KRIJIME TË VITIT 2012

POROSI DHE KËSHILLA NGA  BABAI IM KAMAN ÇIPI

 

Kam dëgjuar se, në traktatin e tij “Lavdërimi i Atdheut”, filozofi i antikitetit Lukiani, shumë shekuj më parë, ka shkruar se “… Nëqoftëse një djalë ka nderimin e duhur për babanë, do ta nderojë siç duhet edhe Atdheun, sepse edhe babai është një copë e Atdheut”.Në respekt e nderim të babait tim (tani edhe unë, gati 80 vjeç, baba edhe gjysh) po rrekem të rendisdisa kujtime, porosi e këshilla, asht si mbaj mend nga thellësitë e viteve:

Babai im, Kaman Bektash Çipi, për kohën kur jetoi, kujtohet ndër njerëzit me kulturë e bagazh  bashkëkohor njohurish praktike e jetësore me spektër ekonomik, politik e fetar, sepse mbarte përvojë Amerikane gati 10 vjeçare dhe veprimtari aktive në gjirin e Shoqatës Patriotike Vatra, si dhe ishte besimtar i hershëm i Sektit Bektashi. Ai kishte përfituar njohuri të dobishme jetësore edhe nga miqësitë personale me burra të shquar të kohës, si nga Dervish Rexhepi i Gjirokastrës (që  më pas u bë themelues i Teqes së Bostonit në Amerikë dhe teolog Bektashian dhe dervish Metja i Vlorës (Ahmet Myftar Dede, që u bë deri Kryegjysh Botëror i Bektashive),  si dhe miq dhe personalitete të shquara të kohës, nisur nga Asaf Çipi, Thoma Papano, Bajo Topulli, Fan Noli, Avni Rustemi, Rapo Çelo, Omer Nishani, Bari Omari, Hasan Dosti, Bedri Spahiu, Safet Butka, Rexhep Sulejmani, etj. Ai ishte i mirë arsimuar për kohën, se kishte kryer me rezultate të mira deri Shkollën e Mesme Turke (Ruzhdijen e Gjirokastrës) dhe njihte Turqishten (me alfabetin e vjetër dhe të ri), Arabishten, Anglishten, Italishten dhe Greqishten. Ai kishte një bibliotekë të pasur dhe ishte i abonuar në revistat kryesore të kohës, si dhe shkruante (ka lënë dorëshkrime) me poezi, tregime origjinale dhe përkthime nga këto gjuhë.
Babai im, ishte i veçantë, edhe pse jo vetëm se këndonte bukur këngë polifonike labe gjirokastrite me një timbër të veçante mjaft tingëllues, si marres dhe kthyes, por këndonte dhe me një zë tenori disa oktavësh dhe kënge qytetare e deri kanconeta italiane dhe luante lirshëm melodi të bukura në mandolinën e tij Amerikane, marka Gibson, të sjell prej Amerike. Ajo edhe sot është ruajtur në kuti të  posaçme, si të ishte e re, megjithëse e prodhuar në vitin 1911. Babai entuziazmohej dhe përcillte kënaqësi të veçanta, sidomos kur këndonte këngë popullore shqiptare patriotike e trimërie, këngë  të moçme dasmash dhe  këngë gazmore të improvizuara me humor të thekur..

Ishte shume entuziast sidomos kur fliste me pasion në bisedat e ngrohta intime me ngjarje e humor dhe i kënaqte dhe u imponohej dëgjuesve që e ndiqnin gjithnjë e me më shumë interes. Në këto raste rreth tij shpejt mblidheshin bashkëkohës të vëmendshëm, që dëgjonin dhe e pyesnin me kureshtje, sidomos kur tregonte ngjarje të jetuara në emigracion, ose ngjarje patriotike e luftarake të ndodhura e të përjetuara në veprimtarinë e tij tepër aktive. Ai, nëpërmjet tyre nderonte kujtimin dhe përpjekjet e veçanta për liri, demokraci e kulturë të shumë prej patriotëve e veteranëve, me të cilët ishte njohur dhe kishte bashkëpunuar në gjirin e shoqërisë “Vatra” në Amerikë, në Klubin Patriotik “Drita” të Gjirokastrës, në Shoqërinë “Bashkimi” në Vlorë dhe në çetat patriotike e Fanoliste të  Rrapo Çelos, Safet Butkës, apo ç’kish dëgjuar e parë për heroizmat e Çerçis e Bajo Topullit, Sali Butkës, të dëshmorëve të Mashkullorës, të Orman Çifligut, etj.

Shpesh ligjëronte e tregonte vetëm për ne fëmijët dhe nipat e tij, duke pasur në qendër të vëmendjes përcjelljen e përvojës dhe të modelit të tij perfekt, për ngulitjen e ndjenjave patriotike dhe të edukatës dhe  moralit të shëndosh shoqëror e familjar, apo jepte porosi për kalitjen fizike, ushqimin e shëndetshëm, sjelljen në shoqëri, edukatën dhe moralin, sinqeritetin, respektin për më të rriturit dhe më të diturit,  për të ndihmuar nevojtarë, të pafuqishmit dhe të varfëritë, për të çmuar mësuesin dhe fenë, për të nderuar nënën, babën, vëllain dhe motrën, mikun dhe shokun,  dhe deri për të respektuar dhe ndihmuar policinë dhe shtetin. Për këtë shfrytëzonte çdo rast takimi pas buke, dasmat, fejesat,  davetet dhe mikpritjet e shumta ose shfrytëzonte kohën e lirë në mbrëmjet e gjata  të dimrit, rreth vatrës me zjarr.
 
 

JETA NË EMIGRACION NUK ËSHTË QËLLIM MË VETE

Pa i gjetur mundësitë për mbijetesë në qytetin e vetë të lindjes, duke ndjekur shembullin e vëllait të madh, që kish emigruar në Turqi, po që se kish gjetur mirë veten,  Kamani u vendos të emigronte në Amerike, çka ishte bërë modë aso kohe ndër djemtë gjirokastritë. Ishte viti 1913, vit krize dhe reprezaljesh greke në Gjirokastrën e shqetësusar, që bënte përpjekje për t’u bashkuar, në pavarësinë e Shqipërisë, me qeverinë e Vlorës. Kamani 18 vjeçar, me një grup djemsh gjirokastritë, niset për në tokën e premtuar, Amerikë. I përkrahur nga të tjerë gjirokastritë e patriotë si Lutfi Çipi, Kosta Isaku, Ramiz Harxhi, atje, në Amerikë, fillon e bën çfarëdo lloj punësh e kursesh dhe më së fundi punon si shofer transporti në një fabrikë municionesh. Në këtë mënyrë shpejt siguron të ardhura të bollshme, shlyen navllon e marr borxh dhe ndihmon familjen në nevojë.
 
Qysh në ditët e para të jetës në Amerikë, duke rënë në prehrin e shqiptarëve revolucionarë e patriotë, Kamani u lidh dhe u vu në ballë të përpjekjeve për bashkimin e shqiptarëve të Amerikës, në përkrahje të krijimit dhe forcimit të pavarësisë së Shqipërisë, sidomos duke iu kundërvënë intrigave të shovinistëve lakmitarë të lobit të fuqishëm grek. Në qytetin Waterwill, ku u vendos së pari, formuan Degën e Bashkimit nr.42 të Shqiptarëve të Amerikës, duke ngritur, njëkohësisht, Klubin dhe Shkollat e Natës, për mësimin e shqipes dhe zhdukjen e analfabetizmit midis emigrantëve shqiptar. 
 
Kamani u caktua, i zgjedhur, sekretar i degës 42 dhe mësues nate për alfabetin shqip. Pas 18 muaj pune intensive Kamani largohet, me kërkesën e patriotit Kosta Isaku në qytetin më të madh të Manchester N.H., ku u vu tërësisht në shërbim të lëvizjes Noliste. Këtu qëndron 8 muaj dhe po me ndërhyrjen e patrioteve, lëviz për në një tjetër qytet të madh, me grumbullimin më të ngjeshur të shqiptarëve, East Pittsburg Pa.. Edhe atje zgjidhet Sekretar i Degës, që zhvilloi një aktivitet të shquar për shpëtimin e Shqipërisë, sidomos të Korçës dhe Gjirokastrës, që rrezikohej ti aneksoheshin Greqisë. Ishin dramatike dhe emociononte, kujton babai, ato dite të zjarrta manifestimesh, protestash, mbledhjesh, takimesh, grumbullime ndihmash solidarizuese. Me fjalime elokuente, me recitime vjershash e monologësh të zgjedhura, të deklamuara publikisht, djemtë e Shqipërisë linin në dispozicion të fushatës deri shuma të mëdha dollarësh, bile kishte raste, krejt kursimet me libreza banke e portofola dhe me lot në sy thërrisnin ”Mbahu nëno, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë” 
 
Ata ishin gati të linin dhe të sakrifikonin çdo gjë të mirë dhe çdo fitore që kishin realizuar me  shumë mund e djersë,  aty në Amerikë dhe të vinin e të jepnin gjakun dhe deri jetën, për Shqipërinë e rrezikuar. Kjo gjendje solidariteti u mbajt për një periudhë të gjatë kohe, në disa vjet. Ishte puna e madhe, e vazhdueshme, intensive e Shoqërisë “Vatra”. 
 
E njëjta gjendje elektrizuese dhe entuziaste u krijua edhe në vitet 1919-1920, kur pata fatin, thotë babai, të mbaj lart flamurin e fushatës, si Sekretar i Degës i  rizgjedhur në të njëjtin qytet, për të ndihmuar simbolin e shqiptarizmës, patriotin  Avni Rustemi, që ishte burgosur në Francë, se kish guxuar, me atë akt të rrallë trimërie, të vriste, në mes të Parazit, tradhtarin Esat Toptani . Në këtë kohë, në  East Pithsburg, për ta shoqëruar në mënyrë më të kulturuar dhe demonstrative aktivitetin pro shqiptar, ne, kryesisht djem gjirokastritë, krijuam shoqërinë kulturore “Drita”, ku sërish shokët më zgjodhën mua sekretar, shkruan në kujtimet e veta Kamani, detyra që i mbajta deri sa u ktheve në Shqipëri.”
 
Duke na treguar për jetën e tij në emigracion, për vështirësitë e shumta atje dhe përpjekjet e mundimshme për mbijetesë dhe për t’u njësuar me vendësit, babai ynë shpjegonte se emigracioni i secilit, përgjithësisht nuk është qëllim në vete, po mundësi e detyruar për të siguruar një minimum burimesh financiare te domosdoshme, për t’u kthyer sa më parë në Atdhe dhe për të rifilluar atje, midis bashkëqytetareve të t’u, një jetë normale, duke e investuar kapitalin e grumbulluar me mund në veprimtari prodhuese e tregtare, për të krijuar familjen dhe për të lindur e rritur fëmijët e t’u, me shpresë e besim për një jetë  gjithnjë e më të mirë në vendin tënd të shenjtë, për nga bukuria e klima më të mirin në botë,  e të bekuar nga Zoti.

 
 
MBI ÇDO GJË - ATDHEU 

Në Shqipëri babai ynë u kthye në vitin 1922. Erdhi për pushime e çmallje, por edhe me një detyrë të posaçme: Të ndërmjetësonte pranë Bashkisë së qytetit  të Gjirokastrës për të ngritur një Bandë Muzikore, që do ta gjallëronte ambientin kulturor të qytetit dhe do ngrinte lart entuziazmin popullor, sipas shembullit të qyteteve të  Korçës, Elbasanit dhe Shkodrës. Fondet për këtë do siguroheshin nga kontributet e Shoqërisë Kulturore “Drita” të djemve gjirokastritë të Amerikës.
 
Javer Beu, kryetari i Bashkisë, u shfaq dakord me propozimin për ngritjen e Bandës Muzikore, por tha: Me këtë punë do merrem unë personalisht, ju me dërgoni dollarët. U kuptua ashiqare qëllimi i tij, për të përvetësuar fondet, duke vepruar, si zakonisht, se ai njihej për këto marifete.

Kur përpjekja për krijimin e bandës muzikore dështoi Kamanin e përfshiu rutina e punëve, problemeve dhe ngjarjeve të kohës: Kreu shërbimin ushtarak në Ushtrinë Shqiptare të sapo formuar, filloi aktivitetin privat të transportit interurban në linjën Vlorë-Janinë, me një autoveturë, që e kish sjell nga jashtë, u fejua dhe u martua.. Ndërkohë takohet me patriotë dhe revolucionarë të kohës dhe, pikërisht, Avni Rustemi, ai të cilin e adhuronte aq shumë së largu, ia mbushi mendjen ta refuzojë thirrjen për rikthim në Amerikë dhe ta anëtarësojë në shoqërinë “Opinga” dhe “Bashkimi”
     
 Vrasja e Avniut e dëshpëron dhe e mbush me urrejtje. Fillimi i revolucionit të   qershorit 1924 e përfshin, me gjithë automjetin e tij në ato ngjarje të vrullshme në pjesëmarrje aktive dhe luftarake. Merret me lëvizje trupash, ushqimesh dhe veshmbathje; lufton me armë në dorë në betejën e Ardenicës, në çetën e Rrapo Çelos, ku dhe plagoset në pulpën e këmbës së majtë, për të mbartur gjithnjë me vete “vulën e devotshmërisë patriotike”.
   
Në vitet 1923-1924,  kur Theofan Noli, vjen disa herë në Vlorë shoqëruar nga pasuesi i tij besnik, babai im Kaman Çipi, u kujdes duke e strehuar në një dhomë të posaçme ku punoi dhe fjeti, te hoteli i Ilmi Çipit, që ishte vëllai i tij dhe që në respekt të heroizmit korçar të kohës, për t’u shkëputur nga grabitqarët Grek, quhej “Grand Hotel Korça”. Gjallëri të madhe pati në këto mjedise, koha kur u organizua ceremonia e varrimit të patriotit të shquar Avni Rustemi, si dhe gjatë periudhës së veprimtarisë së Qeverisë NOLI. 
 
