dashur.
Sula banonte familjarisht në një godinë katërkatëshe buzë rrugës
Vlorë-Skelë, afër ish-Shkollës Pedagogjike. Po aty, në katin e tretë, për
karshi, kishte komshi shokun Oso, një major policie, ish-partizan dhe njeri me
norma morale të forta. Osoja, si shumë komshinj të tjerë, prej kohësh, i kishte
parë me sytë e tij vizitat e shpeshta të Kostës te shtëpia e Sulës. Atij i
kishte lënë mbresë fakti që këto vizita nuk bëheshin kur Sula ishte në shtëpi,
por kur ai largohej për ndeshjet jashtë qytetit. Dëgjonte dhe fjalët e
komshinjve dhe i dukej dy herë pabesi heshtja dhe indiferenca, si për detyrën që
kishte, si për traditën e tij labe. Kur u bind plotësisht, në një mbrëmje e
thërriti në shtëpinë e vet komshiun Sulë dhe, pasi e qerasi dhe ndërruan
përshëndetjet dhe urimet e zakonshme, mori guximin dhe i shpjegoi gjatë e gjerë
ç'kishte parë e ç'kishte dëgjuar rreth qëndrimit të pamoralshëm të Lolës.
- Marr guximin të ta them të vërtetën e hidhur, pasi e kam provuar
më së miri dhe dëshpërohem, kur gjithë të tjerët pëshpëritin. Të kam si djalin
tim dhe më vret ndërgjegjja, po të hesht. Pastaj kam dhe dy vajza të rritura dhe
ky shembull i keq ndikon në edukimin qytetar.
Sulës sikur i ra pika. Dëgjonte në heshtje dhe kujtoi në ato çaste
disa konstatime dhe dyshime të vetat, që, të shqyrtuara në këndvështrimin e ri,
flisnin për njëfarë largësie, këto kohët e fundit, për mungesën e ngrohtësisë së
mëparshme. Po i kumbonin në vesh disa mbivlerësime për madhështinë e gjithanshme
të Kostës, të thëna nga Lola, vend e pa vend. Dyshimi nisi ta pushtojë e ta
mposhtë. Duhet hetuar, mendoi gjatë dhe ndjeu një dëshpërim të madh, po dhe një
keqardhje të thellë. Sikur të jetë e vërtetë, duhet ta vras. Dhe më… pas… veten?
Pse, ç'kam bërë unë? Veç e kam dashur gjithnjë e më shumë dhe i kam plotësuar,
pa hezitim, të gjitha kërkesat, deri në kotësi. Po qe se dikush duhet vrarë,
është ai, donzhuani, që kushedi ç'kurthe ka ngritur për ta hedhur në dorë. S'kam
dyshim që edhe ajo është fajtore e mendjelehtë... Dhe, së fundi… mjerë vajza
ime, njomëzakja e pafajshme.
Kalonin ditët dhe Sula gjithnjë e më shumë po e saktësonte të
vërtetën e kobshme. U vunë re mosmarrëveshjet e rastit, që ishin domethënëse,
pakënaqësi, keqkuptime, ankesa, mospranime.
-Më duhet çdo gjë ta faktoj plotësisht, direkt, - mendonte Sula.
Faktet konkrete do të më bindin, mendoi. Filloi të thurte e të vepronte sipas
një plani, të hartuar me kujdes
- Nesër do të nisem për Tiranë. Kam për të dhënë dy provimet e
fundit, - i tha Sula së shoqes, në një mbasdite, sa erdhi nga stërvitja.
- Po, ku e gjete tani, se jam dhe pak e sëmurë. Le që kot them unë,
kjo s'varet nga ti, se ditët e provimeve janë caktuar për të gjithë njësoj. Po,
sa ditë do të rrish?
- Rreth dhjetë ditë. Do të nisem qysh nëmëngjes, me autobusin e orës
shtatë. Të lutem, po munde, më përgatit valixhen dhe diçka për të ngrënë, që ta
marr me vete.
- As mos u bëj merak, - miratoi Lola, pa mundur ta fshehë një gëzim
të brendshëm. Do të të përgatisë, shpirti yt, disa petulla dhe nja dy vezë të
ziera.
Sula e kaloi atë ditë të gjatë te një shok, po aty në qytetin e
Vlorës dhe mbasdite, rreth orës l700, siç kishte rënë dakord edhe me Oson, u
kthye drejt shtëpisë së vet. Në xhepin e brendshëm të xhaketës kishte vendosur,
mbështjellë me gazetë, një thikë me dy presa, me majë të hollë e të kalitur
mirë. S'dinte se ç'bënte. Te porta e pallatit e priste major Osoja.
- Erdhe? Atë, jaranin, e ke brenda që prej një ore. Kujdes se mos bën ndonjë
marrëzi. Mjafton ta kapësh në faj, më tepër që të bindesh edhe vetë. Pas kësaj,
kur të më thërrasësh, do të vij edhe unë me nja dy gjitonë, që tëvërtetojmë me
dokument dhunimin e banesës. Më tej do të mendohemi e do të veprojmë.
Sula provon të hapë portën me çelësin e vet, por më kot. Një tjetër çelës nga
brenda ishte lënë kryq në bravë. I bie ziles një herë, dy, pesë, troket fort.
Pret… Pas gati dhjetë minutash dëgjon rrotullimin e çelësit dhe shikon kanatën e
portës të hapet përgjysmë. Një zë nga brenda thotë:
- Hyr! - O, o, Sula! Ti qenke? Urdhëro… Nuk të dëgjuam, se po qante vajza, -i
thotë nga brenda portës Kosta, me kapërdinë të mbërthyer. Unë sapo erdha…
Sula i hutuar, i impresionuar, i habitur, i dëshpëruar futet me vrap
në dhomën e gjumit, me thikën e nxjerrë instinktivisht nga xhepi. Me zë të
lartë, me thikën në dorën e shtrirë, s'di se ku të vejë, veç këmbët e
rrotullojnë pa vetëdije. Vërtitet rreth krevatit bashkëshortor. Kosta i vjen nga
pas, duke ruajtur njëfarë distance, gati të ndërhyjë, për të ndalur ndonjë
veprim të papritur. Sula dallon, si në mjegull, kuvertën e krevatit, gjysmë të
hapur dhe në mes të tij Lolën engjëllore, me këmishë të bardhë, e skuqur, me atë
fytyrë si të pafajshme, prej aktoreje, kinse, gati duke qarë.
- Erdhe, Sul i dashur! Kush të lajmëroi? Sa mirë bëre që u ktheve
nga rruga, se unë kam qenë gati duke vdekur. Po atë thikë, ç'e ke? Pse të ka
ngelur në dorë? Po bën ndonjë shaka, për të më kthyer humorin? Hidhe, hidhe, se
po më tremb, mua dhe vajzën e vogël.
Sula vazhdon t'i vijë rrotull krevatit, krejt i hutuar… Ç'të bënte?
S'qe e lehtë… Pastaj fajin, më së shumti, e ka ky… jarani, donzhuani... Ky
duhet goditur. Kthehet shpejt nga Kosta, po ai i bërtet, duke u zmbrapsur:
- Dale, dale, ç'ke, ç'ndien? Je keqkuptuar! Të kanë shtyrë të
tjerët, armiqtë tanë, të poshtrit. Të lutem, ndalu, përqendrohu!… Përqendrohu!
- Si, more, maskara i maskarenjve?! Mbahesh kaq gjakftohtë dhe
akuzon, kur shkel paturpësisht kurorën e tjetrit, duke dhunuar shtëpinë time?
- A, tani e mora vesh, përse je kaq i egërsuar, përse dyshon. Si
s'ke turp, more i pafytyrë, të dyshosh për mua? Edhe kush, ti që ke harruar
detyrat njerëzore si bashkëshort, megjithëse, siç më tha, ajo të paralajmëroi që
ishte e sëmurë. Ti për sedrën tënde prej kapadaiu dhe, duke parë vetëm bythën
tënde, u nise për në Tiranë të japësh provimet e formimit dhe të marrësh një
copë diplome. Po ç'të duhet ajo paçavure ty, more matuf, ndërkohë që gruaja po
të vdiste?! Ajo do të kishte vdekur, more i pafytyrë, po mos të kisha ardhur unë
me vrap, sa e mora vesh rrezikun e madh. Hidhe atë palo thikë, që ma mban si
flamur të paburrërisë dhe ulu këtu të bisedojmë qetësisht, si miku me mikun.
- Ç'thua, more, ç'flet, ç'përrallis? Unë të të gjej në shtëpinë time
vetëm për vetëm me gruan lakuriq, me portë mbyllur me çelës dhe ti të më hiqesh
si shenjtor, mandej si shpëtimtar?! Mos u shtir kaq i zgjuar, veç një pusht je,
një maskara i pacipë dhe mashtrues profesionist. S'i ha kush këto marifete. Kaq
të shkuan, tani more fund.
` -Po ti sytë në ballë i ke. Nuk më sheh që jam krejt i veshur, madje,
dhe me kapërdinë të kopsitur gjer te kopsa e fundit. Të ishte siç dyshon ti, do
të ishim të dy lakuriq. Po, rri, rri, qetësohu, hidhe thikën…, bravo. Tani
dëgjomë mua… s'ka gjë se bëre gjithë atë zhurmë dhe gjithë ato llafe. Qetësohu!
Nuk vjen dot njeri nga jashtë, se portën e kam të mbyllur sërish me çelës. Ti,
me sa duket, dyshon për keq. Se, larg qoftë, kam ardhur për seks. Kjo nuk është
aspak e vërtetë, se unë jam i martuar dhe e kam gruan time, gjithashtu, të re
dhe të bukur… Unë, të thashë, sapo erdha. Më lajmëroi Lola në telefon, se ishte
me kriza zemre dhe shyqyr që kisha trinitrina me vete. Ato e rikthyen në jetë.
- Rri, - të thashë, - mos i shto gënjeshtrat dhe poshtërsitë. Unë e
di mirë. Ti ke mbi një orë që ke ardhur. Portën e hape pas dhjetë minutash, duke
më lënë mua, të zotin e shtëpisë, t'i bija e t'i bija ziles dhe çokut, ndërsa
çelësin e kishe lënë, qëllimisht, kryq. Gjatë kësaj kohe mund të visheshe pesë
herë.
- Le të mendojmë një çast të kundërtën. Atë që nënkupton ti. Po si,
more budalla, për një dyshim dhe marrëzinë tënde kërkon të na shkatërrosh të
gjithëve? Pastaj, ku do ta gjesh ti, more kërriç, këtë kreatyrë engjëllore, këtë
bukuri të rrallë, që e lakmon kushdo dhe që e pate fat ti. Po vajza jote e
pafajshme, çdo të bëhet: jetime me baba gjallë, se ajo me ligj do t'i ngelet së
ëmës… Po për mua nuk mendon, që do të humbas familjen dhe karrierën. Po për
Partinë dhe Shtetin nuk mendon, që do humbasin një kuadër, siç jam unë, me kaq
rëndësi e të përgatitur jashtë shtetit, me shumë shpenzime? Aq më tepër që e
gjithë kjo s'është veçse një iluzion i kotë.
- Qenke fare i pacipë. Vërtet s'paska vlerë t'i ndyje duart me ty,
fëlliqësirë. Jemi me mentalitete e tradita krejt të kundërta. Unë tani e kam më
se të qartë që jetën më duhet ta nis nga e para dhe ta jetoj, ashtu siç është
ajo në të vërtetë, me vuajtje, halle dhe dëshpërime dhe jo shesh me lule, siç e
pandehja. E di që do ta kem të vështirë dhe këto vite bashkëjetese me Lolën do
t'i kujtoj shpesh, por më mirë që e njoha shpejt se sa e cekët, e lehtë dhe e
dobët ishte.
... Do mbahet mend mençuria dhe gjakftohtësia si e zgjidhi këtë çështje Sula,
shoku im i dashur dhe fatkeq. Ai i lajmëroi gjitonët, që e prisnin të gatshëm
dhe me ta, pasi njoftoi organet përkatëse, hartoi një procesverbal për dhunim
banese e shkelje kurore.
Pas kësaj, po atë natë, e përgatiti Lolën dhe e nisi te prindërit e
saj, madje duke e shoqëruar vetë. Edhe procesin gjyqësor për divorcin e ndoqi
dhe e zgjidhi fare i qetë.
~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~
Prova kryesore e madhështisë së vërtetë të një njeriu qëndron në perceptimin e
vogëlsisë se vet.
Doylo
BRENGA PËR KOHËN E HUMBUR
Ishte një periudhëfort e vështirë në vendin tonë, kur nuk po
kuptohej se ç'bëhej. Një pasiguri e përgjithshme për punën dhe për jetën. Dita
fillonte me gjimnastikën e mëngjesit, po nuk dihej ku e kur do të
mbyllej.
Zhvilloheshin mbledhje të shpeshta dhe të gjata, aq sa ishte bërë proverbiale
shprehja:"Nga mbledhja vjen, në mbledhje shkon dhe mbledhja s'di se kur mbaron"
ose bëhej pyetja me humor, që duket se kishte ardhur nga Rusia: "Kur do të bëhet
ajo mbledhja e madhe, që të mbledhë gjithë këto
mbledhje?"
Kudo kërkoheshin vullnetarë për të populluar fshatin, sidomos malësinë
dhe vendet e shkreta: "T'u qepemi maleve dhe t'i bëjmë ato pjellore, ashtu si
fushat". Hajde shpikje, hajde! Në Evropën Perëndimore vetëm 5 deri 10 përqind e
popullsisë banonte në fshat, teksa te ne 70 përqind dhe përsëri duhet të shtohej
fshati me popullim të ri.
Një pjesë e jetës kalohej nëpër zbore ushtarake, ku organizoheshin "lojëra" të
lodhshme, që asokohe i quanin "si në kushte lufte".
U denoncua Traktati i Varshavës, një pakt ushtarak i përbashkët i vendeve
socialiste, kundërvënie e NATO-s. Dhe ky ishte vërtet një akt i guximshëm. Po
nuk dihet pse u lidhëm me Kinën e Madhe, që na thuhej se na garantonte deri
sovranitetin dhe mbrojtjen ushtarake direkt, pavarësisht nga largësia
territoriale prej mijëra kilometrash. Kjo quhej si shpëtimi i dytë i Shqipërisë.
Aq shumë kapeshim pas kësaj teze, sa atëherë një lektor, diku në një fshat të
Vlorës, në një mbledhje kooperative tha: "Me numrin e madh, mbi një miliard
banorë, që ka Kina Popullore, sikur ata vetëm një ditë të agjërojnë, ne na
furnizojnë me ushqime, sa të hamë gjithë vitin" Një guximtar, që kishte dëgjuar
se ata hanin çdo gjë që kishte toka, veç njeriut dhe çdo gjë që kishte qielli,
veç avionëve, si me shaka tha: "Mirë, more shoku i deleguar, thua ti dhe ne të
besojmë, se është krejt logjike kjo që thua po, në qoftë se racionin e ngrënies
të asaj dite ata ta kenë bullarë (gjarpinj, dua të them), ne, gjynahqarët,
gjithë vitin bullarë do të hamë?"
Ishte kjo panorama në miniaturë e gjendjes social-ekonomike të vendit tonë kur,
drejtorin tonë të mirë të ndërmarrjes ku unë punoja, të ndjerin Haxhi Xhemali,
një ish-partizan dhe më vonë sindikalist e që u bë deri Kryetar i Bashkimeve
Profesionale të Rrethit Vlorë, e dërguan në fshat si Kryetar të Kooperativës
Bujqësore të Lepenicës së Vlorës dhe në vend të tij emëruan Nesti Qafëzezin, një
ish-teknik nafte nga Korça, mik i Sekretarit të Parë të Partisë të Rrethit, që,
gjithashtu, ishte korçar.
Kishim dëgjuar që Haxhiu kishte bërë fjalë dhe ishte zemëruar keqas me Nestin,
jo vetëm se i kishte zënë vendin në qytet me anë miku, po ngaqë kishte marrë
vesh se Nesti e përgojonte atë, e quante të paaftë dhe se kishte thënë "Atë kokë
pati, atë qylaf i vunë". Kjo, ishte për të qarë...
Në një mbasdite, pasi kishim bërë pushimin e drekës në shtëpi, me
disa shokë pune ishim ulur në një qoshk të bar-restorant "Sazani", lokali më i
mirë i qytetit, dhe po pinim nga një kafe. "Sazani" sapo ishte restauruar dhe
zbukuruar me kollonatat e sallës së madhe të veshura me pasqyra të larta
kristali. Aty, fare ngjitur me ne, me tre shokë të tij ishte ulur dhe Nesti
Qafëzezi. Ata po pinin nga një krikëll birrë dhe të shkujdesur, po bisedonin me
zë të lartë, çakërrqejf, për hesap të tyre, siç bënin aty shumica e klientelës
vlonjate.
Ndërkohë, Haxhi Xhemali, që sa kishte ardhur nga fshati për një mbledhje në
Seksionin e Bujqësisë, hapi derën e lokalit dhe aty përballë, në krye të sallës,
pa se ishin vendosur dhe po hanin, po pinin dhe po çirreshin rivali dhe shokët
e tij gazmorë. I befasuar kujtoi se ata, që instinktivisht kishin kthyer të tre
kokën nga dera, që u hap me zhurmë, po e përgojonin dhe po qeshnin me të, për ta
tallur. Një shtysë e vetvetishme e bëri qe, shpejt e shpejt, të kapë një shishe
birre të zbrazët nga tavolina më e afërt dhe t'ia vërtiti fluturimthi drejt
Nestit. Ai, për fat, u shmang dhe shishja goditi pikërisht pasqyrën e madhe të
kristaltë. Pas kësaj filloi ndeshja me të sharra dhe me grushte, derisa hymë në
mes ne dhe i ndamë.
Ishte një kohë e humbur kot për shumëkënd e pa sigurt, e mërzitshme dhe me
shqetësime. Dukej se një kob, si një mallkim i madh, kishte pushtuar mbarë
vendin. Ndihej dhe përjetohej një rënie në mjerim e varfëri, pas një lulëzimi e
përtëritje gjatë kohës së miqësive të mëdha dhe kjo pikërisht pas shkëputjeve
fatale, të shpejtuara e të pamerituara, me dy kolosët botëror rus dhe kinez.
Duket se nga pushtetarët e hutuar kërkoheshin rrugë të reja shpëtimi. Qytetarët
nuk dinin nga të venin për të zgjidhur hallet dhe problemet e tyre. Njerëzit nuk
arrinin të shpjegonin dot lëvizjet dhe transferimet e tyre dhe për asnjë ankesë
nuk gjendej rrugëzgjidhje. Ishte një brengë për kohën e humbur kot. Jeta u bë
për t'u qarë. Shpresoje për më mirë e bëhej më keq...
Haxhiu, babaxhan, ishte edhe më fatkeq se, pas një viti vdiq, ashtu
siç e ndjente veten, i dëshpëruar, i braktisur dhe i shqetësuar, pas një të
ftohti që morri, gjatë rrugëtimeve për në fshat. Shkaku ishte fare i kot: një
reaksion peniciline i neglizhuar nga dëshpërimi dhe i pa përballuar në kohë.
Nuk bëjmë atë që duam e megjithatë jemi përgjegjës për atë që jemi
Sartri
NJË SHAKA E HIDHUR
Llazar Gjoka, miku im i vjetër, bashkëstudent i Fakultetit Ekonomik në
UShT, për ca kohë, kishte qenë në detyrën e Zëvendësministrit të Financave dhe
erdhi në Vlorë nga Tirana. Ai u caktua Zëvendëskryetar Komiteti në Rreth. Aso
kohe unë punoja në Kombinatin e Konservave "Ernest Telman".
Ishte sezon veror dhe në Kombinat përpunohej domatja e fushave dhe
ç'kishte ngelur nga serrat, në rrethet e Vlorës, Fierit dhe Lushnjës. Prodhohej
salcë domateje. Salca nxirrej me cilësi të lartë. Ambalazhohej në fuçi druri, në
kuti teneqeje dhe në tubete alumini, me drejtim eksportin, kryesisht në
perëndim. Siç dihet, për prodhimin e salcës kërkohet avull dhe ujë teknologjik
në sasi të mëdha dhe në mënyrë të pandërprerë. Ndërprerja e ujit rrezikonte jo
vetëm dëmtimin e cilësisë së salcës, po edhe ndryshimin e drejtimit të saj, për
t'u përdorur në vend, çka rrezikonte raportet e bilancit valutor. Gjithashtu,
nga kjo mund të dëmtoheshin dhe domatet e vjela në sasi të mëdha. Domatet aso
kohe mbushnin rampat e depozitimit në kombinat, në automjetet, që shpesh rrinin
radhë njëra pas tjetrës, me kilometra, deri te "Pusi i Mezinit", si dhe në
vendet e depozitimit në fushat e prodhuesve. Kjo gjendje ndodhte dendur dhe
përbënte një shqetësim fort serioz, për mua, si drejtues në Kombinat, por edhe
për organet e pushtetit dhe të partisë në të tre rrethet e jugut te vendit e
deri në qendër.
Një ditë uji u ndërpre më shumë se zakonisht dhe radha e automjeteve
zgjati rrugës deri në fshatin Panaja. Pasi kisha bërë ndërhyrje drejt
përsëdrejti në organizmat përkatëse komunale, unë, duke përfituar edhe nga
njohja e vjetër, për ta shpejtuar zgjidhjen e problemit serioz, mora në telefon
direkt shokun Llazar Gjoka, aq më tepër që ai mbulonte dhe sektorin e ekonomisë
nga ana e kryesisë së Komitetit Ekzekutiv. Më priti me mjaft ngrohtësi. Meqë
sapo kishte ardhur në Vlorë, mu desh t'ia shpjegoja me hollësi pasojat e rënda
dhe dëmet e shumta të ndërprerjes së gjatë të furnizimit me ujë.
- Rri i qetë, Luan. Ki besim! Tani të kuptova drejt dhe do ta çoj
vetë deri në fund zgjidhjen e këtij problemi kaq të rëndësishëm.
Ç'ndodhi më pas… Edhe vetë, i ziu Llazar, si i ri që ish në atë
detyrë, po dhe pak naiv, nuk dinte nga ta kapte fillin për zgjidhjen e këtij
lëmshi. Ai, në Vlorë, nuk e dinte si funksiononte dhe si administrohej furnizimi
dhe lëvizja e ujit. Me kalimin e minutave filloi të ndiejë edhe përgjegjësinë që
e mori krejt mbi vete zgjidhjen e këtij problemi. Të pyeste të tjerët? Jo, se i
ulej autoriteti. Ai ishte në fillim të karrierës. Edhe në Vlorë mund ta quanin
të pa aftë dhe të ngathët, siç kishte pasur,
ndonjëri, mendimin
për të në Tiranë. Jo, në asnjë mënyrë. Ky është një problem i lehtë, çështje uji
është, fare i thjeshtë. S'është i komplikuar, si puna e buxhetit të shtetit, ku
kishte pasur rast të tregonte aftësitë e tij të mëparshme. Duke e vrarë mendjen,
ashtu në boshllëk, i sheh syri, diku aty te cepi tavolinës, librin e numëratorit
telefonik. Hë, tha shpëtova, më duket. E hap dhe nis të lexojë me radhë A-në,
B-në, C-në, ndalet te D-ja. Gjen Drejtoria e Ujërave. E nënvizon me të kuqe. Do
t'i duhej dhe herë tjetër.
-Alo! Më dëgjoni?Drejtorin, dua. Jam Llazar Gjoka, Zëvendëskryetari
i Komitetit Ekzekutiv të KP Rrethit Vlorë, foli, sipas etikës zyrtare të
prezantimit, se ai kot nuk kishte punuar kaq kohë në Tiranë. Zëri në telefon i
buçiste. E kishte të trashë e autoritar, zë basi.
- Po, unë personalisht jam, drejtori Kamber Aliko. Urdhëroni, me se
mund t'ju ndihmoj.
- Po ky pse flet kështu në telefon. Çka që i dridhet zëri? Llazari nuk
e dinte dhe nuk mund ta merrte me mend se abonenti në fjalë, ishte me një defekt
të rëndë në nofull, shkaktuar nga një plagë e thellë lufte.
- Gëzohem shumë, - përgjigjet Llazari. Kam dëgjuar për ju (ia fut
kot për intimitet) dhe kam konsideratë e besim të veçantë. Kam një shqetësim të
madh. Më mori në telefon nga Kombinati i Konservave Luani, që është dhe një
shoku im i vjetër i shkollës, nga ata të paktët që kam, tani për tani, këtu.
- E njoh, e njoh, ia pret bisedën, për mos të humbur kohë, Kamberi.
E njoh, se është njëkohësisht baxhanaku i shokut tim më të mirë, Qani Kamberit.
Urdhëro e fol!
Shoku Llazar, si burokrat me përvojë, nga ata që kanë borxh të të
mbajnë gjithë ditën në telefon, filloi t'i shpjegojë Kamberit të paduruar
pasojat që shkakton ndërprerja e ujit teknologjik në linjat e prodhimit të
salcës së domateve. Pasi ia shpjegoi me hollësi, aq sa ai mendoi se ia mbushi
mendjen Kamberit, që pothuajse nuk e dëgjonte fare, vazhdoi:
- Unë kam dëgjuar që ju keni një çarje të madhe në tubacionet kryesore të ujit,
se ndryshe nuk do të ndodhte kjo katastrofë, por…
- Po, mirë, o vëlla i dashur, unë, personalisht, si Kamber ç'hyj në
këtë mes? Ç'të bëj unë, të lutem shumë?
-Po, pse, të lutem, gjithashtu shumë. Unëdo të të mësoj ty se ç'të
bësh? Problemi është me rëndësi kombëtare, se ka lidhje me eksportin, me
sigurimin e të ardhurave të buxhetit të shtetit, që do të përdoren për
investime, për të ardhmen e vendit tonë socialist, për mbrojtjen e Atdheut, për
jetën tonë… Lëre çdo punë tjetër dhe merru me zgjidhjen urgjente të furnizimit
me ujë të Kombinatit. Unë të sugjeroj që këtë punë mos t'ia lësh në dorë
vartësve të tu të plogët, por ta drejtosh vetë. Të sugjeroj,gjithashtu, që të
organizosh një aksion me goditje të përqendruar, ndërto variantin më optimal.
Unë…
- O shoku Llazar!
- S'ka shoku Llazar këtu! Zbato urdhrin! Si në kohë lufte. Kot nuk je Drejtoria
e Ujërave.
- Si?
- Ja, kështu, bindu urdhrit, dakord?
- Mirë, mirë, por unë nuk kam ç'bëj. S'kam gjë në dorë, vetëm po… t'i
kthej Harvalanë, vetëm atë disponoj unë. Kjo zgjidhje ironike i erdhi aty për
aty në mendje, se ishte një shaka pikante e përsëritur edhe për një rast tjetër
analog.
E ku ta dinte nënkryetar Llazari që Harvalaja nuk ishte gjë tjetër veçse
rezervuari malor më i madh i Vlorës, ku grumbullonte ujërat e zonës, që
përdoreshin për vaditjen e tokave. Në të vërtet Drejtoria e Ujërave me drejtor
Kamberin me këto lloj ujërash merrej, i grumbullonte, nëpërmjet rezervuarëve dhe
i shpërndante me anën e rrjetit të kanaleve, për të vaditur tokat bujqësore
shtetërore dhe kooperativiste.
- Hë, bravo! E dija që do ta gjeje rrugën e zgjidhjes.
Pas dy orësh mua më thërresin me ngutje në telefon. Të kërkon
Zëvendëskryetari.
- I dashur Luan! Fli i qetë. Problemi u zgjidh më së miri. Shoku
Kamber Aliko, më së fundi, u bind. Ai urdhëroi të kthehet, në drejtimin tuaj,
Harvalaja, që do të thotë drejtimi rezervë i furnizimit me ujë të bollshëm.
Gjumë të ëmbël!
Kjo përgjigje, me variant Harvalanë, një barceletë tashmë e njohur
për vlonjatet, ishte këtë radhë, një shaka e hidhur, pas së cilës pati pasoja të
rrezikshme, shoqëruar me milionë lekë dëm.
Bota është e ndarë me të mirë e me të këqinjë, të mirët flenë më mirë natën, të
këqijtë e kalojnë më mirë ditën
W. Allen
SEKRETARI SHPIRTGRYMUR, PEHLIVAN E DREDHARAK
Sul Bala sapo kishte ardhur në Vlorë me detyrën e Sekretarit të Parë të
Komitetit të Partisë së Rrethit. Siç dihet, kjo detyrë, për zonën që mbulonte,
ishte mbretërore, komandë e vetme drejtuese dhe urdhëruese për gjithë jetën
politike, ekonomike e sociale të juridiksionit përkatës. Asgjë themelore nuk
bëhej, në asnjë qelizë jete, pa dijeninë dhe lejen e Sekretarit të Parë. Deri në
njëfarë mase, si të ishte ky person, ashtu do të ishte e gjithë fizionomia
rajonale. Nga ai varej frenimi, zbythja apo ecja para.
Sula, që në fillim e prezentoi veten si dorë e hekurt, njeri që
qëllonte si me topuz e të bënte gjëmën, por, njëkohësisht, shumë i mbrapshtë, që
veçbërtiste gjithë ditën e shante para e mbrapa, me një fjalor që do t'ia kishin
zili dhe rrugaçët më të rëndomtë. Me sa duket ishte mësuar në veri, me tradita
bajraktarizmi, ku nuk gjente asnjë farë kundërveprimi... Duhet thënë, për hir të
së vërtetës, se kuadrot dhe komunistët e Vlorës, me të cilët ai kishte
marrëdhënie të përditshme, të çuditur dhe të hutuar nuk reagonin, por e duronin
dhe prisnin deri ku do shkohej. Ata ngurronin të kundërvepronin më shumë, se
shumica e tyre ishin plot merita lufte e pune dhe mendonin që ai përfaqësonte
Partinë, idealin e tyre, por dhe, siç thuhej, kishte lidhje të forta lart. Këto
janë një kapitull më vete, por unë do të përqendrohem te një ndodhi nate të
jetuar, kur punoja në Kombinatin e Konservave të Vlorës.
Atë natë shoku Sul kthehej nga Tirana, ku kishte marrë pjesë në një
mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Mesnatë. Dimër. Në shtëpinë e
vet nuk e priste njeri, se ende nuk ishte mbartur familjarisht në Vlorë.
Në Kombinatin e Konservave shumica e fabrikave punonin me tri
ndërresa, për natyrën e veprimtarive sezonale, të kaldajave, furrave dhe
frigoriferëve, ndalesa e të cilave shoqërohej me dëme të mëdha ekonomike dhe me
mbishpenzime. Në turnin e tretë nuk punohej me vrull, po, si të thuash, gjendej
Kola në punë. Diku edhe flihej.
- Ku është ai dezhurni? A ka nëpunës roje këtu? - bërtet me zë të
lartë e të çjerrë, i egërsuar Sula, kur sheh që s'e begenisin, s'e presin dhe
s'i përkulen.
Nga zyra e nëpunësit të rojës, detyrë që bëhej me radhë, sipas një
grafiku nga të gjithë nëpunësit, del Metja, dezhurni i asaj nate, një burrë i
moshuar, shumë i qetë dhe i sjellshëm, Përgjegjës i Fabrikës së Miellzimit të
Peshkut.
- Urdhëroni, kush më kërkoi? Uau! Shoku Sul! Më falni, po ju, si u
gjendët këtu, se portën e madhe e shoh të mbyllur dhe çelësin e kam unë të varur
aty brenda? Shikon edhe njëherë nga porta. Jo, s'i kishte thyer kush zinxhirët.
Ngre kokën: ajo katër metra e lartë, e gjitha me hekur!
- Edhe ke guxim të më pyesësh si hyra? Maskara! Ti po flije! Të zura
në gjumë.
- Jo, shoku Sul. S'e bëj unë atë. E kam zakon që nga lufta. Rrija
brenda, siç e kemi rregullin, për telefonin, po edhe sepse shumë ftohtë është
sonte.
- Në gjumë, në gjumë të gjeta, jashtë loje, je i djegur, je jashtë
gatishmërisë luftarake. Për këtë pushohesh nga puna... Dhe, pas pak, sheh një
grumbull punëtorësh kuriozë. Po ju, të tjerët, nga mbitë këtu?
- Ne jemi punëtorë të frigoriferit të madh, aty pranë. Dëgjuam
zhurmë, ju pamë juve në dritën e projektorit, ju njohëm dhe, në shenjë respekti,
erdhëm t'ju përshëndesim. Në emër të shokëve u përgjigj më i riu, Veliu, një
dukatas i zgjuar, i shkathët dhe shakaxhi.
- Hë, ti hajde tëmë shoqërosh, jo ky burokrati gjumash, i pushuar nga
puna. Unë dua tëbëj një vizitë kontrolli te punëtorët e turnit të natës. Ku po
punohet tani?
- Urdhëro, shoku Sul! Është nder i madh për mua, - thotë Velua.
Dhe nisën të vizitojnë punëtorët në turnet e natës. Ndërkohë, një nga
frigoriferistët ishte nisur më parë dhe i kishte njoftuar ata, për mos t'u zënë
gafil nga ky kontroll superior, i befasishëm.
Duke shkuar rrugës për te punëtorët, sekretari entuziast pyeti:
- Po, nga mënjohe mua ti, o Velo?
- Si mos të të njihja. Ju jeni një nga burrat më të shquar të
Kombit. Ke luftuar, i dërguar nga Partia, si një nga komisarët e parë shqiptarë
në Kosovë, ke qenë Sekretar i Parë në Dibër e në Durrës. Atje në Dibër ke
shpikur edhe atë që u quajt lëvizja e madhe me goditje të përqendruar, në formë
aksioni…
Sulës iu bë shumë qejfi. Këta vlonjatët, mendoi, nuk qenkan aq të pabindur, aq
të painteresuar e mendjemëdhenj. Ja Veliu, një punëtor i thjeshtë dhe po
tregohet i kulturuar dhe me bagazh.
- Po, mirë, o shoku Sulo, nisi të hapet Veliu, po këtë natë të egër
gjete ti për kontroll? Nuk ke frikë se merr ndonjë plevit, me këtë moshë që ke
dhe, largqoftë, kushedi se ku përfundon? Nuk qetësohesh fare, more burrë, nuk
çlodhesh, nuk ha, po më vjen direkt nga një rrugë kaq e largët, duke u kthyer në
mesnatë nga Tirana, ku je nisur që pa gdhirë?
- Kështu na ka kalitur Partia dhe shoku Enver!
- Bravo, Sulo, bravo!
Kishin mbaruar kontrollin dhe po ktheheshin. Patën mbërritur, tamam,
kundruall portës së madhe të hyrjes, e cila ende qëndronte e mbyllur me çelës
dhe me ata zinxhirët e rëndë.
