UNË PËR TË TJERËT



MARTESA E  BUJSHME E KADIUT TË GJIROKASTRËS       

Skicë, nga Luan Çipi

                                    

Unë kam lindur në qytetin e Vlorës dhe po atje jam rritur përmes pasqyrimit (pranë zjarrit të vatrës familjare), të ngjarjeve, përrallave, këngëve e ninullave mesjetare të mjedisit gjirokastrit, nga ishin me origjinë prindërit e mi. Shumë tregime të moçme më kujtohen, ashtu siç mi pëshpëriste me atë zërin e ëmbël e fortë të dashur nëna ime e mirë. Prej kësaj kohe e mbaj mend dhe ngjarjen e Martesës së  Bujshme të Kadiut të Gjirokastrës, një pështjellim e intrigë, që tregon mentalitetin e kahershëm shqiptar, ku veprimet janë të programuara keq dhe më në fund, të gjithë dalin të humbur, e më shumë nga të gjithë një vajzë e pafat e sakate, që e përzënë me dinakëri nga shtëpia dhe detyrohet të jetojë gjithë jetës e urryer nga burri i saj dhe si në burg. Urrejtje dhe armiqësi krijohet edhe midis të gjitha palëve ndërvepruese. Le ta ndjekim ngjarjen:

Kadiu (gjyqtari) i asaj kohe, në kapërcyellin e periudhës pushtuese turke, edhe pse në gramat e fundit të perandorisë, ishte person fort i rëndësishëm për qytetin. Ai përqendronte pushtet të pakufizuar, pse ndante shere e mosmarrëveshje midis qytetarëve dhe zgjidhte ankesat e tyre ndaj padrejtësive të mundshme të ndonjë nëpunësi shtetëror, në funksion të gjoja mbrojtjes së “ligjeve të sheriatit”. Në këtë kuptim atë e nderonin dhe njëkohësit i kishin frikën, si qytetarët e thjeshtë edhe mjekët, veterinerët, inxhinierët dhe ushtarakët, po dhe kleri e deri nëpunësit e shtetit në sistemin fiskal dhe bashkiak. Nga kjo qarkullonte në popull shprehja se “po të vuri faj Kadiu, nuk ka kush ta benë davanë”. Nga ana tjetër “kadilerët”, që ishin kryesisht bijë bejlerësh e pashallarësh, ishin të shkolluar dhe patjetër të pasur.

Erdhi atëherë në Gjirokastër, si mbaj mend nga tregimi i nënës, një kadi i ri në moshë, i gjatë dhe i bukur, i shkolluar për drejtësi në Universitetin e Vjenës, që shpejt u morr vesh, se kërkonte nuse të martohej.

Jo vetëm për këtë rast fatlum, po, në qytetin e Gjirokastrës (ku mungonin djemtë,  të vrarë larg në Jemen e gjetiu Anadollit të mobilizuar në luftërat e Perandorisë Otomane), për martesë, kishte një tjetër rregull, thuajse të veçantë. Ndryshe nga gjithë krahinat e tjera me shqiptarë, ku martesat bëheshin, gjithashtu, tradicionalisht me mblesëri, po, ku  ishte familja e dhëndrit që kërkonte nuse, në Gjirokastër, kur mendohej se vajza ishte rritur dhe duhej martuar, nxirrej si në ankand me emër e mbiemër dhe ishte familja e vajzës, që kërkonte dhëndër. Në këtë rast rreshtoheshin dhe paraqiteshin karakteristikat e vajzës, nga shkues gati profesionist. Lajmësi, shkonte derë më derë për të gjetur dhëndërinë e dëshiruar, dhe aty jepej pëlqimi, pa u parë fare, shpalleshin të fejuarit me njeri tjetrin.

Në këtë rastin e rrallë, të hamendësimit të kandidaturës për nuse paraqitur nga miqtë e Kadiut, kërkesat për “ankand” nusesh ishin lumë, se kush nuk e pranonte një “fat të zbritur nga qielli”.

Si ndërmjetës profesionist më i zoti, aso kohe, tregonte nëna ime, njihej xha Bidua, një plak simpatik e me kredi, që për fat, në të ri edhe ai kishte qenë Kadiu i Gjirokastrës dhe nga ky profesion kishte fituar përvojë, pasuri e katandi.  Tani, tepër i moshuar e pensionist lakmitar, gjurmonte të shtonte edhe më shumë të ardhurat, në pozicionin e shkuesit për mblesëri.

Familja gjirokastrite e Kondallarëve, derë e parë në krahinë dhe me shumë burra të shquar për trimëri (po dhe për egërsi), me toka e bagëti të shumta në Fushë Dropull, dihej se kishte dy vajza të rritura me dy vjeç diferencë nga njëra tjetra e gati për martesë. Kjo familje, në fakt kishte dalë para dy muajve me kërkesën publike duke deklaruar e kërkuar kandidat, sipas traditës, për martesën e vajzave,

Xha Bidua, pikërisht këtë familje të pasure të fuqishme zgjodhi për misionin e madh që i ngarkoi vetes dhe ndofta ky ishte rasti më i favorshëm në të gjithë karrierën e tij, si lajmës profesionist.

Fitorja këtu, mendoj xha Bidua, do ta kurorëzonte atë si kryeshkues krahinor. Pasi u konsultua dhe morri paraprakisht pëlqimin e kryetarit të familjes së madhe, si dhe ranë dakord për shpërblimin e majmë, Xha Bidua energjik, në një mbrëmje të butë shtatori, u sos te shtëpia e  Tofik Efendiut, Kadiut të Gjirokastrës. Ai e priti me respekt dhe i gëzuar, e ftoi në odanë e miqve dhe ju lut të zinte vend në krye të minderit, që rrethonte dhomën në të tre anët, shtruar për bukuri me dyshekë, çilte dhe jastëkë, të mbuluara me çarçafë të bardhe të qëndisur me dantella të bukura.

Pasi porositi shërbëtoren dhe e qerasi me gliko ftoi e kafe taze të shtypur në havan guri, Kadiu e pyeti xha Bidon, për arsyen e vizitës dhe si e morri vesh ndërmjetësimin, i gëzuar i thotë: Të besoj për të gjitha shpjegimet e këtij rasti të mirë,  të kërkuar e të pëlqyer edhe prej meje, aq më tepër që unë e njoh dhe kam konsideratë të veçantë për atë familje të pasur e fisnike, të denjë për krushqi. Po, shtoi me vendosmëri djaloshi, si intelektual që jam dhe i pajisur me ide perëndimore, dua  edhe për opinionin e shokëve të mi të radhës, të paktën ta shoh e të takohem me vajzën, për ta njohur nga afër më përpara atë, që më së fundi do hyjë në familjen time dhe do bëhet shoqja ime e jetës.

Xha Bidua u zu keq dhe i shpjegoj se, sidomos takimi me vajzën, as që mund të mendohet, se kjo këtu në Gjirokastër, nuk ka ndodhur kurrë, nga që ne, vajzat i mbajmë të mbyllura e të fshehura me taraba pas dritares dhe i nxjerrim në mejdan, vetëm të mbuluara me ferexhe. Pas shumë diskutimesh, për  të mos humbur rastin e volitshëm, Tofiku, ngeli dakord vetëm sa ta shihte nga larg dhe të zbuluar nga perçja, nusen e tij të ardhshme.

Kjo ishte fare e lehte: Ata do ta kundronin me dylbi, nga shtëpia fqinje mbi atë të Kondallarëve, kur nusja do nxirrej, pa e ditur kush, në oborrin e saj, gjoja duke lozur me vëllain e saj më të vogël. Kjo ishte plotësisht e mundur në qytetin kodrinor të Gjirokastrës, ku shtëpitë qëndronin pranë, si njëra mbi tjetrën.

Kështu u bë, qysh të nesërmen. Tofik Efendiu, u kënaq, mandej u mahnit, duke e parë vajzën bionde 17 vjeçare me dylbi. Ajo, si të ishte te këmbët e tij, ju duk se ishte e gjatë, e bukur, me flokët e verdha kaçurrele, bardhoshe dhe e njomë. Djaloshit i tërhoqën vëmendjen gjokset e mëdhenj, llërat dhe kraharori i bardhë, si dhe lëvizjet e saj, ecja si me naze dhe kërcimet energjike, duke lozur me pafka në çimenton e shtruar të oborrit të shtëpisë së vet, pa e ditur se e shikonin nga afër me kureshtje epshore.

Shpejt erdhi dhe dita e dasmës dhe nusen me duvak të kuq, hipur mbi kalin dori të stolisur, e shoqëruan me saze e këngë,  nga shtëpia e Kondallarëve në Palorto, drejt e te shtëpia e Kadiut, në lagjen Dunavat.

Ajo natë kaloi deri vonë me të ngrëna e të pira, me këngë e me valle. Gjallëri të madhe krijuan sazexhinjtë e Kolonjës, që të pajtuar posaçërisht, kishin ardhur nga larg.

Dita e nesërme e asaj vjeshte të parë, ishte e bukur dhe me diell. Zakon ishte që nusja dhe dhëndëri nuk flinin bashke natën e parë, kështu që dhëndri, Tofik Efendiu, Kadiu i Gjirokastrës, priste me padurim momentin e takimit të parë direkt me bukuroshe e tij të zgjedhur, që e dëshironte, ashtu si e përfytyronte qysh prej imazhit të parë, të kolme, tërheqëse e nazike.

 Dhe çasti i shumëpritur erdhi: Sipas zakonit natën e parë, në shtëpinë e dhëndrit gjirokastrit, flinin njerëzit e afërt me banim larg qytetit. Të nesërmen vinin edhe miq e të afërt të tjerë, dasmorë, që banonin për rreth. Shumë prej tyre, të vendosur në dhomat e posaçme, duhet edhe ta darovitnin nusen e re. Nusja, në fakt për këtë shkak, duhet të shkonte në dhomën e darovitësve dhe t’i qeraste ata me tabaka në dorë.

Për këtë, sipas traditës edhe për të treguar epërsinë absolute dominuese të burrit, ajo duhet të takonte më parë atë, zotin e saj të plotfuqishëm dhe ta pyeste se ku duhet të shkonte, te cila nga dhomat e mysafirëve.

Ky ishte çasti i shumëpritur, që nusja do takohej me dhëndrin për herë të parë dhe që Tofik Efendiu aq shumë po e ëndërronte.

Kadiu i Gjirokastrës, po e vinte re nga larg, pa ja ndarë sytë, nusen me duvak. Shpejt ai nisi të fërkonte sytë i çuditur. Ajo, vajza hajdhare që dikur kishte parë me dylbi, sikur  tani ishte tjetër gjë. Ajo që pa atje nuk çalonte (duket do ketë vrarë këmbën e djathtë). Ajo te oborri ishte e gjatë, kjo iu duk e shkurtër, ajo që lozte me pafka ishte bionde, kjo, nga cullufet e dala jashtë duvakut, dukej gështenjë, ajo me gjokset të harlisur, kjo petashuqe...

-Imzot, u dëgjua një zë i mefshtë ndenë perçe, më thuaj kuja do t’i dal. Në cilën dhomë të shkoj për qerasi?

- Dale, moj nuse, pa prit një herë dhe zbulohu të të shoh, ngrije perçen!

Kur nusja ngre perçen, duket ashiqare se ishte tjetërkush: një femër, jo vetëm çalamane dhe shkurtabiqe, po dhe e shëmtuar,  mandej edhe qore nga një sy.

Nusja naive vazhdon e pyet: Kuja t’i dal, im zot?

Dhe Tofik efendiu, i egërsuar, shqetësuar e dëshpëruar, i gënjyer dhe i ofenduar, bërtet:

-T’i dalësh kujt të duash, veçse mua, gjithë jetës, mos më dil më para syve!



Çfarë kishte ndodhur?

Familja e Kondallarëve kishte prurë për nuse te Kadiu i Gjirokastrës, vajzën e madhe sakate dhe jo atë bukuroshen, që djaloshi kundroi paraprakisht. Ata, kur e pleqëruan, e quajtën këtë normale, se ajo e kishte radhën për martesë, aq më tepër që Kadiu u përfol edhe nga opinioni (kishte dalë sekreti) si tinëzar, që guxoi të shihte fshehtazi vajzën, në kundërshtim me traditën gjirokastrite.

Kjo dredhi e tyre, e bërë qëllimisht për të “larguar së pari mallin e dobët” me shkak gjoja prapaskenën e djaloshit, u përgatit  me mjaftë kujdes dhe pas dasmës nuk korrigjohej dot as nga vet Kadiu. Kondallarët, jo vetëm ishin të fuqishëm e të egër, sa me ta askush nuk guxonte të matej dot, por Kadiu, as me ligj nuk e zgjidhte dot divorcin, se formalitetet e celebrimit ishin bërë  me ustallëk qysh më parë, kur kishte rënë në ujdi edhe ndërmjetësi dinak, që ishte dhe ai jurist me përvojë. Në dokumentet e martesës në Gjendjen Civile ishte shënuar si nuse emri i vajzës së çalë.



Lexues të nderuar!

Në vend të mbylljes, më lejoni që, duke u larguar nga forma klasike e tregimit, të nxjerr unë vet një përfundim dhe të vendos një paralele me rrëfimin e kahershëm që ju paraqita.

Duke skicuar të kaluarën me ngjarjen konfliktuale krijuar nga “Kondallarët gjirokastritë”,  më lind normalisht pyetja: Kë dëmtuan ata më shumë? Pa dyshim, vajzën e tyre të madhe, sakaten e pafajshme, që duket sikur e përzunë nga shtëpia.

Po të ruanin normat njerëzore dhe të lidhnin krushqinë e parazgjedhur, vajza e vogël do jetonte mirë dhe ndofta do ndihmonte edhe motrën e madhe (qoftë ajo, dhe vetëm sa të shpëtonte nga burgu i përhershëm). Nga ana tjetër kredia  dhe fuqia e tyre, prej familjeje të madhe, do kishte në krah edhe dhëndrin e ditur e me autoritet, të cilin kështu për më keq e bënë sa qesharak dhe armik;  Kadiu, Tofik Efendi, do jetonte i qetë, i lumtur dhe i gëzuar; xha Bidon, nuk do ta vriste ndërgjegjja gjithë jetës, se u përfshi nga lakmia dhe u fut në radhën e mashtruesve.

Më duket se të tilla konflikte, prapaskena e poshtërsi shfaqen sot përditë edhe më gjerë, në mbarë shoqërinë shqiptare dhe sidomos në partitë tona të shumta e kundërshtare. Këto mosmarrëveshje dritëshkurtra e deri prapaskena, të paraqitura shpesh herë me madhështi të rreme dhe egërsisht, prishin edhe më shumë punë se, nuk e lënë Kombin të vazhdojë rrugën e zhvillimit, për t’u përfshirë normalisht shpejt dhe i bashkuar në gjirin e shteteve të përparuara evropiane.



Tiranë, më 15.01.2012



BUSTI I NOLIT NË IBRIK TEPE


                                    
Lajmi i bujshëm ngazëllues
U përhap sot nga larg te ne:
Një bust i madh rrëzëllues
Merr rrugën për në Ibrik Tepe.


Do ngrihet Fan Noli në lartësi
Atje ku lindi, tani do rindritë.
Kjo vepër gëzon plak e të ri,
Përulje te ylli me dritë!



Në rresht meditojmë për punët madhore
Përkthimet e bukura dhe vjershat që njohim,
Skënderbeu na flet nga kjo përmendore
Malon, Gurakuqin, Bajram Currin shohim.



E kujtojmë Fan Nolin republikan
Kryetar të Qeverisë së Shqiptarëve
Dhe kryepeshkop Shqiptaro - Amerikan
Teksa u psalt shqip bashkatdhetarëve.



Larguar, brengosur nga shteti në shtet
Me dashuri e mall të pa shuar
Theofani i Madh, sërish po na flet,
Apelon për një komb të bashkuar.



Flamurin e kuq me shkabën gjakosur
E tund dhe e shkund me furi
Ndër qiejt lart, me guxim shpalosur
Për Kosovë, Shqipëri, Çamëri.
Tiranë, më 05.01.2012




POETIT JORGO TELO
NË PËRVJETORIN E LINDJES


   Në gjurmët e trokut tuaj
Me shkopin imagjinar,
Nisa dy fjalë t’i shkruaj
Poetit, për herë të parë.



Të kam ndeshur dhe pëlqyer
Në fejsbuk, te “faqja juaj”
Dhjetëra libra shumë të vyer,
T’i lexosh, duhet një muaj.



Në romane e reportazhe
Je i saktë dhe i vërtetë
Poezitë me plot imazhe
Janë si mjaltë, me lezet.


Kudo shkruan fare hapur
Prek direkt e pa dorashka
Godet personat e çartur
Gjyle topi, jo me shashka.



Shpërndan ngado mirësi
Dhe jep këshilla me vlerë
Në Gjirokastër e Zagori
Të njohin derë më derë.



Po, kur doli interneti,
Mik të kemi edhe ne
Se, si dallgë e madhe deti,
Na freskon e na jep hare.



Dhe tani në përvjetor,
Vëllazërisht të përshëndesim
Të nderojmë, ngremë një dorë
Kryeveprën tënde presim!
Tiranë, më 05.01.2012





TRE TREGIME PËR MJEKËT NË VLORË




1)HALA E PESHKUT



Qyteti i Vlorës, qysh herët, ka pasur mjek të dëgjuar, të aftë dhe veprues, të përmendur si për arritjet e tyre në kohë epidemish dhe kapërcim rreziqesh emergjente, deri me ndërhyrje e operacione në raste tepër të vështira pa kushtet e  një teknike të përparuar, po dhe për shprehje e qëndrime humane shembullore. Krahas kësaj, si pjesë e dalluar e inteligjencës së kohës, mjekët janë përmendur për shumë bëma gjurmëlënëse, që janë bërë pjesë e historisë popullore gojore.