 Dështimi i “Qeverisë Demokratike” që drejtohej nga Fan Noli, idhulli i tij i përjetshëm, zhgënjimi për masat gjysmake dhe për paaftësitë dhe pasivitetin e saj, mungesa e organizimit dhe e harmonisë ndërvepruese të lidërve bashkëkohor, ndarja e tyre në grupe interesash dhe përfituesish, (të “bejlerëve grindavecë” e  të “karjeristëve aventurier”), e hedh në dëshpërim Kaman Çipin e lodhur dhe e bën që të urrejë politikën dhe politikanët, duke na këshilluar paskëtaj, që dhe ne bijtë e tij, gjithnjë të qëndrojmë  sa më larg saj.

Vlorë, më 25.10.2012

 
  
 
GURI I GDHENDUR HYN KUDO, NJERIU DUHET TË JETË ZOT I VETES SË TIJ

Ndryshe nga mendimi popullor grek se “shumë zanate të lënë pa shtëpi e prokopi”, babai ynë solli nga Amerika përvojën “guri i gdhendur hynë kudo”, ndaj ai thoshte se sa të ketë mundësi e fuqi njeriu duhet të punojë, të mësojë dhe të bëhet zot i vetes së tij. Pra “të gdhendi gurë”,  prandaj gjithë jetës të punojë e të prodhojë, të mësojë e të marrë profesione e diploma, për t’i përdorur kur të mundet e kur të ketë nevojë e oportunitet.
Pas dështimit në politikë e në “Revolucionin Fanolist të Qershorit të vitit 1924”, babai ynë përdori “gurët e gdhendur”. Familja dhe prona u bë qëllimi i jetës së tij...Vazhdoi punën direkt si shofer duke udhëtuar me ditë e me natë në rrugët e ashtuquajtura të asaj kohe, shumica copa rrugësh të hapura për nevojat e Luftës së Parë Botërore nga ushtritë pushtuese Austriake e Italiane.
U krijua Agjencinë e Autoveturave Vlorë-Gjirokastër, që zgjatej deri ne Delvinë, Sarandë dhe Janinë, duke i kooperuar ato pak automjete të kohës, që ishin në luftë konkurruese. Në vitin 1934 mbartet familjarisht nga Gjirokastra në Vlorë dhe në aktivitetin e tij tregtar përfshihet dhe transporti i mallrave. Merë monopolin e shpërndarjes së kripës së detit për zonën e jugut, bën tregti me drithëra dhe lëkurë. Agjencia e Transportit Automobilistik në Vlorë, ku ishte qendra e aktivitetit tregtar, vendoset në Sheshin “Tomson”, në qendër të qytetit. Për hapat e shpejta e të suksesshme shërbeu shkalla e lart relativisht e arsimimit të kohës si dhe përvoja, gati 10 vjeçare amerikane. Veç kësaj, aty afër me të është gjirokastriti Resul Hoxha, me tregtinë e drithërave; përbri nipi i Kamanit, Beti, me distributor karburanti; në të djathtë Hilmi Çipi, i vëllai Kamanit, me “Grand Hotel Korçën”; majtas Fadil Kotoni me Farmaci. Ishte si në një oazë, si një Gjirokastër e vogël, e ringritur aty, në mesin e Vlorës. Veç kësaj, në Vlorën e pasur nga natyra dhe të bekuar nga Zoti, prej kohësh kishin zbritur qindra gjirokastritë punëtorë e kursimtarë, që ishin pasuruar dhe ishin bërë ndër pronarët më të kamur veprues. Ata e përkrahnin dhe e ndihmonin pa xhelozi njeri tjetrin dhe si punëtorë e nikoqirë, u pasuruan shpejt.

Në Vlorë Kamani, nisi të zbatojë përvojën e marrë si emigrant nga Amerika, duke u orientuar në bizneset më të leverdishme. Ai përsëriste sentencën “Sa më shumë të ndërtosh, aq më shumë do të rrosh” Dhe gjithë jetën, sa mundi, u mor edhe me ndërtime. ”Ka dy lloj njerëzish, thoshte, ndërtues dhe prishës. Ne duhet te jemi nga ata që ndërtojnë, me punë të lodhshme dhe me djersën e ballit” Bleu tokë, në Skelë të Vlorës  nga familja “Vlora” dhe më pas nga  gjirokastriti Veli Harxhi dhe në vitin 1937 ndërtoi një vilë  me dy kate, që për shumë vjet ishte e vetmja banesë komode e rrugës Vlorë-Skelë. Atje, në kushte shumë të mira banimi, në kopshte të gjelbëruara me shumë pemë, lule, baçe të mbjella me gjithfarë zarzavate që lulëzonin e prodhonin gjithë vitin, me lopë qumështi, pula, kalë shale e automjete të vogla e të mëdha, duke ndjerë nga afër zhurmën dhe erën e detit, banuam disa vjet, deri pak kohë pas okupacionit italo-fashist.

Italianët të vendosur ushtarakisht me kazerma karshi shtëpisë tonë, e kërkuan me insistim dhe imponuan marrjen e saj me qira. Kamani shpërngulet nga Skela në lagjen Muradije Vlorë, ku nis ndërtimi i shtëpisë tjetër dy katshe, me gurë. Guri vinte nga Drashovica dhe për transport, shfrytëzohej rruga e kthimit bosh të makinave, kur vinin nga Gjirokastra, sipas përvojës së ndërtimit të shtëpisë së Skelës. Ishte kjo periudha kur Kamani, me gjirokastritët e pasur Musa Gurgaj dhe Syrja Peshkëpia formuan shoqërinë tregtare automobilistike “PEGUÇI”, ku përfshinë 4 automjete diesel të reja të kohës me rimorkio, si “Fiatsesantasej”, “Fiatventisej” dhe “Trentakuatro”, që administroheshin nga Axhensia Automobilistike e drejtuar nga Kaman Çipi në Vlorë, po që tani udhëtonin edhe në Shqipërinë Veriore, përfshirë qytetet kryesore të Kosovës.
 
Gjatë luftës Italo-Greke, kur Vlora nisi të bombardohej nga aviacioni anglez, familja jonë, si e shumë vlonjatëve të tjerë, u shpërngul nga qyteti i Vlorë, që pas ndërtimit të Aeroportit Ushtarak nisi të mitralohet dhe bombardohet nga ajri prej Anglezëve dhe u vendos pranë dajave, në Fier.

Dajat tanë në qytetin e Fierit, Gani, Qani dhe Fejzi Peshkëpia ishin vendosur atje, të larguar nga lagjja Pllakë Gjirokastër, rreth viteve 1920. Në Gjirokastër ata kishin dy shtëpi, buzë rrugës “Pashallarë” dhe babai i tyre, Neimi, administronte edhe bagëti të imta, që i shtegtonte verës deri në Myzeqe. Ishte fatkeq, se vdiq shpejt, bashkë me një djalin e vete nga epidemia e gripit Spanjoll, që në Shqipërinë e varfër të atyre viteve, pa mjekë e spitale, shkaktoi vdekje në masë.

 Në qytetin e Fierit dajat ndërtuan një shtëpi të madhe ( tip Elbasani, me bimca) rrethuar me baç, pemë dhe oborr, ku jetonin bashkërisht me nënën e tyre Xhevrije (gjyshen tonë nga nëna). Atje dhe u martuan e u shtuan. Ganiu punonte në një tregti të vogël, Qaniu këpucar dhe Fejziu shofer me makinën e tij. Shpejt u pasuruan diçka dhe u përfshinë si aksionar në Fabrikën e re të Tullave të qytetit dhe në Fabrikën e Miellit. Dajat dalloheshin për ndershmëri e korrektesë dhe si të tillë bënë emër të mirë në qytetin e Fierit, tradite që u përcoll ndër vite nga djemtë, vajzat, nipat dhe mbesat e tyre.

Edhe në qytetin e Fierit, Kamani bleu tokë dhe restauroi e zgjeroi një shtëpi me tre kate, në lagjen “Liri”, me vend parkimi, hajate dhe baç, e gjithë e rrethuar me murr blloqesh betoni. Për punimet e rifiniturës dhe zbukurime e deri piktura murale në këtë shtëpi u përdorën edhe tre italianë, të ngelur rrugëve, pas kapitullimit të Italisë dhe që u mbajtën në familjen tonë, si të ishin pjesëtarë aktiv të saj, duke ngrënë e pirë në një sofër.

Në Fier Kamani vazhdoi të administronte shoqërinë e transportit automobilistik “PEGUÇI” dhe kamionët e tij transportonin pa reshtur mallra gjithfarësh, përfshirë monopolin e kripës, në gjithë Shqipërinë, përfshirë Kosovën, prej nga sillnin kryesisht drithëra.

Luftën Nacional- Çlirimtare kundër okupatorit italo-gjerman Kamani e përkrahu pa rezerva, duke e konsideruar atë si “luftën e vegjëlisë, me principe e ideale më të gjëra e më të sakta, nga ato të rinisë time”. Për të argumentuar këtë ai shton në ditar me dorën e tij: ”I riu, që ka pasur fatin për vepra patriotike (aludon edhe për vete), i di dhe i çmon fort, duke i parë nga pleqëria, ku i digjet zëmra, po si punon fiziku”. Ai personalisht, po dhe me djalin e tij, Enverin, antifashist i orëve të para dhe partizan veteran, përkrahu sa mundi luftën me ndihma materiale, strehim partizanësh e  ilegalësh dhe me kontribut direkt. Dy pjesëmarrës dhe drejtues të rëndësishëm të luftës dr. Omer Nishani dhe Rexhep Sulejmani ishin ndër shokët dhe miqtë e tij më të mirë. Kamani, për intrigë e xhelozi, u burgos, në kohën e okupacionit dhe u kërkua nga bashkëpunëtorët e Gjermanëve për internim.

Në vitin 1944 Kamani kthehet familjarisht në Vlorë dhe vendoset në shtëpinë e Skelës. Rikrijohet Agjencia e Transportit dhe shumë shpejtë të gjitha mjetet e transportit të privatëve punojnë të bashkuara, të inkuadruar nga shteti, sipas nevojave për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rindërtimin e vendit, dhe Kamani caktohet si Kryetar i Këshillit të Transportit Automobilistik të Vlorës. Krijohet “Bashkimi i Kooperativave të Transportit Automobilistik” dhe Kamani, sërish, zgjidhet delegat permanent i degës së Vlorës pranë “Federatës Nacionale të AT” me qendër në Tiranë. 
 
Pak kohë punoi dhe si përkthyes i anglishtes, pranë Aleatëve në UNRA (çka, më von, u bë shkak për ndjekje e presione nga organet e sigurimit të shtetit), shofer në Distilerinë “Skenderbej”, magazinier, po aty, kafexhi privat me një ortak në një dyqan të vetin, pranë Merkatos së qytetit dhe së fundi, deri sa vdiq, Sekretar i Gjyshatës Bektashiane në Kuzbaba Vlorë.(duke i përdorur kështu të gjithë “gurët e gdhendur” rezervë). Në periudhën e fundit u intensifikua veprimtaria e tij si përkthyes nga anglishtja, turqishtja dhe arabishtja dhe si krijues i mirëfilltë e sidomos poet pasionant. Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, me “Dekretin e Shenjtë” nr. 37, datë 15 maj 1950  e shpall Kaman Çipin DERVISH, duke i dhënë të drejtën “me vesh roben e shenjtë të Haxhi Bektashit në të gjitha Teqetë Bektashiane të Botës “

Duhet thënë se vitet e para pas çlirimit të vendit, disa armiq personal të tij, të pa aftë për punë të ndershme, (nga ata që gjenden me shumicë kudo e ngaherë) të liq, ambiciozë e intrigantë, përkohësisht me pushtet, duke u bërë xheloz për sukseset, pasurinë dhe vitalitetin e tij, i sollën shqetësime serioze, që, si të thuash, i shkurtuan jetën. Kamani përjetoi strese dhe poshtërime të pazakonta si presione deri burgosje për mos dorëzim arri, duke përballuar me trimëri torturat gjurmëlënëse, midis të tjerash, të xhelatit të Sigurimit të Shtetit, toger S. H., nga Mallakastra (që më vonë, për këto lloj krimesh u ekzekutua); kreu përkohësisht punë angari të pa volitshme për shëndetin dhe për moshën e tij, si gërmim me kazmë e lopatë për hapje kanalesh dhe punë të tjera të rëndomta bujqësore në Fermën e Llakatundit.Po kështu gjurmë të rënda lanë dhe sekuestrimi, pa shpërblim i parkut privat të automjeteve, shtetëzimi i tre shtëpive dhe  dy dyqaneve të tij e deri shpallja si të pa dëshirueshëm, “pa triskë fronti” dhe peripeci të tjera.
 
Ishte me pasojë tronditëse psikologjike rasti i shpërndarjes se triskave të frontit në një mbledhje të të gjithë banorëve të lagjes Muradije në Vlorë. Kishte ardhur në takimin ceremonial personalisht Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Qytetit, shoku H. Ai mori përsipër të shpjegonte arsyen pse Kaman Çipi nuk u pajis me “Triskë Fronti”, njollë politike kjo që për qytetin ishte ekuivalente me “Kulakun” e fshatit dhe që të dy deklaroheshin si të palës kundërshtare politike, pra si armiq të shpallur antiparti. 
 
Kryetari shpjegoj se në ketë rast kemi të bëjmë me një ish kapitalist, që u shërbeu si përkthyes i anglishtes deri përfaqësuesve anglo-amerikan të UNRAS, të cilët nuk ishin gjë tjetër, veçse agjentë antikomunistë. Në këtë mbledhje të përgjithshme të Frontit Demokratik të Lagjes Muradije të Qytetit të Vlorës, ku u shpërndanë teserat e para të “Organizatës së Frontit Demokratik”, që qysh në fillim nisi të konsiderohet  leva kryesore e Partisë Komuniste Shqiptare, ndodhi një ngjarje e bujshme që u diskutua gjatë dhe për shumë kohë me simpati të fshehur në shtëpitë vlonjate... 
 