- Po, mirë, o plakush i dashur, - vazhdoi pyetjen Velua i
dëshpëruar, kur, aty, ulur nënjë gur pa Meten e pushuar nga puna, me kokë të
varur poshtë e që gati qante nga shqetësimi për fatin e kalamajve të vet dhe që
dridhej nga të ftohtit, - porta është e mbyllur me zinxhirë, ti nga kalove?
- Si, nga kalova? U ngjita nga hekurat pa vështirësi, - u mburr, me
krenari, pa u thelluar, sekretari.
- Pse, ore, pehlivan je ti? Dhe vazhdoi më tej: Më duket se është
hera e dytë që e bën këtë. Nga mania për të zënë njerëzit në gjumë, ti
kacavirresh nëpër porta e mbi tela, si tarzan Gjyzeli.
- Po, e vërtetë është, kam hipur dhe një herë tjetër dhe prapë në
gjumë e gjeta dezhurnin tuaj.
- E po, për herë të tretë nuk do të kalosh dot, - i tha me vendosmëri
punëtori i mençur Velo, që s'kishte se ç'të humbiste dhe vazhdoi: Ne mbi telat e
portës do të lëshojmë korrentin elektrik dhe, po guxove të hipësh, do të ngelesh
aty si monument kulture.
Sulës i erdhi krejt papritur. Vetëm në këtë çast ai e kuptoi se
Veliu, nga Dukati i Vlorës, po tallej me të, që herët në mëngjes.
- Luanin, - tha, - Luanin e dua sot nëora dhjetë të jetë lart në
zyrë tek unë, të japë llogari për këta të papërgjegjshëm dhe horra, që ka
grumbulluar rreth vetes.
Dhe atje, në zyrën e sekretarit, unë e di se ç'hoqa.
Ka diçka më të keqe se veset-virtytet false
A. Karr
EDHE QENI PLAK TË KAFSHON
Sul Bala u caktua në një kohë të vështirë si Sekretar i Parë i Komitetit të
Partisë të rrethit të Vlorës, kur ishte në moshë të madhe. Ai erdhi nga zonat e
ftohta të veriut, i pamësuar me temperamentin e ngrohtë jugor dhe e tregoi
veten, i ndikuar nga plotfuqishmëria kanunore bajraktariste e detyrës, si një
plak antipatik, despotik e dashakeq.
Shoku Sul sa erdhi, kërkoi e diktoi nënshtrim të plotë për të gjithë. Ai, brenda
pak ditëve, nëpërmjet rrjetit të tij vetjak sekret, shumë shpejt, mori vesh për
lidhjet, aftësitë, meritat dhe autoritetin e punonjësve kryesorë të rrethit, që
do të kishin fatin të ishin bashkëpunëtorët e tij të afërt. Në këto rrethana u
njoh dhe me veprimtarinë e Qani Kamos, që ishte drejtor në një ndërmarrje
bujqësore dhe Kryetar i Komisionit të Bujqësisë në Këshillin Popullor të
Rrethit. Sula filloi ta shihte me xhelozi popullaritetin e pazakontë të Qaniut
dhe, si për disa të tjerë, përpunoi një program të posaçëm përgjimi, ndjekjeje,
kundërveprimi e deri asgjësimi. Ata u futën në "listën e zezë", së bashku me
kuadro tëtjerë, që i quajti rivalë dhe pengesë serioze për punët e tij.
Shoku Sul, sipas programit të vet, në fillim u rrek t'i ulë dinjitetin faqe të
tjerëve dhe për ta zbehur personalitetin e Qaniut. Kështu, një ditë para
fillimit të një takimi në mes të sheshit, ku kuadrot e rrethit prisnin duke
biseduar në grupe të vogla, shoku Sul kroi zërin e tij dhe me ton autoritar, i
ngrefosur, iu drejtua Qaniut:
- Të kam urdhëruar, me një qarkore të posaçme t'u bëje punime ullinjve, buzë
xhadesë që vjen prej Tirane, se, siç e di, presim ta vizitojë Komandanti qytetin
tonë. Ne Atij duhet t'i tregojmë me vepra se këtu punohet. Po, ti, o Qano, si
gjithnjë, të kundërtën bën. Gjithnjë kundër porosive të Partisë po vihesh,
gjithnjë po më kundërvihesh edhe mua, personalisht. Kjo duket edhe për këtë
rast, kaq domethënës. Po ja ku po ta them sot, faqe këtyre burrave: do të hash
kokën tënde. Bash këta ullinj do të ta hanë kokën!
Qani Kamoja përgjigjet i qetë, aty për aty, në mes të mexhlisit, po me
kundërpyetje:
- Po, pse, o shoku Sul, këta ullinj të bekuar, vetëm kokën time do të hanë? Po
kokën tënde, jo? Pasi heshti një minutë, për mos t'u keqkuptuar dhe pa lënë
mundësi replike, vazhdoi me një argument historik… Siç dihet, ullinjtë e kësaj
zone janë shumë të hershëm, janë mbjellë nga vendësit që në kohë të venecianëve
dhe në këta pesë shekuj gjelbërimi të përhershëm kushedi sa koka kanë ngrënë dhe
në pesëqind vjetët që do të rrojnë, kushedi sa koka të tjera do të hanë.
Padyshim timen dhe tënden, po.
Sul Balo Kaposhi u bë pulë e lagur, sqepmbyllur.
Qëndrimet burrërore dhe të mençura të Qani Kamos janë bërë legjendë, të denja të
përcillen ndër breza.
Sapo ishte ngritur në përgjegjësi qeveritare shkodrani energjik Muho Asllani dhe
ishte emëruar zëvendësministër i parë i Ministrisë së Bujqësisë, menjëherë
drejtoi organizimin e një "Konference Shkencore" në një nga sallat e Pallatit të
Madh të Kulturës në Tiranë. Për Konferencën u bë një punë e kujdesshme
përgatitore me parulla, pankarta, fletë volante dhe ftesa të veçanta për të
gjithë drejtuesit dhe specialistët kryesorë të ndërmarrjeve bujqësore të vendit.
Referatin kryesor e mbajti personalisht organizatori Muho Asllani, një kuadër i
ri, i përzgjedhur direkt nga udhëheqja e lartë, pas një "seleksionimi të
kujdesshëm". Shoku Muho quhej drejtues me perspektivë, shpresë e ardhshme për
udhëheqjen e vendit.
Në radhën e parë të dëgjuesve, krahas të ftuarve më të zgjedhur,
kishte zënë vend edhe Qani Kamoja, si kuadër i vjetër, që kishte edhe meritën se
i takonte brezit të nderuar të luftëtarëve ish-partizanë. Të tillë ishin të
rrallë në këtë sallë, aq sa mund të numëroheshin me gishtat e dorës.
Në të vërtetë,shokut Qani nuk para i pëlqenin këto farë
konferencash, që ai i quante punëtë kota të rrafshit thjesht teorik. Ai ishte
njeri i punës dhe i aksionit dhe ndiente më shumë kënaqësi kur shkencat e
sektorit bujqësor e blegtoral zbatoheshin në praktikë dhe kur përziheshin me
baltën, "burimin e të gjithë mirësisë në botë", siç thoshte ai..
Qaniu rinte atje, në krye të sallës së madhe, si angari, me kokën ulur, që veç e
ngrinte dhe e tundte ndonjëherë, në shenjë miratimi e nderimi, pa denjuar të
dëgjonte fare për çka po fliste shoku dhe miku i tij i ngushtë, i porsangritur
në qendër, në këtë pozitë kaq të rëndësishme. Duke e ulur kokën poshtë ai pa si
i çuditur këpucët e tij llustrina, që edhe i shtrëngonin pak, se i kishte veshur
për herë të parë, duke zëvendësuar çizmet e përditshme. Në këtë pozicion po
mendonte dhe i vinte keq se po e kalonte kohën dëm. Do të qe ku e ku më mirë të
ishte ndërmjet traktoristëve të tij të dashur, për të drejtuar nga afër fushatën
e madhe të mbjelljeve pranverore ose të paktën të ishte i ulur me shokët e të
tij gazmorë, në mbrëmjet pas pune, duke biseduar thjesht për punët e bujqësisë
praktike, para mezes së mirë dhe një boce me raki rrushi… U kujtua ku ishte dhe
sërish ngriti e tundi kokën.
Sapo mbaroi referati, shoku Muho e thirri nga tribuna Qaniun dhe, duke i hedhur
krahun, duke shëtitur në hollin e madh, pasi kaluan çastet përshëndetëse, e
pyeti shokun e vjetër e të dashur, gjithnjë me humor të këndshëm e kuptimplotë:
- Si t'u duk referati, o Qano?
Qaniu, sikur s'e dëgjoi fare atë lloj pyetjeje, i përgjigjet:
- Po t'u referohesh vrojtimeve të bëra nga specialistët më të mirë të bujqësisë
të rrethit tonë, këtë vit me prodhimin e ullirit do të jemi rekord. Siç i themi
ne andej, ky do jetë "vit ulliri".
- E, e… Bravo ju qoftë! Po referati im si t'u duk?
- Djalin e madh, ti e mban mend? E fejova me një vajzë të mirë, nga derë e parë
dhe me arsim të lartë. Për atë e mblodha mendjen.
- Ashtu? Gëzohem shumë. Më bahet qejfi…
- Po referati jem si t'u duk?
- Thuaj: "Shyqyr Dakes", o Muh Artunda!
- Qano! A luajte menç, a… Ç'është kjo Dake?
Deri këtu, nuk luhet dot më tutje, mori vendim Qaniu. Ky më pyet mua, nëse kam
luajtur menç, kurse paska luajtur vetë fare nga fiqiri. Kaq kapadai qenka bërë.
Nuk e mbaj më, do t'ia përplas, që ta mbajë mend. Kështu bëj dhe një detyrë
partie, si mik që e kam:
- More, shoku Muho! Po kaq shpejt e harrove Daken?! Po qenke bukëshkalë, more
burrë. Të paska fluturuar mendja mbi flokë. Po "Shkolla e Dakes", o vëlla. Ajo
që mbaruam bashkë këtu në Tiranë! Kaq shpejt e harrove? (Ata të dy dhe shumë
kuadro të tjerë, në të vërtetë, drejtues të zgjedhur dhe të afirmuar, po pa
arsimin përkatës, i kishin grumbulluar pranë Institutit të Lartë Bujqësor dhe
atje kishin kryer një kurs superior me ekuivalencë diplome për agronomë) Se, po
të mos qe Dakja, vazhdoi argumentimin praktik shoku Qani, unë dhe ti ndonjë
brigadier arash do të ishim. Do të ishe ti, se unë, meqë kam bërë edhe luftën,
mund të shkoja deri përgjegjës sektori.
Meqë e ke merak dhe ngule këmbë, pesë herë të vlerësoj referatin, që kush e di
se kush ta ka përgatitur, po ta them me gojën plot, se atë e lexove shumë mirë.
- Qano, more vëlla! Hajde të të puth. Veç një mik e shok i ngushtë nga Vlora
mund të të flasë kaq sinqerisht. Këtu në dikaster, në punën e re, kam rënë keq
në mes të servilëve. Duke të dëgjuar, mendova thellë. Ky referat më shërbeu
shumë. Të jap fjalën që do ta kontrolloj më mirë veten. Hajde të të puth edhe
një herë me dashuri, o mësuesi im i përhershëm...
Kaluan vite dhe Muho Asllani, me zotësinë dhe shkathtësinë e tij, si me
katapultë, i ngjiti të gjitha shkallët e hierarkisë shtetërore dhe partiake dhe
u bë ndër dhjetë burrat më të dëgjuar të vendit, anëtar i Byrosë Politike. Si i
tillë dërgohet edhe në Vlorë, me rastin e 35 vjetorit të themelimit të Partisë
së vetme të vendit, për t'u shpërndarë militantëve dekorata simbolike. Ishte
koha, kur në Vlorë Partinë dhe gjithë jetën ekonomike e politike të rajonit e
drejtonte, si një diktator i vërtetë, plaku i pështirë Sul Bala. Ai vazhdonte të
zhvillonte programin e tij të vjetër "përça e sundo", duke asgjësuar ata që nuk
i nënshtroheshin verbërisht. Viktima e radhës duket se ishte Qaniu.
Ishte pikërisht shoku Muho, që e shpëtoi nga gijotina Qaniun. Ai, pasi i
shpjegoi për miqësinë e fortë që kishte me Qaniun, i kërkoi Sulës të bënin një
vizitë të përbashkët përshëndetëse në ndërmarrjen, ku ishte drejtor shoku i tij
i vjetër. Kështu u bë. Sula që, nga natyra e vet ishte servil dhe trembej nga
ata lart, pas kësaj Qanos nuk i ra më në qafë.
Gjahtarët i kishin ndarë, paqësisht, zonat e prehjes dhe të gjuetisë. Qeni plak
ishte rrahur keqas e nuk kafshonte më.
Një kënaqësi pa rreziqe, të pëlqen më pak
Ovidi
DALE, O MIK, TA NGJYEJ NJË ÇIKË
Këtë ngjarje e kam dëgjuar, pesëdhjetë vjet më parë, nga shoku im i shkollës së
mesme Mynyr Kajtaz Maska, nga Vlora. Mynyri ishte rreth dy vjet më i madh se
unë, por ashtu, i zgjuar, ca i shkurtër, por energjik, siç qe, ne, disa
vlonjatëve më të rinj, që sa kishim ardhur në Tiranë, në konviktin e Teknikumit
Financiar për të studiuar, na mblidhte, na mbante afër dhe na tregonte, në orët
e lira të mbrëmjes, ngjarje interesante, të dëgjuara apo të sajuara vetë.
Në krye të fshatit Velçë, në krahinën e Kudhësit të rrethit të Vlorës, në
njëkasolle buzë rruge, afër një shtegu malor, ku patjetër udhëtarët do të
kalonin për t'u futur në fshatrat e krahinës së Mesaplikut, jetonin të vetmuar
dy pleq në moshë të thyer. Kishin ngelur të vetëm, se fëmijët e tyre të shumtë
ishin larguar. Vajzat ishin martuar dhe kishin shkuar në shtëpitëe burrave të
tyre, ndërsa djemtë kishin emigruar jashtë shtetit. Plaku ruante, aty rrotull
kasolles, ca kërthinj dhe hera-herës shkonte e gjuante kafshë e shpesë të egra,
që ishin gjithfarëshe në ato anë, ndërsa plaka merrej me punët e shtëpisë. Nuk
kishin shumë për të gëzuar, veç kur kujtonin fëmijët e tyre të larguar ose kur
plaku binte në ndonjë gjah të mirë dhe plaka e gatuante atë me mjeshtëri. Por
edhe kjo e fundit ndodhte shumë rrallë, se s'u ngelej gjë për të ngrënë e për të
shijuar, ngaqë kasollja e tyre ishte në rrugë kryq dhe andej shkonin e vinin
plot udhëtarë, që shpesh ktheheshin dhe shtroheshin e hanin e pinin, si pa të
keq, duke mos lënë gjë për pleqtë. "Shtëpia është e mikut, thotë shqiptari" dhe
këta pleq e ndienin veten plotësisht shqiptarë.
Në një mbasdite vonë plaku kthehet lodhur në shtëpi, duke hequr zvarrë një
alamet pate të egër, që e kishte vrarë me belxhikun e tij të pagabueshëm. I
gëzuar se, ndofta, do ta shijonte bashkë me plakën atë mrekulli të qiellit, që
kushedi sa larg kishte fluturuar, për t'u bërë fat i kënaqësisë së tyre, ia
përplasi atë plakës te këmbët dhe shpejt e shpejt grumbulloi dru e shkarpa dhe
ndezi një zjarr, mu aty te vatra e kasolles.
- Ç'më rri si hije e keqe? Luaj duart dhe ormise! Unë po përgatis saçin.
- E, më të lumtë syri! Paskemi qenë me fat. Do të kënaqemi një herë, më së
fundi, se vajti vonë, u err dhe sonte duket nuk do të vijë njeri të na bëhet
pjesë në tavën me mish pate të egër, që do ta shoqërojmë me nga një gotë verë.
Kaluan kështu rreth dy orë. Po, kur plaka e shtroi sofrën me gjithë të mirat dhe
e ftoi plakun të zinte vend, u dëgjuan nga larg të lehurat e qenit, të lidhur në
krye të oborrit të shtëpisë.
- O, të zeztë ne! Pa shih, moj plakë, kush na u poftis?
- Më duket se edhe sonte po na vjen një mik, një si djalë i ri, i
veshur qytetarçe.
Plaku i dëshpëruar sa s'bëhet, shpejt e shpejt ngrihet nga vendi, e
merr tavën me patën e pjekur dhe e fsheh nën një nim, që u ndodh aty pranë
hyrjes. Pas kësaj, merr një shufër hekuri, siç e kishte menduar më parë për kësi
rastesh dhe ulet në vatër, e mbështet atë te një trung i zjarrtë dhe e rrotullon
bosh, kot së koti, sikur të kishte në hell ndonjë qengj për ta pjekur. Duket se
diçka gazmore i ra në mend, në këtë çast mërzitjeje, një rreng, që e kishte
parabiseduar me plakën, për ndonjë ndodhi të mundshme. Të paktën të bënte një
shaka të kripur. Shakaja do të mbahej mend, se pata me sa duket, fluturoi.
- Mirë se ju gjej, o të zotët e shtëpisë! A pranoni miq? Të më falni! Jam nisur
për në Smokthinë, po ngatërrova rrugën dhe jam vonë. Më zuri nata dhe s'bëj dot
më tej. Ma bëni hallall!
- Bujrum, bujrum! Mirë se na erdhe, o udhëtar i vonuar, hallexhi! Futu pa
merak dhe bëj rehat, - i përgjigjet plaka, duke dalë për ta pritur te porta e
kasolles. Bukë e kripë e zemër! Shtëpia është e mikut!
I panjohuri, një djalë i ri nga qyteti, që ishte nisur dhe do të shkonte për
herë të parë në Smokthinë, për t'u njohur dhe prezentuar me njerëzit e një vajze
bionde smokthinjote, që e kishte njohur në Vlorë dhe i kishte marrë mendjen, u
fut ndrojtur në këtë kasolle me njerëz të panjohur për të, po që dukeshin aq të
mirë.
Ai kishte dëgjuar për mikpritjen e fshatrave të bregut të lumit, por kishte
dëgjuar dhe për "kaçakë malesh" dhe njerëz që të grabisnin, "të vrisnin natën
dhe të qanin ditën".
- Mirëmbrëma, o xhaje! Po ky plak aq i ngrysur, ç'po bën aty, mos është i mangët
nga trutë? Pse e rrotullon sa e ka skuqur atë hell hekuri bosh? Vallë ç'do bëjë
me të?
Plaku as që i përgjigjet, i përqendruar në punën e tij, sikur është
qorr e shurdh, dridh e dridh hekurin e skuqur bosh.
- Rri, o djalosh, ja rehatohu aty mbi nim, sa të të përgatis diçka, për të
ngrënë, - i thotë me mirësi plaka.
Djaloshi u ul aty te nimi afër portës, por sytë nuk i hiqte nga plaku i
çuditshëm, të cilin tani e shihte vetëm me kurriz, po që ia dallonte mirë
hellin. Shufra e hekurit tashmë flakëronte në majën e tij të mprehtë. Plaku herë
pas here e hiqte hellin e skuqur nga prushi, e ngrinte lart mbi kokë me të dy
duart dhe thoshte: Hooop. Kur i erdhi plaka afër, djaloshi nuk duroi më dhe e
pyeti atë me zë të ulët:
- Të lutem, më shpjego se ç'bën ai plaku atje. Ç'e do atë hell të skuqur?
- Ti do të mërzitesh pak kur të ta shpjegoj. Po do të bëhesh ca i duruar,
se nuk ka gjë për të vdekur. Do të durosh, duke shtrënguar dhëmbët. Do të të
dhëmbë pak, po më pas plaga shërohet shpejt, se do të ta lyej unë me një melhem
të veçantë, që e kam përgatitur me barishtet çudibërëse të fshatit tonë dhe që
quhet "velçicë", në nderim të emrit të fshatit tonë të mirë.
- Nuk po të kuptoj, ku e ke fjalën?
- Po ja, more biri im. Plaku është tabiatsëz dhe fare pak i krisur. Kjo
duket edhe ngaqë rri gjithnjë i armatosur, me kobure në brez, madje edhe në
shtëpi. Miqtë i do dhe i nderon shumë dhe thotë: "Kush futet në kasollen time,
bëhet mik i përjetshëm dhe duhet të më mbajë mend, derisa të vdesë". Që ajo që
thotë ai, të jetë ashtu siç e thotë, se është burrë llafi e bese, me nam në të
gjithë kazanë, im shoq, me majën e atij hellit të skuqur, në prapanicën e mikut
bën një shenjë të vockël, që ai i thotë "nishani i mosharrimit".
Djaloshi, sa e dëgjoi këtë fjalë, i tmerruar ngrihet vrullshëm, rrëmben brucin,
që e kishte lënë mbi nim, me mendimin që të mbulohej me të, dhe ikën me vrap i
shoqëruar nga të lehurat e qenit tëlidhur te porta e oborrit.
Plaku kthen kokën dhe sheh djaloshin që, pasi merr diçka te nimi, ikën me vrap
jashtë kasolles. Ngrihet nga qoshku dhe pyet gruan:
- Ç'u bë miku?
Plaka, që ishte e një brumi me të shoqin dhe që në ato dyzet vjet
bashkëjetese i kishte marrë gjithë tabiatet e sidomos gjendjen gjithnjë të
gëzueshme e hokatare, i përgjigjet:
- Ç'mik, more ditëzi, armik thuaj, hajdut! Nuk e pe jo vetëm që iku si
kaçak, po mori edhe patën e pjekur me gjithë tavë.
Plaku, i mërzitur, këput një copë kulaç dhe vrap e te dera, me shpresë,
të paktën, ta ngjyente njëherë atë llomkë kulaçi në lëngun e patës, që i ngeli
aq shumë merak.
- Dale, ore mik! Dale, më prit, të paktën, sa ta ngjyej një çikë!
Djaloshi, duke menduar se plaku do t'i ngjyente në prapanicë hellin e
skuqur, e shton vrapin dhe i përgjigjet:
- Aha, ika unë, ika. S'e ha Lala atë. Ke hallin e hellit të skuqur ti, që
të ma cikësh në prapanicë. Po, mua, në më zënç, të ma vësh të tërë!
Miqësia dyfishon gëzimet dhe ndan ankthet përgjysmë
F. Bakone
SAMARI I GOMARIT TE XHELO AGAIT
Xhelo Agai ishte nga fshati Sevaster i rrethit të Vlorës. Rridhte nga një fis i
kamur dhe nofkën Aga e gëzonte familjarisht, që nga koha e Turkut. Vetëm kjo
nofkë i kish mbetur se Xhelua, tani në moshë pleqërie, ishte varfanjak dhe me
ditët e pakta të punës që fuste në Kooperativë, veç bukë me gjizë mund të hante,
thuajse në të tre vaktet. Po ama ëndërronte për ditë më të mira, që dhe të
krijonte mundësi të pinte një gotë raki, mandej edhe të ndukte, me ato pakë
dhembë të ngelura, ndonjë bisht bere të pjekur në hell, ndaj dhe përpiqej t'i
gjente e t'i shtonte të ardhurat me punë suplementare. E ruante miqësinë me
arixhinjtë e Risilisë, burra të zotë, që vinin shpesh në ato anë për
xhambazllëk njëthundrakësh. Ende çdo shtëpi kooperativiste kishte oborrin e vet
dhe mbante nga një kafshë pune. Xha Xhelua futej si ndërmjetës për shitblerjen e
kafshëve të punës dhe përfitonte ndonjë shpërblim, qoftë dhe minimal. Sapo
merrte njoftim për një hallexhi që mund te shiste kalin a gomarin, lajmëronte me
telefon te një pikë takimi në Hotel Sazani në Vlorë. Selimin, kryearixhiun, që
më së shumti banonte me të vetët dhe thurte shporta rreth liqenit te Baticës,
afër qytetit.
Xhelo Agai atë ditë ishte dyfish në humor. I qeshnin sytë dhe i gëzonte shpirti
Kjo dukej edhe nga që i beri copa ato bishtat e mustaqeve, teksa dridh e dridh,
pa pyetur për dhembjen e buzëve, zakon që i kish ngelur, kur qe në qejf e me
pare të madhe. Këtë radhë kishte gjetur, jo një, po tre njëthundrakë dhe
shpërblimi parashikohej bajagi më i madh, i mjaftueshëm për një javë
aheng.
Shpejt erdhi nga Vlora Selim Arixhiu me të birin. Ata i lidhën kafshët e tyre
te konaku i Velos, anës rrugës, dhe pasi u freskuan te burimi me ujë te
ftohtë, buzë xhadesë, zunë vend te tavolina e qoshes, në Klub të Sevasterit, ku
i prisnin miqtë hallexhinj, me Xhelo Aganë, në krye. Pinë nga një raki e nga një
kafe dhe pasi kontrolluan kafshët nga dhembët, nga brinjët e nga samari, bënë
pazar, ranë në ujdi dhe e realizuan shpejt shitjen, se biseda paraprake ishte
bërë nga Xhelo Agai dhe Selim Arixhiu u bind menjëherë për leverdinë e
allishverishit.
Sevasterasit, pasi numëruan paratë, u larguan të kënaqur, ndërsa pramatarët u
futën sërish në Klub, për të qëruar hesapet. Aty, të entuziazmuar nga blerja e
leverdishme, palët u morën vesh për shpërblimin, porositën raki dhe meze me
kukurec keci dhe ja shtruan me të ngrëna e me të pira, për shtatë palë qejfe.
-O Xhelo Aga, u kujtua të pyes Selim Arixhiu. Radhën e parë, kur bleva atë
doriun e larmë, më the se kishe ndërmend ta shisje gomarin tënd të moshuar dhe
të blije një më të ri. Unë ta kam gjetur e ta kam sjellë atë që kërkove dhe si
mik që të kam, po edhe ngaqë e meritove me pazarin e sotëm të leverdishëm, dua
që të dy gomarët, plakun tënd dhe të riun tim, ti ndërrojmë pat e pat.
Xhelo Agai u përtëri dhe nisi të dredh mustaqet. Po, menjëherë, si njeri
praktik, po dhe i djallëzuar, siç qe, u kujtua për samarin e vjetër të gomarit
të tij dhe nisi ta provokojë, ta ngatërrojë, e kinse ta pyes mikun:
-Po, si do ti ndrojmë, megjithë samarët? Dhe menjëherë i futi një pazar të
dyzuar: Unë mendoj, secili të mbajë të vetin.
Selimi u kujtua që samari i gomarit të tij ishte fare i ri, i sapoblerë dhe u
entusiazmua nga ky mendim i mikut të vet besnik e, siç ju duk në çast, tejet të
ndershëm, ndaj i tha:
-Dakord, secili të mbajë samarin e vet.
Kur u këmbyen gomerët, Selimi tentoi t'i hiqte gomarit të tij riosh e pulalli,
samarin e ri, që secili të merte të vetin.
-Çfarë po ben, o burazer, ndërhyn Xhelo Agai.
-Po, siç biseduam, secili nga ne të marrë samarin e vet. Nga gomari im po e
marr samarin.
-Mirë, o vëlla, po, ne nuk jemi gomerë. Samarët janë të gomarëve, lere aty dhe
ashtu siç ramë në ujdi, secili nga gomerët, të ketë samarin e tij. Mbaje llafin,
si burrë, hiqi duartë nga samari i ri, që i përket të zotit, që do të thotë
gomarit pulalli dhe atij do ti mbetet. Pulalliu, me gjithë samarin e tij ishte
tëndi e tani u bë timi. Ti, mos na këthe, neve insanëve, në gomerë.
Lumturia e jetës sate varet nga cilësia e mendimeve të tua
Mark Arelio
PENDIMI I VONUAR DHE SINQERITETI I DËNUAR
Sihat Tozaj, padyshim, ka qenë një nga burrat më të zgjuar, që drejtoi për disa
vjet pushtetin lokal në rrethin e Vlorës. Po ta njihja më shumë e më nga afër,
atij do t'i takonin shumë faqe të tregimeve të mia, por kjo mundësi nuk mu dha.
Unë vetëm mund të them se ai vendoset në një vend nderi ndërmjet vlonjatëve, i
dalluar si njeri i drejtë, i matur, njohës i mirë i traditave labe, i thjeshtë,
tolerant, i mirinformuar për gjendjen në vazhdimësi dhe veprues aktiv e i
suksesshëm për ecurinë e punëve, që ai drejtonte me aq lehtësi, siguri,
ngrohtësi e dashamirësi.
Po rrëfej një ndodhi nga jeta e tij, siç e kam dëgjuar në një bisedë
intime.
Ndër gabimet, them të pakta, të jetës sime, tregonte Sihat Tozaj, mua nuk
më harrohet ajo me Pjetrin. Isha, aso kohe, drejtor i Ndërmarrjes Shtetërore
Bujqësore në Thumanë. Më kishin zgjedhur dhe anëtar të Byrosë së Komitetit të
Partisë të Fushë - Krujës. Byroja e Partisë e Rrethit ndërmjet, gjoja, dhjetëra
detyrave të tjera të drejtimit politik të rajonit që mbulonte, si autoritet i
vetëm, miratonte dhe anëtarët e rinj të partisë, duke e quajtur këtë detyrë të
dorës së parë si "furnizimin me gjakun e ri jetësor të Partisë". Kandidatët për
anëtarë partie, si rregull, duhet të ishin nga punëtorët më të mirë, më të
devotshëm dhe me origjinë proletare, por, njëkohësisht, duhet të zotëronin edhe
një bagazh njohurish social-kulturore e politike. Për njohuritë e tyre teorike,
ata edhe pyeteshin direkt nga anëtarët e byrosë.
Unë, si drejtor, natyrshëm, bëja përpjekje t'i njihja njerëzit e ndërmarrjes
sime, isha në lidhje nga afër me mekanizatorët, që përballonin një punë të madhe
dhe, sidomos, në kohë fushatash të rëndësishme të punëve në bujqësi, e gdhija në
ara bashkë me ta. Ndërmjet të rinjve traktoristë më kishte rënë në sy,
veçanërisht, puna e Pjetrit, që punonte pa pushim mbi katërmbëdhjetë orë në
ditë, kryente punime me cilësi të lartë dhe kujdesej për traktorin, si për një
njeri të dashur të vetin. Mendova: "Këta të rinj i duhen Partisë", ndaj, pasi u
këshillova me sekretarin e organizatës, e mbajta afër, i përgatita dokumentet
dhe i dhashë rekomandim personal, siç qe rregulli.
Erdhi dita që Pjetri doli për miratim në Byro. Ndërkohë, unë e kisha njohur nga
afër më mirë dhe isha bindur që ai ishte vetëm një njeri i punës, ndërsa nga
njohuritë politike ishte fare bosh, se s'kishte kohë, hallexhiu, të lexonte
shtypin, të shfletonte ndonjë broshurë, madje, as të dëgjonte lajmet, ku,
natyrisht, bëhej propagandë politike dhe diç mund të mësonte. Atje në Byro, që
mos ta ngatërronin byroistët me pyetje të thella politike, mendova t'u dilja
para shokëve dhe e pyeta, fare thjesht:
- O shoku Pjetër! A s'na thua, me fjalët e tua, siç ta thotë zemra… pse don
me u fut në Parti?
- Allahile, shoku Sahat, - u përgjigj ai, me sinqeritet të skajshëm, - tue
kenë në Parti, nuk guxon kush me ma prek traktorin.
Pyetja ime ishte ai "gabim" i bërë, që mua më ka ngelur peng dhe nuk do të më
harrohet gjithë jetën, sikur të kisha bërë një krim. Pjetri ngeli jashtë Partie
dhe, më e keqja, sa u largova unë nga drejtor i asaj ndërmarrjeje, atij ia hoqën
edhe traktorin dhe ia dhanë një komunisti, por ai ndodhi i pakujdesëshëm dhe e
nxori para kohe jashtë përdorimit. Pjetrin e dënuan ashpër për sinqeritetin e
tij. Ai, në të vërtetë, traktorin e donte, i shërbente dhe e ruante si sytë e
ballit. Faji i tij ishte se nuk diti të përgjigjej, direkt, me slloganin e
njohur:"Partia është nëna jonë".
Mjafton pak për të na ngushëlluar, sepse mjafton pak pë të na brengosur
Paskal
KU E KAM UNË E KU JE TI
Po përshkruaj këtu më poshtë një ndodhi që e kam dëgjuar nga babai im, Kaman
Çipi, në një natë dimri, rreth vatrës familjare, ndërsa nga zjarri me dru lisi
në oxhak dilte ngrohtësi e shkëlqenin shkëndija prushi.
Do t'jua tregoj tani, na tha "Abeu", siç i thërrisnim babait, një ngjarje të
moçme, po fare të saktë, ashtu siç e kam parë me sytë e mi dhe siç ma kanë
dëgjuar veshët.
...Ishin mbledhur në kishën e Shën Todrit shumë besimtarë dhe dëgjonin me
vëmendje ligjërimin e papa Kristos, një teologu të shquar e pasionant, të
dërguar, me porosi të vetë kryepeshkopit, imzot Nolit. me rastin e përgatitjeve
për të festuar Krishtlindjet.
Të gjithë ishim të përqendruar dhe sikur i përpinim fjalët e tij të urta, të
thurura me misticizëm të thellë dhe me një gojëtari që të bënte për vete...
Shprehja e fytyrës dhe sidomos e syve të tij kishte një tërheqje magnetike, aq
sa të gjithë po e shihnin në kokërdhok të syrit, si të hipnotizuar. Nuk mungonin
ahet, psherëtimat dhe lotët, çka e bënin atë më entuziast dhe qiellor... Edhe
vetë urata sa s'qante, si një aktor i lindur, duke i përjetuar thellësisht ato
ngjarje e bëma të pazakonta, thuajse hyjnore të Jezu Krishtit, që vinin nga
thellësitë e shekujve, si ngushëllim për mëkatarët, shpresë për të mjerët dhe
besim për gjithë tokësorët.
Uratës së ditur, gjatë ligjëratës, në ndeshje imagjinare me djajtë dhe satananë,
i dridhej i gjithë trupi dhe në mënyrë më të dukshme mjekra e tij e gjatë dhe e
bardhë, e pleksur keqas gjatë viteve. Vetë urata, drejt pasionit, nxitej nga
gjindja e besimtarëve pjesëmarrës, fort të devotshëm, entuziastë dhe të
vëmendshëm, si në asnjë vend tjetër.
Atij, megjithëse sytë i shkreptinin nga misticizmi, nuk i shpëtoi reagimi i tyre
i pazakontë. Më shumë nga të gjithë e miratonte, duke tundur kokën me gjithë
shpatulla dhe duke qarë me dënesë e me lotët çurg një plak i rrudhur e kruspull
nga vitet.
