NJERËZIT MË TË DASHUR

                                                         LUAN KAMAN ÇIPI




                                                   NJERËZIT MË TË DASHUR
                                                                            Portrete
                                                                     

                                                                BABAI  IM,  KAMANI

Kaman Çipi, babai ynë, ka lindur në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1895. I  ngelur jetim, pa babë, qysh në moshën 8 vjeçare dhe duke qenë fëmija i fundit, në një familje numerike, ai përballoi halle dhe vështirësi të shumta. Me shumë sakrificë dhe këmbëngulje ndoqi me sukses dhe përfundoi, njërën pas tjetrës, shkollën fillore dhe plotore turke të qytetit të Gjirokastrës, duke u dalluar për mësimin e gjuhëve turke dhe arabe. Me ndihmën e kushëririt të vet, mësuesit avokat Asaf Çipi dhe patriotit Thoma Papapano ndoqi kurset dhe përvetësoi mirë edhe gjuhën shqipe, duke u përfshirë ndër përhapësit e parë të gjuhës së shkruar amtare.
Pa i gjetur mundësitë për mbijetesë në qytetin e vetë të lindjes, duke ndjekur shembullin e vëllait të madh, që kish emigruar në Turqi, po që se kish gjetur mirë veten,  Kamani u vendos të emigronte në Amerike, çka ishte bërë modë aso kohe ndër djemtë gjirokastritë. Ishte viti 1913, vit krize dhe reprezaljesh greke në Gjirokastër, që bënte përpjekje për t'u bashkuar, në pavarësinë e Shqipërisë, me qeverinë e Vlorës. Kamani 18 vjeçar, me një grup djemsh gjirokastritë, niset për në tokën e premtuar, Amerikë. I përkrahur nga të tjerë gjirokastritë e patriotë si Lutfi Çipi, Kosta Isaku, Ramiz Harxhi, atje, në Amerikë, fillon e bën çfarëdo lloj punësh e kursesh dhe më së fundi punon si shofer transporti në një fabrikë municionesh. Në këtë mënyrë shpejt siguron të ardhura të bollshme, shlyen navllon e marr borxh dhe ndihmon familjen në nevojë.

Qysh në ditët e para të jetës në Amerikë, duke rënë në prehrin e shqiptarëve revolucionarë e patriotë, Kamani u lidh dhe u vu në ballë të përpjekjeve për bashkimin e shqiptarëve të Amerikës, në përkrahje të krijimit dhe forcimit të pavarësisë së Shqipërisë, sidomos duke iu kundërvënë intrigave të shovinistëve lakmitarë të lobit të fuqishëm grek. Në qytetin Waterwill, ku u vendos së pari, formuan Degën e Bashkimit nr.42 të Shqiptarëve të Amerikës, duke ngritur, njëkohësisht, Klubin dhe Shkollat e Natës, për mësimin e shqipes dhe zhdukjen e analfabetizmit midis emigrantëve shqiptar. Kamani u caktua, i zgjedhur, sekretar i degës 42 dhe mësues nate për alfabetin shqip. Pas 18 muaj pune intensive
Kamani largohet, me kërkesën e patriotit Kosta Isaku në qytetin më të madh të Manchester N.H., ku u vu në shërbim të lëvizjes Noliste. Këtu qëndron 8 muaj dhe po me ndërhyrjen e patrioteve, lëviz për në një tjetër qytet të madh, me grumbullimin më të ngjeshur të shqiptarëve, East Pithsburg Pa.. Edhe atje
zgjidhet Sekretar i Degës, që zhvilloi një aktivitet të shquar për shpëtimin e Shqipërisë, sidomos të Korçës dhe Gjirokastrës, që rrezikohej ti aneksoheshin Greqisë. Ishin dramatike dhe emociononte, kujton babai, ato dite të zjarrta manifestimesh, protestash, mbledhjesh, takimesh, grumbullime ndihmash solidarizuese. Me fjalime të posaçme elokuente, me recitime vjershash e monologësh të zgjedhura, të deklamuara publikisht, djemtë e Shqipërisë linin në dispozicion të fushatës deri shuma të mëdha dollarësh, bile kishte raste, krejt kursimet me libreza banke e portofola dhe me lot në sy thërrisnin "Mbahu nëno, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë" Ata ishin gati të linin dhe të
sakrifikonin çdo gjë të mirë dhe çdo fitore që kishin realizuar me  shumë mund e djersë,  aty në Amerikë dhe të vinin e të jepnin gjakun dhe deri jetën, për Shqipërinë e rrezikuar. Kjo gjendje solidariteti u mbajt për një periudhë të gjatë kohe, në disa vjet. Ishte puna e madhe, e vazhdueshme, intensive e Shoqërisë "Vatra". E njëjta gjendje elektrizuese dhe entuziaste u krijua edhe në vitet 1919-1920, kur pata fatin , thotë babai, të mbaj lart flamurin e fushatës, si Sekretar i Degës, i  rizgjedhur në të njëjtin qytet, për të ndihmuar simbolin e shqiptarizmës, patriotin  Avni Rustemi, që ishte burgosur në Francë, se kish guxuar, me atë akt të rrallë trimërie, të vriste, në mes të Parazit, trathëtarin Esat Toptani . Në këtë kohë, në  East Pithsburg, për ta shoqëruar në mënyrë më të kulturuar dhe demonstrative aktivitetin pro shqiptar, ne, kryesisht djem gjirokastritë, krijuam shoqërinë kulturore "Drita", ku sërish shokët më zgjodhën mua sekretar, shkruan në kujtimet e veta Kamani, detyra që i mbajta deri sa u ktheve në Shqipëri."
Në Shqipëri Kamani u kthye ne vitin 1922. Erdhi për pushime e çmallje, por edhe me një detyrë të posaçme: Të ndërmjetësonte pranë Bashkisë së qytetit  të Gjirokastrës për të ngritur një Bandë Muzikore, që do ta gjallëronte ambientin kulturor të qytetit dhe do ngrinte lart entuziazmin popullor, sipas shembullit të qyteteve të  Korçës, Elbasanit dhe Shkodrës. Fondet për këtë do siguroheshin nga kontributet e Shoqërisë Kulturore "Drita" të djemve gjirokastritë të Amerikës.
Javer Beu, kryetari i Bashkisë, u shfaq dakord me propozimin për ngritjen e Bandës Muzikore, por tha: Me këtë punë do merrem unë personalisht, ju me dërgoni dollarët. U kuptua ashiqare qëllimi i tij, për të përvetësuar fondet, duke vepruar, si zakonisht, se ai njihej për këto marifete. Kur përpjekja për krijimin e bandës muzikore dështoi Kamanin e përfshiu rutina e punëve, problemeve dhe ngjarjeve të kohës: Kreu shërbimin ushtarak në Ushtrinë Shqiptare të sapo formuar, filloi aktivitetin privat të transportit interurban në linjën Vlorë-Janinë, me një autoveturë, që e kish sjell nga jashtë, u fejua dhe u martua.. Ndërkohë takohet me patriotë dhe revolucionarë të kohës dhe, pikërisht, Avni Rustemi, ai të cilin e adhuronte aq shumë së largu, ia mbushi mendjen ta refuzojë thirrjen për rikthim në Amerikë dhe ta anëtarësojë në shoqërinë "Opinga" dhe "Bashkimi"
Vrasja e Avniut e dëshpëron dhe e mbush me urrejtje. Fillimi i revolucionit të   qershorit 1924 e përfshin, me gjithë automjetin e tij në ato ngjarje të vrullshme në pjesëmarrje aktive dhe luftarake. Merret me lëvizje trupash, ushqimesh dhe veshmbathje; lufton me armë në dorë në betejën e Ardenicës, në çetën e Rrapo Çelos, ku dhe plagoset në pulpën e këmbës së majtë. Dështimi i Qeverise së Nolit, idhullit të tij të përjetshëm, zhgënjimi për masat gjysmake dhe për paaftësitë dhe pasivitetin e tij, mungesa e organizimit dhe e harmonisë ndërvepruese, ndarja në grupe interesash dhe përfituesish grindavecë, e hedh në dëshpërim dhe e bën që të urrejë politikën dhe politikanët, duke na këshilluar,
që dhe ne, bijtë e tij, gjithnjë të qëndrojmë larg saj.

Familja dhe prona u bë qëllimi i jetës së tij...Vazhdoi punën si shofer. Krijoi Axhensinë e Autoveturave Vlorë-Gjirokastër, duke i kooperuar ato pak automjete të kohës, që ishin në luftë konkurruese. Në vitin 1934 mbartet familjarisht në Vlorë dhe në aktivitetin e tij tregtar përfshihet dhe transporti i mallrave.
Merë monopolin e shpërndarjes së kripës së detit për zonën e jugut, bën tregti me drithëra dhe lëkurë. Axhensia e Transportit Automobilistik në Vlorë vendoset në Sheshin "Tomson", në qendër të qytetit. Për hapat e shpejta e të suksesshme shërbeu shkalla e lart relativisht e arsimimit si dhe përvoja, gati 10 vjeçare amerikane. Veç kësaj, aty afër është gjirokastriti Resul Hoxha, me regëtinë e drithërave; përbri nipi i Kamanit, Beti, me distributor karburanti; në të djathtë Hilmi Çipi, i vëllai Kamanit, me Hotel "Korçën"; majtas Fadil Kotoni me Farmaci. Ishte si në një oazë, një Gjirokastër e vogël, e ringritur aty, në mesin e Vlorës. Veç kësaj, në Vlorën e pasur nga natyra dhe të bekuar nga Zoti, prej kohësh kishin zbritur qindra gjirokastritë punëtorë e kursimtarë, që ishin pasuruar dhe ishin bërë ndër pronarët më të kamur veprues. Ata e përkrahnin dhe e ndihmonin pa xhelozi njeri tjetrin.
Në Vlorë Kamani, shpejt, nisi të zbatojë përvojën e marrë si emigrant nga Amerika, duke u orientuar në bizneset më të leverdishme. Ai përsëriste sentencën "Sa më shumë të ndërtosh, aq më shumë do të rrosh" Dhe gjithë jetën, sa mundi, u mor edhe me ndërtime. "Ka dy lloj njerëzish, thosh, ndërtues dhe prishës. Ne duhet te jemi nga ata që ndërtojnë, me punë të lodhshme dhe me djersën e ballit"
Bleu tokë, në Skelë të Vlorës  nga familja "Vlora" dhe më pas nga  gjirokastriti Veli Harxhi dhe në vitin 1937 ndërtoi një vilë dy katshe, që për shumë vjet ishte e vetmja banesë e rrugës Vlorë-Skelë. Atje, në kushte shumë të mira banimi, në kopshte të gjelbëruara me shumë pemë, lule, baçe të mbjella me
gjithfarë zarzavate gjithëvjetore, me lopë qumështi, pula, kalë shale e automjete të vogla e të mëdha, duke ndjerë nga afër zhurmën dhe erën e detit, banuam disa vjet, deri pak kohë pas okupacionit italo-fashist. Italianët të vendosur ushtarakisht me kazerma karshi shtëpisë tonë, e kërkuan me insistim dhe imponuan marrjen e saj me qira. Kamani shpërngulet në Vlorë, ku nis ndërtimi i
shtëpisë tjetër dy katshe, me gurë, në lagjen Muradie. Guri vinte nga Drashovica dhe shfrytëzohej rruga e kthimit bosh të makinave nga Gjirokastra, sipas përvojës së ndërtimit të shtëpisë së Skelës. Ishte kjo periudha kur Kamani, me gjirokastritët e pasur Musa Gurgaj dhe Syrja Peshkëpia formuan shoqërinë
tregtare automobilistike "PEGUÇI", ku përfshinë 4 automjete diesel të reja të kohës me rimorkio, si Fiatse santasej, Fiat ventisej dhe Trentakuatro, që administroheshin nga Axhensia Automobilistike e Kaman Çipit në Vlorë.

Luftën Nacional- Çlirimtare kundër okupatorit italo-gjerman Kamani e përkrahu pa rezerva, duke e konsideruar atë si "luftën e vegjëlisë, me principe e ideale më të gjëra e më të sakta, nga ato të rinisë time". Për të argumentuar këtë ai shton:" I riu, që ka pasur fatin për vepra patriotike (aludon për vete), i di dhe i çmon fort, duke i parë nga pleqëria, ku i digjet zëmra, po si punon fiziku".Ai personalisht, po dhe me djalin e tij, Enverin, antifashist i orëve të para dhe partizan veteran, përkrahu sa mundi luftën me ndihma materiale, strehim partizanësh e  ilegalësh dhe me kontribut direkt. Dy pjesmarës dhe drejtues të rëndësishëm të luftës dr.Omer Nishani dhe Rexhep Sulejmani ishin ndër shokët dhe miqtë e tij më të mirë. Kamani u burgos, në kohën e Ballit dhe u kërkua për internim.

Gjatë luftës Italo-Greke, kur Vlora nisi të bombardohej nga aviacioni anglez, familja jonë, si e shumë vlonjatëve të tjerë, u shpërngul nga  Vlora dhe u vendos pranë dajove, në Fier. Edhe atje Kamani bleu tokë dhe ndërtoi një shtëpi tre katshe, në lagjen "Liri", me vend parkimi, hajate dhe baçe, e gjithë e
rrethuar me murr blloqesh betoni. Për punimet e rifiniturës dhe zbukurime e deri piktura murale në këtë shtëpi u përdorën edhe tre italianë, të ngelur rrugëve, pas kapitullimit të Italisë dhe që u mbajtën në familjen tonë, si të ishin pjesëtarë aktiv të saj, duke ngrënë e pirë në një sofër.

Në vitin 1944 Kamani kthehet familjarisht në Vlorë dhe vendoset në shtëpinë e Skelës. Rikrijohet Axhensia e Transportit dhe shumë shpejtë të gjitha mjetet e transportit të privatëve punojnë të bashkuara, të inkuadruar nga shteti, sipas nevojave për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rindërtimin e vendit, dhe Kamani caktohet si Kryetar i Këshillit të Transportit Automobilistik të Vlorës. 
Krijohet Bashkimi i Kooperativave të Transportit Automobilistik dhe Kamani, sërish, zgjidhet delegat permanent i degës së Vlorës pranë Federatës Nacionale të AT me qendër në Tiranë. Pak kohë punoi dhe si përkthyes i anglishtes, pranë Aleatëve në UNRA, shofer në Distilerinë "Skenderbej", magazinier, po aty, kafexhi privat me një ortak në një dyqan të vetin, pranë Merkatos së qytetit dhe së fundi, deri sa vdiq, Sekretar i Gjyshatës Bektashiane në Kuzbaba Vlorë. Në periudhën e fundit u intensifikua veprimtaria e tij si përkthyes nga anglishtja, turqishtja dhe arabishtja dhe si krijues i mirëfilltë e sidomos poet pasionant.
Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, me "Dekretin e Shenjtë" nr. 37, datë 15 maj 1950  e shpall Kaman Çipin DERVISH, duke i dhënë të drejtën " me vesh roben e shenjtë të Haxhi Bektashit në të gjitha Teqetë Bektashiane të Botës "
Duhet thënëse vitet e para pas çlirimit të vendit, disa armiq personal të tij, të pa aftë për punë të ndershme, të liq, ambiciozë e intrigantë, përkohësisht me pushtet, duke u bërë xheloz për sukseset, pasurinë dhe vitalitetin e tij, i sollën shqetësime serioze, që, si të thuash, i shkurtuan jetën. Kamani përjetoi strese dhe poshtërime të pazakonta si presione deri burgosje për dorëzim arri, duke përballuar me trimëri torturat gjurmlënëse të xhelatit të Sigurimit të Shtetit, toger Samiut ( që më vonë, për këto lloj krimesh u ekzekutua); kryejti, përkohësisht, punë angari të pa volitshme për shëndetin dhe moshën e tij si hapje kanalesh dhe punë bujqësore në Llakatund. Po kështu gjurmë të rënda lanë dhe sekuestrimi, pa shpërblim i automjeteve, shtetëzimi i shtëpive dhe dyqaneve e deri shpallja si të pa dëshirueshëm, pa triskë fronti, për disa muaj dhe peripeci të tjera.Kaman Çipi ishte një burrë i fort fizikisht, i shkurtër rreth 158 cm., gjithnjë i shëndoshë dhe me peshë mbi 75 kg.. Ishte mjaftë dinamik, në lëvizje e kërkim të pasosur njohurish dhe vlerash. Ai ishte shumë i lidhur me punën dhe mjaft i
shoqërueshëm; lexonte e shkruante anglisht, turqisht (shkrimin e vjetër dhe të ri) dhe arabisht, fliste greqisht dhe italisht. Kamani shkruante poezi të bukura mistiko fetare dhe për dashurinë familjare. dhe thurte tregime të bukura me humor të zgjedhur. Në Bibliotekën familjare i gjeje të gjitha librat shqip të kohës si dhe koleksionet me revistat përparimtare. Ai këndonte shumë bukur me zë të lart e të pastër tenori, duke e shoqëruar me mandolinën e tij "Gibson", të prurë nga Amerika. E këndonte mirë polifoninë labe, e sidomos atë gjirokastrite, aqsa e kërkonin posaçërisht dhe e vinin në krye te sofrës në davete e ahengje. Ishte një profesionist politeknik dhe mjaftë i thelluar në njohuritë për mirëmbajtjen, meremetimin dhe eliminimin e defekteve në automjetet. Dallohej për dirigjimin e automjeteve, në kushtet e infrastrukturës mizerabile të kohës, kur për të kaluar në disa ngushtica me dredha duhej të ktheheshe disa herë pas.
Tregojnë dëshmitarë okularë, që kishin dëgjuar Drejtorin francez të liceut të Gjirokastrës, pas  një udhëtimi në kohë shiu e bore, kur ai u tha nxënësve menjëherë pas kthimit, se jeta e tij kish shpëtuar vetëm në saj të trimërisë dhe zotësisë manovruese të shoferit të rrallë, shqiptarit Kaman Çipi. Ai ishte, i vetmi për kohën, që për të shkuar në Janinë e kalonte automjetin në një urë mbi dy binarët paralel të ngushtë sa gjerësia e gomave. Me autoveturën e tij amerikane tip "Bujk" kishte marë pjesë me sukses në disa gara të përvitshme automobilizmi mbarëkombëtare, të organizuara në Shqipi, para lufte.
Kaman Çipi ishte një burrë me karakter të fort shqiptari. Ai, në një autobiografi, që unë e disponoj, pat shkruar:  Jam rritur me edukimin familjar të jem armik i gënjeshtrës, i vjedhjes, i krimit, i kurvërisë, i spiunazhit, i mashtrimit dhe i trradhtisë,pra te jem modest, puntor, pa frikë dhe pa lajka.
  Kaman Çipi vdiq herët në mëngjesin e datës 9 prill 1953 në shtëpinë e Muradies Vlorë dhe u varros në kodrën e Kuzbabasë, në vorezën rezervate të Teqesë Bektashiane. Vari i mermertë, me eshtrat e tij të mbledhura, disa vjet më vonë, u rikonstruktua dhe u transferua, për nevoja publike, në varrezat e përbashkëta të Babicës Vlorë, parcela nr.4 . Ai, po atje është dhe sot, i rikonstruktuar dhe  i përbashkët me djalin e tij të madh, Bektashin.


     
DY SHKRIME ORIGJINALE
          të Kaman Çipit:

1.-Copa nga kohë të ndryshme të jetës

Sa të lumtur rronim
Kur ishim të ri,
Kur hënën shikonim
Kokë më kokë, të dy
……………

Atje, në dritare
Në odanë e madhe,
Hënëzën vështronim,
Shumë e dashuronim

Syrin tënd të bukur,
Ballin kubeli
Oh, llërët e bardha
Ç'ti kishin zili.

Leshrat mbi supe,
Që shumë ti doja,
Lehtë ti përkëledhja,
Mos prisheshin droja.

Ti moj hënë e plotë,
Hënë e asaj nate,
Kurrë s'ta harrojmë
Dritën që ti pate.

Pamjen e së dashurës
Bukur e shkëlqeje
Ashtu, si që ishte,
Hapur ma rrëfenje.

Hënëza, lart, atje
Ja dhe këtej.
Hënëza në qiell
Po, dhe në dhe.


2.-Porositë e një letre nga larg

-Kryelartësia dhe dëshira ime më e flaktë është që djemtë e mi të jenë të parët në mësime dhe gjithnjë të çquar.
-Mbi të gjitha lëndët vlerëso matematikën, se ajo është superiore dhe peshimi real i kapacitetit mentor të secilit.


BABAI IM

Ti ike i ri, tash gjithçka është tretur,
Dhimbja  ka zënë cipë, malli është venitur,
Pesëdhjetë vjet  shkuan, kujtimet kanë mbetur,
Po, për sa jetove, si diell  ke ndritur.

I ngelur jetim,  i vogël, pa fat
I katërti vëlla nga fisi Çipat.
Palorto e vjetër, sokakët me gurë
Hallet e mundimet të bënë burrë mbi burrë.

Shtatëmbëdhjetë vjeçar u nise kurbetit,
Në Amerikën e largët, shkohej me anije,
Për gati një muaj do lundroje detit
Me drojë e me frikë vallë në do arrije.

Duhej gjetur punë,  mbulesa e shtresa
Dhe vuajtja shtohej me ditë e me natë,
Hanim bukë thatë dhe flinim me ndresa,
Në kurse e shkolla mësonim zanat.

Pa duhej kursyer dhe një cent dollari,
Për të larë navllon dhe borxhet radhë
Ndihmë desh familja me halle shqiptari,
Para desh dhe " Vatra" me Nolin në ballë.

U vure në krye mbi gjithë shqiptarët
Dhe fole  guximshëm me bashkatdhetarët:
"Ti mbahu, moj nëne, e kurrë mos kijë frikë,
Se  djemtë më të mirë ke në Amerikë"
Ngrihen emigrantët nga fundi i dheut
Gjer në Francë,  larg,  shkoi zëri i Atdheut
Mbrojtje e lirim Avniut  të Çikës
Nga Vatra Shqiptare e Pan Amerikës.

Ti rrojte me brengën e tokës shqiptare,
Përjetove  larg Kotën dhe Beunin,
Po gjithë dimra pe, e kur jo behare,
Kur satrapi Zog shiti Shën Naunin.

Nëntë vjet mërgimtar, shumë djersë derdhe.
Me  Im Zot Nolin, trima e mendimtarë,
Kur Atdheu u thërriti,  ti sërish  erdhe
Dhe prapë u radhite në rreshtin e parë.

Vitet njeri tjetrit i thoshin: unë ika.
Dështoi revolucioni dhe demokracia,
Nuk bëri njeri siç desh Amerika.
Fitoi mbretëria dhe autokracia.

Me tej mbreti Zog, me turp, po me ar
U largua paq  me "trimat" e tij
Dhe fashizmi i Zi, na futi në darë
Tha me ne do jeni një perandori.

Ti, o babë i dashur, kaq shumë u zhgënjeve,
Dikush do mendonte se të zuri frika,
Ndaj gjithmonë na thoshe: "O djemtë e plebenjve
Mos i ndyni duart, larg nga politika."

Dhe ju fute punës, siç kishe mësuar,
Krijove familjen dhe rrojte me nder,
Që të pesë fëmijët i pate edukuar,
Punën dhe lirinë, ti kishin fener

Ndërtove dyqane dhe ngrite pallate,
Tregti e transport menaxhove mirë
Disa troje bleve, tregti private,
Mirë pate mbjellur, më mirë në të shirë.

Edhe ne luftuam edhe ne punuam,
Po çfarë vallë na ngeli,për shenjë si kujtim,
Kur nxorëm bilancin edhe numëruam
Rezultoi  që kishim zero përfitim.

Ndaj më shumë për ty, tani shtohet vlera,
Kur shohim lartuar  ngrehinat në shtesa
Në  pronat e tua në trojet e blera
Rrojnë  trashëgimtarët, nipa edhe mbesa .