Së pari duhet shpjeguar se demaskimi dhe deklarimi i personave pa të drejte tesere u komunikua nga presidiumi i mbledhjes qysh në çeljen e saj. Më pas u ndanë me ceremoni  teserat e anëtarësisë dhe çdo njërën e tërhiqte personalisht anëtari përkatës, ku sipas rastit edhe përshëndetej apo falënderohej nga secili. Kur u thërrit emri i nënës sime, Zeqirje Çipi, ajo shkoi në presidium dhe deklaroi refuzimin e teserës së saj, duke e argumentuar me atë që unë jam gruaja e pandarë e Kamanit dhe kam ndjekur nga afër me besnikëri çdo veprim e mendim të tij, Gjithnjë  atë e kam quajtur atdhetar dhe patriot të mirë dhe nuk meritoj asnjë meritë të veçantë, qoftë dhe dënim më shumë nga ai. Ajo përfundoi me fjalët e zgjedhura: 
 
“Unë do pres deri sa të zgjidhet kjo padrejtësi dhe jam e bindur se do ta marr teserën e frontit demokratik shumë shpejt, bashkë me të”.

           

BAMIRËSIA AS SHITET, AS BLIHET. AJO, LIND NË ZEMËR

Kaman Çipi është dalluar gjithë jetën si njeri filantrop, që ka ndihmuar me transport si dhe me ndihma materiale e financiare për të varfëritë dhe njerëzit në nevojë, veçanërisht në përballim shpenzimesh për dasma dhe sëmundje, (kjo edhe në plotësim të detyrave si besimtar bektashi) sidomos të njerëzve të fisit të tij në Gjirokastër, Vlorë e Fier.

Kaman Çipi, ndihmoi familjen e Xhovani Valencës, marshallit kalabrez me origjinë arbëreshe.  Ai ishte dënuar me vdekje nga Qeveria Italiane, sepse duke qenë magazinier në Panaja të Vlorës, i kishte dorëzuar Depon e Armatimeve Ushtarake Italiane, Shqiptarëve, në Luftën e Vlorës më 1920.-tën.

Siç dihet, gruaja dhe dy fëmijët e Xhovani Valencies, (që edhe nga Qeveria e Zogut konsiderohej patriot dhe merrte pension të posaçëm nga shteti), mbërritën në Portin e Sarandës, të shoqëruar nga  patrioti guximtar Nustret Llupa. Ai i solli nga Italia, duke përballuar peripeci e rreziqe. Kamani i morri në Portin e Sarandës me autoveturën e tij Fiat 22,  që ishte me kapacitet për 7 vende, se bashku me bagazhet e tyre (të pakta për shkaqe konspiracioni). Ata u vendosen në lagjen Skele të Vlorës, afër Shkollës Fillore, në një shtëpi përdhese  me një kat, buzë rrugës. Për këtë Kamani thoshte se nuk ishte bamirësi e as filantropi por detyrë patriotike për çdo Shqiptar.
 
Transporte falas janë kryer, me mjetet dhe porosi të Kaman Çipit, gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, në lëvizje klandestinësh dhe armatimesh dhe ushqime e veshmbathje, ku me e gjatë dhe për disa ditë, ishte transporti i organizuar në zonën e Mallakastrës dhe në Luftën e Ruzhdies, ku vepruan bashkërisht partizanë dhe nacionalistë, kundër okupatoreve italianë.
Pas shtatorit të vitit 1943 ushtarë italian në Shqipëri, ngelën në mëshirë të fatit, pa  përkrahjen e detyrueshme të shtetit të tyre të kapitulluar, të ndodhur pa strehë, pa ushqim dhe të zhveshur, Qytetarët tanë ishin të varfër, të lodhur, të djegur,  të shkretuar e të munduar nga lufta dhe pushtimi i gjatë fashist. Po, këta djem të rinj, ushtarë italianë të mobilizuar forcërisht, po dhe të gënjyer në ndonjë rast, nuk ishin fajtorë të pushtimit ku e çoi Shqipërinë, politika e gabuar dritëshkurtër e mbretit të tyre dhe  lakmia grabitqare e fashistëve italian. Populli shqiptar e kuptonte dhe e ndiente këtë, ashtu si ishte, zëmër madh dhe paqësor. Ai, ashtu si ndihmoi, ruajti dhe fshehu në gjirin e vetë qindra izraelitë nga masakrat e paevitueshme naziste, mbrojti dhe ndihmoi pa kursim, duke ndarë kafshatën e vet të bukës edhe këta mijëra ushtarë italian të hallakatur, të ndodhur ndenë kërcënimin hakmarrës asgjësues të bishave hitleriane. 
 
Dhe në këta shqiptarë filantropë e të dhimbsur unë do përfshija me krenari babin tim të mirë, që për gati dy vjet rresht u kujdes për tre ushtarë italianë, që i punësoi, i ndihmoi për kapërcimin e gjendjes së urisë e të mjerimit dhe i përkrahu deri në përcjelljen pranë familjeve të tyre në Itali.

Në vitin 1945 një tjetër akt bamirësie i babait tonë, ishte transportimi falas me autobus i familjeve çame të ndjekur nga Greku, ku spikat transporti familjeve të Bido Hamitit nga Arvenica dhe Mamo Habibit nga Skopjona, duke i transportuar me gjithë plaçkat e shumta, nga Saranda, ku kishin zbarkuar, për në Vlorë. Me këto familje të mëdha, lidhura me njëra tjetrën me krushqi e miqësi, babai ynë kishte njohje të hershme të mbartura familjarisht ndër breza. Ata u strehuan në Shtëpinë tonë në Skelë të Vlorë për disa vite, duke liruar 4 nga 10 dhomat e saj,  oborrin e pasmë të shtëpisë, si dhe disa anekse strehuese provizore.

                                                   
Babai im Kaman Çipi, vdiq fare iri, në moshën 58 vjeç, në vitin 1953, i shqetësuar dhe i dëshpëruar, se komunistët i kishin grabitur pasuri e prokopi, e kishin burgosur dhe kërcënuar për dorëzim ari dhe për “mëkatin” se kishte punuar si përkthyes i gjuhës angleze në “Misionin e UNRAS” dhe për këto, me gjithë ndihmat pro Lëvizjes Patriotike Demokratike Fannoliste (ku ishte plagosur) dhe Luftës Antifashiste, (ku  kishte ndihmuar financiarisht dhe me transport dhe ku prej vitesh kishte milituar një nga djemtë e tij), e kishin “demaskuar” dhe dënuar duke e lënë “pa triskë fronti” në qytet, pra analog me një “kulak” fshati.
Edhe në ditët e fundit te jetës së tij, megjithëse i sëmurë, i zhgënjyer, i poshtëruar dhe me pasuri të grabitu, babai im Kaman Çipi, nuk rreshti së predikuari për mirëkuptim, bashkëpunim, bashkim e vëllazërim, për ndershmëri, korrektesë e besë, për bujari, falje, paqe e qytetari.
 
 
Ja si i kam vargëzuar unë më vonë, disa nga këshillat dhe porositë e mençura të babait”

 
MËSIMET E BABËS
 
Ti ike i ri, tash gjithçka është tretur,
Dhimbja ka zënë cipë, malli është venitur,
Dhjetëra vjet shkuan, kujtimet kanë mbetur,
Po, për sa jetove, si diell ke ndritur.

Përherë burim drite, shkëlqim rrezaton
Si model përsosje, nder edhe virtyt,
Na prin në çdo hap, rrugën na tregon
E kemi në mendje, për natë e për ditë.

Këshilla e parë, shpesh e përsëritur:
Të punoni fort dhe me nder të rroni,
Shokë e miq t’i zgjidhni të mirë dhe të ditur;
Me ta bashkëpunoni, në besë u qëndroni!

Krahë bujarisë, në krye - mirënjohja,
Çmojeni cilësisht frytin, që nga fara;
Ndihmoni të varfëritë, pa i parë nga boja,
Pas lere të ligën, shko përherë përpara.

Të ini të ndershëm. të thjeshtë, të dashur
Për midis shokësh, optimist, gazmor.
Dita që ikën, nuk ka më të ardhur
Jetoje çdo çast, si të jesh dasmor.

Kujdes për Atdheun, shtetin, policinë!
Thuaj ç’bëre sot, për të respektuar
Rregullat dhe normat, ligjet, drejtësinë?
Detyrimet, taksat, si i ke paguar?

Duke i mbyllur këto kujtime e porosi, të nxjerra më së shumti nga ditarët e mi, mendoj se kreva një detyrë respekti për babin tim të nderuar Kaman Çipi, edhe në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë, po njëkohësisht shpalosa edhe pjesë të jetës në këto vite,  porosi e këshilla të tij, që i konsideroj të rëndësishme dhe historike, ndofta të vlefshme edhe për brezat pasuese, si dhe për lexuesit e moshës së re, që nuk patën fatin t’i përjetojnë këto periudha relativisht të hershme.

Vlorë, më 27.10.2012


 
KOKË MË KOKË ME AKADEMIKUN BARDHYL GOLEMI
 
 
  Sot, datë 17 Nëntor 2012, në një ditë historike për Tiranën, kryeqytetin tonë të dashur, që na ka marrë shumë vite nga jeta jonë, me shokët e fëmijërisë nga Vlora: Bardhyl Golemi, Niko Gjyzari, Axhem Gjoni  Piro Veshi dhe Sadedin Gjoka, siç bëjmë shpesh në kësi rastesh, vendosëm të takohemi te “Birraria e Petros”, në rrugën e Kavajës.
Me nga një gotë birre dhe meze të shijshme në tavolinë, biseda rrodhi rrjedhshëm dhe ceku momentin historik të 68 vjetorit te “Luftës për çlirimin e Tiranës”, u ndal gjatë te festimet e “100 Vjetorit të Pavarësisë” dhe te Vlora jonë e shtrenjtë e vendlindjes, po dhe te ceremonia e rivarrimit te “Mbretit Zog”, që takoi të bëhet po sot.

Ajo, që më bëri më shumë përshtypje dhe më uli të shkruaj, ishte biseda nostalgjike me akademikun Bardhyl Golemi, kur ai nisi te shpjegoi dy ngjarje të rëndësishme që kishte përjetuar këto ditë: Për angazhimin e tij për të dhënë një cikë leksionesh në Universitet dhe për ceremoninë e 40 vjetorit të krijimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

E kisha në krahë ngjitur dhe isha kokë më kokë me  doktor profesorin e ditur, shokun tim të fëmijërisë, Bardhyl Golemin duke e parë drejt e në sy, kur ai fliste me pasion, mall e dashuri për të dy këto raste emocionuese dhe vëreja deri  lëvizjet e muskujve te fytyrës, si dhe sytë ekspresiv te tij, deri në përmallje, ekstaze e lotimi. E mendoja kur ai ishte para studentëve të tij dhe ligjëronte me pasion, me fjalë të zgjedhura të sakta,  nga ato të fundit të shkencës dhe risisë, me ato njohuri që dispononte ai, si rrallë të tjerë. E përfytyroja në këtë çast profesorin të fliste gjithë pasion dhe mjaft bindës po dhe shoqëruar me lëvizje harmonike dhe mjetet përkatëse didaktike e mësimore,  kur ai demonstronte shkallë të lartë diturie, që ju a kumtonte në mënyrë të thjeshtë e praktike dëgjuesve të tij. Ata , persona të zgjedhur nga radhët e inteligjencës elektroenergjitike që përgatiteshin për “mastera shkencor”, doktorët e ardhshëm shqiptar, i parafytyroja të ishin shumë kureshtarë e të përqendruar ta shikonin drejt e në sy, sikundër unë tani profesorin e nderuar. Ai, tashmë i thinjur në këto pozicione militante e të nderuara prej pedagogu për 60 vjet, sa këtu në Tiranë, po dhe në Prishtinë, unë e përfytyroja teksa inkurajohet edhe më shumë nga interesimi i tyre dhe bëhet më entuziastë.

Pra e shikoja tani profesor Bardhyl Golemin ende lektor në Universitetin Politeknik të Tiranës edhe pse të zbardhur e të moshuar, plot gjallëri e aftësi dhe më kujtohet ndër vite kontributi i tij:

Bardhyl Golemi është autor i disa mijëra faqeve të shkruara në libra të veçantë dhe në tekstet e universitetit për elektroteknikën. Ai, gjatë 59 viteve ka punuar me 83 breza studentësh dhe ka përgatitur rreth 5000 inxhinierë, prej tyre më shumë se 500, në Universitetin e Prishtinës,

Bardhyl Golemi, akademiku, profesori, shkencëtar i sotëm, nuk lindi rastësisht. Talenti i gjithanshëm dhe prirjet për t’u bërë dijetar, Bardhyl Golemit, iu shfaqën herët. Të gjitha klasat, që nga fillorja në Universitet, ai i përfundoi me notat "shkëlqyeshëm"! Gjimnazin e mbaroi në Vlorë me "Medaljen e Artë". E veçanta tjetër është se, duke qenë student i shkëlqyeshëm i Universitetit (në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike), Tiranë, në vitin e fundit të tij, duke qenë vetë student, u caktua të jepte leksione për bashkë studentët e viteve të para.  Edhe Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, si student i parë i tij, e përfundoi me nota shkëlqyeshëm e po këtë vit u emërua pedagog i Universitetit.

Bardhyl Golemi është autor i mijëra faqeve studimesh shkencore, publikuar brenda e disa edhe jashtë vendit. Ai është Laureat i Çmimit të Republikës të Klasës së Parë dhe i disa Urdhrave të tjerë. Para tetë vjetësh, në prani të akademikëve, profesorëve e specialistëve, Akademia e Shkencave organizoi promovimin e veprës së plotë të Bardhyl Golemit në librin "Bazat teorike të elektroteknikes" një traktat në tre vëllime dhe 1400 faqe

Është një fakt i rrallë, që edhe pa qenë anëtar partie por duke çmuar vlerat dhe ndershmërinë në punën për t’i shërbyer Atdheut, në kundërshtim me mentalitetin e kohës, që në poste të larta duhet të ishin komunistë, ai pa qenë i tillë, qysh atëherë, falë dhuntive drejtuese e organizative dhe profesionalizmit të tij të spikatur, u caktua Zëvendës Ministër i Arsimit, për arsimin e lartë dhe të mesëm, detyrë që e kreu me zotësi e ndershmëri për mbi 10 vjet (1981-1991).  Në këtë kohë u caktua edhe Kryetari i Komisionit Kombëtar  i UNESCO-s  për Shqipërinë, detyra që e nderojnë atë, sepse i kreu me nder dhe devotshmëri.