Edhe kur mesha kishte mbaruar, plaku vazhdonte ta shikonte uratën dhe nuk
reshttë së qari, sa herë i ngrinte sytë nga ai.
Kjo la mbresa të forta te të gjithë, ndaj ligjëruesi e thirri faqe të gjithëve
dhe e pyeti me respekt plakun e shqetësuar:
- Si shpjegohet, o plak i urtë, që u hidhërove tej mase nga fjala ime? Kaq
shumë vragë të lanë ngjarjet e shenjta?
- Ç'gjarje, hirësi? Fjalët e tua? Unë ato as që i dëgjova fare, se jam dhe
ca si shurdh. Mua më përloti mjekra e zotërisë sate, teksa lëkundej e dridhej aq
përmallshëm e me madhështi, sa më kujtoi, si ndo Zoti, cjapin tim përçor, që i
printe krenar me trimëri për shumë vjet kopesë, derisa, në një natë të egër
dimri, ma preu ujku dhe tani, për fatin tim të keq, nuk e kam më.
KU,KU, ÇA NA KA GJET?!
Për dashurinë më të madhe ka mëdyshje… Kush duhet më shumë: Vëllai, motra,
burri, gruaja, nëna, apo babai?
Ja dy variante:
A ka më të dashur se motra për vëllain? Them se jo! Mësuesi im i
fëmijërisë, shumë i mençuri Xhevdet Kofina na porosiste: "Kur të rriteni e të
bëheni për martesë do kërkoni të zgjidhni nusen, shoqen tuaj të jetës. Për këtë
do pyesni, në radhë të pare, zemrën tuaj. Do t'u duhet të këshilloheni edhe me
të tjerë, se është hap i madh në jetë dhe shorti mund t'u çojë te djalli dhe në
vend te gjeni bashkëshorten ju vjen bashkësheri. Unë ju them që, më mirë, nënën
plakë, njeriun tuaj më të afërt, vetëm për këtë, mos e pyesni. Ajo do
preferonte, në radhe të parë, një grua tejet të shëndetshme, të fuqishme, që
edhe ta ndihmonte atë, tashmë të lodhur e të stërmunduar, në punët e shumta të
shtëpisë, paçka se nusja mund të jetë edhe pak budallaçkë. Të jetë kështu - më
mirë akoma, se s'mund të ishte më e zgjuar nga djali i saj dhe, nga ana tjetër,
nuk do tentojë ti heq së vjehrrës kyçet nga brezi. Mos pyetni as babanë: Ai do
kënaqet vetëm po qe e sojme, t'i thotë lepe e peqe dhe t'i bëjë hyzmet. Vëllait
nuk do ti vijë mirë që ti ta kesh nusen më të bukur nga e tij. Kunatat po, si
kunatat- duan të jenë superiore. Motra dhe vetëm motra e do nusen e vëllait pa
interes, më të mirën e nuseve dhe që t'u mburret shoqeve të sajë dhe gjithë
botës".
Nga një burim tjetër kam dëgjuar, se më i dashur edhe se burri është vëllai dhe
këtë e shpjegon me ngjarjen e mëposhtëme :
- Oj Mri, oj Mri! Ku, ku, ça na ka gjet!
Po vinte Drandja duke rendur sa i hanin këmbët, duke shkulur flokët e qarë
me ulërima…
- Ça na ka gjet? - pyeti e shqetësuar Mrija, një nuse e bukur malësore, e sapo
martuar me mblesëri, ndërkohë që po kullottë lopën e saj, aty afër shtëpisë së
vet.
- Ka dekë Pali, e kanë godit me pushkë! Mrisë gati nuk i ra të fikët. Ajo u
befasua nga ky lajm i kobshëm. Vëllain e saj të vetëm e quanin Pal… Shpejt i
erdhi ndër mend se dhe burrin e thërritshin Pal. Ta pyes njëherë, mendoi
vetëtimthi:
- Po…, cili Pal ka… dekë?
- Pali yt, moj qyqare, burri yt i dashtun, Pal Paruci.
Mrija, sikur u lehtësua nga një barrë e rëndë dhe ashtu, pa dashur,
u shpreh me një sinqeritet banal e spontan:
- E, po të më rrojë Duci! (Dhe përplasi dorën në një vend të keq.) Mua më shkoi
mendja ke vëllau i vetëm. Gjysa e së keqes. Vëllaun nuk ma ban ma lokja, po ndo
i burrë kanë me ma gjet.
Budallenjtë, prej Adamit e këtej, janë në mazhorancë
C. Delavinge
DOSJET SEKRETE TË LUFTËS
Përmetari Kiço Leko, aso kohe shef i Kabinetit të Komitetit të Partisë së
Rrethit Vlorë, ishte ngarkuar që të kryesonte një grup për të kontrolluar dhe
sistemuar dosjet sekrete, që çdo drejtor ndërmarrjeje apo institucioni
përgatiste me kujdes të madh, për të kaluar veprimtarinë aktuale paqësore, në
kushte të posaçme lufte. Atë ditë grupi e kishte në plan të kontrollonte
Ndërmarrjen e Ujërave, ku drejtor ishte Kamber Aliko, një burrë i mençur, me
shumë merita, veteran lufte, po që pinte alkool, pa i bërë dëm kujt, shpesh, nga
mëngjesi në mbrëmje.
- Drejtori ynë i nderuar, zakonisht paraqitet në zyrën e vet rreth orës
dhjetë - i thotë shokut Kiço shefja e kuadrit, që kishte ardhur para kohe dhe
kontrollonte zbatimin e fillimit të orarit të punës të nëpunësve të tjerë.
- Po ai, moj shoqe të paktën sot, meqë unë e kam lajmëruar, duhet të
ishte këtu dhe të na priste qysh herët në mëngjes. Ne vijmë nga Komiteti
Partisë.
- Më falni, nuk e kuptoj, pse me flisni e më kërkoni llogari mua. Po të
doni gjë nga unë, urdhëroni, më keni në dispozicion. Në qoftë se e doni tani
shokun Kamber, mund ta gjeni para banakut të pastiçerisë së gjashtëkatëshit,
afër Komitetit Ekzekutiv. Ne atij as që guxojmë t'i themi një fjalë, se kemi
respekt të veçantë. Ajo që bën ai, nuk i sjell fare dëm punës, sepse personeli
punon i mobilizuar dhe pa orar dhe detyra e shtetit kryhet më së miri.
Unë nuk kërkoj t'i prish regjimin e jetës drejtorit, tha i deleguari, po, meqë e
lajmëruam, të mbaronim punë sa më shpejt edhe ne… Po lëre, se e zgjidh vetë.
Afër e kemi gjashtëkatëshin.
Kamberi, si një bekri i vërtetë, po rrokëllente dopjon e tretë. Ai nuk e
humbiste kurrë vetëdijen, as në orët e mbrëmjes, pasi kishte mbaruar fundin e
tabuzanit. E vuri re nga larg Kiçon dhe e kuptoi mirë shkakun e asaj vizite të
padëshiruar. Kamberi e njihte Kiçon, si antipodin e vet, si pedant e skrupuloz,
që nuk luante lehtë nga linja e paracaktuar. E dinte dhe që Koçua kryesonte
grupin epror të kontrollit për të ashtuquajturat dokumente të dosjes sekrete të
luftës. Po Kamber Alikon asgjë s'e trembte e aq më pak materialet e asaj dosjeje
lufte. Ai i dinte se ç'përalla me mbret thurreshin në faqet e këtyre dosjeve
kinse sekrete. Ai e njihte dhe e kishte përjetuar mirë luftën, madje, në luftë
ishte plagosur dhe kishte lënë gjysmën e nofullës së tij. Prandaj, pa iu dridhur
fare qerpiku, e shikoi drejt e në sy Kiçon dhe i tha:
- Po, hajde, o Kiço trimi, se po të prisja, ngaqë më lajmëruan qysh dje nga ana
e Komitetit të Partisë. Ndaj unë sot dola dhe më herët te vendi im i përhershëm
dhe thashë, si zakonisht, këtë herë ta pres, duke i dalë para e ta kthej një
gotë raki me Kiçon. Hajde!
- Ku të vijë, o? Sos i ke këtu te banaku dosjet sekrete të luftës?
Kamberit nuk i pëlqeu toni autoritar i Kiços.
-Lëri, ore ti, shoku shef i kabinetit, atje ku janë në kasafortën e hekurt, fare
të sigurta, ato dosjet sekrete të luftës, që i ke marrë aq seriozisht, sikur do
të plasë lufta sot dhe ato do të jenë shpëtimtare. Hajde, ore, këtu te babushi
ta tokim njëherë si burrat…
- Lola! Një dopjo konjak "Skënderbeu" me pesë yje për shokun Kiço, se e duam dhe
e nderojmë, ngaqë e kemi pasur dhe sekretar.
- O, bobo… Dopjo? Jo, jo! Unë nuk pi fare alkool!
- Po, pse?
- Më zë, ore, si pse… jemi dhe në orar të punës.
- Sos është kurrent elektrik, që të zë e s'të lë. Alkool është, konjak,
po dhe verë të ishte, njësoj do të qe, si çdo lloj alkooli. Vërtet, ndonjëherë
të zë, po dhe të lë. Nuk të merr me vete, si ai kurrenti elektrik. Pastaj ky
konjaku me emrin e Heroit tonëKombëtar është si i perëndishëm, siç është vera e
mirë, gjak Krishti, o vëlla.
- Aman, eja të ikim! Po na shohin e po na dëgjojnë. Mos na ngatërro edhe me
Krishtin e me Muhametin tani!
Është e pamundur ti njohësh njerëzit, pa njohur forcën e fjalëve
Frojd
NJË KRISMË NË SALLËN E GJYQIT
Ndodhinë e mëposhtme ma ka treguar baxhanaku im i madh, Axhem Haxhiraj, kur
ishte në moshën 85 vjeç. Ngjarja bën fjalë për periudhën kur ai ishte student në
Bolonja të Italisë, gati 70 vjet më parë. Axhemi edhe mbi 90 vjeç pati freskinë
e një të riu: lexonte pa syza, lëvizte me orë të tëra në këmbë, pa treguar
lodhje. Ai ruajti kujtesë shumë të mirë, protestoi energjikisht ndaj
padrejtësive politike dhe dhunës së shtetit, gjithnjë njësoj, si në ato vite,
kur la studimet jashtë shtetit dhe doli në mal partizan, si veteran lufte dhe si
demokrat e nacionalist i vërtetë.
Ngjarja ka lidhje me një shqiptar dhe ka ndodhur në vitin 1940.
Italia fashiste kishte pushtuar Shqipërinë dhe kishte shpërthyer në një politikë
demagogjike, për ta përligjur pushtimin si "çlirim" nga vuajtjet dhe varfëria
shekullore. Shqiptarëve, formalisht dhe përkohësisht, u krijoi favore dhe
privilegje. Ata lëviznin normalisht, pa viza, midis dy shteteve që quheshin të
barabarta, brenda perandorisë së madhe italo-shqiptaro-etiopiane. Ata ndërmjet
tyre bënin tregti të lirë dhe shkëmbime mallrash pa doganë; kishte më shumë
fronte pune, sidomos në hapje rrugësh dhe në punime artizanati, kishte më shumë
mallra në treg, madje, në Shqipëri edhe më shumë se në Itali. Tregtarë nga
qytetet shqiptare, veçanërisht nga Shkodra, Durrësi, Tirana, Kavaja dhe Vlora,
bridhnin lirshëm në të gjithë Italinë, eksportonin lëkurë, kafshë të gjalla,
duhan, vaj ulliri dhe prodhime dore artizanale dhe sillnin konfeksione,
kinkaleri, kafe, cigare, ilaçe e gjithfarë cikrra-mikra. Shpesh shkonin vetëm
për të blerë me çanta e valixhe të vogla, duke marrë me vete flori e monedha të
kthyeshme. Qendra më e madhe e biznesit ishte, natyrisht, kryeqyteti, Roma.
Në një mbrëmje, tregon Axhemi, si i përhumbur ndër vite, sa kishte
rënë muzgu, në rrugët e Romës shëtiste i vetmuar dhe i habitur, me duar në
xhepat e dollomasë së tij të gjerë, i veshur me brekushe, një shqiptar, djalë i
ri, që dallohej me një të parë nga romanët e pispillosur, vendas.
Djaloshi, për fatin e tij të keq, u ndodh, papritur në vorbullën e
një ngjarjeje makabre, që u zhvillua para syve të tij: Një italian, në moshë të
re, u godit dhe u vra, barbarisht, me shtatë të shtëna pistolete. Ishte aq afër
viktimës, sa u spërkat i tëri me gjakun e tij.
I tmerruar, nuk gjykoi më thellë, po, instinktivisht, ia dha vrapit, duke
menduar fluturimthi se kjo ishte gjëja me e mirë që duhet të bënte, për mos t'u
bërë viktimë e ndonjë breshërie tjetër vdekjeprurëse, në drejtim të tij.
Policët, që u ndodhën diku aty dhe nuk panë tjetërkënd më afër e aq më pak që të
largohej me vrap, iu vunë pas, e ndoqën, e kapën fare lehtë dhe e prangosën. E
arrestuan dhe e shpallën të akuzuar për një krim, ashiqare dhe thuajse të
faktuar: i huaj, albanez brigant, i spërkatur i tëri me gjakun e viktimës, që
largohet nga vendi i ngjarjes me vrap, pa asnjë ndihmë, përkrahje e protestë të
jashtme dhe me shumë lireta në xhep, që, ndofta, ia kishte vjedhur viktimës apo
dikujt tjetër. Pra, vrasës dhe vjedhës profesionist.
Djaloshi kundërshtoi dhe mohoi, por pa dobi. Ngjarja pati shumë
publicitet dhe jehonë në mbarë Italinë. Qarqe të caktuara e propaganduan
djaloshin si kriminel profesionist, si shumica e shqiptarëve, duke përligjur me
këtë edhe agresionin e tyre, duke u vetëquajtur misionarë të paqes dhe zbutës të
egërsirave. Një avokat i shquar në tërë Italinë, me ide antifashiste, i nxitur
dhe nga ne, studentët shqiptarë të Bolonjës, tregon Axhemi, e mori përsipër
vullnetarisht mbrojtjen e djaloshit fatkeq nga Shqipëria. Data e gjyqit erdhi
shpejt. Gjyqi ishte organizuar në një sallë të madhe mbushur me kuriozë,
gazetarë e korrespondentë, si dhe shumë agjentë të fshehtë.
Edhe nga ne, studentë e emigrantë shqiptarë e deri arbëreshë, si dhe
antifashistë italianë kishte shumë.
Gjyqi i popullarizuar, i propaganduar dhe organizuar me dëshmitarë të rremë, të
vënë enkas nga hetuesia, me gjithë falsifikimin aktoresk, bëri shumë përpjekje
të provonte fajësinë dhe duket se po ia arrinte qëllimit, me gjithë qëndrimin
këmbëngulës dhe mohues të të akuzuarit.
Në çastin që i erdhi radha për të folur juristi i mbrojtjes, nga i
cili prisnim shumë, ndodhi një incident, një ngjarje e jashtëzakonshme për
gjyqet italiane: u fikën përnjëherësh të gjitha dritat. Në të njëjtën kohë, u
dëgjua një e shtënë pistolete, që, në fakt në sallën e rënë në qetësi të plotë
dhe që kishte akustikë të përsosur, u dëgjua si një e shtënë topi. Të gjithë
pjesëmarrësit po rendnin të llahtarisur drejt portave të mëdha të daljes e
bashkë me ta dhe anëtarët e trupit gjykues. Kur u hapën dritat, policia
gjyqësore deklaroi se nuk kishte ndodhur gjë e jashtëzakonshme. Kur trupi
gjykues dhe gjindja zunë vendin si më parë, sërish, fjalën e mori avokati i
madh.
- Zotërinj gjyqtarë! Zonja dhe zotërinj, të nderuar pjesëmarrës! Ju
kërkoj të gjithëve falje dhe e ndiej veten thellësisht fajtor për shqetësimin që
ju krijova. Fikjen e menjëhershme e të befasishme të dritave dhe të shtënën e
vetme me pistoletë i organizova unë. Një befasi krijova dhe vetëm një të shtënë
pistolete, këtu në sallën shumë të njohur nga të gjithë ju, o italianë të
ndershëm, vendas dhe ju e provuat veten. Të gjithë, pa parë asnjë të vrarë,
asnjë pikë gjak, u larguat me vrap drejt dyerve. Pa mendoni për një të huaj, që
sheh te këmbët e tij një të vrarë, të mbuluar në gjak?! Me këtë provova se vetëm
largimi i menjëhershëm i të paditurit në kohën e ngjarjes fatale nuk është shkak
fajësie, se ju, zotërinj gjyqtarë, asnjë fakt tjetër nuk keni. Befasia sjell
veprime instinktive, reflekse të kushtëzuara të menjëhershme, shpesh jo logjike.
Deklaroj, me plot siguri, se djaloshi shqiptar është krejt i pafajshëm...
Brohoritje dhe ovacion i pambaruar disa minutash në sallë.
Trupi gjykues dha vendim unanim: I pafajshëm!
~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~
Intuita e një gruaje është shumë më afër të vërtetës, sesa siguria e një burri
Kipling
G U N G AÇ I
Një kurrizo, megjithëse 40-vjeçar, nuk kishte arritur të martohej,
se vajzat nuk e parapëlqenin nga gunga e tij. Për këtë, më tepër, vajzat e
mençura, ndikoheshin nga opinioni, sepse, përjashtuar këtij defekti fizik të
dukshëm, ai ishte një njeri i shkëlqyer, me një fytyrë të bukur, i fuqishëm,
krenar dhe shumë i dhënë pas punës dhe familjes. Atë e kishin pagëzuar Karlo,
por të gjithë i flisnin gabo (gungaç) dhe shumë pak njerëz ia dinin emrin e tij
të vërtetë.
Ç'është e vërteta, një gjitonia e tij, moshatare me të, prej kohësh
e adhuronte nga larg, pa guxuar t'i afrohej. Aty, nga dritarja e saj përkundrejt
shtëpisë së Karlos, ajo kishte vite që e kundronte dhe e ndiqte në çdo lëvizje
të tij, kur ngrihej në mëngjes dhe bënte gjimnastikë, me ushtrime, që kushedi ia
drejtonin sadopak gungën; kur lexonte dhe dëgjonte radion dhe ngazëllehej, duke
kërcyer apo duke kënduar, me atë zërin e tij të ëmbël e melodioz, prej tenori.
Këndonte gjithnjë këngë të trishtueshme melankolike, që e zhytnin në trishtim e
pesimizëm. Kjo e bënte edhe më tërheqës atë. Ai, më së shumti, punonte në
ofiçinën e tij si marangoz i talentuar, duke e humbur veten e duke u kënaqur
vetëm me prodhimet e bukura artizanale të duarve të tij. Ajo e shikonte nga lart
kur s'pranonte shpërblim për punën e bërë dhe kur shpërndante, pa u kursyer,
dhurata në raste të kremtesh për nevojtarët dhe të varfrit.
Luiza, se kështu quhej gjitonia e tij e bukur, nisi t'i afrohet
Karlos, të bisedojë me të dhe më pas ta ndihmojë deri në pastrimin e lokalit.
Filloi të miqësohet, ta simpatizojë e ta dashurojë, derisa, më së fundi,
vendosën të fejoheshin. Kur ata filluan të takoheshin fshehurazi, Karlua i
porositi shokët përreth, që këtej e tutje të ishin më të kujdesshëm me të dhe
mos t'i flisnin më me atë nofkën përçmuese
Kur filluan të dilnin bashkërisht me Luizën, ai e kishte fare të papranueshme
nofkën përbuzëse, që e kishte shoqëruar gjithë jetën. Tani, kur gjeti lumturinë
e ëndërruar, i dukej se, po të dëgjohej ajo shprehje e mallkuar, do të bëhej
shkak prishjeje, çka do të ishte më keq se vdekje për të.
Njëri nga gjitonët, një shëmtarak, dembel e smirëzi, që e donte për
vete Luizën e bukur dhe që mendonte se atij i takonte, jo vetëm që nuk u bind
për të heshtur, por e dendësoi sharjen. Karlua nuk gjente vend ku të futej. Ikte
të fshihej në lokalin e tij, duke ulur kokën, ndërkohë që gunga i rëndohej e i
shfaqej edhe më shumë. Filloi të bënte fjalë veças me gjitonin zemërlig, madje,
dhe ta paralajmërojë disa herë rresht. Iu desh dhe ta kërcënonte vetë dhe
nëpërmjet shokëve, por më kot. Antonioja, se kështu quhej gjitoni zemërlig,
sikur kënaqej më shumë nga reagimi i dëshpëruar i Karlos dhe vazhdonte, tani
gjithë ditën, me zë të lartë: "gabo… gabo… gabo… gabo… gabo…".
Dëshpërimi arriti kulmin dhe Karloja, i nervozuar deri në çmenduri, ashtu i
fuqishëm siç ishte, u kacafyt dhe e rrahu keqas Antonion, derisa ai i ngeli, pa
dashur, në dorë…
Ishte një vrasje e padëshiruar, po që nuk mund të përligjej. Karlon
e arrestuan dhe pritej dënim kapital.
Një avokat i famshëm për kohën, që sa gjyqe kishte marrë përsipër të
gjitha i kishte fituar, kur mori vesh incidentin me autor kurrizon e mjerë, që e
njihte dhe kishte simpati të veçantë, aq sa kur kishte marrë vesh fejesën,
kishte shkuar dhe e kishte uruar, në punishten e tij, pra, po ky avokat, që
ishte dhe vetë sakat, pasi kishte humbur një sy në luftën e Abisinisë, i ra
gjoksit dhe i tha Karlos, që desh të vriste veten, të rrinte i qetë, se problemi
do të zgjidhej më së miri.
Avokati, pasi e studioi me rrënjë dosjen, u përgatit dhe thuri një
plan të hollësishëm veprimi. Ai mori në gjyq djalin e tij dhjetëvjeçar, që e
kishte një basketbollist të talentuar dhe, pasi e stërviti, në kushte të
ngjashme, e porositi atë si duhet të vepronte: të rrinte fare afër tavolinës së
kryegjyqtarit dhe, herë pas here, ta godiste atë, kur ai nuk e kishte mendjen,
me karamele të vogla, herë në ballë, herë në vesh, herë në sy e herë në hundë.
Gjyqtari në goditjen e parë nuk iu përgjigj, por. kur ato u
shpeshtuan, filloi të shqetësohet, pa e përcaktuar dot provokatorin, pastaj i
tërhoqi vërejtje në përgjithësi publikut, por kur e qëlluan përsëri në sy, e
humbi fare durimin dhe me ulërimë bërtiti i nervozuar: "Mjaft më, se po më bëni
të vras veten".
Ky qe çasti i dëshiruar, kur ndërhyri avokati dhe i tha:
- Si kështu, zotëri? Ju për një ngacmim me një karamele të vogël kërkoni të
bëheni vrasës? Po Karloja, ç'duhet të bënte?
Dhe Karlon e dënuan vetëm tre vjet.
Thonë se Luiza, mikesha e tij e zemrës, nga ky rast u afrua më shumë
me Karlon, e priti sa doli nga burgu, u martua me të dhe lindën tre fëmijë të
shëndetshëm.
Çdo njeri shikon atë që ti shfaqesh, por pak ndiejnë atë që ti je
Makiaveli
Q A F O K Ë T
Tofiku kishte gati dy orë që i ishte vënë pas. Sipas të gjitha
gjasave ky do të ishte: mesoburrë, veshur mirë, me kostum gri e kravatë të
kuqe, me flokë gështenjë, të dendur dhe çka ishte më e rëndësishme, kokën e mban
pak si të varur, më një anë, pra është qafok.
Qafoku, sa u fut në bar-bufe "Sazani", ulet në një tavolinë aty te
qoshja afër pasqyrës. Rri, ashtu fare i qetë, sikur të qe pa punë. Nxjerr kutinë
e duhanit dhe dredh një cigare, që e shkrep me uruar. Ngre dorën dhe ia bën me
shenjë kamerierit.
E paska punën më nge, mendon xha Tofiku. Ai vazhdon ta sodisë nga
larg, nëpërmjet pasqyrës. Edhe nga larg dukej qartë, qafa e shtrembër dhe koka e
madhe e varur majtas. Guxon dhe i afrohet.
- E keni të lirë këtë karrige? Mund të rri edhe unë me ju, sa për
një raki, se tavolinat e tjera qenkan zënë.
- Urdhëro, more shok. Ç'më pyet mua. Lokali është i popullit dhe për
popullin, - përgjigjet shpejt dhe prerazi qafoku.
Pikërisht ky do të jetë. Zemërgjerë, komunist katërqind derhem, siç
më kanë thënë, formoi bindje Tofiku.
- Po, ç'do të marrësh, zotrote, - pyeti xha Tofiku, pak i druajtur,
nga frika e refuzimit.
- Ç'do të marrësh ti, se unë e kam porcionin tim. Unë jam si i
shtëpisë këtu. Kamerieri e di vetë: dopio raki me shishqebap, - ia ktheu qafoku.
Filluan të pinë si bekrinj. Kishin rëkëllyer dopjon e tretë me nga
një shishqebap dhe nga një kokë qepe, kur xha Tofiku kujtohet pse i ishte vënë
pas qafokut dhe nisi bisedën e shumëpritur:
- Shoku Salo! - u fut në temë xha Tofiku.
- Urdhëro, zotrote… Dalo më thërresin, jo Salo.
- Nuk prish punë, një germë ndryshova. Mua kështu më vjen më mbarë,
se më duket si emër gruaje, ndërsa ti më duke burrë e përmbi burra. Që të futem
drejt e në temë, unë, o vëlla i dashur, kam një hall, ndaj kam ardhur që në
sabah nga fshati. Jam nga Kallarati. Kam qenë partizan, po, megjithëse jam
interesuar disa herë dhe atje ku duhet, nuk po m'i bëjnë ende ato dokumentet e
veteranit të luftës. Për ty më kanë thënë fjalë të mira dhe që punon në një vend
kyç, si një komunist veteran, atje ku duhet. Nuk të futa mik, po t'u fala
direkt. Të lutem, më ndihmo!
- Ore, xha Tofik! Po më duket se e ke jangllëç, more vëlla. Çne unë
punokam në vend kyç! Unë as komunist nuk jam, pa le veteran. Unë një copë
llogaritar jam dhe punoj në Drejtorinë e Ujërave me Kamber Alikon. Ai, po. Ai
është veteran dhe njeri i mirë e me influencë të madhe. Dhe, pas një çasti, foli
përsëri: po, as më thua, ku më psonise ti mua dhe ma bëre kokën tapë me raki?
Nga se u nise, për këtë të mirë?
- Po ja, si të ta them, se më vjen edhe rëndë: nga qafa.
-O, o! Tani po e marr vesh. Më ngatërron me shokun Salo, që edhe ai
si unë është qafok. Po, nuk e di ti, o Tofik vëllai, që unë quhem Dalo e jo
Salo. Më saktë Dalip Tushe, me origjinë nga Gjirokastra. Ti më ngatërrove me
Salo Kalon, atë burrin e mirë, që punon në Komitetin e Partisë së rrethit. Dhe
më ngatërrove, se të kanë dhënë shenjën, faktin që ne të dy jemi qafokë. Po, për
fat të keq ti ose ai që të ka thënë, nuk ka qenë i saktë, se mua, vërtet qafok,
po koka më varet nga e majta dhe shoh më mirë djathtas. Ndërsa koka e Salos anon
nga e djathta, po sheh më mirë majtas. Sot ti u harxhove shumë, po mos u
dëshpëro, se bëre një mik më shumë dhe paratë, miqësisht, do t'i ndajmë në mes.
Ngrihu menjëherë dhe me vrap merr autobusin urban dhe shko në Skelë të piqesh me
qafokun tjetër, shokun Salo. Ai do të të mbarojë punë, sikur të isha unë. Ne, të
djathtë, apo të mëngjër, jemi njerëz dhe shqiptarë të mirë dhe Luftën
Nacionalçlirimtare e çmojmë mbi çdo gjë tjetër.
~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~
"MOS E DËGJO GRUAN"
Në fshatin malor Kolonjë, të Krahinës së Kurveleshit të Sipërm, midis fshatrave
Picar e Golem, jetonte me të keq një familje e madhe. Hankua, e zonja e
shtëpisë, nje grua labe, rriti, si me thonj, pa ndihmën e të shoqit, thuajse
jetim, të gjashtë djemtë e sajë. Burri qysh në fillimet e jetës bashkëshortore
kishte dalë kaçak mali, i rënë në bela me qeveritarët turq dhe po nga ata u
vra. Hallet e kishin plakur Hankon para kohe dhe tani banonte në një konak
me djalin e vogël, Myfitin dhe me nusen e tij, Merjemen. Gruaja trimëreshë
arriti ti martojë të gjashtë djemtë dhe i ndihmoj ata që të ndërtoni shtëpi,
kasolle thuaj, po me banim secili në pragun e vetë. Nuset e djemve edhe pse i
zgjodhi, në fshatrat e afërt të Gjirokastrës deri në Kardhiqin e famshëm për gra
kapedane, nuk i plotësuan asnjëherë kërkesat e sajë të pasosura, ndaj ajo ngeli
deri në fund e pakënaqur me to. Djemtë, që i ndenjën afër deri në fund, i
vlerësonte, madje u këndonte, me bejtet që thurte si: Hanko Zonjë hanedane, i ka
djemtë si azganë, më të voglin pehlivan, po nga gratë dëm se ç'vanë.
Nëna plakë i porosiste herë pas here bijtë e dashur që asnjëherë mos të merrnin
mendjen e grave të tyre, madje kur ato jepnin ndonjë mendim, të ishin të sigurt
që do ishte varianti më i gabuar, ndaj mos bënin si thoshin ato, po pikërisht të
kundërtën.
Myfiti banonte te shtëpia e prindërve, një shtëpi e vjetër, që hera herës kish
nevojë për t'u mirëmbajtur e meremetuar. Në vjeshtën e parë, sa filluan shirat,
u duk ashiqare që mbulesat e çatisë kishin lëvizur nga vendi e ç'binte jashtë
futej brenda, ndaj duhet të s'postoheshin pllakat e renda prej guri, që secila
të zinte vendin e mëparshëm.
Myfiti vendosi shkallën e madhe me kujdes dhe u ngjit në një lartësi rreth
pesë metro. Pasi punoi gjithë ditën, kur duhet të zbriste vuri re që shkalla
kishte lëvizur nga vendi dhe nuk kishte dajan, çka e bënte të pamundur
zbritjen. Nga lart nuk e rivendoste dot vetë shkallën atje ku duhej, ndaj i
bëri zë të shoqes.
Merjeme, po ku je, moj e flamosur, që me le maj papafingos, gjithë
ditën pa një pikë ujë për të lagur buzën e pa një kafe, për të mbledhur mendjen.
Po, sa u ktheva, o burrë, se isha ne krua dhe mbusha bucelat me uje.
Ti e di sa larg e kemi burimin, ske pse më kërkon hesap.
Mirë, mirë, se e gjejmë më pas hesapin, po rregulloma pak atë të
shkretë shkallë, se më ka luajtur nga vendi dhe rezik të gremisem, e të thyej
ndonjë kembë a ndonjë krah.
Larg qoftë, o burrë, pse na ndjell tersllëk... Ja ku ta rregullova
shkallën. Këtu, më duket se është mirë. Po ta mbaj dhe unë nga poshtë.
Myfitit ju kujtua porosia e nënës dhe u përpoq të ndryshonte
mendimin e gruas.
Jo aty, moj, jo, me djathëtas, aty ku e kisha unë, kur u ngjita.
E vendosa, ku më the, po më duket se ishte më e sigurt te vendi i
parë
Mirë, po ik tani, mos të të marrë me vete, se ti nuk je për gjë,
dhe me ndjell tersllëk.
I lodhur siç ishte, ditëziu Myfit, nuk u mbajt si duhet po rëzohet,
megjithë shkallë, nga 5 metro lartësi dhe bie mes gurrësh, pa ndjenja.
Përfundimisht ngelet sakat për gjithë jetën. Punonte, po këmbën e djathtë e
hiqte zvarë, si çalaman.
Ishte koha e luftës grekoturke dhe qeveria mblodhi nizamë. Kur i
erdhi rradha për kontroll Myfitit, Komisioni e nxorri të paaftë për shërbimin
ushtarak. Të pesë djemtë e tjerë të Hankos vajtën në Front, po nuk u kthyen
gjallë.
Hankua, megjithë gjëmën e madhe, ngushëllohej se kish Myfitin, se shume
familje i humbën të gjithë djemtë në luftë ndaj, pas asaj, me tjetër sy e
shikonte Merjemen dhe gratë e nuset e tjera të fshatit dhe porosinë për Myfitin
e kish modifikuar, duke i shtuar fjalën "gjithnjë", për të marrë formën
përfundimtare:"Mos e dëgjo gjithnjë gruan".
Në natyrë s'ka asgjë të kotë, as kotësia vete
De Montanje
B R I G A D I E R I
Fabrika e Çimentos në Vlorë u ndërtua në pjesën lindore të qytetit, në Grykën e
Mesovunit. Ata që e projektuan, mendonin se pozicioni i saj mund të ishte i
tillë që mos të tymoste qytetin, por, me sa duket, kishin trajtuar keq
"trëndafilin e erërave" dhe kishin bërë të kundërtën. Në shumë ditë të vitit
pjesa më e madhe e qytetit mbulohej plotësisht nga smogu i tymit të çimentos
dhe i gazit karbonik.
Ndërtimi i Fabrikës u bë në dy etapa: së pari u vendos njëra nga furrat e
klinkerit me kapacitet 45 mijë tonë klinker në vit. Ajo u soll nga Rusia. U
çmontua nga një qoshk i Uraleve, pa dyshim si jo rentabël dhe u vendos në
Mesovun. Me sa duket ishte zhvendosja e dytë e saj, se në fillim ka qenë
vendosur në Gjermani. Kjo dukej nga stampat mbi makineritë, të dukshme sapo të
kruaje bojën e freskët të hedhur mbi të. S'kishte dyshim se ishte dhuratë Rusisë
për kompensimin e dëmeve të luftës. Edhe furra tjetër e klinkerit ishte i të
njëjtit model, por prodhuar në Kinë, kopjuar nga ata, siç bëhej për të shumë
makineri të sjellura nga Kina. Të tillë ishin dhe mullinjtë e gurit dhe të
çimentos, thyerëset e gurit, kompresorët e ajrit, siloset, balltushka përzierëse
e argjilës, pompat, kranet, gjithçka. Nga të gjitha nyjat lidhëse të
tubacioneve, nga mullinjtë, kompresorët dhe oxhakët dilte pareshtur një pluhur i
ndotur tymi e bloze, që ishte i pranishëm, pothuajse përngaherë, në territorin e
fabrikës dhe që dendur shtrihej si një re e zezë në tërë qytetin. Në të gjitha
fabrikat mjedisi ishte aq i pistë dhe erëkeq, saqë të dukej se çdo qenie
njerëzore, prej rrobave të veta, nga çdo pore e trupit, prej mushkërive të tij
dhe deri në jashtëqitje, kutërbonte një erë të keqe, karakteristike.