10.01.08



                       
                                                                    NËNA IME


                                                                                                                  
              Zeqirjeja, nëna ime e dashur, ka lindur në lagjen Pllakë të qytetit të Gjirokastrës në vitin 1908 dhe po aty ka kryer pesë klasë të shkollës shqip të qytetit. Babai i Zeqirjesë quhej Neim, nga fisi i lashtë gjirokastrit i Peshkëpinjotëve. Ai mbarshtronte, në meratë dhe stanet e veta, blegtorinë e imtë. Vdiq shumë i ri, në moshë 45 vjeçare, bashkë me një nga djemtë e tij, nga një epidemi e "gripit spanjoll", gjatë kohës kur shtegtonin bagëtitë në kullotat verore, larg shtëpisë. Ai la tre djem: Gani, Qani, Fejzi dhe dy vajza, Zeqirje dhe Çime. Dajot u shpërngulën herët në qytetin e Fierit, ku kishin pasuri dhe veprimtari.
             Nëna e Zeqirjesë, që rrojti rreth 100 vjeç, quhej Xhevrije dhe ishte bijë në Dizdarajt (Sollakajt) e Gjirokastrës dhe mbesë në familjen gjirokastrite të Zazanajve. Ishte një grua shumë e respektuar, e urtë dhe nikoqire, e gjatë dhe bardhoshe, ndryshe nga burri i saj, Neimi, i shkurtër dhe zeshkan. Nëna e Xhevrijes  quhej Hazbije, motra e Reuf Zazanit.
             Kekea, siç i flisnin shkurtimisht Zeqirjesë, ishte një grua e shkurtër, rreth 150 cm  e shëndoshë, afro 65 kg., shumë energjike, e fort fizikisht, e gëzueshme dhe e çiltër, e dashur, po autoritare. Ajo jepte shembullin personal për edukimin e dashurisë për punën te fëmijët; tregonte ngjarje, vjersha dhe përralla të bukura; qepte, qëndiste dhe thurte triko e dantella me durim të madh, duke e nisur që nga tjerrja e leshit; gatuante lloj, lloj gjellrash të shijshme tradicionale gjirokastrite; gëzohej shumë dhe sikur
fluturonte, kur vinin miqtë në shtëpi, që i priste me respekt e dashuri dhe gatim special; e gatshme për t'u shërbyer ustallarëve, që s'ju ndanë gjithë jetës, duke ndërtuar e rikonstruktuar shtëpi e dyqane;shumë e lidhur me fëmijët, pa i dalluar vajza apo djem, duke shkuar te secili, në radhë të parë te ai që ishte më në hall dhe kish më shumë nevojë për të
            Zeqirjeja u martua në moshë 16 vjeçare dhe lindi 6 fëmijë: Bejtashin ne vitin 1925, Enverin, një vit më vonë, Luanin e parë, në vitin 1930, që vdiq shpejtë, Pranverën në vitin 1932, Luanin në vitin 1934 dhe Teutën në vitin 1945.
            E dëshpëruar nga vdekja e parakohshme dhe e mundimshme e të shoqit, Kekea, vitet e fundit u mbyll në vetvete dhe kënaqësinë e gjente vetëm duke punuar. Në moshë të madhe iu çfaq sëmundja e diabetit, që e mundoi dhe e lodhi.
Ajo vdiq, në moshën rreth 79 vjeç, më 19 janar 1987, në shtëpinë tonë në lagjen Muradie,  më pas e prishur nga shteti. për nevoja publike. U varros në Babicë të Vlorës, në parcelën nr.4, afër babait tonë.  


                      
     NËNA IME

Për nënën poetë kanë shkruar,penat në nektar kanë ngjyer,
Unë, ca vargje kam sajuar për Geken time të vyer.
Në shtëpi, mbi Pashallarë po tunden pllakat mbi trarë
Gjëmon gazi dhe hareja: Kishte lindur Zeqirjeja.

S'e mban vendi Xhevrijenë, Zonjën me qostekun ar,
Gjysh Fetahu dreth mustaqet"Zoti na e bëri mbarë"
Familja plot mirësi ishte e njohur në "Pllakë"
Pasuri e harmoni, punë shumë, fjalë pak.

Zeqirjeja, më e mira, ish kjo, nëna ime.
Kish dëshira, kish kërkesa, veças për mësime.
Plot shëndet, nur e bukuri, të përfytyroj.
Skenderben edhe Ervehenë, sërish, po dëgjoj,

Shoh Tanën me qenin vrarë dhe fëmijët që zunë e qanë.
Çirrej e kërkonte ndihmë, po hajdutët nuk e lanë
Ndaj me melodinë e fyellit tingujt nisi në çdo anë:
"Tanë, moj, e zeza Tanë, ngrehu, moj, e zgjo babanë".

Na tregoje për Naimin, Çajupin, rilindsat tanë
Legjenda, përralla dhe këngë, trimat që për ne u vranë
Na mësoje të jetonim të ndershëm e paqësorë.
Si të donim njerzitë tanë, të lidhur, dorë për dorë.


Të ndihmonim gra e pleq, grusht, të mbledhur tok
Të respektonim fakirët, të sëmurë dhe ulok;
Të ishim kundër gënjeshtrës, vjedhjes dhe krimit
Kurvërisë dhe spiunazhit, tradhtisë dhe mashtrimit.

Vitet ikin, koha lum, që merr e lë pas,
Më pak gaz, halle shumë, trungje me thasë.
Çdo dit' të kujton Kamanin, të mençur, azgan,
Në ato vitet e lumtur, kur e kishe pranë.

Doli burrë tamam për ty: punëtor e plot vullnet
Kish shumë mall e dashuri, shpirt e zëmër det.
Shkuat vite të gëzuar, skish si ndodhte ndryshe,
S'pati fat të të shikoj, ty si katërgjyshe.

Kurrë Abeun se harrove, se harrojmë dhe ne,
Burrë mbi burrat qe, sa rroj, skish tjetër mbi dhe.
Prindët tanë na ngulitën vullnetin për të punuar,
Besnikërinë, guximin vështirësitë për të kaluar.

Kush aq shpesh e shtroi tryezën, priti e përcolli?
Kush aq shumë punoi, ndërtoi, korri edhe mbolli?
Harmoni, si atje, nuk gjeje gjetiu,
Sytë Abeu dhe Kekea në këmbë, si veriu.

Ç'desh Kekea  ky Kamani hidhej në kërkim,
Unitet. E gjithë familja kishte një mendim.
Jeta s'ishte shesh me lule, skish gjithnjë pranverë.
Nëna jonë ti s'u përkule, ishe lis në erë.




Sa shumë gurë vure në mure, sa mistri me llaç,
Sa të mira na servirje, kur nuk na the plaç.
Në Skelë të njohu Vlora, në Fier lagjja "Liri",
Ti kudo ja bëre fora: Prish kasolle- bëj shtëpi.

Prapë, të njohu dhe Tirana, Fieri dhe Kota.
Sa e ëmbël nëna jonë, çuditej gjith' bota.
Pesë fëmijë që ti linde, i rrite me nder,
Me respekt ty të kujtojmë, vlerësim përherë.

Kush i harron netët pa gjumë, në gjunjë te babaj
Te Pranvera, halle shumë, në Bulqizë, te vëllai?
Sa ne Fier, në Tiranë, kush kish më nevojë,
E të gjithëve ishte nëna: ndihmë dhe përvojë.

Kënaqësitë ti i gjete te fëmijët tanë
Novruzi edhe Bashkimi, Beni me Kamanë
Sona,Tushka,Yllka,Luli,Lina,Lela Arta, Mira.
Ti përcolle te ata vlerat më të mira.

Po dhe një plejadë stërnipash do lindi, do rrojë
Kjo tradita jote e lashtë kurrë nuk do shterojë.
Nena jonë, gjith' më e mirë, do jetojë me ne
Brez pas brezi do kujtohet, do ngelet e re.












                                       BEKTASHI-GUXIMTAR I RRALLË

                
                  Lindja e Bektashit, fëmijës së parë të Kaman Çipit, lidhet me një ngjarje, paksa, të çuditshme. Ishte dimri i egër i vitit 1925. Babai im, Kamani, me kuinçiterin e vet, autoveturë shtatë vendshe, transportonte pasagjerëgjirokastritë nga Vlora, për në qytetin e lindjes. Ishin nisur herët në
mëngjesin e 24 dhjetorit dhe në mbrëmje mbërritën në qytezën e Tepelenës.
Vendosën të shplodhen, të qetësohen e të pinë kafe në Bar – Restorantin e atyshëm, pronë e Zurdi Çipit, kushëri i parë i Kamanit. Aty morën vesh se, nga shirat e rrëmbyeshme kishte dal nga shtrati lumi Drinos dhe e kishte bërë të pakalueshme n Tepelenë-Gjirokastër. Skish tjetër zgjidhje. Atë natë do ta
kalonin në Tepelenë. Kushëriri gëzonte, se do çmallej me si vëllain e tij, që ish i mençur, i gjezdisur, muhabetçi dhe këngëtar i mirë dhe njëkohësisht, do arkëtonte më shumë para. Te salla e madhe e Hotelit u ndez zjarri, në një shporet me fuçi llamarine, që shpejt filloj të skuqej e të shpërndante ngrohtësi e kënaqi. Zyrdiu mendoj se, për këtë rast fatlum, do duhej një  grup muzikantësh ahengçij, ndonjë gramafon apo, të paktën, ndonjë çingije. Po aty nuk kishte. Atëherë u kujtua, dërgoj e grishi Makbulen, magjistaren dhe falltoren e famshme, që rridhte nga një fis orakujsh dodon'jan, vendosur në kala, qysh nga koha e Ali Pashajt. Ajo nisi të parashikoj fatin e secilit, duke zbuluar të fshehta të
habitshme e të pabesuara. Kur i erdhi radha Kamanit, që, jo rastësisht, kish ngelur i fundit, ajo i tha:
        -O, ho! Ja ku erdhëm dhe te djali më i lumtur i ditës…Ti, e ke nusen me barrë.
        -Nuk na the ndonjë gjë të madhe e të re. Unë këtë e di, se ajo, prej kohësh e ka barkun kaçup.
        -Mirë, mirë, po ti s'di një gjë tjetër që unë po e shoh me sytë e mi: ajo tani është duke lindur një djalë të mbarë e të bukur dhe, që nesër në mëngjes, kur të mërish te Qafa e Pazarit, do të të pres e të jap sihariqin xhaxhai yt.
         Dhe,  ndodhi tamam ashtu: Të nesërmen, kur ujërat e Drinosit ranë dhe zunë  shtratin, rruga u bë e kalueshme dhe pikërisht aty, te Qafa e Pazarit, te dera e shitores së vet, Xha Rustemi gjigant, dridhte mustaqet i gëzuar, dhe me padurim i transmetoj, nipit të dashur, lajmin e gëzuar.
        Emrin ja vunë Bektash, sipas traditës, në kujtim të gjyshit dhe për nder të tarikatit Bektashi, ku aderonte prej dekadash fisi ynë.                     
        Bektashi ishte i mbarë, i shëndetshëm dhe i bukur qysh në fillim. Nuk ndenji shume me prindët, se atyre, pas një viti, u lindi djali i dytë, Enveri dhe Bektashin e morën dajot e kamur në Fier. Merjemi. kunata e madhe pa fëmijë, e mbajti dhe e riti për tre katër vjet me përkujdesje e përkëdheli të veçanta.

        Familja e Kamanit u mbart, përfundimisht, në Vlorë në vitin 1934. Bektashi mbaroi shkollën fillore "Ismail Qemali" të lagjes Muradie dhe mori semimaturën në Shkollën Tregtare Vlorë. Dallohej në vizatim, bukurshkrim dhe muzikë. Mësimet e tjera, veçanërisht, matematikën, që sipas babait, ishte baza e kapacitetit intelektual, nuk e kish qejf. Prirej pas hekurave, automjeteve, lodrave dhe fyellit. Jepte e merrte, gjithë ditën me një flaut, të blerë me kursimet e tij dhe nxirrte me të lloj, lloj melodish. Shkurt, nuk ja vlente të vazhdonte më tej mësimet.
        Në moshën 14 vjeçare Bektashi filloi punën, pas shoferit italian Xhuzepe Tiboni, si ndihmës shofer, në një kamion diesel Fiat 26. Shoferë nga Italia dhe specialistë italianë të të gjitha profileve, fill pas okupacionit të Shqipërisë dhe shpalljes së Perandorisë Fashiste, kishte disa. Ata vinin këtu për të
përfituar nga lehtësitë e politikës favorizuese italiane: përjashtoheshin nga shërbimi i detyruar ushtarak (që në shumë raste kryhej në Abisini) dhe lehtësoheshin nga bara fiskale.

        Qysh në moshën 15 vjeç, Bektashi nisi të drejtoi, në mënyrë të pavarur, automjete të tonazhit të madh me rimorkio. Me një kamion 10 tonësh, me rimorkio, FIAT 66, lëvizte ditë e natë në t e vështira të Shqipërisë së madhe, sa në  Korçë, Gjirokastër, Prizren e Gjakovë, duke shpërndarë kripë deti vlore dhe duke sjellë drithëra buke e patate kosove. Këto rrugë të vështira, të ngushta, rëshqitse, në kushte lufte, rreziku për mitralimin nga aeroplanët anglezë, nga mësymje prej banditë e cuba gjithfarësh, kërkonin zotësi e sidomos guxim të rrallë.
        Siç dihet, ngjarjet historike, në vazhdimësi, krijuan shqetësime në jetën e përditshme të çdo shqiptari. Babai ynë, i kalitur në peripecitë e jetës, qysh kur ishte emigrant në Amerikë, asnjëherë nuk e humbi orientimin në drejtimin e biznesit dhe të familjes dhe, në kushtet e rënda të luftës, gjatë
okupacionit italian, në luftën italo-greke dhe më pas. Në Kompaninë e Autotransportit me Kamjona me emrin "PEGUÇI", njërin preje automjeteve e drejtonte, gjithnjë, Bektashi. Siç thamë, për të udhëtuar, sidomos në Kosovë dhe Maqedoni, por dhe për Gjirokastër, veçanërisht natën, duhej guxim dhe trimëri e madhe, deri në vetëmohim. Bektashi nuk e peshonte rrezikun dhe udhëtonte në çdo kohë, në mes të dimrit e të borës, me armët gati në kabinën e makinës, ku edhe shpesh flinte, në një krevat të posaçëm, ndërkohë që dublanti i tij drejtonte makinën, duke udhëtuar, bashkërisht, pa pushim, ditë dhe natë.
        Puna nuk u ndërpre edhe gjatë luftës me gjermanët. Ishte kjo periudha kur në mjaftë raste me këto mjete lëviznin fshehurazi shokë, miq dhe të afërt të Babait, Bektashit dhe Enverit, partizanë dhe ilegalë, apo transportoheshin armë, veshmbathje dhe ushqime për partizanët. Janë për tu përmendur transportet në luftën e Patosit, kur Bektashi u vu në dispozicion për disa ditë, me gjith automjetin e tij, lëvizja e guximshme e disa drejtuesve ilegalë të armatosur nga Gjirokastra në Berat, furnizimi me ushqime i partizanëve në zonën Vajzë-Sevaster, etj..

        Çlirimi i vendit Bektashin e gjeti prapë shofer me mjetin e tij, kamion,
FIAT 66. Edhe kur u rekuizuan nga shteti demokratik mjetet e transportit, në
vitin 1947, edhe një vit më vonë, kur u thërrit për shërbimin e detyrueshëm
ushtarak, deri në vitin 1948, Bektashi punoi shofer, me të njëjtin automjet.
         Bektashi ishte ndër të parët që krijoi Parkun Automobilistik të Mallrave në qytetin e Vlorës. Ishte, gjithashtu, i pari që mori në dorëzim dhe shfrytëzoi  kamionë Berliet Diezel, që erdhën nga Franca në Shqipi dhe u përdorën me sukses në rindërtimin e rrugëve, urave dhe objekteve të shkatruara
nga lufta, në transporte të vështira tubacionesh e makinerish  të veprave të para në Shqipërinë e porsa çliruar.
         Rezultatet e suksesshme në punë shpejtë sollën dhe vlerësime për guximin e rrallë, qëndrimin heroik, të pa lodhur në punë dhe në kujdesin e mirëmbajtjen e automjetit të dhënë nga shteti në përdorim. Bektashi u mbulua me shpërblime dhe lavdërime dhe ju mbush gjoksi me medalje dhe urdhra pune. Atij i dhanë  një autobus të ri tip SKODA, për transport pasagjerësh ne linjat interurbane. Ai ishte, siç quhej atëherë stakanovisti i parë në shkallë vendi, pjesmarës i lëvizjes Levçenko-Muhanov, iniciator i parë i lëvizjes përparimtare për të përshkruar 500 mijë kilometra, pa remont kapital me të njëjtin mjet, U bë, kështu, kandidati i parë dhe ishte gati për t'u shpallur "Hero i Punës Socialiste"
         Bektashi, gjithashtu, ishte fizikisht shumë i përgatitur dhe shumë i fort, i pa lodhur, rezistent ndaj të ftohtit dhe vishej shumë lehtë, me pantallona të shkurtra dimër behar, deri në moshe të rritur. Ishte mundës dhe boksier i mirë i peshës super të rëndë, mbi 115 kilogram dhe zor se i afrohej njeri, për t'u ndeshur me të. Ky trup kaq i madh, bile edhe me njëfarë barku, e bënte dhe më guximtar dhe sy patrembur atë. Ai, pavarësisht nga pesha e madhe, ishte dhe një vrapues i shpejtë, aqsa s'do ta besonte kush. Për këtë dëshmon edhe një garë spontane në qytetin e Fierit, kur në rrugën e asfaltuar, para
Axhensisë së Automjeteve u vu një bast, midis një atleti të ri dhe Bektashit, se kush do mërinte i pari në një vrap shpejtësie në distancë 200 m. U habiten të gjithë kuri pari doli  Bektashi, që fitoi  bastin dhe hëngri, po kaq shpejtë,një tepsi me  llokma kaposh deti të pjekur, të blerë aty pranë, te një tregtar ambulant, çka ishte trofeu i fitores.