Edhe pas viteve 90, Bardhyl Golemi, si dhe më parë, mbeti njeriu i  arsimit dhe i shkencës dhe, si më parë, nuk u përfshi drejt për drejtë në politikë e as në ndonjë parti të veçantë politike. Detyra të tij e përditshme ishte dhe është pjesëmarrja aktive në punimet shkencore teorike e praktike, në institucione e firma që lidhen me fushën e tij,  duke zhvilluar deri ne ditët e sotme leksione e seminare të ndryshme, në Akademi dhe Universitet , si dhe jashtë tyre, në qarqet intelektuale e shkencore, në Shqipëri e Kosovë. Ai, së fundi veç botimit të librave në ndihmë të studentëve dhe inxhinierëve elektrikë, po merret me studime të tjera të rëndësishme  për problemet e bioelektromagnetizmit dhe impakteve të tij shëndetësore, me problemet e depistimit elektromagnetik në mjedisin e Shqipërisë; është angazhuar në udhëheqje doktoratash, në përgatitje mikrotezash për studentët e ciklit të dytë, si dhe është përfshire në juri për miratim doktoratash e studime të tjera.

Këtë punë gjysmë shekullore Bardhyl Golemi e bën edhe sot me pasion e dashuri, ndërsa fjala e tij peshon e vlerësohet, nga të gjithë Shqiptarët gjithnjë e më shumë, këtu dhe në Kosovë , ku u ftua  dhe u falënderua posaçërisht, si një nga gurrë themelet e tij.

Duke biseduar sot me Profesorin e nderuar, kërkuam të na shpjegonte dhe për ceremoninë e festimit të krijimit te Akademisë se Shkencave, ku ai kishte marrë pjesë me gëzim. Kishim dëgjuar se Akademikët Kosovar kishin refuzuar pjesëmarrjen në kë të ceremoni jubilare dhe për këtë  ne shfaqëm keqardhjen tonë. Ai, na tha se jo vetëm Akademikët Kosovarë, po edhe ndonjë i  ftuar nga Shqipëria refuzoi pjesëmarrjen dhe ketë e lidhën me ftesën për akademikët Serb. Në një kohë që duhet të bëjmë përpjekje për solidaritet mbarë Ballkanik dhe bashkim Evropian, këto qëndrime na u dukën të pa drejta dhe ekstremiste. Profesor Bardhyli, lidhur me këtë pjesëmarrje tha se unë nuk mund të hedh poshtë punën e madhe shkencore 40 vjeçare të Akademikëve Shqiptarë, ndryshe do mohoja deri punën time dhe sidomos të dijetareve të shquar Shqiptarë në dekada. Është koha për bashkim dhe jo për përçarje, përfundoi profesori.

Dita e sotme dhe takimi me akademikun, dr. prof. Bardhyl Golemin, mu duk e veçantë dhe biseda atje  emocionuese dhe e vlefshme për mua dhe ndofta për lexuesit, ndaj mendova ta përshkruaj dhe ta ndaj me ju.

Tiranë, më 17.11.2012


 VLORA NUK HARROHET KURRË

 


“U hap mali e doli miu”.
        Dy gishtat tunden në dorë,
I shpalli fondet Saliu:
            “Do festojmë Njëqind Vjetorë.

    Katërqind mijë dollarë
       Nga rezerva e buxhetit,
            “Nder” për ju, parlamentarë,
            Ngrihet Mauzoleu i Mbretit!

          Për stadium e parlament,
        Këtë radhë, s’kemi pare.
               Më pas, ngremë monument,
             Biem eshtra, mbartim varre.

                                                   Festën do ta nis në Vlorë
                                                 Në datën njëzeteshtatë,
                                                Dita Njëzetetetë Nëntor
                                                Do festohet në Tiranë’’.


                                                  Gjëmon dajrja e lahuta
                                            Bije pipëza, çiftelia,
                                                    Vijnë nga vendet e buta,
                                                   Nga jallia, nga malësia.

                                              Gëzon Ismail Qemali
                                                Isa i shkreh dy kobure
                                                    Hingëllin sa s’mbahet kali
                                                    Tiranë e bukur, moj nure!

                                                      Në Vlorë, ku u ngrit flamuri,
                                                Te “Muzeu i Pavarësisë”,
                                            Shtrohen trotuare guri
                                                   Restaurimet, sa kanë nis.

                                                Punimet ngelen në mes
                                                Nuk ka fonde financimi.
                                                    Vallë kush preu në besë?
                                                    Në buzë na ngriu gëzimi!

                                                    Mos u dëshpëroni, shokë
                                                    Dhe në Vlorë do festojnë
                                                    Marigotë, mbledhur tokë,
                                                        Do kërcejnë e do këndojnë.

                                                        Tunden dy gishtat në dorë...
                                                    Vlora nuk harrohet kurrë,
                                                       Vendi, ku Plaku Flokëborë
                                                        Proklamoi Shtet e Flamurë.

                                             Vlorë, më 26.10.2012


SI MUND TË LIHET VLORA?
 



Gjashtë muaj buzëdetit dhe nëpër ullishta.
Do të ulem të shkruaj, të shfrytëzoj një rast.
Tastierën e Laptopit, sa e prek me gishta,
Shkronjat rrëshqasin dhe shfaqen në çast:

 U nisa nga Tirana në muajin Maj,
Lulet e pemëve i prekja me dorë,
Punohej në Vorë, në Durrës, Kavajë,
Po ngrihej në Levan Bajpasi për Vlorë.
 
 Sodisim tej Levanit, një autostradë
“Rrugë më të mirë nuk kanë as Gjermanët”!?
Afër Vlorës së bukur, marshojnë paradë
Godina madhështore, në të dyja anët.

 Drejt qytetit nga “Pusi i Mezinit”;
Një emër çudi: Udhë “Transballkanike”,
Pa gjelbërim e pemë, pa shtylla ndriçimi;
Në gjirin e detit, lidhur ca kaike.

 Vlora si e fjetur, një muze i qetë,
Pak muzikë vlonjate, i njëjti avaz;
Në qiejt, harbuar vërtiteshin retë
Dhe deti shkumonte me dallgët tallaz

 Javët ikën radhë, shpejt hapet sezoni,
Turistët vërshojnë, sa pushtojnë rrugën,
Ditë si këto, shpesh do t’i kujtoni
Me Anin, me Delën, me Nikun dhe Lukën.

 Ishin më të shtrenjtit, bijë edhe nipa,
Emigrantë, që vijnë nga Amerika.
Më çelën dhe mua, si në qiell hipa,
Iku vetmia, dhimbjet, hallet, frika.

 Moti nis e ngrohet, gjindja gjallërohet
Qindra, mijëra njerëz me dallgët po rreken
Në një garë ngjyrash çadrat dhe shezlonet,
Det, diell, dush; turistët dëfrehen.
 
 Në Vlorën e bukur gjinden plotë hapësira
Ca te “Plazhi i Ri”,  dikush te i “Vjetri”,
Radhima, Izvori, vendet më të mira
Narta, dhe Zvërneci,rezidenca mbreti.

 Po dhe miqtë e vjetër, relikte më vete
Nuk ka si Ejupi, nuk gjendet si Bardhi,
Qirjakua dhe Spirua, me zemrat si dete
Aty Petraq Gjonçe, me tej Petraq Pali.
 
 Buzëqeshur Qaniu, tregon një qyfyr,
Hadëri me derte, numëron tespihet,
Petro Koçi i ditur, Llazari i mirë
Bisedojnë me radhë, kur kafeja pihet.
 
 Dhe unë dëshpëruar, ri, mendoj largimin
Gjashtë muaj rresht, bisedat trashur.
Do më marri malli, do ta ndjej mërgimin,
Po sërish do kthehem te shokët e dashur.
 
 Edhe në Tiranë, po më pret Axhemi,
Nikua dhe Bardhyli, Taullaj, Reshati
Durua dhe Irfani, Pirrua dhe Vangjeli
Harilla, Llazari, Miltua dhe Laveri,
 
 Vaçi, Fatoshi, Gudari, Viktori, Minellat.
“Dëgjoj”, këngës  ia merr doktor Sadedini,
Pimë dhe këndojmë, fluturojnë kapelat,
Labçe kthen me grykë akademik Farudini.

 Pse po e lë Vlorën, kthehem në Tiranë?
Se më grishin shokët, thonë “po të presim”!
Vlorën afër zemrës, përherë mbajmë pranë,
Për Vlorë e Flamur, gati dhe të vdesim!

Vlorë, 18.10.2012
 
 
HOMAZH PËR PËLLUM ÇIPIN 
 
  Jemi mbledhur këtë herë
Jo për gaz e për aheng
Por për vdekje e qeder
Për një kuje, për një peng.
*
Rezultatet- maksimale,
 
Nuk është më, mendja e ndritur,
U fik drita plot shkëlqim,
Pëllumb Çipi fort i ditur
Nuk sheh më e nuk merr frymë.

E kaloi jetën me nder,
Doktori, i palodhur kurrë,
Me ullishtat jep e merr
Pret e qeth lastar e drurë.


I thjeshtë, i ditur, i urtë
Ditë e natë eksperimente
Përmbys traditën e gurtë,
Kërkon të rejat në shtete.

Vendos rregulla, kritere:
“Kohë vaditjet e ullirit”,
Jo me gjyma e tenxhere.
Po përvojë e më të mirit!
 
Rendimentet- më të larta.
Asnjë mburrje personale,
Pa shenja e dekorata.
 
Pëllumb Çipi nuk është më
Por, do kujtohet për jetë,
Si një shkencëtar në zë
I mençur, i urtë, i drejtë.

Vlorë, më 08.10.2012



DUKE LEXUAR MIRA MEKSIN


 
Të adhuroj, o  bijë e Nolit
Dhe e shokut tim, Bardhyl, 
Me ta, lindur anës molit
Miq të rritur krahë e bërryl,
 
Gjak vlonjati dejesh mbart,
Edukatë babë Liu në vite,
Ti, talent me penë të artë,
Në përsosmëri arrite.
 
Dhe pse plak e i rrëgjuar
Të lexoj, të ndjej me fund:
Letërsi bukur ke shkruar,
Që të tund, të shkund, të mund.
 
15 01.2012




MENDIMI EKONOMIK DHE “PLANIFIKIMI”

  “Mendimin ekonomik“, si term dhe përmbajtje trajtuar e komentuar gjerësisht, haset qysh në lashtësi te filozofë e mendimtarë Grekë e Romak, nga Platoni dhe Aristoteli dhe deri te homologët e tyre të shquar në të gjitha etapat e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, kudo nga Evropa plakë, Kina dhe  Amerika.
 
Kurdoherë, drejtuesit e  parë të shteteve, monarkë apo prijës republikanë, janë udhëhequr nga mendimi ekonomik i përparuar dhe bashkë me ekonomistët e filozofët, kanë kërkuar e përdorur metodat me efikase për drejtimin dhe zhvillimin e ekonomive të vendeve të tyre. Kanë ngelur në histori për t’u kujtuar nga pasardhësit, vetëm ata drejtues që janë prirë nga mendimi ekonomik i përparuar, të tjerët me praktikat spontan, kanë asgjësuar shtetin dhe veten, se e kane varfëruar me tej jetën e popullit të tyre. Kjo është absolute dhe nuk ka nevojë për referenca.
 
“Grisjet politike”, pavarësisht nga pozicioni dhe kahja e tyre, e dëmtojnë mendimin e mirëfilltë ekonomik, që duhet të rruhet i pastër për të qenë jashtë dhe mbi partitë politike, sepse ato shpesh me grupe njerëzish me interesa direkt personale, përpiqen për pasurim vetjak, nëpërmjet korrupsionit dhe vjedhjeve.
Kështu duhet ta trajtojmë dhe të ashtuquajturin mendim ekonomik të periudhës socialiste. Nuk mund të bëhet asnjë iluzion për barbarinë e politikaneve të dështuar të periudhës socialiste të zhvillimit në vendet e lindjes, që ishin sa terroriste dhe utopikë, sepse predikuan dhe provuan shtetëzimin dhe kolektivizimin e detyruar në çdo gjë dhe izolimin e vendit nga mjedisi për rreth, ndërsa te ne, në Shqipëri, kaluan deri te reformat qesharake për krijimin e “tufëzave dhe arrëzave”. 
 
Por, nga përvoja dhe krahasimi i dy periudhave të një pas njëshme, (edhe në kushtet e krizës së sotme ekonomike të zhvillimit) mendoj se nuk duhet hequr dorë plotësisht nga principi i zhvillimi të planifikuar dhe drejtimi i centralizuar me norma e normativa të studiuara shkencërisht, sipas mendimit ekonomik e tekniko shkencor të përparuar, mandej edhe në kushtet e zhvillimit të bashkësive ndërshtetërore. Ndryshe, përse do na duhej shteti dhe më tej, Bashkimi Evropian? Si shembull për këtë mund të vlejë pjesërisht “Sistemi Kinez“ i drejtimit të ekonomisë, pavarësisht emrit që pretendojnë ta pagëzojnë atë.
 
Për argumentim mund të merret përvoja në drejtimin e planifikuar të Fermave Bujqësore Shtetërore në vendin tonë nga vitet 70-90, kur u arrit një përsosje relative e zhvillimit ekonomik e shoqëruar me rezultate krahasuese të larta në prodhim, rendiment dhe kosto. Ish “Ndërmarrjet Bujqësore Shtetërore”, me 170.000 ha tokë, zinin 24.3% të gjithë sipërfaqes së tokës së punueshme në vendin tonë. 
 
Në Fermat Bujqësore Shqiptare, të shpërndara në krejt vendin, u përfshinë veprimtari bujqësore e blegtorale dhe ato u drejtuan të zhvillohen të harmonizuara dhe në plotësim të nevojave për njëra tjetrën. U vunë në dispozicion të  çdo fermë bujqësore shtetërore, sipërfaqe të mëdha tokash nga 2 deri në 6 mije ha. me 1500 deri 10.000 punëtorë bujqësie për secilën, duke zgjedhur toka nga më pjelloret. U investua shpejt dhe shume për mobilimin e tokës, etj., për farërat dhe kultivarët e zgjedhura dhe për seleksionimin e racave superiore në të gjitha kategoritë e blegtorisë.
 