Kujtoj me dashuri e respekt  dhjetëra mjekë, ndihmës mjekë e infermierë, që shërbyen me devotshmëri e humanizëm të thellë në rrethin e Vlorës: Në Spitalet e Vlorës, Selenicës, Himarës, Llakatundit, Bratit, Kuçit dhe Sevasterit, si dhe në të gjitha Qendrat e tjera Mjekësore, Farmacitë, Ambulancat, Maternitetet dhe Klinikat e shumta të Shërbimit Mjekësor, pa përjashtuar Klinikat Dentare, deri te ato në Qendrat e Punës e të Prodhimit, në Spitalin Neuropsikiatrik, si bazë e specializuar mbarëkombëtare, apo në Degën e Institutit të Kontrollit Shëndetësor dhe Laboratorin Obstetrikë dhe Epidemiologjik, në Seksionin e Shëndetësisë pranë Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, etj. 

Nuk gjen se cilin të vendosësh të parin në radhë, nga mjekët e famshëm, që kanë shërbyer në Vlorë, po pa u trembur se gabojmë, le të përmendim,  me këtë rast me nderim, emrat e  Petraq Popës, që qysh në vitin 1920 vullnetarisht u largua nga Turqia për të ndihmuar luftëtarët vlonjatë të Luftës  heroike të Vlorës në ekipin e Spitalit të Llakatundit; apo Sezai Çomon, që krijoi qysh në vitin 1921 Spitalin  e Parë Psikiatrik të Vlorës; të famshmin Ali Mihali dhe pasuesit e tij emërmëdhenj Azduriani, Dhimitri, Nashua, Agalliu, Çupishti Dervishi, Flloku, Kauri, Hysenbegasi, Kallfa, Shyti, Ashiku, Angjeli, Myrzabegu, Tepelena, Bendo, Papingji, Kutulla, M. Mihali, Isaraj, Beltoja, Sopiqoti, çifti Andoni, Bala, Osmani, Pavli, Gjidede, Gjoka, Nekiu, Iljazi, Konomi, Velo, Jazaj, Çela, Harizi, Papajani, Bisholla, Tetova, Gjodede, Dredha, Kapo, Kojdheli, Koçi, Papa, Gega, Muhameti, Islami, Mati, Hysi dhe dhjetëra të tjerë.

Një mjek i hershëm, që ka shërbyer në “Kohën e Zogut” dhe  disa vjet më pas në shërbim të pacientëve qytetarë të  Vlorës dhe të Fierit, ka qenë dhe dr. Nauni. Ai, si disa të tjerë  mjekë profesionistë, për shumë kohë kishte Klinikën e tij private, ku shërbente për të bërë vizitat mjekësore dhe për të kryer ndonjë mjekim plagësh. Realizonte me sukses, gjithashtu, injeksione dhe operacione të lehta emergjente. Ai paguhej direkt, sipas shërbimeve që u bënte pacientëve dhe ky ishte profesioni dhe vendi i tij i punës, ku siguronte të ardhurat për të mbajtur familjen dhe për të arsimuar fëmijët e tij.

Petrua, djali i tij i rritur ishte edhe ai student për mjekësi dhe në pritje të marrjes së një diplome mjeku kirurg në Itali, pushimet tre mujore të vitit shkollor i bënte në Vlore, ku njëkohësisht edhe kryente stazhin e praktikantit edhe e ndihmonte babën e vet.

 Në një ditë krye jave, kur dr. Nauni mungonte, midis Petros dhe një pacienti të njohur, peshkatar të fshatit Nartë, u dëgjua ky bashkëbisedim:

-Erdhe zoti Pandeli? Mirëserdhe dhe të lumshin këmbët  Ulu, rehatohu e çlodhu.

-Po këtë trastë, këtë radhë me levrek të freskët, që kam sjellë nga Narta për ju, ku ta lë?

-E ke sjellë për ne, gjithë atë trastë të madhe? Faleminderit, po kot u mundove.

 E po, futu te kthina anësore djathtas dhe vare te gozhda aty. Hiq dhe çizmet, që i ke gjithë baltë dhe vish një palë nallane të pastra. Dhe hajde e shtriu te krevati, që të të mjekoj plagën, se babai, miku yt doktor Nauni, nuk do na vijë sot, se ka ditën e shërbimit në qytetin e Fierit. (Disa nga mjekët e Vlorës,  me grafik bënin vizita çdo ditë edhe në Spitalin e qytetit të Fierit).

          -Nuk ka gjë, o vëlla. Fundja edhe ti doktor je, po unë e kam hallin se nuk po gjej derman, se megjithëse kam dy javë që mjekohem nga babai yt me emër të madh si doktor,  ajo plaga, prapë me qelb është dhe megjithëse është e dhjeta herë që e ndërroj dhe e mjekoj, nuk kam përmirësim. Tani, qysh pardje, po ndjej edhe zjarrmi, që do të thotë se më ka hipur edhe temperatura.

-Do ta shikojmë, deri me lente zmadhuese dhe po qe nevoja edhe me mikroskop, do ta pastrojmë e kontrollojmë.  Do bëjmë më të mirën.

-Mos duhet të jap lekë, se ndofta ai peshku që kam prurë nuk mjafton. Atë e solla me tepri e kënaqësi, po dhe sipas porosisë së doktorit sa herë që kam ardhur, (deri tani 10 trasta, afro një kuintal peshk). Mos gjëja dhe malli  nuk zë vend dhe, si i thonë: Paraja e dhënë - puna e bërë, pra duhet të jap lekë të thata? Nuk kursej, veç më bëni derman, të shpëtoj nga kjo bezdi, që po më lë edhe pa punuar, tani kur vreshti do vaditur e do prashitur?

-Jo, more vëlla, me vlerën e peshkut ti na ke shpërblyer dyfish, po dhe na ke kënaqur shumëfish, se ai ishte shumë i mirë dhe fare i freskët.

Doktori, i ri dhe i pa djallëzuar, që e dëgjoi me vëmendje pacientin e tij, punoi gjatë dhe me kujdes  mbi gishtin e infektuar keqas, dhe pasi e pastroi dhe e dezinfektoi e këqyri me vëmendje  edhe me lentën zmadhuese. Ai konstatoi në thellësi të plagës, gati të mbuluar plotësisht nga mishi, një masë të huaj, si  biçim gjilpëre. Tentoi ta tërheq atë me pincetën e sterilizuar dhe konstatoi se ajo ishte... një halë e madhe peshku.

Në çast mendoi për babanë e plakur, ndofta tani të pa përshtatshëm më, për këtë mision delikat shpëtimtar të dhimbjeve njerëzore. E qortoi babin me vete në heshtje dhe i erdhi keq për vuajtjen e gjatë  e të pamerituar të pacientit të vet.

E pastroi dhe e mjekoi sërish plagën dhe pasi e fashoj, i tha Pandeliut të duruar, se tani mbaruan vuajtjet dhe nuk do jetë më nevoja për procedurë të re. As për ta paguar me lekë nuk do jetë nevoja, se ti e ke tejkaluar shpërblimin e punës sonë dhe ndofta neve të jemi borxhli.

   nesërmen në mëngjes, kur mjeku i ri po i raportonte për bilancin e ditës së mëparshme, kur i përmendi pacientin nga Narta, që sillte peshk dhe i theksoi gabimin e babait te plakur, me halën e peshkut të pazbuluar në plagë, dr. Nauni, sikur u nxi në fytyrë, e ndërpreu  brutalisht të birin dhe i kërkoi llogari:

            -E, ç’ë, pastaj. Mos do të më thuash se e zbulove dhe ia hoqe ti,  sy mprehtë e mendje fuçkë, halën e peshkut nga plaga?

-Po, babi! Si mund të bëja ndryshe? T’ia lija në plagën e infektuar masën e huaj, sa të gangrenizohej  e pastaj t’i pritej krejt gishti?

- E po, tani, ha lakra të bahçes tënde me vaj ulliri, se peshk gjoli me bollëk, si ai levreku i trastës, apo koce të freskët, siç na ka prurë herë të tjera pa para, nartjoti, nuk do gjesh më!







2) GAZ DHE TË MIRA PAÇ!



E shikoja shpesh te “Plazhi Zhiron”, midis Molit 1 dhe Godinës së Dom Markut, në Skelën e Vlorës, duke gjuajtur peshk me grepa, mjekun karizmatik Pavllo Flloko dhe matesha t’i afrohesha e të  gjeja shkak për të biseduar me të.

Vite më parë  kur rronte im atë dhe unë isha fare i ri, dr. Fllokua,  shok i vjetër rinie më të, qysh në qytetin e përbashkët të lindjes, Gjirokastër, vinte në shtëpinë tonë, në lagjen Muradie të qytetit të Vlorës dhe së bashku çmalleshin, duke kujtuar me nostalgji ngjarje të lashta të rinisë së tyre. Kur largohej, doktori babaxhan, shpesh i thoshte si me shaka nënës time:  Nesër për drekë më ke këtu. Më ka vajtur mendja për laropitë, kolltopitë dhe shapkat, gatime këto të  shijuara në Gjirokastër  dhe të harruara këtu në Vlorë. Dhe ai vërtet, sa herë vinte ulej në tavoline dhe hante me kënaqësi dhe pa qibër gjithçka gjente dhe kur i ishte plotësuar porosia nuk i kursente fjalët e mira, duke shfaqur dëshirën për të shijuar, herën tjetër, diçka të veçantë nga kuzhina e  pasur karakteristike gjirokastrite.

Po vitet ikën dhe vdekja  herët e babait tim dhe kthimi i gruas se doktorit nga Jugosllavia, bëri që të  krijohen marrëdhënie e preokupime te reja dhe vizitat miqësore gjurmëlënëse të tij  në shtëpinë tonë të rrallohen  e të sosen.

Megjithatë zëra të brendshëm më thërrisnin që t’i afroheshe e të bisedoje me të, jo vetëm mbresat e hershme, po dhe përshtypjet përcaktuese të opinionit publik, për këtë njeri human të jashtëzakonshëm, që siç thuhej, poqe se do bije i sëmurë në duar e tij edhe buzë varrit të ishe, ai të ngrinte më këmbë.

Të shëronte sa e shihje, me prezencën e tij prej babëloku, pak zeshkan e vetull trashë, me flokët e dendura e të shpupuritura, dhe fytyrën eshtake Doktori të afrohej pa ndruajte me dashuri dhe sikur të përfshinte në krahët, si me shpirtin i tij bujar e paqësor dhe të mbështeste në atë gjoksin e tij të dalë para. Po ta shihje nga prapa do dalloje ca shpatulla të gjera e  trupin e fuqishëm, si të  një gjimnasti.

Thuhej se kur të vizitonte Dr. Fllokua, mbledhur në konsultë me shokët e tij, mjekë të shquar vlonjatë të kohës së tij: Pustina, Shehi, Kauri, Kallfa, Shyti, Angjeli, Myrzabegu, si në një Akademi Shkencore diagnoza që përcaktohej, ishte përfundimtare dhe tepër e saktë. Dhe, fjala e fundit në më  të shumtën e rasteve, ishte e “Kryeakademikut”, Pavllo Flloko.

Ishin këto arsye, që unë i afrohesha dhe ai, me gjithë diferencën e moshës, po edhe si djalë miku, më pranoi t’i bëja shoqëri në peshkim, aty, te ai sheshi ynë ëndërrimtar i Dom Markut.

Ishte i sinqertë dhe krejt i vërtetë. I ke parë sa shpejt po mbushen varrezat, duke mos pyetur për moshë, më tha një ditë. Po të lexosh pllakat mbi varre, do shohësh edhe shumë datëlindje të rinjsh, madje dhe fëmijësh. Këto kategori, më së shumti, i vdes mjekësia e prapambetur dhe e pa pajisur me aparatura dhe mjekët e paaftë e  ndonjëherë neglizhentë.

Kujdesi për mirë ushqyerjen, në kufijtë e buxhetit familjar të secilit, pastërtia dhe profilaksia (përfshirë vaksinimet masive), janë rrugët më të lira dhe më efikase të jetëgjatësisë dhe të shëndetësimit njerëzor, më tha një ditë tjetër, në procesin e edukimit shëndetësor, që ai e ushtronte me të gjithë dhe e quante detyrën numër një të çdo mjeku.

Do t’ju tregoj edhe një ngjarje interesante, për të qeshur:

Në një pasdite, kur ishim po te Dom Marku për të peshkuar, vijnë të alarmuar me taksinë e Mensurit, një mikut të doktorit, dy bura myzeqarë nga Novosela. Ishte Tasi, babai i moshuar dhe djali i tij Nasi, brigadier  i bagëtive të imta, në Kooperativën e Tipit të lartë Novoselë.

-Janë miqtë e mi, nisi shpejt prezantimin Mensuri. Kanë një hall të madh: Djali ka tre vjet martuar dhe ndërsa këta kishin hallin e nuses së djalit, që nuk po lindte, me gjithë dëshirën dhe merakun e krejt familjes, ka tri ditë që nusja nuk e ndien veten mirë dhe thotë: jam keq për vdekje. Nusen e kanë dhe shkodrane, se u pleks me djalin kur ai ishte ushtar atje, kështu që detyrimi për mos të pësuar gjë nusja është dhe më i madh, se gjininë e saj e ka larg.

Kemi ardhur me taksi të të marrim deri në Novoselë, të na shpëtosh nusen, doktor. Unë. vazhdoi taksixhiu Mensur, këta miqtë i kam jatak dhe sa herë lëviz andej, këta ma shtrojnë me kos e me djathë tek e tek, apo  bëjnë përshesh me bukë misri. Kështu që me peshk ju jeni velur, se zini për ditë, po ngrihuni tani që të dy, të kryejmë këtë detyrë, po edhe të degustojmë më pas, prodhimet e freskëta blegtorale të brigadier Nasit.

Propozimi ishte i prerë dhe mikut tonë, si dhe detyrës humanitare nuk i bëhej  dot bisht, ishte mendimi im, më shumë i tërhequr nga kosi i deles, se mjek urgjence kishte edhe në Novoselë, ndërsa rastet e veçanta, rregullisht  trajtohen në Spital, kur dhe taksinë e kanë të mikut.

-Si do bëjmë doktor e pyes nga afër.

-Ngriu Luan, mblidhi takëmet, se unë nuk e thyej dot betimin e Hipokratit, do nisemi sa me shpejt, se dhe çantën e urgjencës mjekësore e kemi këtu, që të kryejmë punë dhe të kthehemi  në shtëpitë tona me ditë.

Për gjysmë ore u sosëm te shtëpia e brigadierit Nasi. Shtëpia ishte tip Elbasani dhe e ndërtuar rishtas për merak. Në krye të shkallës na priti Marria, plaka e shtëpisë dhe ndërsa ne ngelëm te dhoma e miqve, doktori direkt e te dhoma e çiftit, i vetëm.

Vizita zgjati ca se ishte edhe porosia e mikut dhe u kontrollua me themel. Pas 20 minutash doktori doli duke futur stetoskopin dhe një aparat tjetër, në çantën e tij e duke qeshur.

-Hë doktor, folën njëzëri Tasi, Nasi dhe Marria. Ka gjë?

-Ka moj, ka, kot nuk ankohej nusja.

-Po çfarë ka, malukatja, që na ënjti ka tri ditë e tri net. Dhe me zë të ultë: Ka gjë për vdekje?

-Jo, moj jo. Gazra ka, gaaazra.

-Gaz dhe të mira paç! Shpejtoi të uronte  vjehrra Marrie.

Gjithë pjesëmarrësit aty  sa nuk u hodhën përpjetë nga gëzimi, se menduan që gazi dhe hareja janë gjë e mirë dhe aluduan, si dëshironin prej kohe, që nusja të kishte rënë me barë.

E vjehrra nuk duroi dhe direkt e te pyetja e dytë:

-Po, sa muajsh është?

-Po jo, moj e mirë, unë thash ka gazra,  në të vërtetë  nusja kishte gazra (pordhë biçimi) dhe njëkohësisht ishte kaps dhe unë i bëra një klizmë, e çlirova dhe ajo tani është fare mirë. S’ka asgjë për vdekje, si kishit ju merak.

Për mua, e keqja më e madhe ishte se, kur u mësua e vërteta e gazrave të nuses, aty plasi një lloj e qeshure, sa askujt nuk i vajti mendja për kosin e deles dhe ne... i hipëm taksisë së Mensurit dhe fill e në shtëpitë tona në Vlorë.



.





3)MIZA NË TRU


Ndodhinë e mëposhtme e kam dëgjuar para 50 vjetësh, nga shoku im i rinisë, që nuk rron më, Refit Hoxha, një burrë serioz, 5 vjeç më i madh nga unë dhe gjithnjë mësuesi im, njeri me gjuhë të ëmbël dhe me kulturë, që dallohej nga një kujtesë e pazakontë.

“Kam pasur mik dhe mjek familjar në qytetin e Vlorës, të famshmin doktor Ali Mihali”.  Kështu  nisi të rrëfente Refiti, në një mbrëmje, të mbledhur për të pirë raki, në verandën e Hotelit Turistik të Skelës, “Dom Marku” buzë detit Adriatik, kur dielli sa kish perënduar, duke na lënë të kënaqur, në imazhin e një bukurie të rrallë.

I shkëputur pak nga rrëfenja dua të shtoj se për doktor Ali Mihalin,  mjaftë popullor, të aftë e të sjellshëm, tregojnë ndodhi çudibërëse. Ai ishte modeli i mjekut të vërtetë human, që, si rrallë tjetërkush, shpesh vizitonte dhe pa para, madje “gratis” shënonte edhe te receta, porosi për farmacistin e lidhur me të. “E njoh këtë pacient të varfër e të mirë,  që s’ka të më paguaj, se s’ka as të ushqejë me bukë familjen e tij të  madhe, me fëmijë të pa rritur. Kam se ku i marr parat, për ato që  po i lë atij”, thoshte shpesh.

Tani, të kthehemi te rrëfenja: Doktor Aliu më ka treguar vet një rast interesant, na rrëfeu Refit Hoxha:

Në fshatin Kaninë jetonte, Sulo Agai, në mes të pasurive të shumta me  mijëra ullinj, 50 hektar tokë buke e  disa tufa me bagëti të imta.  Ai gëzonte shëndet të mirë, ishte ende në moshë të re  dhe bënte një jetë aktive, lëvizte gjithë ditën majë kalit, për të administruar pronat dhe për t’i dhënë udhëzime e këshilla qehajait dhe argatëve tij të shumtë. Kishte shoqëri të mirë në shokët e sërës së vet dhe dilte shpesh për gjahun e thëllëzave, lepujve e derrave, sipas zezonit përkatës. Në mbrëmjet me tre shokë të tij të afërt nga paria e vendit, ulej e luante kumar, sipas qejfit, pa e tepruar, apo kthente ndonjë gotë raki me meze të zgjedhur. Ishte gaztor, qejfli, shakaxhi dhe këndonte bukur labçe. Ishte hovarda dhe qeraste e paguante, deri jashtë radhe.