         Ishte tamam kjo periudhe, viti 1967, kur sukseset e tij të bujshme dhe të merituara në punë dhe qëndrimi i tij i thjeshtë, tolerues e mospërfillës, ngjallën xhelozinë dhe smirën e rivalëve të tij, gjoja komunistë, që nuk mund ta
arrinin dot në rezultate konkrete me punë, në garë të ndershme, por i morën
krahët me shpifje, intriga dhe prapaskena. Atë e arrestuan në mënyrë të zhurmshme dhe e mbajtën nën presionin e torturave 8 muaj në qeli çimentoje, nën një hetuesi mesjetare, shpesh pa bukë dhe pa gjumë. Akuzat fillestare ishin aq të çuditshme sa dhe qesharake. Aludonin për komplote tororiste ndaj kryeliderit komunist, derisa mësuan se Bektashi ishte, për fat, i një gjaku me të. Rrëzimi i
kësaj akuze ka lidhje, kryesisht, me qëndrimin e pathyeshëm trimëror të Bektashit ndaj torturave çnjerëzore, por dhe nga një kontakt i nënës tonë, nëpërmjet kushërirës Sanije, direkt me Enver Hoxhën. Akt akuza ndryshoi dhe thuajse u bë krejt qesharake: "Mit marrje e përsëritur". Për këtë u o organizuan
konsulta me ekspert më të mirë të vendit, derisa zuri vend propozimi i penalistit të shquar, për kohën, vlonjatit A.Z. U shfrytëzua neni 204 i Kodit Penal dhe si  mit marrje u "vërtetuan" 5 raste mos kthim resit, për biletat e udhëtimit shitur nga i pandehuri,  me një vlefte 30 lekë të vjetra. Për këtë u dënua 7 vjet burg. Unë i ndoqa të gjitha seancat e komedisë gjyqësore dhe ja vlen diç të kujtoj:
        Hyn një mesoburrë, flokëverdhë e rrondokop:
       -Do më falni, shokë të Gjykatës dhe ti, o shok e mik i dashur, Bektash. Nuk desha të vija vullnetarisht, po më detyroi një oficer sigurimi. E si mund të vija unë e të tregoja për një shok?.
       - Hajde fol, thuaj ç'di, po mos vazhdo të shpifësh si deri tani. Ti s'ke ardhur i detyruar, se je qytetar i lire dhe me duar e këmbë zgjidhur. Shok e mik nuk më ke pasur dhe zor se do më kesh ndonjëherë. Koleg, po. Na lidhi puna në të njëjtën ndërmarrje. Kjo, që the ti tani, qe shpifja e parë. Së dyti nuk i kemi ne oficerët e sigurimit nga ata që të detyrojnë për kësi punësh. Dhe kjo është shpifja e dytë. Tani, le të dëgjojmë nga ti, me siguri, shpifjen e tretë.
         Dëshmitari tha se ishte shofer kamioni që punonte për eksport mallrash jashtë shtetit. ".Makinën time e kisha lënë në Durrës dhe erdha me tren deri në Rrogozhinë. Dola në anë të rrugës dhe shoh se një autobus me targë të Vlorës po kthehej nga Tirana për Vlorë.  Autobusi ish, gati bosh dhe në timon Bektashi. Ai, çështë e vërteta, sa më pa, e ndali makinën dhe më ftoi të ulesha në vendin
e fatorinos. Kështu që mua mu dha rasti ta shoh, me sytë e mi, krimin e tij. Ai e mbushi plotë me pasagjerë autobusin. Secilit i merrte nga njëqind lekë, ndërsa priste bileta pesëdhjetë lekëshe."
          -Fol i pandehur!
          -Po nga e pa dhe si e kuptoj, ky shpifës, që ato bileta nuk ishin me prerje 100 lekëshe, kur dihet se ne përdorim bileta sipas kilometrazhit, me numra shumë mikroskopike dhe unë për të dalluar përkatësinë e kilometrave me lekët, me ato numra fare të vogla, duhej të qëndroja i afruar dhe të vija rigën sipër tyre? Ju, zoti gjyqtar dispononi nga këto bileta, gjoja provë krimi. Ju lutem vini majën e lapsit në një shifër dhe kërkoni ta lexojë anëtari i gjygjit, përbri, megjithëse ai, në fakt, është shumë më afër nga vendi ulur i fatorinos së autobusit, me të cilin, në autobus, i ndan samari motorit.
          -Nuk lexoj dot gjë!  U përgjigj ndihmës gjyqtarja.
          -Ju thash që është shpifja e tretë dhe me siguri, kështu do jenë dhe të tjerat, se unë jam, krejtësisht, i pafajshëm dhe kot me keni torturuar tash 8 muaj.
           Te vijë dëshmitari, K.J.!
          -Ai nuk është më gjallë. Vrau veten me kontakt në rimën elektrike! Dhe vërtetë, himarjoti i ndershëm, kishte rënë viktimë e miqve të tij dhe kish deponuar në hetuesi të paqenat që i kishin imponuar, por iu ndruajt ballafaqimit dhe së vërtetës. ( Bektashi, sa doli nga burgu, të parën punë që bëri, shkoj i vendosi një tufë karafilash dhe ndenji gjatë e qau te vari, shokun e tij fatkeq).
           Të vijë dëshmitari tjetër!
           -O, profesori! Po, ky?
           -Ç'dini për çështjen, dëshmitar?
          - Me nxënësit e Gjimnazit, ku unë jap mësim, ishim vullnetarë për ndërtimin e hekurudhës Rogozhinë-Lushnjë, në një pikë të ndërmjetme, pak larg Rogozhinës, në Kantierin e Zhamës. Më duhet të kthehesha në Vlorë, për nevoja personale. Ndaloj në rrugë autobusin, që drejtonte Bektashi, me që kisha njohje me të dhe e porosis të më pres në Axhensinë e Rogozhinës 2 bileta për kthim.; i jap  dy 100 lekëshe, se biletat bënin nga 95 secila. Bektashi u kthye dhe më dha 2 biletat, por nuk më ktheu reston, 10 lekshen. Dhe unë nuk ia kërkova. Kaq kisha.
           - A e pranon krimin, i pandehur?
           - Më falni, zotrinjë gjyqtarë. Edhe tani ngelem krejt i habitur dhe i indinjuar, kur e kujtoj ngjarjen me hollësi dhe mendoj se krimin e vërtet, amoral, e pati bërë bash profesori, dëshmitari juaj.  Ai nuk i tha të gjitha këtu në gjyq, ashtu siç më porositi mua në atë buzë rruge. Ai më tha se biletën e dytë e dua për të fejuarën time. Kur e pash dhe e njoha ajo, fatkeqe, ishte një nxënëse shkolle, me të cilën, siç mora vesh, ky bandill, bënte dashuri.
              Mendoni se ku i kemi dorëzuar, në mirëbesim, fëmijët tanë. Dhe ka guximin, ky pusht, që të konsideroj krim mos kthimin e restos prej 10 lekë të vjetra. Unë, as e mbaj mend fare këtë, ndofta nuk kam pasur të holla. I krahasoni vetë dhe nxirrni përfundime për krimin dhe amoralitetin. Sidoqoftë:
Unë kam 8 muaj në qeli, ndërsa profesori, ndërkohë, besojse, ka ndruar 8 partnere.     
           -Pusho, i pandehur, se po e rëndon më keq veten!
            Ja kjo ishte tabloja e këtij gjyqi, pa avokat mbrojtës, por që siç tha gjyqtari apelit, Gaqo Sheshi: Edhe më i shquari i avokatëve të ishte nuk do bënte mbrojtje më të mire se vetëmbrojtja demaskuese e të pandehurit.
           Burgun Bektashi e vuajti në Bulqizë, duke punuar, fillimisht në galeritë nëntokësore të Zonës B dhe më pas, i ndihmuar nga Komandanti i Kampit, krushku ynë, Kolonel Hazbi Lamçe, doli në sipërfaqe dhe u vu në drejtimin e Sallës së Kompresorëve të Minierës. Edhe në burg, sipas deklamimit të bashkvuajtsve, mbajti qëndrim burrëror prej guximtari krenar e të pa thyeshëm, duke ndihmuar me sa kish mundësi njerëzit në nevojë e të dëshpëruar, për të kapërcyer sidomos fillimin ambjentus e të rrezikshëm deri në depresion e çmenduri. Ne, familjarët e tij, e ndihmonim, me të gjitha mundësitë, duke i çuar veshmbathje e ushqime e duke shkuar shumë here atje, bile dhe bashkë me nënën, gruan e tij dhe deri te Hanëmja, gruaja ime. Një barë po kaq e madhe për ne ishte dhe përkujdes dhe ngrohtësia për gruan dhe fëmijët e tij të vegjël, aq më tepër që Enveri dhe motrat e kunetërit  tanë ishin në Fier dhe Tiranë dhe nuk gjenin dot mundësi për ndihmë direkte.
          Duke e gjykuar veprimin tim te asj kohe tani, pas shume viteve, unë ndihem krenar për qendrimin e guximshem te atij momenti. E biseduam me Enverin dhe thame: Ç'qëndrim do mbajmë me vëllain tonë, kur mund të rezikohemi të gjithe deri në largim nga puna, kur kemi në ngarkin jo vetëm fëmijtë tanë por edhe familjen e vëllait të burgosur? Edhe arritëm në përfundim se sido që tëtregohemi,  gjithkush e di se ai është vëllau ynë dhe shumica do mendojnë se , po e mënjanuam, do sillemi edhi si hipokritë e të shtirur. Ndaj ne vendosem ta perkrahim, sa të mundim dhe ti rrijmë pranë. Gjatë viteve të burgut më takoi mua të shkoja 11 herë në Bulqizë, për ta takuar e inkurajuar, për ta furnizuar me ushqime e deri me libra, madje i shpura dhe shoqërova  për në burg edhe nënën dy herë, gruan tre herë dhe një herë vajzën e tij të vogël, që e deshte fort. Dhe për këto ndihem krenar.
           Dalja nga burgu nuk i dha fund halleve të Bektashit. Mos harrojmë që të tilla halle transmetoheshin, në ato kohë, edhe te ne, bile merrnin deri ngjyrime politike, dhe kishin pasoja morale dhe materiale. Bektashin as në punë nuk e pranonin. U desh ndërhyrja te miku im, njeriu i mirë, i mençur dhe humanitar. patrioti veteran Nonda Baka, atëherë Drejtor në ndërmarrjen e Bonifikimit Vlorë, që ai të fillonte, së pari, punë si shofer me një makinë fare të re riportabile 10 tonshe dhe më pas, si pompist në ofiçinë. Po hallet atë sikur e ndiqnin nga pas. Shkak bëhej dhe karakteri i tij krenar e i pa tolerueshëm ndaj çdo kompromisi e korrupsioni. Takoj që Drejtor Ofiçine aty të vinte një ish oficer sigurimi kuçjot, ish zv.kryetari degës së punëve të brendshme të Beratit. Ai, i mësuar me agjenturë, tentoi ta rekrutonte Bektashin në shërbimet e tij, duket të pa shkëputura, por ndeshi në reagimin e egër
demaskues. Kështu filloi të hakmerrej, duke thurrur intriga profesionale të stërholluara. U morr shkas nga një pako e ardhur nga jashtë shtetit, në adresë të Bektashit nga Qemal Çipi, djali ynë i xhaxhait, lindur në Turqi. Ai, dy muaj para kishte qenë vizitor ne Shqipi dhe te ne, në Vlorë. Ishte i deleguar i
shqiptarëve të Turqisë në Shqipi, me rastin e 35 vjetorit te çlirimit të Atdheut. Për demaskimin "e gjestit poshtërues" të dërgimit të pakos me ndihma nga një vend kapitalist për te ne, "vendi më i pasur dhe më i lumtur në botë, fanari ndriçues i njerëzimit", në Ofiçinën e Bonifikimit në Vlorë, do bëhej një mbledhje e madhe demaskuese për Bektashin, nisiatorin e kësaj "gjëme". Bektashi, që, për fat të mirë e morri vesh para kohe këtë farsë, vajti në mbledhje i përgatitur, duke marë me vete një fotografi  ku, ky djalë xhaxhai, kish pozuar i përqafuar me Enver Hoxhën, që, në fakt ishte kushëriri i dytë i tij, siç qe dhe vetë Bektashi.
        - Për kë më akuzoni? U tha Bektashi, me buzën në gaz.
        -Për një spiun të imperializmit, që të dërgon lëmosha në pako, nga jashtë shtetit.
        -Mos e kini fjalën për Qemal Çipin? Ja ku e kini: Të përqafuar, gushë më gushë me "udhëheqësin e madh të njerëzimit".
        Kështu shpëtoi Bektashi, këtë radhë nga arrestimi. Pokusuret nuk kishin të sosur. Ai transferohet ne Ofiçinën e Uzinës Sodë PVC. Edhe atje, me iniciativën e Sektorit të Propagandës  së Komitetit te Partisë Rrethit Vlorë, në bashkëpunim me Degën e Punëve të Brendshme, organizohet një "demaskim popullor", në një mbledhje të madhe, ku merrte pjesë vetë nën kryetari i Degës, i famshmi Meramet Hila dhe  inspektori special i K.P. legeni  Janaq Syko, shoqëruar me katër policë me prangat varur në brez. Këtë radhe ishte qëndrimi burrëror i Drejtorit të Ndërmarrjes, mikut dhe shokut tim të afërt, tërbaçjotit Bexhet Islam Gani, që morri përsipër rrezikun, e vlerësoi Bektashin si specialist të pa zëvendsushëm dhe të  domosdoshëm për fatin e Uzinës, duke e konsideruar atë punëtor, të sjellshëm e të pa fjalë. Me këtë qëndrim dashamirës  me peshë dhe vendimtar, ai iu kundërvu agjentëve të sajuar të parapërgatitur për ta riburgosur, mbasi ata shpifnin, duke e quajtur Bektashin  person të rrezikshëm
që i kundërvihej politikes së Partisë dhe propagandonte filma italian e turk, ndeshje të huaja sportive dhe kulturë perëndimore. Çështë e vërteta këto metoda pune ishin të shpeshta dhe bëheshin me qëllim që të mbanin të tensionuar situatën, në gjendje alarmi e frike, herë këtu e herë gjetiu, kudo në Shqipi, në dinamikë, siç thuhej .
           Po pse pikërisht, disa herë ishte në qendër të ngjarjes Bektashi?  Kjo edhe për faktin se ai ishte person mjaftë i njohur, vip dhe ekspozohej e imponohej, me qëndrimin e tij krenar. Ai i sfidonte drejtuesit pushtetarë e partiak me atë guximin, krenarinë dhe deri kapardisjen e tij, me mospërfilljen, veshjen, hovardallëkun, ecjen prej kapadaiu, motoçikletën ekstravagante e të rrallë për kohën, me ahengjet qe organizonte me shokët çakërrqejf, ku dallohej për zërin e tij të bukur e të ëmbël prej tenori, si në këngët e muzikës së lehtë, po veçanërisht si marrës në këngët labe e gjirokastrite dhe me gjithçka tjetër, sidomos me protestat e çiltëria për padrejtësitë dhe mangësitë.
        Edhe me rastin e prishjes nga shteti të shtëpisë sonë të Muradies për të ngritur një Hotel, Bektashi protestoi  me guxim e kuraja, publikisht dhe përsëri u rrezikua për t'u arrestuar, por këtë radhe i kishte më të forta pozitat. Unë punoja në Komitetin Ekzekutiv dhe kisha njëfarë peshe edhe sepse Kryetar në
Bashkinë e qytetit ishte Ivona Mone, një shoqja ime.
        Bektashi doli në pension, si invalid pune, në vitin 1986. Gjatë kësaj  kohe kënaqësia e vetme e tij ishte motoçikleta "Guzzi 500", me të cilën merrej, siç dinte ai, disa orë në ditë: E mbërthente, e zbërthente, e lante, e pastronte, e riparonte e modifikonte, që ajo të ishte, siç ishte në të vërtetë, e veçantë, mbresëlënëse, më e mira në shkallë vendi. Për çdo pajisje personale kishte merak dhe ishte qejfli. Ishte ndër të parët që porositi dhe solli një radio gramafon të madh me sy magjik, televizor italian tip "Fonola", orë superatllantik, antenë saç, biçikletë "Mifa",  motoçikletë"Jawa" 350 e deri autoveturë. Këto me kalimin e kohës, u bënë të zakonshme për këdo, por, mendoni ato vite fukarallëku masiv.

        Erdhën vitet "fatlume" të demokracisë dhe Bektashi i përkrahu pa rezerva ato. Por lodhjet dhe mundimet e kishin mposhtur, ndërsa sëmundja e diabetit ja kishte ulur rezistencën. Filloi të ndjente shqetësime në zëmër. Bëri, në Itali, ndihmuar nga fëmijët e tij të mirë, Fatmira dhe Bashkimi, operacion në zemrën e shkartuar, vendosi paicmeker, për rregullim rritmi  dhe mori kura të herë pas hershme. Një ishemi i mori gojën dhe krahun, që me gjithë vullnetin dhe përpjekjet këmbëngulëse, bëri disa përmirësime, por mangësitë e krijuara nuk i rikuperoi dot më plotësisht. Kishte ardhur koha që edhe paicmekeri të ndrohej.  
Vdiq në shtëpinë e tij, në lagjen Çole të Vlorës, në datën 8 mars  2001, ditën e enjte. Ceremonia e varrimit ishte e denjë për të. Trupi u vendos, siç kish lënë amanet, te vari i babait tonë, në Varrezën e Babicës, parcela nr.4.
    
                                 
     





                       E N V E R I – NJË BUKURI E GJITHANSHME

                                  


             Enveri, lindi një vit pas Bektashit, më 22 shkurt 1927, po në qytetin e Gjirokastrës. Kekea, siç i thërrisnim nënës sonë, thosh se Enveri erdhi i mbarë qysh i vogël, i shëndetshëm dhe i gëzueshëm. Kur, Bektashin fëmijë, e morën për ta rritur dajeshat, në Fier, nëna jonë gjithë dashurinë, ngrohtësinë dhe kujdesin e kaloi te Enveri, kujdes i veçantë që, pas këtaj, nuk iu nda asnjëherë. Edhe kur Bektashi u kthye në gjirin e familjes së vetë, pas 3-4 vjetësh, "bushaku" siç i thërriste, me xhelozinë fëminore, vëllai më i madh,
Enveri ishte më i preferuari i familjes. Këtë, në radhe të parë, e impononte me sjelljen e tij, prej "qengji" të urtë, me fjalën e ëmbël, mirësinë dhe buzëqeshjen e pa ndarë. Ishte e theksuar, më vonë, dhe këmbëngulja e tij, për ta mbrojtur këtë status. Kështu p.sh. bëhej nami, po mos të merrte thelën më të madhe, lodrën me të preferuar, vendin më dominues.
          Në Vlorë Enveri erdhi 7 vjeç dhe po aty e nisi, së pari vitin e ri shkollor në Shkollën fillore "Ismail Qemali" të lagjes Muradie. Qysh në fillim Enveri i vogël dallohej për një bukuri të gjithanshme, jo vetëm fizike, por dhe në cilësitë etiko-morale, në zgjuarsi, në përparimin në mësime, në sjellje, nëpunët jashtëshkollore kulturore artistike e sidomos në fizkulturë e sport. Dhe këto cilësi i ruajti dhe i lartoi gjithë jetës. Kudo ishte i pari, ndër të parët.                                
          Në qershorin e vitit 1938 Enveri përfundoi, me rezultatet maksimale, të pesë klasat e shkollës fillore në Vlorë dhe aplikoi në konkursin për të ndjekur, me bursë shteti, shkollën e mesme.  Kjo e drejtë u jepej nxënësve më të mirë, në shkalle vendi.  E fitoi  konkursin, megjithë intrigat e një nëpunësi të qeverisë, që tentoi t'ia jepte, këtë të drejtë, bashkfashatarve të vetë tragjasjotë. Enveri u vendos në Konviktin e Liceut Shtetëror Shkodër.
                               
         Ndërkohë Italia fashiste pushtoi Shqipërinë. Ishte ndikimi i ideve përparimtare të atdhedashurisë e të patriotizmës shqiptare, si dhe i hapave të para të lëvizjes komuniste, me Grupin e Shkodrës, që transmetoi edhe te Enveri konviktor, idetë revolucionare dhe ndjenjat kombëtare nacionaliste e antifashiste të kohës.  Tre ditë para pushtimit fashist në Shkodër u organizuan protesta masive popullore. Shpejtë filluan format e organizuara klandestine të edukimit dhe të kundërveprimit konkret, si lexim literature revolucionare, formulim e shpërndarje komunikatash, përgatitje konkrete ushtarake për përdorim armësh dhe lëndësh shpërthyese, për organizim demonstratash dhe protestash. Në protestën e datës 27 janar 1939, shumë kohë para okupacionit, ndofta e para në shkalle vendi, si dhe më 28 nëntor 1939, Enver Çipi ishte i përfshirë në manifestimin antifashist të Shkodrës, me rastin e festës kombëtare, duke thërritur, bashkë me nxënësit e tjerë, kryesisht konviktorë:"rroftë liria, rroftë independenca" Ai, ende fëmijë, qëndronte trimërisht përkrah Tom Kolës, Nazmi Rushitit, Emin Durakut, Sadik Bekteshit, të cilët u arrestuan dhe u mbajtën nën vërejtjen e karabinierisë së Shkodrës dhe më pas u përjashtuan fare nga shkolla. Në dhjetor të atij viti vazhduan protestat dhe demonstratat për lirimin e shokëve të arrestuar. Protesta arriti kulmin në ora 10 të datës 30 janar 1940, kur nxënësit nuk pranuan të hynin në mësim dhe, duke kënduar himnin e flamurit, ngulnin këmbë për lirimin e shokëve të tyre të burgosur. Ndër 40 nxënësit pjesmarës në protestë ishte dhe Enveri. Gjendja u bë aq e rrezikshme, sa ndërhyn me armë karabinieria, që e vendosi rendin me forcë. Në këto kushte Liceu i pabindur i Shkodrës u mbyll dhe "zullumqarët"  nga qeveria  profashiste u shpërndanë në shkolla të tjera ekuivalente, aktualisht më të qeta, duke mos menduar se ky ishte një  veprim më i dëmshëm për ta, se u shpërnda fara e urrejtjes antifashiste për të rishpërthyer dhe më fuqishëm kudo.
          Enveri u mbart në Liceun e Gjirokastrës, në vend lindje dhe u vendos në  Konvikt.
         Edhe në Gjirokastër, ndër liceistët, po përhapeshin të njëjtat ide antifashiste. Nisiatorë kishin qenë mësuesit patriotë, ku midis tyre dallohej profesor Shemsi Totozani, ardhur pak kohë më parë nga Shkolla e Mesme Tregtare e Vlorës, një nga vatrat e para revolucionare  shqiptare; tërbaçjoti, kujdestarkonvikti Muço Delo, etj. Atje Enveri, me shokë të ardhur nga Shkodra gjeti dhe të tjerëkonviktorë antifashistë, ku spikatnin disa kosovarë, me të cilët u lidh e ndërmori veprime të guximshme, sipas mësimeve dhe përvojës shkodrane. Midis tyre Enveri u lidh pazgjidhshmërisht me sekretarin e parë politik të organizatës së rinisë antifashiste, kosovarin Mazllum Shazivari dhe, pas vrasjes aksidentale e të pikllueshme të tij, me atë që e zëvendësoi dhe që takoi të ishte sërish i
ri nga Kosova, komunistin veteran Demlush Thaçi. si dhe me sekretarin organizativ Shaban Hasimin. U organizuan dhe këtu protesta, manifestime dhe demonstrata, u shtypën dhe u shpërndanë trakte dhe komunikata, u organizua mësimi i përdorimit të armëve dhe lëndëve shpërthyese dhe u bënë takime masive, deri në formë pikniku me programe të posaçme, ku gjithnjë ishte protagonist aktiv edhe Enveri.
          Kur lufta Nacional-Çlirimtare u zgjerua dhe u bë më aktive dhe Gjimnazi i Gjirokastrës u mbyll, ndërsa ne familjarisht u vendosëm në qytetin e Fierit, Enveri u përfshi, si i ri antifashist, në aksione direkte në teren, për të luftuar me armë në dorë, duke propaganduar për të zgjeruar lëvizjen me të ritë mallakastriotë, i caktuar në rolin e sekretarit organizativ të rinisë antifashiste të rajonit Levan, Mallakastër. Disa fotografi të kohës dhe dokumente tregojnë për veprimtarinë e tij, gjatë kësaj kohe. Për të gjitha këto Enveri u pajis me dëshminë e veteranit, pas interesimit tim dhe të fëmijëve, nëorganet përkatëse, se ai, me modestinë karakteristike të përhershme, asnjëherë nuk i ka kërkuar vetë meritat e shumta të tij.
        Menjëherë pas çlirimit Enveri, i liruar nga detyrat e rinisë antifashiste, shkoi në Tiranë, ku përfundon mësimet në lice dhe merë maturën me nota maksimale. Është kjo periudha më e spikatur sportive, kur u evidentuan dhe më shumë dhuntitë dhe përgatitja fizike dhe atletike e Enverit. Ai mori pjesë aktive në veprimtaritë fizkulturore e sportive në disa lloj sportesh. U dallua, mbi shumë të tjerë,në ushtrimet e gjimnastikës në vegla, në hedhjet e guximshme nga pedana elastike, në volejboll dhe në vrapimet me pengesa. Ai u përfshi në Ekipin Kombëtar të Gjimnastikës në Vegla, duke qenë në gjashtëshen më të mirë të vendit, si përfaqësues i Shqipërisë në disa Ballkaniada Sportive, të viteve të para pas çlirimit, në Tiranë, Sofje të Bullgarisë dhe Lubjanë të Sllovenisë. 
        Shokët e Enverit, me më pak vlera e merita, zunë shpejtë pozicione udhëheqëse e të privilegjuara, midis fitimtarëve. Enver Çipi, gjithnjë modest dhe i edukuar me ndjenjën e respektit dhe të drejtësisë, përsosmërisht i bukur, në kompleksin e cilësive fizike e morale, u kthye, sërish në familjen e tij nëVlorë, në qytetin e tij të dashur, duke u vendosur në radhën e njerëzve të thjeshtë, si ai guri i çmuar në gjerdanin e vetë. Filloi punë, si llogaritar i thjeshtë në Distilerinë "Skenderbeg", ish pronë e italianit Roberto Alegro, tani e shtetëzuar dhe që u bë një nga pionieret e industrisë së lehtë të Shqipërisë së re. Ndërmarrja ishte e vendosur në një vend të zgjedhur shkëmbor, buzë detit në Ujin e Ftohtë të Vlorës,në një panoramë mahnitëse, ndofta me perëndimin e diellit më të bukur në botë, ashtu siç mund ta përshkruanin vetëm penat e vlonjatëve të mëdhenj Ali Asllani dhe Isuf Luzaj. 

          Aty, në këtë vend përrallor për nga bukuria, Enveri kaloi vite të bukura e të paharruara sadisfaksioni jete, pune dhe mësimi. Ai, pati fatin të bjeri në duart e mjeshtërit kontabilist Jakup Vrioni, laureuar, si pak të tjerë për këtë specialitet në Itali, që mbartte, njëkohësisht, në personin e vetë, cilësi të jashtëzakonshme njerëzore dha bagazh të rrallë intelektual. Dijenitë e tij enciklopedike, për financën kontabilitetin, drejtimin dhe organizimin, Jakupi ia transmetoi, pa asnjë rezervë Enverit, duke i dhënë laurën e parë teorike dhe praktike. Ishte kjo shkollë e vërtetë, që e specializoi dhe e perfeksionoi atë, ndaj më vonë, kur edhe ai u kompletua edhe me arsimin e lart ekonomik, Enverin e vlerësuan si financierin dhe kontabilistin më të mirë të industrisë, në shkallë vendi.
          Edhe në qytetin e Vlorës Enveri u vu në ballë të rinisë vlonjate, i aktivizuar në jetën sportive të qytetit, duke marrë pjesë në volejboll dhe atletikë, si dhe në ekipin përfaqësues të Vlorës në gjimnastikë në vegla, ku u përfshiva edhe unë, për here të parë, si pjesmarës në Kampionatet Kombëtare të
Gjimnastikës të vitit 1956.
          Me vullnetin që e karakterizonte edhe pse pak i moshuar Enveri, me shumë sukses vazhdoi studimet me korrespondencë dhe u diplomua, në vitin 1960, si ekonomist i lart në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës.
          Ishte një periudhë disa muajshe, kur Enveri, duke iu përgjigjur thirrjes së kohës, kaloi në prodhim, si elektricist në ndërtim montimin e Fabrikës se Çimentos, por shpejtë e emëruan, po aty, si shef finance, qysh në ndërtimin e fabrikës dhe më pas, për disa vjet në shfrytëzimin e saj.
          Më pas, për vite me radhë, Enveri punoi si shef llogarie, kryetar dege e drejtor finance e kontabiliteti në disa ndërmarrje të Fierit, Ballshit, Patosit dhe Vlorës në degë të ndryshme të ekonomisë të industrisë, transportit, tregtisë dhe ndërtimit, duke u bërë kështu specialist i mirëfilltë, i kërkuar
kudo, në vendet më delikate e më të nevojshme, kjo edhe fal njohurive dhe shprehive politeknike teorike e praktike në të gjithë degët e ekonomisë  Kudo e konsideronin më të mirin, më të dalluarin, më të vlerësuarin, të shpërblyer e të dekoruar me disa medalje e urdhra pune.
          Duke u munduar të bëj një sintezë të jetës së vëllait tim të dashur Enver Çipit, unë mund të them me krenari se ai, për mua, ngelet një model i përsosmërisë fizike dhe morale, që gjithë jetën jam përpjekur ta ndjek e ta imitoj, por që kur se kam arritur dot. Model për aftësitë e tij të gjithanshme intelektuale dhe njerëzore, për karakterin e tij tepër burrëror e të përsosur, për besnikërinë këmbënguljen dhe vendosmërinë, drejtësinë e përhershme konkludive dhe dashurinë e tij të pa fund e të pa shtirë për njerëzit dhe farefisin, shkurt, një trashëgimtar direkt i cilësive më të mira të prindërve
tanë të pa harruar Kaman dhe Zeqirje Çipi.
          Erdhën vitet historike të ripërmbysjes së madhe, të proceseve historike social ekonomike, drejt liberalizimit demokratik kapitalist. Enveri i priti me entuziazëm rinor proceset e reja demokratike. Ai, si 50 vjet më pare, kur ëndërrohej për të mirën e përgjithshme të njerëzimit, u përfshi  edhe tani, ndër të parët, për të plotësuar, me korrektesë e ndershmëri, detyrat e reja të kohës. Ai, në moshë të madhe, dhe pasi kishte dal në pension, i rikthyer në Vlorë, u përfshi në nomenklaturat e reja bashkiake, fillimisht si financier dhe më pas, si drejtues kryesor i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave
ish pronarëve të ligjshëm.
            Këto detyra të rëndësishme u finalizuan me zhgënjim e dëshpërim. Puna e tij me pastërti dhe drejtësi pengohej, shtrembërohej dhe zbatohej ndryshe. Komisioni i ngritur nuk e morri plotësisht rolin e vetë ekzekutiv. Komitete të tjera u krijuan dhe ato interpretuan politikisht ridhënien e pronësisë, duke e cunguar të drejtën e ligjshme të Komisionit që drejtohej nga ai. Në këtë periudhë të vështirë tranzicioni u evidentuan përpjekje dhe hapa konkrete e padrejtësi njerëzore fare të pa pajtueshme me karakterin paqësor dhe fin të Enver Çipit, që e detyruan atë të tërhiqet vullnetarisht, duke dhënë
dorheqie nga kjo detyrë.
          Ndërkohë vitet ikin pa u kuptuar. Mosha drejt pleqërisë, sforcimet, zhgënjimet, lodhja, gjendja shpirtërore e stresuar, me dëshirat dhe aspiratat e pa plotësuara, luajnë rol vendimtar dhe në gjendjen shëndetësore e fizike.
Ngacmimet e pa princip të keqdashësve dhe shqetësimet nga ndërhyrjet brutale, i shkaktojnë sëmundje si diabeti, sintoma parkinsoni, acarim prostate, rritje tensioni arterial e deri kapsllëk.
          Të gjitha këto sëmundje, që sigurisht, e rendojnë tej mase fizikisht, Enverit nuk ja cenuan, deri në fund, asnjëherë, logjikën e shëndoshë dhe qëndrimet e konkluzionet konkrete e të sakta, për çdo problem të lindur, në mardhëniet familjare e farefisnore. Me guxim dhe optimizëm, si në gjithë jetën e tij, ai po përballon dhembje dhe mundime të gjendjes së acaruar e të disekuilibruar shëndetësor.



                                         NË AGONIN E VEROS

Me vajzat dhe gruan-tri ditë e tri net
Të shohim tek  vuan dhe dot nuk na flet.
Pranë teje jam ulur, po ti  s’je i qetë.
Kujton të kaluarën, si n’ekran  një jetë.