Fillimisht u krye “bonifikimi i madh”, duke tharë kënetat, si burim kryesor për hapjen e tokës së re, u bë rajonizimi bujqësor e blegtoral  dhe u krye sistemimi dhe rilevimi i sipërfaqes së tokës në  përshtatje të kërkesave të kulturave të arave, pemëtarisë dhe blegtorisë. Për të shfrytëzuar më me efikasitet pjellorinë natyrale të tokës u aplikua edhe qarkullimi bujqësor optimal. Radhazi u investua për elektrifikimin, rritjen e shkallës së mekanizimit, për kanalizimet dhe sistemin vaditë dhe kullues, për  farërat dhe kultivarët e zgjedhur në përshtatje me mikroklimat rajonale, zgjedhjen dhe përdorimin e plehrave të kombinuara organike e kimike, përdorimin e preparateve kimike për  dezinfektimin e farërave e ruajtjen e bimëve, u përdorën herbicide efikase, etj.
 
U ngritën vreshtat ne tel, u ndërtuan sera diellore dhe me ngrohje për farishtet,  fidanët dhe perimet, koçek e magazina të posaçme, deri me frigoriferë, tharëse misri e gropa silazhi. Një kujdes i posaçëm u tregua kryesisht për pyjet, si një pasuri e madhe kombëtare, duke i vendosur ato në rruajtje dhe në një regjim rigoroz zhvillimi shumëfishimi, ripërtëritje dhe shfrytëzimi direkt dhe për të gjithë pasurinë pyjore, përfshirë mbledhjen dhe përpunimin e nënprodukteve të pyllit, bimëve medicinave e mjekësore etj. Me kujdes u trajtua ulliri, pemëtaria dhe vreshtaria, ku u fut mekanizimi në punimet dhe spërkatjet.
Krahas tyre u ngritë fabrika e  deri kombinate për përpunimin e perimeve, frutave,  rrushit dhe ullirit, etj. Nisi eksporti i perimeve, frutave si  dhe konservave ushqimore. U ndërtuan frigoriferë të posaçëm dhe depo për rruajtjen, përpunimin dhe sortimin e ambalazhimin e produkteve bujqësore.
 
Në blegtori u sollën nga importi  dhe u mbarështuan raca të zgjedhura të gjedhit, derrave dhe desh ndërzimi elitë, u ndërtuan stalla të përshtatshme, të diferencuara për kategoritë e gjedhit, derrave dhe kafshëve të punës, u mekanizua mjelja e lopëve dhe përpunimi i ushqimeve blegtorale, u ngritën pulari për vezë dhe diku, rritja industriale e shpendëve dhe viçave për  mish etj.
 
Çdo ndërmarrje bujqësore kishte sektorin e vet ndihmës dhe ofiçinën e riparimeve të mekanikës bujqësore, parkun e auto traktorëve dhe sektorin e ndërtimeve, duke vepruar me cikël të mbyllur në  kryerjen e shërbimeve dhe nevojave, në administrim të plotë të pasurisë së vetë.
 
Është fakt i padiskutueshëm se ndërmarrjet shtetërore bujqësore, të udhëhequra direkt nga Drejtoria e Përgjithshme përkatëse pranë Ministrisë së Bujqësisë në Tiranë dhe të ndihmuara nga Institute të Specializuara Studimore e Shkencore në shkalle vendi, shpejt ia ndruan faqen Bujqësisë Shqiptare, duke e vendosur krahas ekonomive të përparuara të vendeve fqinje në perëndim dhe duke e quajtur sukses të rëndësishëm prodhimin e drithërave për nevojat e vendit.
 
 Mendoj se sot, në këtë ritëm të ulët zhvillimi e ndryshimi, ka vend ende për një drejtim të centralizuar shtetëror, orientuar nga planifikimi, normimi dhe unifikimi  dhe vendosja e standardeve superiore, caktuar e zgjedhur nga institutet e specializuara studimore e shkencore. Pikërisht kjo mungoi në këto vite të ndërmjetëm të stërgjatë, kur u shpresua se do realizohej zhvillimi e përparimi i vrullshëm, nëpërmjet shkatërrimit duke vepruar të nisur nga “kuota zero”. Për këtë synim u përmbys çdo arritje “socialiste”, duke besuar e propaganduar se, si me magji, do të zgjidhte çdo vështirësi dhe do vendoste harmoninë dhe zhvillimin e shpejtë e të përgjithshëm, “ligji i konkurrencës së lirë dhe ndikimi çudibërës spontan i ekonomisë së tregut”.
 
Por, faktikisht, po kalojnë 22 vjet dhe me gjithë ndryshimet e pakta, pas shkatërrimeve barbare të çdo gjëje të ndërtuar në sistemin e bonifikimit të tokave dhe sistemit të kanaleve vaditëse e kulluese, prishjes së serave dhe stallave etj, prerjes së pyjeve, mos kryerjes së shërbimeve në vreshta e ulli, etj., si dhe bllokimit të industrisë përpunuese e konservuese, ende jemi shumë larg niveleve në prodhimet bujqësore të  arritura para viteve nëntëdhjetë, me rrezik vendnumërimi e krize.
 
 Nuk bëj thirrje të kalohet p.sh. te sistemi i ndërmarrjeve bujqësore shtetërore, se kjo është e pamundur pas zbatimit të ligjit me plotë mangësi 7501, që ndau edhe shume toka të reja, të krijuara pas bonifikimit dhe tharjes së kënetave. (disa prej tyre mund të mbaheshin nga shteti si modele pilot zhvillimi dhe eksperimentimi, në formën e instituteve studimore e shkencore).
Jo të kthehemi mbrapa, për të drejtuar gjithçka nëpërmjet sistemit të planifikimit standard, por   të përdoret njëkohësisht edhe drejtimi i zhvillimit të planifikuar normativ shtetëror, sipas kritereve unike, për të paraprirë zhvillimin ekonomik e për të vendosur aplikime të detyruara sipas studimeve tekniko shkencore dhe llogaritjeve e përcaktimeve, deri me metoda precize të matematikes se aplikuar në ekonomi, të programimit linear, gjeometrik e dinamik, planifikimit rrjetor, etj.
 
Kështu duhet të përfundojnë e të jenë të detyruara për zbatim planet rregulluese të zhvillimit të qyteteve nga ana urbanistike në harmonizim zhvillimi për të gjitha degët social ekonomike, sipas raporteve optimale të nevojshme;
Me këto kritere duhet të hartohet  për periudha të gjata dhe shumë të gjata, strategjia e zhvillimi ekonomik, ku vend të rëndësishëm të ketë edhe bujqësia, si faktori kryesor i mirëqenies së popullit dhe për  rolin dominues që ka ajo në mbështetjen e degëve të tjera jetësore, të turizmit dhe të industrisë ushqimore.
 
Kjo domosdoshmërish kërkon edhe krijimin e disa ndërmarrjeve shtetërore bujqësore pilot, si baza prodhuese dhe eksperimentale shkencore, si dhe krijimin e plotësimin e institutet përkatëse studimore për bimët e arave, pemëtarinë, ullirin dhe vreshtarinë, perimet dhe blegtorinë me racat e zgjedhura, etj.
 
Dihet që aktualisht, me ndarjen e tokës bujqësore, pyjeve dhe kullotave, sipas ligjeve  në fuqi, është bërë fragmentimi i thellë i saj në parcela të vogla, çka nuk krijon mundësitë e zhvillimit intensiv të bujqësisë. Për këtë lind si domosdoshmëri zgjerimi i sipërfaqeve për çdo fermë private. Kjo mund të arrihet duke krijuar ekonomi relativisht të mëdha me mbi 50-60 ha. p.sh., sipas përvojës Holandeze, nëpërmjet ndërhyrjes ligjore e shtetërore për pakësimin nëpërmjet blerjeve me çmime të pranueshme nga shteti të sipërfaqeve në pronësi (pas rikthimit “ish pronarëve”) të tepricave mbi këtë limit, si dhe duke ja shitur fermerëve të tjerë me sipërfaqe më të pakët (deri te ky limit prej 50-60 ha.). Vlefta e tokës së blerë nga fermerët me çmime të pranueshme, mund t’i shlyhen shtetit  gjatë një periudhe relativisht të gjatë kohe direkt, ose me ndihmën e kredive bankare të buta.
 
 Favorizimi shtetëror i ekonomive bujqësore private me kredi të buta, mbrojtja  preferenciale e prodhimit vendës nga sistemi fiskal e doganor (import-eksporti), përfshirë blerjet nga importi pa doganë i mekanikës bujqësore, kafshëve të racës, plehrave, farërave, preparateve kimike etj,  ulje preferenciale në çmimet e karburanteve, si dhe shembuj të tjerë preferues për favore, sipas modeleve përkatëse të shteteve në perëndim, duhet të jenë politika të përhershme mbështetëse e stimuluese të fermave private bujqësore shqiptare.
 
Kujdesi për grumbullimin, përpunimin, shpërndarjen për vend dhe eksport, ndërtimi dhe mirëmbajtja në rrugët rajonale e nacionale, pajisja me mjetet e transportit të posaçme, në mënyrë që mos të ndihet asnjë lloj rreziku në prishjen  dhe dëmtimin e produkteve bujqësore e blegtorale është një tjetër detyrë e rëndësishme që duhet të jetë objekt planifikimi e zbatimi, nën drejtimin e instituteve të posaçme studiuese dhe koordinuese shtetërore.
 
 Së fundi, në përmbledhje të mendimit tim, (pasi më del gjithnjë para sysh me keqardhje shkatërrimi total i bujqësisë sonë, sipas politikës së “kuotës zero”) do vazhdoj t’u them lexuesve më tej, se nuk duhet të trembemi nga termi “planifikim” perspektiv shumë vjeçar dhe vjetor e operativ (reminishencë nga e kaluara socialiste), që mund të kuptohet dhe parashikim, programim, mendim ekonomik i studiuar shkencërisht, normativ e i detyruar, sepse mendimi, parashikimi, planifikimi është karakteristikë e mendjes njerëzore, pararendës për çdo hap veprues faktik, në dallim nga qeniet e tjera të tokës e të qiellit. Sa më mirë ta planifikojmë zhvillimin ekonomik e shoqëror, aq më efektivitet do sigurojmë, aq më thellësisht do t’i shfrytëzojmë rezervat dhe burimet potenciale ekzistuese dhe do parashikojmë zbulimet e reja, aq me shpejt do ta risim mirëqenien dhe cilësinë e jetesës. Në këtë drejtim do të ndihmojnë institucionet përkatëse planifikuese e shkencore dhe modelet shtetërore pilot, që detyrat për zhvillimin ekonomik të vendit, të programohen maksimalisht dhe të drejtohen e kontrollohen edhe në mënyrë të centralizuar.
 
 Vlorë, 01.10.2012
.



EMANCIPIMI I FEMRËS, NJË TEMË NDRYSHE

                                                          


 
Kam shkruar edhe tjetër herë për mendimet që rihen dhe diskutimet që bëhen në tavolinat e qeta të pensionistëve vlonjatë. Ata kalojnë ditët e ngelura në shoqëri të njeri tjetrit, pa u shkëputur dot nga hallet e mjedisit që i rrethon, nga njerëzit e tyre të dashur, bijë e bija, nipa  e mbesa.Një nga temat që trajtohen shpesh në këndvështrime të ndryshme dhe që unë do përpiqem ta sintetizoj këtu, ka lidhje me emancipimin e femrës Shqiptare.
 
Bisedën për këtë temë e hapi, ish mësuesi P. Gj., që është  shembull i mirë për ndihmën ndaj gruas në familje. Ai tha se dje, qortoi një nga djemtë biznesmen, që nuk e ndihmonte sa duhet për punët shtëpiake gruan e tij mjeke, të lodhur e të shqetësuar tej mase në punët shtetërore dhe shërbimet me pacientët e vet. Mësues Petraqi, shtoi se ende nuk jemi aty ku duhet me emancipimin e femrës shqiptare edhe se nuk po e ndjekim si duhet, shembullin e shoqërisë së përparuar të perëndimit.
 
Pensionisti Q. K., lexues i zellshëm i gazetave dhe revistave të përditshme, (si shumica e pensionistëve) tregoi një ndodhi të ngjarë, për të argumentuar prapambetjen në këtë drejtim:
"Një studiues anglez i etnografisë, tha Qaniu, ishte duke vizituar fshatrat e Tropojës dhe të Kukësit dhe i kishte vënë re se gjithmonë, në rrugicat malore burrat ecnin 20 metro para grave. Duke vazhduar vizitën e tij në drejtim të Kosovës, në një fshat kufitar pa, se aty ecnin gratë para burrave. Duke qenë në të dy rastet midis Shqiptarësh, u çudit për zakonin e ndryshëm dhe për këtë pyeti një fshatar se:
 
- Si është e mundur të ndryshohen zakonet e vjetra dhe  Shqiptarët pa pritur të bëhen kaq të emancipuar e kaq modern, sa t’i nderojnë gratë, t’u lenë vend  para vetes dhe ata të vendosen pas tyre?! Ai  ja ktheu:
 
- Jo, bre bacë, ne i rruajmë zakonet, po ç'ka me u ba minave! (minat e vendosura prej Serbit).
Pra, vazhdon Qaniu, bashkëkombësit tanë e quanin më të drejtë, t’i konsideronin gratë “aparat mina kërkues” dhe në se ndodhte, të shkelnin ato të parat mbi minat, ndërsa ata të shpëtonin kokët e tyre. I bukur emancipim!
 