Por, duhet thënë, ç'ishte e vërtetë, makineritë e plakura të kësaj fabrike,
ashtu siç ishin të konsumuara dhe të lodhura nga vitet, punonin papushuar, në
linjë zinxhir, me proces të pandërprerë prodhimi. Kështu, punëtorët duhet të
ishin prezentë dhe vigjilentë, për të pikasur çdo farë zhurme dhe ndryshimet në
punën e tyre, për të parandaluar ndonjë defekt të mundshëm. Në kushte normale
punëtori atje duhej vetëm për ndonjë takim apo stakim butoni, në rastin fatkeq.
Pra,mjafton që ata mos të flinin. Po ku t'i gjeje këta punëtorë të gatshëm e të
ndërgjegjshëm? Ata, në shumicën e rasteve, vinin të lodhur nga shtëpitë e tyre,
të rropatur nga punët e përditshme familjare dhe të pa ushqyer mirë. Sidomos në
turnet e dyta dhe të treta, sa vinin, përgatisnin kushtet për të fjetur. Dhe aq
të lodhur e të papërgatitur, siç ishin, edhe në atë mjedis të pistë mbytës, i
zinte menjëherë gjumi dhe flinin për shtatë palë qejfe. Frikë ata kishin vetëm
nga përgjegjësi i turnit, i cili i kontrollonte herë pas here dhe, po t'i zinte
në gjumë, iu hiqte ditën e punës dhe, në rast përsëritjeje, i pushonte fare nga
puna. Për të mënjanuar zënien "gafil" ishte gjetur një rrugëzgjidhje efikase:
secili e lidhte veten me litar me shokun e vet dhe, sipas një radhe, çdo ditë
lihej zgjuar një si roje në krye të linjës. Ai sa dallonte ndonjë kontroll, në
largësi, sinjalizonte me tërheqje litari. Edhe për mbledhjet e turnit, për
ndonjë komunikim të përbashkët apo për të lexuar artikujt e rëndësishëm të
shtypit të Partisë, lajmërimet me litar bëheshin dhe pas kësaj, hiqej kapela
prej letre dhe rrotullohej rreth kokës: mbledhje, mbledhje. Zakonisht mbledhjet
organizoheshin te Balltushka, përzierësja e argjilës, aty nën furrën numër një
të klinkerit, sepse atje kishte ndriçim të bollshëm dhe ishte më ngrohtë,
shtrojerë.
Kështu ndodhi dhe në një mesnatë dimri gjatë turnit të dytë. Raiti, një
brigadier mekanik i shkathët dhe gjithnjë gazmor, novator dhe racionalizator i
shquar, pra, i njohur dhe me shumë shokë e miq aty, dha sinjalin për një
mbledhje urgjente dhe të rëndësishme. Kjo ishte në kompetencë të përgjegjësit të
turnit, po duket se ai ishte i zënë. Përgjegjës turni atë natë ishte Ademi, një
djalë i ri, që kishte kryer me shumë sukses në Urale, në Bashkimin Sovjetik, një
kurs të gjatë për fugist. Ai ishte fort i gjallë, gjithnjë në lëvizje, me një
trup muskulor e të ngjeshur dhe me qafë si të demit, siç e kishte afërsisht edhe
emrin.
Kur të gjithë ishin mbledhur aty afër TEC-it, ku i priste Raiti, midis zhurmës
shurdhuese të makinerive në lëvizje, ai, me gishtin tregues të dorës së djathtë
të shtrirë, tregon në drejtim të Balltushkës, ndërsa me gishtin e dorës tjetër
në buzë, porosit që të drejtohen për te vendi i zakonshëm i mbledhjeve, pa bërë
zhurmë.
- Hapni sytë dhe shikoni se ç'bëhet aty, - thotë me zë të ulët Raiti.
Ç'të shihje? Një çift, me kurriz nga rruga, bënte veprime si kafshët. Ndërkohë,
ata nuk shihnin se, pas tyre, sipas thirrjes hokatare të Raitit, ishin mbledhur
gjithë punëtorët e turnit, burra e gra, që ulnin kokën, zinin sytë me dorë, po
me gishtat hapur dhe i binin ballit për çka shihnin para tyre.
Ç'është e vërteta, nuk mund të bëheshin gjëra të tilla në orarin e punës, por
ç'të bëje, Ademi ishte maniak dhe atëherë iu tek. Kot nuk ishte përgjegjës, i
plotfuqishëm i turnit të tij. Më vonë, kur e gjykoi më qetë edhe ai u bë
pishman, ngaqë po vonohej shumë.
Ajo, lumëmadhja, gjithashtu, u ndie si e detyruar, po bezdisej, në atë mjedis
dhe në atë pozicion fare të papërshtatshëm kafshëror. Partnerja fillojë të
ankohet e të protestojë:
- Hiqe, Adem, hiqe! Hiqe, se më vdiqe!
- Dale! Prit edhe pak, - i përgjigjej Ademi. Lëviz një çikë, të
shkretën, pse më rri si mumie…
Punëtorët, pas kurrizit të tyre, shikonin kokulur, me turp dhe rrinin e prisnin
të shqetësuar për vonesën dhe mundimin e brigadierit të tyre, duke e ndier,
sikur po e vuanin vetë. Kur, më së fundi, dëgjuan grahmat e fundit, u larguan me
shpejtësi, pa u pikasur, drejt vendeve të tyre të punës, të çliruar nga ky
mallkim.
- Aty, më larg, afër TEC-it, brigadier Raiti, i ndriçuar nga projektori i kullës
së ekranit, përshëndeste me dorë punëtorët, sikur nuk kishte ndodhur gjë e
veçantë, po thjesht si të qe regjisori i asaj shfaqjeje komiko-pornografike, që
u kishte kthyer humorin e humbur kolegëve të vet. Enkas, ai flet me zë të lartë:
- Mos e keni parë gjë Ademin, përgjegjësin e turnit, se më duhet ta lajmëroj që
kemi avari andej nga Krani dhe rreshti i automjeteve po shtohet.
Ademi, që ishte fare afër, si pa të keq, përgjigjet vetë:
- Erdha, Rait vëllai. Erdha. Paska qenë nata e avarive sot. E mora vesh. Ti nisu
para, sa të lajmëroj shokët për përforcime!
- Po unë, ç'të bëj - pyeti lumëmadhja qejfëleshë.
- Ik ti! Ik e rri në shtëpi, qetësohu, se u merove. Ditën e punës e more, për
sot dhe për nesër!
Morali s'është asgjë më shumë se rregullimi i egoizmit
J. Bentam
PROSTITUTA
Në Fabrikën e Çimentos në Vlorë në detyrën e Shefes së Kuadrit erdhi Sabrija,
një ish-mësuese, grua e urtë dhe e dhimbshme. Që në fillim u duk se ajo ishte
jashtë pozicionit të saj dhe se e kishte të vështirë të përshtatej me këtë
detyrë të re. Ishte grua oficeri, që sa ishte transferuar në garnizonin e Vlorës
dhe e kishin caktuar për pakë kohë në atë detyrë, derisa të krijohej një vend i
ri në arsim. Veç të tjerash, Sabrija, duhet të shpërndante punëtorët e rinj në
turne dhe ndonjëherë t'i caktonte ata në punë .
Një ditë Sabrijes i vjen në zyrë një vajzë e re, por e veshur dhe e stolisur
tjetërsoj.
- Jam Flutura Isaj, - i prezantohet. Kam ardhur me rekomandimin e shokut Petrit
Hakani, kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme. Ai më dha këtë letër për ju.
Më tha se ju njeh dhe po qe se keni nevojë për ndonjë sqarim, ta merrni në
telefon. Deri në orën 1000 do jetë në zyrën e vet.
- Po, po, shoqja Sabrije. Jo vetëm duhet ta pranoni menjëherë në punë, por duhet
ta caktoni në një vend të përshtatshëm, që t'i pëlqejë dhe të ngjallë interes
për të. Të ketë me se të merret, të fitojë edhe lekë. Ajo vajzë, shpjegon
Petriti në telefon, megjithëse familje lufte e me prindër të mirë, ka filluar ta
lëshojë veten pa doganë. Kemi dhe raste të tjera si kjo. Duket është ndikimi i
radiove dhe i televizionit italian, që po dëgjohet gjithnjë e më shumë në
rrethin tonë. Siç e ka nisur, ajo ka prirje të bëhet vajzë rruge. Duhet ta mbani
afër, ta kesh ti posaçërisht nën patronazh, për ta riedukuar në gjirin e klasës
punëtore. Partia jua a ka besuar juve këtë mision me rëndësi, duke qenë edhe
edukatore e brezit të ri. Pajiseni dhe me literaturë marksiste-leniniste!
Sabrija, duke e dëgjuar kolonel Petritin në telefon, hidhte sytë nga vajza e re
dhe aq e bukur dhe veçanërisht kur mori vesh për prindërit e saj të mirë e
atdhetarë, nisi të përlotej dhe ta shikonte me dashuri e mëshirë këtë filiz, që
ishte gati të shkatërrohej. Sa mbaroi biseda telefonike, Sabrija u ngrit, e mori
për qafe Fluturën dhe nisi menjëherë detyrën e ngarkuar edukuese me fjalë të
ëmbla prej mësueseje dhe me dashuri e ngrohtësi, si të ishte fëmija e saj.
Flutura, kokulur, e dëgjonte si e zënë në faj, me kokë të ulur, por, njëherazi,
rrinte si me padurim.
- Mbarove, shoqja shefe? Mjafton tani, boll, se më ënjte. Do të më bësh edhe mua
për të qarë. Dhe, pasi kaluan pesë minuta, i tha: Mos të ndodhet ndonjë cigare,
se mu ça hunda?! S'ke? Nuk e pi? Çudi, goxha grua. Paske ngelur prapa dynjasë!
Dhe pas pak: Ku më the se duhet të punoj?
- Te Pompat e Freskores. Këtu, fare afër, te Peshorja, në hyrje të fabrikës.
- Oh, sa mirë! Faleminderit! Dashkam të freskohem, dashkam të
çlodhem. Besoj se ato pompa do të punojnë vetë, për hesap të tyre dhe mua… s'do
më bëhen më pompa... Do të ngelem gjithnjë e freskët.
Kjo punë e menduar dhe e zgjedhur me kujdes e dhembshuri nga shefja ishte vërtet
vendi më i parapëlqyer i punës, në gjithë Fabrikën e Çimentos. Sabrija, për ta
ndihmuar vajzën e re, hoqi prej andej një grua të moshuar me shumë fëmijë. Vendi
i punës ishte dhe fare afër, te porta kryesore e hyrjes. Duhet të zbrisje dhjetë
shkallë dhe gjendeshe në një sallë të madhe, të freskët në verë dhe të ngrohtë
në dimër. Detyra e punëtorit, në këtë vend pune ishte vetëm të puqte apo çpuqte
një buton, për të vënë në lëvizje pompat elektrike të freskores së ujit
qarkullues, për të kursyer konsumin e ujit teknologjik, që rikthehej i ftohur,
pas kësaj, te furrat e klinkerit. Pra, këtu kishe kohë të lexoje e të studioje
jo vetëm për të kryer riedukimin, por dhe për të mbaruar shkolla dhe
universitete. Në atë sallë kishte edhe një tavolinë, ku mund të haje dhe të
mbështeteshe, si dhe një kanape me sfungjer, ku mund të shtriheshe e të
çlodheshe. Aty mund të prisje e të bashkëbisedoje a të pije kafe me ndonjë
shoqe, të bëje muhabet gjithë ditën, të ktheje filxhanët ose edhe të luaje
domino.
Kaluan, si pa u kuptuar, gati pesëmbëdhjetë ditë kur, ç'të shihje, që në mëngjes
herët në zyrën e Shefes së Kuadrit kishte zënë radhëedhe Flutura.
Sabrija, sa e pa,e futi në zyrë jashtë radhe dhe nisi ta pyeste:
- O, o, kush na ka ardhur? Po, mirë se erdhe, moj bukuroshe! Ç'u bëre, se më ka
marrë malli. Si është mami, si është babi, ti vetë si ia ke çuar?
- Mirë, mirë! Po na merri këto librat e tua, se nuk më duhen.
- I lexove? Si t'u dukën?
- As që i kam zënë me dorë fare. Nuk kam pasur kohë të lirë.
- Pse? Ke qenë e sëmurë?
- Nuk më kanë lënë rehat për asnjë minutë malukatët. Erdha të të njoftoj: nuk e
shtyj dot më. Do të largohem nga puna!
- Jo, nuk është e mundur! Po pse?
- Si pse? Po nuk ua kam borxh. Unë, vërtet kurvë jam dhe s'e kam përgjë të
prostituoj disa herë në ditë, por zgjedh atë që dua, kur e dua dhe sa të dua...
Pas kësaj Flutura filloi të qajë me ngashërim dhe iu desh kohë të qetësohet e të
japë shpjegime.
- Në vendin e punës, që më dhe ti kam pasur vizita gjithë ditën dhe jo siç më
the ti nga gra për të pirë kafe e për të kthyer filxhane, por nga gjithfarë
burrash, shumica me kapele letre në kokë, që, sapo hynin në derë, kutërbonin era
djersë dhe gaz karbonik. Veç një gjë donin me këmbëngulje… U rraskapita. Nuk kam
borxh të mbaj çdo ditë, disa herë mbi vete, që nga Drejtori, Sekretari i Partisë
e deri te punëtori i fundit i fabrikës, që të shkundin mbi mua... gjithë
pluhurin e çimentos.
E keqja nuk është vetëm e atij që e bën, është edhe a atij, që duke pasur
mundësi ta pengojë, nuk e pengon
Tuqidhidhi
DY ABAZËT
Klinkeri është gjysmë fabrikat i nevojshëm për formimin e çimentos portland. Ai
prodhohet në furra të posaçme, duke përdorur si lëndë të parë gurë gëlqerorë dhe
argjilë. Guri bluhet imët në mullinj, derisa bëhet pluhur. Argjila zgjidhet me
përbërje mineralogjike optimale dhe tretet me ujë në Balltushkë. Përbërësit
përzihen dhe homogjenizohen në formë shllami dhe kështu, me doza të caktuara,
rrjedhin në furrën e klinkerit, ku në temperaturë të caktuar thahen e piqen,
derisa ngurtësohen. Pikërisht, kjo masë e ngurtësuar, në formë copash guri,
është klinkeri. Cilësia e klinkerit kushtëzon markën dhe cilësinë e çimentos.
Në Fabrikën e Çimentos në Vlorë përzierja e gurit të bluar me
argjilën e lëngshme bëhej me një dozatriçe që ushqen furin dhe që, si gjithë
emërtesat e tjera, ardhur nga rusishtja, quhej shllampitatel. Për t'u kujdesur
për këtë aparat ishte sajuar një vend pune komod, ku punëtori rri ulur dhe vetëm
shikon rrjedhshmërinë e lëngut për mos t'u bllokuar dhe vetëm shumë rrallë mund
të bëjë ndonjë pastrim në grykëderdhje. Ishte, padyshim, një vend pune fort i
parapëlqyer, në dispozicion të udhëheqjes, që kishte takuar sevdallie, ndaj këtu
emëronte vetëm vajza të reja, të shëndetshme dhe të bukura.
Njërën nga këto vajza, një ish-gjimnaziste, që s'pati fatin të
vazhdonte më tej studimet, vajzë, domosdo e re dhe e bukur, pjesëtare e grupit
artistik të fabrikës, e njihnin dhe e parapëlqenin, njëkohësisht, si drejtori,
Bazi i madh, siç e thërrisnin, por edhe sekretari i organizatës së partisë së
ndërmarrjes, që për fat, përveç shijes së njëjtë kishte dhe të njëjtin emër.
Komisarin në fjalë, për ta dalluar nga drejtori qejfli, e quanin Bazi i vogël.
Kjo, jo për t'i ulur vlerat e përgjegjësisë, se ai politikisht ishte në pozicion
të epërm, por thjesht, se ishte ca vite më i ri.
Për të shkuar te ky vend i dëshiruar pune, me emrin pak të vështirë,
shllampitatel, ishte pak e mundimshme. Duhet të ngjiteshe në ca shkallë të
hekurta, tip marinari, një e nga një. Ngjitja, jo vetëm nuk ishte e lehtë,
sidomos për të moshuar, por për klandestinë ishte dhe komprometuese, se duhej
ngjitur një shkallë e zbuluar dhe e gjatë, e ekspozuar nga të gjitha anët, me
sheshpamje 100 metra larg. Vetë vendi i punës atje lart ishte fshehur midis
çative dhe kraneve. Kur rrije te shllampitateli, nuk të shihnin, por, kur dikush
ngjitej nga poshtë në shkallët e hekurta, ndihej zhurma menjëherë lart dhe prej
tyre vizita zbulohej.
Në një mbrëmje të ngrohtë vjeshte iu mbush mendja për të vizituar
shllampitatelin, personalisht drejtorit, Bazit të madh. Për rastësi, po atë natë
ishte kacavarur atje, më parë, edhe komisari, Bazi i vogël. Ai kishte për të
biseduar me bukuroshen edhe për ca probleme të grupeve artistike të ndërmarrjes,
ndërkohë, bënte dhe ndonjë punë politiko-edukative. Drejtori, që po ngjitej me
vështirësi, se ishte dhe ca si i shëndoshë dhe i merrej fryma në lartësitë e
mëdha, nuk mund të shihte dhe s'ia merrte mendja që atje të ishte tjetërkush,
veç punëtores së dalluar, së cilës i kishte përgatitur dhe një shpërblim si
novatore e racionalizatore e dalluar. Ata që ishin lart, sa u shkel këmba e parë
e shkallëve, e morën vesh se dikush do t'i shqetësonte. Kur zgjatën kokën dhe
panë "grand Bazin", e morën vesh mandatën.
- Bobo, - tha Bazi vogël. Po vjen drejtori. Ç'të bëjmë? Na zuri në
befasi..
Ndërkohë, punëtorët vigjilentë, që shihnin dhe dinin çdo gjë,
lajmëruan njëri-tjetrin për këtë skandal të mundshëm dhe rrëzë mureve po e
ndiqnin spektaklin të shqetësuar, se parashikonin një duel kaubojsash.
- S'ke tjetër rrugë, - këshilloi me zgjuarsi femre bukuroshja. Kalo nga Krani,
nëpërmjet çative me eternit. Është me rrezik, po ti je i ri dhe i fuqishëm.
Kujdes, mos të shkel këmba në boshllëk, se e paguan me jetën!
Dhe ashtu u bë: Bazi i vogël, si një akrobat i vërtetë, e mori
parasysh rrezikun dhe kapërceu nga një çati eterniti në tjetrën, pa i thyer
mbulesat e brishta. Ai nuk e mendonte se ishte nën kontrollin e qindra syve, që
po e ndiqnin me ankth dhe frikë dhe që, në atë çast, mendonin dhe uronin që të
shpëtonte koka e sekretarit të tyre të dashur. I vetmi, që nuk e pa këtë skenë
të frikshme ishte Bazi i madh, dhe ai kishte hallin si e ku të vendoste këmbët
për mos t'u rrëzuar nga shkallët e hekurta.
Ja të tilla na kanë qenë shqetësimet, gëzimet, hallet dhe
variacionet e jetës, në gjirin e klasës punëtore.
PROVONJËSIT E KRISUR
Ishin dy vëllezër të vetmuar, pa prindër e gjind të tjerë në
shtëpi, barinj në një fshat malor, që kishin dëgjuar për epshet dhe pabesitë e
grave të reja, të lëna jashtë kujdesit dhe nga kjo nguronin për t'u martuar,
megjithëse u kish kaluar koha. Pasi e pleqëruan, me budallallëkun e tyre, ranë
dakord me një zgjidhje origjinale dhe te pa ngjare kund, që të martoheshin të dy
me të njëjtën vajzë dhe ti ruanin bagëtitë me radhë, për të qenë njeri prej tyre
vazhdimisht prezent në shtëpi, për të provuar e kontrolluar nga afër gruan e
vetme.
Pas martesës me një vajzë nevojtare, nikoqire e me përvojë pune e
jete në fshat, kaluan shume ditë dhe radha me alternativin punë-shtëpi po ruhej
nga secili, sipas marrëveshjes. Kjo i rra në sy gruas së re, që kërkoi të
mësonte prej tyre arsyen e braktisjes së punës. Kur e kuptoi të vërtetën ajo u
dëshpërua shumë për mosbesimin e bashkëshortëve. Iu dha siguri atyre dhe iu
premtoi besnikëri të plotë dhe u tha se ata kot merakoseshin. Ajo ishte e
kënaqur fizikisht prej tyre, se asgjë nuk i mungonte dhe njëkohësisht ishte
shumë besnike, se detyrën e gruas së ndershme e kishte princip vetjak e
familjar.
-Unë edhe një burrë të kisha pasur, si çdokush, do më mjaftonte, jo
që, si rrallë në botë, kam dy. Pra, ju më dilni e më teproni. Ndërkohë, unë kam
qenë dhe jam e gatshme për t'iu përgjigjur, sa herë keni dashur dhe do të
doni...
Ata nuk u kënaqën dhe nuk u bindën nga ky premtim, ndaj vazhdonin
ta ruanin me fanatizëm robinjën e tyre, ndërsa ajo shqetësohej dhe protestonte:
-Për nderin kujdesem vetë, se po të qe për ju nuk do kishit mundësi
të më ruanit në asnjë rrethanë, u tha ajo pas ca ditësh, e dëshpëruar dhe e
poshtëruar në vazhdimësi, nga presioni në rritje dhe nga mosbesimi i dukshëm.
Ata nuk tërhiqeshin nga vendimi absurd i marrë, bile e ofenduan atë
më tej duke i thënë:
-Të gjitha gratë njësoj të pabesa tregohen, kur ngelen jashtë
kontrollit. Histori tradhtie ka me shumicë dhe çdo ditë në fshatin tonë dhe për
këto, dëgjojmë të na thuhet shpesh nga bashkëfshatarët tanë.
-Po të dua, si unë dhe çdo grua tjetër, e gjejmë fare lehtë rrugën e pabesisë.
-Provoje, po deshe, i thanë ata, njëzëri.
Në mbrëmje, në errësirën e plotë të dhomës së gjumit, duke qenë në
krevatin e madh të posaçëm, ku flinin të tre me gruan në mes, u dëshirua vëllai
më i madh për seks, por pasi provoi disa herë, konstatoi që vëllai i vogël ish
treguar me i shkathët dhe i kishte zënë radhën. Kur më pas, gjithashtu, vëllai i
vogël desh të çiftëzohej, megjithëse dhe ai tentoi disa herë, e gjeti vendin të
zënë.
Të nesërmen, pasi biseduan vëllazërisht, mësuan se asnjeri nuk kishte
mundur të çiftëzohej, se vendi mbi të shoqen gjendej përherë i zënë. Prandaj
ata po i ndërseheshin qenërisht njeritjetrin duke e quajtur si lakmitarë,
egoistë dhe gënjeshtarë.
-Ç'kini që grindeni, u tha e shoqja dhe po e akuzoni padrejtësisht
shoqishoqmin. Asnjë prej jush nuk po gënjen. E vërteta është se mbi mua, gjithë
natën, ka qenë jarani, një mik i hershëm i rinisë, i thërritur kinse prej meje,
për të provuar dhe zhvlerësuar tezën tuaj prej të krisuri. Ju, më afër se kaq
dhe të dy bashkë nuk kini qenë asnjëherë dhe megjithatë, nuk më ruajtët dot.
Tani, po më dëgjuat mua, merrni dhe një nuse të dytë, që të ruajmë njëra
tjetrën.
Dhe..., ashtu u bë.
KRYETARI SEVDALLI
Tolin, veprimtar të gjithanshëm, e kishin zgjedhur dhe Kryetar
Këshilli në lagje. Ashtu siç ishte punëtor i palodhur, po na qenkësh dhe
"merakli" i madh. Toli kishte vënë re se në pritjet e popullit vinte shpesh herë
një nuse e re dhe e hijshme. Atij nuk mund t'i shpëtonte së koti ky rast, pa dhe
gjithnjë mbahej, siç i thoshin "kreko", i larë e i parfumuar, me flokë të
krehura e të shkëlqyera me brilantinë e me onde. Në këto takime nusja e re
ankohej te kryetari për burrin e saj, që i punonte naftëtar, larg, në Sektorin e
Gorishtit.
-Po, mirë, moj bukuroshe, ku e ke hallin ti, nuk po të kuptoj, se
në atë sektor pune Pushteti ka caktuar njerëzit e tij më besnikë. Ti duhet ta
kesh për nder.
- Ç'nder, o shoku kryetar? Pikërisht kjo fjalë nuk hyn në këtë mes.
Ç'më duhet kjo farë nderi mua? Unë jam kaq e re, siç me sheh. Toli luan nga
vendi dhe diç më shumë, fillon të ndjejë e të kuptojë.
-Po, ku e ke hallin, për kokën tënde, që s'ta bën më nëna. Thuaja
Tolit ti. Hapu, pa druajtje, si miku mikut!
-Po, ja…Duhet ta kuptosh vetë. Pse unë, që jam kaq e re, në kohën
time të rinisë, vetëm një herë në javë duhet të "takohem" me burrin? Të lutem,
më gjej për të një punë më afër që të paktën, të kthehet çdo natë në shtëpi.
-Ma thuaj, troç, me sinqeritet: Kaq shumë e do atë?
-Atë? Po ai më ka rënë në pjesë. Ta dish ti, o kryetar, po ta them
troç, unë jam pak si e çuditshme, shumë e dëshiruar, histerike, siç thonë…Ta
themi me përzemërsi, troç. Nuk duroj dot pa burrë!
Toli, duket se ia arriti qëllimit, se e zbuloi, me gojën e saj, atë
që mendonte. Iu afrua dhe me zë më të ulur i tha:
-Nxirre, të shkretën, se më plase. Të mora vesh fare mirë dhe
shtëpinë ta di. Që sonde ora tetë të mbrëmjes më ke aty. Ti dil e pastro xhamin
e dritares dhe unë do ta marrë vesh se je vetëm. Ky do të jetë sinjali yt.
Dhe bukuroshja ngeli duke pastruar xhamat..
Arti i jetës është të mësosh të vuash dhe të buzqeshësh
H. Hesse
SIKUR TË KISHA LINDUR ÇALAMAN
Në kohën kur nga Partia e Punës, që udhëhiqte gjithë jetën politike
dhe ekonomike, u hodh një tezë e re për revolucionarizimin e gjithë jetës së
vendit tonë, kur kërkohej popullimi i fshatit dhe largimi nga qyteti, në drejtim
të tij, veçanërisht i nëpunësve,nisën dhe demonstrata në rrugët e qyteteve me
thirrjen e çuditshme "Lini zyrat, burokratë! Hajdeni me ne në fshat!"
Në Fabrikën e Çimentos në Vlorë, ku, aso kohe unë punoja në
administratë, si te të gjitha ndërmarrjet e tjera, erdhi një grup "veprimtarësh
revolucionarë", të dërguar nga Komiteti i Partisë së Punës të Rrethit, kryesuar
nga shoqja Sanije, anëtare e Plenumit të Komitetit të Partisë, punëtore e
dalluar e Kombinatit të Konservave "Ernest Telman" Vlorë. Ajo, për fat të keq,
çalonte shumë nga këmba e djathtë.
Na mblodhën në zyrën e madhe të financës. Ata të komisionit, ulur në
një stol të gjatë, nëpunësit e financës në karriget e tyre dhe ne të tjerët në
këmbë. Rrinim të shqetësuar në pritje, se me ta nuk bëhej shaka. Të çonin vërtet
në fshat ata, siç kishin dërguar dhe dhjetëra nëpunës të tjerë. Unë nuk e kisha
të lehtë punën në fshat, se kisha filluar, ç'është e vërteta, edhe të shfryja:
veshkat i kisha të sëmura dhe ndieja, aty-këtu, ndonjë dhembje herë në gju, herë
në mes. Isha bërë me tre fëmijë, me gruan pa punë. Në mbrëmje jepja leksione në
Filialin e Fakultetit Ekonomik. Më erdhi radha edhe mua për t'u pyetur:
- Ku mund të shkosh për të punuar ti, shoku Luan?
- Unë, asgjëkund. Mirë jam këtu, se unë fshatin as që e njoh fare.
- Jo, jo. Ky s'është argument. Aq më mirë. Do ta njohësh edhe
fshatin, siç njeh qytetin. Pse, kujt do t'ia lëmë ne fshatin tonë socialist?
- Nuk e kam fjalën aty, por unë kam këtu në qytet edhe ca detyrime
të tjera, ju i dini.
- Po, po, i dimë, - ndërhyri kryetare Sanija. Unë jam e mendimit që
shoku Luan të shkojë në prodhim. Ka edhe nevojë për t'u kalitur. Dhe si
kryekompetentja fuqiplote vazhdoi vetë me pyetje:
- Si mendon, ti, në ç'vend pune prodhimi mund të japësh ndihmesë më
shumë?
E, dreq o punë, e hëngra më keq, mendova.
- Po qe se është e domosdoshme, atëherë, më çoni te "pompat fyler".
- Pompat fyler?! Ç'janë këto?
- Është një vend pune në prodhim, nga më të vështirët, pesë metra
nën dhe shpjegon kryeinxhinieri.
- Të lutem, mos bëj shaka, mos u tall me direktivën e Partisë, - më
qortoi Sanija.
- Jo, jo, nuk tallem. E kam me gjithë shpirt, përgënjeshtrova unë me shpejtësi,
nga frika mos më futnin në ndonjë kallëp politik. E kush mund të shkojë atje veç
meje, mjeshtrit të sportit, të përgatitur kaq mirë fizikisht?
Në atë çast ndërhyri kryeinxhinieri, Bexhet Gani, një burrë me garanci të plota
politike, që ishte miku dhe dashamirësi im:
- Jo, e keni gabim. Luani atë vend pune mund ta bëjë shumë mirë, se
e njeh, ngaqë ka kryer atje punën prodhuese.
- Mirë, jemi dakord. Po në vendin tënd, si shef plani, kush mund të
vijë dhe të të zëvendësojë, pa prishur punë, më kupton?
- Kush mund të vijë?! Fare e lehtë: mund të vijë, menjëherë, çdo
punëtor që ka mbaruar, si puna ime, Shkollën e Lartë Ekonomike. Të ketë edhe pak
përvojë administrative. Ju jap fjalën se do ta ndihmoj pa rezerva.
Dukej si shaka, si shfaqje komedie, por nuk kaluan veçse dy muaj dhe
mua më erdhi transferimi, me të njëjtën detyrë, si shef plani në Fermën
Bujqësore Llakatund.
Po komedia nuk e kishte pjesën kulmore te ngjarja ime, por më
poshtë, kur i erdhi radha shefit të llogarisë, edhe ai çalaman, po në krahun e
majtë, në të kundërtën e Sanijes, kryetares së komisionit punëtor.
Nuk e di sepse, ndoshta nga veshja dhe paraqitja e jashtme e tij,
Sanija e nisi ndryshe seancën e pyetjeve:
- Po ti, nga je? Më dukesh si nga fshati.
- Po, po, me origjinë nga fshati jam, nga Mavrova.
- Atje të vesh, - i tha prerë Sanija, me frikën e ndonjë debati të
papëlqyer, që mund të zgjaste dhe t'i merrte kohë. Ndërkohë, e nervozuar Sanija
filloi të lëvizte çalë-çalë përgjatë zyrës së madhe, para nesh.
- Dale, moj motër, dale, mos e merr me ngut. Prit njëherë të më
shohësh edhe mua fatkeqin. Ku do më shpiesh, moj, ku? Dhe, fët, ngrihet me vrull
nga karrigia e fillon të lëvizë, po duke çaluar, përkrah Sanijes. Kërruset edhe
më shumë se zakonisht, gati të rrëzohet në shesh, në krahun e kundërt të
Sanijes. Ndërkaq dhe ajo ik e kthe kokën nga Elhami, se kështu e quanin
hallexhiun. Ai ik e fol:
- Mirë do të më çosh në fshat, po ti e sheh, unë mezi rri më këmbë. Si do të
shkoj nëpër sektorët e bujqësisë dhe në brigadat e kooperativistëve, që janë me
qindra metra larg njëra-tjetrës dhe në zona kodrinore? Të paktën të porositësh
të më vënë në dispozicion ndonjë gomar e ndonjë shoqërues ta tërheqë kafshën nga
kapistalli.
- O, o! Lumëmadhi ti. Ti qenke ku e ku më keq se unë. Ik, ulu, se po
këpute në kërbythje. Rri aty ku je. Nuk bën për në fshat ti. Për atje i duam si
Luani.
- O zot i madh! Pse nuk na linde çalamanë!
Moraliteti është një lluks privat dhe i shtrenjtë
H. Adams
A KISHIN FAJ GOMARËT E XHONIT?
Xhon Kohen ishte çifut. Çifutë kishte disa në qytetin e Vlorës. Ata
ishin marrë me tregti dhe artizanat. Midis tyre kishte dhe të pasur, siç ishte
familja Levi, tregtar, grosist, me magazina të pafundme dhe shtëpi komode. Po
kishte dhe shumë të varfër. Ata jepnin e merrnin, më së shumti, brenda
njëri-tjetrit dhe, në të mirë e në të keq, ndihmonin shoqi-shoqin, duke dhënë
borxhetë përkohshme, por gjithnjë të mbështetur te puna e secilit.
Gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, me ardhjen e ushtrisë naziste, çifutët
e Vlorës u kërkuan për t'u identifikuar dhe internuar, siç bëhej me gjithë
çifutët nëpër botë, por populli shqiptar i fshehu në gjirin e vet dhe atyre nuk
u hyri gjemb në këmbë. Ishin që të gjithë njerëz të urtë, të lidhur pas punës së
tyre, indiferentë ndaj mjedisit përreth, por dashamirës që nuk i bënin keq
kujt. Pjesa më e madhe e tyre banonin në një rrugicë të përbashkët, diku aty
afër sahatit të madh të qytetit, që kishte marrë emrin e tyre: "Rrugica e
Çifutëve".
Xhon Kohenin e njoha më mirë në vitin 1956, kur ai ishte normist.
Llogariste pagat e punëtorëve në furrat shtetërore të bukës. Ai ishte shumë i
dhjamosur, saqë të jepte përshtypjen se edhe djersën e kishte si me lyrë. Ai
gjithë ditën përtypte fara luledielli, stafidhe rrushi, arra e bajame, karamele
dhe gjithfarë kokrrash, që i nxirrte nga xhepat e tij, gjithnjë të mbufatura.