Linde dhe u rite, si femijë i mbarë
Bash në Gjirokastër, 80 vjet më parë.
Herët vjen në Vlorë, bëhe bregdetar
Në moshë feminore, gati, 7 vjeçar.

Shkollën fillore e kreve me nder
Me bursë të shtetit shkove në Gjimnaz.
Shkodra jonë e  lashtë, ky qytet i ndjerë
Miqsisht të priti, nxiti vrull dhe gaz.



Kur erdhën pushtuesit, n’atë vit të zi,
Me antifashistët në grup u rrjeshtove
Armikun pushtues, ti , ende i ri
Nise të godisje, ashpër ta luftoje.

Gjirokastër-Fier-Mallakastër- Vlorë
Ku ishte nevoja shkoje në çdo vend
Çoje partizanë me armë në dorë,
Formoje celula dhe bëje kuvend.

Erdhi dhe çlirimi, ti sërish mësove
Në Tiranë, maturën morre në Gjimnaz
Dhe në gjimnastikë vendin përfaqësove
Në garat finale, në Ballkaniadë.

Student u laurove nga Universiteti,
Financier i lart shpejt u riemrove
Te Distileria, në shkëmb, anës deti
Dhe në Çimento,  shumë vjet punove.

Ngadhnjeve kudo, përherë fatos
Financier, kontabël nuk gjendej si ti
Në Vlorë e në Fier, në Ballsh e Patos
Kudo ku shërbeve bëre histori.

Rite dhe dy vajza, bëre dy dhëndurë,
Dy nipa dy mbesa, qe s’të harrojnë kurrë
Ike, o vëlla i dashur,  po në mend, me mall
Kurrë nuk do vdesësh, je përherë i gjallë.

Tiranë,10.12.07     





ELEGJI PER MURAT BANIN

                                       




                                                                                                                                                                                            
                           PRANVERA- MOTRA IME E MADHE

                      

      A ka më të dashur se motra për vëllain? Them se jo! Mësuesi im i fëmijërisë, shumë i mençuri Xhevdet Kofina na porosiste:"Kur të rriteni e të bëheni për martesë do kërkoni të zgjidhni nusen, shoqen tuaj të jetës. Për këtë do pyesni, në radhë të pare, zemrën tuaj. Do t'u duhet të këshilloheni edhe me të tjerë, se është hap i madh në jetë dhe shorti mund t'u çojë te djalli dhe në vend te gjeni bashkëshorten ju vjen bashkësheri. Unë ju them që, më mirë, nënën plakë, njeriun tuaj më të afërt, vetëm për këtë, mos e pyesni. Ajo do preferonte, në radhe të parë, një grua tejet të shëndetshme, të fuqishme, që edhe ta ndihmonte atë, tashmë të lodhur e të stërmunduar, në punët e shumta të
shtëpisë, paçka se nusja mund të jetë edhe pak budallaçkë. Të jetë kështu - më mirë akoma, se s'mund të ishte më e zgjuar nga djali i saj dhe, nga ana tjetër, nuk do tentojë ti heq së vjehrrës kyçet nga brezi. Mos pyetni as babanë: Ai do kënaqet vetëm po qe e sojme, t'i thotë lepe e peqe dhe t'i bëjë hyzmet. Vëllait nuk do ti vijë mirë që ti ta kesh nusen më të bukur nga e tij. Kunatat po, si kunatat- duan të jenë superiore.  Motra dhe vetëm motra e do nusen e vëllait pa interes, më të mirën e nuseve dhe që t'u mburret shoqeve të sajë dhe gjithë botës".
          Kështu bëra edhe unë. Së pari pyeta Verën, motrën e madhe, për të zgjedhurën time të zemrës. Ajo vajti vetë te shtëpia e Banajve, rrëzë Budakut, gjoja për kontroll shtetëror sanitar. Ajo e takoi personalisht, bisedoi me të dhe me familjarët e sajë dhe, pasi hetoi mirë dhe gjatë, tha: "Ajo është nuse
për ty dhe për shtëpinë tonë".
          Pranvera më kujtohet, teksa rritej, që e mitur. Ajo ishte vetëm dy vjet më e madhe nga unë. Po, kjo diferencë e vogël, më ishte bërë e pa arritshme. Motra ime më dukej si një ylber ngjyrash e drite i pakapërcyeshëm: bardhoshe, plotë shëndet, bukuri dhe shkëlqim, me atë pamje e profil të përkryer, si të Dianës mitologjike.
          Pranvera lindi në qytetin e Gjirokastrës më 1 Korrik të vitit 1932 dhe erdhi në Vlorë motake.
           Ishte gati 10 vjeç kur, për pak kohë, gjatë luftës Italo-Greke, u mbartmë provizorisht në Fier. Nuk më hiqet nga mëndja dhe e ruaj te freskët momentin e kthimit, pas lufte, nga Fieri për Vlorë. Ura e Mifolit ishte bombarduar dhe ne, për të kaluar Vjosën, prisnim lundrën prej druri, të lidhur me kavo nga të dy anët e lumit… Me një shami të bukur, shumëngjyrëshe, në kokë dhe me dy gërsheta të plota, që i vareshin mbi supe, ajo, megjithëse 13 vjeçare, tërhiqte vëmendjen e të gjithë njerëzve, që s'ia ndanin sytë të habitur, sikur të kishin të bënin me një nimfë, dal nga thellësia e lumit shekullor. Mua më
vinte inat dhe me zi e mbaja veten, kur ata, siç me dukej mua, e shikonin sy zgurdulluar, me paturpësi e lakmi. Ky nur i bukur sa vinte e shtohej, duke arritur kulmin, pas moshës 15 vjeçare.
           Vera lexonte shumë dhe me mësime vente mirë. Nuk e kam kuptuar asnjë herë pse nuk e vazhdoi shkollën e mesme. Ajo bëri aq shkollë sa e ëma e saj. A thua një gjeneratë e tërë nuk mjaftoi për emancipimin e realitetit shoqëror shqiptar?
             Pranvera, e kufizuar rreth shtëpisë, me ato shoqet e pakta të sajë, nën kujdesin dhe mësimet e nënës, shpejt u bë një amvisë dhe administratore e vërtetë. Ajo u bë mjeshtre në qepje, qëndisje me gjergjef, në punët me shtizë dhe në gatimet e shumëllojta, duke konkurruar të ëmën, që dallohej në këtodrejtime. Në katër-pesë vjetët e para pas çlirimit ne, familjarisht banonim në lagjen Skelë të Vlorës, në vilën tonë, ndërtuar vite më pare, asokohe e vetmja banesë definitive e komode e të gjithë zonës. Çdo gjë e bënim vetë, në sipërfaqen e shumtë dhe të begatshme, që dispononim për rreth: Kishim, thuajse gjithë vitin, rrush, fruta e zarzavate të çfarëdoshme, si dhe, nga lopët tona të racës së zgjedhur: qumësht, bulmet e djathë me bollëk
              Miqësia e hershme e babait tone me Rexhep Sulejmanin, si patriot e veteran i shquar i disa lustrave për liri dhe njeri i shkolluar e i pasur, si dhe shoqëria e afërt, në punë të përbashkët, e djalit të tij Piro Rexhepi me Enverin, vëllain e dytë të Verës, ndikuan në njohjen e tyre dhe në fejesën e martesën e Pranverës në moshë të re.  
              Shumë të pakta ishin çastet e lumturisë së plotë e të shkujdesur të çiftit të ri. Rrallë në jetë shkojnë gjërat fjollë, në gaz, hare e lumturi.
Më shumë ka vuajtje e mundime, shqetësime e preokupime, luftë për mbijetesë, që dhe këto i japim kuptim jetës dhe i vendosin në zjarrin e provës bashkëshortët.
Në ketë periudhë Vera u infektua me mikrobin e TBC.-ës, një sëmundje e shpeshtë, por shumë e rëndë për kohën. Dëshpërimi për këdo ishte i madh dhe befasues. 
Babai ynë i rreptë dhe autoritar në dukje, për mua, shprehu dëshpërimin më të madh, ndofta nga që e deshte dhe e kishte gëzuar më shumë këtë lidhje të re, përfaqësuese të miqësisë së vjetër. Atëherë e pash, në një moment, babain fshehurazi, duke qarë me dënesë, me lot e psherëtima, në një qoshk pas oxhakut, në tarracën e shtëpisë të lagjes Muradie në Vlorë. Kjo, më ka ngelur në kujtesë, se unë e përfytyroja babain tim mjaft burrëror, që kish kaluar me guxim çaste dramatike dhe asnjë herë tjetër se kishte lëshuar veten në dëshpërim ekstrem           
                  Vera u kurua intensivisht, pa kursyer gjë, me medikamentet më të fundit, porositur te njerëzit tanë, deri në Amerikë. Këtu, si dhe më pas duhet theksuar qëndrimi tejet dashamirës, guximi, vendosmëria dhe përkujdesi e inkurajimi i jashtëzakonshëm i Piro Rexhepit, djaloshit të ri, që, në këtë rast, u tregua pinjoll i denjë i një dere të madhe  bujare e fisnike. Por, kryesore për këtë sëmundje të rëndë, si dhe për të tjerat, që pasuan, pa u kursyer (veshkat, operacionet, diabeti) është guximi dhe optimizmi i Verës tonë të dashur, shumë të vuajtur, por të pamposhtur.
                  Pranvera, kryesisht e mbi çdo gjë, ngelet një bashkëshorte ideale, amvisë e zonjë shtëpie, që e ndihmoi në çastet e vështira dhe e ndoqi nga pas, këmba këmbës bashkëshortin e vetë, duke i shërbyer, reciprokisht, me devocion e besnikëri. Ajo punoi, deri sa doli në pension, në punë shtetërore si llogaritare, shitëse dhe rrobaqepëse, duke u dalluar për mardhënie korrekte me shoqërinë e punës. Ajo diti të krijoi mardhënie të ngrohta miqësore me
farefisin, miqtë dhe shokët e shumtë të burrit të sajë, duke i pritur dhe përcjellë, sipas traditës së fisit dhe të fshatit Vajzë, dalluar për zakonet tradicionale të mikpritjes labe. Të tre fëmijët e mi: Lindita, Arta dhe Kamani, që vazhduan, secili për katër-pesë vjet studimet në Universitetin e Tiranës, shtëpinë e Verës dhe të Piros në Tiranë, e kishin vatrën e tyre të relaksit, ku gjenin ndihmë, kënaqësi e mikpritje të vazhdueshme. Te ata u kultivua një dashuri e veçantë për hallën e tyre të madhe, fjalëpakë e punë shumë, duke e adhuruar dhe kujtuar përherë.
              Vera lindi, rriti dhe edukoj dy fëmijë të mirë: Tushkën (llogaritare) dhe Arbenin (jurist), i martoi ata dhe i nxori në jetë dhe, bashkë me Piron gëzuan trashëgimtarët dhe bashkëshortët  e tyre të
mrekullueshëm.       













                                               TEUTA 
                                    MOTRA  IME  VOGËL  


                      Tefta, apo Teuta, siç u quajt më vonë, duke ia marrë të dy emrat mbretëreshës, Teutës së Ilirisë, është motra jonë më e vogël. Ajo ishte pjellë e vonuar dhe e gëzueshme e prindërve tanë, që përshëndetën, me këtë rast, mbarimin e peripecive emigruese, për shkak të luftës dhe të okupacionit italo-gjerman si dhe të rikthimit në Skelën e Vlorës, çka ishte dëshira dhe qëllimi i jetës së tyre. Teutashpejtë u bë përtëritja dhe gëzimi i gjithë familjes, që prej gati dhjetë vjetësh, nuk e kishte ndier gëzimin e zërave fëmijnorë. Ajo lindi më 19 tetor të vitit 1945, pikërisht në dhomën e prindërve të vilës sonë në Skelë, në katin e dytë, në qoshkun veri lindore. I kam të ndjeshme ende rënkimet dhe përpëlitjet e nënës sonë, ashtu si i pashë, kureshtar dhe i dhembshur, nga bira e çelësit të derës
                 Gjatë viteve që ndenjëm në shtëpinë e Skelës, për Teuten
kujdeseshin të gjithë, si për një dërgesë të papritur të Zotit. Dhe ata, që
interesoheshin për të nuk ishin vetëm nëna dhe pjesëtarët e familjes, por dhe xhaxhesha jonë, teto Ruhua, e ardhur te ne, nga Gjirokastra, pas vdekjes së djalit dhe burrit të saj. Ajo ishte një grua e urtë, shumë punëtore, e shkurtër, po që nuk dëgjonte mirë nga veshët. Teuta qeshte shumë, si një fëmijë i mbarë
dhe i shëndetshëm që ish, por dhe kur qante, si çdo fëmijë, tetos i dukej sikur qeshte."Moj xhiko, i thosh të kunatës, shihe te jatroi bilën, se mos i bën keq e qeshura e tepërt. Çështë kjo marrukë, gjithë ditën e perëndisë gojë hapur?" Edhe të pesë djelmoshat, ish ushtarakë të ushtrisë italiane të kapitulluar, që punonin në ekonominë tonë ndihmëse, por që trajtoheshin si pjesëtarët e tjerë të familjes, të malluar për fëmijët  dhe nipat e tyre  të largët, e mbanin, e përkëdhelnin, e  shëtisnin me karrocë, e hidhnin dhe e pritnin me dashuri, gjatë gjithë kohës së lirë, pas pune.  
                  Pas tre–katër vjetësh, pushtetarët, neve na detyruan të mbartemi familjarisht te shtëpia tjetër, në lagjen Muradie të Vlorës. Vilën e Skelës e sekuestroi Ushtria Kombëtare, me që ishte afër kazermave, për ta përdorur si Ambulancë Ushtarake. Në Shtëpinë e Muradies kishte shumë banues.
Atje, në shtëpinë tonë private, jashtë vullnetit tone, Shteti Socialist strehoi dhe qiraxhinj të tjerë  Ne na vendosën herë në dy e herë në tre dhoma, të katit të dytë plus kuzhinën, në vend të 8 dhomave, që kishim në Skelë. Vëllezërit, që ishin krahë pune dhe mbështetja kryesore e familjes, shkuan ushtarë. Babai, që punonte në UNRA e më pas, në Transportin   e Kooperuar dhe në Shtet, u shkurtua nga puna. Filluan reformat dhe shtetëzimet dhe e ashtuquajtura thellim i luftës së klasave. Pra shumë halle dhe probleme të reja lindën. Teuta doli nga qendra e vëmendjes             
                    Në vitin 1953 na vdiq babai, ne moshë të re, 58 vjeç. Teuta nuk ishte veçse 8 vjeçare. E veshur me çorape e fustan të zi dhe me një fjongo të madhe të zezë në flokë, ajo dukej si e madhe dhe e pjekur para kohe. Ajo shkonte sa te njeri e te tjetri pjesëtar i familjes dhe, me ato fjalë të zgjedhura e të bukura ngushëlluese, u bë lehtësim e kuraja për nënën dhe për të gjithë ne. Ajo kalonte te secili, na puthte e na përqafonte dhe me sjelljen e saj na ndillte guxim e optimizëm. Ishte për t'u çuditur, ku e gjente ky fëmijë këtë gjallëri e frymëzim. Nuk e konceptonte dot, vogëlushja, që babai i sajë i dashur nuk do kthehej më dhe pas kësaj, do përkundej në shtrat e vetme, në gjirin e nënës, pas së cilës u lidh, gjithnjë edhe më shumë. Lidhja dhe afiniteti me nënën u bë edhe më e fort me kalimin e viteve, duke kapërcyer me të halle dhe vështirësi të shumta të fëmijërisë dhe adoleshencës.
                     Tefta kreu Shkollën 7 vjeçare Modelore "4 Heronjtë Topanasë" dhe Shkollën e Mesme "Halim Xhelo", në qytetin e Vlorës.  Ajo, kudo, ishte modeli i përpjekjeve për kryerjen sa më mirë të detyrave të veta. Fëmijë me sjellje shembullore dhe nxënëse e dalluar, ndër më të mirat e shkollës dheshumë e angazhuar në punët shtëpiake. Ajo e kish pasion leximin, si të gjithë ne, duke përfituar nga biblioteka e pasur e librave, trashëguar nga babai dhe e pasuruar vazhdimisht prej nesh. Nga ana tjetër ajo ishte një aktiviste e dalluar shoqërore, duke u marrë pjesë gjallërisht në jetën jashtëshkollore, në aktivitetet sportive, kulturore e artistike.                    
              Studimet e larta i kreu në Tiranë, në Institutin e Lart Pedagogjik, duke u diplomuar si mësuese matematike.
              Ndërkohë jeta në familjen tonë patriarkale vazhdonte sipas normave tradicionale. Edhe martesat bëheshin si qëmoti, ndofta me njohje e pëlqim të të interesuarve, por gjithnjë me mblesëri dhe pasi i nënshtroheshin logjikës krahasuese dhe paranjohjes fisnore të së ashtuquajturës fisnikëri e pastërti racore në disa breza..
              Por Tefta, sidomos aty në Kryeqytet, ecte e zhvillohej bashkë me kohën, duke u ndryshuar dhe u emancipuar çdo ditë.
              E bukur dhe e shkathët, ashtu siç ishte motra jonë, balli i  shoqeve atje, në Kryeqytet u njoh dhe u miqësua me një djalosh vendës, Edmond Reçin, që në fakt u bë bashkëshorti i sajë i gjithë jetës. Ai, asokohe, ishte i pa punë dhe që, për arsye familjare i kishte ndërprerë studimet e larta. Për më tepër Edmondi takoi të ishte verior, katolik dhe në origjinë fare të pa njohur për ne. Po në të njëjtën kohë për motrën tonë pati propozime fejese nga kandidatë shumë të preferuar, të shkolluar e të punësuar, bijë të familjeve të njohura, të konsoliduara e fisnike, që kërkonin seriozisht dhe me insistim lidhje martesore.
                Kjo krijoi një kontradiktë serioze familjare. Në ballë të kundërshtimit tëlidhjes me kandidatin e panjohur, u vu vëllai i madh. Ai, si burri në moshën më të madhe, mbante dhe përgjegjësinë e kryefamiljarit. Unë, pa u thelluar shumë, në shenjë solidariteti dhe besnikërie, mbështeta fuqimishtvëllain e madh. Duket se këtë e bëra duke e peshuar materialisht, me logjikë të thjeshtë matematike, se si mund të ishte më e mira dhe më e sigurta, për Teutën, pra, jashtë ndikimit determinues shpirtëror. Duhet thënë se, fillimisht, kur ky problem u shtrua në "Këshillin Familjar" të gjithë për këtë zgjidhje ishin  Më tej, pas këmbënguljes insistuese të Teutes, u gjet, fillimisht, mbështetja e nënës tonë të mirë dhe, më pas, e  vëllait të mesëm, Enverit, që dhe si për shumë probleme të tjera familjare, ka qenë më i matur, më i logjikshëm dhe më liberal.
               Futja e vëllait te madh, Bektashit, në burg e vonoi mirëkuptimin tonë dhe mua, tashmë me një shkak solidariteti më shumë, më la në një barrikadë me të. S'ka dyshim që ky ngelet një gabim i pa falshëm për mua, që më ka rënduar shpirtërisht, në vazhdimësi. Ky faj bëhet më evident, i matur dhe i gjykuar nga koha.
               Duke analizuar rrjedhën e ngjarjeve mund them se, megjithë vlerat e shumta e të pa kontestuara të Teutës, motrës sime të vogël, për të nuk mund të gjendej burrë më fisnik e ideal se Edmond Reçi. Pa dyshim merita e madhe për këtë i ngelet vetë Teutës, që e zgjodhi dhe e ruajti fortkëtë fat, të bekuar nga Zoti. Ky nuk është vetëm mendimi im, por dhe i Hanëmes, Anit, gjithë familjes sime.
               Teuta punoi, si mësuese matematike dhe nëndrejtore në një shkollë
8 vjeçare në Kryeqytetit dhe kurdoherë u dallua si metodiste dhe administratore
e talentuar.
             Të tre fëmijët e mi e kujtojnë me respekt e dashuri dhe nuk dinë si t'ia shpërblejnë kujdesin shumë vjeçar dhe mikpritjen e bujarinë e treguar, kur ata, duke e pasur afër konviktit, e vizitonin shpesh familjen Reçi dhe kurdoherë gjenin të gjitha të mirat te Halla e tyre e dashur.
                 Mrekullia për Teutën nuk mbaron me Mondin por dhe me vajzat e tyre, po kaq të mira, të ditura e të mençura, Rakelën dhe Sonilën, si dhe me burrat e rrallë, që ato patën fatin të zgjedhin për
bashkëjetesë.                     
























                                        F A M I L J A   I M E


                                                              HANËMJA-
                                                       DASHURIA MË E MADHE



                                                     
    Hanëme Banin, gruan time të ardhshme, unë e dashurova me shikimin e parë.
Atë e njoha krejt rastësisht. Më kujtohet, kjo njohje si sot, megjithëse po rrokulliset gjysmë shekulli. Ishim, pikërisht, para sheshit Tomson, në lagjenMuradie Vlorë, për fat, para shtëpisë ku unë kam lindur. Po bisedonim me një mikun tim, Kiço Dhimitrin, gati dhjetë vjeç më të madh, që aso kohe ishte
kryeinspektori i tatime taksave në pushtetin lokal, kur ai, në një bisedë të rastësishme, më pyet:
-Po, pse nuk martohe ti, o Luan? Tani, sikur, je në moshë, gati njëzetë e pesë vjeç. Ç'pret? Akoma do të rritesh?
-Ke të drejtë, Kiço, ia kthej unë, po ku të gjesh një vajzë të denjë për bashkëshorte.
-Vajza të mira e të denja për ty ka plotë. Jam i bindur, që, për këtë ato luten.
-Ato që luten për mua, unë si pëlqej, por ç't'i bësh se, për atë që lutem unë, ajo, s'ma var fare.
-Po kush të pëlqen ty? Më thuaj mua, t'i flas, se me siguri ajo nuk sheh mirë nga sytë dhe nuk të njeh, siç të njohim ne, në familje, në lagje dhe në jetë. Kush është ajo, ma thuaj!
Ishte kjo pyetje, që kërkonte një përgjigje. Ç't'i thosha? Unë po bëja shaka, se as që e kisha shtruar këtë, si problem për zgjidhje. Kisha ende detyrime e detyra të tjera, siç qenë provimet e formimit dhe marrja e diplomës në Fakultetin Ekonomik, arritja e normës mjeshtër sporti në "Ngritje Peshe", marrjae patentës për drejtim mjeti, perfeksionimi i rolit të personazheve që luaja në Teatrin amator të qytetit, ngritja e nivelit në mësim dhënie në Shkollën e Mesme Financiare të qytetit dhe kryerja sa më mirë e detyrës në punën shtetërore, që kisha.
Ishin këto meditime, kur shfaqet, aty befas, duke kaluar para nesh një vajzë e bukur …
-Mua, o Kiço, që mburre se zgjidh gjithçka si me magji, më pëlqen, pikërisht, ajo  zogëza pupulake, që po shkon aty, para nesh, rrëze murit, si e trembur. I thua dot gjë, për mua?
Dhe vërtetë, Hanëme Banin, gjashtëmbëdhjetë vjeçare, sikur ta kishte porositur ndokush, po kthehej e vetmuar nga pazari, ku ishte te ëma, që shiste nallane.
Ajo, do shkonte për në shtëpinë e vet, aty pranë. Ishte e veshur me një fustan basme me kuadrate, që e ngushtonte dhe ia nxirrte më në pah shëndetin e moshës në rritje dhe gjoksin e buisur, që duket se e ndjente si mbipeshë të parakohshme, ndaj, në përpjekje për ta fshehur, ikte me kokën  të ulur e mekurrizin pak të dalë, me  hapa të shkurtra e të shpejta. Me atë fytyrën rrumbullake, me faqet e kuqe me gropëza, me ato flokët gështenjë të lidhura nga pas me një fjongo, në ngjyrën e fustanit, me ato sytë e mëdhenjtë e të ndritshëm dhe vetullat e pa ngacmuara, të plota e të zeza, dukej si një engjëll i bukur e i pafajshëm. Ishte vërtetë një engjëll i dërguar nga qielli, për të tërhequr vëmendjen time, në këtë mbas dite të zakonshme vjeshte, kur rrija për t'u shlodhur i shkujdesur e bëja një bisedë kote, me një komshiun tim të vjetër. Të duket vërtetë çudi, si nisi kjo ngjarje, kaq rastësisht dhe u bë jeta ime e
gjatë dhe e vërtetë.
Kiçua, që filloi dhe ai ta kundronte bukuroshen, nisi të tregoj më shumë interes dhe më pyeti:          
-Po, e njeh ti atë? E di se kush është? Ia njeh familjen, babën, nënën.
-Si, ore, nuk e njoh. E kemi vajzë lagjeje. Dhe nis e i shpjegoj Kiços për ato që kërkoi.
-Nuk e ke keq. Paske sy të mprehtë dhe kërkesa superiore. Edhe mua më pëlqeu shumë, që në shikimin e parë. Çështë e rëndësishme ke rënë në një familje të mirë, se unë, për fat, i njoh nga afër. Kam marrëdhënie të hershme me ta, jo vetëm se i kemi në lagje, po janë taksa pagues, që lidhen me mua, nga që kanë një punë artizanale private, me të cilën meret e gjithë familja. Mos u bëj
merak, kjo punë do përfundohet!
Kështu, si me shaka dhe fare kot, nisi një aventurë maratonomake, që zgjati gati dy vjet. Pati pengesa dhe ngatërresa të shumta, po, me sa duket, çështë nisur për t'u bërë, do bëhet. Prapë këtu, diçka e pa shpjegueshme, thuaj hyjnore, i kapërceu këto vështirësi dhe, më së fundi, u lidhëm përfundimisht.
Ja si e shprehja shqetësimin tim në ato kohë:


         Natë dhe ditë.
Për orë dhe çast
Mendoj për ty,
Plotë shpresë dhe gaz.