 Ç’është e vërteta kjo më duket një ngjarje rastësore, (ndërhyn në bisedë B. Bega,  një pensionist që është marrë herët me detyra shoqërore) se populli ynë gratë i ka respektuar qysh në lashtësi dhe tradicionalisht e ka vlerësuar gruan, nënën dhe familjen. Kështu shpjegohet që ka nxjerrë nga gjiri i popullit gra të shquara deri botërisht: Do ta filloja nga Mbretëresha Teuta, për të vazhduar me Donika Kastriotin, Argjiron dhe Maron, Elena Gjikën, Laskarina Bubulinën, motrat Qirjazi, shkrimtaren dhe intelektualen e rrallë Musine Kokalarin, Norën e Kelmendit dhe Shote Galica, artistet e rralla Tefta Tashko, Marie Kraja, Jorgjie Truja, Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha, Inva Mula, Dhora Leka, Margarita Xhepa, Violeta Manushi, Drita Pelingu, Besa Imami, Tinka Kurti etj., si dhe Liri Belishovën stoike, Andromaqi Zengon e pamposhtur dhe heroinat e Luftës për Çlirim, etj. duke ardhur deri në ditët tona me Jozefina Topallin, si gruaja e parë në krye të Parlamentit Shqiptar, deputetet dhe ministret e majta dhe të djathta, midis tyre Arta Daden dhe Ermelinda Meksin dhe mbi të gjitha nënën e mbarë Botës, të shenjtën Nënë Tereza.
 
 Dihet botërisht, ndërhyri H. H. , pensionist që ka pasur pozicionin e kryekomunarit rajonal në Labëri për 25 vjet, se patrioti ynë dhe studiuesi i shquar Sami Frashëri, në pozicionin e një sociologu të spikatur, e ka studiuar ndër të parët, qysh herët, emancipimin e gruas dhe ka botuar një libër të posaçëm me titull “GRATË”. Sipas Sami Frashërit në këtë libër, vazhdon Hadëri, themeli i shoqërisë ishte familja, ndërsa themeli i familjes ishte fëmija, i cili edukohej nga nëna. Kur thua “familje” nënkupton gruan. Shoqëria njerëzore (thotë këtu Samiu) formohet nga familjet; meqenëse harmonia e shoqërisë njerëzore është e lidhur me harmoninë brenda familjes dhe kjo e fundit me edukimin e përgjithshëm të gruas, edukimi i gruas është i nevojshëm për harmoninë e përgjithshme shoqërore. Dhe Sami Frashëri ynë enciklopedist, shkruan: “Ti japësh arsim një burri do të thotë të mbjellësh një peme që lëshon vetëm hije, kurse të arsimosh një grua do të thotë të mbjellësh një pemë që, përveç hijes, jep edhe fruta”.
 
 Edhe “Kanuni i Lek Dukagjinit” e ka vlerësuar drejt gruan shqiptare, thekson  i përfshirë në këtë bisedë të ngrohtë pensionisti  S. C. , ish ushtarak që ka shërbyer në Veri. Ky “statut”, një prej kanuneve zakonore më të vjetra të  Evropës, shpjegon Serjani, i jepte çdo gruaja të drejtën të merrte pjesë në kuvende, si rrjedhim ajo gjendej në nivelet e bashkëvendosjes dhe të vendimmarrjes. Nga ana tjetër Kanuni e rruante me përparësi gruan dhe fëmijën, duke e përjashtuar nga gjakmarrja. Mbijetesa e veprimit të këtij Kanuni deri vonë, tek një pjesë e Shqiptareve të Veriut, duhet konsideruar si rezistencë aktive ndaj ligjeve të shteteve pushtuese, ku gruaja e mbuluar me ferexhe, privohej nga çdo e drejtë, që Osmanët u munduan t’u imponojnë edhe Shqiptarëve.
 
Emancipimi i femrës ka lidhje me pozicionin e saj të barabartë me burrin në familje, shoqëri dhe shtet. Ajo shfaqet me shkallën e aktivizimit të saj, me punësimin, me arsimimin dhe kapacitetin intelektual. Në këtë kuptim ka një vartësi reciproke midis burrit dhe gruas kudo. Populli thotë: “pas një mashkulli të suksesshëm fshihet një femër e mençur”, çka mund të kuptohet dhe në mënyrë të ndërsjellët.
 
 Në emancipimin e shoqërisë ka rëndësi të madhe respekti dhe nderimi reciprok midis grave dhe burrave në familje, aq më tepër tani,  kur nuk ka diferencime të theksuara midis çiftit në arsimim, kulturë, punësim, aftësi dhe koncepte. 
 
Tregojnë, thotë E.M., një intelektual i shquar i sferës së bujqësisë, se në fshatin Fterrë, para 20 vjetësh, u martuan  dy të rinj me dashuri dhe pas një viti, lindën një djalë. Ata shpejt e “boshatisën grykën me mjaltë të qypit të përbashkët” dhe nisën të grinden, deri sa burri i paduruar, detyrohet të niset emigrant në Greqi.  Kaluan 15 vjet dhe biri i tyre e shpeshtoi kërkesën për ta parë dhe për t’u njohur me babën e vetë. 
 
E ëma i thoshte: Ç’e do “vulëhumburin”.
 
U nis i biri i malluar dhe e takoi babën e tij, për të cilin kishte dëgjuar nga bashkëfshatarë të moshuar, se ishte njeri i mirë, punëtor dhe i ndershëm, që atje në mërgim edhe kishte bërë “prokopi”. Takimi me babën ishte një kënaqësi për të dy, që nisën të njihen, të duhen e të çmallen. Kaloi ca kohë dhe djali i bënë propozimin që të kthehen në fshat, ku me më shumë forca dhe me pasurinë e grumbulluar do ta përmirësojnë mjaftueshëm jetën e familjes së tyre.
 
Po, mirë, dakord, ngelet baba. Po mami yt, atje është?
 
Po, i përgjigjet djali.
 
Sa të jetë ajo, në atë shtëpi nuk ka vend për mua!
 
Ky koncept, përfundon Ejupi, ende nuk po kapërcehet. Dhe kjo ka lidhje me lirinë dhe natyrshmërinë e divorcit dhe të rikrijimit të familjes.
 
  Mendimin e fundit për këtë temë e dha, më i riu midis nesh, inxhinieri Spiro N.  Ai tha se ndarja e punëve edhe brenda familjes, si dhe lehtësimi i ngarkesës se gruas, është një tjetër problem  i emancipimit të femrës shqiptare, që diku çalon dhe kjo nuk po kapërcehet sidomos me çiftet e moshuara. Gruaja e shenjtë si përtëritëse e jetës njerëzore dhe vetëm për këtë arsye e mbingarkuar, duhet patjetër të lehtësohet në shumë nga punët e tjera brenda familjes, duke kapërcyer traditën anadollake në këtë drejtim. Në familje, kur edhe gruaja punon, nuk duhet të dallohen ndarje pune të veçanta për burrë e grua, po  ato t’i kryejnë gjithnjë bashkërisht edhe me pjesëmarrjen e fëmijëve, ashtu si veprohet në vendet perëndimore.
 
 -Edhe largimi ynë nga familja për disa orë dhe takimi në tavolinat e pensionistëve për të biseduar e ndërruar mendime duke gjerbur një kafe varfanjake, shtoi duke qeshur pensionisti Llazar  N. , në kushtet që nuk ndihmojmë sa duhet, mandej  u ngatërrohemi grave nëpër këmbë, mendoj se është në dobi të emancipimit dhe u jep grave plotfuqishmërinë dhe pavarësinë që ato e lakmojnë.
 
Me këtë shaka të kripur, që tregonte saktë ngarkesën reciproke për ndarje pune, midis të moshuarve pensionistë, u mbyll diskutimi i ditës.
 
Dhe mua, nuk mu desh veçse ndonjë redaktim, për të paraqitur çka u bisedua sot në tavolinën simpatike të shokëve të mi të mirë, pensionistë nga Vlora, çka e bëra me kënaqësi, duke menduar se mund të ketë këtu, në këtë reportazh të thjeshtë, diçka të vlefshme e të këndshme edhe për lexuesit dashamirës.
 
Vlorë, më 18.09.2012




PRAPËSITË E “MBRETIT’
 
 
   
Ca fakte do numëroj
 Mbledhur ndër vite tok.
Do përpiqem t’i  rreshtoj
Prapësitë e “mbretit” Zog:

  Në Turqi, pak klasë shkollë,
Ahmet Burgajet Mati;
Si djalosh, duket në Vlorë;
Në njëzetën ndahet fati.
 
Lushnja, shpejt e bën Ministër.
Më tej, dështime pa fund,
Ndiqet si kryeministër,
Në Serbi, kokën e fut.
 
Marrëveshja Zogu-Pashiç:
Te Shqau përfshihet Kombi.
Përfaqësi, dogana - hiç,
U shit Shën Naum, Vermoshi.
 
Mercenarë e Vrangjelistë
Sollën Zogun në fuqi:
Ushtria ngeli në listë,
Pagat te xhepi i tij.
 
Shpejt lidhet me Italianë
U jep toka e pasuri,
Sulm mbi banka dhe doganë.
O, e mjera Shqipëri!

I teket e shpallet mbret,
Diktator, si në mesjetë,
Pushkaton, vret e pret
Patriotët e vërtetë.
 
Trima, atdhetarë me nam:
Avniu, Hasan Prishtina
Bajram Curri, burrë azgan,
Gurakuqi, suferina...

E përkrahu Musolini,
Hitleri, bencin ja sosi,
Vet përgatiti shtatë prillin
Pushkëve ia hoqi llozin.
 
Tha, se opingat do vishte
Dhe në male do luftonte,
Po Zogolli, turp nuk kishte
 Atdheun të tradhtonte.
 
Iku, burracak, kusar
Me familjen dhe xhandarët,
Grabiti thesar me ar,
Robër i la Shqiptarët.
 
Nuk mendoi për Shqipëri
Po, veç  për kokën e tij.
Nuk ish prijës e as njeri,
Beu, i prirë për prapësi.

Mendo mirë, Kryeministër:
Jo, Zogollit, monument!
Nuk është “vlerë,” një okë misër,
Bukshkali, vet shpallur mbret.
 
Për vitet që “qeverisi”,
Boll emri në bulevard,
Një varr, bash te qiparisi,
Vetëm kaq i shkon për shtat.
 
Vlorë,15.09.2012


ANXHELA UNIVERSITARE


Kryelajmin sot, s’mund ta mbaj për vete,

Dua ta përhap, jehonë të vërtetë:

Mbesa ime, Anxhela, në të tjera dete,

Në Holandën e luleve, fillon tjetër jetë.


Nis Universitetin, studentja me fat,

Hyn e del për ditë, atje në Roterdam,

Si të ish Oksford, si të ish Harvard,

Mbledhur nga bota talente me nam.


Le ta marrin vesh, kushdo ta mësojë,

Se  kjo bukuroshe,  ky yll vezullues,

Atje, disa vjet, me zell do studiojë

Me emrin krenar “Student Erasmus”.


Nuk është gjë e thjeshtë, as një rastësi

Të jesh student në Evropë, Holandë

Kaloi dymbëdhjetë vjet lodhje, pagjumësi

Përpjekje, studime, me ditë e me natë.


Dhe një sitë e  imtë të shoshit në fund,

Provime e pyetje në të gjitha lëndët,

Një tërmet tetë ballë të shkund e të tund,

Të kontrollon trurin, sa të dridhen dhëmbët.


Po Anxhela jonë e kaloi limitin

Çau vetë përpara, pa një kallauz,

E nderoi Kombin dhe e theu mitin

Zuri vend Shqiptarja, bash në “Erasmus”.


Si mos të gëzohesh, të mos jesh krenar

Prindërit, gjyshi, gjyshja me babush Wimin

Kurorëzim mundimi tetëmbëdhjetë vjeçar.

Mbesa jonë e denjë e ka hak nderimin!


Vlorë, më 25.08.2012



TIMO FLLOKO, SIMPATIKU

Po flasin, sa çirren, gratë
-Timo Flloko, është vlonjat?
-Unë e di që është Pejan;
-Gjirokastrit, më thanë.


Mos u zini, lumë miku,
Kam fakte Qeverie
Tim Flloko, simpatiku
Ka shumë qytete yje:


Vërtetë, lindur në Pejë,
Po, Vlora në zemër ju fut,
Gjak Gjirokastre, në dejë
Qytetar në Hollivud.


Dikush e quan Visar
Një tjetër e thërret Kanan,
Fatos, Mirosh, a Bujar,
Çerçis Topullit i ngjan.


Madhështor dhe te Çeçeni
Mato Gruda, kur qëllon
Fan Nolin, gjallë e ndjeni
Luan Sina reciton.

Te “Vdekja e Kalit”, Agroni,
Nikua, te “Syri Magjik”,
“Partizanin Meço”, kujtoni,
Artistin simpatik.


Është Vlonjat, a është Pejan?
 -Vlora, në radhë të dytë.
/Shqiptar, e kemi fat,
Pejan - Gjirokastrit!


Vlorë, më 30.06.2012
 
 
 
 PARADOKSE SOCIALE TË KOHËS

(Tregime të një plaku)



Po të rrosh gjatë ke çfarë tregon
Për ngjarje, që të tjerët nuk i kanë parë.
Çuditet e dyshon, kush i dëgjon.
Ju siguroj, kështu kanë ngjarë:

1)
Dikur, femrat pjella të errësirës,
Pas tarabës “kërcisnin dhëmbët”,
Si maskë, një perçe për rreth fytyrës
.Dhe me çitjane mbulonin këmbët.

Skllave të burrit, në injorancë,
Privuar për pasuri e votë,
                                              Në qeverisje, pa asnjë shans,
                                               Kufi lëvizje, deri në portë.

                                               2)
                                                Një tjetër mbresë kam si kujtim,
                                                Që u duk vonë, kur “dridhej” burri,
                                                Xhirot e bulevardit në pambarim,
                                                Si lëmi me kuaj, ku shihej gruri.


                                                Një dukuri në shumë qytete,
                                                Nisu e kthehu dimër e verë,
                                                Paradë mode, shaka më vete,
                                                Me përshëndetjet për disa herë.


3)
Kur e kujtoj, më dridhet mezi,
Sa për të qarë dhe për te qeshur:
Nxitoni shpejt, zbardhi mëngjesi,
Nisni ushtrimet, zhveshur a veshur!

-Gjimnastika, burra e gra,
I bënë të fortë, i gjallëron.
Po të mos vijnë, as pagë s’ka
Dhe vendi i punës “ju fluturon”!

4)
Çudia tjetër thirrja me çangë:
Pushkët dhe vezmet, zbor ushtarak!
Nxitoni burra për në barangë,
Armiku i egër, po shkel në prag!