Xhoni e përfundonte shpejt e shpejt punën për llogaritjen e normave
dhe pagave të asaj dite dhe këtë e bënte gjithnjë, në mënyrë të përsosur, si
automat, disa orë para përfundimit të orarit zyrtar. Si e kryente këtë punë,
fshehurazi, largohej nga zyra shtetërore dhe shkonte në shtëpinë e tij aty afër,
ku, bashkë me familjen: nënën, gruan dhe fëmijët, punonin, jashtë kohës normale
të punës, në një punë të dytë privatisht. Ata ngjyrosnin shami koke në merle të
holla, me gjithfarë ngjyrash e stampash me lule e figura zogjsh dhe kafshësh.
Shamitë e kokës i kishin monopol, për gjithë jugun dhe i shisnin në fshatrat dhe
në qytetet e afërta. Mund të shkoje anës rrugëve nacionale me makinë dhe do të
shikoje qindra koka grash të mbuluara me shamitë shumëngjyrëshe të firmës
"Kohen", duke punuar në ara kolektivisht në prashitje misri apo në punë të tjera
të stinës. Ato formonin një si qilim të madh lëvizës, dekorin e "socializmit
ngadhënjimtar".
Familja unike e Xhonit komandohej nga nëna e tij plakë, energjike
dhe që s'të falte për punë tregtie. Babai, një burrë fisnik, ishte shumë më i
urtë dhe fetar, rabini i etnisë së çifutëve të Vlorës, ndërsa gruaja e Xhonit,
Nina, një engjëll gojëmbël, e bukur dhe delikate. Kishte dhe dy djem Elion dhe
Enon dhe dy vajza, njëra prej të cilave, Ana, shumë e bukur dhe e zgjuar.
Xhoni para Çlirimit ishte marrë me tregti ambulante, si pramatar basmash.
Ngarkonte në dy gomarët e tij sojlinj, pak të lartë, që të jepnin përshtypjen e
mushkës, gjithfarë basmash, zharse, mëndafshe, santinë, pupulinë, merle dhe
shëtiste në lagjet e qytetit dhe në fshatrat e afërta. Ai dallohej nga larg, se
ishte i vetmi pramatar me dy gomarë, po dhe dëgjohej nga larg, se e kishte zërin
karakteristik të hollë, si zë i çjerrë gruaje.
Xhoni tregonte me kënaqësi për kohën kur ishte pramatar:
- Më mirë, më me lezet dhe me fitim, tregtia bëhej me gratë. Ato
asokohe nuk punonin, po rrinin në shtëpi, gatuanin dhe bënin kalamaj. Kur
dëgjonin zërin tim, si të një gruaje, nuk druheshin, po dilnin dhe mblidheshin,
të tërhequra nga basmat dhe mëndafshet e ndezura me ngjyrat e ylberit. Ato as që
ia dinin vlerën parasë, se nuk i nxirrnin vetë dhe s'pyesnin për çmimet e majme.
Po, kur takoje me burrat, që ishin dhe xhelozë, hasetçinj dhe të egër, gjeje
belanë.
Xhon Kohenit nuk i hiqej nga mendja një ngjarje e asaj kohe me
Osman beun.
Osmani ishte një jevg shtatlartë dhe i pasur, tip mulati. Kishte
qenë kovaç, po, ama, një mjeshtër i rrallë. Në kohë të turkut kishte vënë aq
shumë para mënjanë, sa kishte kërkuar nga qeveria e osmanlinjve të blinte
bejllëkun. Ngjyra e lëkurës nuk kishte ndonjë rëndësi, madje, ai atë e kishte
më afër turqve, se dhe vetë nga Egjipti kishte ardhur, pastaj krushqitë i kishte
bërë me gaxhojë dhe po të bardhë i kishin dalë (me pak përjashtime) edhe
pinjollët e tij të shumtë.
Osmanajt e kishin shtëpinë në rrugën kryesore, karshi shtëpisë së
beut të Vlorës, tek ajo e zbritura, sa shkëpute nga Sheshi i Flamurit e merr për
në Skelë.
Unë, isha duke e zbritur atë pierësirën e vogël i shkujdesur, me të
dy gomarët të lidhur pas njëri-tjetrit dhe të mbushur me basmat shumëngjyrëshe,
vazhdon të tregojë Xhoni, duke hedhur një grusht luledielli, këtë herë, në gojën
e hapur sa një kamare. Kur ç'të shoh! Gratë e osmanajve, që duket më kishin parë
së largu nga tarabat e dritareve, që i mbanin gjithnjë, sipas porosisë së
burrave xhelozë, gjysmë të mbyllura, më dolën si një tufë delesh përpara dhe më
urdhëruan të shkarkoja në tokë komplet barrën, se do të bënin pazar të madh. Unë
u gëzova, se ishte mbasdite vonë dhe atë të martë, ditë tersi p vazhdon të
tregojë Xhoni, mua, puna më kishte shkuar keq e mos me keq dhe asnjë kacidhe nuk
kisha fituar. Ato më rrethuan të gëzuara dhe në kulmin e kënaqësisë shihnin
mallin dhe rrotulloheshin e mblidheshin rreth meje, duke qeshur e biseduar me zë
të lartë. Unë jepja shpjegime, reklamoja dhe vija çmime, sipas nepsit të tyre,
natyrisht, shyqyr që mu dha rasti, gati dyfish.
Isha pleksur keqas në pazar me këto gra të mira, si shumica e grave të botës,
kur dëgjoj një të bërtitur, si sokëllimë ujku, që vinte nga largësia veriore,
andej nga ana e Bankës. Kthej sytë, ç'të shoh! Vetë Osman beu, plaku gjigant,
veshur me tirq dhe me një qylaf të madh labi në kokë. Ai po vinte, thuajse me
vrap, megjithëse pengohej nga duart e zëna me dy alamet kova llamarine, ku
kishte, si e mora vesh më vonë, vaj ulliri të bërë me këmbë, që sapo e kishte
blerë. Xha Osmani i la kovat në kalldrëm, në anë të xhadesë, ku ishin dhe
gomarët dhe mu drejtua mua dhe grave të veta, duke na u hakërruar e duke na
sharë… Jo, po ç'punë ke ti me gratë e mia, o kopuk Palestine… jo po ti je
matrapaz dhe rrufjan, ti je kusar dhe mashtrues, se e bën pazarin me gratë e
paditura, që të shesësh me çmime të larta… ç'punë ke ti me mua dhe fisin tim,
kur unë mund të blej direkt nga grosistët dhe më së fundi… ik, mbushu, se ta
zbraza këtë dhjetçen turke në kokë.
Nga llafet unë nuk pyesja, se isha mësuar me burrat e këtushëm, po, kur pashë
atë alamet kobureje me grykë si të një topi, nisa të mbledh mallin shpejt dhe të
drejtohem te gomarët. Osmani dhe gratë po më shoqëronin me shikimet e tyre. Ato
më vështronin mua dhe basmat e mbledhura me keqardhje dhe beun e tyre me inat…
Kur, ç'të shihnim:
Veshgjatëve vetëm majat e veshëve u dukeshin, se turiçkat i kishin
futur secili në kovën që kishin më pranë dhe, ashtu të etur siç ishin nga
lodhja, në atë mbasdite të gjatë e të mundimshme, po gjerbnin me qejf të madh
pikat e fundit të vajit të ullirit, që kishte ngelur tanimë në fundet e kovave.
- Bobo, ç'më bërë, more… Xhon çifuti, more… soj muti, more… bir
harbuti. Do të ma paguash dëmin me flori, një për një. Po ku gjen më si ky vaj
ulliri, more… bir qafiri. Po e kishin përgatitur apostafat për mua, more lugat
dhe ishte i trashë si mjaltë, more… shkërdhatë.
- Po, pse, o bej, ç'faj kam unë?! Unë nuk i pashë, unë po merresha
me ty. Unë as që e dija se ç'kishin kovat brenda. Ato ti i vure, si me porosi,
para gojës së tyre dhe ata gomarë budallenj kujtuan se ishin me ujë. Po si s'e
kuptuat, more… gomarë! O, ç'gomarllëk që bëtë!
- Paratë! Tani, ose do të të hedh në gjyq e të të marr dhjetëfishin.
- Avash, avash, o bej! Hiqi duart nga fyti, të merremi vesh njëherë.
Unë jam dakord me propozimin e zotërisë sate. Në gjyq! Po!... Dhe pasi u largova
ca: hidhi gomarët në gjyq! Gjyqet për këtë punë janë. Të zbulojnë fajtorët dhe
të ndajnë davanë. Fajtorët dihet kush janë, ja ku i ke, janë goxha gomarë, që i
njeh gjithë kasabaja. Unë të jap fjalën se do të vij si dëshmitar. Po deshe e
bëjmë dhe ndryshe, ti dënosh ti vetë, pa gjyq, me dajak, se kështu e duan këta.
Ja ku po e nis unë i pari: ysh, gomarë, se jeni treguar më budallenj nga gomarët
e tjerë të sojit tuaj dhe keni ngatërruar vajin e beut me ujin e burimit!
Unë bilbilosja kështu, pasi pashë që erdhën djemtë e mençur të
osmanajve, të cilët u informuan për ngjarjen, çarmatosën plakun e dalë mendsh
dhe e detyruan atë të niset drejt shtëpisë së vet.
Kështu e mbylli një nga tregimet e veta Xhon Koheni, miku dhe kolegu
im i vjetër. Fati i tij i mëvonshëm ishte paksa ndryshe gjeografikisht, nga ai i
çifutëve të tjerë të shumtë të Vlorës. Shumica e tyre, sa kishin filluar në botë
proceset demokratike, u larguan për në Izrael, ku u grumbulluan çifutë nga e
gjithë bota. Jo vetëm çifutët e pastër etnikisht, por edhe çdo krushqi e tyre,
pavarësisht origjinës fetare pati të drejtën dhe emigroi me lehtësi. Kështu u
vërtetua dhe një herë, në shkallë botërore, ajo që ruhej edhe te grupi i
çifutëve vlonjatë, solidariteti, karakteristikë e veçantë e tyre, për t'u marrë
shembull nga të gjithë dhe, sidomos nga ne, që fatkeqësisht bëjmë të kundërtën.
Xhoni, si ndër më të shkathëtit e fisit Kohen, me emër e me shtrirje
në gjithë botën, duke siguruar lidhje më të forta amerikane, emigroi i tëri për
në Nju-Jork. Vajza e tij e bukur, Ana, pasi studioi për dentiste në Athinë, u
specializua në Amerikë, ku ngriti një klinikë moderne, nga ku e kujton shpesh me
nostalgji vendlindjen, Vlorën mikpritëse, në përpjekje për ta shtrirë ndjenjën
fisnike të solidaritetit çifut edhe ndërmjet bashkatdhetarëve të vjetër, e të
dashur, siç i quan ajo shqiptarët.
Kur të kafshon ujku bëj durim;tmerr është kur të kafshon një dele
J.Joyce
KIÇUA ME RUMON
Kiço Dhanon e caktuan Drejtor në Ndërmarrjen e Përpunim Drurit në
Vlorë, kur atje Ilia, që më parë kishte qenë pilot reaktivi, ishte shef
llogarie. Shefi, sa u njoh me të dhe mori vesh gjendjen e vështirë ekonomike të
drejtorit, u vu shpejt në dispozicion, sa dhe si të mundte, por gjithnjë brenda
rregullave ligjore. Kështu, herë pas here, i dërgonte në shtëpi drejtorit ndonjë
karro me mbeturina druri, nga ato që shiteshin me çmim të ulët, i jepte
paradhënie për llogari të pagave të ardhshme, i rekomandonte shërbime me dieta…
Por drejtor Kiçua, qejfli në të pirë raki dhe me shumë fëmijë, nuk dilte
asnjëherë nga fukarallëku dhe s'kishte të ngopur nga të tilla ndihma. Shërbimet
jashtë qytetit, shpeshherë, i organizonin bashkërisht me shefin human.
Një herë Kiçua dhe Ilia u nisën me shërbim drejt fshatit Kuç, për të
kontrolluar magazinat e druve të zjarrit. Në fillim ndalën në fshatin Vranisht,
ku kishin magazinën kryesore. Atje vunë re se drutë e zjarrit i kishin stivosur
me kujdes anës rrugës automobilistike, siç ishte porosia. Në një kolibe, pak më
tej, rrinte magazinieri që po punonte, duke bërë azhurnimin e kartelave. Ai e
dëgjoi nga larg zhurmën e makinës së drejtorit të vet, një gaz 67 rus i
paraluftës, që ulërinte me atë zërin karakteristik, të njohur për të. Doli para
t'i priste.
- Urdhëroni, shoku drejtor! Shyqyr që erdhët!
- Ç'më del para syve e më pret, more dembel,
i pakujdesshëm! – i ndërsehet Kiçua, sipas një programi të paramenduar. Ti
punën tënde e ke për ibret. Ne duhet të bëjmë kontroll e inventar të stivave,
për të përcaktuar gjendjen reale të druve, ndërsa ti, shoku Rumo, drutë i ke në
stiva të shtrembra, si muri kinez. Ato duhet të ishin në kube me brinjë të
drejta. E ke bërë me qëllim, që të vjedhësh. Je i pushuar nga puna, menjëherë!
- Aman, shoku drejtor! Më merr në qafë. Kam 7 fëmijë në ngarkim, pa
asnjë të ardhur tjetër. Të kam thënë që kam dhe ato pesë kërthinj që sheh aty e
që i marr me vete për t'i kullotur, po ato s'të nxjerrin nga fukarallëku.
Kiçua kthen kokën dhe përtej sheh tri dele dhe dy shelegë, po kjo
s'qe fare e nevojshme, se ai ishte informuar për inventarin e pasurisë së Rumos
dhe pikërisht këtu synonte loja e kurdisur.
- Je i pushuar, - të thashë. Nuk bëj shaka me punën e shtetit unë!
Kiçua largohet drejt autoveturës dhe prej andej i thërret shefit, që ndërkohë,
sipas skenarit, i ishte afruar ish-magazinierit. Hajde, Ilia, të nisemi për Kuç.
Aty do të bisedojmë me Kryetarin e Kooperativës për të caktuar një magazinier të
ri, nga ata që kanë mbaruar shkollën e mesme. Ka plot të papunë atje dhe me
shkollë, jo si ky, Rumua, gjysmë analfabet.
- O, shoku shef! Të lutem më ndihmo, se mua nuk më ngelet gjë tjetër, veç të
vras veten. Thuaji, se ty të dëgjon ai. Ti e sheh që unë s'kam asnjë faj. Drutë
aty janë dhe të stivosura për mrekulli. Atë stivën e prishur pak nga era do ta
risistemoj qysh sonte.
- Kiçua, po vendosi, nuk e kthen. Po ti, meqë më preke shumë, për
ata kalamajtë e tu, unë do t'i lutem njëherë. Që ta bindim më lehtë, lëviz një
çikë edhe ti. Këputja kokën atij larushit aty dhe shkoje shpejt në hell. Sa të
kthehemi ne nga Kuçi, sofra të jetë gati. Vër një njeri që të sistemojë edhe
stivën e prishur të druve! Se, për punë e për rregull, drejtor Kiçua nuk të fal.
Dëgjo dhe diçka tjetër: kur të kthehemi ne nga Kuçi, mos të gjejmë këmbë njeriu
këtu, se na futen lapangjozët në pjesën tonë dhe s'ngelet gjë për ne.
- Peqe, shef! Çdo gjë do të zbatohet në kohë, siç thoni ju,
ushtarakët.
Pas katër orësh drejtor Kiçua me shef Ilian ia behën sërish në Horë
të Vranishtit.
- Urdhëroni, urdhëroni! Edhe stiva u rreshtua, edhe sofra gati, u
shtrua. Qengji larush u gatua, sa e hoqa nga zjarri. Kollofacet dhe kukureci me
zorrë, gjëndra e mëlçi të bardhë lëshon avull dhe vjen era rigon mali e
trëndelinë Bogonice. Rakinë e kam të bollshme dhe ballë kazani: mare, e zier dy
herë. Shyqyr që më bëtë dhe mua mukajet, se humbëm në monotoninë e përditshme në
këto zgëqe.
- Gjithë rrugës shef Ilia për ty më foli e më qau hallet. Qenke
vërtet burrë i mirë, po dhe i pikur, më keq se unë. Ajo, që është më kryesorja,
për mos të ngatërruar simpatinë dhe miqësinë me punën e shtetit, edhe stivën e
druve e paske rregulluar për mrekulli. Po nuk kuptova seç zure në gojë: kukurec,
raki. Për kë më merr ti mua?
- Jo, jo, - ndërhyn shefi, - është një keqkuptim. Për therjen e
qengjit, sa e mori vesh, shoku Kiço e kundërshtoi, nuk ishte dakord. Për më
tepër, ne nuk rrimë dot, se drejtori ka mbledhjen e Partisë sonte në mbrëmje dhe
jemi
vonë.
- Si, more burra! Unë bëra gjithë këtëharxh e këtë mundim për juve. Po qengji,
kukureci, rakia?
Bisedën e vazhdoi shef Ilia, se e pa që punët po shkonin sipas
programit të parashikuar nga ai vetë.
- Dale, more burrë i dheut! Ç'ke që bërtet e mërzite, se na dëgjon
edhe drejtori. Nuk do të venë dëm harxhet! I marrim me vete. Ashtu! U kënaqe
tani? Vuri me gjithë tavë në portobagazh! Hajde, shofer Vangjeli, luaj këmbët,
se u bë vonë, na zuri nata. Kujdes lëngun, se aty është lezeti. Hidhe më parë
nga tava në një kusi, që mos të na derdhet e na bën pis edhe makinën.
- O, sa mirë të ka rënë në mend! I hani me shokët, pas mbledhjes.
- Ç'thua, more i fantaksur, pse ç'i bëre ti komunistët,
sahanlëpirës? Pastaj ata janë shumë. Nuk i kënaq dot të gjithë me një palo
qengj. Ngarkesën do ta shkarkoj te shtëpia e drejtorit. Të paktën të gëzojë ai
vetë me gruan dhe kalamajtë. Mos harro rakinë! Të dyja shishet, se një do ta
marr për vete.
S'besoj se mund të bëhesh i lumtur, duke bërë të tjerët fatkeq
Seneka
BULLGARKA
Kiço Dhanua, i ardhur nga një fshati i Tepelenës, pasi kishte kryer
shkollën shtatëvjeçare dhe një kurs partie, kishte punuar ca kohë si instruktor
në Bashkimet Profesionale. Më pas ishte zgjedhur ndër militantët për të dhënë më
shumë ndihmesë për të mirë të Partisë dhe të popullit dhe ishte caktuar
instruktor në sektorin ekonomik të Komitetit të Partisë të rrethit Vlorë. Ai
vinte shpesh edhe në kolektivat punonjëse të ndërmarrjeve ekonomike te Vlorës,
për të kontrolluar, hetuar e ndihmuar, deri punonjësit e thjeshtë, për të
mbajtur të pastër vijën ideologjike marksiste-leniniste në çdo qelizë të
ekonomisë socialiste. Nuk duhet harruar se në ndërmarrjen tonë të përzier në
shumë aktivitete, aty, afër Drejtorisë, kishim dhe repartin e sallamit dhe atë
të ëmbëlsirave. Kiçua i kishte merak këto prodhime delikate dhe i degustonte,
herë pas here, duket, siç thosh një miku im, edhe për të ruajtur popullin nga
ndonjë helmim i mundshëm, qoftë dhe nga dizenteria. Për popullin duhet
sakrifikuar deri vetja.
Në të njëjtën kohë me praninë, thjeshtësinë dhe shembullin e vet, ai kryente
edhe detyrën e caktuar nga Partia për edukimin moralo-politik të punonjësve.
Në zyrën e planit të ndërmarrjes sonë, bashkë me mua, punonte si
ekonomiste e kosto-statistikës dhe një grua bullgare, Millka, gruaja e një
dentisti të njohur, nga fshati Iljaz i bregdetit. Në një mëngjes dimri, Millka,
që e ndiente shumë të ftohtit, në zyrën tonë pa ngrohje, kishte dalë me pallton
e madhe gri hedhur krahëve dhe po pushonte pak çaste, për t'u ngrohur në atë
shtrojerë, nën rrezet e ngrohta të diellit. Pikërisht, në atë çast fatkeq ia
behu si me vrap Kiçua, siç ecte ai gjithnjë, falë temperamentit të tij sanguin.
E sheh Millkën drejt e në sy. Ajo, si e zënë në faj, ul kokën, me sytë e bukur e
tëpafajshëm dhe bëhet të kthejë shpejt në zyrë.
- Po, ti, bullgarkë, ç'po bën aty? Po shullëhe?
Millka, që as e dinte kuptimin në shqip të kësaj fjale, se e dëgjoi
për herë të parë, e fyer, e trembur, po gjithë respekt, siç ishte ajo, iu
përgjigj:
- Jo, jo, shoku Kiço. Nuk po bëj gjë të keqe, siç duket se më the,
po jam ca si e sëmurë dhe dola pesë minuta në diell, se kam të dridhura dhe
brenda, pa ngrohje, është më ftohtë.
- Po pse, për të punuar apo për t'u shullëhur ke ardhur ti sot? Oj,
na paska ftohtë, zonja! Po mijëra punëtorë e kooperativistë të nderuar ç'duhet
të bëjnë, sipas zotërisë tënde, të shullëhen apo të punojnë? Po, s'ke faj ti, se
të toleron Luani, kapso shefi. Më jeni bërë kapitalistë dhe revizionistë bashkë
ju e po bëni pallë ariu, ndërsa ne dhe të gjithë proletarët e botës duhet vetëm
të punojmë, të na bjerë bretku në punë. Hë, pa do ta shihni edhe ju!
Millka futet kokulur në zyrë dhe e ngashëryer ma shpjegon hollësisht
ngjarjen.
- Mirë që bërtet sa ka në kokë, po pse më shan, madje, dhe më thotë
me një fjalë të keqe e të vështirë: "shullëhe". Unë nuk jam e atillë. Le që
s'jam e atillë, por unë as që e kuptoj këtë lloj sharjeje në shqip, s'e kisha
dëgjuar kurrë as nga gratë e lagjes, kur zihen me njëra-tjetrën dhe thonë deri
fjalën e fundit. Nuk më thua, çdo të thotë në shqip kjo fjalë? Më thuaj ndonjë
sinonim.
- Kuptimin ia di, - i them unë, - po tamam, tamam, të shoh fjalorin. Sharje nuk
është, po dhe lavdërim nuk është, prandaj qetësohu dhe fillo punën, ngaqë jemi
pas dhe do të rrimë jashtë orarit edhe sot. Kiço ziu atë punë ka, t'ia bëjë
gam-gam, të mbllaçitë ca sallam cilësor e të ëmbëlsohet më pas me tahin, hallvë
e biskota. Do të kthehet në Komitetin e Partisë pa i raportuar njeriu. Ai
kënaqet me veten e tij, se e zhvilloi parimisht luftën e klasave dhe u ngop e u
ëmbëlsua sa desh. Ti mos u mërzit fare, se Kiço Dhanua dhe ca si ai, atë punë
kanë: të hanë dhe të lehin. Po, përgjithësisht, ai nuk i bën dëm njeriu, se
është fukara dhe me një tufë kalamaj
x
Në një tjetër ditë Kiço Dhanua, instruktori ekonomiko politik i
Komitetit të Partisë në Vlorë, pasi kishte qenë për "kontroll e ndihmë" në
Kantinën e verë-rakisë dhe kishte pirë sa donte, po pa meze, ashtu gjysmë i
dehur, hap derën e zyrës sonë, fut kokën vrullshëm dhe për t'i ruajtur, për mos
t'i përplasur sytë me të mitë, i ngre instinktivisht lart nga tavani. Aty, në
një qoshe, dallon një shtrat merimange, pikërisht mbi tavolinën e Millkës.
- Shoqja Millka! Ç'është ai pisllëk aty në qoshkun e tavanit?
Millka, që priste ndonjë përshëndetje mirësjellje nga i
porsaardhuri, ngrihet menjëherë në këmbë me sytë lart, në drejtim të gishtit
tregues të shokut Kiço. Shikon te qoshku i tavanit një rrjetë merimangash dhe
brenda tij një insekt të madh, të zi e të frikshëm. I duket vetja si e zënë në
faj, se duhet ta kishte vënë re dhe të njoftonte, të paktën, atë pastruese të
pakujdesshme. Hutohet dhe i priten mendimet. Si t'i përgjigjej instruktorit? Po
ajo as që e dinte si i thoshin në shqip. Pa e menduar shumë, nisi t'i thotë të
vërtetën:
- Të më falni, po nuk e di në shqip. Në bullgarisht i thonë...
- Po, e mora me mend që nuk e dije. E kuptova nga vonesa e
përgjigjes. Domosdo, ty shqipja nuk të intereson. As shqipja, as Shqipëria jonë
e dashur. Këtë unë e kam të qartë. Po, unë një gjë nuk po arrij të kuptoj. Nuk
kuptoj sesi të mbajnë ende në punë si nëpunëse të shtetit shqiptar, se t'i ha
bukën e turkut e bën duanë e kaurit. Unë nuk po kuptoj se kujt i shërben ti,
shoqja bullgarkë?
- O shoku Kiço, - ndërhyra unë fortë i shqetësuar, ndërkaq, që
Millka shpërtheu në të qara me dënesë, - po, ç'ke me shoqen Millka ti, që i je
qepur me bukë në trastë. Dhe kur mu afrua dhe e ndjeva që qelbej era raki, e
ngrita më shumë zërin, edhe për të qetësuar Millkën. Ajo, - i thashë, - është
nëpunëse model, punon shumë mirë dhe ka njohuri të thella. Pastaj burri i saj
është drejtor dhe specialist në zë dhe komunist edhe më i vjetër nga ç'je ti.
Ajo nuk ka për detyrë të merret me pezhishkat e mureve dhe me merimangat e
vrimave, punë që i takojnë një pastrueseje. Unë nuk po të kuptoj dot ty sot, kur
po na flet si i dehur dhe madje kalon në ekstrem me iluzione spiunazhi. Të
lutem, na lër rehat, se unë marr menjëherë prej këtu në telefon Sekretarin e
Parë të Komitetit të Partisë dhe mjerë ti dhe kalamajtë e tu pastaj.
Kiçua uli zërin dhe u ul në një karrige, megjithatë, s'e komandonte
dot veten nga rakia:
- Me gjithë respektin që kam, edhe për ty mund t'i them ca fjalë dhe
atë që e ke vëllain në burg. Rri, mos e zbut luftën e klasave dhe mos më fol mua
për merimangat e mureve, po hap sytë dhe shih këtu e kupto me ç'merimangë punon.
Me një merimangë bullgare, që çdo ditë thur rrjeta, për të të përfshirë në to
edhe ty, që je kontingjent i gatshëm. I dimë ne këto, jemi vigjilentë, siç na
mëson Partia dhe t'i themi hapur, pa e pirë mendjen. Prandaj ulni kokën, punoni,
se po luajtët bishtin, ne ju presim kokën. Qartë? Ta mbyllim me kaq këtë punë?
- Po, në këtë rast, - i them unë, duke e kthyer në shaka, siç duhej
bërë me një të dehur, - ne këtë gabim kemi bërë, e kemi mbajtur kokën poshtë, se
po ta mbanim lart, do t'i kishim parë ato pezhishkat e tua dhe me vigjilencë
revolucionare do të kishim informuar pastruesen që, siç e di, për fat edhe ajo
ka për të ushqyer jo pak, por pesë fëmijë, aq se keni dhe ju, shoku Kiço. Tani
besoj se e more vesh që fajin kryesor për këtë gjëmë të madhe e ka ajo, po dhe
ne pa faj nuk jemi.
Kiçua nuk kishte më fuqi ta zgjaste bisedën, por edhe ashtu, i dehur
siç qe, nuk shkonte dot më në zyrë dhe kur e pa që ne nuk ia varnim më, se
kishim punë, filloi të dremiste i kënaqur në karrige, me kokën në tavolinë,
midis të dy duarve si jastëk. Shpejt filloi dhe të gërhinte. Unë e zgjova me
kujdes, e kapa nga krahët dhe e shtriva në kanapenë e Këndit të Kuq, aty pranë,
ku, me derë mbyllur nga jashtë, fjeti deri në mbarimin e orarit zyrtar.
Liria fillon nga ironia
Hygo
DJAJTË KUNDËR SEFERIT
Më vinte shumë keq për Sefer Dautin. Atë e kishin arrestuar me bujë
dhe e kishin dënuar me shumë vjet burg për agjitacion e propagandë.
Ish-marangoz, pasi kryen disa vite universiteti në Gjermani, ishte kthyer pas
prishjes së marrëdhënieve të shtetit tonë me "demokracitë" e lindjes dhe punonte
si specialist mobilierie. Duke pasur besim politik, si ish-punëtor dhe anëtar i
Partisë së Punës, dërgohet në një grup pune për pak ditë në Suedi. Kthehet prej
andej i shokuar, I sinqertë e baballëk, siç ishte, në rrethin e vet shoqëror,
por edhe më tej, shpjegon me entuziazëm çuditë e para atje, shumë më interesante
se edhe të Gjermanisë Lindore, ku kishte studiuar dhe punuar për disa vite.
- Duhet të kishe kujdes edhe kur ecje, se ty të dukej zbrazëti, por
mund të ishte derë xhami transparente dhe ti asaj mund t'i bije me kokë e të
bëje hatanë. Pallate të tëra me xham, si në përralla. Dritë, shkëlqim, pastërti
kudo. Si dita dhe nata njësoj: plot jetë, gjallëri dhe ndriçim verbues. Ne, kot
që rrojmë.
Hanëmja, gruaja ime, që punonte me të në zdrukthëtari dhe kishte
respekt, si gjithë të tjerët, do ta kujtonte gjatë çastin e arrestimit të tij
publik e të bujshëm. Erdhi shoku i tij i fëmijërisë, zëvendëskryetar i Degës së
Punëve të Brendshme të Vlorës, një shpirt djallëzor, dhe në mes të sallës së
madhe të mbledhjes, në prani të gjithë punëtorëve të zdrukthëtarisë, të
grumbulluar nergut, tha:
- Kemi ardhur sot këtu të arrestojmë armikun e Partisë dhe të
Popullit, Sefer Dautin. Hidhini prangat!
- Prangat shpejt, qenit, se i kam dalë borxhit disa herë.
Seferi, me pranga në duar, shoqëruar me policë, del nga salla e
mbledhjes, me dhembje e lot në sy e me kokën kthyer pas, drejtuar
zëvendëskryetarit:
- Po vajzat e mia të vogla, gruaja e sëmurë, shtëpia e pambaruar,
borxhet?
- Ik, qen! Mos mendo tani për to. I laj më parë borxhet Partisë, për
ato që ke bërë e ke thënë. Në burg do të kalbesh!
Dhe Hanëmja zgjohej natën e llahtarisur për shumë kohë. I kujtohej
me tmerr ngjarja e dhimbshme. Nuk e di pse, po dhe unë u dëshpërova sa s'thuhet
nga përshkrimi prekës i kësaj ngjarjeje, që dhe më pas më la gjurmë të thellë.
Ishte një padrejtësi e madhe. Nuk dyshoja që Seferi kishte folur, por kishte
shprehur, pa të keq, të vërtetën, siç e kishte parë. Për të vërtetën duhej
arrestuar dhe dënuar me burg? Më dukej se edhe unë, si punonjës i pushtetit,
kisha pjesën time të fajit. Ç'të bëja? Diç duhej bërë. I them shokut tim
Harillës, që ish ministër dhe me përgjegjësi në Parti. Ai më dëgjoi me vëmendje
dhe më tha se do të interesohej te kolegu i tij i Ministrisë së Brendshme, po
duket më kot.
Kaloi gjysma e dënimit dhe, sipas ligjit, kishte një mundësi tjetër:
lirim të parakohshëm me kusht. Kryem procedurën e kërkesës, që kalonte nga
Fronti në lagjen e tij. Nga Seksioni i Organizimit përgatitej materiali dhe
përfundimisht shtrohej çështja në Komitet.
I them shokut tim të punës, juristit Petro, nëse është e mundur të
kalohet pozitivisht kjo kërkesë e Frontit të Lagjes.
- Mos u bëj hiç merak, Luan. E qëndis unë këtë çështje. Flije
mendjen, mos u bëj fare merak. S'e kam për gjë, një orë punë.
Të nesërmen Komiteti Ekzekutiv, si forum, në këto raste vetëm
kalonte me miratim materialin e Seksionit Operativ, si zakonisht, pa asnjë
ndryshim. Kështu bëri dhe këtë radhë. Jemi dakord me propozimin e Seksionit.
Por, propozimi na paska qenë refuzimi i kërkesës për lirim para kohe me kusht.
- Pse kështu, more Petro? Kaq poshtërsisht! Pse dyfytyrësh? Djall i
vërtetë!
- Si, pse? Më mirë kështu. Riedukohet plotësisht. Për këtë punë i
kemi burgjet tona. Pastaj, ç'më duhet mua, o vëlla, të zbus luftën e klasave.
S'ka problem që nuk zgjidhet në tavolinë, përderisa ka vullnet të mirë dhe besim
reciprok, ose frikë reciproke
P. Levi
NË MESNATË ME PETRON
Atë ditë në pritjen e popullit kishte shumë njerëz. Sipas porosisë
së Partisë, pritja e popullit organizohej me kujdes: çdo ditë nga shefat e
seksioneve, dy herë në javë nga nënkryetarët dhe një herë në javë, çdo të enjte
ora l300, nga kryetari i Komitetit Ekzekutiv.
Shoku Axhem Gjoni, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit
Popullor të rrethit të Vlorës e kishte bërë zakon që, për t'i zgjidhur në vend
dhe sa më shpejt ankesat e popullit, të thërriste në ballafaqim në ditën e
pritjes së popullit edhe zyrtarët e atakuar, si dhe ndonjë punonjës që do të
ndiqte zbatimin e detyrave për zgjidhjen e problemeve të lindura.
Atë ditë kryetari kishte marrë në pritje, si zakonisht për ta
ndihmuar, juristin e Seksionit të Organizimit, shokun Petro, që ishte me
origjinë nga një fshat i Gjirokastrës. Ai, ç'është e vërteta, nuk e nxirrte
qimen nga qulli, po me këtë rast do të mbante shënime dhe do të ndiqte zbatimin
e urdhrave dhe porosive të dhëna. Petrua, para se të vinte në Komitet, kishte
punuar për shumë vjet në organet e drejtësisë, por atje, me plogështinë dhe pa
aftësinë juridike të tij, ishte bërë pengesë serioze, ndaj edhe ata, kur iu
kërkua një jurist, përfituan nga rasti dhe ia bënë peshqesh pushtetit lokal.
Pritja e popullit shkoi gjatë. Hallet e popullit s'kishin të sosur.
Po shkonte mesi i natës.