Tri here u linde,
Po, perëndove,
Tri herë u ndeze,
Po, prapë u shove.

Kurrë, më së fundi
Do marrësh jetë,
O frutë i mundit,
Ti, jeta vetë?

Jepe pëlqimin,
nëse më do.
Shtoma gëzimin,
Mos më vono.

Ma dha Haxhiu,
Ma dha Murati,
Haxhi-Murati.
E di Sazani
Dhe Ramadani
E di gjithë fshati.

Të gjithë thonë
"Mos u nxito,
kjo punë-mbaroi,
se, ti e do".
Mbaron, mbaron
Po, pas sa dite?
Se, ditët mua
Më duken vite.

Jo, jo, nuk mundet
Më shumë të pres.
O fjala sot,
O, nesër vdes.

Më tej ishte një kënaqësi e pa fund, gjithnjë në rritje. Si të thuash, pa
mëdyshje, ne formuam një çift me mirëkuptim të plotë. Kurrë nuk e lëshuam njeri
tjetrin. Me kalimin e kohës, "jo vetëm që s'u sos mjalti, në këtë qyp të pa fund", jo vetëm që nuk u zvenit dashuria, po, u shtua dhe u rrit nga dita në ditë, duke u bërë një dashuri e madhe ideale, përmua, e pa krahasuar me asnjë dashuri tjetër. Çka kam thënë e po them, le tëmeret si të dojë: Unë disponoj një masë të madhe dashurie. Secili nga shokët, miqtë, farefisi, të njohurit dhe fëmijët e mi kanë pjesë të vetën në këtë dashuri, por pjesa më e madhe i ka takuar, i takon dhe do ti takojë, sa të kem mënd, frymë e ndjenjë dashurie,
Hanëmes time të shtrenjtë, kësaj përsosmërie të urtësisë, gatishmërisë, sakrificës dhe mirësjelljes njerëzore.
Kemi mbi dyzetë vjet njohje e bashkëjetesë dhe gjithnjë jemi marrë vesh plotësisht, për çdo gjë. Kjo, në radhë të parë, për qëndrimin tejet tolerues të Hanëmes, në të mira e të këqija, në gëzime e hidhërime, në hallet dhe vështirësitë e shumta e të pa pritura të jetës. Një shoqe e rrallë, një grua e
mrekullueshme, një amvise e përsosur, e pa përtuar, e pa lodhur.
Kurdoherë do ta gjeje me diçka në duar, me gërshërë e gjilpërë për të prerë rroba të reja për secilin, për të qepur e arnuar me durim, duke ia përshtatur veshjet, sipas moshës njeri tjetrit; me shtizë e grep për të turrur triko e çorape, dantella e qëndisma; gjithnjë me thikë, lugë, pirun e pjata në duar, duke përgatitur gjellë dhe ëmbëlsira të shijshme. Nuk ngeli një ditë pa gatuar, duke e bërë këtë me pasion e dashuri, duke shpërndarë te të gjithë, nëpërmjet lugës dhe pirunit, pjesë të mirësisë së saj të pafundme.
        Ajo u bë një nënë ideale, jo vetëm se lindi fëmijë të mirë e të shëndetshëm, i mëkoi me gjirin e vetë për një kohëtë gjatë, i përkundte e u këndonte ninulla e këngë, vjersha e përralla të gjetura, por edhe që i mësonte e i edukonte, duke i kushtuar secilit, disa orë çdo ditë. U kujdes për shëndetin dhe kalitjen e tyre, për t'i përgatitur në përballimin e vështirësive  të jetës, në çdo drejtim. Dhe të gjitha këto me një takt pedagogjik të veçantë, të diferencuar, për çdo njërin, sipas dallimeve të karakterit vetjak. Gjithnjë ka qenë në mirëkuptim të plotë me ta, duke përjashtuar mjetet e dhunës, megjithëse
ato ishin të pranueshme dhe karakteristikë e kohës.
Hanëmja e tregoi akoma më mirë veten, sidomos, kur filloi të punonte jashtë shtëpie, doli në jetë dhe u integrua në shoqëri. Ajo bëri hapa të shpejta dhe të vendosura, duke u treguar shumë e dashur, e sjellur dhe e afruar me shoqet e femëror, me hyrje e dalje e shoqëri të zgjedhur, gjithnjë fjalë ëmbël dhe e
sinqertë.
Vazhdimi i shkollës së mesme pedagogjike dhe përfundimi me sukses i studimeve të larta, për gjuhë-letërsi, e plotësuan akoma më shumë nivelin e saj arsimor e kulturor, duke e vendosur për krahë të shoqeve më të mira.
Edhe në drejtim të aftësive profesionale Hanëmja nuk ngeli pas shoqeve të saj. Ju desh të bëhet një rrobaqepëse e mirë, si nxënëse e specialisteve më të mira të kohës, u bë magaziniere, llogaritare dhe ekonomiste e dalluar dhe së fundi një mësuese pasiononte. Cilësitë e saj të dashurisë për njerëzit dhe  të respektit për profesionin e nderuar të arsimtarit dhe edukatorit të brezit të ri shkëlqyen, sidomos, kur punoi, në pesë vjetët  e  fundit, si edukatore në Kopshtin e Fëmijëve Jetim, në Skelë të Vlorës. Atje e tregoj veten jo vetëm si mësuese por edhe si një nënë e mirë dhe e dhimbsur për ta. Do t'i kujtonte, në çdo kohë, bile shpesh, do t'i dilte gjumi edhe natën, nga meraku për gjendjen dhe shëndetin e tyre.
Ajo, në shoqëri e sidomos në familje, duke përcjellë traditat e shkëlqyera të familjes së vetë, u tregua shumë e respektuar për miqtë, shokët dhe dashamirësit dhe veçanërisht, shumë e afruar me njerëzit e familjes dhe të farefisit tim, kushërinj e krushqi. Ata vinin pa teklif dhe e gjenin kurdoherë derën të hapur, sofrën të shtruar dhe, për më tepër, fjalën e mirë, pritjen e ngrohtë, me dorë ne zëmër dhe buzëqeshjen e përhershme të Hanëmes
Karakteristike dhe thuajse e veçantë ishte dashuria e sinqertë që krijoi Hanëmja për nënën time, në këmbim të përpjekjeve dhe gatishmërisë së vazhdueshme të sajë, për ta lehtësuar dhe për ta ndihmuar, pa rezerva, nusen e re. Hanëmja nuk lë rast pa e kujtuar dhe pa e marrë si model dashurie e përkushtimi vjehrrën e saj. Ajo përsërit, shpesh herë, me respekt të thellë dhe me mirënjohje të veçantë:"Aksh traditë të mirë e kam nga vjehrra ime e rrallë. Nga ajo mësova qëndisjen, gatimin e shumë gjellëve speciale të harruara gjirokastrite, përdorimin e beharnave, shfrytëzimin e plotë të mbetjeve për riciklime të përshtatshme në veshje e në ushqime, bërjen e zahireve sezonale, glikove dhe reçelrave etj. Nga ajo u përgatita si ti rritja fëmijët të shëndetshëm, të edukuar e të ditur. Unë i mësova përmendësh përrallat e bukura dhe vjershat e rralla që ajo tregonte aq bukur. Edhe vetë shkollimin tim e kam nga vjehrra ime që këmbëngulte, më nxiste, më shtynte, më lehtësonte në punët e shtëpisë dhe në mbajtjen e fëmijëve. Ajo më thosh me ëmbëlsi, duke më nxitur: "Siç të kam të bukur, të dua dhe të ditur e të arsimuar mbi shoqet, që të tjerët ta kenë si model nusen time në të gjitha drejtimet. Kjo u vlen shumëedhe fëmijëve, që te një nënë e mirë shohin veten, si në pasqyrë."

Me dy kunatat e veta edhe pse ato, njëkohësisht ishin motra me njëra tjetrën, edhe për shumë vite jetoi deri ekonomikisht bashkë, nën një strehë, në asnjë rast nuk krijoi as konfliktin më të vogël. Toleronin reciprokisht dhe merreshin vesh si të ishin tri motra të mira.
Në drejtimin e marrëdhënieve familjare, megjithë dëshirën e saj të madhe, një gjë nuk e provoi dot, deri vonë, Hanëmja: Si do të shkonte me nusen e vetë, Adelën, gruan e Kamanit, djalit të vetëm, që e vinte mbi të gjithë. Unë i thosha me shaka: "Ti je model i harmonizimit të marrëdhënieve me nusen. Po shlyen borxhet ndaj nënës sime, se gjithë ditën i këndon nuses dhe djalit, nga larg "
Në të vërtetë ku ta gjente Adelën? Ajo ishte e dëshiruar të fliste dhe të bisedonte nga afër me nusen e vetë të bukur, të mençur e të shkolluar. Po,
Adela, sa mbaroi Universitetin e Tiranës, për mjekësi, bashkë me Anin, iku në Amerikë dhe për dhjetë vjet nuk u kthye më. Për shumë kohë Hanëmja ngeli e dëshiruar ta shihte nusen e djalit të vetë me një kolopuç. Ta përkëdhelte e ta rriste edhe atë me dashurinë e saj të madhe, siç bëri me fëmijët e vajzave me Valin, Denin dhe Anxhelën. Po, Zoti do ja bëjë mbarë! Dhe vërtetë, gëzimi ishte i jashtëzakonshëm, kur, kjo ëndërr iu bë realitet.
Një tjetër merak dhe dëshirë, ende e pa plotësuar gjatë, ishte Arta, vajza e saj e dytë. Ajo, ashtu, e ndarë me burrin e parë, për fatin e saj të prapësht, pas pesë vejte martese me të, u divorcua dhe, për shumë vite, ngeli e pa stabilizuar. Kur do ta shihte atë të lumtur?  Më së fundi kjo dëshirë u plotësua dhe Arta e gjeti "princin e saj" në moshën 35 vjeçare, bile një biond, holandez 42 vjeçar dhe 120 qillosh, që duket se e  adhuron dhe e do, si adoleshente.
Për realizimin e dëshirave të saj prioritare Hanëmja, me besimin e madh e të pafund për Zotin, çdo natë, i drejtohej  Atij me lutje të zjarrta.
Për të karakterizuar më mirë tiparet dhe qëndrimet e saj brilante, do mundohem, që këtu, më poshtë, të rendis saktësisht disa nga ngjarjet më pikante të jetës sonë të përbashkët, ashtu siç i kam shënuar në ditarin tim, herë pas here.

                               %

Nderimet familjare, reciprokisht, të vizitave të përfaqësuesve të palëve, siç ishte zakoni dhe konfirmimin e fejesës me Hanëmen e bëmë në muajin shkurt të vitit 1960. Celebrimin zyrtar e bëmë në datën 23.11.1960. Ofiqari i Gjendjes Civile, një burrë i moshuar, kur kontrolloi regjistrat e familjeve tona, qeshi i gëzuar, ndërkohe që nisi të shkruaj me një kaligrafi tëbukur aktin e martesës.
Ai tha: Shikoni, është i njëjti shkrim. Pikërisht unë, Hajdar Azizi që, dekada më parë, pata fatin të dëgjoj dhe të regjistroj deklaratat e prindërve tuaj të nderuar për lindjet, kam nderin tani t'u bëj aktin e martesës." Paçi jetë të gjatë dhe lumturi bashkëshortore!"
Martesën, si ceremoni dhe darkë e bëmë në mbrëmjen e datës 04.06.1961, në tarracën me pjergullën e madhe plotë me rrush, të shtëpisë sonë në lagjen Muradie, rruga Ceno Sharra Vlorë. Aty u mblodhëm shokë, kushërinj, të afërt dhe krushq. Hanëmja shtatëmbëdhjetë vjeçare, veshur në të bardha, shkëlqente plotë nur, me një freski e bukuri të rrallë, e përgatitur nuse me një tualet fare të lehtë. Unë, sa kisha dal nga spitali, pas një krize veshkash dhe rrija i emocionuar dhe i plogët, në merak, se mos ngelej gjë mangët në nderimin e pjesëmarrësve, ndërkohë shkoja ndër mënd vështirësitë e kapërcyera dhe ndjeja një gëzim të pafund për finalizimin e dëshirave dhe ëndrrave të mia të lindura
që nga dita e parë e takimit, që lidheshin vetëm me Hanëmen.
Pas martesës, në të ashtuquajturin muaj mjalti, bëmë një turne të shkurtër Gjirokastër-Sarandë-Himarë-Vlorë.

Ishim të dy me peshë rreth gjashtëdhjetë kilogram. Ajo l58 dhe unë l63 centimetra i gjate. Unë i plogët, i sapo dalë nga spitali pas një lëngimi e kure 20 ditore dhe ajo plotë shëndet, bardhoshe, faqe kuqe e me quka, kur buzëqeshte, pra gjithnjë, me ato gropëzat tërheqëse, me ata sytë e mëdhenj e të mrekullueshëm, që më kanë pëlqyer më shumë se çdo gjë, që harkoheshin nga vetullat, tashmë të hequra me shije. Më tej një hundë e vogël, buzët tërheqëse e pak të fryra dhe mjekra e drejtë. Merak të madh Hanëmja, gjithë jetën, ka pasur flokët, që s'ishin aq të dendur, sa i desh ajo dhe që u punonte qindin, duke i
bërë herë pas here permanent, ose duke i përdredhur me lecka, me bigudinë gjithfarësh, duke i bërë kaçurrela të fryra e me shkëlqim. "Flokët janë gjysma e bukurisë së femrës" thosh. Edhe trupin Hanëmja e kish të rregullt, ku spikaste gjoksi normal, i gjerë dhe pa asnjë rrudhë, deri në moshë të madhe, aq interesant, për mua, sa unë i kam thënë gjithnjë: Ja këtu duhet ta vendos kokën, derisa të vdes.  Një tjetër veçanti ka qenë, te ajo, beli shumë i hollë në rini,
saqë, po të shihje fustanet e saj të mëparshme, do çuditeshe e do kujtoje mos ishin prerë për ndonjë model kukulle.
Kur, gjatë "muajit të mjaltit" ishim në Gjirokastër qëndruam te shtëpia e tezes sime, Çime Hajro, në lagjen Pllakë. Në një mbas dite, burri i tezes, veterani Maliq Hajro, njeri shumë i respektuar për qytetarët gjirokastritë dhe për ne të gjithë, na shoqëroi në lokalin më të mirë të qytetit "Bar Kalaja" Ecnim rrugës, krahas njeri tjetrit dhe pas na ndiqnin të rinj e fëmijë gjirokastritë. Dëgjonim fjalë dhe pëshpëritje:O, o ! Karkaculja ! Po sa e bukur qenka, shtriga.
More, po ka bel, kjo, apo s'ka fare? Çudi, si e ku i lidhet trupi!
Po ai, fundi i fustanit, mirë i shkurtër sa i duken gjunjët, po, sa i gjerë në fund, si parashutë!?
Të shkretët gjirokastritë! Kishin ngelur shumë më pas Vlorës, në këtë drejtim dhe duket, do tu bënte më pak përshtypje, po të shihnin ndonjë grua të veshur me ferexhe.
Hanëmja, për Vlorën e atëhershme, kishte veshur një fustan të modës, krejt normal. Një fustan najloni, i bardhë, me shumë pala, pak transparent, i qepur, puthitur, pas belit, që i evidentonte format e trupit dhe mesin shumë të hollë, me një fund, tip "gramafoni" me palat mbi zhypon.
Unë, i shqetësuar, mos bëhej problem deri në polici, për prishje morali lokal, i them gruas sime:
Hajde Hano, të ikim, se këta me duken si të "botës tjetër". Dhe aty për aty mu kujtua kënga e vjetër vlonjate, që ja përshtata asaj :


Hano, mos shko nëpër vare,
se të vdekurit i ngjalle,
të gjallët i vdiqe fare.

Me Hanëmen kemi qenë bashkë, të pandarë, duke shfrytëzuar lejet relativisht të gjata vjetore, me që unë përfitoja më shumë ditë pushimi, nga që gjatë gjithë kohës kam qenë mësues dhe pedagog i jashtëm, çka, këtë shtesë leje, e përfitonim, sipas ligjit; ndërsa ajo, në shumicën e kohës, në vitet e para, ka qenë pa punë. Kështu, me gjithë fëmijët kemi shkuar, për çdo vit, në kabinat e plazhit gjatë verës, ose, vetëm me Hanëmen, në kampet e pushimit të punëtorëve,
ndërsa fëmijët rrinin në shtëpi, me nënën time. Do përshkruaj disa prej pushimeve dhe ekskursioneve aktive:

Në muajin prill të vitit 1971, me trupën mësimore të "Teknikumit Ekonomik të Mbrëmjes" të qytetit të Vlorës, bashkë me Hanëmen dhe  një grup mësuesish si Viktor Rapi, Ilia Guma, Agathokli Adhami, Bajram Hajrullai, Abedin Elmazi, Lili Dodi, Petrit Osmani , Vasil Zani dhe gratë e tyre, me një mikrobus, organizuam një vizitë turistike për në  qytetin antik të Butrintit.
Pushimin e parë e bëmë në pishat e Llogorait, në lartësinë njëmijë metro, mbi nivelin e detit. Qëndruam në një barestorant midis pishave, pimë nga ujët e ftohtë të burimit dhe hëngrëm me shije mëngjesin e parapërgatitur. Pamja para nesh, kur mijëra metro larg, dukej deti i pa fund, ishte mahnitëse. Dallgët përplaseshin, në ndjekje të njëra tjetrës dhe shkumëzimet e tyre të dukeshin si
qindra anije te vogla, që garonin me shpejtësi. Dhe mëndja më shkoi në lashtësi:
A thua se, përsëri, pas mijëra vjetësh, Cezari i famshëm romak, po e çonte flotën e tij të madhe të imbarkuar, te lugina poshtë, që mban ende emrin e perandorit legjendar, për të zbarkuar aty e për t'u ndeshur, keqas, me rivalin e tij të vjetër, rebel, Pompeun? Po pse kështu? Për një kasaphanë të tillë
njerëzore senatorëve romakë nuk u mjaftonte vendi i tyre, gjithë ai gadishull i madh Apenin? E, moj Shqipëria ime e vogël, gjithnjë e pa zot, arenë ndeshjesh e pushtimesh!     
Rruga gjarpërore e ngushtë, e asfaltuar dhe e mbajtur mirë, kishte kthesa shumë të rrezikshme. Në lindje vargmalet e pafundme të Çikës, të mbushura me gjelbërim dhe që zbardhonin nga bagëtitë e imta, të shpërndara gjithandej në kullotat malore dhe që formonin, me ato këmborët dhe zilet e tyre, një simfoni madhështore. Edhe barinjtë, me ato krabat e gjata, ishin të veshur në të bardha.
Thellë dëgjohet ndonjë melodi baritore me fyell, shoqëruar nga këngët e bilbilave, kanarinave, kryeartëzave dhe zogjve të tjerë të shumtë gjithëngjyrësh. Më tej shtëpi të grumbulluara, në fshatra kala, me ledhe e mure midis ullinjve e agrumeve: Palasa, Dhërmiu Vunoi me Iliasin, Himara, Kullsi,Piluri dhe Qeparoi. Njeri me i bukur se tjetri, të përjetuar në këngët e bukura himarjote: kush është lule vilajetit, Himara në mes të detit, shtatë fshatra që janë…

Drekën e hëngrëm në Kampin e Pushimit të Punëtorëve Dhërmi, duke devijuar nga rruga kryesore për rreth dy kilometra, në mes të ullinjve shekullorë dhe plantacioneve me portokalle e qitro. Atje edhe fjetëm, në dhomat e Kampit, që gjatë dimrit shfrytëzoheshin edhe për hotel, duke e ndier aq afër erën e detitdhe gjëmimin nanuritës e gjumëdhënës të dallgëve të tij.
Ditën e nesërme, sa kaluam Spilenë, lagjen bregdetare të qytetit të Himarës, morëm në të djathtë, buzë detit Jon, në një rrugë të ndaluar, si zonë ushtarake, por ku u lejuam, ngaqë kishim marrë autorizim qysh në Vlorë, nga organet përkatëse kufitare. Sa e pamë detin, të fshehur nga kodrat me ullinj e valanidh, u befasuam nga panorama mahnitëse e mrekullueshme, e pa parë në asnjë vend tjetër: Gjiri i vogël i bukur i Porto Palermos, Kalaja mesjetare e Ali Pashë Tepelenës dhe Kisha e Vasiliqisë. Nuk mund të përshkruhet në letër një bukuri natyrore kaq e rrallë: Ai det aq i kthjellët, që përqafon nga të gjitha anët ishullin e vogël shkëmbor, shpella e madhe e thelluar me aq mund, ku strehohen njëherazi disa anije, kalaja mesjetare dhe kisha, nga ana tjetër, kodrat e gjelbëruara me ullinj, valanidh e shqope dhe më tej. malet e lart me kësulë bore. Vetë bukuria e natyrës të bën poet. Atje është zanafilla e vargjeve, që më lindën: 

Ne Palermo, poshtë, kur zbret
te Kish' e Vasiliqisë:
valanidh, shqope dhe det,
vendqëndrim i Perëndisë.

Atëherë menduam, pa guxuar ta themi: Sa keq që kjo perlë e rivierës shqiptare, padyshim më e bukura në vend dhe ndofta nga më të bukurat në botë, nuk kënaq kërkesat e turistëve të mbarë botës, por përdoret si bazë ushtarake për raketa e nëndetëse, të destinuara për të vrarë njerëz? Pse kështu, "të bukurën e dheut" e kishin rrethuar me tela me gjemba, e kishin ç'tjetërsuar e izoluar?
Si e lamë në krahun e majtë fshatin Qeparo, të vendosur në mal, kodër dhe fushë, qëndruam në Borsh, në një tjetër bukuri të rrallë të rivierës shqiptare. Ujëra të shumtë, ardhur nga mali, aty, ndenë kollonatat e një lokali tregtie, përplaseshin me njeri tjetrin dhe me muret e një rezervuari dhe shpërndaheshin në qindra stërkale, që, po t'u afroheshe, të jepnin një freski, sikur të depërtonin lehtësisht në trup, të futeshin në mushkëri, në gjak e të shtonin jetën.

Pastaj, ujërat vareshin fushës së mbjellë me agrume dhe sikur, shuheshin të
derdhura të qeta, në detin e pa fund.
O, se ç'kënd i qetë ndenje e pushimi, i mrekullueshëm, i paparë, mund të bëhej
atje poshtë: plazh nën agrume, pikturë natyrore me përzierje ngjyrash: e kaltërta e detit, grija e rërës së detit, e gjelbërta e fletëve të agrumeve dhe ullinjve, e verdha e kokrrave të pjekura të protokalleve, limonëve dhe qitrove,
e zeza e kokrrave të ullinjve të pjekur.
Por, jo! Edhe kjo bukuri ishte "zonë e ndalueme" ushtarake, kufitare. Atje kishin vendosur një kamp përqendrimi tëburgosurish ordinerë, që vuanin dënimin dhe bënin punë të detyruar në agrumishtet.  Po, pse nuk mund të gjendej një vend tjetër për kamp pune e përqendrimi? Ata, që thyenin normat e moralit aktual të shoqërisë, në se i kishin thyer vërtetë, pse duhet të izoloheshin e të ruheshin këtu, pse duhet pikërisht ata ta gëzonin këtë bukuri të rrallë? Nga ana tjetër,
si mund të shijohej kjo mrekulli e natyrës dhe të merrje kënaqësi shpirtërore, në shoqërinë e meshkujve të dënuar, të lidhur me pranga dhe që hanë vetëm çorbë kazani?
Megjithatë, kam dëgjuar nga protagonisti kryesor i ndodhisë së më poshtme, vite më vonë, se dhe të burgosurit inspiroheshin nga ky mjedis i perëndishëm. Ata, hera herës, i harronin dhe u dukej se çliroheshin nga vuajtjet dhe prangat. Aty përpiqej të mbijetonte dhe një dervish i dënuar, i miri Bajram Çerçizi, me origjinë nga fshati Brataj i Vlorës, ish shoferi i Ahmet Myftar Dedejt, Kryegjyshit Botëror të Bekatshijve. Pikërisht ky, Barjam Çerçizi ishte një burrë shumë interesant, trupëmadh e i mençur, i dënuar për shkak të mbrojtjes së vendosur të pronës së Teqesë së tij. Krimi i tij ishte se, në territorin e Teqesë së vetë, kishte kapur dhe rrahur një vjedhës. Pra ky soj burri, që peshonte mbi 120 kile, veç të tjerave, këndonte shumë bukur. Dervish Barjami shpesh herë, aty në kamp, i printe kolonës së të burgosurve. Të burgosurit, në njësh kolonë, dilnin nga fjetoret për në punë, duke kënduar, këngën melodioze të kolonës zanore të filmit "Stjenka Razini". Në fillim këndonte solo, me atë zërin e bukur bas, dervish Bajrami, veshur me dollomanë e gjelbër të uniformës fetare bektashiane. Ai besnik i sektit të vetë, për të cilin ish sakrifikuar, nuk pranonte ta hiqte uniformën, megjithëse e pengonte, se i zgjatej deri të fundi këmbëve. Më pas, për shumë kohë, ushtonte i kombinuar kori i improvizuar, disa
zërash, i të burgosurve të tjerë, për deri sa mbërrinin te fronti i punës së detyruar.