Me këngë rreshtore, si në marshim,
Pushkë, fishekë dhe kundërgaz
Në çantë të shpinës: tesha, ushqim.
Dhe të sfilitur mbërrinim në bazë.

Ja objektivi, guxim, o shokë
Zini bunkerët e rini të qetë.
Janë si kërpudha shpërndarë në tokë,
Çimento e hekur, të bëra vet.

Armiku para, armiku majtas
Nga deti dhe ajri. Mbrohuni fort!
Vala goditëse kaloi djathtas.
Ne, dhe të vetëm, mposhtim një botë!

5)
Radha e qumështit një paradoks
Ngriheshim herët në ora katër
Një gur, një tullë, një shishe bosh...
Një kile qumësht, ëndërr për vatër.

Biberonin foshnja, çanakun plaka
Një pjesë nga dhia dhe dy nga vija
Kapitalizmit i rëntë flaka
“ Rroftë Rendi i Ri”, s’ka si Shqipëria.

6)
Për çdo nëpunës, punë fizike
Një muaj në vit të lehtëson.
Pa doza turpi, pa pikë frike
Është proletare partia jonë.

7)
Dhe qarkullonte shpesh e çdo kush
Nga Ministria, drejt e në fshat.
Të popullohet çdo mal e fushë.
Gjithnjë nëpunës? Turp e mëkat!

Në postet vakante, në Ministri,
“Klasa punëtore”, vihej në majë
“U ka rrit bari në lartësi,
S’gjen njëthundrak, atë ta hajë”*.


Ka pas paradokse edhe të tjera:
Familje të mëdha patriarkale,
Policë, burgje, rroba të çjerra.
“Në gojë të ujkut, ne hiqnim valle”!

Vlorë, më 07.07.2012


 



POEMA E DËSHTIMEVE TË MËDHA
(Vazhdojnë tregimet e një plaku)


Po i tregoj rresht faktet, siç ndodhën
Dështime të “prijësve” dekada më parë.
I kam parë nga afër, lumenjtë që rrodhën.
Dhe po i tregoj ashtu si kanë ngjarë:

Në pushtet dhunshëm erdhën komunistët
Edhe pse përpjekje bënë dhe të tjerë,
Grupe patriotësh dhe nacionalistë,
Burra të shkolluar e njerëz me vlerë.

Shpërtheu terrori antidemokrat,
Gjoja për ndryshime, masa dhe reforma,
Qindra arrestime në qytet e fshat,
Burgosje, shtetëzime, grabitje në prona.

U vet shpallën, zotët e rinj të tokës,
 “Tokën, ta marri ai që e punon”
Dhe ngrihen këmbët e i bien kokës,
Shtetëzime, vjedhje, egërsi, tension.

“Luftë ndërmjet klasash”, demonstrim inati,
Me gjak e pa gjak, me dredhi e thikë.
Jemi Diktaturë  Proletariati:
Në litar armiqtë, borgjezë e fisnikë!

Me Serbin, u lidh një miqësi e fortë
Aq sa gati lindi “republikë e  shtatë”,
Program i shkërmoqur, siç thyhet një gotë
U shkëputëm shpejt, se do ish mandatë.

Lindi “miqësia” internacionale
Bashkimi i Lavdishëm Ruso-Sovjetik,
Krerë dhe Byroistë seç po heqin valle:
“U lidhëm për jetë me një krye mik”.

Po, drejtuesit rus, grisën, deformuan
Doktrinën e Marksit, Udhën e Leninit.
Dolën Hrushovianët dhe revizionuan
Rrugën komuniste të “Baba Stalinit”

Këtë farë mynxyre, ne nuk e pranuam
Grisëm traktate dhe përmbysëm pakte
Bar le të hanim, parimet s’i ndërruam,
Po i demaskuam, me “shembuj e fakte”.

Largohen nëndetëset, përgjysmohet flota,
Ndërpriten ndihmat. Do na marri lumi?
Pamë djathtas, majtas. Përpjekje të kota...
Kokë e sy i kthyem nga... “filifistuni”.


Dalin “dansibaot”, ca shkrime konfuze,
Ndihmat shpejt e varg nga “kinezëria”
Vaporë të mbushur tanke dhe obuze.
Porosi e rreptë: Larg nga Shqipëria!

Arritje të mëdha: Elektrifikimi,
Arsimi, kultura, shëndeti, ushtria
Sistemi vaditës dhe bonifikimi.
Bukën e prodhoj me forcat e mia.

Jo, nuk na kënaq qëndrimi i juaj:
Te Ten Siao Pini shtrembërim timoni,
Kjo e bën Kinën të “heq e të vuaj”
Drejton e vepron me diktat Niksoni.

Mbajeni ju Hrushovin, edhe Amerikën,
Lumi rrjedh përpara, kemi rrugën tonë
Nuk i duam ndihmat, nuk e njohim frikën.
Marksi dhe Lenini, sërish triumfon.

Tash që erdhi dita, prishja më e madhe,
Le ta marrë vesh e gjithë bota mbarë
“Ne, në gojë të ujkut,  hedhim, dredhim valle”
Tërhiqemi zvarrë dhe me barkun tharë.

Në këmbë do vdesim, gjithnjë kryelartë,
Te devotshmëria lumturinë e gjetëm.
Drejt komunizmit, shkëlqimit brilant,
Do finalizojmë, qoftë dhe të vetëm.


Jemi ne, besnikët e  Josif  Stalinit,
Si flakë Olimpi, nëpër botë përhapim
Idetë e Marksist, Engelsit, Leninit.
Dhe për komunizmin jetën tonë japim!

Kot nuk i ndërmorëm bash disa fushata
Dhe kooperativat i ngritëm në fshat
Kujtoni ju “tufëzat”, ëndërroni “arëzat”,
Ansamblet gazmore dhe “vallen me shpat”.

Po, kjo bota dridhet dhe nuk ri në vend,
Shkërmoqet copash vet “Murri i Berlinit”
“Timishoara”, godet, prish e shemb
Ëndrrën e shpifur të “Hoxhë Nastradinit”.


01.08.2012



 

DOKTOR ISUF HYSENBEGASI
)


Për dr. Isuf Hysenbegasin edhe pse kane kaluar dekada, në Vlorë, flitet ende kudo me respekt e dashuri të veçantë. Ai konsiderohet një hallkë e fuqishme e zinxhirit të një plejade të tërë mjekësh të shquar, më së shumti të ardhur në qytetin e Vlorës nga krahina të tjera të vendit.Populli rendit midis mjekëve të shquar, në kohë dhe lavdi. Nga këta nuk gjen se cilin të vendosësh të parin në radhë. Pa u ndrojtur se gaboj, do të përmend me nderim disa prej tyre, duke ruajtur njëfarë kronologjie:
 
Korçarin guximtar Petraq Popa, që qysh në vitin 1920 vullnetarisht u largua nga Turqia për të ndihmuar luftëtarët vlonjatë të Luftës heroike të Vlorës në ekipin e Spitalit të Llakatundit; Sezai Çomon, që krijoi qysh në vitin 1921 Spitalin  e Parë Psikiatrik të Vlorës; të famshmin Ali Mihali dhe pasuesit e tij në kohë: Azduriani, Dhimitri, Nasho, Agalliu, Çupishti, Caushi, Dervishi; ata që  me devotshmëri shërbyen në vitet e para pas Luftës Çlirimtare si: Flloko, Kauri, Pustina, Shehi, Kallfa, Shyti, Ashiku, Angjeli, Myrzabegu, Tepelena, Bendo, Kutulla, Shtylla dhe që u pasuan nga kuadro mjekësore të formuar nga vetë Shteti i ri Shqiptar e deri në ditët e sotme, të tranzicionit të vështirë.
 
Nuk numërohen rastet kur këta mjek të lavdishëm janë bërë personazhe historike gjurmëlënëse, duke përballur sëmundje epidemike, urgjenca masive aksidentesh, plagë të mara nga plumbat e bombat njëkohësisht te disa pacientë. Ata me qetësi dhe efikasitet kanë sakrifikuar veten, si në kohë lufte, tërmeti, epidemie, asfiksie, inondimi  e helmimi e deri raste të vështira e të dyshimta diagnostikimi, me  ndërhyrje urgjente kirurgjikale e medikamentoze, ose me masa paraprake profilaktike.
 
Në shumë raste ka qenë  shpëtimtare aftësia profesionale e rrallë, konsultimi njerëzor e human midis mjekëve për të tejkaluar egon personale, devotshmëria dhe sakrifica sublime e personelit mjekësor për të mposhtur lodhjen e një kohë të gjatë shërbimi, si dhe për të plotësuar me mjete rrethanore efikase, mungesën e aparaturave dhe medikamenteve të nevojshme.
 
Ata mbahen mend si njerëz tepër human dhe deri idealistë, jashtë përparësive për interesa materiale dhe privilegje e përfitime monetare, duke vënë në çdo rast ndërgjegjen profesionale humane dhe përgjegjësinë ndaj Betimit të Hipokratit.
Janë bërë legjendë veprimet e veçanta që karakterizojnë ndër vite qëndrimet njerëzore humane të ndihmës, ndërhyrjeve dhe  veprimeve, deri në çudi, të këtij brezi mjekësh të papërsëritshëm e madhështor, që kanë qenë fat dhe si dhuratë Zoti për të shëruar plagët dhe vuajtjet e trupit, si në qytetin e Vlorës dhe në qytetet e tjerë, në mbarë Shqipërinë e varfër të asaj kohe.
 
Madhështia e kësaj plejade mjekësh duket më shumë tani, sidomos krahasuar me raste ekstreme te shumë mjekë, kur dominon si primare interesi material monetar, (do të thosha unë: vjedhja e kursimeve nga buka e pacientëve, përgjithësisht të varfër, në formë ryshfeti nominal) . Kjo vjedhje, duket, si në çmimet e larta relative të shërbimit mjekësor privat, me fitimet mbi normat mesatare të vendit në veprimtari të tjera prodhuese e shoqërore dhe, me mos ndërhyrjen pjesëmarrëse të siguracionit shtetëror. Por,  jo vetëm te privatët, po kjo tendencë duket dhe te personeli mjekësor shtetëror me kërkesat shpesh direkt dhe fare hapur, si gjest hajdutërie, ku në shumicën e rasteve, as që shërbehet pa “ryshfet” (do të thosha unë: kusari e shpallur deri në ligjërim, ku shteti me organet e veta të survejimit, auditimit, ndalimit e procedimit dhe gjyqësorit,  është thuajse indiferent dhe duket sikur veç bënë sehir).

Të më falni, që u largova, nga njeriu i mirë, Isuf Hysenbegasi, po krahasimin e bëra, jo vetëm për të “shfryrë dufin” e grumbulluar dhe për ta ndarë atë me ju, por edhe për të evidentuar edhe më shumë vlerat humane të korrektesës model, në ato vite, të këtij mjeku, tepër të shquar e të nderuar të qytetit të Vlorës dhe akoma më shumë.
 
Mos harrojmë, se dr. Isuf Hysenbegasi, e ka prejardhjen nga bejlerët e Starovës, fisnikë dhe patriot në breza dhe që aso kohe, në vitet e “diktaturës së proletariatit”, ai konsiderohej person i një klase të përmbysur, armike. Doktori i nderuar erdhi në Vlorë, pas disa vitesh burgu komunist, (në fakt i dënuar, pa faj, me vdekje) ku gjithashtu, si dëshmohet edhe nga të burgosurit e tjerë edhe pse i terrorizuar, (le t’i referohemi vetëm Reshat Kripës, tani Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të ish të Përndjekurve Politik të Tiranës), Isuf Hysenbegasi kujtohet me respekt edhe gjatë viteve të burgut, sidomos për kulturën që mbartte, sakrificat sublime dhe për qëndrimin e tij të ndershëm dhe gjithnjë human.
 
I laureuar në Itali në Universitetin që më vonë u quajt “La Sapienza” për mjekësi dhe kirurgji, me rezultate maksimale (97 pikë, nga 100 të mundshme) dhe i specializuar më vonë si otorinolaringolog, dr, Isuf Hysenbegasi ishte një intelektual i mirëfillte dhe njohës i thellë i disa gjuhëve të huaja. Ai ishte  i afruar dhe sjellshëm me pacientët dhe shumë i thjeshtë dhe i dashur me komshinjtë dhe të gjithë qytetarët vlonjatë, që shpejt e quajtën bashkëqytetar, mik familjar dhe njeri të besës.
 
Si i ri i edukuar në perëndim,  njëkohësisht antifashist dhe antikomunist dhe që aspironte liri drejtësi dhe pavarësi të plotë, ai ishte gjithnjë në veprim e kërkim. Për të kompensuar sadopak kohën e burgut fashist dhe sidomos të atij komunist, (ku ishte i dënuar me vdekje), kur kjo liri i mungonte plotësisht, ai kërkonte të largohej sa më shumë nga mjedisi i kontrolluar, ku jetonin shumica e shqiptarëve, për t’u përfshirë e për t’u fshehur në gjirin e natyrës, në kujtim të Starovës, çifligut të tij të largët. Këtë mundësi ia jepte, deri diku, ‘’arratisja’’  dhe fshehja në pyjet dhe shkuret rreth Vlorës, te Karaburuni dhe Llogoraja, ku nisi të shkonte shpesh për gjueti shpendësh, lepujsh dhe derrash të egër. Kjo ju bë pasion i pa frenuar dhe i zinte të gjithë kohën e lirë. Në shoqëri zagarësh race të zgjedhur e të sprovuar dhe shpesh i vetëm, lëvizte në dhjetëra kilometra me një çifte gjahu krahësh dhe me gjerdanin me fishekë disa llojesh. Atë, me trupin prej atleti aristokrat, të bukur e të hijshëm, me një shapkë në kokë dhe veshje të posaçme gjuetari, e shihnin  kalimtarë, vendas e çobanët kalimtarë të bagëtive të imta dhe e përshëndetnin me dashuri dhe shpesh e ndihmonin për ta lehtësuar nga ngarkesa e gjahut me lepuj, thëllëza, shapka e turtuj. Ai ndalej dhe bisedonte me ta përzemërsisht dhe nuk i kursente këshillat apo ndihmën mjekësore kur ishte e nevojshme.
 