Sulon e njihja nga afër persomnalisht, shpjegon dr. Aliu, se kishte shume fëmijë dhe më merrte   hera herës në shtëpi me makinën e tij, për t’i vizituar dhe mjekuar ata. Paguante mirë dhe gjithnjë më shumë nga sa i kërkoja. E shikoja se interesohej për çdo gjë, jashtë mundësisë së tij konceptuese, deri në hollësi dhe ngulte këmbë edhe për gjërat e vogla e të pa rëndësishme, duke paraqitur ndonjëherë sintomat e një maniaku debil.

Sidoqoftë, deri ne moshën 50 vjeçare mbahej mirë me shëndet, pa pasur nevojë mjekimi për asgjë. Po, pikërisht, ditën e festimit në shoqëri të 50 vjetorit, u sos  dhe rregullshmëria e Sulo Agait. E sjellin te unë në klinikë për vizitë katër nga shokët e tij të ngushtë. Ata shumë të shqetësuar dhe Suloja, si i dal mendsh, që bërtiste pa pushuar dhe përsëriste urdhrin: “Hiqmani mizën nga trutë, hiqmani shpejt mizën”

E diagnostikova shpejt dhe e mora vesh fatkeqësinë që i kishte rënë në pjesë, këtij burri aq të mirë.

Mblodha veten dhe e qetësova: Ke shumë të drejtë, një mizë e madhe, si mizë kali të ka hyrë në tru. Mos u mërzit se je me fat. Kam një shok në Bari të Italisë, doktor, kirurg me famë, që ta heq fare lehte dhe pa narkozë.  Ai, ka pasur disa raste të tjera si kjo, me “mizë në tru”.

Duket se vendimi im i shpejt e befasoj dhe diç bëri efekt. Këtej e pas, Sulo Agai, nuk përsëriti më britmën refren “Hiqmani mizën nga trutë”, po u ul  e më pyeti:

-Po mirë o doktor, po nga u fut kjo palo mizë në trurin tim?

Ç’ti thosha? Po, Zoti më ndihmoi dhe iu përgjigja shpejt, duke e paraqitur veten , kinse, si fare të qetë:

-Nga veshi, o Sulo vëllai, nga do të hynte tjetër!?

Sulo Agai, atë ditë fatkeqe, u kthye më i qetë në shtëpi dhe vetëm pas ca kohe u kujtua prapë për mizën, që i dukej se po fillonte “t’i lëvizte sërish ngadalë krahët”.

Unë, ndërkohë isha lidhur në telefon me shokun tim kirurg ne Bari të Italisë, duke i shpjeguar se  pacienti në fjalë është  pasanik Shqipërie, po si shumë të tjerë këtu, italishten e di mirë, megjithëse është pa shkollë dhe pa njohuritë minimale mjekësore.

U nis me anije Sulo Agai, se në “Kohën e Zogut”, kalimi i kufirit italian ishte pa formalitete dhe të nesërmen u gjend i befasuar, para një salle kirurgjikale gjigante, me shtratin dhe pajisjet  të përgatitura dhe midis një numri të madh personeli veshur allasoj.

Dr. Karlua, miku im kirurg, me bisturi në dore i tha Sulo Agait, duke i folur  italisht në emër dhe  me ngrohtësi: Ai që të ka dërguar te unë është miku im më i mirë dhe diagnoza e dërguar është perfektë. Me mjetet që kemi, operacioni ynë, do jetë si një pickim blete.

Ndërkohë aparaturat e lidhura në trupin e Sulo Agait filluan të punonin dhe të zhurmonin, të parapërgatitura për më shumë zhurmë se zakonisht. (Kjo ishte edhe si psiko-anestezi).

Një prerje e hollë bisturie në ballë dhe urdhri i kryekirurgut: “I zgjidhni sytë”.

Sulua, si i zgjuar nga hipnoza, zgurdulloi sytë dhe e pa me kënaqësi dhe i çliruar plotësisht, direkt para shtratit të tij dr. Karlon, që në dorën e djathtë kishte bisturinë e përgjakur dhe me dy gishtat e dorës së majtë, mbante të kapur një mizë bajagi të madhe, edhe ajo e përgjakur, që  ishte e gjallë dhe që rrihte pa pushim krahët e kuq.

Sulo Agai edhe hovardar nga natyra, e pagoi me të tepërt në monedha ari, doktorin e famshëm dhe, pasi mori garancinë e plot të tij, u kthye me gjithë shpurën që e shoqëronte për Shqipëri,  ngarkuar me të tjera dhurata të çmuara, për doktor Aliun, për shokë e për miq.

 Kaluan pesë vjet, tregon dr. Aliu, siç thotë Refiti, dhe Sulo Agai erdhi te unë për një vizitë të zakonshme. Kur e pyes për mizën ai e kujtoi historinë e saj si të shkuar të largët dhe bile e shau  direkt atë mizë, tani të ngordhur në Itali.

 Unë, pa e menduar thellë si mjek me përvojë, duke bërë një gabim të pafalshëm, i shpjegoj se ai, atje në Itali, ishte “një operacion i provokuar”, sepse asnjë lloj mize nuk ishte futur në trurin tënd, po kjo lloj mize në tru, ishte fiksimi yt. Ne, u morëm vesh me njëri tjetrin dhe të hoqëm fiksimin.

Atëherë, unë e pash Sulo Again, menjëherë të shpërfytyruar, që nisi të qëlloi kokën e vet me grushte dhe që u thye pa pritur në gjunjë e tha: “Po, po, ç’më gjeti! Pse dreqin, o doktor, nuk mi mbylle, qoftë dhe me pambuk ata vesh? Miza u fut prapë në tru...”



Tiranë, më 15.12.2011













PËRQAFIMI I LINËS




Fëmijët, të mërguar,
Prej meje ndarë janë.
Për ta i dëshiruar
“Mërdhij” dhe nën jorgan.


Nga gjumi sapo ngrihem
Shpalos albumin radhë,
Rinohem, përtërihem.
Me fotot shuaj mall.


Kundroj time bijë,
Qafuar ballë e gushë,
I ndjej krahë dhe ijë.
Një zjarr më djeg si prush.
 

Mërguar shumë larg
Pranë Polit, n’Kanada
Preokupimet varg,
Për dy fëmijët ka.
 

Ata, ende në shkollë
Ajo, lodhur në punë.
Te Lina, faqe mollë,
Merakun e kam unë.


E ndjej se jam moshuar
Dhe dot nuk i ndihmoj,
Me fotot nëpër duar,
Pasardhësit admiroj.


Dhe fort i lutem Zotit
T'i ruaj, t'i përkrahë
Me shpresë, që ndofta motit
Do jemi krahë për krahë.


Tiranë, më 08,12,2011











AJO DITË NË DURRËS


Në Durrës, te Plazhi, shkuam në një ditë dimri.
Koha qe e mirë dhe dielli  shkëlqente.
Kishte ardhur Anxhela, Arta dhe Wimi
Së largu nga Holanda. Kjo na ngazëllente.


Drekuam peshk dhe në foto dolëm.
Ja, soditini, tre brezni me femra.
Për mallin e kurbetit folëm e folëm,
Kujtuam Anin dhe Linën, me emra.



Ngelën në mend përshëndetjet e ngrohta,
E veçantë, e pa harruar do quhet kjo ditë,
Po vlerat, që do  të shohë gjithë bota,
Janë stampimet e bukura në celuloid.


Janë  babë e bijë të përqafuar,
Poza që krijoi poezinë e pëlqyer,
Një shkrepje blici e shpejtuar
E Wimit tonë të mirë e të vyer:

 07.12.2011



 BIJA IME, ARTA.

Pa shikoni sa e qeshur,
Ku gjen qenie më të bukur?
Zor se gjetiu ke ndeshur
Tjetër vajzë më të dukur:

Syzezë, vetulla hënë
Hundë e drejtë me lezet
Një gojë e vogël, ndenë
Faqet gropë, si do vet;

Fjala mjaltë, dora melhem,
Si ajo s’gjen tjetër kënd,
Me virtyte një madem,
Pus me dije, det me mënd.

Më përngjan si “Madona”,
 Zonjë krenare me emër.
Ndofta më e mirë akoma
Në shpirt, në mend e në zemër.
Edhe emrin e ka Artë,
E praruar mrekullisht,
Nuk gjen papirus a kartë
Ta përshkruash mjeshtërisht.

-Pse e tepron, o im atë.
Jam e s’jam, si ca të tjera!?
-Si një baba me shumë fat
Thash e shkrova disa vlera.

Tiranë, më 2 .12.2011




ANI, IM BIR, I MËRGUAR


Dua, a s’dua, jam a s’jam
 I qetë, a i trullosur
Birin tim, pranë sysh e kam
  mbajtur, “të hekurosur”.


E kam pranë dhe pse është larg
Dhe e ndjek me “sy” e mendje
Unë, dërgoj ”këshillat” varg
Ai, i “dëgjon” me endje.


Veç shënon, nuk them vepron
Disa, nuk i hyjnë në punë
Për shumë zgjidhje ngela vonë
Ai di më shumë se unë.



I bëjmë qejfin njëri tjetrit
Edhe kjo paska një vlerë,
Si të riu dhe të vjetrit
Fjala e mirë i bëka nder.



Një këshillë, dua ta mbajë
Do, a s’do, e, jam, a s’jam
Porosi kjo, nga babai
Dëshirë të fundit e kam:

Amerikën ta nderojë,
Dhe të mos harrojë kurrë
Se, një Komb, që të rrojë
Kërkon mund, dije, kulturë.


Lukasi, Niku, djemtë e tija,
Gjuhën shqipe të mësojnë
Mendjen, sytë nga Shqipëria,
Pa shkëputur, t’i drejtojnë!



Dhe një shpresë të madhe kam,
Që të ktheheni një ditë,
Kam dëshirë, jam’ a s’jam.
Do ju “shoh” me të dy sytë.

Tiranë, më 20.12.2011










LEFTER ÇIPA
Nga Luan Çipi

Inicialet janë njësoj (L. Ç.)
Po, ndryshimi  -  kapital.
Do përpiqem ta kujtoj,
Duke shkruar dy, tri fjalë:

Kush na zgjon ëndrrat rinore,
Shpirtit futur dalëngadalë?
“Bejk, e bardhë”, zëmrën ma more,
“Zoga kaçake në mal”.

Tetëmbëdhjetë libra, njëmijë këngë,
Madhësi e oqeanit.
Bregu i detit gjire e mëngë,
“Këngë të Akroqeranit”.

I dëgjoj e s’ngopem dot,
Diskun e kthej nga e para,
Mendja më shkon, atë bot,
Te një bohem nga Himara.

Lefter Çipa: “Këngë Kurbeti”,
“Për Kosovën prapë do ngrihem”,
“Princi i dashurisë”, na gjeti.
Pafundësisht po përtërihem.

I pa shteruar, Lefteri,
Këngë të reja duke thurur,
Në shekuj i rritet nderi,
S’ka për t’u harruar kurrë.
Tiranë më, 25.11.2011
Shënim: Titujt, ndenë thonjëza, janë të disa prej librave të Lefter Çipës.



NË NJË DREKË TE VAITI


 
Ja dhe ajo ditë mbërriti
(Gati, kish kaluar viti)
Kur Sadedini na thërriti:
Ora një, na pret Vaiti!

Dhe u  mblodhëm, këtë herë
Shtatë burra, pleq,  t’u themi.
Në krye, meritë e nder,
U vendos Bardhyl Golemi.

Mbi tavolinë tre pamflete:
-E djeshmja, iku e s’vjen,
-Sot, gëzimin shpalle vetë,
- Nesër, ndofta, nuk na gjen.

Aty ish Niko Gjyzari,
Pirro Veshi dhe Viktori,
Sadedini dhe Luani,
Në qoshe, qëndron Axhemi.

Kur nisi nga ligjërimi
Lodhja, brenga u bënë çikë
Ikën hallet, dëshpërimi.
Po flet një akademik:

Nuk ka si takimi tok
Bisedim, me një gotë verë.
Shokë, mbledhur kokë më kokë,
Dhe dimri, bëhet pranverë.

Pa nisim me përjetimet
Për rininë, që iku shpejt,
Në ekran dalin kujtimet
Si një ditë - iku një jetë.

Lere të kaluarën pas
Nisja këngës, Sadedin
Sot ne duam vetëm gaz!
Fjala, kënga vajti “gjym”...

U morën disa shëndete
Dolli, mirësi, ashkëna
Vera, kënaqësi  më vete.
Të gjithë na patën sevda.

Ndaj, nga tavolina pranë
U ngritën na falënderuan
“U gëzoftë zemra”, thanë,
Në këngë na shoqëruan.

*
Ikëm, të lidhur me fjalë:
Çdo dy jave, përsëri, tok
Të vijmë, “vlaga” pa dal,
Të këndojmë sërish me shok. 

Te Birraria e Vaitit Tiranë, më 19.11.2011




PAS NJË BISEDE TË MËRZITSHME
                         
Dhe pse nuk kam lindur në fshat
Me pyllin, malin dhe pulat në derë,
Me to jam ndeshur dit’ e natë
Në filmat  dhe librat me vlerë.

Vërtetë, lopë e kalë s’kam pasur,
Nuk kam shkuar çoban me dele e dhi
Po, dhe qytetit gomarët kanë pallur,
Kanë bredhur e lozur mace e mi.

Fshatar, me dukje veshgjati,
Të bën mendimi i vonuar ,
Se burra e gra  nga fshati
Gjen shpesh të nderuar.

Kujdes, larg nga ky lloj fshatari,
Që kundërmon erë  bagëti.
Se, sot ai në qafë, desh ma vari,
Këmborën e cjapit të tij.

Rrezik të më ngjizë dhe huqet
E marra nga delet, nga dhitë
Po, hajde dëgjoja, ti, buqet:
I njëjti avaz për ditë:

“Mos të ngrihet porti me kontejner,
Mali i Karaburunit të ngelet kullotë,
Jam kundër gjeneratorëve me errë,
Të më rojë cjapi im”, thotë.

Mençuria e thellë e Sokratit,
Mendja e artë e Aristotelit,
Zotësia e rrallë e Anshtajnit,
Filozofia e çmuar e Volterit,
Të gjitha për një vit sheshohen,
Po pate shok këtë tip fshatar
Dhe dijet e pafundme harrohen,
Logjika varroset në varr.

Lere më vete “fshatarin”
Të rrojë me kafshët e tij.
Për shok, zgjidh “qytetarin”.
Gjindja të çmon me kë rri.

                                                                                    Vlorë,28.10.2011




TE MIQTË TANË
. 
Po na thërret Miltua dhe Vefi,
Po na grishin miqtë e mirë,
Mos t’i ngelet askujt qejfi,
Shkojmë të thithim eliksir.

Zoti, kot, si mblodhi tok
Mënçurinë dhe ëmbëlsirën:
Urtësinë gjen te një shok,
Miltua, arshivon të mirën;

Vefi jonë, gjithnjë pranverë
Buzën gaz, me syt’ e qeshur,
Kështu mbahet mend ngaherë
Goja mjaltë, mendimi i pjekur.

Ne, po vemi qysh me ditë
Kujtesa diçka të marrë
Aty mbartet një traditë
Nga Berati, në Himarë.

Profesori, do kujtohet
Me mall e me dashuri,
Kryeplaku, do nderohet
Përmendore, që të dy.

Ku ka rrjedhur do pikojë
Kjo, tradita, do kalitet
Miqësia thellë do shkojë
Trashëgim do përtëritet.

Tiranë, më 20.11.2011








1


RINGJALLJA E POETIT




                                  
Në ballë Presidenti, unë, në rresht me shokë,
Salla e mbushur plot, në hare po kallet
Familjarë e miq, gjithë të mbledhur tok
Sot, poeti i shquar, me vitet përballet.


Mendimi largohet, thellë në dhjetëra vjet:
Krahë Ismail Qemalit, kur ngrihej flamuri,
Në “Luftën e Vlorës”, në vitin njëzetë
Kryetar Bashkie, me dhunti prej burri.



Detyra të larta me nder përballoi,
Sekretar ne shtet, dy herë diplomat
Ngado ku shërbeu dhe kudo ku shkoi
Punoi pa u lodhur, për ditë e për natë.


Po lart, mbi çdo gjë i qëndronte vargu.
Mendimi i ndritur, si stoli e rrallë
Poetit të ëmbël, siç ja donte pragu,
“Hakërrim” shpërthente, tërmete tetë ballë.


E lanë të harrohej, “shkrimtarin borgjez”,
Mohuan kushtrimin e nisur nga Vlora
Po, pishtari lab dhe më shumë u ndez,
Flamurin me shkabë kurrë se la nga dora.



Libri “Hanko Halla” u bë një bestseller,
Lexohet  me endje “Vidi...pullumbeshë”,
Shqipëria në krye”, për poetin nder,
“Kur merr zjarr rrufeja” ishte një peshqesh.


Rri, dëgjoj mendueshëm, po flet Presidenti
Përshëndet familja, dikush falënderon,
Rron Ali Asllani, u ringjall poeti,
“Nderi i Kombit” shpallet, siç e meriton.
                                                                  Tiranë, më 15.11.2011










GAZETARI PASIONANT DURO MUSTAFAI

Prej kohe kam dashur të shkruaj për shokun tim të vegjëlisë Abdurahman Mehmet Bashaj,  me origjinë nga fshati Vranisht i Lumit të Vlorës, që me të drejtë qytetarie vlonjate është quajtur gjithnjë Duro Mustafai  dhe ka mbajtur pseudonimin e hershem letrar “ DUMEMUS”.
Klikova në google te ky emër, për të mësuar diçka më shumë nga ç’dija, po  për fat të keq, thuajse asgjë te re nuk gjeta. Thash  i çuditur me vete: Si nuk është shkruar asgjë për një letrar të vjetër e mjaft të njohur, me një karrierë 50 vjeçare në gazetari, deri kryeredaktor i disa organeve dhe veças i gazetës letrare, “Dritës” jetëgjatë e “barkgjerë”, ku u shpalosën shkrimet e bujshme të Kadaresë dhe Agollit? Aq më tepër se Duro Mustafaj ka debutuar  me sukses edhe si skenarist filmi, tregimtar, poet dhe romancier.
Atëherë nuk me ngeli gjë tjetër veçse  të konsultohem me “ Fjalorin Enciklopedik për gazetarët dhe publicistët shqiptarë”, t’i  thërres kujtesës, të shfletoj ditarët e jetës sime dhe të konsultohem me të dhe me shokët tanë të përbashkët.