Rruga e asfaltuar, e ngushtë dhe me shumë kthesa, thuajse, nuk i ndahet bregut të detit dhe ne, me Hanëmen, patëm fatin të shihnim fshatrat e tjerë piktoresk të rivierës si: Shënvasinë, majtas, lart në kodër fshatin Sasaj; më tej Lukovën
deri sa arritëm te Qafa e Gjashtës, ku na u çfaq pamja mahnitëse e qytetit të vogël të Sarandës; me tej deti Jon dhe në thellësi ishujt e bukur grek, me Korfuzin e famshëm, si kryeishull.
Atë natë ne fjetëm në Hotelin Turistik të Sarandës, që shquhej, në shkallë vendi, për gatimin dhe pritjen e mirë. Me Hanëmen e dashur rikujtuam "muajin e mjaltit", dhe na u duk vetja si në atë kohë, kur bujtëm disa net në këtë hotel.
Të nesërmen u nisem, si grup, për në qytetin e lashtë historik të Butrintit. Kaluam lumin e vogël të Kalasës, nëpërmjet një trapi me argano. Një pllakë e vogël ku shkruhej BUTHROS na bëri të mendonim se po hynim në qytetin antik, ish pronë kalimtare e Romakëve, Grekëve dhe Ilirëve, i dëgjuar për gërmimet dhe për zbulimet interesante të amfiteatrit të madh dhe të kollonatave, statujave dhe prerjeve të shumta monetare. Unë me Hanëmen vizituam Muzeun, ku nuk rruheshin më
zbulimet e famshme, që kishim dëgjuar, nga që ato ishin grabitur dhe shpërndarë nëpër botë, por pamë disa shtatore të dëmtuara, kokën e famshme të Deas së bukur, ndofta kopje dhe mozaikë, basoreliev e shtylla prej mermeri të latuar. Të dy u ulëm në shkallët e amfiteatrit të lashtë, ku bëmë dhe disa fotografi, duke menduar se sa mirë do ishte që ky amfiteatër i madh e i bukur antik të
rehabilitohej, të gjallërohej e të përdorej për festivale kombëtare, e pse jo, botërore teatrore.
Kur ia shfaqa mendimin, ashtu me zë të ulët, Hanëmja, që studionte për gjuhë letërsi më tha:
        -Këtë po mendoja dhe unë, por ne jemi thjeshtë endrimëtarë romantikë.
        -  "Ti, nuk të qasin në fshat e vete më kërkon vajzën e priftit për grua!? "
       --Ule zërin se, po të dëgjuan, rrezik të na mbysin në ato ujërat e pista, nën këmbët tona, për t'u bërë pre gjërpinjësh.
Po atë ditë, pa u ndalur gjatë në vend tjetër, u kthyem në Vlorë.

                                      *
Në gusht te vitit 1977, me Hanëmen si gjithmonë, kaluam pushimet verore në Kampin e Punëtorëve në Dhërmi. Së bashku me ne erdhi dhe Tina, kushërira ime, me të shoqin, Besim Resuli si dhe miku im i mirë, Ejup Mita, për të cilin kam shkruar posaçërisht.
Kaluam shumë mirë një pesëmbëdhjetë ditësh, që do ta mbajmë mënd: diell dhe det, ushqim i zgjedhur dhe fruta të freskëta, shfaqe filmash e deri vallëzime në pistë, ping-pong, volejboll, bilardo, letra, libra, muzikë. Patëm shumë ngjarje interesante, që i kam shënuar në ditarin tim. Ja njëra prej tyre, qëka lidhje me Hanëmen: Po vallëzonim, në njëmbrëmje të këndshme, që freskohej nga flladi i detit Jon.
Orkestra ishte cilësore, me instrumentistë profesionistë, të zgjedhur ndër më të mirët e Tiranës. Kështu bëhej ç'do muaj vere. Ata, varfanjakë, si gjithë shqiptarët, pushonin gratis në kamp dhe, në mbrëmje, u binin veglave dhe këndonin, për pushuesit. Ishin të rinj të talentuar, gazmorë, edhe që bënin aheng për kampistët dhe më shumë për qejf të tyre. Afër muzikantëve ishin disa gazetarë dhe kineastë, gjithnjë kërkues dhe krijues, që përpiqeshin të improvizonin variacione të këndshme dhe gazmore.  Më kujtohet se midis tyre ishte dhe Toqo Zoto, drejtor i Axhensise Telegrafike Shtetërore të lajmeve (ATSh). Ata, atë natë, për gallatë, kishin krijuar një komision që klasifikonte dhe stimulonte vallëzuesit më të mirë në disa lloje vallëzimi. Kërcimet bëheshin sipas një programi të paracaktuar.
   -Stop, muzika! Komandon Toqoja. Ju, të dy! Afrohuni! Në emër të zhurisë kombëtare, ju, si çift shpalleni "Mis dhe mister vallëzimi" Ju meritoni kurorat e fituesit, që ne, si komision, i kemi përgatitur, posaçërisht, me gjethe ulliri. Uluni, ju të tjerët. Çifti kampion kërcen vallëzimin e triumfit. Orkestra: Danubin Blu!"
Hanëmja tridhjetë vjeçare dallohej ende, bile akoma më shumë, jo vetëm për bukuri dhe elegancë, po për një kërcim plotë finesë, me ritmin e nevojshëm, afrohej dhe largohej, përkulej para dhe prapa, shkëputej dhe bashkohej, rrotullohej lirshëm, sa majtas djathtas, në majë të gishtave, si një balerinë evërtetë.
Të gëzuar për fitoren e pa pritur, në këtë atmosferë festive, ne, këto degë
ulliri i shpumë, menjëherë, në dhomën e gjumit dhe i ruajtëm në vazo me ujë e me aspirinë, duke i spërkatur çdo ditë.
Ato na kujtonin se ishim edhe ne diçka, në mes të shokëve dhe shoqeve gazmorë, të mbledhur nga disa qytete të vendit.
                                     
                                        %

Dhjetë jetë më vonë, po me Hanëmen, ne erdhëm sërish në Dhermi. Ishim dhjetë vjeç më të moshuar dhe prindër të tre fëmijëve të mbarë. Në këtë kënd të bukur bregdetar, sikur, të shtohet jeta, përtërije dhe mbushe me fuqi e optimizëm. I them Hanëmes:
-Të pushojmë dhe të gëzojmë, se jemi të lumtur dhe kështu siç jemi: Fëmijët po na bëhen të mirë. Deri tani jemi mirë me shëndet dhe vitet akoma nuk na kanë rënduar.
-Jo, tamam kështu, Luan, përgjigjet Hanëmja.
- E po, do ti bëjmë një çikë qejfin vetes, de! Dhe duke u frymëzuar nga mjedisi i mrekullueshëm i detit dhe i tokës për rreth, vazhdoj:
"Nga njëra anë ndjejmë kënaqësinë e detit Jon, të ujit të kthjellët; të panoramës mahnitëse joniane, me ata ishujt e pa arritshëm, po aq të afërt; të anijeve, që kalojnë tutje e vizitojnë vende të pa njohura; hera herës shohim delfinët e zgjuar, gjithnjë prezentë në këtë trevë, që ndjekin njeri tjetrin, lozin, hidhen mbi ujë e zhyten sërish brenda tij; jemi zhytur në mes të qetësisë absolute, shlodhëse. Nga ana tjetër, malet e Vetëtimës, Çikës e Gribës të gjallëruara nga mijëra kokë bagëti të imta, prapë bukuri përrallore, poetike.
Kështu shpesh rrinim në krevat, me dritare hapur të përqafuar, të pa ngopur me dashuri dhe vargjet, sikur, formoheshin vetë:


Rri, këtu, në dhomë i shtrirë, më vjen mirë
tek shoh malin e thepisur,
i vithisur në mendime e kujtime, arratisur.

Më shumë kokrra se sa fletë në ullinj
Rrush, fiq, pjeshkë, agrume në Dhërmi.
Gjon Leka, Kont Raqi – ç'histori?
Kastriotët: Gjergji, Gjoni-Shqipëri
Deti Jon kaltërosh-bardhë e zi
Dhe gjithë ngjyrat e ylberit-ç'bukuri!

Si jashtë dhe brenda një bukuri që të frymëzonte dhe të ngazëllente. Në këtë mjedis përrallor dhe jeta ime me Hanëmen më dukej si një përrallë me mbret e mbretëreshë. Ne, gjithnjë e më shumë harmonizoheshim dhe ajo më kuptonte e më plotësonte çdo dëshirë, që kisha unë, bile, fare pa ja çfaqur. Përpiqej të m'i largonte e t'i hidhte tej shqetësimet dhe mërzinë, dështimet dhe mos realizimet eventuale dhe të vlerësonte e të gëzonte çastin, pikërisht me ato kënaqësi spontane, që na sillte jeta, sado të vogla të ishin. Këto ajo, me dashurinë dhe urtësinë e saj, i zmadhonte dhe i amplifikonte, duke e zbukuruar në tërësi jetën tonë bashkëshortore, që në fakt, nuk ndryshonte shumë nga mënyra e jetesës së shumë të tjerëve. Ne çuditeshim, me disa nga shokët tanë, që bënin një jetë skëterre, grindeshin, ziheshin vazhdimisht, bile ndonjë dhe ndahej me sherr e deri me rrahje.
Në këto vite Hanëmja e formoi dhe më shumë personalitetin e saj, e pasuruar me përvojën e jetës, shkëmbimin reciprokisht të mendimeve më të avancuara të kohës, me mësimet në shkollat dhe kurset që ndoqi dhe me librat e panumërta që lexoi, pa i hequr asnjë herë nga dora, në çdo pauzë të volitshme, gjithë jetës.
                                 *
Erdhën vitet e tranzicionit dhe ne, të dy, thuajse njëkohësisht, u larguam nga puna shtetërore dhe dolëm në pension të parakohshëm. Bashkë me Hanëmen nisëm punë si tregtarë privat, në një kioskë. Hanëmja, e pa lodhur, më mbështeti fuqimisht në përpjekjet për të siguruar të ardhurat e nevojshme, që djalit tonë, student, t'i krijoheshin mundësitë minimale për t'u  diplomuar si mjek, ndërkohë vajzat, të martuara, shikonin punët e mbarëvajtjes së familjeve të veta .
.                                     *
Në muajt e parë të vitit 1997, me Hanëmen shpërngulemi nga Vlora në Tiranë. Ani, emigroi në Amerikë dhe Arta, e kthyer nga emigrimi në Greqi, që ish ndarë nga i shoqi, për mungesë mirëkuptimi, presioni dhe zhvlerësimi, ishte shpërngulur dhe punësuar më parë, si ekonomiste në një Kompani Amerikane dhe banonte me të vëllain në Tiranë. U vendosëm bashkë me Artën dhe Anxhela e vogël në një shtëpi dy dhoma e një kuzhinë, kati pestë, në kryqëzimin e rrugës Muhamet Gjollesha me rrugën Myslym Shyri, shtëpi e blerë për Anin, disa muaj më pare. E kishim mjaftë të vështirë të adoptoheshim në kryeqytet, larg shokëve, miqve dhe farefisit.
Muajt e parë na dukej se as me frymë nuk ngopeshim, e sikur po ktheheshim në azmatikë.
 Kjo gjendje, e imponuar për ne nga Arta, që e kish të pamundur të banonte në Vlorë, ku e ngacmonte dhe e shqetësonte realiteti i hidhur, na detyroi edhe neve, kur Ani iku në Amerikë, të rrinim me të dhe me mbesën tone Anxhelën.
Ndërkohë ne kujtonim, me nostalgji, me radhë, njërën pas tjetrës, banesat komode ku kishim jetuar dhe ku kishim lënë, thuajse gjithë jetën tonë:
                                     *
-Hanëmja nuse erdhi në shtëpinë tonë në rrugën "Ceno Sharra" Nr.11 të lagjes Muradie, Vlorë. Ajo shtëpi u ndërtua, mbi gërmadhat e vjetra, nga babai im, Kaman Çipi, në vitet 1942-1943. Shtëpia ishte me konstruksion mur guri me breza betonarmeje dhe me soletë çimentoje. Kishte sipërfaqe 144 metrokatror (12x12), me oborr para dhe mbrapa, me një sipërfaqe të përgjithshme 330 metrokatror. Kjo shtëpi ishte dy katshe: Në  katin e parë, të lart 510 cm. kishte një shkallë 40 këmbësh dhe një korridor që, nëpërmjet portës së pasme të çonte në oborrin e dytë, ndërsa nga oborri i parë komunikoje me një magazinë 110 m2, nëpërmjet portave me qepen 10 metrosh, në të gjithë ballin. Kati i dytë, i lart 3,3 ml., kishte 6 ndarje dhe një banjë me vaskë e kaldajë dhe një korridor të madh, si dhe shkallën pa parmak, që të çonte në tarracë. Në tarracë zgjateshin kokat e kolonave me hekur, gati për ndërtimin e katit të tretë, si dhe një pjergull e madhe me rrush. Tre dhoma ishin të shtruara mbi soletë, me dysheme druri, ndërsa korridori, dy dhoma dhe kuzhina e banja ishin të shtruara me pllaka të bukura çimentoje, të sjella nga Italia. Në të dy oborret kishte të mbjella portokalle kokërr mëdha, të ëmbla, pa farë, limon, ulli, kaki, man, pjeshkë, kumbull dhe dardhë. Të gjitha të zgjedhura e të seleksionuara me kujdes. Në katin e dytë në të gjithë gjatësinë dilte një ballkon, krejt i mbuluar me hardhi. Dritaret kishin dalje nga lindja dhe nga perëndimi. Në lindje të shtëpisë ishte rrugica "Ceno Sharra", më tej ishin familjet e Faik Xhaferit dhe kushërinjtë e tij; Pavllo Çika (Lolotoja); Skënder Jubani me vëllezërit; Sulejman Çuku dhe më thellë familjet Bezhani, Kume, Strati, Sharra. Në Veri kufizoheshim me Jani Zogën (me vonë vëllezërit Gërbi), në veri perëndim Spiro Suli me djemtë, në perëndim Hotel "Vjosa", më tej Lulishtja, në jug perëndim Marigo Simoni dhe  afër tyre, më në jug- Ban Kalia dhe Spiro Durolli.
Deri në vitin 1965, kur im vëlla, Enveri, u transferua me punë në Fier,  ku u shpërngul familjarisht, në shtëpinë e Muradies rronim, vëllazërisht, së bashku, 13-14 veta dhe gatuanim në një "kazan". E kishim rregulluar bashkëjetesën pa shqetësime, duke dhënë secili një kuotë për ushqim.

Në vitin 1971, kur u lirua nga burgu im vëlla, Bektashi, u ndamë. Unë ndërtova një shkallë nga oborri i mbrapsmë dhe një banjë, më vete, duke u vendosur në një dhomë dhe një kuzhine me aneks. Ishte koha kur lindi, djali im. Ai erdhi nga Materniteti drejtë e te shtëpia e ndarë dhe atje u rrit, nën kujdesin e madh të Hanëmes, që në vitet e para u shkëput nga puna.  Për të, natyrisht, kujdeseshin dhe motrat e tij, të cilat shkonin shumë mirë me njëra tjetrën dhe duke u kujdesur për të vëllain, ishin akoma më të bashkuara. Në këtë shtëpi, të vogël, po krejt tonën, kemi dhe kujtime të bukura: Shpesh ia merrnim familjarisht këngës, shoqëruar me mandolinë dhe më vonë edhe me kitarën e Anit. Gatuanim dhe
hanim ç'na pëlqente, me ato mundësi që krijoheshin. Ndërsa kursenim në veshje e pajisje shtëpiake me ushqime ishim gjithnjë dorëlëshuar dhe sadopak, mish kishim çdo ditë.  Kjo, ishte gjë e rrallë gjetiu, në atë kohë krize.

-Në vitin 1986 kaluam te një shtëpi e re 2 dhoma e 1 kuzhinë. Ishte godina shtetërore nr.1219, hyrja 3 kati pestë, apartamenti 12, në lagjen Çole. Kuzhina, me aneks dhe njëra nga dhomat kishin pamje nga jugu. 500 metro më larg dukej deti dhe ndihej flladi i tij, që të mbushte gjoksin me ajër të pastër dhe të kënaqte syrin. Do ta mbajmë gjithnjë në kujtesë atë gjumë aq të qetë, freskinë, gjatë verës dhe ngrohtësinë në dimër. Nxorëm një konkluzion të rëndësishëm: Shtëpinë zgjidhe nga jugu, se në verë dielli i bezdisshëm nuk të futet dhe në dimër rrezet e tij jetëdhënëse hyjnë brenda, te krevati, dhe i thonë mjekut "ik e më lër t'u bëj shoqëri e t'u jap shëndet miqve të mi" Në këtë shtëpi kemi kujtimin e pashlyeshëm të fejesës e veçanërisht të ceremonisë së martesës së Linditës, ndofta nga ngjarjet më gjurmlënse dhe të vetmen e këtij lloj, në familjen tone. E kam të freskët momentin kur Lina doli nuse e po nisej për të shkuar ne Fier, te shtëpia e burrit të vet. U ngashëreva e u mbusha me lot dhe, për mos t'u parë nga të tjerët, u fsheha te shtëpia e gjitonit, pa e përcjell vajzën e dashur. Në këtë gjendje ngela për disa orë.
Te kjo shtëpi edhe gjitonia ishte si e zgjedhur. Në kat ishin vetëm tre familje. Për karshi ishte mësuesi Vangjel Bojaxhi, me, Vasilikën, nënën e tij të urtë, me gruan, Fato dhe dy vajza, ndërsa në katet e tjera Tasim Lika, me gruan dhe me dy fëmijët e tij të talentuar, Nako Ngjela me të birin Vangjelin, AristidhKaçi, Vasil Meçi, Vangjel Panozaqi, etj., të gjithë të njohur e miq të vjetër.
Shtëpia e Çoles ishte komode, por, në të vërtetë shumë larg qendrës dhe njerëzve tanë. Kur vdiq nëna ime, ne, banonim në Çole. Pasi pritëm me vëllezërit miqtë, në shtëpinë e Muradies, ku u bë ceremonia e varrimit, erdhën për ngushëllim edhe në Çole, siç ish zakoni, shokë, miq e të afërt. Një mbas dite erdhën dhe disa shokë, që e kishin për herë të parë dhe se dinin saktësisht adresën. "O sa u lodhëm, duke ju kërkuar, tha Spiro Pasko, një babaxhan i shëndoshë, me dy kile lesh në gjoks, në krahë e në kurriz, si arri. Ai ishte zooteknik në profesion dhe punonte instruktor në Komitetin e Partisë. Pyetëm, gjithandej, vazhdoj Spirua, duke fshirë djersët, u sorollatëm gjatë lart e poshtë Çoles. Meazallah
se na orientonte njeri.
-Po, ku punon ky, Luani? Ç'ish pune bën? Ishte një Çam, që kërkonte shpjegime.
Ai, si mori përgjigje, vazhdoi: Punon në Kumitet, the? Hiqu, bre shqedhjo! E kini jangllëç. Nuk vijnë ata të Kumitetit të banojnë në Çole. Shikoni atej, qimëtë, kah Pjaca, në zëmër të Vlorës!.
Dhe kishte të drejtë Çami. Shtëpia ishte shumë larg. "Andej nga ndanin hajdutët paratë e vjedhura" Rrugë e pa rrugë dhe në dimër duhet të kaloje, midis pellgjeve, me çizme. Prandaj unë u i interesova shpejt për lëvizje, duke përfituar nga e drejta e zgjedhjes së shtëpive të banimit, që ndërtofshin me kontribut vullnetar. U lidha me Teki Mukën, djalin e tezes së Hanëmes, drejtor i Ndërmarrjes Elektrike dhe duke qenë, ende, i fuqishëm dhe me njohje të gjerë, e ndihmova atë që shtëpia e re të bëhej shpejt dhe mirë. Për këtë më dolën krahë,
me forca pune dhe materiale të zgjedhura, shokët e mi Qeverim Kushta, Dule Arizi dhe Agron Bani, që aso kohe drejtonin Ndërmarrjen e Ndërtimit "Perlat Rexhepi", më e madhja në Vlorë. Shumë punime, në këtë shtëpi, i bëra privatisht, me shpenzimet e mia dhe me pjesmarjen time fizike, si: Patinimin dhe lyerjen e mureve, shtrimin e një dhome me mozaik, përshtatjen e dhomës së gatimit dhe të ngrënies, vendosjen e pllakave anësore në banjë dhe kuzhinë si dhe të plintusëve kudo, dhe më vonë portën e blinduar dhe dritare e grila alumini.

Në shtëpinë e re, në lagjen "Lef Sallata" godina 1319, hyrja 2, kati 4, apartamenti 12, u futëm në muajin prill të vitit 1990. Padyshim, kjo ishte shtëpia më e gjerë dhe më komode që kemi pasur ndonjëherë, me 3 dhoma, një soxhorno, me dhomë gatimi e ngrënie dhe banjë të kompletuar. Këto llojapartamentesh quheshin të tipit francez. Edhe këtu, në çdo kat ishim tre familje: Për karshi banonte Ylli Malaj, nipi i Hanëmes, me Kanon, një grua e zgjuar dhe korrekte dhe dy djemtë e tyre simpatikë, Ilirin dhe Adin.  Ngjitur me ne banonte Ladi LLanaj dhe Kozeta e urtë, me Tilin dhe Gretën, dy fëmijët e mirë të tyre. Të gjithë familjet e shkalles sonë ishin të zgjedhur, dashamirës e të shkueshëm, ku midis tyre mund të diferencoj, sado pak: Inxhinierin e naftës Bardhyl Xhyheri, me gruan, Beatriçe, djalin dhe dy vajzat; Inxhinierin elektrik Shpëtim Meli, me të shoqen Lumen dhe tre vajzat e tyre; farmacistin Petor Loli me të shoqen Dhorën, vajzën dhe djalin e vet; mjeku pediatër Hito Jazaj me Vriklën dhe tre fëmijët; sindikalisti  veteran Milto Gjini me gruan, Frosën, djalin Mimi dhe nusen; Mario e Liza Dhimitri me fëmijët e tyre, etj.  Siç kuptohet gjitonët ishin gjëja më e mirë në këtë shtëpi. Jeta kolektive dhe solidariteti i tyre u provua, sidomos, në ditët e mbrapshta të vitit 1997, kur ne ishim të detyruar të mbylleshim, brenda portës së madhe që vendosëm te hyrja e katit të parë dhe kur mblidheshim, bisedonim  e deri darkonim së bashku, në shenjë kurajoje dhe solidariteti. Për t'u theksuar ka qenë komodideti i banimit në këtë banesë, fakti që ishte në qendër të Vlorës dhe se ishte një si oazë i qetë, larg mundësisë së shqetësimit nga automjetet dhe nga zhurma e kalimtarëve.









                     LINDITA   . VAJZA IME E MADHE
                        (Korrektesë dhe këmbëngulje. Virtyte të trashëguara?)