- Foli tjetrit. Sa të tjerë ka jashtë që presin?
- Edhe një, shoku kryetar. Shyqyr, mbaruan më sëfundi.
- Thërrite të fundit! - urdhëroi me gjysmë zëri, krejt i kapitur
kryetari. Si i qau hallet edhe me qytetarin e fundit, kryetari i lehtësuar nga
një barrë e rëndë tha:
- I pritëm të gjithë. Vërtet bëmë një punë rraskapitëse gjatë këtyre
10 orëve plot shqetësime dhe ankesa, po diçka bëmë. Ndiejmë dhe ne kënaqësi se,
më së fundi, e mbaruam dhe këtë punë për sot.
- Jo, shoku kryetar, nuk ke mbaruar. Jam edhe unë. Do të më presësh
edhe mua. Dhe, fët, Petrua ikën nga karrigia e tij dhe ulet në karrigen e
pritjes së popullit, para tavolinës së kryetarit.
Kryetari, që kishte vënë kokën midis duarve për t'u çlodhur pak, kur
ngre sytë shikon Petron përballë. Pati mendimin se ai po bënte ndonjë shaka
çlodhëse. Kur e sheh që ai e kishte seriozisht, i thotë:
- Po pse, ore Petro, sonte kur ka kaluar mesnata kërkon të pritesh
ti e të zgjidhësh hallet e tua? Lëre për një ditë tjetër dhe hajde në zyrë. Ne
çdo ditë jemi bashkë e mund të bisedojmë, si për çdo problem tjetër.
- Jo, po pritja e popullit është tjetër gjë. Ajo ka natyrë zyrtare
e ligjor. Si jurist, ardhja në zyrën tuaj për nevoja vetjake mua nuk më lejohet.
Kryetar Axhemi, vërtet ishte shumë i lodhur në atë mëngjes herët, pas mesnatës
së lodhshme por, ashtu i ri dhe gjithnjë i freskët dhe në humor e me dhunti
poetike, e urdhëroi Petron të ngrihej menjëherë, të rregullonte dhe të mbyllte
zyrën e pritjes. Kryetari doli i shkujdesur në korridor, duke buzëqeshur dhe
duke belbëzuar një përgjigje të vargëzuar, të ideuar spontanisht, në formë
bashkëbisedimi:
Petrua model zyrtari
ka mendime prej të marri.
gjoja sillet si jurist,
rrotullohet kot në pistë.
- Kryetar, dëgjomë në ballë,
pastaj nis e mu përgjigj.
Të ma zgjidhësh këtë hall,
se un' mbështetem në ligj!
Ndaj po flas, në mes të natës,
mos më thuaj se jam lodhur.
S'theve bishtin e lopatës,
ti, veç karrigen ke ngrohur.
Shumë i lodhur, them, jam unë,
shkrova, mbusha dhjetëra fletë.
Dy minuta, jo më shumë
më dëgjo, njëherë në jetë:
Petrua yt është pa strehim,
katër frymë - një garsonierë,
s'kam ku rri, s'kemi ku pimë,
me gruan s'fjeta njëherë.
- Lum si unë, e lum Partia,
për kuadro kaq me vlerë.
Ikim shpejt, se dhe graria
tani po na pret në derë.
Një njeri, të cilit nuk i pëlqen askush, është më fatkeq se ai që nuk i pëlqen askujt
Rokefoukauld
SI I IKU PETROS TRURI
Telefoni xër-xër. Petrua sa kishte ardhur në zyrë, ndërsa ky telefon
i bezdisshëm xër-xër. Alo, alo, po fol, mor shok, fol. Ngele alo, alo. Kush je
ti, prezantohu njëherë, sipas rregullit.
- Jam… Dëgjohet një belbëzim i pakuptueshëm, i paformuar mirë:
"Hajde lat!"
- Ou! Paske qejf ti dhe po flet me vete. Unë as të dëgjoj dhe as po
të kuptoj seç thua. Hajt, ngjatjeta!
Xër-xër, përsëri zilja e padurueshme e telefonit.
- Bam Api jam. Dëgjon ti apo s'dëgjon? Pse s'pëlgjigje? Hajde
latë, të thashë. Buokat!
Petrua, juristi ynë i Seksionit të Organizimit të Komitetit
Ekzekutiv të Rrethit të Vlorës, përsëri i nervozuar e përplas me inat dorezën e
telefonit (sikur ajo t'ia kishte fajin) dhe shan me zë.
- Ç'ke që mërzite, - i thotë shoqja Liza, shefja e tij. Ti je burrë
i qetë. Ç'ke me telefonin. Do të jetë ndonjë hallexhi.
- Si, moj shoqja shefe, si mos të mërzitesh?! Ka dhjetë minuta që më
provokon në telefon një marmarak, i belbët, me zë fëmije. Duket do të tallet me
mua.
- Po pse, ç'thotë?
- Thotë pikërisht kështu: "Jam Bam Api dhe ajde latë".
- Ou, ç'na bëre! Na fike të gjithëve! Si, ore, vete e i mbyll me
arrogancë telefonin?! Po ai është Kryetari i ri i Komitetit Ekzekutiv, që sa
është emëruar dhe s'ka veçse dy ditë që ka filluar nga puna. Me sa duket, ka
hapur numëratorin telefonik dhe kërkon juristin për ndonjë interpretim juridik.
Ik me vrap! Ç'pret?
- Obobo, ç'më gjeti! E hëngra më duket. Edhe kjo më duhej mua.
Petrua vesh xhaketën dhe niset me nxitim, i tronditur dhe duke u
menduar:
- Mirë, o vëlla, po zyra e Kryetarit është poshtë, në katin e dytë
dhe ne jemi më lart, në katin e tretë. Ai pse më tha ajde latë, që do të thotë
lart? Nejse, ai kështu tha. Unë urdhrin e dëgjova saktë, bile ashtu, të belbët.
Me sa duket, do të ketë ndonjë problem urbanistik dhe do që ta sodisim qytetin
nga tarraca e Komitetit. Dhe Petrua ngjitet me vrap në tarracë, po atje s'kishte
këmbë njeriu. Për fat nuk ishte as dezhurni i MCR-ës, që rrinte zakonisht në
gatishmëri. Ishte vetëm sirena e alarmit ajror dhe mitralozi kundërajror i
gatishmërisë, i mbuluar me mushama. Ishim në kohën e demaskimit të Traktatit
Ushtarak të Varshavës dhe mitralozi ishte i domosdoshëm.
- Shyqyr, qenka stoli bosh. Po pres këtu. Dhe u shtri i qetë, sa
gjatë e gjerë, duke ngjeshur xhaketën pas trupit.
Atje, poshtë, në Zyrën e Organizimit, po binte sërish me shqetësim
zilja e telefonit.
- Urdhëro, - përgjigjet këtë radhë me druajtje Liza.
- Po ç'u bë ai juristi? Pse s'po vjen? Atë do të pres unë? I thashë
të ngjitet urgjent lart.
- Më fal, po ku jeni Ju, shoku Kryetar, - pyet Liza, tani edhe ajo e
shqetësuar.
- Në zyrën time jam. Ku do jem, në qiell?
Atëherë Lizës i shkoi menjëherë në mendje ndonjë budallallëk i
mundshëm i Petros. Kryetari i ri, që nuk i dinte zyrat e Komitetit, do të ketë
menduar që juristi është në katin e parë dhe e fton lart, për në katin e dytë,
ku është zyra e tij. Petrua e ka marrë si të mirëqenë urdhrin "lart" dhe vërtet
do të ketë shkuar në tarracë. Me vrap të ngjitem dhe unë lart, tha Liza.
Petrua, fare i qetë, vazhdonte të rrinte i shtrirë mbi stol,
mbështetur pas parapetit. Ai mendonte se do të rrinte gjatë aty në pritje,
ndërsa, dreqi ta hajë, kishte gjithë atë punë që e priste në zyrë. Kur pa dhe
Lizën aty, i tha:
- Hë, shoqja Liza. Të urdhëroi kryetari të vish edhe ti këtu? Po
ç'të na dojë, xhanëm?
- Ik, ore jurist, në zyrën e Kryetarit dhe shpjegoji atij ndonjë
çështje nga ana ligjore!
- Pse, u bë pishman? Nuk do të vijë këtu për problemet urbanistike
të qytetit?
- Po ç'punë ke ti me urbanistikën e qytetit, sos je inxhinier
urbanist ti. Ai të kërkon për specialitetin tënd, meqë nuk të njeh, kujton se
ti, si jurist, diç di. Dhe ka jo pak, po një orë që po të pret. Është bërë
bishë.
- Ika, ika. Obobo!
Vetëm një gjë është më tragjike se dhimbja: jeta e një njeriu të lumtur
Kamus
VRASJA E USHTARIT
Xha Selmanit i kishin thënë ata të Kryesisë së Kooperativës se
problemin e djalit të tij fatkeq, të vrarë gjatë shërbimit ushtarak, do ta
zgjidhte fare lehtë në Seksionin e Organizimit të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit
në Vlorë. Ata, i tha një shok i kryesisë, po përgatisnin dokumentet për t'i
dhënënjë pension të mirë, s'ishte çudi ta shpallnin edhe dëshmor. Xha Selmani
mori leje për atë ditë nga kryebariu i kooperativës dhe u nis me kundërpostën
për në qytet. U ngjit në katin e tretë, ku i thanë dhe hyri në zyrën e vogël të
Seksionit të Organizimit. Në tavolinën anësore më të djathtë rrinte Petrua, me
syzet mbi sy, i zhytur në mes të dhjetëra dosjeve. Atë ditë ishte fort i
shqetësuar. I kërkonin një material të ngutshëm për mbledhjen e radhës të
Komitetit, ku do të paraqiste propozime dhe do të jepte mendime për disa kërkesa
të Frontit Demokratik, për lirime të burgosurish para kohe, me kusht. Ai, si
zakonisht, vetëm një mendim jepte: "të mos lirohet". Sa më gjatë të rrinë, aq
më shumë riedukohen në këto shkolla të vërteta të Partisë, mendonte. Po
formalisht duhet të studiohet çdo rast dhe, sipas ligjit, duhen bërë dokumentet
përkatëse.
- Selman Mema më quajnë. Jam nga fshati. Vij për problemin e djalit
tim, Jahos, që është vrarë, hataje, kur ishte duke kryer shërbimin ushtarak në
Sazan.
- Ë, si the? Petrua as që e kishte fare mendjen te vizitori.
Urdhëro, ulu, zotrote. Bëj rehat!
Selmani u ul para tavolinës anësore te Petrua, në një karrige, që ishte edhe
afër tavolinës së shefes, shoqes Liza. Tavolina e shefes ishte në krye të zyrës,
ngjitur me atë të juristit. Ajo e dëgjoi Selmanin dhe që në atë çast e përjetoi
fatkeqësinë e tij të madhe, që, si ngjarje të bujshme e të studiuar, e njihte me
hollësi. Më tej, në anën tjetër të zyrës së vogël, rrinte personi i tretë i
këtij seksioni, Jetmir Sejdiraj, një ish-mësues i shkathët, me stazh si nëpunës
aty, që edhe ai e kishte mendjen te puna e vet dhe priste e përcillte njerëz
dhe, ç'është e vërteta, ua zgjidhte problemet shpejt dhe me drejtësi.
Petrua vazhdonte të punonte. I përqendruar te materiali, thuajse nuk
dëgjonte se ç'thuhej. Çështë e vërteta, e shqetësonte pak ai fshatari plak
përballë, që, sikur i zinte frymën. "O ç'm'u poftis dhe ky merhumi, tani",
mendoi.
- Shoku jurist, - dëgjoi të përsëriste me ndrojtje fshatari. Ti e di
shumë mirë çështjen. Më fal, më duket se prita ca si tepër, jo për gjë tjetër,
po më duhet të kthehem në fshat me postën e orës 200 të drekës dhe po më bëhet
vonë.
- Hë, po, ç'kishe ti? Problem ushtari më the! Po mirë, o xhaxha, po
pse s'e çon djalin ushtar ti? Të gjithë njësoj ju, refuzoni. Shërbimi ushtarak
është detyrë nderi për çdo shqiptar të ndershëm. Pastaj, si ta kryejë me sukses
shërbimin ushtarak, do të të kthehet më i fortë, më i mençur dhe me një zanat të
ri në xhep.
Xha Selmani u zhgënjye. Ata në fshat tjetër gjë i thanë. Ky juristi,
që është kryesori, nuk ditka gjë fare për këtë çështje. U bë gati të ngrihej e
të largohej shumë i mërzitur.
Liza, që po e ndiqte në heshtje bisedën, shumë e dëshpëruar për
qëndrimin e vartësit të saj, ndërhyn me vendosmëri:
- Petro, Petro, ç'përrallis kështu, pse flet pa doganë? Është ai
rasti fatkeq i vrasjes në ishullin e Sazanit.
Petrua u hutua edhe më shumë, se shefja i uli autoritetin në sy të
popullit. Nuk po i binte në të.
- Po unë nuk merrem më me vrasje, me hetime. Shyqyr që u largova nga
gjyqet dhe hetimet!
- Po këtu nuk është problem gjyqi, po pensioni, - ndërhyri Selmani.
- Problem pensioni, - thuaj. Është tjetër gjë. Do ta shohim. Pastaj
i ngre edhe një herë sytë nga Selmani, i cili ishte veshur fshatçe. Po sa vjeç
je ti që kërkon pension? Më dukesh pak i ri për pension. Pastaj ti, siç the edhe
vetë, je nga fshati, domethënë kooperativist, dhe ju nuk përfitoni pension. Kemi
ligje, vëlla.
Liza, që po vazhdonte ta ndiqte bisedën, e mërzitur sa s'bëhet,
madje, e skandalizuar, ndërhyn përsëri:
- Ore Petro! Ai ta tha shkoqur. Dhe unë ta kam thënë, se dosjen aty e ke, të
plotësuar me dokumente, si nga Komanda edhe nga fshati. Ne dje e shqyrtuam dhe
parimisht e miratuam. Është fjala për të ndjerin Jaho Selmani, ish-ushtar në
Sazan, që u vra hatajen, po në krye të detyrës ushtarake.
- Ë, për Jahon! Kjo po. Po ky thotë Selman.
- E vërtetë është. Unë Selmani jam, që mos qofsha, por kam ardhur
për çështjen e Jahos, djalit tim, që atë fat më pati.
- Xha Selman të na falësh, - ndërhyn shefja. Kthehu këtej nga unë.
Petrua sot është ca si i sëmurë dhe po përgatit një material me rëndësi e
përgjegjësi për mbledhjen e Komitetit që bëhet nesër. Ti ik i qetë në fshat. Çdo
gjë do ta përfundojmë në dobi të çështjes dhe do ta shpiem për miratim brenda
javës. Përgjigjen do të ta dërgoj unë në fshat, në adresën që e kam në dosje.
Mirupafshim!
Që të mos jeni martirë të sfilitur të kohës dehuni papushim, me verë, poezi, virtyt;
si të doni
Baudelaire
KU E LASHË LLAFIN?
Skënder Malo Kalemi ishte me origjinë nga fshati Borsh i Sarandës,
po lindur e rritur në Vlorë, buzë detit, aty në Ujin e Ftohtë, sa kalon Tunelin.
Kishte qenë punëtor tek italiani Roberto Alegro, që ndërtoi distilerinë
"Skënderbeu". Në kohën e Luftës Antifashiste u bë partizan Brigadës se pestë e
pas Çlirimit drejtor në disa ndërmarrje e miniera të vendit. Së fundi, erdhi në
NISh Prodhime të Ndryshme Vlorë. Këtu patëm fat të njihemi e të punojmë për
shumë vjet bashkërisht.
Mund të thuash, pa mëdyshje, se Skënderi ishte një burrë i hijshëm,
me një goxha trup, fort i shoqërueshëm dhe qejfli për çdo gjë të mirë në botë.
Dy pasionet e tij të hershme ishin gjahu dhe gratë. Për të ishin thurur ngjarje
nga më fantastiket, lidhur me trimëritë dhe dinakëritë e tij prej gjuetari të
suksesshëm për shpendët dhe kafshët e egra. Shumë ndodhi ka, sidomos, për
gjuetinë e derrit të egër, në ndihmë të udhëheqjes, në Karaburun të Vlorës.
Ndërsa për aventurat e shumta të dashurive me gratë më të kolme liberale të
kohës, po të mos qe Hirushja, gruaja e tij e mirë, po shumë xheloze, ato do të
ishin bërë legjendare. Ajo e mbante të tërhequr si me kapistall këtë "hamshor
race".
Një ndër shokët e tij të ngushtë dhe i njëjtë në disa nga tabiatet ishte Sheme
Beqiri dhe ky me origjinë nga Borshi, ish-partizan, ish-major i kundërzbulimit
shqiptar në Itali e Zvicër, por i "djegur" për makinacione të spiunazheve të
huaja. Për meritat e tij të shumta inteligjente në zbulim ai nuk mund të hidhej
poshtë. Ata të qendrës vetëm sa e kishin kthyer në Atdhe dhe e kishin caktuar
drejtor të Ndërmarrjes Ushqimore në qytetin e Vlorës. Këtu përfshihej dhe
Kantina e Verë-Rakisë te Pusi i Mezinit. Edhe Shemja kishte hobitë e tij:
rakinë, dhe këtu puqeshin me Skënderin, poezinë dhe motoçiklizmin. Asnjëherë nuk
e kishim parë të lëvizte në qytet me autoveturën e ndërmarrjes dhe shoferin e
tij, por gjithnjë me një motoçikletë italiane "Xhilera", që i kishte levat e
marshit te serbatori. Ndofta, zanati i tij i vjetër e kishte mësuar të lëvizte
pa kontroll.
Dy-tri herë në javë Shemja vinte në ndërmarrjen tonë dhe kërkonte
Skënderin. Merrnin meze mishi dhe shkonin e pinin në Kantinën e Verë-Rakisë.
Mezenë ua përgatiste me merak Koço Lloci, tekniku ynë i Punishtes së Sallamit,
që i nxirrte llokmat e mishit nga shkrirja e dhjamit, për llogari të kursimit të
rrezes së prodhimit, kinse pa e dëmtuar shtetin, çka i jepte të drejtën të
dispononte personalisht për to.
Një ditë, kur procesi i shkrirjes se dhjamit po vonohej, ata u
detyruan të prisnin në zyrën e drejtorit. Për variacion, që të prishnin tablonë
e përhershme monotone çift, meqë bashkë do të ishin edhe më pas, duke pirë
gjithë natën, më thërritën edhe mua. Kjo u bë fare lehtë, se zyra ime ishte
ngjitur dhe lajmërimi bëhej nga vendi, duke i rënëdy herë rresht murit që na
ndante.
Po fliste Skënder Kalemi. Ai trajtonte gjithnjë një nga të dy
motivet e parapëlqyera: gjahun ose seksin dhe, kur ishte mundësia, i plekste të
dyja. Bash në çastin kur biseda kishte arritur pjesën kulmore të një tregimi
interesant, bie zilja e telefonit të drejtorit. Receptorin e ngriti vetë
Skënderi…
- Urdhëro, shoku Ministër! (Instinktivisht Skënderi ngrihet më këmbë
dhe ashtu e vazhdon bashkëbisedimin). Po, po, ju kuptoj. Si urdhëron, shoku
Ministër. Po, po, kemi marrë masat e nevojshme, sipas porosisë suaj. Si
urdhëron, kaldajën e zdrukthëtarisë, më së fundi, e futëm brenda lokalit, në
godinën e parapërgatitur. Jemi duke instaluar lidhjet hidraulike dhe duke kryer
proceset e punës në vazhdim. Të gjitha po bëhen, siç na porositët ju etj... etj.
Biseda zgjati mbi gjysmë ore. Skënderi po bisedonte me Xhafer
Spahiun, Ministër që, siç thoshin, drejtonte me skrupulozitet, operativ, qen i
punës dhe shumë kërkues. Atij i trembeshin sa edhe Kryeministrit, se vendoste
shpejt të merrte masa disiplinore të rrepta, deri në pushim nga puna. Kur, me sa
dukej, bisedës i erdhi fundi, pas përshëndetjes përkatëse, Skënderi i mbytur në
djersë shan nën dhëmbë, përplas receptorin dhe thotë:
- Të më falni, shokë. Nuk kisha ç'bëja. Ky xhebraili na… muhabetin
dhe mua më prishi nga mendtë. Të më besoni, unë nuk e kujtoj fare ku e lashë
llafin…
- E le tamam te këmbët, - ndërhyri Shemja me buzën në gaz dhe
vazhdoi, - atje kur i kishe ngritur këmbët dhe ato i kishe hedhur mbi supe…
Skënderit, që shumicën e tregimeve, si të gjithë gjuetarët e mirë, i
kishte të sajuara apo të ekzagjeruara, pa një bazë të saktë reale, ende nuk po
kujtohej…
- Po atje, ore hutaq, që e kape nga të dyja këmbët dhe ia hodhe mbi
supe, - nguli këmbë Shemja.
Përsëri Skënderi nuk u kthjellua plotësisht, po s'kishte lezet ta
zgjaste më tej heshtjen...
- E, po, tamam… E, që thoni ju, o vëllezër, si ia ngrita këmbët
lart, i këputa një të… që edhe sot e mbaj mend dhe e kujtoj me shumë kënaqësi.
- Ore, Skëndo, - ndërhyn Shemja! Ç'thua kështu, more matuf?! Po ti
kishe muhabet gjahu, nga t'u shkrep tani, me sa kuptohet, për femra? Ti po
thoshe se kishe vrarë një lepur të madh sa një dash.
- O, më falni. Ka qenë një rast tjetër ai, që nisa t'ju tregoja
tani. Rasti i parë ka lidhje me atë lepurin e madh të Mavrovës. Ai ishte aq i
madh, sa s'e ngrije dot e ta varje në brez. Atëherë unë e kapa për këmbësh, i
ngrita këmbët në supe dhe e hoqa xarë, deri te makina buzë xhadesë. Mos qeshni,
kështu ka ndodhur dhe skish si të transportohej, ndryshe ai lepur sa një derr,
të më besoni! Për ideal! Kam dëshmitarë dhjetë gjuetarë.
E, si mos ta besonim ne Skënder Kalemin, që ishte gati të tregonte,
pa mbarim, ngjarje të bukura nga jeta e tij e gjallë dhe e shokëve të tij të
mrekullueshëm të luftës, gjuetisë dhe kabareve... Këtë kënaqësi na e prishi Koço
Lloci, fjalëpakë, që sa tha "mezeja-gati" i bëri ata alamet burrash ta linin
muhabetin thatë, në mes, me gjithë iluzionin për gjahun dhe femrat dhe të
ngrihen me rrëmbim rinor, për të shkuar në Kantinën e Verë-Rakisë, për ta lagur
gurmazin e për të humbur në kënaqësitë e tjera të pafundme të kësaj jallaneje.
Atje do të shijonin llokmat e derrit, duke pirë deri në mesnatë. Atje do ta
ndienin veten të humbur në kujtimet e tyre të moshës së rinisë e të Luftës, në
ato kënaqësi të perënduara tashmë, po të mbushura me histori për gratë mëkatare
budallaqe dhe do të përfytyronin dredhitë e kafshëve të zgjuara, që ishin
përpjekur më kot t'u shpëtonin manisë së tyre vrastare.
Gjithçka ka një kufi, edhe pasioni njerëzor
Bonaparte
N Ë KËRKIM TË BUKURISË
Na tregonte vetë Skënder Kalemi në një natë zbori të mbledhur rreth
zjarrit partizan:
Atëherë isha Drejtor i Minierës së Bitumit të Selenicës. Sapo ishte
çliruar vendi, madje mbaja ende të veshur uniformën e bukur të oficerit të ri
dhe një "gold" amerikan të varur në brez. Ashtu siç isha, fare i ri në moshë, i
shëndetshëm, i fortë dhe çakërrqejf, nuk më mbante vendi në kërkim të bukurisë
dhe të aventurës. Më ishte ngulitur mendimi se ne që vetëflijuam dhe bëmë
luftën, duhet të kishim më shumë të drejta dhe privilegje për ta shijuar jetën.
Këto më bënin të papërmbajtur.
Për të banuar na kishin dhënë një vilë njëkatëshe me oborr, nga ato
që italianët kishin ndërtuar për administratorët e Minierës. Jetoja atje bashkë
me gruan time të dytë, një infermiere e mirë, e bukur, po, vigjilente e xheloze,
si shumica e grave.
Po aty, në një shtëpi afër nesh, banonte një shitëse e re dhe shumë
e bukur, Memeja, siç i thërrisnin, qytetare nga Vlora. Unë përballesha çdo ditë
me të, sa herë veja dhe vija për në zyrë. Më kishte bërë aq mbresa freskia,
shëndeti dhe vitaliteti i saj, sa vetvetiu ndalesha, për ta parë derisa zhdukej.
Ajo i ngrinte dhe i ulte menjëherë sytë dhe skuqej e tëra si një mollë e pjekur.
Kur kthehesha në shtëpi dhe rishihja gruan time, tani kërre dhe të zeshkët, me
gjoksin dërrasë, tërbohesha më keq dhe dilja ta shihja prapë Memenë,
shtatëmbëdhjetëvjeçare, me atë gjoks të ardhur si shegë devedishe dhe aq e
shëndetshme, sa dukej se do ta çante fustanin e ngushtë. Veç të tjerave, duke i
krahasuar do shihje se Memeja ishte e qeshur, shend e gaz, diell, ndërsa ime
shoqe nursëze e gojëhelm, sterronte, natë. Më e keqja ishte se mezi më qaste në
krevat. Ndihej e lodhur dhe e plakur para kohe. Vitet e luftës si partizane e
kishin drobitur.
Memeja bënte goxha gjitoni me gruan time. Hynin e dilnin, merrnin
dhe jepnin. Vetëm njëra-tjetrën kishin dhe asnjë gjitoni tjetër aty afër. Kështu
kalonin ditët dhe mua më shtohej meraku.
Një të diel unë rrija në shtëpi dhe po lexoja gazetën "Bashkimi" aty
afër dritares. Nuk e di pse, po mendja më kishte ngelur te Memeja. Hirushja sapo
ishte nisur për Vlorë, të takonte njerëzit e saj. Kur, ç'të shoh?! Pupulakja po
vinte duke u hedhur, me atë hapin si sorkadhe mali, me atë buzëqeshjen e
përhershme në fytyrën e bukur dhe me fustanin e hollë dekolte e flokët të hedhur
anash. I hapa derën.
- Mirëmëngjesi, shoku Skënder! Tët shoqe desha pak.
- Po hajde, moj Meme. Brenda e ke, në kuzhinë. Po futu brenda, de! Ti
je si në shtëpinë tënde.
Ajo sa hyri, unë e mbylla me çelës portën dhe pa u menduar më tej,
se mu errën sytë, i hidhem dhe e pushtoj me këto krahët e mëdha si putra ariu.
Ishte aq e freskët, gur i fortë. Të dy të rinj. Ajo sikur po më shkiste, duke
qeshur e duke u dredhur si ngjalë dhe unë pas saj. Kur, papritur, më thotë duke
qeshur, me atë mirësinë e saj të pasosur:
- Mos, Skëndo, mos shpirt, se do të na shohin! Unë këtë e kuptova si
shenjë që dhe ajo s'ishte kundër madje ishte e dëshiruar në shpirt, siç tha
padashur. Kjo më dha të kuptoj se ishte e stërvitur dhe nuk e kishte për herë të
parë. Për këtë dhe diç kisha dëgjuar. Po edhe ato shikimet e kryqëzuara jashtë
këtë më përcillnin..
- Na shohin, the? Kollaj. Ja po i ul perdet.
Lëre, lëre si vajti më pas në dhomën e gjumit.
Kjo vazhdoi dhjetëra herë të tjera, aq sa na pikasi gruaja ime e
mençur. Filluan konfliktet, që rrezikuan deri divorcin me të. Po, desh zoti, nuk
e bëmë këtë, se ajo manovroi me takt e zgjuarsi. Ndërkohë, kaluan vite, mosha
bëri të sajën. Dashuria e re u zvenit dhe fëmijët na kishin zënë
këmbët.
Një shoqëri që pretendon t'u sigurojë njerëzve lirinë, duhet t,ia nis me
garantimin e ekzistencës së tyre
L. Blum
Ç A M Ë T, VLLEZËR TË NJË GJAKU
Në tërësi për çamët kam respekt dhe veçanërisht për një pjesë të
tyre që u vendosën në Vlorë. Me ata na lidhi puna dhe jeta e përditshme.
Kanëqarkulluar mendime dhe përshtypje nga më kundërshtueset, si "çam i pabesë",
"çami më i mirë në Shesh të Flamurit", demek aty duhet të varet; por, nga ana
tjetër "besa e provuar e çamit", "besnikun më të madh Ali Pashai e kishte çam"
etj.
Ndonjë i shan çamët si mbartës të veseve, të intrigave apo pabesive, nxitës të
ryshfetit dhe allishverisheve të pamoralshme. Dhe këto i argumentojnë me raste
konkrete. Unë them se nuk përjashtohen rastet, madje, edhe për krahina të tjera,
brenda dhe jashtë vendit tonë, gjenden gjithandej plot raste skandaloze. Mos
harrojmë për çamët kushtet e tyre të banimit e të jetesës, rrethuar me të huaj,
që i kanë larguar dhe përbuzur ndër vite, duke i lënë shumicën e tyre, të
pashkolluar, të shtypur e të ndrydhur nën trysni.
Por nuk mund t'u mohohen atyre virtytet e larta të edukatës familjare, qëndrimi
i moralshëm dhe dëshira e madhe për të kryer, pa qibër, çfarëdolloj pune, deri
në ato më të rëndomtat dhe më të rëndat.
Të panënshtruar dhe shqiptarë të mirë, çamët lanë shtëpi e pasuri
dhe u hodhën në Shqipërinë mëmë, në ëndrrën e tyre të hershme. Në dhe të tyre
ata ishin të pafuqishëm për të mbrojtur veten, gratë dhe fëmijët. grekët,
fqinjë shekullorë, Ata, megjithëse fqinjë shekullor, u përndoqën nga Grekët me
egërsi e barbarizëm, në atë pabarazi të madhe forcash dhe mjetesh. Çamët ngelën
pa asnjë ndihmë e përkrahje, qoftë dhe nga shteti amë, gjithnjë i preokupuar me
probleme të tjera të kohës. Me bagëtitë e tyre dhe ato pak mjete financiare që
dispononin, po me dashuri të madhe për Gjuhën shqipe, Atdheun e shumëkërkuar dhe
për punën, ata erdhën në Shqipërinë e varfër dhe të shkatërruar nga lufta,
përballuan plot vështirësi, por të paktën u vunë, pa dallim, në kushte të njëjta
me vendësit, si të gjithë bashkëkombësit e tyre.
Unë qysh në fëmijëri u njoha me shumë çamë të mirë. Në shtëpinë tonë
shumëdhomëshe në Skelë të Vlorës u strehuan dy familje të mëdha fisnike çamësh:
Hamitajt e Arvenicës dhe Habilajt e Skopjonës, me të cilët kishim njohje shumë
të hershme. Diku aty afër u vendos dhe një nga shokët e mi të fëmijërisë,
Mersin Zeneli dhe më tej të shpërngulur nga Arpica, Gumenica, Vola, Paramithia,
Grikohori etj. Kështu më pas u njohëm, me djalin e lagjes, matematikanin Abedin
Elmazi dhe vëllezërit e tij të mirë, me dentistin gojëmbël Abdulla Iljazi, me
mjekun e shquar Remzi Suljoti dhe prindërit e tij të mrekullueshëm, me
financierët Osman Rexho, Sulo Sulejmani, Mustafa Suljoti, Namik Veipi, me
shoferin buzagaz e dashamirës Saqe Gera, me fotografin historian Skënder Beqiri
dhe vëllezërit e motrat e tij të mira, me inxhinierin e talentuar, që arriti të
bëhej deri prefekt, Esat Hasani, me shokët e mi të vjetër e të paharruar Ali
Hoxha dhe Emin Sejko.
Në Fermën e Llakatundit u njoha me çamin Jakup Sulejmani dhe vëllezërit e tij.
Xha Jakupi ishte magazinier në depon qendrore të ndërmarrjes, ndaj me të unë
kisha lidhje të përditshme pune, çka më bëri ta njoh më nga afër. Fare i bindur
them se Jakupi ishte përsosmëria e një njeriu të mirë dhe të ndershëm. Unë vija
re se nga shumë anë të Durrësit, Fierit dhe Vlorës, ku kishte përqendrime
çamësh, vinin pothuajse çdo ditë miq dhe të njohur të tij për t'i kërkuar
këshilla e mendime për krushqi, ndarje paqësore apo për zgjidhje grindjesh e
mosmarrëveshjesh. Për çdo rast gjendej një zgjidhje oportune dhe e mençur.
Pajtonte sherre e gjaqe, lidhte krushqi dhe gjente deri burime financiare dhe
ndihma morale, materiale e fizike, për të kapërcyer vështirësi të përkohshme.
Dhe të gjitha këto pa përfitimin më të vogël material. Jakup Sulejmani, që
kishte marrë pjesë me armë në dorë në luftë për mbrojtjen e vatrave familjare,
kishte ndier në kurriz të tij padrejtësi shtetërore dhe shoqërore, kishte parë
me sytë e tij egërsinë dhe dhunën e ushtruar ndaj bashkëkrahinarëve të tij, nuk
pranonte as dhuratën më simbolike materiale, përveç urimeve dhe falënderimeve
shoqërore.
Ishte atje në Llakatund edhe çami Nail, që punonte e hapte kanale
drenazhimi. Ai me një bel special 50 centimetra të gjatë bënte çdo ditë 5 norma
pune, gati sa një traktor, hante 2 bukë të zeza gruri (4 kg) me një copë djathë
dhe pinte një bucelë me ujë. Nuk kishte ai asnjë mëtim e kërkesë tjetër, veç që
me punën e me djersën e ballit të mbante familjen e tij të madhe, duke i çuditur
të gjithë, duke bërë atë volum pune me krahë, që besoj se njeri tjetër në botë
nuk e bënte.
Ja të tillëi njoha çamët, siç i vrojtova nga afër, në pikëpjekje 40
vjet pune me ta. Ata lanë vatrën e ngrohtë familjare, se nuk duruan poshtërim e
skllavëri. Lirinë dhe shpëtimin e gjetën te vëllezërit e një gjaku e të një
gjuhe, duke punuar në çdo lloj pune. Ata zgjodhën të jetonin, në kushtet të
përafërta, si në trojet e tyre, sa më afër detit, ullinjve dhe portokalleve.