Gjurmët e para të njohjes me Duro Mustafanë më shpunë mbi 50 vjet para: në vitin 1948. Ishim të dy nxënës në Shkollën “ Naim Frashëri”, në Qytetin e Vlorës. Ai në klasën e peste dhe unë një vit më lart. Ishim afruar më shumë bashkë në rrethin letrar të shkollës, nën kujdesin e mësuesit veteran të letërsisë, gjuhëtarit Jorgo Ceko, nga fshati Nartë i Vlorës. Mësuesi ynë i dashur e kishte pikë të dobët Duron, ku siç thoshte ai, dukeshin shfaqjet e një shkrimtari të ardhshëm.
Babai i  Duro Mustafait, Mehmet Bashaj, pas Luftës së Vlorë, ku kishte marrë pjesë me armë në dorë, në vitin 1921, erdhi dhe u ngul  me banim në “Lagjen e Re” të qytetit të Vlorës. Ai erdhi nga fshati Vranisht, i dalluar në krahinën e “Lumit të Vlorës” për historinë e tij më se të lashtë e me  gjurmë prehistorike nga qyteza e Horës, që u shpërbë nga dyndjet e barbarëve, ndërsa vendasit u detyruan  të largohen. Po ata, duket se  emrin e bujshëm e morën me vete, kur emigruan në bllok, për ta ringjallur tej bregut detar të Adriatikut, në Italinë e Madhe.
Ajo pjesë e horjotëve që ngelën këtu dhe u vendosën fare pranë, në fshatin e vranët Vranisht, rrëzë mali, mbajtën dhe ruajtën në shekuj legjenda, zakone e doke të lashta, vallen e bukur vranishjote dhe folklorin e pasur lab.
Në qytetin e Vlorës  Mehmet Bashaj u mor me tregti produktesh bujqësore e blegtorale dhe hapi një kafene, duke ruajtur marrëdhënie të shumta me “Lumin e Vlorës”. Shtëpia e tij ishte strehë e ngrohtë për bashkëfshatarët e tij, që vinin shpesh për punët e tyre për të shitur e blerë, për shkollë e shërbim mjekësor dhe  për punë gjyqësore e administrative. Aty edhe u martua me Fezirenë, një vajzë të re nga Kanina, me të cilën lindën njëmbëdhjetë fëmijë dhe shkuan një jetë në harmoni, deri në pleqëri.

Duro Mustafai ka lindur në qytetin e Vlorës, më 21 shkurt të vitit 1933. Mësimet e para i kreu në shkollën 7-vjeçare “Naim Frashëri” në vendlindje. Përfundoi me rezultate shumë të mira Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan dhe Shkollën e Lartë në Fakultetin  e Historisë dhe Filologjisë (Dega”Gjuhë-Letërsi”), në Universitetin Shtetëror Tiranë.
Fillimisht punoi si  drejtor shkolle dhe mësues i letërsisë, në qytetin e tij të lindjes dhe më pas, po aty, në drejtimin e rinisë së rrethit të Vlorës.

Krijimtarinë letrare e ka nisur qysh në bankat e shkollës duke shkruar vjersha e tregime në organet letrare të kohës si në gazetën “Pionieri”, revistën letrare “Nëntori” dhe në gazetën letrare “Drita”. Për më shumë se 40 vjet pa shkëputje, është marrë me gazetari. Ka punuar redaktor në gazetën “Zëri i Popullit”, kryeredaktor i gazetës “Drita”, për gati 7 vjet, kryeredaktor i gazetës “Shqipëria” (për diasporën) në Ministrinë e Punëve të Jashtme (derisa doli në pension) dhe tani kryeredaktori i gazetës “HORA”, organ i shoqatës Atdhetare Kulturore, Vranisht i Vlorës.                                     
Për sa e gjykoj unë, profesioni i mirëfilltë, specialiteti i ngushtë superior i Duro Mustafait është gazetaria dhe sipas meje, ai  këtu i ka shokët të rrallë. Atij, si ndër gazetarët e palodhur më të vjetër, nuk i numërohen artikujt dhe reportazhet gjurmëlënës. Dhe kudo e kurdoherë dallon te Durua njeriun e  mirë e të duruar realist, punëtorë e këmbëngulës dhe me iniciativë, kureshtar, të ditur, të drejtë e të  çiltër, të ditur, kurajoz, të thjeshtë e komunikues. Durua në të gjitha rastet kujdeset për të qenë i besueshëm, për ta paraqitur të saktë lajmin dhe ngjarjen, me  bukuri e aftësi  gjuhësore, letrare e artistike për ta bërë atë sa më tërheqës dhe te lexueshëm   dhe gjithnjë me dashamirësi, duke nxjerrë në çdo rast përfundime të drejta dhe duke shtruar rrugëzgjidhje optimale.
Po, gazetari dhe publicisti Duro Mustafai, njëkohësisht është dhe një shkrimtar i mirëfilltë e produktiv. Ai është bashkautor i skenarit të filmit artistik “Gunat përmbi tela”, film i prodhuar nga Kinostudioja “Shqipëria e Re”, në vitin 1976;  autori i librit “Edhe ti do bëhesh gjysh”, botuar nga Shtëpia Botuese Hora, në vitin  2005; autor i librit me tregime “VRANISHTI NË SYTË E MI”, botuar nga Shtëpia Botuese “Toena”; i librit me poezi UDHËVE TË JETËS SIME”, botuar nga “HORA PRESS”, në vitin 2008; i romanit “Nën qiellin e Prishtinës”(Ditari i një dashurie të përgjakur), botime “Toena” në vitin 2009 dhe i ditarit familjar “Fëmijët që do bëhen gjysh”, botuar nga “HORA PRESS”, qershor 2009. Duro Mustafai, në dhjetë vjetët e fundit ka botuar njëmbëdhjetë libra. Dhe librat e tij, të thurura në mendim dhe të projektuara për botim, sipas meje, do vazhdojnë të shtojnë numrin e tyre çdo vit. Ai ka në dorë për përpunim: Ç'farë kam parë dhe c'farë nuk kam parë në Kubë ( Kujtime, përshtypje, mbresa); Interviste me veten dhe të tjerët (grimca jete, në jetën e shkrimtareve dhe artistëve...)Këtu përfshihen edhe kujtimet për “dashnoren e Vlorës”, gjuhëtaren historiane Nermin Vlora.

Kështu, më lart paraqita si munda të përmbledhur veprimtarinë gazetareske dhe letrare të Duro Mustafait. Po kjo, megjithëse një veprimtari brilante, që do ta bënte krenar këdo, nuk do ta prezantonte të plotë mikun tim të mirë. U shpjegova, se njohja e afërt me të, është qysh nga bankat e shkollës fillore. Më kujtohet koha kur ishim në rrethet teatrore dhe muzikore të Shtëpisë së Pionierit në Vlorë, me drejtues mjeshtrin e madh, kompozitorin Tish Daija dhe kompozitorin vlonjat Themistokli Mone. Durua, qysh atëherë dhe më pas, i dalluar në punët me rininë, me atë trup atletik e të  shkathët, i bukur dhe shumë miqësor e dashamirës, ishte i gatshëm  për të ndihmuar këdo, duke qenë dhe vet nxënës i dalluar në mësime dhe me prirje letrare të shfaqura. U ndamë disa vjet në shkollën e mesme, kur ai u shkëput në Elbasan dhe unë në Tiranë dhe u takuam sërish në Vlorë pas mbarimit të Universitetit. Ai këtë radhë erdhi dhe me Katin, bashkëshorten, mësuese bukuroshe të njohur në Elbasan, me të cilin pati dy fëmijë,  një nip dhe tri mbesa dhe gjithnjë një mirëkuptim të plotë.
Karakteristikë dalluese e përhershme e Duros ka qenë dashuria për shokët, kolegët, bashkëqytetarët për farefisin dhe bashkëfshatarët e origjinës së tij. Ja si e shpreh ai këtë në një poezi:

“Kur të iki s’kam pë  të marrë asgjë
Por, në se për shoqërinë, diçka kam lenë,
I lumtur do të isha të lija një zë,
Që të fliste me dashuri edhe për gurët që flenë”.

Ka mbi dhjet vjet që tani pensionistë, me Duro Mustafain dhe të tjerë vlonjatë të mirë, takohemi disa herë në javë dhe kalojmë vërtetë çaste të lumtura. Shokët tanë me të cilët pimë  thuajse çdo ditë kafe e çaj, po ndonjëherë, me raste festash, gëzimesh familjare dhe datëlindje të njëritjetërit, janë thuajse të gjithë  gati bashkëmoshatarë dhe miq e shokë të vjetër, ardhur prej vitesh me punë familjarisht në Tiranë. Bisedat tona përgjithësisht vërtiten rreth Vlorës dhe ngjarjeve e bëmave të kahershme atje, kur ne punonim dhe kontribuonim për familjen dhe shoqërinë. Në njërën nga këto darka kur festonim 70 vjetorin e Duros, unë improvizova dhe recitova vjershën si më poshtë:

       DURO MEMET MUSTAFA
(NË 70 VJETOR}

Profesioni gazetar
Është vlerësuar përherë
Unë Duron kam ndjerë e parë
“Analist”, mbi shumë të tjerë.

Publicist, që plotë guxim
Gjithë jetës shqipen shkroi,
Vepra letrarësh të rinj
Nxiti, ndreqi, redaktoi.

Bashkëkohës me Driteronë,
Kadarenë dhe Arapin,
Në plejadë me ta qëndron,
Në një start e nisën vrapin.

T’i mbledhësh shkrimet e vjetra
Bëhet një mullar me letra,
T’i qëmtosh, t’i ribotosh,
S’të del koha t’i lexosh.

Dhe si gjysh  ka plotë ide
Që ndër vite iu mëkuan.
Mos kujtoni se po fle:
Mediton, ndreq edhe shkruan.

Jo se unë kam parandjenjë
Shoh e njoh “ vijën e dorës”,
Kam besim: Do të shkëlqejë
Pleqërisht, Durua i Vlorës!


Kryevepra në punim
Me intrigë e dashuri,
Vrasje, ndarje e bashkim.
“Mrekullia në shkëlqim.”
%
O poeti ynë me vlerë:
Ne, të lindurit në Vlorë,
Dhe njëqind libra të tjerë
Të urojmë në përvjetor.

Ishte koha kur shkrimtari ynë i nderuar edhe pse pensionist, merrej me përpunimin përfundimtar të romanit “NËN QIELLIN E PRISHTINËS”. Ky libër, për mua më i arriri si vepër, në gjerdanin e artë letrar të Duro Mustafait, kishte nisur të shkruhej  qysh në vitet tetëdhjetë, kur ndihej  e organizuar kundërshtia kosovare ndaj dhunës serbe. Subjekt, i përpunuar dhe i pasuruar është aktual dhe me guxim tenton për një bashkim njerëzor e human, në zgjidhjen paqësore e dashurore të atmosferës tradicionale tejet armiqësore midis popujve fqinjë.

Kjo ndjenjë paqësore mirëkuptimi është princip pune e mendimi për Duron. Kështu vepron ai edhe tani, si kryeredaktor i gazetës “Hora”, ku me qëndrimin këmbëngulës të tij, të botuesit vranishjot, inxhinierit të kulturuar e bujar, Besnik Hasanaj dhe të redaksisë, ka unifikuar deri mosmarrëveshje e keqkuptime, duke ndjell harmoni e bashkim paqësor, larg ndikimeve ekstreme partiake. Dhe, me që jemi te gazeta “HORA”, dua të them pa ndjell xhelozi, se ajo për mua është thuajse e përsosur, me përmbajtje të larmishme, me rubrika interesante, me lajme të freskëta e të dobishme, që përfshijnë deri ngjarje historike specifike, kuriozitete shkencore, këshilla mjekësore, ngjarje sportive, etj. dhe rek të mbulojë deri vranishiotin e fundit dhe në skajin më të largët të globit. Edhe si paraqitje me letër të zgjedhur, katër ngjyra të pëlqyera, me faqosje profesionale dhe 16 faqe, kjo gazete ngelet në krye të si shoqeve të saj. Ajo e tejkalon dukshëm kufirin e një fshati. Dhe këtu faktor dominues është meraku, pasioni  dhe mjeshtëria e rrallë e gazetarit të vjetër, ish pedagogut të Degës së Gazetarisë, në Universitetin Shtetëror të Tiranës, padyshim njërit prej gazetarëve më të spikatur në publicistikën shqiptare,  mikut tonë të mirë, Duro Memet Mustafait, alias DUMEMUS.

Tiranë, më 07.11.2011





MËSUESI I POPULLIT HARILLA KUÇULI


                                      
Kam pasur dikur në shkollë drejtor
Një mësues të shquar, me  zemrën det
Breza maturantësh, për shumë vjet në Vlorë
Priti, përgatiti, i nxori në jetë.

I drejtë, i vendosur,  fjalën e kish  vulë,
Nuk lejonte shere, grindje, mosmarrëveshje,
 Shqetësime e zënka, nuk dëgjoje kurrë,
Shpërndante ngado besim e buzëqeshje.

Për punë e veprime ishte më i pari,
Në qëndrim e sjellje model  fisnikërie,
E ndiqte për krahu dhe më kundërshtari,
Gojë mjaltin nga Bregu, burim mirësie.

Kur mësuesi i dashur jepte letërsi
Klasa ngazëllehej me zgjedhjet e brishta
Shfaqeshin madhërishëm, jetonin me ty:
Shekspiri, Balzaku,  Naimi dhe Fishta,

Visare folklori, kënga himarjote,
Fan Noli në krye, gegë e toskë tok.
Me nxënësit sillej, si prej tjetër bote,
Si një prind i mirë, si mik dhe si shok.

Asnjë vështirësi  atë se përkuli
Për çdo rast ekstrem zgjidhja ishte gati
Balsam çudibërës – Harilla Kuçuli
Dijetari i urtë, si të ish Sokrati.

Vlorë, 20.10.2011






MËSUESI I POPULLIT
XHEVDET KOFINA
 


Meriton kurorë lavdie,
Degë ulliri e dafina,
Djalë Fterre, Labërie,
Mësues, Xhevdet Kofina.

Ngado-nder i veçantë
Gjirokastër e Përmet
Ersekë dhe Sarandë
Në Vlorë, njëzet vjet.

Kudo, nga ishte e shkoi
Ligjëroi në gjenerata
Me zell e durim shpjegoi
Algjebrën, në dekada.
Korrekt, më se i saktë
Me nxënës, shokë dhe miq,
Në fjalë gjithnjë i paktë,
Numrat i kishte ligj.

Flokët, të zbardhur borë
Lodhur, drobitur mundit,
Me shkumës gipsi në dorë,
Deri në çastin e fundit.





Vlorë,15.10.2011



 


MALIQ HAJRUA

 
Meditoj ndër vite, ëndërroj të vjetrën
Rrugët me kalldrëm, si me lule shtruar,
Një mbi një shtëpitë shohin njëra tjetrën,
Shtresat mbi çatitë me pllaka mbuluar.

Tetë kodra të buta me vatra bujare,
Mure, gurrë të gdhendur, ulluqe e sera,
Një mbi një qëndrojnë me qindra dritare,
Se mban dot kapelën, ta frëngëllon era.

Mendoj Gjirokastrën me njerëzit e ditur,
Bajon dhe Çerçizin, heronjtë në radhë
Eqrem Çabejin, shqiptarin e ndritur,
Ismail Kadarenë, nderimtar të madh.

Të kujtoj dhe ty, mjeshtër mend e dorë,
Me Osman Haxhiun, në Vlorë kur luftove,
Maliq Hajro trimi, plaku  flokë borë,
Kanale, kalldrëme, ujësjellës ndërtove.

Me këngë e vargje populli këndonte
Dhe isoja labe zëlartë gjëmonte:
“Maliq Riza Hajrua ndërtoi, sa u shua
                                                      Sokakë e kalldrëm, në çdo prag një krua”






















\                                                                 Vlorë, më 22.10.2011



MOTRËS TIME TË DASHUR, TEUTA,
PËR DATLINDJE


 Vitet ikin varg, nuk e humbas rastin
Ngulitur në mendje, si vegim në sy.
Nëntëmbëdhjetë tetori, më kujtohet çasti:
Nëna jonë e dashur sa të lindi ty.

Një vit pas çlirimit, ndiheshim të lirë,
Ikanikë të lodhur u kthyem në Skelë.
I gëzonim fatit që shpëtuam mirë,
Nga ndjekja e egër, nga “gardhi me tel”.















Teuta kish lindur! Ishte fëmija e fundit.
Gëzimi shpërtheu qiellit pa kufi,
Tre vëllezërit festonin mbarimin e mundit
Me motrat do loznin, bashkë në një shtëpi.

I kujtoj me mall vitet e gëzimit,
Foshnja aq e mbarë ne na lumturoj
Ndaj e përjetoj me lot përmallimi
Atë kohë të artë, që shpejt perëndoi.

Erdhi komunizmi dhe filloi terrori
Dajë e babë në burg, prona shtetëzuar
Plang e pasuri harbuti i morri
Pllakos varfëria. Një jetë e trazuar...

Po ne rezistuam, dolëm më të fortë
Ishte geni fisnik, i pastër, jetik.
Tani të shpërndarë mbijetojmë në botë
Disa në Evropë, ca në Amerikë.