             

                                                                    
Lindita lindi më 9 shkurt 1963, në Maternitetitin Shtetëror të qytetit të Vlorës, karshi Kinema "Çupishti", në Rrugën e Spitalit, ditën e Shtunë, ora 11. Hanëmen e shoqëruam, duke e mbajtur për krahu, unë dhe nëna ime. Ajo i tha: "Paç lindje të lehtë, dhe gëzohu, se sjell në jetë një njeri, njësoj edhe nëqoftëse është vajzë. Pas këtaj deri në pleqëri, fëmija do të të mëri pjesë të madhe të kohës, të qetësisë dhe të lirisë tënde. Do t'i mbash mënd e do t'i kujtosh shpesh këto dy vite pa fëmijë e kokëçarje".
Sipas shënimeve të Hanëmes, Lindita lindi me peshë të vogël 2200 gram. Në Maternitet e priti mamia e vjetër dhe e kujdesshme Nënoçe Kojdheli. Ajo qëndroi l0 ditë atje dhe doli me peshë 2450 gram. Siç duket lindi prematurë, por shtesa e peshës ishte më se normale. Gjatë muajve të parë  pati një shtesë peshe 600-700 gram, çdo muaj. Dhëmbi i parë i doli në moshën 5 muajsh. Në këmbë u ngrit 12 muajsh, kohë qe u hoq nga gjoksi dhe nisëm ta ushqenim  edhe me gatim të përgatitur, me bazë qumësht lope.
Lindita e porsa lindur ishte shumë qaranike dhe shqetësuese për të gjithë, por më shumë për Hanëmen, aq të re dhe pa përvoje, duke e lënë pa gjumë, se pikërisht natën gjente të qante e të grindej më shumë. Bashkë me të zgjohej e dëshpëruar dhe qante edhe Hanëmja dhe mua më duhej, me durim, t'i qetësoja të dyja, e të përpiqesha t'i pushoja së qari.
Kur Lindita ishte 8 muajshe, gjithnjë pa rezistencën e duhur dhe me peshë të paktë, na u desh të shkonim edhe me të në qytetin e Fierit, në dasmën e djali të dajko Fejziut, Astritit, që e kisha moshatar dhe, njëkohësisht shokë të mirë.
Atje Lina, e pa mësuar të udhëtonte dhe e lënë, paksa, jashtë kujdesit normal, u sëmur rëndë dhe mori broshit. Vetëm antibiotikët e shpëtuan nga vdekja. Ishte
nga sëmundjet e pakta, se më vonë, megjithëse e imët, u bë shumë rezistente dhe me plotë gjallëri. Ajofilloi të flasë shumë shpejt dhe në moshën 2 vjeç recitonte, pa vështirësi, vjersha të shumta, që ia mësonte me durim Hanëmja.
Ajo, po me durim dhe kujdes, e ushqente, duke shoqëruar çdo kafshatë e lugë me këngë dhe përralla të bukura, që e hutonin atë, aqsa nga kurioziteti, hapte e
mbyllte instinktivisht sytë, veshët dhe gojën.
Në moshë 3 vjeçare Linditën e dërguam në Kopshtin pa drekë, afër Hotel "Sazanit". Edukatore kishte mësuese Zela Saliun, që ishte kushërira e nënës sime.
Në moshën 6 vjeç Lina nisi Shkollën 8 Vjeçare "Modelore" në lagjen Topana. Mësuese e klasës së parë, që e shoqëroi deri në klasën e katërt,  ishte Vera  Selfo, motra e Kanos, gruas së Yllit, nipit të Hanëmes.
Nga klasa e pestë Lina kaloi në Shkollën 8 Vjeçare "Ismail Qemali"(nr.1) me mësuese kujdestare çamen Myrvete Sulejmani, mësuese matematike, gjitonia jonë e Rrugës "Ceno Sharra". Mësuese për gjuhë letërsi ishte Katina Bitri, nga Qeparoj. Lindita, e ndihmuar dhe deri e imponuar nga Hanëmja fillimisht, po me pas me vullnetin dhe kujdesin e sajë të jashtëzakonshëm, kishte përparim të shkëlqyer në mësime. Ajo u bë shembull dhe model për Artën dhe Anin, që përpiqeshin ta
imitonin në çdo gjë.
Lindita dallohej për sedër, korrektesë dhe këmbëngulje të pa zakontë. Qysh e vogël formoi një personalitet të parakohshëm, të tjetërsojmë. Ajo prekej shumë shpejtë ndaj çdo ngacmimi dhe problemet me të duhet t'i zgjidhje, si me një të madh, pas një arsyetimi e argumentimi të plotë e të kujdesshëm, me shumë takt, pa ushtruar as më të voglin presion e shenjë dhune, si të ishte e barabartë.
Ndryshe me atë nuk merreshe vesh, se reagonte ashpër, ose binte në dëshpërim të thellë, në mërzitje, shqetësime, qarje e ngashërime, që zgjateshin me ditë. Këto tipare i ruajti si në shtëpi, por dhe në shkollë dhe shoqëri, bile edhe më vonë, kur u madhua. Ajo ishte shumë e kursyer në fjalë. Dëgjonte me vëmendje dhe, kur bindej, vepronte me vendosmëri dhe përpikëri.
Lina kishte aftësi të madhe për t'i përvetësuar shpejt dhe me themel njohuritë e
eja. Nga nëna ime, me të cilën kishte marrëdhënie intime, po dhe nga Hanëmja më vonë, u aktivizua dhe mësoi shpejt punët e shtëpisë, të domosdoshme për jetën në
amilje, si një amvisë e ardhshme. Ajo nisi të qep me dorë dhe me makinë qepëse,
ë Indisë me grep e me gjilpërë, të thur triko e shalle, të gatuante gjellë, ëmbëlsira, të bënte petë për byrek. Çdo lloji pune e kryente me shumë merak edhe pse ishte imcake dhe me dorën shumë të vogël.
Kohë dhe kujdes të veçantë Lina tregonte për vëllain e saj, Anin, që e përkëdhelte, e ushqente dhe e mbante në krahë, aq sa ai i fliste "mami i vogël".
Lina lexonte shumë libra dhe rivista, duke "humbur" midis tyre. Ajo nuk i preferonte lodrat, siç bënin shoqet e saj dhe nuk kish qejf të dilte nga shtëpia. Gjithë ditën lexonte dhe kujdesej për bibliotekën tonë, bënte herë pas here inventarin e saj, shënonte emrin dhe kërkonte me këmbëngulje, që libri i marë, të kthehej me kohë dhe të vendosej në vendin e vetë.
Lindita, pasi kreu me nota maksimale tetëvjeçaren, vazhdoi Gjimnazin "Ali Demi",
padyshim shkolla e mesme më e mirë e rrethit të Vlorës, e dalluar deri në shkallë kombëtare. Ishte ndër nxënëset më të shquara në sjellje e përparim dhe e përfundoi këtë shkollë, duke u vlerësuar, (përjashtuar në dy lëndë dytësore, që kish 9) me të gjitha notat dhjeta.
Lina 18 vjeçare u largua nga shtëpia dhe Vlora, për të vazhduar Degën e Financës në Fakultetin Ekonomik të U, Sh, Tiranë. Atje, në vitin e fundit u njoh dhe vendosi të lidh miqësi me bashkëstudentin e saj nga Fieri, Piro Naun Ikonomi. Unë u mërzita shumë, kur mora vesh për këtë lidhje. Jo se kisha gjë me Piron. Unë atë nuk e njihja fare, por, e kisha të pa pranueshme largimin e saj nga Vlora dhe dëshiroja ta kisha fare afër. Rija shumë i mërzitur, aqsa, duket, rashë edhe në sy. Më kujtohet, kur më pyeti, Sezai Bazaj, shoku im, me të cilin shiheshim çdo mbrëmje, në  Shkollë, ku jepnim mësim. Ç't'i thosha? I tregova vetëm një pjesë të asaj që ndieja: " Po, ja. Ai është lalë myzeqeje"      Ai më tha:"Po unë, që e kam dhëndrin Çifut Palestine, ç'duhet të them?" Kish të drejtë, ma mblodhi mendjen. E keqa s'ka fund!
Martesa e Linditës u bë më 2 nëntor 1986. Vlen të kujtohet darka e dasmës në një sallë të madhe të Bar Restorant "Sazanit", më i miri i qytetit. Në tavolinën qendrore ishin dhe plakat e nderuara, të dyja gjyshet e Linës, Zeqirjeja, nëna ime dhe Feineja, nëna e Hanëmes që, të gëzuara, si rrallë herë, rezistuan deri në orët e mëngjesit, duke përballuar ambientin shumë festiv, me orkestër cilësore e me shërbim shembullor, por dhe me bollëk ushqimesh, pijesh, ëmbëlsirash dhe frutash. Takimi në këtë lokal  ishte afër fundit të ceremonisë, por dasma e vërtetë kishte filluar një javë përpara, në shtëpinë e Çoles, me miq, të ftuar, pije e mishra të therur dhe këngë, orkestër e manjetofon, që dëgjoheshin deri në bregdet. Kjo, me sa u duk, ishte sa për tre dasma.
Lindita me Piron lindën dy fëmijë. Valmira lindi në Fier me 12.10.1987 dhe Deni në Vlorë me 13.07.1990. Për ta u deshën shumë përpjekje e sakrifica, sepse rruga e rritjes dhe e zhvillimit të tyre përkoi me periudhën e vështirë të tranzicionit. Çifti i ri, pasi banoj 3-4 vjet në Fier, te shtëpia e Piros së bashku me pleqtë, erdhi dhe u vendosën familjarisht në Vlorë. Pirua nisi punë me detyrën e shefit të financës në Fabrikën e Çimentos dhe Lina, me të njëjtën detyrë në Kombinatin e Konservave, që ende ishin shtetërore, po, drejt privatizimit. Më vonë kaluan në veprimtari thjeshtë private: Pirua në financën e Kompanisë "Gjallica" dhe Lina në financën e një biznesi italian në Vlorë dhe më pas në qytetin Leçe të Italisë.
Në shtator të vitit 1997 Lina, që nuk e duronte dot largimin tonë për në Tiranë, shpërngulet dhe ajo familjarisht pranë nesh: Ajo në Doganë dhe Pirua në administratën shtetërore të Tatimeve. Qiraja e lart dhe rrogat e pa mjaftueshme nuk kënaqnin kërkesat e tyre dhe të fëmije, në rritje. Ata aplikuan për Kanada dhe, në saje të aftësive të Linës, realizuan miratimin nga shteti Kanadez.
Më 23 janar 2001, pas dy vitesh peripecie e mundimesh, Lindita familjarisht, me dokumente të rregullta, niset për Kanada dhe përfundimisht vendosen në Misisiaga
të Torontos.
Lindita, me kalimin e viteve aklimatizohet mirë me Kanadanë, aq sa thotë se "unë u nisa për fëmijët, por gjithnjë e më shumë po e kuptoj se në Kanada, kam ardhur dhe për veten time". Vazhdimi i studimeve pas universitare dhe marrja me shumë sukses e provimeve me nota maksimale, e nxisin me tej dhe i forcojnë besimin për një të ardhme më të mire, të integruar plotësisht, veçanërisht të fëmijëve, që atje, qysh në vitet e para, u ambjetuan plotësisht, duke u konvertuar në kanadezë të mirëfilltë.
Kur unë, në përvjetorin jubilar të 40 vjetorit të lindjes, e urova Linditën, ajo nguli këmbë që, qoftë dhe si turistë të shkojmë, sa me shpejtë edhe unë me Hanëmen  në Kanada.

                                    
                     

Lina ime e dashur
ti ç'thua, moj, ç'thua?
Po na fton, e qeshur
Hanëmen dhe mua!

Ne, në telefon
Urojmë përvjetorë,
ti, prapë na kërkon
me hir a me zor.

Larg, në Kanada
do vijë dhe Kamani.
Ju, në një oda
Së bashku, do hani

Do hamë e do pimë,
si, dikur, në Vlorë
netët do t'i gdhijmë
me flamur në dorë.

Do kërcej dhe Deni,
Do kërcej Valmira
Boll të ngrëna keni
Pija-më e mira!
*
S'ka ç'na duhet haja,
S'ka ç'na duhet pija!
Unë, te Kanadaja
Gjej zëmrat e mia.


               Kaluan vite dhe ngjarjet nuk rrodhën siç mund ti parashikonim. Lindita me Pirron nisën të ndiejnë mospërputhje në marrëdhëniet bashkëshortore.
Me sa duket Pirrua në Kanada nuk u përshtat dot me jetën dhe kërkesat e vendit. Nuk ju përgjigj thirrjes për  të marë arsimin kanadez, një kusht ky i domosdoshëm për integrim atje. Lina ndodhi, në
këtë drejtim me e avancuar. Edhe marrëdhëniet me fëmijët krijuan largim nga Pirrua.  Ai, në të njëjtën kohë nuk i përgjigjej detyrimeve familjare dhe pati interesa të tjera jashtë shtëpie. Filluan grindjet dhe mosmarrëveshjet që i shpunë drejt ndarjes.
Pas ndarjes Lina u njoh me Majkllin Kanadez, me te cilin, pasi bashkëjetoj dhe e njohu për një vit, u martua me ceremoni fetare në Kishë.Ditët e martesës ndodha në  Kanada edhe unë me Hanëmen.





              
                                                
                     ARTA, VAJZA IME E VOGËL
                                       (Saktësi, shpejtësi, intuitë)

Arta lindi ditën e festës së çlirimit, më 29 Nëntor 1966, ditën e martë, ora 7 e mëngjesit, në Maternitetin e Ri Shtetëror, në rrugën Vlorë-Skelë, pranë Monumentit të Avni Rustemit. Ishte një ditë e ftohtë dhe me shi. Hanëmen e shoqëroi nëna ime. Prisnim me padurim një djalë, që ta mbyllnim me kaq këtë proces, se jeta ishte e vështirë, kishim pak të ardhura, vetëm nga pagat dhe me to jeta ishte e pa përballueshme, ndaj, kur e morëm lajmin, u mërzitëm ca.
Sipas shënimeve të Hanëmes, lindja ishte përsëri e vështirë, por relativisht më e lehtë se e para. Fëmija lindi 3 kg. E priti mamia Nadire Braho. Ajo doli nga materniteti pas 5 ditësh, me peshë 2900 gram. Më tej shtesa mujore ishte mesatarisht 1200 gram dhe brenda pak muajsh, mori shëndet mbi normë. Arta qysh fëmijë ka qenë vazhdimisht e qetë, e urtë, e qeshur dhe e afruar me këdo. Arta u ngrit në këmbë në moshën 14 muajsh, se ishte gjithnjë, mbi peshë. Në moshën 3 vjeç, hyri në kopshtin pa drekë, afër Hotel Sazanit, në vendin e Linës.
Në moshën 6 vjeç e 9 muaj filloi Shkollën Fillore "Ismail Qemali" në lagjen Muradie me mësuese Evrinomi Skufi (Qirko). Klasën e pestë e nisi në Shkollën 8 Vjeçare "Naim Frashëri" (Shkolla e Muzikës), në lagjen Vrenez, me mësuese kujdestare Polikseni Papapakroni, metodiste e shkëlqyer dhe njeri i përsosur.
Arta, sipas shembullit të motrës më të madhe, Linditës, me të cilën duheshin shumë dhe që e kishte si model e këshilltare, nën kujdesin e nënës sime dhe Hanëmes, nisi të praktikohet shpejtë në detyrën e amvisës së ardhshme, duke u dalluar dhe ajo në qepje, qëndisje e gatim. Biblioteka dhe këmbëngulja jonë i futi pasionin e leximit, sidomos të drejtimit letrar e artistik. Shpejtë nisi dhe ajo të shkruaj tregime e poezi. Hartimi i saj i klasës së tetë "Malli për Atdhe", u konsiderua me i miri dhe u botua në gazetën "Zëri i Vlorës". Ndërsa më vonë ishte i spikatur teksti i një kënge, kompozuar nga shoqja e saj e fëmijërisë, violinistja Laureta Çuku, që e kënduar nga Anita Bitri, mori çmim kombëtar dhe, si të thuash, e bëri të njohur këngëtaren e re, në shkallë vendi.
Edhe vetë Arta këndonte mirë dhe ishte shumë e intonuar. Ajo kishte trup të bukur elastik, e prirur për balet dhe gjimnastikë. Prima balerina shqiptare e kohës, Zoica Haxho (Azdurian), kur e pa rastësisht dhe e provoi në plazhin e Vlorës shprehu mendimin se nuk duhet ta humbisni rastin për t'i kultivuar më tej këto dhunti. Arta ka qenë gjithnjë edhe një basketbolliste amatore e mirë. Në moshën 12 vjeç Arta pati shqetësime në grykë dhe i hoqëm bajamet.
Edhe Arta i kreu mësimet e shkollës së mesme në Gjimnazin "Ali Demi", me mësues kujdestar pedagogun e gjuhë-letërsisë Bajram Abdullahi. Mësues të tjerë në këtë gjimnaz ishin Engjëll Salihu dhe Ibrahim Zejno, Spiro Caushi, Milto Shuka, Katina Mëhilli, Xhelo Brati, Masar Sinoimeri, ndërsa drejtor ishte qeparotasi Spiro Jovani. Edhe Gjimnazin, si 8 vjeçaren, e përfundoi me notat maksimale.
Arta ndryshonte nga motra e saj më e madhe. Ajo ka qenë shumë më tolerante dhe më e shoqërueshme. E gatshme për të shkuar pas lojnave, pjesmarrëse e përhershme në grupet jashtë shkollore, kulturore e artistike. Shoqet  e shumta të lagjes dhe të shkollës e dëgjonin dhe i plotësonin këshillat e saj te urta dhe  gjithnjë dashamirëse, si të një plaku të mirë.

Arta, ashtu si dhe Lina ka pasur sensin praktik në punët e shtëpisë dhe zotonte shumë profile pune, si të ishte djalë. Çuditeshin sa bukur i priste floket motrës, vëllait, deri të gjitha shoqeve të saj, e ndonjëherë edhe mua. Ajo ishte e pa përtuar për të ndihmuar jo vetëm mua, Hanëmen, por dhe këdo, që shihte se kish nevojë, duke e bërë punën me merak, sikur ta bënte për vete. Gjente, diku sheshit, ndonjë gozhdë a ndonjë vidë dhe ma sillte."Babi, mbase të duhet, po e vë te dollapi i veglave".
Arta në vitin 1985 deri 1989 mbaroi Fakultetin Ekonomik të USh Tiranë në Degën Planifikim i Përgjithshëm dhe u emërua ekonomiste në Ndërmarrjen Artistike Vlorë.
Më vonë, në vitin 1999-2001, në Tiranë, duke qenë me pune si koordinatore në IFDC, një Kompani Amerikane, projekti i USAID, Arta aplikoi, fitoi dhe kreu me sukses studimet pas universitare me vlerë Master në Administrim Biznes, që organizohej nga Fakulteti Ekonomik i USh.Tiranë, në bashkëpunim me Universitetin Amerikan "Abraham Linkoln" të Nebraskës.
Kur ishte studente e kthehej në Vlorë nga Tirana, gjatë vitit, apo në intervalin e pushimeve shkollore dhe më afrohej, më shikonte, më pyeste dhe sidomos kur shpesh më shihte të mërzitur apo të shqetësuar, më fërkonte kokën, ballin, zverkun dhe donte të dinte çfarë kisha.Një përvojë dëshpëruese ishte për Artën vajtja si emigrante në Greqi dhe martesa me inxhinierin mekanik Rudolf Goren, me të cilin nuk u harmonizuan dhe martesa e tyre nuk zgjati shum
ë. Pavarësisht kësaj, rezultat i martesës së tyre ishte krijesa e mrekullueshme, Anxhela, që, gjithnjë e më shumë reflekton gëzim e kënaqësi. Nga ana tjetër, në emigracion, Arta u rrah më shumë me hallet e jetës dhe fitoi aftësi dhe pavarësi, mësoi mentalitetin dhe gjuhën greke dhe hodhi hapat e para në gjuhën angleze, çka i shërbeu më tej, për t'u afirmuar në punët e zgjedhura.
Ajo u punësua te një projekt amerikan, privilegj që e siguroi me forcat e veta dhe e mbajti për disa vite, që ishin nga më të vështirët për të. Them se anglishtja e ndihmoi edhe në njohjen me hollandezin Willem van der Wouden, që u bë burri i saj i ardhshëm. Më vonë aplikoi dhe fitoi pozicionin e koordinatores së projektit në një projekt austriak për zhvillimin e Veriut të Shqipërisë.Për rreth katër vjet Arta punoi si përfaqesuese e kompanisë austriake-Austroprojekt-në Shqipëri, pozicion ky që i dha asaj mundësi për kreativitet dhe kënaqësi në punë.
Vitet e fundit punoi në Aeroportim e Rinasit, në Kompaninë administruese Gjermane.Së bashku me Wimin në Tiranë për disa vjet hapën një biznes Kafe-Internet dhe në vitin 2008 shpërngulen për në Hollandë.

.



                                                   

                                   


                                 ANI – DJALI IM I VETËM
                      Besojëse do bëhet "mjek i vërtetë", me shije artistike

                          

                                                        
          Kamani lindi më 9 Qershor 1972, ditën e premte, ora 5 e mëngjesit, në një ditë
të bukur e plotë diell. Lindi në Maternitetin Shtetëror të qytetit te Vlorës, në rrugën Vlorë-Skelë, po aty ku lindi dhe Arta. E priti mamia Emliha Kalemi.  Ai lindi, siç thotë Hanëmja, me "këmishë".
 Lajmin unë e mora vesh në Postën e Lushnjës, me telefon. Ishim nisur për në Doganën e Durrësit, me Bektashin, për të tërhequr një televizor, të mëritur në emrin e tij. Gëzimi ishte i madh dhe në Barkafenë e parë, ku u ulëm, pritëm urimet për lindjen e djalit pas dy vajzave, prej gjithë gjindes prezentë kurioze, që toku me ne gotat e darovisë masive. Gëzimi shpërtheu me hare, kur u kthyem në Vlorë, në prezencë të nënës sime, që ngulmonte për t'i vënë emrin e babait tim. Edhe mua më pëlqeu ky emër, jo vetëm se ishte dëshira e nënës sime dhe nuk mund të refuzohej, për respekt të babait tonë të mirë, por edhe pse ky emër, paçka se i rrallë, ishte shqiptar dhe i përdorur nga shkrimtari dhe patrioti i madh i rilindjes, Naim Frashri, për një hero pozitiv te poema e tij e gjatë "Historia e Skenderbeut". Por, edhe tradita kështu e kërkonte.
Sipas shënimeve të Hanëmes Kamani lindi me peshë të madhe 3600 gram. Lindja ishte e vështirë, se Hanëmja, ndryshe nga lindjet e para ishte e dobësuar dhe pa rezistencën e duhur. Një trajtim special ushqimor dhe ambjentalist, në buzëdetin e Vlorës, e rigjeneroi shpejtë lehonën, që, me sa duket, me cilësinë e mirë të qumështit të sajë e riti të shëndetshëm dhe të mbarë birin e vetë të shumëpritur, që njëkohësisht, i kishte kthyer humorin dhe gjallërinë. Shtesa e peshës mujore ishte rreth 1000 gram. Edhe ky u mbajt në gjoks 18 muaj. Nga mosha 6 muaj ushqimi i gjirit u shoqërua me supe me lëng mish viçi, karotë dhe të verdhë veze të freskët, si dhe kos pa sheqer. Muhalebinë nuk e pëlqente. Më vonë hante çdo gjë, duke qenë pa pretendime dhe shumë i urtë.
Në moshën dy vjeçare Ani u çua ne Çerdhen Ditore, afër Xhamisë së Vjetër, te rruga e Skelës. Aty, pas pak kohe ju shfaqën shqetësime në sytë. Neve na u duk se shkak për dëmtimin e syve ishte një vaksinë lije e bërë në kofshë, që ai e kish ngacmuar me thonj, dhe ndofta me të kishte prekur e infektuar syrin. U ndoq me kujdes, për shumë kohë nga okulisti pasionant, miku ynë Pertef Kallfa. Më
vonë i vendosëm syze miopie.
Në moshën katër vjeçare, duke shëtitur, hipur para biçikletës, që drejtonte me shpejtësi, Bashkimi 19 vjeçar, çapkën dhe i pa përmbajtur, Ani futi këmbën te rrota e parë e biçikletës dhe e dëmtoj shumë atë, duke hapur një plagë të thellë. Dëmtimin ja mjekoi gjatë, por me shumë kujdes po doktori i përkushtuar Petref Kallafa, që them se e shpëtoi nga një kusur i madh, duke ja eliminuar plotësisht gjymtimin evident. Është interesant qëndrimi, pas aksidentit i Anit, në mbrojtje të Bashkimit, i cili, megjithëse pa dashje, e kishte fajin e vetë.
Ani, jo vetëm e duronte me stoicizëm dhembjen, por fajin e merrte krejt për vete, duke e shfajësuar, plotësisht,  Bashkimin.
Edhe për Anin është kujdesur shumë Hanëmja, duke ia plotësuar të gjitha kërkesat. Ajo e ndihmonte shumë për të mësuar, duke ia kalitur vullnetin dhe durimin, për ta larguar nga lodrat e kota dhe për ta vendosur, gjithnjë në ballin e shokëve. Edhe të motrat e shihnin në sy dhe ishin në garë për ta ndihmuar dhe për t'i përmbushur nevojat dhe dëshirat e tij, ndërsa unë pretendoja dhe i kërkoja vazhdimisht: të mësonte, të punonte, të duronte. Ai u rit, duke marë shumë dashuri, nga të gjithë.
Mësimet Ani i nisi në Vrenez, te Shkolla 8 vjeçare "Naim Frashëri" me mësuesen Serrije Alimerko (Çabej) dhe po aty i përfundoi, me rezultatet maksimale.Ani ka qenë gjithnjë shumë i urtë, i dashur dhe i sjellshëm. Sipas modelit të motrave lexonte shumë literaturë jashtë shkollore, veçanërisht tregime, novela, romane dhe poezi. Shpejtë filloi dhe vetë të shkruaj poezi të bukura. Ashtu si Arta, këndonte mirë dhe ishte mjaftë i intonuar. Do i kujtojmë të gjithë ne, si ditët më të bukura në familje, ato çaste kur, të pesë anëtarët e familjes, kokë më kokë këndonim dhe unë i shoqëroje me mandolinën amerikane "Gibson", dhuratë nga babai im dhe Ani me kitarën e tij .
Ndërsa Lina dhe Arta në shkollë, si gjuhë të huaj kishin rusisht, Anin, qysh në klasë të pestë e futa për anglisht. E mësonte me interes, ndofta dhe për ti ngjarë të gjyshit, të cilit i trashëgonte emrin. Më vonë i mora një mësues privat të talentuar të anglishtes, Nestor Nepravishtën. Ishin emociononte momentet kur ky mësues pasionant e merrte në provim, libër pas libri, së bashku me shokun e Anit, Edi AristidhSopiqoti. Kur, ata përgjigjeshin, dukej sikur kishim dhe ne ngarkesë, përgjegjësi e kënaqësi..
Edhe për muzikën mu desh të ndikoja dhe ta nxisja Anin. Fillimisht duke e mësuar vetë për mandolinë dhe solfezh dhe më vonë, duke e future në kursin e kitarës në Shtëpinë e Pionierëve. Mendoj se këto ishin dy drejtime që përcaktuan, deri në një farë mase, fizionominë e karakterit dhe të të ardhmes së tij.: Kitara e futi në epiqendër të shoqërisë dhe me vonë të "Skautistëve" dhe të "Ambjentalistëve
të Sorosit; Anglishtja i dha mundësi aktivizimi në projektet e veçanta, ku aplikoi, që e nxorën jashtë shtetit, në disa vende të botës dhe së fundi, për ta lehtësuar dhe integruar më shpejtë në Amerikë.
Edhe Kamani përfundoi me rezultate maksimale Gjimnazin "Ali Demi" ne Vlorë( kishte vetëm një nëntë dhe të gjitha dhjeta). Ai mori pjesë edhe në konkurset mbarë kombëtare për biologji dhe zuri ndër vendet e para.