Punuan më së shumti si peshkatarë në det dhe si bujq e blegtorë, në vazhdim të
traditës, në përjetim të mallit për vendlindjet e tyre të paharruara. Ata
ushtruan profesionet e bujkut, blegtorit, peshkatarit, karroxhiut, qoftë dhe të
punëtorit të thjeshtë të krahut në ndërtim, komunale e transport. Ata shumë
shpejt i arritën dhe diku i kaluan mikpritësit vendas, duke e përkrahur dhe
mbështetur fort njëri-tjetrin, për të manifestuar kështu shkallën e tyre
tradicionale të fisnikërisë dhe të besës. Ata e ruajtën dhe përtërinë folklorin
e tyre të bukur, duke kërcyer me patos vallen e paharruar çame, duke kënduar me
nostalgji këngën polifonike karakteristike të tipit Çelo Mezani apo këngën
qytetare erotike të ëmbël çame. Kur kërcejnë dhe këndojnë çamët, në festat apo
dasmat e bukura dhe me shumë harxh që organizojnë, ata duken të tjetërsuar, duke
shpërthyer dhe duke nxjerrë në shesh gjithçka që kanë thithur dhe mbajtur në
thellësinë e qenies dhe të shpirtit të tyre vital. Dhe në këto raste, si
vëllezër të një gjaku, ata ngjajnë më shumë shqiptarë, njësoj si ne, ndaj dhe
s'ka pse mos t'i duash më shumë.
Gëzimet e vogla, jo të mëdhatë, na duhen për të na lehtësuar ne ngushëlluar për ditë
Hesse
TË NJOHA...MË RRIP
Një nga çamët e parë të ardhur me kohë në Vlorë ishte
Et'hem Suljoti. I ngelur jetim qysh në fëmijëri, ishte birësuar në një familje
labe. Partizan i orëve të para, ishte plagosur keqas në luftë dhe, pasi e kishin
mjekuar në spitalin e forcave aleate të Mesdheut në Bari të Italisë, e kishin
kthyer pa ia rregulluar plotësisht njërën këmbë, ndaj çalonte dukshëm. Kishte
qenë në funksione të ndryshme drejtuese në pushtet, deri Kryetar Bashkie në
qytetin e Vlorës. Unë u miqësova më shumë me të kur ishte Kryetar i Degës së
Drurit në ndërmarrjen lokale Vlorë, kur drejtonte nga ana administrative
repartin e zdrukthëtarisë, një kolektiv me rreth 300 punëtorë. Këtu prodhoheshin
mobilie, arka ambalazhi dhe fuçi druri. Ishte një njeri shumë i çiltër e
dashamirës. Nuk ishte i arsimuar plotësisht, po njeri me sens praktik, i lidhur
me punën dhe organizator me përvojë. Et'hemi ishte njeri me prirje për të renë.
Na përkrahte dhe na nxiste, duke ndihmuar këdo. Ai e ndiente dhe e shprehte
mirënjohjen e thellë për shokët dhe sidomos për farefisin. Ata e kishin birësuar
dhe e kishin nxjerrë në jetë. Me këtë mirënjohje atij i dukej se lante detyrime
të hershme.
Një mbesa e tij takoi, për fatin e saj, të lidhet, pa e kontrolluar
veten, me një djalë nga fshati Dukat i Vlorës, fshat që njihet për karakter të
ashpër e të qëndrueshëm. Me kalimin e kohës ajo nuk po dallonte më siguri te
qëllimet përfundimtare të të dashurit të saj. Këtë ia shprehu pa dashur së ëmës.
Nëna, e vënë në shqetësim për të ardhmen e së bijës, këtë problem e pleqëroi me
Et'hemin, duke e gjykuar për njeri me mend, me njohje e me ndikim në një rreth
të gjerë shoqëror dhe, për më tepër, ngaqë e kishte të besuar, si vëlla të
birësuar të burrit të saj.
Et'hemi pranoi dhe, pasi bëri hetimet e nevojshme, mësoi se djali ishte nga një
familje shumë e mirë, por i papjekur sa duhet. Arriti në përfundimin se duhet të
ndërhynte me ngut, ta takonte vetë bandillin dhe të bisedonte shtruar me të, për
ta bërë zap, sa nuk ishte vonë. Meqë atëherë Et'hemi ishte drejtor ndërmarrje
dhe për fat takoi që djaloshi punonte po aty si marangoz, gjeti një shkak dhe
dërgoj e thirri atë në zyrën e vet.
Et'hemi e nisi bisedën me djaloshin rreth e rreth, për ta njohur më
mirë, si të thuash, për t'i blerë mendjen. U bind edhe vetë se djali nuk
"mbushte" fare, ishte karafil nga mendja. Për ta afruar, që të fitonte simpatinë
e tij, nis dhe e pyet:
- More, djalë i xhaxhit, mos je gjë nga Dukati ti?
Nga pyetja djaloshi kuptoi që diçka kishte "shfryrë". Duket, mendoi, me
gjithë porosinë time, ajo "kuçka" më ka tradhtuar, ka dekonspiruar dhe i ka
thënë gjë xhaxhait të saj, ndaj me ashpërsi u përgjigj po me pyetje:
- Po, nga më njohe ti mua? Mos të ka folur ndokush?
Et'hemi nuk e priste reagimin e befasishëm. Si t'i përgjigjem? Aty
për aty sheh se djali kishte ngjeshur në brez, sipas modës së atëhershme, një
alamet rripi si palldëm kali. E gjeta alibinë, mendoi me vete.
- Të njoha… më rrip!
Djali sedërli, që këtë e mori për tallje, ngrihet me rrëmbim dhe
nisi të largohet.
- Ashtu? Mirë, atëherë, ke për të ma parë… rripin!
- Dale, more dale, prit, ku vete, të merremi vesh njëherë!
Et'hemi, i dëshpëruar shkoi te njerëzit e vet shumë i mërzitur, për
t'u thënë atyre që në vend, sikur, t'i vinte vetulla, i kishte nxjerrë sytë së
mbesës.
Poe vërteta doli ndryshe. Biseda e papëlqyer e kishte bërë punën më mirë.
Dukatasi i fyer, inatçi , siç qe ai, po dhe me karakter, në trashëgim të
traditave të mira familjare, kishte shkuar me një taksi e kishte marrë zvarrë
për krahu vajzën dhe drejt e në… "Gjendjen Civile" me dy shokë të tyre si
dëshmitarë, ku kishte celebruar martesën
...
Një tjetër herë Et'hemi kishte shkuar për pushime te një miku i tij
në Himarë. Po bënte muhabet dhe po çmallej, duke ndenjur në banakun e një
farmacie, ku shërbente barba Koçua, shoku i tij i vjetër i Luftës.
- O barba Koço! Ne vërtet muhabet bëjmë dhe do bëjmë gjithë ditën,
se jemi të malluar, po pa e dëmtuar shtetin ama.
- Pse, more vëlla, ku dhe si po e dëmtojmë shtetin?
- Si more, ku dhe si?! Ja, o vëlla. Këtu para nesh, ndenëbanak, ti
ke plot "shkrepëse". Ata të kërkojnë, ishte i treti, goxha zdap që t'u lut dhe
ti s'u jep, duket nuk të lë muhabeti. Mos e blloko kot mallin e shtetit dhe vete
e ma lë stoqe. Apo mos do ta bësh ti personalisht politikën demografike, në
kundërshtim me porositë e qeverisë, që i ka prurë ato marifetet këtu? Mos do të
dalësh ti kundër "planifikimit familjar"?! Ti mos e ke hallin që të shtohet
popullsia e bregut të detit?
- Për çmall, o derman, e ke llafin? Nga ato që kërkojnë ata unë nuk
kam!
- Si, more, s'ke! Kaq të paditur më bëre mua ti. Po ato dengjet aty
ç'janë?
- Ato ashtu janë, ta themi troç, prezervativë janë, po janë çineze,
markë kineze, me numër të vogël. Këta këtu, në këto anë, i duan çeke, numër të
madh, se ti i pe vetë sa kaba janë, ndaj edhe më the ai "zdapi"… janë sojsëzë
këta.
Në realitet nuk ka asgjë të keqe, që të mos ketë diçka të mirë
Plini plak
APOLOGJIA E JASIN BALOS
Ishte koha kur prodhimi i gëlqeres përreth Vlorës bëhej me kumi
primitive, rrëzë malit Llogora. Nxirrej guri gëlqeror, që ishte i cilësisë së
mirë, në masivin shkëmbor aty, si dhe drutë e zjarrit nga trupat e dëmtuar të
pyllit dhe shkarpat që gjendeshin në pyllin e madh po aty. Prodhimi organizohej
nga ndërmarrja shtetërore me sipërmarrës privatë. Lidhej kontratë akordi me një
sipërmarrës dhe ai gjente dhe administronte punëtorët, duke i tërhequr nga
kooperativa bujqësore e Dukatit, që kishte, në çdo kohë, forca të lira të
tepërta. Punëtorët i paguante vetë sipërmarrësi çdo ditë. Veglat e punës,
materialet e nevojshme, si dinamit, kazma, qysqi e sëpata, si dhe transporti,
pas kërkesës së sipërmarrësit, përballoheshin nga ndërmarrja. Nëpërmjet
sipërmarrësve, më të zellshëm ishin dukatasi Lulo Bodo dhe çami Jasin Balo.
Ndodhte që sipërmarrësit e gëlqeres dështonin, duke krijuar shumë
shqetësime. Dështimet ndodhnin jo vetëm kur mungonin forcat e mjaftueshme të
punës, sidomos në procesin e gjatë dhe të mundimshëm të djegies, por dhe kur
binte shi, breshër e borë, kur frynte e bënte furtunë, dukuri që shfaqeshin
gjithnjë në dimër në këtë zonë. Po kështu ndodhte edhe kur nuk kishte mjete të
mjaftueshme transporti, sidomos për mos lëvizjen e gëlqeres, kur ajo qëndronte
stok, buzë rruge në mal, e rrezikuar të vidhej nga kalimtarët ose të shuhej nga
uji i shiut dhe nga shkrirja e borës.
Në këtë kohë sipërmarrësi kishte marrë ose merrte para nga ndërmarrja dhe me to
paguante punëtorët e përkohshëm me mëditje çdo ditë. Në këto kushte ai figuronte
debitor, borxhli, ndaj ndërmarrjes, përderisa të shlyente paradhënien monetare
me një sasi të caktuar prodhimi.
Me sipërmarrësin çam Jasin Balo dështimet ishin më të shpeshta dhe shoqëronin
njëra-tjetrën. Drejtor i ndërmarrjes ishte Dadani, një ish-oficer, ardhur nga
jeta partizane, vërtet pa nivel arsimor, por me përvojë në drejtim. Ai ishte
mësuar me rregull dhe korrektesë, ndaj i kishte tërhequr disa herë vërejtjen dhe
e kishte lajmëruar Jasinin të tregohej më i kujdesshëm dhe të shlyente
paradhënien me prodhim, se me shtetin nuk bëhej shaka. Por më kot, borxhi
thellohej. Kur shuma u rrit tej kufijve ligjorë dhe nuk dukej më shpresë
kompensimi, Dadani më porosit mua ta hedh sipërmarrësin Jasin Balo në gjyq. Dhe
kështu u bë.
Gjykata, sipas akt-akuzës firmosur nga drejtori, mori si të pandehur të lirë
Jasin Balon. Akt-akuza jo vetëm i kërkonte një për një detyrimin, por e padiste
Jasinin si borxhli përsëritës e mashtrues.
Jasin Balua, që ishte shumë i zgjuar dhe bilbil nga goja, ndërthuri
një apologji gjurmëlënëse. Pasi foli për figurën e tij morale, për trimëritë në
luftë për çlirimin e atdheut, si partizan i batalionit "Çamëria" dhe më parë si
eamist dhe antifashist, tha se unë nuk kam asnjë faj dhe se ky gjyq i nderuar ka
prirje të më dënojë pa faj, vetëm e vetëm se unë jam çam, edhe këtu,
padrejtësisht, i nënvleftësuar, i përbuzur dhe pa përkrahje.
Kryetari, që ishte me origjinë minoritare greke, e kundërshtoi dhe
tha se para ligjit të gjithë përgjigjen njësoj, pavarësisht se nga janë dhe ne
këtu në gjyq çamët i kemi njësoj me lebërit dhe me shqiptarët e tjerë.
- Jo dhe jo, - kundërshtoi Jasini, se po të qe kështu, do të
kishte ndonjë çam të punësuar në Komitetin e Partisë, në Komitetin Ekzekutiv, në
Gjykatë apo në Prokurori. Më gjeni një, - vazhdoi me këmbëngulje Jasini.
Kryetari, pasi u mendua dhe nuk gjeti vërtet asnjë çam në këto
organe, i thotë të pandehurit, pa u thelluar:
- Po, këtu ke të drejtë. Nuk po gjej asnjë çam.
- Po qe se kam të drejtë, gjyqi është mbyllur.
- Jo, më keqkuptove. Gjyqi është tjetër gjë dhe ka bazë akt-akuzën
dhe jo tezën tënde për çamët. Ti je akuzuar dhe do të përgjigjesh për ato që
ngrihen atje.
- Po kush më akuzon, Dadan analfabeti?
- I pandehur, mos e ofendo drejtorin.
- Jo, zoti kryetar, ai ka ofenduar veten se, megjithëse alfabeti i
gjuhës shqipe është më i gjati në botë dhe ka 36 shkronja, Dadani di vetëm një
shkronjë.
- Ç'do të thuash me këtë? Ç'është kjo shkronjë?
- Shkronja "S"
- Shpjegohu, i pandehur!
- Po, ja: Unë i kërkoja Dadanit para për të shpërblyer punëtorët, sipas
punës së bërë, ai thoshte s'kam gjendje sot në arkë, hajde nesër, më pas… do t'i
nis pas një jave. Po ku priste zjarri? Duke mos pasur punëtorë e duke mos e
ushqyer zjarrin aq sa duhej me dru ose dëmtohej cilësia e gëlqeres, ose shuhej
fare.
Unë kërkoja sëpata e kosore, për të prerë dru e shkarpa, ai thoshte
se s'kam tani në magazinë, prit kur t'i gjej.
Unë i kërkoja dinamit, për të bërë mina për nxjerrje guri, ai më
thoshte s'gjendet në Shqipëri, kur të vijë nga importi.
Unë i kërkoja mjete transporti, për të tërhequr shpejt gëlqeren, se
po vjen koha e shirave, ai thoshte s'i kam në gatishmëri pune makinat, janë në
remont.
Unë i kërkova llogaritarin dhe magazinierin për të inventarizuar dhe
për ta marrë në vend në dorëzim gëlqeren, që e kisha të tërën sipas kontratës,
ai më thoshte se s'vijnë dot, janë të sëmurë me raport doktori.
Kështu "S"-ja e këtij ish-oficeri lufte, të më falë se edhe unë
oficer kam qenë, të këtij drejtori analfabet, që e patëm llafin, e vetmja
shkronjë e kobshme që ai e di mirë, ndaj e përdor shpesh, është shkaktarja e
dëmtimeve në gëlqeren e prodhuar në kohë e me cilësi nga unë, sipas kontratës
ligjore të lidhur ndërmjet palëve, ku kishim detyra të ndërsjella. Atij, me
plogështinë, paaftësinë dhe mosveprimin, t'i kërkohet llogari dhe jo mua. Po qe
se duhet të dënoni dikë, ai duhet dënuar për shkujdesjen që tregoi, duke i parë
e ndjekur punët me dylbi ushtarake nga qyteti dhe jo unë, Jasin Balua, një çam i
përpjekur, korrekt e fukara, që ka qenë gjithnjë i munduar e i rraskapitur e që
ngrysej e gdhihej për një copë bukë në mes të borës dhe të ujqërve të Llogorasë.
Kështu e mbylli apologjinë e tij çami i zgjuar dhe trim.
Gjykata i dha pafajësinë Jasin Balos dhe për Dadanin propozuan
shkarkim nga detyra për paaftësi drejtimi.
Lumturia është formuar nga fatkeqësitë e shmangura
A Karr
KALLA, KALLA
Xhelal Metushi ishte një burrë i urtë dhe shumë i shkueshëm dhe që
përshtatej shpejt me çfarëdo moshe. Me atë trupin e madh të një gjiganti dhe me
buzëqeshjen të pandarë, të afronte miqësi e dashuri, qysh së largu. Kur dikush,
në rrethin shoqëror e miqësor, kishte ndonjë problem, i qe "futur ndonjë gjemb
në gisht" apo "i kishte ngecur sharra në gozhdë", do të shkonte tek usta Xhelali
dhe ai do t'ia pakësonte dhembjen apo do t'ia zgjidhte hallin. Ai sikur të ishte
ndonjë mjek e psikolog i mirë popullor me shumë përvojë, si me magji, e vinte
ilaçin atje ku të dhemb plaga dhe të shëronte shpejt.
Nga profesioni ishte marangoz. Para Çlirimit kishte pasur dyqanin e tij privat,
aty në lagjen Muradie të qytetit të Vlorës, afër Xhamisë së Kuqe, ku dhe
banonte.
Profesioni e kishte lidhur me shumë nevojtarë, si brenda dhe jashtë qytetit, në
fshatrat përreth, ku kishte ndërtuar e vendosur dyer, dritare, tavane e dysheme
cilësore.
Kush e kishte takuar, qoftë dhe një herë, nuk mund ta harronte Xhelalin
babaxhan. Kujtimi do të bëhej më nostalgjik kur secili, për çdo ditë, do të
shkelte me këmbët e veta në këto dysheme dyllë të verdha, me dërrasë të
zgjedhur, do të hapte e do të mbyllte me lehtësi të madhe dyert e dritaret e
puthitura mirë. Ai, edhe po të rrinte shtrirë, do të admironte në shtëpinë e vet
tavanet me gdhendje e ornamente interesante, të motivuara nga modele të
mjeshtërve të lashtë vlonjatë të drurit. Duke i kundruar nga afër ato mrekulli
të punës artizanale, secili do të kujtonte ëmbëlsinë dhe vlerën e bisedës, kur
në pushimet midis punës uleshin rreth sofrës dhe hanin ç'u gjendej: bukë me
ullinj e me djathë, shoqëruar me nga një gotë raki rrushi.
Një paradite usta Xhelali u çudit kur, duke punuar në zdrukthëtarinë shtetërore,
te Rruga Transballkanike, e thirrën të dilte te Postblloku, se e kërkonte një
burrë i moshuar, vërsnik. E pa dhe e njohu nga larg: ishte Vangjel Diamanti, një
miku i tij i vjetër nga Narta.
- Sa të mbarosh orarin e punës, mos shko në shtëpi... Të pres te "Bar Sazani".
Kam një hall të madh familjar dhe duhet ta bisedojmë, - urdhëroi Vangjeli.
- Peqe, Vangjo! Më ke aty në ora 1515, - pranoi me buzëqeshjen e zakontë usta
Xhelali.
U ulën dhe filluan të pinin raki, se që të dy e hiqnin ca si shumë atë të
shkretën. Xha Vangjeli, që e shprehte në fytyrë mërzitjen, e mori ca si me
nxitim. Të dy dopiot e para i ktheu "eks". Si vazhdoi dhe ca duke pirë,
shoqëruar me mish qengji, se helbete, usta Xhelali kishte ardhur drejt e nga
puna dhe ishte i pangrënë, xha Vangjeli nisi të flasë e të tregojë hallin e madh
familjar që e kishte zënë. Ai nisi të tregojë, me dhembje të thellë, për gjëmën
e madhe që i kishte hapur dhëndri i ri, batakçiu, që më së fundi, pa asnjë të
drejtë, ia kishte ndarë vajzën e vogël, Vasiliqinë, atë më të mirën, engjëllin e
pafajshëm, beniaminin e babushit. Po, po, e ktheu pardje te shtëpia e babës. E
divorcova, thotë
Në fillim barba Vangjeli fliste rrjedhshëm shqip, duke e ndërprerë bisedën vetëm
kur kthente ndonjë gotë raki me fund. Aq sa foli shqip, i dha të kuptojë
bashkëbiseduesit për subjektin e ngjarjes së rëndë. Më pas ai, duke qarë e
psherëtirë, pa vetëdije, nisi të flasë greqisht, në gjuhën e nënës. Xhelali, që
nuk dinte thuajse fare greqisht, për mos ta ndërprerë bisedën, që duket se
shprehte një brengë të madhe, me ato fjalë të pakuptuara për të, po që i dilnin
nga shpirti mikut të vet të vjetër, për mos ta dëshpëruar e për mos t'ia prishur
edhe me keq gjendjen emocionale, vetëm sa tundte kokën në heshtje dhe i
ndërhynte ndonjëherë, me tahmina, kur dhe sesi e mendonte ai, duke thënë herë
fjalën miratuese greke "kalla, kalla" dhe herë duke u çuditur, po greqisht "oqi,
more".
Biseda, megjithëse me tone dëshpërimi, vazhdonte normalisht, me zë të ulët.
Por, në një rast, Vangjeli, që deri atëherë vazhdonte të fliste greqisht, e
ndërpret bisedën, ngrihet në këmbë dhe ashtu siç qe, gjysmë i dehur, i thotë i
inatosur dhe me zë të lartë:
- More, mastero Xhelali?… Si, more ti, miku im më i mirë, ku unë kam ardhur të
ngushëllohem, po më shqetëson më keq? Kur unë të them se ai horri ma ndau pa të
drejtë vajzën time dhe ma la atë me turp në derë, bile dhe me barrë, ti, në vend
që ta shash dhe ta sikterisësh, siç e meriton, më thua mua "kalla, kalla", që do
të thotë me fjalë të tjera "mirë ta bëri"? Dhe nga ana tjetër, kur unë të them
se mbajta qëndrim ndaj atij maskarai dhe e kam hedhur në gjyq, ti nuk bie dakord
me mua dhe çudite me veprimin tim të drejtë dhe njerëzor dhe më thua, sikur më
kërkon llogari i çuditur nga ky qëndrim, "oqi, more?", që do të thotë "jo,
more"…
- Dale, dale, prit, ulu të bisedojmë e të sqarohemi!… Po ti harrove, o i dashur
Vangjel, se mua po më flisje greqisht, kur e di shumë mirë që unë nuk kuptoj
asnjë fjalë grekçe dhe ky është faji yt që s'ma ke mësuar qysh në fëmijëri, se
më ke folur gjithnjë shqip? Me sa duket, ato dy fjalë greqisht, që unë them se
dija, pa i kuptuar as vetë, i kam përdorur duke i futur atje ku nuk duhen.
- E prishe, Xhelali, e katranose!
- "Oqi, more"? Të më falësh, Vangjo, pa dashur.
- "Kalla, kalla"! Ne prapë miq të mirë do të ngelemi.
Kafshët janë miq shumë të këndshëm: nuk bëjnë pyetje, nuk kritikojnë
G. Eliot
XHEBRO GJIKA DHE DASHI PËRÇOR
Xhebro Gjikën, blegtorin e vjetër nga Tërbaçi i Vlorës, luftëtarin dhe
vjershëtorin e njohur të jugut, burrin e ndershëm dhe të mençur, për të cilin
flisnin me admirim kudo, e thirrën në Tiranë në një sesion shkencor për
blegtorinë e imët.
Ishte periudha e përkrahjes së revolucionit tekniko-shkencor, e përpjekjeve për
t'u shkëputur, sadopak, nga Lindja dhe për të gjetur rrugë të reja, të pavarura
të zhvillimit politik dhe ekonomik të Shqipërisë, koha kur lindorët thanë se
Shqipëria po shitet te Perëndimi për pesë aspra.
Dolën, asokohe, propozime nga më të çuditshmet, madje dhe me kahje perëndimore,
si lëvizjet novatore për shpikje e racionalizime, për rritjen e eksportit dhe
pakësimin e importeve, për përmirësimin e bilancit valutor të vendit, për
prodhimin me forcat e veta të mallrave që deri atëherë importoheshin, për
prodhimin e mallrave të imëta dhe shumë të imëta, për çarjen e bllokadës
ekonomike me shtimin e prodhimit të mineraleve dhe të naftës, për të prodhuar
bukën në vend, për ndërtimin e serave diellore dhe me ngrohje, për shtimin e
agrumeve dhe të ullinjve, për mbjelljet me kubikë, për ngritjen e vreshtave në
tel, për kursimin e karburanteve dhe të lubrifikanteve, për zëvendësimin e
mjeteve të benzinës me ato me naftë, për shtimin e përdorimit tërimorkiove, si
automjete pa motor, për prodhimin në vend të motorit të njësuar dhe të
traktorëve, për përmirësimin racor të blegtorisë, për pjelljen dy herë të të
imëtave etj., etj.
Për këtë qëllim kudo organizoheshin mbledhje e takime. Në çdo rreth e në çdo
qendër pune u ngritën këshilla shkencore, u organizuan konferenca dhe sesione
shkencore, u caktuan stimuj dhe shpërblime morale e materiale.
Konferenca Blegtorale e Tiranës, ku u ftua dhe i mirënjohuri Xhebro Gjika, do të
diskutonte një projekt këmbëngulës të një pseudoshkencëtari. Të tillë
qarkullonin me shumicë atëherë. Ai, pasi kishte eksperimentuar, siç qe rregulli,
në një tufë delesh, kishte vërtetuar se delet, po të qetheshin për së dyti,
brenda vitit mund ta shtonin prodhimin e leshit me gati 20% më shumë. Sigurohej
kështu lënda e parë e nevojshme për kombinatet e tekstileve, duke ulur importin
e leshit. Me kursimet në shkallë vendi, shkencëtari siguronte se, brenda vitit,
mund të ndërtohej një fabrikë e re tekstili.
Eksperimenti, siç qe rregulli, ishte ndjekur për një vit.
Xha Xhebron, kur e pyetën dhe i kërkuan mendim, shumë i dëshpëruar, as që pranoi
të fliste, madje, sa e mori vesh, desh të largohej nga kjo konferencë, që ai e
quajti "kuvend kalamajsh".
Së fundi, tha me inat:
- More, po ju, si s'pyesni për kafshët?! Si nuk i pyesni ato kafshë
të bekuara, që pas kësaj do t'i vuajnë në vite, në kurriz të tyre pasojat?!
- Po, si t'i pyesim, xha Xhebro? Ku dëgjojnë dhe ku dinë të flasin ato? - pyeti
një shakaxhi.
- Flasin, flasin... Po t'u mësosh e t'u dish gjuhën dhe t'i përkëdhelësh e t'u
rrish afër, atëherë do t'i dëgjosh e do t'i kuptosh. Kështu, të paktën, do të
përpiqesh t'i shpërblesh sadopak për bulmetin, mishin dhe leshin, që të dhurojnë
me aq dashamirësi; për kënaqësinë që na krijojnë, qoftë dhe vetëm duke i parë.
Ja, unë, - vazhdoi, - si të ishte në mes tyre, i miri Xhebro, i dua e flas me
to, si t'i kisha fëmijët e mi. Edhe këtë radhë, para se të vija këtu, fola, u
këshillova me dashin përçor të kopesë. E pyeta për këtë çështje dhe ai,
gjithashtu, më pyeti:
- Kur keni vendosur të na qethni, së dyti?
- Thonë në muajt nëntor-dhjetor, që t'u rritet ca leshi, - iu përgjigja unë
- Po, pse, o babo, - më tha përçori... Pse, saktësisht atëherë, kur ju për vete
vishni gunat dhe brucat, për ne pse kërkoni të na hiqen jelekët dhe xhaketat?
- Ja, kështu, more djem. Doni që delet t'i hajë dimri i egër, bora dhe të
ftohtit? Atëherë, me që, po e thoni lakuriq, se eksperimentin e paskeni
përfunduar me sukses, i qethni së dyti, i zhvishni, i bëni dhe ato lakuriq.
Të gjithë duan të kenë një mik, por askush nuk përpiqet të jetë një mik
A. Karr
XHA XHEBROJA GJEN MAKINË
Shoferi i vjetër Ismail Tetova, me një makinë Gaz 51, në dispozicion të
punëtorëve elektricistë të mirëmbajtjes së linjës së shtyllave të tensionit të
lartë, pasi kishte shpurë Grupin e Emergjencës për të eliminuar një avari
elektrike, po kthehej bosh nga fshati Sevaster për në Vlorë. Në qytezën e Kotës,
një plak i moshuar i zgjat dorën dhe i bëri shenjë nëse mund ta merrte. Ismaili,
që e kishte bosh vendin, mendoi se do ta kalonte më këndshëm rrugën me muhabet,
se e njohu kush ishte, po edhe ndonjë të ardhur të vogël, më mirë se asgjë, mund
të siguronte. Ndali makinën, hapi derën dhe i thotë me buzëqeshje e mirësi:
- Urdhëro, i nderuari Xhebro Gjika! Hip, o miku i rinisë! Vendin e parë e ke në
dispozicion!
Sapo makina mori rrugë, nisi dhe muhabeti:
- Dëgjova të më flisje me emër dhe mbiemër. Duket se ti më njeh mirë.
- E kush nuk të njeh ty, o Xhebro Gjika! Ti je nderi i kësaj treve, si për dyfek
dhe për penë.
- Aferim, o bir! Po ti kush je? Të më falësh, po plak hesapi dhe s'i
bie tamam në të.
- Jo, jo, kjo s'është nga pleqëria. Ti mua personalisht nuk më ke
takuar ndonjëherë, që të më njihje, por… Ismaili i jep të njohur dhe biseda
vazhdoi, nga të dyja anët, duke u dhënë kënaqësi e duke u ngjallur kujtime e
njohje farefisnore.
- More, Malo! Sikur dëgjova që më vure nofkën "miku i rinisë". Ku e
kishe fjalën, ke dëgjuar gjë ti, se kështu mua më pagëzuan në Tiranë, pas një
ndodhie të hershme.
- Po, po. E di shumë mirë, se kam qenë dhe unë atë ditë në Tiranë, në atë
ndodhi, si përfaqësues i rinisë vlonjate. Ishte një Aktiv Kombëtar, organizuar
kundër shfaqjeve të huaja. Pas këmbënguljes së udhëheqjes, e more dhe ti fjalën.
Më kujtohet shumë mirë sesi e thure menjëherë në vargje porosinë tënde, prej
plaku të mençur e veteran:
O i ziu Xhebro Gjikë,
Të kërkon rinia mik,
Unë vij, por me konditë,
Të punoni natë e ditë,
Të mos visheni më zving!
- More po, sa e mbake mend! Unë e kisha harruar fare.
Dhe kështu me bejte e me shaka gjithë rrugës, sa s'u kuptua se si kaloi koha,
kur aty, te Qafa e Koçiut, u dukën qindra llamba të ndezura nëpër rrugët dhe në
shtëpitë e qytetit të bukur të Vlorës, aq sa dukej sikur qielli me yje kishte
zbritur në stere.
- More djalë! Po paske qenë xhevahir ti! Sos muhabetçi, që na
kënaqe, na shkule gazit dhe na çmalle me gjithë ata miq të mitë, pjesëtarë të
farefisit tuaj ardhacak. Por ajo që është edhe më e rëndësishmja, ti na qenke
një mjeshtër i vërtetë për të ngarë makina gare. Po ç'marifet ke, që e rrotullon
aq bukur timonin, si me sy mbyllur, duke bërë njëkohësisht një kuvendim kaq
interesant?
Meqë ma bëre këtë nder të madh, se unë kisha dy orë në pritje dhe
shyqyr që erdhe ti e gjeta makinë, se do kesh ngelur në Kotë, unë të jam borxhli
dhe, sipas zakonit, nderin do e laj me nder. Siç e di dhe vetë, se edhe i
recitove, ti e di që unë kërrej, siç thonë, bejte të bukura. Unë, tani,
menjëherë mund të të bëj një bejte të bukur, që të kënaqesh ti dhe t'ua lësh
kujtim edhe të tuve, që ta këndojnë pas vdekjes. Po, më parë, që të jemi fare në
rregull, dua të të pyes, që të zgjedhësh vetë: do që të të kërrej një bejte, siç
të thashë apo… do të të jap një pesëdhjetë lekoshe, që e kam taksur dhe, në mos
ishe ti, do ta merrte ndonjë tjetër?
- Xha Xhebro, - ia ktheu Maloja, pa e menduar thellë. Ne, tani që u
njohëm më mirë, do të udhëtojmë bashkë edhe herë të tjera, se si ti dhe unë
dalim shpesh "Lumit të Vlorës". Pastaj pesëdhjetë lekoshen ti e ke në xhep,
hazër, ndërsa krijimi i bejtes do të të mundojë sadopak. Nga ana tjetër, një
bejte e bukur, si vera e mirë, merr më shumë vlerë kur vjetrohet. Këtë radhë,
siç e shoh dhe vetë, meqë e ke me kaq xhungul, a s'ma jep atë pesëdhjetë
lekoshen?
- A, ç'ma hodhe, o gjidi… maqedonas!
Dhe, aty për aty, duke zbritur me një trastë në dorë, të mbushur me
mish qengji, dhuratë miku në shenjë nderimi e mirënjohje, Xhebro Gjika, poeti i
madh popullor i Labërisë, vazhdon të flas në vargje, të bëra shpejt dhe bukur:
Jo se ti ma hodhe,
po unë, si s'ta hodha?
Pesëdhjetë lekoshen,
si nuk e shpëtova?
Plaku Xhebro Gjika vetëm atë kish
dhe, brenda në trastë, një llokmë me mish,
me një bocë raki, bash ballë kazani,
ti, mos bëj çudi, se unë vij nga stani,
Hëngra sa u denda. Atë që teproi,
Trim çobani mik, shpejt e paketoi.
Mere, Xhebro, tha.
Ty po ta dhuroj!
Atë, pak bakshish,
O njeriu i mirë,
Ta dhashë me dëshirë.
Hajt,… natën e mirë!
Te çdo gjë e natyrës ka diçka të mrekullueshme
Aristoteli
VUNOTASIT
Tregojnë njëherë se një vunotas, kurbetçi, si shumica e djemve të
fshatit Vuno të bregdetit Jon të krahinës së Himarës, punonte në një furrë buke,
në qytetin e madh Lion të Francës. Në turnin e tij kishte shok pune një vendës.
Bisedonin dhe si punëtorë bashkëvuajtës, qanin hallet me njëri-tjetrin.
Vunotasin e zuri lufta në atë vend të largët dhe kishte vite pa marrë asnjë
haber nga të tijtë. Mendja gjithnjë atje i fluturonte dhe, duke punuar, gjithë
për njerëzit dhe për fshatin e tij fliste me mall, dashuri e krenari.
- O shqiptar! - i thotë një ditë francezi. More, na more mendjen me
këtë vendlindjen tënde. Kaq qendër e rëndësishme na qenka ky Vunoi yt? Kaq i
madh është?
- I madh është, o, si s'është i madh. Për mua është shumë i madh.
- Po, sa i madh është, konkretisht?
- Unë nuk ta shpjegoj dot. Prej këtej nuk di si ta masë. Po ti a më
ndihmon dot?
- Po ja, më thuaj, sa furra buke ka?
- Këtë, po, ta them fare lehtë. Vunoi ka 320 furra buke.
- Oho! Qenka ku e ku më i madh se Lioni, që ka vetëm 30 furra buke.