*

Mund të jenë bejte bashkuar në vargje!?
Unë i rendita dhe ndihem i qetë.
Le t’i diskutojnë në rrethe e qarqe,
Janë fjalë zemre, si më rrodhën vet.

Vlorë, 18.10.2011



NESTOR NEPRAVISHTA




Në vitet e shkuar kam njohur në Vlorë,
Një mësues me mendje të pasur, poliglot.
Me emrin e grekut të ditur Nestor
I urtë  si ai dhe me “kokën plot”.



E thërrisnin nga herë t’u fliste anglisht,
Miqve e turistëve nga bota mbarë.
Rusisht, spanjisht, italisht e frëngjisht
 Ai bisedonte, si të ish me shqiptar.


 Nxënësve  në shkolla e kurse u mësoi
Gjuhë të huaj saktë, me guxim e durim.
Nestor Nepravishta, sa shume i ndihmoi!
 Tani të mërguar, e çmojnë me nderim.


I drejtë, metodist, i mençur, profesori
Të linte habitur, kjo mendje si det,
Kudo me respekt përmendet Nestori
Shtatë gjuhë, lehtësisht, përkthen edhe flet.

Vlorë, 03.11.2011





LAJMËTARIA E DASHURISË NJERËZORE


                                                                      Ka qenë dikur e njomë
Me flokë e sy të zezë
Kjo, Shenjtëria Jonë,
Me emrin Nën Terezë.

Ka qenë e re dikur,
Me sy e pamje fin
E dukur dhe e bukur.
Shiko fotografinë!

E lindur bijë shqiptare
Imcake, po kreshnike
Për vete s’pyeti fare
Murgesha Katolike.

Jezusi e çoi larg
Në Kalkuta, gjetiu.
Mundime e vuajtje varg
Kjo, Gonxhe Bojaxhiu.

U bë Strehë Varfërore
Humbëtirave të Indisë
Për shpirtrat njerëzore
Lajmëtare e dashurisë.

Shqiptarët, kudo që janë
Kujtojnë bijën, Anjeza
Dhe pse me rrudha e panë:
Ajo është Nënë Tereza.
Vlorë, 28.09.2011



KASJANIA
Kushtuar N.Gj., shokut tim të fëmijërisë


Në një ditë perëndie
 Zbriti nga qielli ylli
Dhe një shfaqje befasie
Jetën e vështirë e mbylli.

Ishte dashuria e vjetër
Lindur shumë vjet shkuar
Fati na pleksi me tjetër,
Kasjaninë, pa harruar...
Futur thellë në gji ky emër,
Sërish Zoti e dërgon,
E ktheu në shpirt e zemër
Na rilindi e na rinon.

Jeta ikën pa na pyetur
Ndaj do gëzuar më mirë
Dashuri në moshë të vjetër:
Bakllava, mbi ëmbëlsirë.
Vlorë, 09.09.2011





TE GRISHIN LIBRARIT


Udhëtova shumë, brodha
I etur, në dhjetë shtete
Mbi librat sytë hodha
Çudi – kuriozitete.

Në Amerikën e madhe
Drita, mi morri sytë
Kudo, për dit’e natë
Qenë hapur libraritë.

Autorë, kolos nga fama
Në libra gjithfarë lloj
Poezi, romane, drama
Kënaqem kur lexoj...

Kudo, në botën mbarë,
Diçka, që vihet re
 Me emrin Shqiptar
I Madhi Kadare.

Të grishin libraritë
Në libra del Atdheu
Ky, emërmadh, për ditë
Shkëlqen, si Skënderbeu.
                                                                                  12.09.2011



PAS NJE BISEDE TË MËRZITSHME


Dhe pse nuk kam lindur në fshat
Me pyllin, malin dhe ujëvarën në derë,
Me to jam ndeshur dit’ e natë
Në filmat  dhe librat me vlerë.

Dhe pse lopë e kalë s’kam pasur
Nuk kam shkuar çoban me dele e dhi
Edhe qytetit gomarët kanë pallur
Kanë bredhur e lozur mace e mi.

Fshatar të bën “tabiati”
Mentaliteti statik, i frenuar
Se burra e gra nga fshati
Ka shpesh njerëz të nderuar.

Ndaj thonë larg nga ky lloj fshatari
Se së largu vjen erë  bagëti.
Po ç’të bëj unë, ai, në qafë sot ma vari
Këmborën e cjapit të tij.

Rrezik të më ngjizë dhe huqet
E marra nga delet, nga dhitë
Se hajde dëgjoja, ti, buqet:
Mendim kafshëror për ditë:

Larg Portit të kontejnerëve,
Karaburunin lere kullotë,
Jam kundër kantiereve.
Këmbora e Cjapit-një botë!

Mençuria e thellë e Sokratit,
Mendja e artë e Aristotelit,
Zotësia e rrallë e Anshtajnit,
Filozofia e çmuar e Volterit,

Të gjitha për një vit sheshohen,
Po pate shok këtë tip fshatar
Dhe dijet e pafundme harrohen,
Logjika fundoset në varr.

Largoje shpejt  “fshatarin”
Të rojë me kafshët e tij.
Për shok zgjidh “qytetarin”.
Gjindja të çmon me kë rri.

                                                                              Vlorë,17.09.2011































NË VLORË, PARA “USHTARIT TË PANJOHUR”

Po vjen njëzetetetë nëntori dhe viti dymbëdhjetë
Qëndroj ulur përmbi bar, në qoshk të lulebaçesë.
Ri, sodis një vepër arti të ngritur në monument
Lartuar me madhështi: simbol  për Liri e Shpresë.

Është “Ushtari i Panjohur”, mbi varr te Ismail Beu,
Gdhendur me durim e art nga kryemjeshtër Paskali:
Trim djaloshi, arma krahut, flamuri nga Skënderbeu.
Për respekt “Plakut të Urtë”, që Shqipërisë, gjithçka i fali.

Mendueshëm kthjellohem për njëqind vjet më parë:
Më faniten para syve një grusht burrash legjendar.
Në ballë Ismail bej Vlora, Is Buletini pallë larë,
Kryqtar Dom Kol Kaçori, Frashërllinjtë penë ar.

Si u  mblodhën u bën bashkë, diturinë kush e puqi
Nga Kosova, Çamëria, Gegë e Toskë, fiset e mira:
Vrion, Demat e Begollë, bashkë me ta dhe Gurakuqi
Merlika, Qazim Kokoshi, Lef Nosi, Veli Këlcyra?

U zgjodhën nga mbarë vendi, delegatë tetëdhjetetre:
Dijetarë, trima, të pasur, burra të ndjerë, me fis
Ajka e Kombit dhe Paria, përfaqësues me vere
Gjithçka kishin, edhe jetën t’ia dhuronin Shqipërisë.

Asamblistët gjithë njëzëri, deklarojnë Pavarësi,
Ikën shekuj robërie, u shkëputëm prej Turqisë,
Flamuri shkabë qëndisur, shpaloset me krenari.
Festa jonë kombëtare, dita e madhe e lirisë.

Vlorë, 16.09.2011



NJË PËRVOJË TURKE

Interneti jep e merr
Fëmijët bëhen ballë për ballë:
Ca pushime, në Kemer
Prindërit tanë i kanë hallall.

Dhe nisemi për  në Antalie
Me Albanian Aierlans
Dy orë rrugë, të qetë pa gajle
Fluturojmë shend e gaz.

Duken poshtë fushat e gjera,
Aeroplani na përkund,
Shtëpi, rrugë, pyje dhe sera
Male e kodra të pafund.

Ecim rrugës, “shqyejmë sytë”
Autostrada gjarpëron
Nuk numërohen çuditë
Kemer është, a Barcelon?

Buzë detit, qindra hotele
Si të ishin “Sharleton”
O Turqi, sa shpejt “u çele”
Po e them me “megafon”.

Mendja më shkon te Golemi,
Në Vlorë, Sarandë dhe bregdet,
Sa plazhe të bukura kemi
Na i fali Zoti vet.

Qeveri, ku i ke sytë,
Studime e strategji?
Pse merre me piramidë
Me stadiume e me ulli?

Turizmi drejtim fatlumë
Punësimi e begatimi.
Valuta do derdhet lumë,
Djemtë do kthehen nga mërgimi.

Hapini “Zonat e Lira”
Koncesionet lidhni urrë.
Pemë, perime në sera,
Turizëm, infrastrukturë!

Kemer-Turqi, 19 korrik 2011



FATI DHE  KULAÇI I THYER

Gëzim i madh pritej në atë natë
Nëna  një kulaç të vogël kish pjekur,
Të ndarë në pesë copë. Do të kishte fat
Ai, që do ta zbulonte monedhën nga hekur.

Hekurin e vogël, simbolin e vyer
Fshehur në bukë, kot e kërkon.
Pse gjendej mbarësia te kulaçi i thyer
Dhe jo te vlerat  e te dija  jonë?

Nëna njësoj i do  bijtë e vet
Po, më të mirin, di ta dallojë.
Pse nuk ja thotë në sy, direkt,
Kulaçin e thyer pret, ta zbulojë?

Kjo traditë e vjetër krijon iluzione
Shpresa të kota e besëtytni
Frenon vullnetin, ndjell pasione
Pritje, dembelizëm dhe eufori.

Është i fituar kush merr më shumë dije,
Shokun nuk e zgjedh rastësisht nga “guna”.
Monedha e hekurt nuk e di ku bije
Në jetë triumfon përvoja dhe puna...
Vlorë, 25.06.2011

  

MANDOLINA IME
Mandolina 100 vjet
Dhe plakun e bënë të ri
Dridhen telat, leht’ e lehtë,
Melodi e histori.

Made in U.S.Amerike
Marka “Gibson”, të flet vetë
Lexon stampën metalike:
Nëntëqind e dymbëdhjetë.



REKUIEM PËR NEXHAT MERSININ
Po ju them, të gjithë ta dini
Lajmin e zi, të papritur
Ka vdekur Nexhat Mersini,
Matematikani i ndritur.

I linduri në Çeprat
Në  një familje të shquar,
Ndërroi jetë, kaq e pat,
Shkencëtari është shuar.

Qan Vlora, Shqipëria
Gra e burra, derdhin lot
Na la, Nexhat mençuria,
Më me të, nuk flasim dot.

Po, ngelen veprat madhore
Studimet në ekonomi,
Prerjet matematikore,
Logaritme e porosi.

U ndesh me mendje të arta
Përfundoi zgjidhje me vlerë
Artikuj e ligjërata
Flasin dhe i japin nder.

Sa rroi dhe ditën e fundit
Studioi, shkroi e llogariti
Dhe pse ishte pjellë e mundit,
I vetmuar, lavdi ngriti.

Vështirësitë duke përballur
Nxore krijime me vlerë.
“Akademik” i pashpallur
Do të kujtohesh përherë.

Vlorë,28.07.2011






HOMAZH VËLLEZËRVE KRUTA


Ishin katër vëllezër, po tanimë, nuk janë
Radhë e paradhë, një nga një na lanë
Po, mbetën kujtimet, emrat, të pa shlyer
Njeri më i ndier, tjetri, më i vyer.



Vëllai madh Jorgua, iku i pari
Mendje e duararti, talent shkencëtari.
E qau gjithë Vlora, mijëra miq e shokë
Gazi dhe hareja, me të, ikën tok.

Beniamin kolosin, yllin e pashuar
Nur për bukuri, për pamje e shtat,
Nuk e tret as dheu, ujin e kulluar
Arbëresh e Toskë, qajnë dit’ e natë.

Sos për kompozim, sos për shoqëri
Për aheng e valle, nuk e kishe shokun
Me këngët arbëreshe, bëre histori
Pa e deshe jetën, siç e deshe folkun.

O, Leandro Kruta, ti boksier i parë,
Mësues pasionant dhe shok i pandarë,
Drejtues, sportist, krye në çdo garë,
Nuk e ndjeve dot, sa shumë të kam qarë.



Ja, iku dhe Leka, artisti i shquar
Që dhe rruga qeshte, vetëm nga mimika
Gaztori i lindur dhe gjithnjë gëzuar
Qeshjen e shpërndante, që të ikte frika.

Largoheshin hallet, lodhja edhe brenga
Uria, mërzitja, zija, dëshpërimi
Mjerimi dhe vuajtjet, që ishin me dënga.
Kur në mes është Leka, mbretëron gëzimi!



Tani, më nuk janë, ikën zunë amshimin
Ikën vëllezërit Kruta, lart, fluturim
Po ata në qiell ndriçojnë rruzullimin
Për Vlorën dhe ne, nuk do kenë harrim.


Çikago, mars. 30. 2011







KOÇO DHRAMI


Një yll nga lart shkëlqen
Në qiell dhjetëra vjet
Përhap ndriçim dhe jetë
Dhe rrugën na rrëfen.


Lum ne, që kemi njohur
Burrin, burim sharmi
Jemi parë, dëgjuar e folur
Me mjeshtrin Koço Dhrami.


I thjeshtë, i drejtë pa anë
Mirësi e mbledhur tok
Mësues fjalë balsam
Dhe mik e shok me kokë.


Atleti i talentuar
Edukator ndër breza
Dhe filantrop i shquar
Bujar si nën Tereza.


Në Vlorë nuk gjen të ngjashëm
Nderuar dyzetë vjet
Kur Flamurtari i famshëm
Përcillej me trumbetë.


Në kampionat e gara
Shpaloseshin flamurë
Kudo vende të para
Ti, nuk u prapse kurrë.


Drejtues e trajner,
Flamur e kronometër
Kudo lavdi e nder
Si Koçua, nuk gjen tjetër.


Gjithmonë më shumë çmohesh
Se nuk harrohesh dot
Ndër breza do kujtohesh
O, birr i Qeparoit.

Vlorë, 22 maj 2011





.


URIM MILTO SHUKËS PËR DATLINDJEN 

Ç’të të them, Milto vërsniku
Për ditën tënde të zgjedhur
Jeta, pa kuptuar iku
Shtatëdhjetetetë vite mbledhur.

Ato, në punët e veta
Unë e ti, në punën tonë.
Shkruajmë, mbledhim barsoleta
Për vitet  s’ na bëhet vonë.

Dalim, bredhim te Gjermani
Në Holandë e Amerikë
Skedojmë opera e simfoni.
Nga vdekja nuk kemi frikë.

Veç, një gjë urojmë me zemër,
T’ u lemë pas, o “Nimfat” tona!
Se, na jepni jetë dhe emër
Sa, ngado ndihet jehona...

19.09.2011



                                                         KUJTOJ SI IKU KJO JETË


I afruar  te tetëdhjeta
Kujtoj si iku kjo jetë:
Të përpjeta, tatëpjeta.
E rem, a e vërtetë?

Ikën shtatëdhjeteshtatë vjet
Vrap, plumb me fishkëllim.
Sa e shkurtër aq e shpejt,
Si  ngjarje në telefilm.

Gjysmë shekull ka kaluar
Nga celebrimi i martesës.
Ish çasti kur kam besuar,
Se u  lind ylli i shpresës

Edhe jeta u ndryshua
Mori tjetër kuptim
Gjykimi u dyfishua,
Aliazh në përforcim:

E krijuam një shtëpi
Martesa na bëri dy,
Lindëm edhe tre fëmijë.
Kush ishte si unë dhe ti?

Ditë e net rrokullimë
Jeta, si nga kashta, flakë.
Qe veç një transformim:
Dje, djalosh - sot plak.

Në rini,  fort i nderuar
Nuk të dilte kush përpara.
Plak, braktisur, mënjanuar
Dëgjon fyerje dhe të shara.

Të shkatërrojnë tokë e shtëpi
Pa  vendime e pa ligje
As që pyesin për tapi
Për rregulla, norma e gjyqe.

Të vjedhin e të bastisin
Sikur të jenë mafioz
Dhe më pas të qesëndisin
Ca hajdutë  karagjoz.

Shtetarët, rijnë e vështrojnë
S’kanë nge të merren me ty
Kemi punë të tjera, thonë
Ruajmë zgjedhjet me parti.

Po bijtë tanë, ku janë?
Nuk ngeli asnjë në prag.
Rrudhur e plakur na lanë
Emigrantë, ikën larg.

Të moshuar, jetë ngrysur
Dy e nisëm bashkëjetesën
Dhe dy ngelëm, të sfilitur
Mburremi, se mbajtëm besën.

Një dëshirë prej vetmitari
Para jush, i bindur sjell:
                                                        “ Unë burri, të shkoj i pari
                                                             Gruaja, të më përcjell”.

Vlorë, 25 korrik 2011



 DITËLINDJA E SARA XHUVANIT



Dita rendi, nata iku
Ndoqën njeri tjetrin vrap
Ja, na erdhi katër korriku
Mbesën tonë kujtojmë prapë.

Dhe sot, kjo “Sara e Shejtë”
E rritur, e ditur, me vlera
Na i mbush  katërmbëdhjetë
Vite, po vetëm pranvera.

Dajë Luani fort e donë
Dhe e çmon, si asnjë tjetër
Ndaj nga Vlora i uron
U bëfsh 100 vjeç e vjetër.

14 KORRIK 2011

 “E DASHUARA E POETIT”

Nuk ka  poet pa të dashur!
                                                            Me Hënën, në shkëlqim nate,
Dhe në qofte se s’e ka pasur
E lind...prej imagjinate.
.
Si një engjëll, si një muzë
Një vegim a një shpërthim
Një puthje në sy e buzë
Pëshpëritje, përqafim.

Poezia- dashuria
Metaforë e sinonim
Hyjnorja, përsosmëria,
Ëndërr në fluturim.

E shoh vjershëtorin djalë
 Të dalldisur në fejsbuk,
Ndjenjat i kthen në fjalë
Përmbi gjunjë a në kolltuk.

                                                              Kërkon, klikon e rrëmon
                                                              Entuziast dhe  i gëzuar
 Shpejt e gjen një “Dezdemon”.
                                                              S’ka poet pa dashuruar!

                                                                   Vlorë,12.06.2011

.


DITËLINDJA E QERIM VRIONIT



Sot, ditëlindjen ka Qerimi
Ne, vlonjatët në Tiranë
Na bren malli, shqetësimi
Që s’e kemi këtu pranë:

 Në Tiranë apo në Vlorë,
Si motit, në Ujë të Ftohtë.
Ta përshëndesim me dorë
Dhe ta përqafojmë fort.