-Alo, alo… Dua Anin, ju lutem!
-Alo, alo,… Dua Anin, A mund të ma jepni?
-Alo, alo. .. Më jep, shpejt Anin!
Dhe një ditë:
-Alo, alo! Kush je ti?
-Urdhëro? Juve, kush jeni? E pyes unë, i  mërzitur dhe i shqetësuar.
-Ju pyeta unë, më pare. Më thoni: Kush jeni?
-Familje, familje jemi, moj shoqe. Nuk jemi zyrë
-Mirë, o, mire. Po, ç'familje
-Si, ç'familje? Familje e nderuar jemi. Kot nuk na kanë pajisur me telefon, i përgjigjem unë dhe qëllimisht, vazhdoj: Bile na kanë dhënë dhe një udhëzues për përdorimin e telefonit ku porositemi "Para se të nisni bisedën telefonike, prezantohuni ju më parë, sepse abonenti që kërkoni, dihet kush është!".
-O, o. Na falni. Kini të drejtë. Po, unë e njoh mirë zërin e Kamanit, Unë atë dua, por për fat të keq, nuk jini ju. Do ta gjej!.E njoha kush ishte, se e kisha parë dhe dëgjuar disa herë, nga që mësonin në dhomën e gjumit të Anit, për provimet e maturës.

Kur Anit i doli e drejta e studimit për Fakultetin e Mjekësisë, unë ndjeva një nga gëzimet më të mëdha të jetës sime.Me këtë rast, ne, në Dhomën e Madhe të Ndënies, në Shtëpinë te Orizi, organizuam një darkë madhështore me 40 të afërtit dhe krushqit e rinj. Në atë darke familjare më shpejt erdhi në qejf Nuni, babai i Pirros. Ai nuk pushonte së kënduari, më së shumti myzeqarçe, se na paska qenë pjesëmarrës në Asamblin Myzeqeja. Unë, që duhet të mbaja rregull dhe ekuilibër nuk ja prishja dot krushkut. Ndërkohë Skënder Bani, kunati im i madh, edhe ai qejfli kënge labe dhe shumë i nderuar e me peshë, si dajua i madh, po përpëlitej me padurim dhe më përsëriste, afër veshit, fjalët:
-"Thuaj të pushojë!", "Pse vetëm ai do këndojë?"
Po ku ndalonte krushku çakërrqejf! Ai e ngrinte zërin akoma më lart. Ndërsa Skënderi, më fort:
-"Ore, Luan! O, i zoti shtëpisë? Do ja preç ti atij, apo t'ia… vetë unë. O po qy, një javë këngë qy! " Ç'të bëja?
-Merrja dhe ti, o Skëndo!
Aq deshte Skënderi dhe nisi një labçe, shtruar, për shtatë palë qejfe.  Po ku pyeste Nuni, që vazhdonte, me të birin dhe ca grari. E më t'u pleks njëlloj përzierje kakofonie: Grupi Skënderit - labçe, grupi Nunit - myzeqarçe, Xhuli me Vilon - qytetarçe. Qejf, o qejf: Të gjithë të gëzuar, secili për hesap të vetë
dhe unë mbi të gjithë: baba doktori, jo shaka.
Në Universitet Ani u pleks me shoqëri të zgjedhur dhe mbi çdo gjë përzgjodhi Adelën, shoqen e tij të jetës, nje grua e përsosur, që na u fut të gjithëve shpejt në zemër.
Vitet ikën shpejt dhe Ani e mbaroi mirë Universitetin dhe nisi specializimin pranë Spitalit Universitar. Këtu nisën ngjarjet e viteve rebele, të turbullta, të rrezikshmte 97 tës. e… Adela ishte në Amerikë për studime. Iku dhe Ani dhe ngeli atje. Telefoni ishte i vetmi mjet komunikimi dhe çmallje, për shumë vjet. Lajmet vinin, nga larg,

Në datën 9 gusht të vitit 2003 Ani dha provimin e fundit në Universitetin e Ilinoisit. E kërkoj në telefon, po më përgjigjet sekretaria dhe unë i lë
mesazh:"Tani që Hanëmja është në Kanada te Lindita dhe unë jam, fizikisht vetëm,
mendjen e kam akoma më shumë aty. Në pamundësi për të të ndihmuar, po të dërgoj,
si hajmali, zërin tim, që ta kesh afër, në këto momente deçizive, të provimit tënd të fundit për doktoratën. Përqendrohu dhemos u nxito!. Frenoj emocionet dhe frikën! Më e mira do bëhet. Të uroj sukses!" Pasi ndahem nga telefoni veten e ndjej si në një botë tjetër, sikur jam, vite më parë në Vlorën time të dashur dhe shëtis, i vetmuar, romantik, nëpër  lagjet dhe sokakët e saj, duke kërkuar me hënë Hanëmen time të dashur:

                                   Ikin vitet lumë.
                                  Shorti keq më ra:
                                Unë "lum e për lumë"
                                   Ti, në Kanada.

Dhe pasi ndahem nga "dashuria ime më e madhe" përsëri kthehem te im bir, se me kujtohet vjersha e Naim Frashërt:

" Mos thuaj se vdes njeriu
Se, është fjalë çilimiu.
Tek i biri, jetëgjati,
Është mbëshehur i ati."

          Kjo më gëzon, më lehtëson…Mbushem me besim dhe shpresë.

Dhe nuk zhgënjehem, se rezultatet e suksesëshme vijnë pas njeratjetrës: Ani përfundon specializimin katër vjeçar për anestezi reaminacion, Lindin djalin e parë, Nikolasin, transferohen familjarisht në Çikago, ku dhe punësohen, atje lindin djalin e dyte, Lukasin. Vazhdojnë të punojnë me zell e pasion e te specializohen, si dhe te preokupoehen seriozisht për mirëritjen dhe edukimin e djemëve, duke u perfshire natyrshem ne menyren e jetesës amerikane, që të terheq në perfshirje të reja dhe nuk të lë kohë për të kthyer kokën pas.











                                                   FEINE
                                        PORTRET FISNIKËRIE


Sa herë më vjen rasti të takoj apo të njoh një njëri të mirë në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale (dhe kjo më ndodh shpesh), mendja  më shkon menjëherë te
Feineja, vjehrra ime e dashur, vdekur shumë vite më parë. Kjo më bën që të humbas ndër vite, në rrjedhën e kujtimeve të shtrënjta.
Papritmas më del para syve një grua burrneshë, trup gjatë, gjithnjë buzagaz, gati të të përqafojë, përkëdhëlë e ledhatojë, më dorë e me gojë.
 Gjithë jetës, Feineja, ishte një përsosmëri fisnikërie, përfaqsuese tipike, për çkish më të mirën nëna shtëpiakë shqiptare: E përkushtuar deri në lodhje  e vetmohim, për të ritur e edukuar fëmijët e saj; e gatshme, deri e pagjumë, për ti shërbyer e ndihmuar burrit, vjehrrës dhë vjehrrit, duke kryer e stërmunduar, detyrat e shumta të mirmbajtjës, pastrimit dhe rregullimit të shtëpisë, për të
gatuar, larë e hekurosur rrobat dhe llustruar këpucët e të gjithve; e qeshur dhe krahëhapur, për të pritur e përcjellë miqë e shokë të shumtë të burrit e deri farefisni të largët, në çdo kohë.
Jeta e Feinesë përcjell kulme mirësjelljeje të pakrahasuara me tjetër kënd. Le të kujtojmë atë të çasteve të fundit të jetës së saj, që e kam fare të freskët, sikur më flet e më grish: Thuaje, sa më shpejt, Luan, që ta mësojnë të gjithë ata që nuk e  kanë përjetuar atë bisedë, që duket si e çuditshme, po që shpreh
krejt virtytet dhë qënien e saj të pazakontë.
Ishin çastet e fundit të jetës së saj të mundimëshme, kur edhe mjekët ia kishin prerë shpresën për jetësë. Në dhomën e madhë të katit të dytë të shtëpisë, në lagjen Muradie të Vlorës, rrëzë Budakut, ishin mbledhur në përgjim, gjithë familja e stërmadhe, me katër djemtë e katër vajzat e Feines, me nipër, mbesa, motra, dhëndurë e farefis. Feineja, gati 80 vjeçare, e shtrirë në krevat, mbledh forcat e fundit jetësore dhe me zë urdhërues e bindës, siç e kish zakon, thotë:
-"Tani, ju vajza, djem, nipër e mbesa dilni në koridor, apo zbrisni poshtë. Këto pak çaste jete, që më kanë mbetur, dua ti mbyll vetëm, kokë më kokë me Idajetin, kunatën time të mirë e të gjëndur, që nuk më është ndarë në çdo hall e vështirësi të jetës, paçka se u helmua shumë këto kohët e fundit, me vdekjen e djalit, Fatosit të dashur. Na sillni nga një kafë e na ndizni nga një duhan të fort armeni".
Dhjetë minuta më vonë, pasi kunatat e dhëmshura numëruan dhë përsëritën, të përshkuara si në film, hallet dhë dertet më pikante të jetës së tyrë të gjatë të përbashkët, Feineja i mbylli sytë, për mos t'i hapur më.
E kush mund të veprontë kështu? Kunatat gjithandej, më së shumti, si vajza bote të mbledhura në një shtëpi, jo vëtëm që nuk harmonizohen, por, përkundrazi, shpesh, për xhelozi e kapriçio, zihen e mbajnë mëri gjithë kohës, gati " për t'i nxjërë dhe sytë" njëra tjetrës.
                                                                 %
Feineja ishte njëra nga katër vajzat e pa vëlla, bijë e Ariz Aliut, nga Kanina e Vlorës dhe e Hankos së Shyte, nga fshati Tragjas. Familjet e dëgjuara në krahinë, si zakonisht, lidhnin krushqi me njera tjetrën, për të ruajtur forcën dhe pasurinë. Për këtë arsye edhe Feinen e kishin martuar në Banajt e Vlorës,
ndërsa motrat e saj, gjithashtu, në dyer të dëgjuara të krahinës: Motra e madhe , Shaveri, ishte martuar me Myslym Batallin, burrë zemani, nga lagjja Karabash e Vlorës; Rukia u martua  në Sevaster, me komunarin e dëgjuar Rapo Çelo, ish komandant cete në Luftën e Njëzetës, ndërsa vajza e vogël, Meleqja, morri për burrë Ahmet Mukën, ushtarak dhë familje  e dëgjuar patriote, qysh në krijimin e
Pavarësisë së Shqipërisë, me Ismail Qemal Beun.
Babai i Fenos, Arizi, nga familja e kamur Aliaj e Kaninës, një nga dyert, ku, siç thonë për veten e tyre me krenari të ligjshme edhe të tjerë kalinjotë, kish
dalë dhëndër vëtë Skënderbeu. Arizi, blegtor i pasur, në krye të kopeve medhën e dhi ishtë vetë, po i shtohej më shumë vlera se kishte vëlla të dëgjuar për zgjuarsi e trimëri si rrallë të tjerë, trimin dëshmor Halim Aliaj.  Ata ishim me toka, blegtori e pasuri, po  emri i Arizit nuk iu trashëgua, se nuk pati djalë, ndaj edhe sot një sipërfaqe e madhe me ullinj, që la trashëgim, e pa trashëguar faktikisht, quhet parcela me "Ullijtë e Çupave".
Hankua, nëna e Feinesë, ishte një kreatyrë tepër e bukur dhë shumë interesante, deri në moshën gati 100 vjecare sa rojti. Ajo ishtë bijë nga fisi i madh i Shytajve të Tragjasit dhe motra e patriotit veteran, nderit të qytetit të Vlorës, librarit vlonjat Ibrahim Shyti.  Madje ajo me të, në të njëjtën strehë, i ngrysi dhë vitet e fundit të jetës së saj të gjatë.Feineja e bukur dhe e re, që trashëgoi virtytet më të mira fisnike të sjelljes njerëzore: trimërisë, bujarisë, mikpritjes, jetoi në familjën Aliaj në Kaninë deri në moshën 17 vjeçare dhe u martua me Haxhi Ali Banin nga Vlora, një i ri qytetar i kamur dhe i pashëm, profesionist e shumë i lidhur me punën dhe pasurinë.
Banajt, me origjinë  të lashtë nga malsia e Beratit, janë ngulur qindra vjetë më parë, duke blerë toka  e dyqanë tregtie e artizanati, në qytetin e Vlorës dhe me të drejtë quhen qytetarë të hershëm vlore. Ata banonin në një familjë të madhë, në lagjen Muradie të Vlorës, ku dëgjohej zëri i vetëm i Ali Banit, një burrë trupmadh e autoritar, që më dy djemtë e tij Haxhi e Gjysh Bani, (që kish për grua Idajete Veshin), dalloheshin për harmoni e mirkuptim shëmbullor. Për rreth tyre, po me këtë mendim të mirë, njiheshin dhe vlonjatët e tjerë të fisit të madh të Banajve, artizanë e tregtarë të ndershëm e punëtorë dhe të permendur ndër breza për patriotizëm e shqiptari.
Feineja me Haxhiun lindën e rritën 8 fëmijë: katër vajza dhë katër djem dhe së bashku me prindët e moshuar, Aliun dhë Eminenë, me të vëllain, Gjysh Banin,
gruan e tij Idajete dhe 6 fëmijët e tij, numurohëshin 20 pjestarë, të kësaj familjeje të madhe patriakale, unike, që vepronte si  një zë i përbashkët, për të përballuar vështirësitë e shumta të kohës dhë të jetës në një bashkësi kaq të madhe.
Ishtë harmonia e plot dhë drejtimi i mënçur i baba Aliut dhe nënë Eminësë, në fillim dhe i Haxhi Banit dhë Feinesë, më pas, që i dha emër të mirë kësaj familjë në qytëtin ë Vlorës dhë në krejt krahinën jugore.
Familja e madhë, pa tjetër, si të gjithë qytetarët e kohës, me halle e vështirësi, problemet i zgjidhte brënda saj dhe jashtë përcillte vetëm gezim, miqësi e dashuri.
Shtëpia e Ali Banit, një godinë  e madhë, si kala me kate, ishtë e ndërtuar, rrëzë Kodrës së Budakut, në lagjen Muradië, karshi Xhamisë së Kuqe dhe fare afër Shkollës "Ismail Qëmali", shkollës së parë shqipe të Vlorës.
Qysh në kohën e "Mbretërisë", sapo hyje te porta e madhë me qemer guri, të Shtëpisë së Banajve, në krahun e majtë, shihje autoveturën e vogël shtatë vëndëshe "Fiat 22" të punës së Haxhiut, një ndër shoferët më të vjëtër të Vlorës, më tej garazhin dhe vegla e paisje pune, ndërsa lart, në kodër, shtriheshin baçe me pemë frutore, pjergulla rushi, hije dhë freski të përherëshme. Një tunel i nëndheshëm dëshmonte për masat eventuale mbrojtësë dhë që përdorej, njëkohësisht, si kantinë për dëpozitim vere, rakie dhe vai ulliri, ndërsa në një magazinë të madhe, aty pranë, ruheshin materiale për prodhim këpucësh, makina qepse e vegla pune për këpucari, rezervë  e dyqaneve të këpucarisë, në qëndër të qytetit. Parcelat e tjera me ullinj ishin në Kuzbaba, Zadra, Pusi Mezinit, Qafa e Koçit, Karshi Spitalit dhe gjetiu.
Banajt ishin aktivë në jetën kulturorë, artistike, sportive e patriotike të qytetit të vëtë: Përkrahës të Ismail Qemalit, në luften për pavarësi; pjesëmarrës direkt në Luftën e Vlorës, ku Haxhi Bani vuajti burgosjen dhe internim në ishullin e Sazanit; në 24, me Fan Nolin dhe në Luftën Nacional Çlirimtare, ku krejt familja, rrëzë Budakut, u bë mbështetje e fuqishme dhe Rexhep Bani, jep për luftën edhe jetën e tij të re.
Ishin vitet e Luftës Nacional Çlirimtare, që evidentuan edhe më shumë solidaritetin, mikpritjen dhe besën e kësaj familjë të madhë vlonjate. Këtu, nëlagjen Muradië, në qëndër të Vlorës, ku në një anë ishtë familja Çakërri, në tjetër Halim Bejto, aty pranë Reiz Malilja dhe Fejzo Binua dhe në mes të shtëpisë, gjithnjë Ymer Veshi, u shqua edhe me shume gatishmëria dhe vlera e Feinesë, (pa tjetër dhe e Idajetes, hallës së Ymerit), që kishte ngelur figura kryesorë jetsore e familjes, ndërsa të tjerët ishin larguar maleve, apo fshiheshin, se ndiqeshin për burgosje e internim. Duheshin strehuar partizanë e
drejtues kryesor, duheshin përgatitur ushqime e veshmbathje, duheshin pritur e përcjellë të rinjtë e familjes në luftë, duheshin duruar e mjekuar plagët e luftës dhe hidhërimi i thellë nga vdekja e njerëzvë më të dashur.
Po, erdhën dhe vitet e  shumëpritura të "Clirimit". Feineja  dhe familja Bani, si gjithë populli shqiptar, u ndesh me zhgënjime e të papritura: U burgos
fillimisht një dhëndri i saj, që megjithëse student në Bolonja të Italisë, u kthye i rreshtuar në cetat e para partizane në luftë me okupatorin, po në operacionin e egër e të pashpresë të dimrit, u tërhoq i maskuar për t'u mjekuar në qytet, cka ja quajtën dezertim; u konfiskua pasuria, ullinjtë, autoveturat, dyqani, duke  nënshtruar të gjithë popullin në regjim të racionuar ushqimi më triska; u bë i detyruar kooperimi dhë kolektivizimi dhe jeta veshtirësohej gjithnjë e më shumë. Gjithë familja e madhe, për mbijetesë, u detyrua të punojë me sqepar në dorë, në punë artizanale, po pa kënaqur as kërkesat minimale, në kundërshtim me traditën e bollëkut dhë të pasurisë normale. Edhe për të folur
duhej bërë kujdes, së të priste demaskimi masiv e deri burgu. Duhet të bëje kujdes dhe të rezervohesheedhe ndaj njerëzvë të fare fisit.
-Kujdes, djema, mos e lëshoni gojën "pa doganë" kur kini pranë njërëz të qeverisë, se do gjeni belanë, porosiste  Feineja e kujdesëshme.
Feineja kishte dëshirë, si "zonjë e rendë" e kahershmë, të pintë disa kafe në ditë, madje, të ndizte dhë ndonjë cigare, qoftë dhe të dredhur. Dhe, meqë kafeja mungonte, pranontë edhe lëng elbi. Kafenë e deshte me shokë e shoqe dhe kur "interklubi", sic quhej në imitim, dhoma e saj e gatimit, ishtë pa njeri,
Feineja e mirë, dilte jashtë shtëpisë, te porta me hark dhe priste të  kthente të parin njeri të njohur që shihtë në rrugë, për ta pirë së bashku  më të, kafënë e dëshiruar, për ta shijuar atë, siç i pëlqente, bashkërisht.
Kënaqësinë më të madhe Feineja e gjente kur gatuante. I kishtë lezet dora. Gatuante, pa përtuar, dukë përdorur vetëm vaj ulliri: gjithfarë byrekësh, suprash, sallatash, qoftesh, gjellë e ëmbëlsira, në furrë e në saç, me emra e cilësi të harruara në kohë, po më shijë të veçantë. Ishte mjeshtre në përdorimin e beharnave dhe pikanteve. Çdo javë atje do piqej bida, apo do kishte dollmë pate, zogë të skuqur me vezë, rosë me oriz, mish qëngji të pjekur, apo rosto viçi, shoqëruar, më së shumti, më vërë cilësore.
Në pasditë, kur ishtë më e ngeshme, Feineja të sërvirte fruta të frëskëta cilësorë. Atëhëre kishte dëshirë edhe për muhabete të lira. I vinte mirë për origjinën dhë ndjentë kënaqësi kur bashkëbiseduesi ishtë nga fisi i  nderuar.
-Nga e kemi këtë dhëndrin tuaj të ri, pyeti njëhërë, dukë përtypur ca ftonjë të
shijshëm, një mik, i pa njohur me mua.
-Nga Vlora është, po origjinën e ka nga një fshat i madh, u përgjigj Fenua, e gëzuar. Dhe vazhdoi më tej: E këmi me origjinë gjirokastrite. Fshat i madh Kanina e saj, pse të mos ishte e madhe dhe  Gjirokastra e dhëndrit?Shtëpia e Fenos ishtë gjithnjë plot me miq e dashamirës. Ngrohtësinë dhe afrimin për të afërtit, miqtë dhë dashamirësit e diktonte vetë ajo, që ishtë nuri i shtëpisë,  modeli i mikpritjës dhe kreu i muhabetit, po nga këto sjellje  fine e veprime të kjdesëshme tradicionale, të gjithë pasardhësit, ishin shëmbëlltyrë e merituar e saj. Në epiqendër, si një kopje besnike, vintë djali i madh, Skënderi, që, veç të tjerave u kujdës shumë, për mos t'i mungur asgjë së ëmës, deri në pleqërinë e thellë. Edhe më pas ai e mbajti "derën hapur" dhe ndoqi një për një shëmbllin dhe këshillat e Fenos së mençur, të urtë e punëtore.
Fenua, Haxhiu, burri i saj i nderuar, Skëndëri, Murati dhë Enveri, djemtë e saj të mirë, tani nuk janë më, (edhe ne, pas ca kohe, nuk do jemi), po portreti i Feine Banit, për këdo që e ka njohur, ngelet një shembull frymëzues, për atë dhe për brezat e ardhëshëm, një model mirësie, devotshmërie e dashurie njerëzore.












ELEGJI PER MURAT BANIN


Më njëzetetre janar
Qielli dhe toka gjëmonte,
Hata e madhe kish ngjarë:
Murat Bani më nuk rronte.

Kishte ardhur Vlora mbarë:
Miq e shokë e gjitoni,
Elbasanas dhe Lushnjarë,
Burra, gra, pleq e fëmijë.

Të përcjellin për në varr
Të nderojnë, si rrallë një tjetër,
Kokën ulur, duke qarë
Lotë rrjedhur nëpër mjekër.

Ku ti gjejë forcat Durimi
Djali yt, larg i mërguar,
Ku do mbështet Silvana,
Vajza jote e vetmuar?

Ti i le shokët brengosur
Vllezër, motra të helmuar,
Mirkën grua- sakatosur,
Tre nipat të dëshpëruar.

Kortezhi heshtur po ri
Secili për ty mendon:
Mënçuri e bukuri.
Urtësia më nuk rron!

Sapo ike në zefir,
Ike, vetëm si gjallesë,
Po emri Murat i Mirë,
Asnjëherë nuk do vdesë.
   30



Komentet

Postimet më të komentuara nga ky blog

JETA IME

PËRSHKRIME UDHËTIMESH

PËR TË QARË DHE PËR TË QESHUR