Tregojnë se njëherë, në vitet tetëdhjetë, në Qafë të Llogorajit, u ndesh papritmas me një eskortë makinash me “turistë” të kohës.  Duket, ishin grupe “marksistë-leninistësh”, që u bënë të modës ca kohë në vendin tonë, për të njohur këtë “çudi vetmimtare” që nga disa u quajt “ylli ndriçues i vetëm i komunistëve të vërtetë Evropian”. Turistët e etur, kërkonin momentalisht burimin më të ftohtë të ujit aty pari. Kur nisën të konsultohen me hartën dhe të flisnin zëlart për këtë dëshirë me njeritjetërin, ja behu pa pritur gjahtari ynë i vetmuar dhe u foli në gjuhën e tyre rrjedhshëm, si të ishte më i sakti francez:
 
-Ju kamerat, jeni francez? Po si është e mundur, që u ndodhet fatmirësisht këtu? Mos ju kanë ngarkuar, ata të Partisë, të na ndihmoni e  shoqëroni?
 
-Jo, unë jam një gjahtari vetmuar i rastësishëm prej Shqipërie, që di frëngjisht, po di edhe gjuhë të tjera. Në se dëshironi, mund të flasim po njësoj edhe italisht, gjermanisht, apo  anglisht.
 
Biseduan “marksistët” me “gjahtarin” për të mësuar çka dëshironin dhe u larguan të befasuar nga ky takim.
 
Kur u kthyen në Francë dikush prej tyre sipas programit dhe porosisë, bëri edhe reportazhin përkatës me “Mbresa nga Shqipëria Socialiste”, midis të tjerave, nuk harruan të deklaronin për prirjen e shqiptarëve për gjuhet e huaja, sidomos si frankofonë. Aty, ata edhe për të demonstruar idetë e tyre të majta marksiste, shkruanin gjatë e gjerë edhe për rastin e takimit të një gjahtari të rastësishëm, që zotëronte fare mirë katër gjuhë të rëndësishme evropiane, duke shtuar se, kur ndodh që një gjahtar i rastësishëm i vetmuar, dinte katër gjuhë, mendoheni ju, se si ishte niveli i Instituteve Akademike dhe i Universiteteve atje, te “Vendi i Shqiponjave Fitimtare Marksiste-Leniniste”.  
 
U bënë mbi njëzetë vjet që dr. Isuf Hysenbegasi nuk rron më. Populli i Vlorës e ka vlerësuar “Mirënjohja e Qytetit”, por më shumë se kaq, atë do ta kujtojmë si një monument madhështor qytetarie dhe humanizmi, ashtu të bukur dhe energjik, të mençur e të ditur, me stetoskopin e mjekut në qafë dhe bisturinë në dorë, me fjalën e ëmbël dhe aftësinë e madhe shëruese dhe shpesh, futur në gjirin e natyrës së bukur vlonjate, në thellësinë gjelbëruese të shkurreve dhe pyjeve, me uniformën e gjahtarit dhe me çiften në krahë, në kërkim këmbëngulës të qetësisë dhe lirisë.
 
Vlorë, më 25.07.2012




 
LAURA NEXHAT MERSINI, VLONJATJA SHKENCËTARE
 
 
Laura Mersini - Houghton, doktoreshë në fizikë, është profesoreshë e fizikes teorike dhe kozmologjisë në Universitetin Amerikan të Karolinës së Veriut, në Chapel Hill, qysh nga 1 janari 2004. Ajo është shkencëtare aktive në SHBA dhe një nga femrat e pakta shkencëtare me peshë botërore në fizikën teorike, që ka zbuluar një teori të re të origjinës së  “Big Bengut”,  që zgjeron njohjen dhe zbulimin e kozmosit dhe të krijimit të gjithësisë në një bashkësi universesh, ‘multiverse’. Një nga aspektet e kësaj teorie nga shkencëtarja e shquar është zbulimi i evidencave astrofizike për parashikimet e teorisë së saj në lidhje me ekzistencën e universeve të tjera, përtej universit tonë, të krijuar në periudhën para ‘Big Beng’ në mënyrë kuantike.

Vlonjatja Laura Mersini i ka të dy prindërit nga Vlora. Babi i saj është matematikani dhe ekonomisti i shquar Nexhat Mersini, vdekur para  një viti, studiues dhe shkencëtar, zbatuesi i parë i metodave matematikore në ekonominë e vendit tonë. Ajo e shpjegon prirjen dhe aktivizimin e saj shkencore nga gjeneza, inkurajimi dhe ndihma e të atit dhe është mjaft krenare për të. Laura e adhuronte Nexhatin jo vetëm si baba por dhe si shokun më të besuar dhe bashkëpunëtorin  e saj më të ngushtë.

Laura Nexhat Mersini ka mbaruar me rezultate maksimale kursin e veçantë pesë vjeçar për fizikë, në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Ajo kujton dhe deklaron me krenari se niveli i Universitetit Shtetëror të Tiranës, në lëndët shkencore për matematik – fizikë, ka pasur staf të kualifikuar pedagogësh dhe nivel të lart akademik e shkencor, aqsa kur plotësoi studimet pasuniversitare dhe kreu specializimet në Amerikë, ajo nuk dalloi diferenca të theksuara me ta. Me që pedagogët e mi janë edhe tani po aty, mendoj shton profesoresha, se ky nivel vazhdon të jetë në një shkallë edhe më të lart.

Laura Mersini kreu studimet plotësuese pasuniversitare në SHBA, fillimisht si studente ‘Fulbright’  në janar 1994 dhe më tej u specializua dhe u pajis me M.Sc. në Universitetin e Marylandit dhe në vitin 2000 mori doktoraturën në Universitetin Wiskconsin-Milwaukee.
Ajo punoi si shkencëtare dhe vazhdon të thellohet e të kontribuojë: Për origjinën e universit dhe të materies në fiziko-kozmologji;  për misterin e energjisë së  errës, që përben 75% të energjisë së universit; për “teorinë e fijes” në fizikë; për gravitetin dhe teorinë kuantike në hapësirën e lakuar, etj
 
Laura Mersini është nga të paktat femra në botë, që merret me studimet shkencore në fizikën teorike. Ajo mendon se kjo është një punë mjaftë e vështirë dhe që kërkon njohuri të thella në disa drejtime dijesh, si në teorinë e relativitetit  të Anshtajnit, në teorinë e mekanikës kuantike dhe në atë të fizikës klasike.
 
Si i shpjegon shkencëtarja jonë kozmologe disa mistere hapësinore:
-Momentin e parë të krijimit të hapësirës kozmike për universin tonë, shkencëtarja e lidh me “Bing Bengun”, kur  u bë shpërthimi i parë i tre dimensioneve hapësinore nga një hapësirë shumëdimensionale (me 10 dimensione ne ‘String Theory’).
-Po nga erdhi kjo energji, para se të ndodhte shpërthimi (Bing Bengu)? Kjo nuk është vërtetuar ende dhe njihet si fusha misterioze e gravitetit klasik. Deri tani hulumtimet në këtë fushë kanë ecur tepër ngadalë, sepse shkencëtarët duhet të kombinojnë dy teori: atë të gravitetit të Anshtainit dhe teorinë e mekanikes kuantike. Unë kësaj i dhashë përgjigje, shpjegon shkencëtarja, duke përdorur energjinë kuantike të ‘String Theory’, duke shfrytëzuar parimin e forcave të kundërta gravitacionale të energjisë e materies. Kjo është teoria e parë që nga ana eksperimentale është testuar në lidhje me parashikimet që ne derivuam për të verifikuar këtë. Kështu energjia e Bing Beng vjen nga hapësirë - koha, krijuar njëkohësisht, kur kjo hapësirë e energjisë, si rezultat i procesit të kompaktifikimit të boshteve dhe të pleksjes nga dhjetë boshte në tre (lartësi, gjerësi, gjatësi), shkakton shpërthime energjish dhe krijon shumë Bing Beng.
 
-Energjia e errës është një tjetër fushe studimore e shkencëtares. Ajo është energji e hapësirë kohës dhe nuk ka lidhje me energjinë e grimcave materiale (me te cilat jemi familjarizuar) dhe si e tillë ngelet ende një energji misterioze dhe e pa shpjeguar nga fizika, sepse ka veti të çuditshme, pa fushë gravitacioni tërheqës, përkundrazi me presion negativ, pa fushë shtytëse gravitacionale, që vërtet kuptohet matematikisht dhe shikohet eksperimtalisht, por nuk karakterizohet nga proceset e ruajtjes dhe të ndryshimit. Ende nuk ka një model përfundimtar të energjisë së errës. Ne këtë drejtim edhe vet Anshtajni paraqiti dyshime dhe e konsideron si budallallëkun më të madh të tij,  si të pakonceptuar fizikisht.
 
-Universi ynë teorikisht nuk është i vetëm, por multivers. Secili nga universet ka kushte specifike dhe ciklin e vet të evolucionit dhe kështu ka mundësi që, disa prej  tyre, të jenë në kushte zhvillimi të njëjta, apo edhe të ndryshme nga njëra tjetra.

Vlonjatja Laura Mersini edhe pse e ngarkuar me punë shkencore dhe akademike, vjen thuajse çdo vit në Shqipëri, në Tiranë dhe në Vlorë, për t’u takuar me njerëzit e saj të dashur, të afërt dhe me miqtë e saj të shumtë. Parvjet asaj i rezervoi një takim të posaçëm vet kryeministri i Shqipërisë. Laura është  një grua e thjeshte, e dashur dhe komunikuese, energjike dhe e re në moshë, nënë e një vajze 2 vjeçare. Ajo e ka burrin anglez, po dhe ai gjithashtu  i angazhuar për disa vite me punë në Shqipëri dhe në Kosovë, vende me të cilat është dashuruar dhe lidhur ngushtësisht.
                                              
Laura ka një vëlla, ekonomist biznesmen në Kanada, Aurel Mersinin, më të vogël, të martuar  dhe me një djalë, si dhe nënën, Stela Mersini, që banon me të birin, më së shumti në Kanada. Ajo është, gjithashtu, me arsim të lart, financiere në pension.

E kam njohur Laurën, vajzën e mikut tim të hershëm, ekonomistit shkencëtar Nexhat Mersini, qysh kur ishte fëmijë. Ajo edhe në shkollën e mesme tërhiqte vëmendjen e mësuesve për talentin e lindur dhe të trashëguar për matematike dhe fizikë dhe për gjuhet e huaja. Puna e gjatë këmbëngulëse shumë vjeçare dhe arritjet e shkencëtares astro fizikanes amerikane (shqiptares së mirëfilltë Laura Nexhat Mersini) në fushën e fizikës teorike dhe kozmologjisë janë çudibërëse dhe mjaftë të suksesshme. Ajo, që duhet të ishte nderi i kombit, krahas shqiptareve të spikatura Mirela Bogdani e Amelia Kotte, është fare pak e njohur, pak e çmuar, pak e vlerësuar dhe e propaganduar si krenari e përfaqësuese e kombit dhe mund të themi, se duket paksa e nënvleftësuar në vendin amë, megjithëse në Amerikë zë vend si shkencëtare, pedagoge universitare edhe është referuese aktive në seminarët ndërkombëtar mbi hapësirën kozmike dhe për krijimin e  origjinës së gjithësisë.

Në faqet e internetit dhe deri në Wikipedia unë u njoha sadopak, me veprimtarinë e vlonjates shkencëtare, Laura Mersini dhe më vjen mirë si shqiptar të shkruaj dy fjalë, të krenohem me të dhe ta ndaj gëzimin me ju.

Vlorë, më 19.07.2012



DYZIMI IM PËR ALI PASHAIN
 



Ali Pashën tani e kemi,
Portret, nga Agimi Sulaj,
Na fton diçka t’i themi.
Në heshtje, unë, po vuaj...


Ai, po dredh tespihet,
Dhe sheh, thellë në  mendim:
“-Ikni, me ju nuk rrihet,
Nuk jeni shoku im.


Ndaj mos u ngatërroni,
Të thoni ç’farë të doni.
Më njeh vet Napoloni,
Dhe më nderon Bajroni.

 
Sulltanin e përballa,
(Kjo, histori e gjatë),
Kam qenë Vezir i Madh
Me peshë, gjykim e shpatë.


Inate fort të vjetra,
O, nip i kardhiqiot...,
(Nis t’i  lëkundet mjekra),
Nënë Hankua, prerë, më thotë:

-Ti, ç’ke me të, që flet,
Kujtoje amanetin,
Shtroji drizat lëm e det,
Ta shuash krejt miletin!”
 

Portretin rri, sodis
Ç’të të kujtoj më parë:
-Famën e trimërisë,
- A, bëmat si barbar?!

Vlorë, më 15.06.2012 
 
Shënime:
-Kardhiqotët : Ata që u vranë barbarisht duke “shirë driza”.
-Hankua: Nëna e Ali Pashait





HOMAZH MEDIN ZHEGËS





Shoh foton dhe sikur flas me të,
Me futbollistin virtuoz Medin Zhega,
Lojtar e trajner në zë,
Që jetën mbylli me brenga.


E kujtoj kur luante me top:
Vllazninë, Dinamon dhe tifozët gjallëronte
Drejt portës godiste me këmbë e me kokë.
Vraponte, driblonte dhe gjithnjë shënonte...


E kam adhuruar,  talentin e vërtetë,
Futbollistin e shpejt gjithë nur ,
Trajner të përfaqësues në disa vjet,
Shkodranin me grimë dhe kulturë.


E vallë, kush ishte si ai në imazh
I ëmbël, i prerë kompetent,
Me disa diploma e  kaq shumë bagazh:
Kimist, akademist, trajner, deputet?


Medin Zhega, ky “Mjeshtër i Merituar”
Njeriu, futbollisti, trajneri buzagaz
Do rrojë për jetë i pa harruar
Me lavdinë dhe nderimin nga pas.

Vlorë, më 13.06.2012


Postimet më të komentuara nga ky blog

JETA IME

PËRSHKRIME UDHËTIMESH

PËR TË QARË DHE PËR TË QESHUR