 Po ai është shumë larg
Oqeanin ka kaptuar.
Ne e deshëm në prag,
Ditëlindjen për t’i festuar.

 Ta uronim për arritjet
Për studimet foto-art
T’i thoshim: nuk ndalen vitet,
Kurbetit, mos ri kaq gjatë.

 “Guri i rënd në vend të vetë”,
Me mall të pret shoqëria
Një Vrionasi të vërtetë
Nder i benë gjithë Shqipëria.

 Mimin e kemi në zemër,
Optimistin energjik,
Si ai s’ka tjetër emër:
I gëzueshëm, simpatik.

 Tani, pret qytetarinë
Do bëhet Amerikan,
Ditë të lumtura po vijnë
“Kritik-foton”, kush e mban!?

 Sa në Vlorë, sa në Tiranë
Gjithë verës ku nuk shkoi
Dimrit ish në Miçiganë.
"Një grusht diell" na dhuroi.

 Beharit ish në Tiranë
Del libri me histori
U kënaqëm kur e pamë
“Qindra vjet fotografi”.

 Vitet ikin, famë rritur
Ti, të rrosh mbi njëqind vjet,
Fotografëve t’ sapo lindur,
Historinë, t’u shkruash vet!

Tiranë, 02.11.2011



.

PËR RESHAT KRIPËN


LETËR  RESHAT KRIPËS
                                                 Në vend të reçensionit pë një libër

Reshat i dashur!

Duke i rilexuar librin me kujtimet e burgut “Rinia e Copëtuar” sërish  u binda për aftësitë tuaja edhe si shkrimtar.
Unë, që përpiqem të shkruaj edhe vetë, po edhe Hanemja, gruaja ime, e lauruar për Gjuhë-Letërsi, e lexuam  edhe këtë libër me shumë dëshirë dhe kureshtje, të tërhequr nga bukuria, thjeshtësia dhe çiltërsia e paraqitjes së ngjarjeve.
Si vlonjat e bashkëmoshatar, që e kam ndjerë në vetvete, herë pas here gjëndjen poshtëruese të imponur të dinjitetit njerëzor, mund të të them me sinqeritet, se asokohe, asnjëherë nuk kam shpresuar për rrugë dalje, e aq më pak, të tentoja për kundërvënie të organizuar, siç ke bër ti me dy shokët e tu, apo heronjë të tjerë të kohës.
 Përkundrazi, jam nënshtrua dhe bashkërenduar në mënyre të pavetdijshme me padrejtësitë social-ekonomike e njerëzore të kohës. Kjo është diferenca midish nesh, supermacia juaj e padiskutueshme dhe ky është shpjegimi i krenarisë tuaj të natyrëshme.
 Dule lexuar librin, më ktheve në ato vite të shkuara. Ne,“borgjezë të deklasuar”, deri në njëfarë kohe, patëm disa përjetime të njëjta. Të dy, ishim njeri pas tjetrit, në të njëjtën shkollë, me po ata mësues të mirë,  të devotshëm e të paharruar, në të njëjtin grup teatror (besojse të kujtohet, që unë isha në rolin e Timuri dhe të Birit të Regjimentit, solist i korit me  të madhin Tish Daia dhe instrumentist, me muzikant Thoma Çaçin).
            Edhe unë, ashtu si ti, isha nxënës me të gjitha notat maksimale, me prirje për letërsi, art dhe sport. U largova për në Tiranë, në shkollën e mesme dhe nuk t’u ndodha pranë, në vitet kur u arestove dhe vuajte ato peripecitë e kobëshme çnjerëzore, që përshkruan me aq  dhëmbje e vërtetësi. Po, në Tiranë edhe unë u zhgënjave, kur megjithëse e përfundova shkollën e mesme me medalje ari, nuk m’u dha e drejta e studimeve të larta.
 Edhe unë, ashtu si ti, shkova ushtar, e më pas, megjithëse dola kampion kombëtar në ngritje peshe dhe trainer i ekipi kombëtar, u ndalova dy ditët e fundit, i fyer thellësisht në dinjitet, të shkoja jashtë shtetit, në lojnat e Ganefos. Edhe shkollën e lart u detyrova ta kryeja me korespondencë, megjithëse, sipas rregulli të përgjithëshëm, duhetë zgjidhja vetë specialitetin më të pëlqyer. Pra kisha padrejtësi të ndjera në lëkurë, por nuk protestova dhe iu nënshtrova regjimit diktatorial. Këtu diferencohemi. Këtu ti lartësohesh në zenith dhe ke të drejtë të jesh krenar dhe i nderuar nga të gjithë ne.
Në galerinë e personazheve që ti përshkuan me shumë vërtetësi, unë kam takuar shumë njerëz të njohur. Jamë plotësisht dakort, pa përjashtim me cilësimet për ta. Edhe këtu ti paraqet zëmërgjerësinë dhe fisnikërinë tënde karakteristike, që e ka burimin te origjina intelektuale e familjes qytetare shqipëtare, të lidhur mirëfillti tradicionalisht, me  kulturën, punën dhe pronën. Shembuj të tjerë gjënden po te familja juaj arsimdashëse e patriote, te vëllai Besnik Kripa, i burgosur politik shumë vjeçar, apo te motra juaj, artistja e madhe Drita Pelingu (Kripa).
Me ngjarjet dhe personazhet je, gjithashtu, krejtë i vërtetë, duke mos përjashtuar mënyrën artistike të trajtimit të tyre, me nje stil të bukur, të kuptueshëm, tërheqës, që të bën ta lexosh, krejt librin, me kureshtje deri në fund, pandërprerje. Po dhe fatin e  secilit  e ndjek me kujdes, duke krijuar diku keqardhje e më së shumti kënaqësi.
Natyrshëm, ti je protagonisti kryesor i veprës, por në galerin e personazhev, qe ti ke njohur apo ke krijuar  marëdhënie, ne hasim me ajkën e intelektualëve dhe sypatrëmburve shqiptarë. 
Duke të njohur e duke patur kontakte të shpeshta, sidomos në këto vitet e fundit, po edhe nëpërmjet veprës, unë gjithnjë e më shumë po kuptoj dhe mund të shpjegoj bagazhin e madh  intelektual që ti ke grumbulluar, jo vetëm me punën tënde kembëngulëse, por edhe për fatin që ke kontaktuar dhe që ke qënë nxënës i kësaj plejade të shquar bashkevujtësish. Kështu shpjegoj edhe patriotizmin tënd, atë qëndrim të gjerë tolerant e bashkëveprues, në dobi të Atdheut, të Kombit e të Demokracisë, duke trajtuar e kembëngulur për atë që na bashkon dhe jo për atë që na ndan...
Sa shumë do dëshiroja që ky libër i mrekullueshëm të lexohej nga të gjithë, sidomos nga të rinjtë e sotmë, bashkëmoshatarë të protagonistëve, për të mësuar sadopak, nga e kaluara e hidhur dhe përpjekjet e brezit të vuajtur për liri e demokraci. Po jo, në këtë drejtim nuk bëhen përpjekje të organizuara as nga shteti as nga shoqëria dhe natyrshëm, lexuesit priren pas emërave të bujshëm, që më së shumti vetëm fantazojnë e trillojne ngjarje jashtë realitetit.
Të uroj përzemërsisht pë librin, me  dëshirën që të vazhdosh të shkruash dhe të botosh jo vetëm në prozë,  po dhe në poezi, sipas modelit të poezisë tuaj të mrekullueshme “Unë dhe Kanarina”, apo të shumë poezive të tjera, që kam pasur fatin ti lexoj në dorëshkrim.

Përpunuar dt, 24.01.2010                                        







NJË KOMENT PËR KUMTESËN E RESHAT KRIPËS “MARTIRËT E TEPELENËS”

I kam lexuar shumicën e krijimeve të shkruara e të botuara nga shkrimtari dhe poeti i bashkëkohor Reshat Kripa, njëkohësisht aktualisht, një nga veprimtarët e gjallë aktiv 60 vjeçar, për liri e demokraci të vërtetë, drejtësi e mirëkuptim, nacionalizëm e shqiptari. E lexova, këtë herë, me lot në sy, kumtesën e tij për përvjetorin e kujtimit të 14 Martirëve të Tepelenës, botuar në disa site të internetit të diasporës.
Kam lexuar gjithashtu në shtyp e në libra, kam dëgjuar dhe kam mësuar direkt për shumë krime monstruoze të egërsisë komuniste anë e kënd Shqipërisë, duke mos përjashtuar Malësinë e Veriut dhe Kosovën, ku nacionalizmi Shqiptar ishte ndonjëherë më i organizuar dhe më aktiv. Por mendoj se ç’është shkruar e shprehur deri tani, përjashtuar veprën madhore të At Zef Pëllumbit, apo të kujtimeve nga burgu të disa autorëve, viktima të komunizmit, është fare pak.
S’ka dyshim, që Reshat Kripa, me punën intensive të kohëve të fundit, librat e botuara, publicistikën e tij të guximshme dhe botimet e tjera të shumta, thuajse të përditshme, sidomos në sitet e internetit të Diasporës Shqiptare, po bëhet një zë i fuqishëm, që me pastërti dhe kurajë, ka ngritur dhe vazhdon të trajtojë probleme të një rëndësie jetike të letërsisë dhe historisë së mbarë popullit Shqiptar. Por, zëri i tij duhet të dëgjohet nga qarqet përparimtare dhe të vlerësohet nga vetë organet përkatëse shoqërore e shtetërore dhe jo të arrihet deri atje sa nga disa gazeta, ti refuzohen shkrimet, siç pohon edhe ai vet.
Nga ana tjetër, prej botimit të fakteve të shumtë historik, të paraqitura disa herë nga Kripa edhe si pasqyrim i denoncimeve të pjesëtarëve të  shumtë të Degës së  Tiranës të Shoqatës së të përndjekurve politik antikomunist, ku Resha Kripa është kryetar, del si një domosdoshmëri rishikimi i Historisë së Re dhe vlerësimi i drejtë i figurave të vërteta patriotike nacionaliste antifashiste, shumica viktima të terrorit komunist, si dhe evidentimi e demaskimi i mëtejshëm i kriminelëve të vërtetë, duke krijuar, në rang shtetëror një organizëm të posaçëm kompetent.
Unë gjithashtu, me këtë rast, duhet të tërheq vëmendjen e organeve përkatëse, e në radhë të parë të Prefekturës. Qarkut dhe Bashkisë së Vlorës, për ta vlerësuar siç e meriton, Reshat Kripën, këtë  shkrimtar të talentuar dhe në të njëjtën kohë, luftëtar të hershëm e të vendosur antikomunist, për ti dhënë atij sa është gjallë, vendin dhe nderet që meriton.



MENDIME PËR LIBRIN E RESHAT AGËS “VËLLAI I PENGUT”

Sapo mbarova së lexuari  librin e Reshat Agaj ‘‘Vëllai i Pengut” (Ditar), dërguar nga shoku im Teki Gjonzeneli, që në të njëjtën kohë është kujdesur edhe për botimin e librit. Ndjeva dhimbje edhe keqardhje për kalvarin fatal të jetës së tij të mundimshme dhe jam ende i shokuar dhe i çuditur nga rrjedha e ngjarjeve...
Në këtë libër interesant, të thurur me kujdes, mjeshtëri e sinqeritet, Reshat Agën si njeri, e gjeta ashtu si e prisja: Të shkolluar (si rrallë bashkëkohës të viteve dyzetë), kontabilist, bankier, stenograf gazetar, përkthyes dhe gjithnjë atdhedashës (si nacionalist e monarkist).
Me jetëshkrimin e tij, Reshat Agaj është treguar tepër modest, po të kemi parasysh që është pinjoll i një familjeje labe fisnike e patriotike. Njëkohësisht ai paraqitet si njeri paqësor, i urtë e i sjellshëm, sipas mendimit tim pa iniciativa vendimtare të guximshme për një lider dhe intelektual intuitiv, ndërkohë, megjithëse të përfshirë aktivisht në jetën social politike të kohës, e gjejmë pa ekstremitete vendimore partiake. Duket gati rastësore dhe pa evidentim e pasqyrim të dukshëm edhe veprimtaria e tij fundore (e deklaruar nga vet ai) kur renditet  si idhtar i Partisë Mbretërore.
E prisja librin me padurim, meqë pa ditur më parë saktësisht biografinë e Reshat Agajt, kam polemizuar për të, duke i dalë krahë në Setet internetike të Diasporës, konkretisht te  “Tribuna Shqiptare” e Ajet Nuros, kur unë mendoja se kisha të bëja vetëm me një përkrahës aktiv të ideologëve nacionalist të Ballit Kombëtar. Kjo ndodhi, meqë nga ç’kisha dëgjuar për Reshatin nga bashkëkohësit, e kam pandehur atë thjeshtë një idealist nacionalist, pasardhës të Skënder Muços, Hysni Lepenicës. apo të kushërinjve të tij aktivë e  trima, kundërshtarë të  vendosur të komunizmit, Ago Agës e Lahe Nures.
Por, nëpërmjet ditarit, padyshim i hartuar direkt nga protagonisti, si një pasqyrim besnik i të vërtetave të jetës së tij me sinqeritet të tejskajshëm, mësova se atë, siç thotë dhe vet, nëpërmjet ëndrrave të shumta që shpjegon deri në  hyjnizim, duket se ngjarjet e kanë venë pa mëshirë përpara. Hallet, prapësitë e të papriturat e kanë ndjekur nga pas gjithë jetës së tij të vetmuar larg familjes, farefisit dhe Atdheut. Ato kanë qenë tepër të mundimshme e të paqeta aqsa ai i shpjegon ndodhitë dhe tersllëqet e shumta, si shtyrje rastësore të fatit të tij të keq e të parathënë nga ëndrrat ogurzeza.
Analizuar me gjakftohtësi dhe jashtë momenteve oportune, pas dhjetëra vjetësh, disa veprime të Reshat Agos të duken, jo vetëm rastësore, po dhe të pamenduara mirë e të nxituara, po të gjykojmë e të kemi parasysh bagazhin e tij intelektual dhe rrethin përkatës shoqëror e familjar. Le t’i analizojmë ngjarjet, në thellësinë e viteve, sipas rrjedhës kronologjike, ashtu siç i paraqit ai vet, ç’është e vërteta, me aftësi letrare e artistike, qartësi, thjeshtësi e vërtetësi deri në naivitet dhe me bukurinë, pasionin dhe tragjicitetin e një shkrimtari të arrirë:
-Reshati bie dakord dhe vendos të kthehet nga Shkodra në Tiranë, nisur nga rastësia e gjetjes së një okazioni për të lëvizur me makinën e malazezve, kur shokët, bashkëpunëtorët, të afërtit deri xhaxhai (Agua) dhe daja (Xhemili), si dhe udhëheqësit e tij ideologjik Mid’hat Frashri e Isuf Luzaj, etj. nisen drejt kufirit, për t’u larguar qoftë dhe përkohësisht nga Atdheu, që i mohoi padrejtësisht;
-Reshati bashkohet pa vetëdije (duke gabuar padashur e pa e menduar thellë, them unë tani) dhe inkuadrohet në njësitet partizane që lëvizin drejt veriut dhe në këtë rast i prishet normaliteti i jetës nga mungesa e ushqimit dhe kushteve të jetesë, midis lodhjes, papastërtisë dhe deri morave;
-Pranon të punojë në gazetën Bashkimi,  ku e ndihmon miku i tij i Shkollës Tregtare të Vlorës Petro Marko, që drejtonte aso kohe këtë organ qendror, në shërbim të pushtetarëve të rinj komunist;
-Reshati, po i nxituar, i beson komunistit të vendosur Kadri Hazbiut deri në fund të jetës së tij, si dhe fillimisht udhëheqësit kryesor komunist të jugut, Hysni Kapo, në këmbim për faljen e jetës së vëllait të  tij të vetëm, Petrefit (pa u imponuar nga i vëllai). Ai, pranon të arratiset në Greqi, duke lenë familjen dhe Ritën, gruan e tij të re, mandej që i shfaqi dyshimin se ishte me barë (sipas meje -  tjetër gabimi i tij);
 E denoncon misionin e tij sekret e të imponuar nga rrethanat te Amerikanët dhe më pas pranon t’u shërbejë italianeve, duke e justifikuar me atë që italishten e dinte, aq mirë sa edhe shqipen;
-Pranon të lejë punën e mirë shtetërore në Postat e Kanadasë, për të shkuar në Amerikë, në shërbim të Mbretit të mërguar dhe kur ai ishte, jo aty, po mijëra kilometër larg;
-I zhgënjyer nga disa shqiptarë dhe vlonjatët e tij, kalon në ekstremitete përgjithësuese derisa e heq plotësisht dhe përfundimisht besimin te ata, megjithëse nga këta vlonjat kishte edhe të afërt e kushrinjë. Ndërkohë idealizon disa bamirës rastësor shqiptarë nga Gostivari, deri aty sa porosit e dikton pasardhësit për krushqi e lidhje jetësore me ta.
-Reshati i zhgënjyer  nga jeta, duke qenë për mbi 40 vjet larg Ramicës së tij të dashur, gruas së adhuruar dhe fëmijës së dhembshur dhe i zhgënjyer, i lodhur e pesimist, në fund, i këshillon (për mua duke e shtyrë më tej pafundësisht enigmën, pasigurinë dhe fatalitetin) pasardhësit e tij: “Kurrë mos ia hapni të fshehtat e zemrës asnjë njeriu në botë, qoftë mik, gjak, apo fis i afërm”
Nuk duhet të harrojmë se Reshat Agaj edhe në Kanada e Amerikë ka një veprimtari të palodhur patriotike e publicistike në dobi të Shqipërisë dhe gjithashtu si një vepër kulmore konsiderohet përkthimi prej tij, gjatë kësaj kohe, qysh para 42 vjetësh, i “Kujtimeve  të Ismail Qemalit”
Mendoj se në drejtimin e jetës dhe veprimtarisë tërësore të tij, Reshat Agaj (mistik bektashi?), edhe vet nuk është fare i sigurt, nëse ka bërë më të mirën e mundshme për të frenuar rrjedhshmërinë fatkeqe të  kalvarit të ngjarjeve fatkeqe.
 Po këto janë gjykime të vonuara, jashtë kontekstit kohor dhe pa asnjë dobi përmirësimi e ndryshimi. Ato ngjarje të mbrapshta, jo vetëm janë shfaqur në ëndrrat dhe fatthënat, aqsa ai i ka besuar paraprakisht, po çuditërisht dhe kanë ndodhur, po ashtu gjatë jetës së tij.
Shpjegimet dhe përfundimet e mësipërme, të paraqitura pas dhjetëra vjetësh, në një gjykim të ftohtë, dhënë nga jashtë dhe thjeshtë duke lexuar ditarin e jetës së tij, nuk ia ulin vlerat tërësore veprimtarisë së patriotit Reshat Agaj. Ai, brenda kuadrit të tij liberal mistik, ngelet një nacionalist shqiptar i padyshimtë, një intelektual i ndershëm zemërgjerë, veprimtar shoqëror i përpjekur, si dhe publicist e përkthyes i spikatur.
Çikago, 1 mars 2010





NE PENSIONISTËT DHE KRYETARI SIMPATIK L.