I bie të jetë më shumë se dhjetë herë më i madh. Paske të drejtë që mburre dhe
s'e heq nga goja.
Vunotasi i tha të vërtetën, se në Vuno për çdo shtëpi ka nga një
furrë buke të vogël dhe përshtypja e francezit, për madhështinë e fshatit të tij
ia mbushi zemrën e përvëluar me gëzim.
Dajua i nënës sime, 80-vjeçar, në vitin 1980 u kthye pas 50 vjetësh
nga Amerika, për të bërë një vizitë në Shqipëri. Nga biseda me të më la mbresa,
sidomos, pohimi i tij për qëndrimin e shqiptarëve të asaj kohe ndaj punës. Duke
udhëtuar me makinë nga Rinasi drejt Vlorës, ai i pa fushat të mbushura me gra
kooperativiste që si milingona, me shamitë e bardha në kokë, në pisk të vapës,
nën rrezet e diellit përvëlues, punonin në prashitje me krahë, pa pushuar dhe
tha:
- Jam gëzuar shumë që, më së fundi, lindi një burrë që shqiptarët i bëri të
dashurojnë punën, se, me sa kam vërejtur nga e kaluara, duke u marrë kryesisht
me blegtori të imët, ne ishim kthyer në dembelë. Kur them ne, përfshirë dhe
pjesën tonë që emigruam në vendin e punës, në Amerikë. Edhe them, shyqyr, që
atje doli "sevapi" vonë, se ndryshe edhe ne të gjithë sevapçinj do të ishim
bërë. (Sevap ai quante ndihmat e shtetit për ata që s'deshën të punonin, minimum
jetese.)
Një tjetër të vërtetë që shprehu dajua, këtë radhë për shqiptarët në
Amerikë, ishte:
- Në Amerikë lobi grek është shumë i fuqishëm, se ata punuan me mend
që në fillim, e dashuruan punën dhe i arsimuan fëmijët e tyre, të cilët tani
kanë shumë ndikim deri në jetën politike të vendit. Pothuaj gjithë shqiptarët
ortodoksë, për të pasur përkrahje sociale atje, tha dajua, deklarojnë se janë
grekë. Këtu bëjnë përjashtim korçarët dhe vunotasit.
Prapë këtu u ndesha me vunotasit. Nuk e përjashtoj ndonjë anësi dhe ndikim
vetjak, por këto janë të vërteta, që i kam dëgjuar dhe hasur në vazhdimësi, ndaj
dua të tregoj, sadopak, dhe për një tjetër vunotas, që kam ndeshur gjatë kohës
kur punova në Kombinatin e Konservave në Vlorë.
Është fjala për një vunotas të thjeshtë dhe jo nga ata, që për shumë vite kanë
qenë në krye të përpjekjeve për një Shqipëri të vërtetë e të lirë dhe për
dhjetëra të rënë në luftëra gjatë shekujve, të cilët, ç'është e vërteta, kanë
qenë të shumtë. Për ata kanë shkruar dhe do të shkruajnë edhe të tjerë. Ky
personazhi im i nderuar quhet Pano Andoni.
Një ditë po punonim me Pano Andonin në një zyrë në katin e dytë të
Kantinës së Verë-rakisë në Spile të qytetit të Himarës. Na shqetësoi një zhurmë
britmash me zë të lartë, që vinin nga salla e madhe e katit të parë të Kantinës.
Dalim që të dy në parmakët e ballkonit që zotëronte sallën.
- Ç'është ajo zhurmë aty? - pyeti xha Panua nga lart magazinierin
Pandeli Beleri.
- Po ja, shoku përgjegjës. Ka ardhur përsëri major Kahremani,
nënkryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Vlorës. Ai kërkon një tabuzan
tjetër nga ajo vera e rezervuar e cilësisë së parë.
- Pse e do, si do ta marrë? Fol shpejt, se, siç e di, kemi punë me
nëndrejtorin e ndërmarrjes sonë, që ka ardhur nga Vlora dhe s'kemi shumë kohë
për të humbur.
- Po ai, s'është se do ta blejë apo me dokumente, ndryshe, nuk do
t'ju shqetësoja. E do xhaba. Thotë se i duhet, dava shërbimi.
- Ku është, more?! Po foli të llafosemi, pse fshihet?
- Ja këtu jam, shoku Pano. Vera na duhet, se presim një delegacion
të huaj dhe për nder të tyre do të shtrojmë një drekë në Jalë, te Vila.
- More, Kahraman! Major i sigurimit të shtetit je ti apo mazhordom i
delegacioneve të huaja? Po, pse more i pangopur, gjidi pijanec, nuk të arriti
ajo tabuzana e parë që more pardje, gjoja për nevoja shërbimi? Po, pse more
batakçi, nuk e mora vesh unë gënjeshtrën tënde të parë? Kujton se populli është
qorr dhe nuk i sheh orgjitë tuaja?! Ju, asnjë shërbim shtetëror nuk kishit, po,
në të vërtetë, i shërbyet njëri-tjetrit në Jalë, në Vilën "Sheti", ku, pasi
vratë dhe peshq me dinamit e i poqët në zgarë, ia shtruat me të ngrëna, me të
pira e me këngë gjer në sabah, derisa u zuri gjumi të dehur. Mos do të thuash që
dhe ata ishin të delegacioneve të huaja dhe kishin ardhur që ju t'u mësonit
këngët tona labe?
- Dëgjo, Pandeli! Asnjë pikë verë nuk do t'ju japësh dhe mos i lini
të dalin, pa u marrë firmën për tabzanin e parë.
- Ti, major Kahramani, vër firmën dhe ik e zhduku sa më parë dhe mos
të të shkelë më këmba këtu, ndryshe tani po e marr në telefon Sekretarin e Parë
në Vlorë dhe pastaj e di vetë se si të fluturojnë spaletat. Si s'ke turp të
turpërohesh! Si s'e mendon që po i vini minat Pushtetit Popullor, që u formua me
gjak e me sakrifica?!
- Dale, shoku Pano! Unë e di që je komunist i vjetër, veteran lufte
dhe njeri i nderuar, po bashkë jemi keqkuptuar, ndërsa ti je keqinformuar. Do të
ketë qenë ndonjë tjetër në Jalë. Unë po iki. Do ta gjej gjetiu verën. Do ta
porosis të ma dërgojnë nga qendra.
Ishte trim, parimor dhe i gjerë xha Panua dhe nuk do të më harrohet
jo vetëm për aktin vërtet të ndershëm dhe prej guximtari, që përmenda më sipër,
por edhe për korrektesën e tij. Ai vinte më këmbë çdo ditë, me gjithë moshën e
thyer, nga Vunoi në Himarë, para se të fillonte orari i punës dhe e vuri
sektorin e tij, ku ishte drejtuesi kryesor, në pararojë për plotësimin e të
gjithë detyrave.
Pano Andoni ishte dhe një drejtues me vizion të gjerë. Njëherë e pyeta për
emërimin në punë të një kandidati për magazinier sezonal, një djalë i mirë ky, i
shkolluar, po që, siç më thanë, kishte një "kleçkë" në biografi.
- Merre, Luan! Mos u bëj merak. Edhe unë e njoh për djalë të mirë.
Vërtet ai e ka një dajë "të arratisur", siç thuhej atëherë, por kjo këtu s'është
ndonjë çudi. Nuk gjen më të mirë. Kandidatët e tjerë jo vetëm që s'janë të zotë
për punën, por në këtë drejtim janë fare mos më keq, se dikush, matanë, ka
babanë, dikush vëllain e ndonjë tjetër gjithë familjen. Ky djalë vërtet e ka një
kleçkë, por ka dhe mend. Mund të gjendet ndonjë pa kleçkë, po që mendjen e ka
zero. Ne këtu na duhet, së pari, mendja, ky është njëshi, pas së cilit do të
kenë vlerë zerot.
Si të sillemi me miqtë?
Ashtu siç do të dëshironim që ata të silleshin me ne
Aristoteli
NJË MIK I VEÇANTË
Llambi Toli Kona u lind, gati shtatëdhjetë vjet më parë, në qytetin e Vlorës.
Shtëpia e thjeshtë në lagjen Skelë, rrethuar me kallama; rëra dhe oshtima e
detit, fare afër; shkolla fillore dhe shtatëvjeçare në Vlorë; Politeknikumi " 7
Nëntori" në Tiranë dhe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike i U SH T, do të ishin
rruga drejt formimit të tij të plotë qytetar dhe intelektual. Gjithë jetës në
punë ndërtimtare: Në Azotikun e Fierit, në Transportin Automobilistik, në
Bonifikim dhe, më së shumti në Ndërtim Montimet e Veprave të rëndësishme
industriale në mbarë vendin...
Një inxhinier mekanik i pasionuar, studiues i rrallë dhe autor kumtesash,
referatesh dhe librash teknik; drejtues dhe organizator i talentuar,
vlerësuar dhe dekoruar disa herë; amator pasionant i muzikës, deri asaj
operistike; njohës i thelluar i letërsisë, kulturës dhe artit; këngëtar zëëmbël
dhe deklamues, improvizues dhe imitues i mrekullueshëm; një qytetar i afruar, që
gjithandej rrezatonte mirësi, qytetari dhe kulturë të gjerë; një njeri
optimist, me plotë besim e shpresa për ndryshime dhe transformime të shpejta në
Kryeqytet dhe në mbarë Shqipërinë...
x
Megjithëse kanë kaluar disa vjet, thuajse çdo ditë, më del para syve miku im i
mirë, shoku i dashur i fëmijërisë, Llambi. Ai, i rilindur, me atë buzëqeshjen e
tij të përhershme, sikur do të më thotë: A po mendon për mua, Luan? Ti po
vazhdon të shkruash dhe mirë bën. Po për mua ke sajuar gjë? Diç duhet të më lësh
për kujtim atje, te shokët për shokët, pa këtu do kesh kohë të më takosh...
Vitet ikin shpejt dhe unë kthehem në thellësi të tyre, ndofta 60 vjet më parë,
për të qenë në lagjen Skelë të qytetit të Vlorës. Shfletoj blloqet e vjetër,
dalëboje. Ja se ç'shkruhej në "Ditar"për të:
Llambi Kona, më simpatiku dhe më gazmori i grupit, i cili natë e
ditë nuk i ndahej radios dhe dëgjonte e belbëzonte kanconeta italiane, sapo
vinte e po dobësohej, ndaj vendosi të bisedonte me mjeshtrin plak, babain e
Mino Purit, kryetarit të grupit tonë fëmijëror:
-Xha Vangjel. Po dobësohem dhe më është prerë fare oreksi. Ç'më
këshillon?
-Not, more bir. Të gjitha stilet, sa më gjatë. Lodhu në det, pastaj do të më
kërkosh edhe mua për të më ngrënë.
Dhe me poshtë, sipas "Ditarit": Sa ishim kthyer nga peshkimi dhe po
bashkëbisedonim. E kishte fjalën Mino Puri:
-Na vajti shumë mirë dita sot. Peshkun do ta ndajmë në katër pjesë. Ktheu me
kurriz ti, Luan, dhe zgjidh:
-Kush do ta marrë këtë tufën e peshqëve këtu?
-Atë ta marrësh për vete.
-Po këtë?
-Llambi Kona!
-Po këtë?
-Harilla Papajorgji!
-Hallall, ta ketë hak, se u lodh shumë sot, Kthehu, tani...Kjo e
fundit të ngeli ty. Dëgjoni: Unë, me pjesën time do të bëj një tavë të mirë
narqoçe. Për darkë jeni nga unë. Hajdeni rreth orës tetë. Ti, Luan, na sill ca
verë Narte. Mos harro mandolinën, se do të këndojmë. Unë do të lajmëroj dhe
Vangjel Mërkurin, që të vijë me gjithë kitarë.
x
Më poshtë, në "Ditar" shënohet:
Klasën a katërt e nisëm në vitin 1944, menjëherë pas Çlirimit
të vendit nga fashistët, në shkollën fillore të lagjes Skelë me drejtor Ymer
Luçin, nga Kuçi i Vlorës dhe mësuese kujdestare Marika Bezhanin. Shkolla ishte
improvizuar në katin e dytë të një godinë, afër Portit Detar. Atje, pasi
rreshtoheshim me klasa në një shesh të gjerë para shkolle, ngjiteshim me shkallë
jashtë godine, nga të dy krahët. Këto shkallë formonin, në katin e parë, porta
të mëdha me qemer. Në klasën tonë u rimblodhën shokët e vjetër: Minua, Harilla
dhe Llambi, Takimi me ta ishte një gëzim i madh, thuajse, rinjohje. Secili
tregonte mbresa dhe ndodhi të vendeve, ku ishin strehuar, për të evituar pasojat
e luftës.
Klasën e pestë të fillores e nisëm në shkollën e re, të
sapopëruruar. Ishte një godinë e bollshme, me klasa dhe orendi të përshtatshme
dhe me një kënd sportiv, para saj. Mësues kujdestar kishim Zenel Dervishin, nga
Tragjasi i Vlorës, të cilin e kujtojmë me respekt dhe dashuri, për bagazhin
metodik dhe kulturor që dispononte, elokuencën dhe gjerësinë e paraqitjes dhe
kontrollit të dijenive, si dhe për aktivizimin e mirë të nxënësve, brenda dhe
jashtë klase. Nga ai kemi dëgjuar së pari për Bethovenin dhe Xhuzepe Verdin. Ai
këndonte bukur, i binte mandolinës dhe tregonte aftësi regjisoriale. Mua dhe
Llambin, na aktivizoi dhe na vendosi në ballë të shumë veprimtarive artistike,
kulturore e sportive. Atje luajta, se pari, rolin kryesor në një dramë
patriotike që titullohej "Karemani dhe Lulja", ku unë kisha rolin e Karemanit,
Bubulina Tol Arapi rolin e Lules, dy veprimtarë dhe heronj të luftës për
çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha turke, ndërsa Llambi Kona na shoqëronte në
sfond me kënge patriotike.
Në bankë rrija, sërish me Harillën po, kudo qëndronim të
pandarë me Minon dhe me Llambin. Shokë të tjerë të afërt ishin Irfan Habilaj, që
e kisha dhe komshi, Xhemal Sinanin, nga Brataj, që strehohej në Teqen
Bektashiane në Kuzumbaba, Bubulina Arapin, Antigoni Rexhepin, Areti Taton dhe
Kanerina Sharrën kushërirën time, Guri Sejdinin, Mete Sinanin, Neim Numanin,
Vllasi Baben, Sherif Thanasin, nga Tragjazi, Ferik Muhametin, etj.
Pushimet verore i kalonim këndshëm në bregdet dhe në lagjen Kume,
ku banonte Sezai Hoxha, që kishte një bahçe të madhe me pemë dhe mana të mëdhenj
e të shijshëm, si dhe Minella Kostandini, Harilla Papajorgji, Llambi Kona dhe
shumë shokë të tjerë, me të cilët notonim ose luanim me top lecke. Rrugës, për
t`i rënë shkurt, duhet të kalonim kanalin e gjerë të ujërave të zeza, gjë që,
rregullisht e bënim nëpërmjet "Urës së Taq Kuqit", por shpesh, tentonim ta
hidhnim me vrull dhe ndonjëherë nuk arrinim ta kapërcenim po, pasi
latërzhyheshim keqas, shkonim e shpëlaheshim në detin e kaltër, mikun tonë më të
dashur.
Na kanë frymëzuar vazhdimisht këto kujtime të bukura fëmijërore, kur, të
shkujdesur dhe pa asnjë preokupim loznim, këndonim e kërcenim, notonim, apo
peshkonim. Me ato ndjesi kemi lëvizur kudo dhe kurdoherë, duke i mbartur të pa
ndara, nga qenia, veprimtaria, jeta dhe ndërgjegjja jonë.
Kur bënim "cfita" në rërë,
Top lecke me qime kali
Dhe më pas në det, të tërë:
Le të dali, ku të dali!
x
Në shtatorin e vitit 1945 nisëm klasën e parë të "Unikes" në
Shkollën e Mesme Tregtare të Vlorës. Kjo shkollë me tradita të hershme e të
lavdishme, sidomos si qendër e të rinjve revolucionarë, shumë prej të cilëve u
bënë protagonistët dhe drejtuesit kryesorë të Luftës antifashiste dhe dëshmorë e
heronj legjendarë, tani ishte shpërngulur nga qendra e hershme, Uji Ftohtë dhe
ishte vendosur, më së miri, në disa godina dy katëshe, që kishin qenë në
dispozicion të ushtrisë dhe të hipodromit të qytetit. Drejtor shkolle u caktua
Harilla Kuçuli, një bregas simpatik e patriot, me aftësi të shquara pedagogjike
dhe administrative. Gjuhën shqipe dhe letërsinë e jepte nartjoti pasionant,
studiuesi i thelluar i gramatikës shqipe, Jorgo Ceko; mësues matematike kishim
fterrjotin Xhevdet Kofina, metodist i mirë dhe filozof popullor; në frëngjisht
ishin Jorgo Pilika dhe Jani Ziguri; në gjeografi shkodrani Kel Gashi dhe korçari
Kostaq Balldadori; në biologji Marika Bezhani. Ishin tre paralele të klasave të
para. Veç shokëve të vjetër na u shtuan dhe shumë shokë të rinj...
Në vitin l946 u hap Shtëpia e Pionierit, ku unë, Llambi, Minua
dhe Harilla morëm pjesë gjallërisht, në shumë veprimtari të saj.
Klasën e dytë dhe të tretë të Shkollës Unike, që tani u riformua
dhe u shkëput nga Shkolla Tregtare, në kuadër të Shkollës Shtatëvjeçare, Llambi
e kreu në Shkollën Nr 3, që më vonë u bë Shkollë Muzike. Aty u ndamë me të.
Semimaturën Llambi e mori në qershor të vitit 1949. Pas kësaj, i detyruar nga
kushtet e vështira ekonomike familjare, ai nisi punë si mekanik në Parkun
Automobilistik të qytetit dhe, më pas, në ndërmarrjen e Ekstrakttaninit.
U deshën 4 - 5 vite pune, kur motrat dhe vëllezërit e Llambi
Konës të rriteshin dhe të punësoheshin, familja të forcohej ekonomikisht dhe
atëherë Llambi sërish iu kthye studimeve: Kreu Politeknikumin "7 Nëntori" në
Tiranë dhe më pas Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të U Sh T, duke dalë një
inxhinier mekanik fort i aftë dhe i talentuar, me vlera të spikatura, i kërkuar
ngaherë për zgjidhje dhe veprime teknike të vështira, që kërkonin
profesionalizëm të lartë, siguri dhe guxim.
x
Emri i Llambi Konës, mbetet në kujtesën e kolegëve të tij
inxhinierë, teknikë, ndërtues dhe montatorë në ndërtimin dhe montimin e veprave
industriale si në Uzinën e Plehrave Azotike në Fier, ku Llambi ishte Inxhinier
dhe më pas drejtor i parkut, Kryeinxhinier i montimit në Uzina e Përpunimit të
Thellë të Naftës në Ballsh. Atje, në Ballsh, Llambi fitoi dhe titullin e
inxhinierit mjeshtër në ngritjen e dorikëve. Ngritja e dorikëve ishte punë që
kërkonte mjeshtëri të lartë, përllogaritje të sakta inxhinierike dhe siguri e
besim. Në raste të tilla ishin të pranishëm shumë njerëz: drejtues,
inxhinierë, teknikë e montatorë, të cilët megjithëse i njihnin rreziqet e
shumta, ndjeheshin gjithnjë të sigurtë, kur shihnin pranë tyre mjeshtrin e
sprovuar.
Zotësi teknike dhe drejtuese, Llambi tregoi si kryeinxhinier i
Ndermarjes se Bonifikimit ne Fier, edhe si Kryetar i Degës Teknike në
Ndërmarrjen e Montimeve Industriale në shkallë vendi.
Për të gjitha veprat, ku Llambi punoi, tregohen shumë ngjarje dhe
ndodhi interesante. Ato i dinë në radhë të parë ndërtuesit dhe montatorët, që e
deshën gjithnjë Llambin si vëllanë e tyre, sepse me natyrën që kishte dhe
edukatën prindërore dhe qytetarinë, ai i respektonte dhe përpiqej t`u vinte
gjithnjë në ndihmë për hallet që kishin. Prandaj dhe sa herë që e kujtojnë apo
flasin për Llambin, te fytyrat e tyre shfaqet një ndjenjë e sinqertë dashurie
dhe respekti të thellë, por edhe një buzagaz i lehtë vëllazëror kur kujtojnë
mënyrën sesi komunikonte Llambi me ta dhe sidomos humorin e tij.
x
Në Uzinën e Plehrave Azotike në Fier, Llambit iu desh të
punonte me inxhinierë të shquar italianë, të firmës Monte Katini. Me dy prej
tyre Antonion dhe Franceskon punuan shumë kohë direkt në montimin e veprës, duke
u afruar shumë dhe në jetën e përbashkët me ta. Punonin dhe këndonin. Takoi që
të tre e njihnin mirë muzikën operistike. Antonioja kishte kryer dy vite
konservator për kanto, madje, mburrej se kunatin e kishte kompozitor. Një ditë,
po duke punuar e kënduar ishin të kënaqur se tek një arie e "Aidës", zërat po
kombinonin, si asnjëherë tjetër.
-Basta, Antonio, gati gërthet Llambi. Po stonon keqas, madje, po
ndryshon dhe tekstin. Verdi është edhe yni, është i botës mbarë. Nuk të lejoj ta
shpërdorosh!
Heshtën për një çast të tre. Ishte akuzë e rëndë.
-Por jo, more zoti Llambi, nuk mund të gabojë Antonioja, ai
është muzikant i vërtetë, - thotë Franceskoja.
-Po ja që stonoi e ndryshoi tekstin dhe mua kjo më dëshpëron
shumë.
-Je ti gabim, Llambi, - proteston edhe Antonioja.
-Jam i sigurt se ka gabuar keqas dhe jam gati të përgjigjem me
bast: Një drekë me verë e mish, sipas dëshirës.
Pasi u kontrollua te shtëpia e Llambit në kompakdiskun e tij dhe,
pasi u verifikua libreti, u vërtetua gabimi i Antonios..
Të nesërmen Kryeinxhinieri italian e fton Llambin në banket dhe i
shpreh falënderime edhe në emër të Ambasadës Italiane. Pas tre muajsh në një
gazetë italiane ishte botuar një kronikë, ku flitej për ngjarjen dhe thuhej se
inxhinierët shqiptarë, që punojnë në Fier, krahas italianëve, jo vetëm që janë
specialistë të aftë, po dhe njerëz me kulturë të gjerë.
x
Llambi Kona lexonte shumë letërsi artistike dhe shkencore dhe kishte një
bibliotekë mjaft të pasur. Pëlqente letërsinë franceze, angleze dhe ruse, por
mbi të gjithë adhuronte Shvejkun e Jarosllav Hashekut. Pasi u kurua nga
sëmundja e veshkave në Hungari, me ndihmën e një miku të tij që ishte Konsulli i
Ambasadës aty, e rregulloi një vizitë për në Çekosllovaki, mbasi e kishte
ëndërr të ulej njëherë në karrigen ku ishte shkruar ky roman satirik e gazmor i
famshëm. Kur mbërritën në Pragë dhe u afruan te Kafeneja "Shvejk", që ruhej e
pandryshuar, si në ato vite, u befasuan dhe u dëshpëruan se radha për të hyrë në
sallë ishte me dhjetëra metër e gjatë. Konsulli, që e shoqëronte, u kujtua për
një truk dhe tha me zë të lartë:
-Zotërinj, po shoqëroj një të sapodalë nga spitali dhe që vuan nga
një sëmundje e rëndë në veshka, një invalid shqiptar, adhurues deri në çmenduri
për Shvejkun, aq sa e di përmendësh, se e ka lexuar 17 herë.
-Lëri ato, - tha mazhordomi, - se i kemi dëgjuar edhe nga të
tjerë. Për të vërtetuar se nuk gënjeni, shqiptari duhet të merret në
provim.
-Jam dakord, - tha Llambi Kona. - Mund ta deklamoj përmendësh
nga fillimi në fund, të 600 faqet.
-Jo, jo zotni, s'ka nevojë. Përgjigju vetëm tri pyetjeve:
1. Ku e parashikoi të ardhmen e ngjarjeve të kobshme Ushtari Shvejk?
Përgjigja e menjëhershme e Llambi Konës:
-Në Pijetoren "Te gota", faqja 34 e librit.
-Përgjigje e saktë
2. Si quhet kapelani, ku Shvejku u bë ordinancë?
Përgjigja e shpejtë e Llambi Konës:
-Oto Kac, faqja 155
-Përgjigje precize.
3. Në cilin qytet ishte qendra e regjimentit të Shvejkut?
Përgjigja e Llambi Konës:
-Në Ceske Bugjejovicë, faqja 379 e volumit të parë, botimi i dytë
në Shqip.
-Përgjigje shumë e saktë. Shqiptari le të hyjë jashtë radhe dhe
të zërë vendin e nderit.
Duartrokitje dhe miratim nga dhjetëra të pranishëm.
Llambi Kona u ul plot dinjitet, dhe i lumturuar si asnjëherë, te
vendi, ku rrinte Shvejku dhe, më pas, krenar, shkroi me kongjill autografin e
vetë në murin e bardhë, ku ishin mijëra firma vizitorësh të shquar nga bota
mbarë.
Mund të them se Llambi Kona, u takon atyre njerëzve, që e kanë
kaluar të gjithë jetën me modesti dhe pa u ndjerë, por dhe pa e treguar
publikisht talentin tyre të rrallë. Siç tregon i vëllai i tij, Viron Kona,
Llambi e kishte aftësi të lindur imagjinatën, fantazinë krijuese dhe të
treguarit mjeshtërisht bukur dhe, nëse ai do t`i ishte futur rrugës së shkrimeve
artistike, me siguri do të ishte bërë një shkrimtar i mrekullueshëm...
x
Kur rastisi të shpërngulemi nga Vlora, në atë vitin e mbrapshtë
1997, e të mblidhemi në Tiranë, si shokë të vjetër fëmijërie unë, Harilla
Papajorgji, Niko Gjyzari, Sezai Hoxha, Llazar Papajorgji, Bardhyl Golemi,
Sadedin Gjoka, Milto Shuka, Minella Konomi, Kudret Arapi, Duro Mustafaj, Irfan
Bregu dhe më pas, plot të tjerë vlonjatë të mirë, takoheshim shpesh dhe po me
kujtimet e Vlorës jetonim. Ne të gjithë, njëzëri, zgjodhëm Kryetar Llambi Konën.
Atij i takonte: Burrë simpatik, që ruante freskinë dhe vitalitetin e rinisë,
tregonte barceleta me kripë, këndonte bukur, dhe ishte gjithnjë gazmor e
optimist, i afruar e i dashur, ishte i azhurnuar me veprimtaritë kulturore e
sportive të kryeqytetit, e njihte mirë Tiranën dhe vendet e saj interesante të
qejfit e të pushimit aq të kërkuara nga ne, ishte i urtë dhe qejf paprishur me
këdo, ishte hovarda e bujar dhe kishte një autoveturë, megjithëse shkatarraqe
(siç e ngacmoja unë). Llambi mbante mustaqe dhe vishej me sqimë. E kush mund të
ishte më i denjë për vendin e kryetar? (në fakt, si lebër që ishim, e lakmonte
secili).
Milto Shuka, p. sh., që kish qenë edhe Drejtor i Teatrit të qytetit
të Vlorës dhe që kish njohuri të thelluara edhe për muzikën operistike tentoi
"ta mposhte dhe ta vinte nden vete" në këtë lëmë. Po, Llambi, që e kish hobi
muzikën klasike, nuk pranonte nënshtrim. Llambi dallohej ashiqare për zërin e
bukur dhe për vesh muzikor dhe në këtë drejtim ishte vërtet superior, po Milto
Shuka dispononte një arshivë të vërtetë të sistemuar me qindra librete, sidi,
kaseta e regjistrime në kompjuter të veprave më të mira operistike botërore. Ne
që të dy i kishim shokë të respektuar. Si të bënim? Zgjidhjen e propozoi vetë
Miltua.
-Po e thjeshtoj problemin, - tha ai, - Do bëj vetëm një pyetje:
- Unë Rigoleton e kam parë 17 herë. Sa herë e ke parë ti?
Dhe Llambi Kona u përgjigj shpejtë dhe qartë:
-Unë e kam parë ....sa herë që është shfaqur.
Epërsi maksimale. Milto Shuka, i pamposhtur, u dorëzua dhe
pranoi superioritetin absolut të Llambit.
Dhe, më tej, Llambi realizoi edhe ëndrrën tjetër të tij, vizitën
në Teatrit "La Skala" të Milanos. Veç ta dëgjoje kur fliste për mbresat dhe
emocionet, që kishte ndjerë gjatë asaj vizite në atë vend të shenjtë të muzikës,
ku kishin shfaqur operat e tyre mjeshtërit e mëdhenj italianë dhe botërorë:
Verdi, Belini, Rosini, Puçini, Doniceti...
Shoku i Llambit i universitetit, Rudi Monari, tregon me humor se,
sa herë që në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë shfaqej ndonjë operë,
Llambi i ftonte shokët e kursit dhe u thoshte: Hajdeni në opera, se biletat do
t`jua paguaj unë dhe, ata që pinë duhan, kanë plus edhe nga një paketë cigare.
x
Më vonë, kur Elvira, vajza e tij e vetme, shkoi familjarisht me
banim në Kanada, Llambi largohej e shkonte shpesh atje. Atëherë, ne, shokët e
tij, si Kryetar, caktuam Llazar Papajorgjin, një tjetër moshatar aktiv, ndërsa
Llambin e mbajtëm Kryetar Nderi.
Ishim në vigjiljen e Vitit të Ri 2003. Në Tiranë festë e madhe,
fishekzjarr e shëtitje masive, darka me pije e shumë shpenzime, programe
interesante televizive. Unë e festoj Vitin e Ri fillikat me gruan në shtëpi,
kur... bie zilja e telefonit dhe ndihet zëri i Llambit
Më uron për Vit të Ri.
Më gëzon, si asnjë tjetër,
Si dikur, në fëmijëri
S'më harron, ky mik i vjetër.
Kaluan 6 muaj dhe ne morëm vesh se miku i dashur qe kthyer ne Atdhe,
por deri në qetimin e gjendjes fizike të çrregulluar nga udhëtimi i gjatë, nuk
dilte, po rrinte mbyllur dhe gëzonte "muret e shtëpisë",i veshur me
robdëshambër, duke harruar këshillën e urtë të shokut të grupit tonë Axhem
Gjonaj, që na porosiste: asnjëherë mos rrini kot brenda, po dilni e lëvizni, se
u zgjatet jeta.
Mirseerdhe Llambi Kona
Dil, zhvish takëmet e rënda
Axhemin dhe ne dëgjona:
"Kot më mirë është jashtë se brenda".
*
E kishim ndërmjet nesh dhe s`e kemi. Ai ka 5 vjet ikur. E plotësoi misionin e
tij. Po ja që s`e harrojmë dot. Edhe Këto pak aspekte nga jeta e Llambit, janë
një nderim për të, një kujtim për mos harrim. Sa do të desha që shokët të rronin
gjatë... Eh! Zemra më thotë se Llambi Kona duhej të jetonte më gjatë, shumë më
gjatë. Por natyra dhe sëmundja bëri të vetën. Ishin të pazakonta përkujdesjet e
bashkëshortes së tij, Arjanthit, gruas së mirë e të devotshme, që përballoi me
guxim e vështirësi halle të shumta; Elvirës, vajzës së tij të kulturuar e plot
shkëlqim, Bertit, dhëndrit të dashur që e respektoi shumë Llambin; motrat dhe
vëllezërit e tij të urtë e të mençur, që i qëndruan pranë gjer në fund; miqtë
dhe shokët e shumtë që aq shumë e adhuronin. Të gjithë do ta kujtojnë dhe s`do
ta harrojnë asnjëherë Llambin, aq të mirë, të dashur dhe të ditur. Do të
kujtojmë optimizmin e tij deri në çastet e fundit të jetës, paraqitjen fizike,
fisnike e burrërore, korrektësinë e tejskajshme, dashurinë e thellë për gjithçka
me vlerë, do të përjetojmë humorin e tij të përhershëm.
Kështu do të mbetet përjetësisht dhe e freskët, për të gjithë ne, dashuria dhe
kujtimi për Llambi Konën tonë të shtrenjtë, krenarinë e inxhinierisë së ndërtim
montimeve industriale, por, pamëdyshje, dhe më të mirin e shokëve.
L ËNDA:
Burri me karakter te fortë 9
Përreth Vlorës 15
Për të qarë dhe për të qeshur 19
E pësoi i ndershmi,donzhuanin se gjeti gjë 27
Brenga për kohën e humbur 36
Një shaka e hidhur 39
Sekretari shpirtgrymur, pehlivan dhe dredharak 43
Edhe qeni plak të kafshon 47
Dale, o mik, ta ngjyej një çikë. 52
Samari i gomarit të Xhelo Agait 56
Pendimi i vonuar dhe sinqeriteti i dënuar 59
Ku e kam unë e ku je ti 61
Ku, ku, ça na ka gjet 63
Dosjet sekrete te luftës 65
Një krismë në sallën e gjyqit 68
Gungaçi 71
Qafokët 74
Mos e dëgjo gruan 77
Brigadieri
Prostituta 83
Dy Abazët 86
Provonjësit e krisur 89
Kryetari sevdalli 91
Sikur të kisha lindur çalaman 92
A kishin fajGomarët e Xhonit 95
Kiçua me Rumon 100
Bullgarka 103
Djajtë, kundër Seferit 108
Në mesnatë me Petron 110
Si i iku Petros truri 113
Vrasja e Ushtarit 116
Ku e lash llafin 119
Në kërkim të bukurisë 123
Çamët, vëllezër të një gjaku 125
Të njoha.. në rrip 129
Apollogjia e Jasin Balës 132
Kalla, kalla 136
Xhebro Gjika dhe dashi përçor 139
Xha Xhebrua gjen makinë 142
Vunotasit 145
Një mik i veçantë 149
IMAZHI I VLORËS
Doni ta kundroni, ngjituni në Çikë,
Tej e ndanë shikoni:Të dhjetë mrekullitë,
Ngjyrat e Ylberit, parajsë e pa parë:
E gjelbërt, blu, vjollcë, gri dhe ar.
S'janë prej njerëzisë, lindur me dëshirë,
Po prej Perëndisë, nga mëma natyrë.
Këtu, shkëmb e gur, kështjella për mbret
Çerdhe për shqiponjat. Atje,fushë e det.
Unë ri e mendoj me ditë e me natë
Për Vlorën e bukur mund të shkruash gjatë.
Dhuratë mbi dhuratë, në qytet e fshat
Virtyt edhe nder - Njeriu Vlonjat.
Komentet
Posto një koment