Kushtuar Luan Muhametit


 Ne, që jemi të moshuar e në pension, numërojmë ditët e ngelura, por pa ndonjë keqardhje të thellë, si për të shkuarën dhe për atë që na pret. Ta themi haptas, nuk kemi të tashme aktive, se veprimtari e vërtetë ishte periudha e punës, ngjarjet jetësore, përplasjet, pengesat dhe vështirësitë e hasura e të kapërcyera gjatë punës. Tani, as na pyet kush, rrallë na vizitojnë e na takojnë, pak kush na thërret e na pyet, mandej ka edhe nga ata, që na kanë hequr nga lista e të gjallëve.
Ne jemi shumë dhe, për të “grisur kohën e ngelur”, mblidhemi çdo ditë në grupe të vogla dhe bisedojmë pleqërisht, pimë zakonisht kafe dhe ujë të freskët dhe lëvizim e lëvizim aqsa mundemi, për të “gënjyer” veten se edhe jemi. Një gjë shohim dhe ndjejmë: se po shtohemi çdo ditë dhe na shkon mendja se shpejt afrohet dita, që secili prej jush, o veprimtarë të punës e të politikës, do të vini në vendet dhe tavolinat tona të sotme. Po ta mendoni çdo ditë dhe ju, se patjetër, njëherë do të vini midis nesh si pensionistë, do të veproni më shumë e më mirë qysh tani, si për vete, për të krijuar kushte më komode takimi, grumbullimi, pushimi e udhëtimi për pensionistët e sotëm. Jo vetëm kaq, po ju lutemi mos të harroni për as një çast se për votim, ne jemi padyshim forcë e konsiderueshme në rritje. 
Objekti kryesor i shkrimit tim është tjetër gjë, ndaj unë po paraqes diçka më konkrete:
Në tavolinën tonë te “Bar Restorant Rosi” të qytetit të Vlorës, prej vitesh takohemi ne, një grup shokësh me miqësi e njohje të hershme, kjo për traditë, po edhe sepse pronari na trajton e lehtëson...Vijnë këtu agronomë, ekonomistë e inxhinierë, që dikur kanë qenë dikushi dhe i kanë merituar diplomat, ndofta dhe nderet që u janë bërë. Tani më së shumti, ata, që dikur kanë pasur pikëpamje të ndryshme politike, realisht janë unifikuar në “kuqezinj” dhe rrallë i acaron politika, megjithëse shpesh zihet në gojë e kundërshtohet pa zarar, kur ajo ndihet se nuk është vërtetë sociale dhe cenon diku drejtpërdrejt interesat e popullit dhe të Atdheut.
Njëri prej nesh, Ejup Mita, “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës”, për mua agronom e administrator i thelluar e i provuar në nivele shkencore, shpesh përsërit: “Jetova, për aq sa punova”. Çështë e vërteta, ai ruan freskinë e mendimit të përparuar, ashtu si dhe shokët e tjerë të tavolinës Qani Kamberi, (Mirënjohje e Qytetit të Vlorës dhe nderi i Labërisë) Hadër Hoxha, Bardhi Bega, Petraq Gjonça, Spiro Naqo, (ish drejtues ndërmarrjesh) apo të tjerë bashkudhëtarë të herë pas hershëm të grupit tonë, si: Petro Koça Agja Bega, Llano Llanaj, Qirjako Sava, Llazar Ninia, etj.
                                      
Meqë pensionistët nuk i pyet kush rregullisht dhe ata, nuk kanë të tashme shoqërore aktive, ndërsa bisedat e tyre së shumti, janë për kohën e shkuar kur ata punonin, dëgjoheshin dhe vlerësoheshin. Po, në këtë tavolinë pensionistësh, rrallë flet kush për veten e tij, për arritjet, bëmat apo aventurat vetjake. Flitet vetëm për të tjerët, pa i përfolur ata, po me dashamirësi dhe objektivitet, duke ndjerë edhe veten krenarë për punët e mira të shokëve. Temat janë të larmishme...
Sot u fol për një të njohurin e përbashkët, që ka lënë gjurmë e mbresa të thella. U kujtua me dashuri ish Kryetari L., i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Vlorës në vitet tetëdhjetë. Dhe në përfundim, siç do ta mësoni, të gjithë kishin mendimin unanim se u bë fjalë, (si e karakterizoi që në fillim njëri prej nesh), për një Kryetar Simpatik.
-Si, more simpatik? A mund të thuhet kështu për një ish krye pushtetar të periudhës komuniste? Kështu, ndërhyn në bisedë e pyet shpejt, me të drejtë, po pse jo dhe me qesëndi, një tjetër bashkëbisedues.
-Të shpjegohemi dhe ta argumentojmë këtë, si e kuptoj unë dhe sa di unë për të. Më lejoni pa ekstremitete, të bëj një bilanc të shkurtër për veprimtarinë e tij:
L.-ja, dihet se është djalë Vlore dhe biri i një familje të ndershme, (që siç rezulton tani nga hulumtimet historike megjithëse pjesore dhe të pavërtetuara përfundimisht, ka origjinë fisnike qysh nga koha e Skënderbeut). Ai, mbaroi shkëlqyeshëm Shkollën e Lartë dhe u bë ndër vite një agronom i vlerësuar dhe pasi punoi gjatë dhe direkt në prodhim, arriti deri Kryetar Kooperative në një ekonomi bujqësore, që dhe ajo u vu shumë shpejt në krye të si shoqeve të saj.
Pas kësaj përvoje, i pjekur e i burrëruar, L. erdhi te ne Kryetar në Komitetin Ekzekutiv të rrethit. Ishte i thjeshtë, i dashur, i qeshur dhe përkrahte të renë, pa u marrë me vogëlima dhe pa i rënë më qafë të tjerëve. Ai, (dhe këtu ndofta padashur e shtynte gjaku i tij fisnik) do të kundërshtonte në dhjetëra raste, të gjithë ata që ngulnin këmbë dhe e nxitnin artificialisht, ”ashpërsimin e luftës së klasave”.
-Po një të metë e kishte, shton me dashamirësi për të shtyrë më tej bisedën një nga shokët, që duket se e njihte në brendësi dhe në intimitet deri në skajet shpirtërore vetjake: Ishte fantastik dhe romantik dhe nxiste rrufeshëm e përkrahte pa rezerva çdo lloj novacioni, qoftë dhe të pa vërtetuar e të pa llogaritur paraprakisht, të dyshimtë për dobinë dhe efektivitetin e tij ekonomik. Kështu, ka përkrahur kultivimin e rritjes së peshkut artificial, kudo ku gjendej, qoftë dhe në një lerë a pellg uji; ka mbështetur nismën për shtimin plehut me krimba toke; qethjen dy herë të bagëtive të imta; pjelljen dy herë të deleve; mbjelljen pa përjashtim dy herë, të tokave bujqësore; mbjelljen e misrit me kubik; prodhimin nga çdo plehërishte të gazit metan, etj.
-Mendoj se kjo nuk ishte thjesht nxitimi fantastik i tij dhe shprehje e romantizmit dhe dashurisë për natyrën, po një përpjekje që bënte ai, si Kryetar, që nxiste e krijonte kushte, për të përkrahur propozimet racionalizuese, novacionet e iniciativat popullore, që ishin në modë aso kohe, në përballim të vështirësive të shumta në rritje të bujqësisë dhe të të gjithë ekonomisë së vendit.
-Kryetari i palodhur simpatik L. ishte edhe shumë punëtor, dashamirës, human dhe zemërgjerë, shtoi një tjetër shok, ‘‘këngëtar i sektetit (gjashtëshes së tavolinës)’’. Unë udhëtoja shpesh me të për Tiranë, në raste mbledhjesh, konferencash, ballafaqimesh dhe raportimesh në Ministritë dhe Qeveri. Ai me thoshte mua, shoferit të tij dhe ndonjë pasagjeri tjetër, që e shoqëronte në makinën e tij: Tani, ju lutem për dy orë, mos flisni me zë të lartë, se unë jam pa gjumë dhe dua të fle. Dhe e zinte gjumi menjëherë. Pra, ai i angazhuar gjithë ditën me punë dhe i lodhur, flinte pak dhe me këtë rast, për të plotësuar orët e nevojshme të gjumit, shfrytëzonte edhe kohën e udhëtimit me makinë.
Njëherë unë, vazhdoi bashkëbiseduesi tjetër, si mbaruam punë në Tiranë, i kërkova leje, për të shkuar në Spitalin e Kryeqytetit, ku kisha shtruar për kurim mbesën e gruas, të sëmurë me leucemi dhe pa shprese shpëtimi. Ai, megjithëse nuk e njihte këtë mësuese të talentuar fshati 27 vjeçare edhe pse e mori vesh, që babi i saj pas çlirimit, kishte qenë i burgosur politik, erdhi me mua dhe e vizitoi. Ajo, që kishte mbaruar Universitetin për kimi- biologji, i kishte lexuar analizat e veta të gjakut dhe e dinte fundin fatkeq, po fjala e mirë dhe personaliteti i kryetarit, i ngjalli shpresat për shërim dhe e ngriti më këmbë. Më kujtohet çfarë i tha L.ja i mençur, asaj të pashprese: Nga të dhënat, që marrim ne Kryetarët çdo ditë, kam njoftim se në Japoni u zbulua medikamenti i sigurt për shërimin e leucemisë në gjak. Do ndërhyj edhe unë për sigurimin e shpejt të dozës së nevojshme për ty. Ti jo vetëm do të shërohesh shpejt, por do të bëjë çmos që të emërohesh mësuese biologjie në Gjimnazin “Ali Demi”, në Vlorë, fare pranë familjes dhe mjekëve. Ajo u mbush me besim dhe shpresë dhe u gjallërua menjëherë. Ja, ky ishte kryetari ynë, që dhe unë e karakterizoj vërtet simpatik, mandej dhe tepër human.
-Unë, tha dikush tjetër kam fjetur me të në Tiranë, në të njëjtën dhomë hoteli, për disa ditë. Ai, çdo natë mblidhte aty, ajkën e rinisë, ish shokë të tij të shkollës dhe të punës (më kujtohet midis tyre, Dr. Prof. i sotëm, Ago Nezha). Ata, të rinj të ditur e aktiv, bisedonin për art, kulturë e shkencë, dhe ndërronin mendime e debatonin me pastërti dhe sinqeritet. Më pas “duke bërë qyfyre” e duke kënduar bukur e të harmonizuar, këngë popullore vlonjate, shkodrane e korçare u bënë njësh me të, ndërsa kryetari ynë simpatik, zbriste në nivel bashkëkohor jetësor qytetarie, si një njeri i thjeshtë, i kulturuar dhe me horizont.
Ja, të tilla janë bisedat tona të ngahershme rreth tavolinës së pensionistëve, pa harruar t’i riformuloj e t’i shkruaj, në mbrëmje, mbresat më të rëndësishme, drejtpërdrejt në kompjuter, në “Ditarin e Jetës Time”, tani pa frikë dhe pa rezerva dhe pa shkarë në batakun e një lufte të re klasash.
Kjo që shkrova edhe ndofta, për botim e publikim, është për t’u treguar e kujtuar pasardhësve, se vitet ikin shpejt, ndaj njerëzit e virtytshëm, ata që kanë punuar dhe kanë lënë gjurmë e sjellje të mira, pavarësisht nga kahja e tyre politike, nuk duhen harruar (se së fundi tani të majtë apo të djathtë thuajse baras janë).
Nga ana tjetër t’u kujtoj pushtetarëve qendrorë e lokalë dhe liderëve të politikës në pozitë e opozitë se, sado të rinj të jenë, do vijë koha të ulen dhe ata në vendet tona edhe pse mosha e pensionit mund t’u rritet në 70 vjeç. Do të jetë në nderin e në dobinë e tyre që të hedhin më shumë sytë nga ne, pensionistët, jo vetëm se jemi numër votuesish në rritje, po diku gjen edhe te “mosha e tretë” ende forcë mendimi e veprimi që duhet dëgjuar, përkrahur, aktivizuar e bërë për vete.
Së fundmi ne të moshuarit, jemi gjyshërit, apo prindërit tuaj, që vërtetë kemi dalë nga puna e jeta, po më së shumti jemi dashamirës e mirënjohës dhe nuk dëmtojmë fëmijët tanë dhe as tjetër kënd, as me fjalë e thumba, e aq më pak, me plumba e dinamit.
Vlorë, 20.09.2011



NJË JETËSHKRIM I IMPONUAR

 (shaka me ca të vërteta)


Kam shkruar edhe tjetër herë, kur bëra fjalë për “Ne, pensionistët dhe Kryetarin simpatik L.”, për pensionistët e Vlorës. Me pensionistët, duket se e njëjta tablo është dhe në Kryeqytet...

Për të kaluar këndshëm vitet dhe ditët tona të ngelura, ne pensionistët vlonjat me banim në Tiranë, takohemi çdo ditë për kafe a për çaj, dhe, si pluralistë paqësor, bisedojmë e ndërrojmë mendime për gjithçka e më shumë për kohën e shkuar. Formalisht organizohemi në biçim, si t’ia themi, “shoqatash jo fitimprurëse”, gjoja duke zgjedhur dhe kryesinë, me kryetar, nënkryetar e sekretar. Takimet tona, ku pjesëmarrësit kanë ndodhur të jenë me arsim të lartë, (që tani për ta, thuajse nuk vlen) marrin edhe karakter shakaje, me qëndrim virtual  ngjashmërish të supozuar, për ta bërë situatën ndërmjet nesh, që është gati e gënjeshtërt, artificiale dhe e kot, sa më njerëzore, të dobishme e të vërtetë. Për këtë, duke e njohur realitetin e mjedisit të përgjithshëm politik, ekonomik e shoqëror përciptas, aq sa e perceptojmë nga shtypi dhe televizioni, përpiqemi të shmangim ndikimin acarues të drejtuesve politik dhe evitojmë komentet për korrupsionin dhe çmimet e larta të medikamenteve dhe ushqimeve, krahasuar me pensionet tona. Kjo është dhe arsyeja që ne bisedën e kalojmë rreth ngjarjeve kur punonim e diçka kontribuonim dhe ndërkohë, shtyhemi në lashtësi dhe përpiqemi të gjejmë atje ndonjë kënaqësi personale.
Duke menduar që në një të ardhme, shkallë, shkallë edhe  pjesa aktive e tanishme e jetës dhe e shoqërisë, do të jetë kur t’i vijë radha në pozicionet tona, po ju paraqes, për ta pasur si përvojë, ngjarjen e një dite të veçantë për ne, kur në këtë vit, bëmë “zgjedhjen e kryesisë”.
Pas mbledhjes së këndshme, të ulur kokè më kokë në tri tavolinat e ngjitura, si i gjerbëm kafetë deri në fund dhe dëgjuam fjalën e ngrohtë të kryetarit të porsa zgjedhur, unë i detyruar, ligjërova sa më poshtë:
Nuk jam dakord me shokun tim V., që ne sot e zgjodhëm Kryetar, për atë që  ai përsëriti shpesh, vërtet me sinqeritet, po dhe me gjoja mburrje për veten e tij: ”Kam qenë Sekretar Organizate në Partin e Punës”. Kjo nuk përcakton vlera absolute përzgjedhjeje e krenarie, se mua menjëherë me shkoi mendja te Kamberi, infermieri praktikant e i pashkolluar i Spitalit të Vlorës, që mburrej po kështu, duke qenë i zgjedhur Sekretar Partie, midis shumë doktorëve të shquar, ndikuar edhe nga vëllai i tij gjeneral; mu kujtua gjithashtu Zybejtea, pastruesja e pa shkollë e Shkollës së Mesme, po Sekretare Partie, e zgjedhur midis trupës mësimore me diploma universitare, thjesht se ajo ishte llafazane e bezdisshme, si dhe nën ndikimin e babait të saj, veteran lufte dhe me pozitë shtetërore. Fundja ata përkraheshin se ishin përfaqësues të “klasës punëtore” dhe atyre, sipas orientimit, u takonte së pari, të drejtonin organizatat e Partisë së Punës.
Ti, o shoku im i dashur, ke me se të krenohesh: Je inxhinier gjeolog. Je diplomuar me forcat e tua, madje me rezultate të mira. Ke bërë studime dhe zbulime për vendburim nafte e gazi; ke drejtuar  me sukses një ndërmarrje të rëndësishme dhe ke botuar studime me vlerë.
Vërejtje kam edhe për nënkryetarin, që deklaroi se ka qenë në burg si antikomunist dhe sidomos sepse shtoi se “lufta ndaj komunizmit është ende detyre kryesore e çdo shqiptari”. Unë mendoje ajo kohë u kapërcye dhe ish komunistët që kanë ngelur, apo pinjollët e tyre, janë shkrirë në partitë kundërshtare, që thuajse me rrotacion drejtojnë vendin njeri pas tjetrit. Nga ana tjetër, partitë e djathta apo të majta kanë programe të përafërta dhe mendojnë për forcimin e pronës kapitaliste dhe secili anëtar veç e veç, përpiqet me të gjitha mundësitë, të pasurohet sa me shumë dhe sa më shpejt.
Në zgjedhjet tona sot, në këtë akt komik të dalë kohe,(për të evituar stresin më shumë e për të qenë gazmor të përjetshëm), më zgjodhët mua “sekretar” të shoqatës së grupit  tonë të pensionistëve.
Sipas vet kërkesës detyruese që më bëtë dhe për të merituar plotësisht nderin dhe besimin tuaj, do mundohem të formuloj një jetëshkrim të imponuar. Kjo, sepse ti zoti Kryetar, sot, në shoqërinë tonë të re me pensionistë, pasi prezantove, si mendoj unë, jo denjësisht veten dhe nënkryetarin, gjithashtu edhe mua më paraqite dobët,  gjoja vetëm si ish shef i Seksionit të Planit të Komitetit Ekzekutiv Vlorë, duke shtuar se “shoku Luan është me origjinë  qytetare gjirokastrite”. Kështu, pa e ndriçuar sivin, nuk më deklarove ato karakteristikat dominuese, që them se meritoj, për të përfituar për një kohë sa më të gjatë, besimin dhe dashamirësinë e të gjithë shokëve.

Në të vërtetë unë krenohem me prejardhjen dhe ish veprimtarinë time, ndaj dhe më duhet të plotësoj bindjen tuaj edhe me të dhëna të tjera krejt të vërteta, pra, me këtë rast, detyrohem të kompletoj historinë e jetës time, vërtetë të mundimshme, po tepër korrekte.
Duke e mposhtur modestinë që më karakterizon, më detyruat të ri e të mendoj në thellësi të viteve, për t’i kënaqur kështu kërkesat tuaja, në dritën e fakteve dhe të dokumenteve që njoh e disponoj. Paraprakisht dua të theksoj se jetëshkrimi im katragjyshnor, ndodh që të jetë analog me katrahura të tjera kontradiktore historike shqiptare.

Tani shpejt e shpejt, po paraqes jetëshkrimin, duke renditur personat më tipik të pararendësve të mi, përfaqësues të fisit  të gjerë Çipi, me origjinë tepër të lashtë autoktone shqiptare, me prejardhje nga lagjja e dëgjuar Palorto, e qytetit të Gjirokastrës dhe e shpërndarë ne Vlorë, Delvinë, Berat, Korçë, Tiranë e deri në Izmir e Ankara:

- Po e nis nga shekulli XVIII, me Musa Qazim Pasha Çipin, që del se është gati katragjyshi im, gjeneral gjirokastrit, me veprimtari të madhe luftarake në Anadoll e gjetiu dhe studiues historie,  guvernatori  shumëvjeçar i Tarabullusit (në mos gabohem);

- Pas tij vjen Fejzo Çipi me koshalle, (në këtë anë të Perandorisë Otomane), që së bashku me Bejo Kërmën, edhe sipas Ilo Mitkë Qafzezit (besoj), pa pyetur se rrezikonin deri jetën e tyre, ju futën trimërisht brenda Kalasë së Gjirokastrës një tjetër Pashai, safi Turk dhe e ekzekutuan, duke realizuar vendimin e popullit për t’u hakmarrë, për zullumet, kurvëritë dhe krimet e tij;

- Historia vazhdon te Bektash Çipi i parë, gjyshi im, bylykbash (mbase), që në krye të një, nga të tre taborët me shqiptarë,  luftuan trimërisht në betejat kundër grekëve, për mbrojtjen e Janinës dhe trevat shqiptare rreth saj, më 1912, ku dhe u plagos;

- Për t’u kujtuar është dhe Asaf Çipi, shok i Lefter Dilos (jam i sigurt), mësuesi veteran dhe drejtori i parë i Shkollës Shqipe të Gjirokastrës (po kaq e hershme sa ajo e Korçës);

- Dhe vijmë, plotësisht të saktë, te Kaman Çipi, babai im, vatran që nga viti 1913 deri në vitin 1923 në Amerikë, ku ishte sekretar i Degës së Vatrës për qytetin Waterwill dhe Pitsburg Pensillvania, anëtar dhe përfaqësues i Klubit Patriotik Kulturor “Drita” të Gjirokastrës, anëtar aktiv i Shoqatës “Bashkimi” të Avni Rustemit, luftëtar dhe i plagosur në Çetën e “Rrapo Çelos” të Sevasterit Vlorë, në mbështetje të Fan Nolit, në vitin 1924, përkthyesi i parë nga anglishtja, në  misionin humanitar anglo-amerikan të UNRAS në Vlorë, fill pas çlirimit;

- Burra të tjerë të fisit janë realisht: Enver, Bardhyl, Muharem, Petrit, Tomor Çipi, etj., veteran e të dekoruar të luftës Nacional Çlirimtare, kundër italo fashistëve dhe pushtuesve gjerman;

- Po në këtë plejadë është Bektash Çipi, vëllai im i madh, i dekoruar me medalje dhe urdhra pune, drejtues i lëvizjes “për përshkrimin me të njëjtin automjet të 500 mijë kilometrave pa remont kapital”, dhe që për aset e xhelozi, me akuzën e përvetësimit të 30 (tridhjetë saktësisht)) lekëve mit marrje (mos kthim resto), u dënua dhe u burgos  nga  Pushteti Komunist për 7.5 vjet, por duke ruajtur e mbrojtur personalitetin, ndershmërinë dhe krenarinë e fisit të tij;
 Një tjetër grup i shquar formohet nga: Laze, Dashamir, Pëllumb, Lule, Teuta, Bukuroshe, Vilson Çipi dhe dhjetëra Çipatë të tjerë, pedagog, mësues dhe edukator të brezit të ri, për shume vite. Pa harruar dhe të tjerë intelektualë, sportistë të shquar, ekonomistë, financierë, inxhinierë, ushtarakë, artistë populli e regjisor (si Xhanfiseja dhe Kastrioti) mjekë e shkencëtarë, deri te deputet (Kreshniku).
Nga ana tjetër kryetari, shoku im që më prezantoi, nuk tha për mua etapat kryesore të jetës e të veprimtarisë sime: Që fillimisht kam qenë mësues dhe kështu e nisa jetën time të punës dhe më pas, gati 20 vjet pedagog, në Filialin e Vlorës të Fakultetit Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Nuk tha edhe se në të ri, unë jam marrë për shumë vjet me aktivitete artistike e sportive, si këngëtar, aktor, gjimnast, mundës e ngritës peshash, duke fituar kategorinë e mjeshtrit të sportit, të kampionit kombëtar, të trajnerit  të “Flamurtarit” dhe të Ekipit Kombëtar dhe të gjyqtarit të kategorisë së parë. Po më tej: Që në pleqëri, kam shkruar tregime dhe poezi, duke botuar, deri tani 4 libra... dhe qe kam gati për botim, katër të tjerë me poezi, portrete dhe përshkrime udhëtimesh, vendesh dhe ngjarjesh, të cilat, në se nuk arrij t’i botoj unë, kam besim se amanetin do ta plotësojnë pasardhësit e këtij fisi vital...(Këto i ka thënë dhe shoku ynë i shoqatës, dr. Irfan Bregu, në një parathënie libri, po, përsëritja, nuk thonë kot, është mëma e përvetësimit, pikërisht ajo që ju duhet juve sot).

Kështu ai, zoti V., ndofta qëllimisht, për t’u paraqitur si Kryetar e superior që është, e la në mes  e të mangët jetëshkrimin tim, ndaj unë  edhe për t’i bërë qejfin vetes, morra mundimin dhe e plotësova. E po, i zoti e nxjerr gomarin nga balta, de.

Tani, besojse, jeni më të vetëdijshëm e më të ngazëllyer e të superkënaqur, që me zgjodhët mua sekretar dhe kështu ky jetëshkrim i jetës sime, me prejardhjen kaq të lashtë dhe kaq të “ndritur” dhe në këtë moshë “vitale” (po i afrohem të tetëdhjetave), do jetë garanci për funksionimin normal dhe jetëgjatë të shoqatës sonë të re e shumë të rëndësishme, me pensionistë të vjetër të moshës superiore.

 Nuk e di në se ju kënaqa me këtë “sivi  katragjyshërore” dhe, nëse “Doni më për Belulin”? (Unë gati jam,  për të shkuar më thellë në lashtësi deri te pararendësi ortodoks i fisit, se  kohë kam për të shkruar e nuk më ngelet “dyqani pa hapur”)


Tiranë, më 12.12,2011
                                                       

.

NJË KOHË TJETËR
Recension për një libër


Shoku im i letrave  Gëzim Llojdia, drejtor dhe botues te “Gazeta Vlora”, më dha nga biblioteka e tij e pasur për të lexuar librin “ NJË KOHË TJETËR” REFLEKSIONE, me autor  Elmas Puton.
Sa  e dallova autorin, që e njihja personalisht si drejtues dhe politikan, e mora dhe e lexova me njëherë. Libra të këtillë, me shkrimtarë të pa dëgjuar deri më sot, tani gjen kudo. Ato më së shumti jepen si dhuratë. (çka duket se janë edhe pa çmim të shkruar). Po, unë që i përzgjedh librat, e njihja  Elmasin si gjirokastrit dhe kushëri të burrit të tezes sime, patriotit Maliq Hajro, (që diku edhe e hasa të nderuar në faqet e librit), ndaj edhe e lexova shpejt dhe me endje.

Libri, si kuptohet edhe nga titulli, më së shumti trajton ngjarje autobiografike të periudhës së shkuar, kur autori, ish kuadër i lartë shtetëror e partiak, jetoi  e drejtoi në vendlindjen e tij Gjirokastër, si dhe në Përmet, Kolonjë e Skrapar.
 Libri ka nëntitullin “Refleksione” dhe vërtetë unë pash aty rrëfimin e tij të plotë, të sinqertë dhe të ndershëm, duke reflektuar për teprimet e regjimit monist, ku ai aderoj dhe veproi e punoi me ndërgjegje e pasion. Ai ndalet duke kritikuar ekstremitet e luftës klasore, të urrejtjes së regjimit monist për fenë dhe për ndërmarrjet e organizuara të shkatërrimeve të institucioneve fetare. Po kështu aty mbahet qëndrim kritik për rastet e mbylljes dhe izolimit të hekurt me perëndimin, të militarizimit të tejskajshëm, të luksit dhe teprimeve në diferencimin e mënyrës së të jetuarit te kuadro të veçanta. Ai paraqet raste të intrigave spiunuese e të fshehura, të njerëzve servil e me dy faqe, të dëshmitarëve të rremë, të pasigurisë dhe të rrezikut për të papritura ekstreme për çdo kënd, përfshirë dhe atë vetë si kuadër i lartë.
Autori, me thjeshtësi dhe pa zbukurime e stërhollime letraro artistike, kudo shpreh dashurinë për njerëzit e thjeshtë, të dalë nga punëtorët dhe qytetarët e varfër të Gjirokastrës, qytetit të tij të lindjes, siç kishte qenë dhe ai vet, si dhe çmon njerëzit me tradita, burrëri e karakter, antifashistët dhe patriotët. Ai çmon humorin dhe besën e golemasve dhe të fshatrave të malësisë së Gjirokastrës, ku hyn e del disa herë si në shtëpinë e tij;  paraqet aftësitë artistike dhe ndershmërinë e përmetarëve të qytetit të trëndafilave dhe të këngëtarëve; vlerëson trimëritë dhe përpjekjet shekullore të kolonjarëve për gjuhën shqipe dhe shpirtin e tyre artistik; dashurohet veças pas skraparlijve mikpritës e me karakter burrëror.

Elmas Putua, që e nisi jetën e vitet e punës si tornitor me shkollë dy vjeçare të rezervave të punës, hap pas hapi plotësohet edhe me shkollë të mesme të mbrëmjes dhe me universitet, gjithashtu ka interes  dhe mëson gjuhë të huaja. Duke qenë një qytetar me origjinë nga fise të vjetra Gjirokastrite e zgjeron plotësisht kuadrin e botëkuptimit të tij pas vizitës në Kinë. Ai pa atje, në Kinën e Madhe e tëpafundme se kudo punohej e ndërtohej, kudo ndryshohej një traditë miliona vjeçare dhe se Kina ishte një potencial i madh ndihme dhe garancie për ekonominë Shqiptare, duke bërë iluzion të qartë për politikën e gabuar ndarëse me të.
Elmas Putua e njohu mirë minoritetin grek në Shqipëri. Pa asnjë dasi e kompleks social, ai edhe shoqen e jetës e zgjodhi  minoritare nga Dropulli, Krisavinë të  mirë e të dashur (siç thoshte shpesh tezja ime, Çime) dhe nga martesa lindi tre vajza të  bukura e të denja, për të cilat u kujdes deri në arsimimin e plotë universitar. Ai vazhdimisht i ka përkrahur dhe ndihmuar dropullitët, që siç thotë, faktikisht ishin të privilegjuar nga regjimi monist, si pjesëmarrës aktivë në Luftën Antifashiste, të zgjuar e punëtorë, duke u vendosur deri në poste të rëndësishme partiake e shtetërore.

 Unë kam dëgjuar shpesh ish të burgosur dhe të përndjekur politik, që me zemërgjerësinë e tyre dhe pa asnjë kompleks për hakmarrje dhe larje hesapesh, thonë: “Për ne, boll të pranohen gabimet dhe të reflektohet sinqerisht, se, për ata që nuk kanë faje gjakësie dhe qëndrime ekstreme dëmprurëse, do të mjaftoheshin me  refleksionin e tyre të sinqertë”.
 Elmas Puto, siç kemi dëgjuar se është quajtur shpesh “Gjirokastriti Liberal”, ashtu si shkruan edhe vetë në autobiografinë e tij, në të vërtetë asnjëherë nuk është quajtur si ekstremist. Refleksionet e tij të sinqerta këtu dhe dëshpërimi i tij, pse nuk ka qenë, brenda mundësive edhe më tolerant, mendoj se e pranojnë atë, si të barabartë në gjirin e socialistëve të rinj të periudhës kapitaliste në Shqipëri. Ai, si kushdo ka të drejtë të rreshtohet në partinë që do. Dhe me sa duket, për të ruajtur deri në fund  karakterin e tij të pandryshueshëm ai është përfshirë, si shumë miq e të njohur të hershëm të tij, në forcat e qendrës se majtë. Dhe mos harrojmë se në këtë pozicion janë vullnetarisht thuajse gjysme e popullit shqiptar. Kjo kërkon respektim reciprok dhe marrëveshje e bashkëbisedim paqësor për rotacionin eventual në drejtim, me zgjedhje të lira dhe sipas shembullit të shteteve të përparuara perëndimore.

Aventura si emigrant, në shtetin fqinj të Greqisë  është një tjetër kapitull i librit autobiografik të autorit. Si shumë shqiptarë të tjerë të ngelur pa punë dhe pa asnjë burim jetese brenda vendit edhe Elmasi, familjarisht ishte ndër të parët që morri rrugët e panjohura të Greqisë. Për t’u “aklimatizuar” shpejt atje e ndihmoi, jo vetëm gruaja e tij dropullitja greqishtfolëse energjike Krisavi, po dhe vetë  fati nga qëndrimi liberal i kahershëm i Elmasit, kur ai ndihmoi një familje greke  që erdhi në Skrapar, për të kërkuar eshtrat e një ushtari të vrarë në luftën Italo-Greke. Familja patriote greke e ndihmoi në Greqi me strehim dhe ndërhyrje për punësim, duke e shpërblyer me mirënjohje shumëfish nderin e vjetër.

Puna e rendë në ndërtim dhe pastaj në një pikë karburanti dhe punësimi i gruas së tij në punë shtëpiake,  i krijoi shpejt familjes Puto kushte dhe jetesë më të mirë dhe gjithashtu e evidentoi sërish qëndrimin human të Elmasit, si një bazë përkrahje e ndihme për të gjithë shqiptarët emigrant rreth tij.

Dalëngadalë jeta në emigracion dhe vitet e moshës, gjithnjë po e pajiste Elmasin me mësime, përvojë dhe durim. Kështu ndodhi kur atij ju desh të kthehej për disa ditë në Atdhe: Në autobus i vonuar, kishte pronotuar për t’u ulur në vendin e fundit dhe, kur i duhej të shkonte për atje, u stërkemb rrugës nga pasagjerë të tjerë, djem të rinj prej Shqipërie, që belbëzuan se duket e njohën, fjale fyese për “punistin” e dikurshëm. Edhe kur zuri vend në sediljen e fundit, sërish nuk reshtën thumbat dhe ofendimet. Elmasi i moshuar tani, kundrejt një tufe të rinjsh, pranoi më mirë të heshtte. Ndërkohë autobusi rrugëtonte derisa mbërritën në një restorant afër Janinës ku do hahej dreka dhe pasagjerët zbritën. Pas pak aty papritur u dëgjuan të thirrura e të bërtitura greqisht: Pronari po shante e gati të qëllonte njërin prej të rinjve që duket se kishte dëmtuar një rubinet çesmeje. Së fundi, kur ai po përgojonte gjithë Shqiptarët dhe deri Shqipërinë ju desh të ndërhynte edhe Elmasi, që u përpoq të përkrahte e të justifikonte më kot të riun, derisa më së fundi nxori 5 mijë dhrami, ja dha pronarit dhe i tha: “Mbylle gojën tani se dëmin e pagova shumëfish”. Kjo i afroi djelmoshat që më pas i ofruan atij ndere, i kërkuan të falur dhe e përballuan vetë dëmin, duke ja rikthyer paratë Elmasit.

Tani Elmas Putua, “papuja” mbi 70 vjeçar, autori i këndshëm i monografisë së jetës së tij “NJË KOHË TJETËR”, familjen me gruan, vajzat e dashura dhe nipat e mbesat e shtrenjta, i ka të përndarë, sa në Shqipëri dhe sa në Greqi. Në dilemë është edhe vetë se ku do t’i kalojë vitet e pleqërisë, pa harruar që emigrimi nuk është qëllim në vete, por një urëkalimi për efekt mbijetese, ndërkohë që dhe shokët, pensionistë bashkëmoshatarë, e presin me padurim në Shqipërinë e dashur.
Vlorë, më 05.10.2011

















Komentet

Postimet më të komentuara nga ky blog

JETA IME

PËRSHKRIME UDHËTIMESH

PËR TË QARË DHE PËR TË QESHUR